Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 14
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826

    26 shkurt 1951 - Ekzekutohen 22 intelektualë për "bombën në ambasadën sovjetike"

    Me rastin e 55- vjetorit të masakrës së 26 shkurtit 1951 me pretekstin e “bombës” në Ambasadën Sovjetike

    Bomba në Ambasadën Sovjetike, dënimi pa gjyq i 22 të pafajshmëve

    Dënimi i krimit në çdo kohë është akt kulture

    Uran Butka

    Masakra e natës së 26 shkurtit 1951 është një vepër kriminale e regjimit komunist. Është e tillë, sepse u masakruan 22 intelektualë krejt të pafajshëm dhe sepse nuk u zhvillua asnjë gjyq për të provuar fajësinë e tyre, duke tejkaluar e shkelur kështu edhe kushtetutën, edhe ligjet në fuqi të asaj kohe. Është, gjithashtu, absurde, por edhe skajshmërisht tendencioze, sepse ata u arrestuan dhe u pushkatuan me pretekstin e hedhjes së një dinamiti në oborrin e Ambasadës Sovjetike, por de facto nuk kishin asnjë lidhje me këtë incident, madje edhe Sigurimi i Shtetit nuk i akuzoi për këtë ngjarje. Kishte përfunduar etapa e dominimit të plotë jugosllav në Shqipëri, që e zvarriti atë pas qerres jugosllave dhe kishte nisur periudha e dominimit rus. Klika e E.Hoxhës u kthye me fytyrë nga Moska. “ Duhet t’i kemi sytë drejt Moskës”,- deklaronte ai. (Arkivi qendror, F.14.d 11) Udhëzimet, urdhrat dhe metodat staliniste Hoxha i zbatoi në mënyrë perfekte, duke ia kaluar edhe ustait.
    Shqipëria u bë vendi më i mbyllur, më i varfër dhe më gjakatar në gjithë vendet e Lindjes. Diktatura ushqehej e mbahej me gjak. Sigurimi i Shtetit drejtohej nga “specialistë” rusë. Vetëm në Ministrinë e Punëve të Brendshme drejtonin 40 agjentë të KGB-së.
    Por edhe reagimi antikomunist e antisovjetik gjallonte dhe heraherës kundërvepronte. Një nga këto manifestime ishte edhe hedhja e dinamitit të reduktuar në oborrin e Ambasadës Sovjetike më 19 shkurt 1951, vepër e organizatës “Bashkimi Kombëtar”. Gjithsesi, ishte një akt terrorist që nuk sillte asnjë dobi, veçse shtim të masave represive të shtetit, për të justifikuar valën e re të arrestimeve, pushkatimeve, burgimeve dhe të terrorit komunist.
    Menjëherë u mblodh plenumi i KQ dhe më 20 shkurt Byroja Politike e PPSH.
    Mehmet Shehu, atëherë ministër i Brendshëm, bëri ekspozenë e kësaj ngjarjeje dhe theksoi se “kjo është një ngjarje politike e kalibrit të madh, madje më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne”. M.Shehu kërkoi masa represive të jashtëzakonshme, pa marrë parasysh ligjet në fuqi, meqenëse “edhe herë tjetër kemi pushkatuar jashtë ligjeve në fuqi. Të arrestojmë rreth 100 apo 150 veta, nga të cilët 10 ose 15 prej tyre t’i pushkatojmë, duke zgjedhur sigurisht ata më kryesorët. Kjo masë do të procedohet me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji. Ne duhet t’i përgjigjemi terrorit me terror dhe këtë mund ta bëjmë plot ndërgjegje dhe me gjakftohtësi. Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe, po të jeni edhe ju dakord, veprojmë që sonte”. ( Nga procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike)
    Të gjithë anëtarët e Byrosë: Jemi dakord me këto masa.
    Shihet qartësisht se vendimi u mor në Byronë Politike, pra kemi të bëjmë me një masakër politike të bërë me vendim partiak. Vetëm përzgjedhja e personave që do të pushkatoheshin apo burgoseshin u bë nga Sigurimi i Shtetit. Nga listat e përgatitura me kohë në Ministrinë e Punëve të Brendshme u zgjodhën dhe u shënuan me kryq ata “më të rrezikshmit”, të cilët në këtë rast nuk ishin as të rrezikshëm, as të dyshimtë dhe as që kishin ndonjë dijeni për ngjarjen e ambasadës. Ishin vetëm emra të njohur atdhetarësh e intelektualësh, nga familje të mëdha, natyrisht që s’e donin komunizmin, por qëndronin në punën e tyre, të patrazuar, të zgjedhur thuajse nga gjithë trevat shqiptare, që nga Gjirokastra e Delvina e deri nga Kosova, Shkupi, Dibra e Mali i Zi, në mënyrë që terrori dhe përgjakja të shtriheshin kudo.
    Ideator i kësaj masakre të radhës ishte sekretari I i PKSH dhe kryeministri Enver Hoxha, realizator ministri i Brendshëm Mehmet Shehu.
    Akuzën për 22 të pushkatuarit e nënshkroi prokurori ushtarak Siri Çarçani. Them “nënshkruar” se ai ka deklaruar pas përmbysjes së komunizmit: “Unë, Siri Çarçani, kur kam nënshkruar aktakuzën, nuk kam pasur dosje hetimore të dërguar nga Drejtoria e Sigurimit Shtetit në Prokurorinë e Përgjithshme Ushtarake. Personat që kanë emrat në aktakuzë, unë nuk i kam njohur fare dhe si prokuror nuk kam marrë pjesë në hetimet që zhvillonte Sigurimi i Shtetit. Unë nuk i kam lexuar dhe as i kam parë procesverbalet e marrjes në pyetje të këtyre të pandehurve dhe as ndonjë material tjetër të dosjes hetimore. Pasi nënshkrova aktakuzën, më duket se ia kam dhënë Sotirit dhe se ku ka përfunduar ajo, nuk e di... Për dijeninë time, Gjykata e Lartë Ushtarake nuk ka zhvilluar gjyq ndaj këtyre të pandehurve.”

    Akuza e prokurorit ushtarak ( megjithëse të gjithë të pandehurit ishin persona civilë !) :
    1. Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste.
    2. Janë bërë anëtarë të një organizate terroriste
    3. Kanë propaganduar për të rrëzuar me dhunë pushtetin popullor dhe kanë hedhur parulla pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve.
    Kjo ishte një akuzë e përgjithshme dhe kolektive. Në shërbim të kujt spiunazhi ishin? Anëtarë të cilës organizatë terroriste? Marrëzia arrin kulmin: Kanë hedhur parulla për shpërthimin e një lufte të re imperialiste!?
    Nuk ekziston asnjë procesverbal i marrjes në pyetje të tyre, përveçse kësaj akuze në pesë rreshta, disa shënimeve të operativëve të Sigurimit gjatë torturave ndaj të pandehurve për të pranuar “pjesëmarrjen” e tyre në akte terrorizmi të munguara. “Gjatë pyetjes të të arrestuarve nga ana e hetuesve të ngarkuar me këtë çështje, shumica e të cilëve ishin operativë të sigurimit, - dëshmon Rasim Dedja, drejtor i drejtorisë II të Ministrisë së Brendshme që përgatiste listat e arrestimeve, - janë mbajtur shënime dhe nuk janë mbajtur procesverbale të rregullta në pozitën e të pandehurit dhe hetuesit. Gjatë asaj nate, njëri nga të arrestuarit, Jonuz Kaceli, kur po merrej në pyetje, është hedhur nga dritarja e një dhome të katit të dytë, duke rënë në tokë dhe ka gjetur vdekjen..” ( dëshmi e tij në vitin 1993)
    Megjithë këto shkelje ligjore e proceduriale dhe të të drejtave të njeriut, prokurori ushtarak, që s’kishte në dorë asgjë nga sa kërkonte ligji, madje as dosjet hetimore, kërkoi të dënoheshin me pushkatim në bazë të nenit 12, paragrafi 2 i ligjit 373 datë 12.12.1946 mbi fajet e rënda penale kundër shtetit! Një precedent i pashëmbullt në historinë e jurispudencës botërore. Absurditeti bëhet më i madh, kur prokurori, siç e pohon edhe vetë, por siç vërtetojnë edhe dokumentet, nuk ishte prezent në gjyq! Mandej asnjë akuzë për incidentin në Ambasadën Sovjetike, për të cilin u arrestuan!
    Po a u zhvillua gjyqi?
    Në dosjet e Gjykatës së Lartë së Republikës së Shqipërisë gjejmë vendimin nr.64 datë 27.02.1951 me këtë përmbajtje:
    Gjykata e Lartë Ushtarake e përbërë nga:
    Kryetar: N/kolonel – Shuaip Panariti;
    anëtar: Kapiten I – Vangjel Kocani;
    anëtar: Kapiten Nonda Papuli;
    anëtar dhe sekretar gjyqi: Hidai Bejo,
    pasi konstatoi se të 22 të pandehurit janë armiq të betuar të popullit e të pushtetit popullor, vendosinë bazë të ligjit 373 datë 11.12. 1946 dënimin e tyre më vdekje, me pushkatim, humbjen e të drejtës civile të përhershme dhe konfiskimin e së luajtshme e të paluajtshme.
    Ky vendim është i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm menjëherë.
    Firmosur nga kyetari Shuaip Panariti dhe anëtari Vangjel Kocani.
    Pa firmosur nga anëtari Nonda Papuli, pa firmosur nga sekretari i gjyqit, Hidaji Bejo.
    Përse nuk kanë firmosur dy nga anëtarët e trupit gjykues?
    Si e konstatoi gjykata që ata ishin armiq të betuar, kur nuk u mblodh për të bërë gjyqin? “Trupi gjykues” nuk dispononte asnjë akuzë të veçantë për secilin, asnjë provë shkresore, asnjë dokument, asnjë dëshmi apo dëshmitar, asnjë ballafaqim etj. që të provonte fajin e tyre. Mungoi pyetja e të pandehurve, mbrojtja dhe apelimi. Mungonin, gjithashtu, firmat e dy anëtarëve të gjyqit. Aktakuza ngrihej vetëm mbi tri pika të përgjithshme dhe asgjë më shumë, ndërsa “vendimi” i gjykatës i datës 27.02.1951 si dhe një procësverbal tjetër i datës 27.02.1951 në dy copa letre ishin plotësuar shkel e shko pas ekzekutimit.
    Ish-sekretari i gjyqit, Hydaji Bejo, dëshmon: “Nuk firmosa kur ma sollën vendimin se nuk mora vesh gjë, u bë apo nuk u bë gjyq. S’mund të hidhja firmë. Pa qenë në gjykim. Po kështu bëri edhe Papuli. S’kishim si të bënim ndryshe.” (dëshmi e vitit 1993)
    Natyrisht që nënkolonel Shuaip Panariti, kreu i gjykatës ushtarake, siç dokumentohet edhe nga ky proces i falsifikuar, ka firmosur për një gjyq të pazhvilluar kurrë dhe për një vendim të pamarrë kurrë në gjykatë, duke zbatuar vetëm vendimet e Partisë.
    Po kështu, edhe anëtari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Vangjel Kocani. Ky dëshmon:
    “Pas ca ditësh të kësaj ngjarjeje, apo me kalimin e një jave, unë jam thirrur nga ish-kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Shuaip Panariti dhe më tha se ti e di që është hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike, Sigurimi ka arrestuar dhe një pjesë nga të arrestuarit, 22 veta janë pushkatuar pa u bërë gjyq. Prandaj duhet që të firmosim një vendim gjyqësor penal formal, pasi gjyq nuk mund të bëjmë, se Sigurimi i ka pushkatuar pa gjyq personat... Shuaipi më tha se vendimi i Gjykatës është formal, nuk ka asnjë pasojë dhe duhet ta bëjmë këtë pasi është urdhër i udhëheqjes së shtetit e në atë kohë ishte kryeministër E. Hoxha. Shuaipi më tha: “Ti Vangjel mos u shqetëso, derisa vendimi është formal dhe neve në fakt nuk gjykojmë njeri. Më porositi që për këtë vendim penal fiktiv, duhet të mbyllësh gojën, të mos i thuhet asnjë njeriu se është sekret i madh shtetëror. Pas kësaj kemi shkuar me Shuaipin në zyrat e Ministrisë së Brendshme... Shuaipi më paraqiti vendimin gjyqësor të daktilografuar dhe unë e kam firmosur. Kur ma dha vendimin për ta firmosur, Shuaipi nuk më ka treguar ndonjë dosje hetimore, nuk kam parë asnjë lloj materiali hetimor”.( dëshmi e vitit 1993)
    Për të mbuluar këtë krim, meqenëse masakra bëri jehonë brenda dhe jashtë vendit, autorët hartuan shpejt e shpejt një projektligj që lejonte dënimet, pa bërë gjykimin, të cilin nuk pranoi ta firmoste ministri i Drejtësisë, Manol Konomi, me argumentin se nuk ishte oportune një gjë e tillë. Atëherë, e kthyen në dekret dhe e firmosën presidenti Omer Nishani dhe sekretari Sami Baholli. Ky dekret i zi, i paprecedent në tërë historinë e vjetër e të re të legjislacionit botëror, përligj dënimin dhe ekzekutimin pa repektuar procedurën ligjore duke eliminuar gjithë etapat e saj si gjykimin pa pyetjen të pandehurve, mbrojtjen, apelimin, praninë e prokurorit etj.
    Mbi bazën e këtij “dekreti” që mban datën fiktivisht 26 shkurt, u përpilua procesverbali tjetër (dy procerverbale të ndryshëm për të njëjtën çështje) mbi “vendimin” e Gjykatës së Lartë ushtarake për pushkatimin e 22 personave dhe që mban në krye datën 27.02.1951 dhe në brendësi të vendimit datën 25.22.1951:
    “Gjykata e Lartë Ushtarake e përbërë po prej atij trupi gjykues, pa pjesëmarrjen e prokurorit dhe sipas ligjit të ri mbi gjykimin e akteve terroriste, e merr sot në shqyrtim gjykimin e çështjes etj...
    Sekretari kryetari
    Pa firmë Pa firmë

    Kundërthëniet janë të shumta dhe absurde: Dekreti mban datën 26 shkurt, pushkatimi u bë në mesnatën e 26 shkurtit, procesverbalet e “vendimeve” të pafirmosura të gjyqit të pazhvilluar, mbajnë datat 27 shkurt, kur ata ishin pushkatuar, madje edhe datën 25 shkurt, kur dekreti sipas të cilit ata u pushkatuan, kishte dalë një ditë më pas, më 26 shkurt! Sido që të ishe dekreti nuk mund të zbatohej pa u botuar në fletoren zyrtare, dhe jo më të zbatohej brenda ditës apo një ditë më parë me prapaveprim! Provohet që dekreti është dekretuar pas pushkatimit, meqenëse pushkatimet e burgimet u bënë pa gjyq dhe kjo bëri bujë brenda e jashtë vendit. Duhej një gjethe fiku për të mbuluar turpin.
    Nuk kishte ndonjë urgjencë apo rrezik shtetëror, që të pushkatoheshin pa u gjykuar dhe në mesnatë, kur të pandehurit s’paraqisnin anjë rrezikshmëri shtetërore apo shoqërore, përveçse imagjinare, dhe s’kishin kryer apo as që mendonin të kryenin ndonjë akt terrorist. Nxitimi lidhej me faktin që të bëhej me dije menjëherë Ambasada Sovjetike për këtë larje hesapesh dhe të njoftohej menjëherë shoku Stalin. “Do të ishte mirë që ne si të Byrosë Politike, ku t’i tregonim sesi ka ndodhur kjo ngjarje, kjo fatkeqësi e madhe dhe t’i premtojmë e ta sigurojmë se luftën kundër armiqve të jashtëm e të brendshëm do ta vazhdojmë më me ashpërsi”. Të gjithë anëtarët e Byrosë e aprovojnë edhe këtë propozim të dytë të Mehmet Shehut. ( sipas procesverbalit të mbledhjes)

    A ishte terroriste Sabiha Kasimati?
    E para vajzë shqiptare që mbaroi Liceun e Korçës, e para vajzë shqiptare që kreu studimet universitare jashtë vendit për Shkencat e Natyrës, e para femër shqiptare që punonte si shkencëtare në Institutin e Shkencave. Akuzës për terrorizëm, ajo i përgjigjet para pushkatimit: “Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit që me akt revolucionar të arrihej në socializëm. Unë vetë nuk kam kryer ndonjë atentat dhe as që kam marrë pjesë në ndonjë mbledhje, ku është marrë vendim për akt terrorist.. Unë jam evolucioniste...”
    Edhe të tjerët, nacionalistë e demokratë, intelektualë e ushtarakë të shkolluar në Perëndim: Pjerrin Guraziu e Gjon Temali nga Shkodra, Zyhdi Herri, Jonuz Kaceli e Ali Qorraliu nga Tirana, Manush Peshkëpia, Reiz Selfo, Qemal Kasaruho dhe Petro Konomi nga Gjirokastra, Thoma Katundi e Pandeli Nova nga Korça, Fadil Dizdari nga Kavaja, Hekuran Troka nga Kuçova, Niko Lezo nga Delvina, Anton Delhysa nga Prizreni, Tefik Shehu nga Gjakova, Myftar Jegeni, Gafurr Jegeni e Haki Kodra nga Dibra e Madhe, Mehmet Shkupi nga Shkupi, Lluka Rashkoviç nga Mali i Zi, i pushkatuan në mesnatë në afërsi të urës së Beshirit, të lidhur dorëpërdore me tela me gjëmba dhe i mbuluan në një gropë të përbashkët me dhé e shkurre. Më vonë, kur vendi filloi të shpyllëzohej, një traktoristi që punonte në atë zonë, i ra të fikët kur pa që traktori nxorri papritur një kufomë gruaje dhe po e zvarriste. Ishte trupi i patretur i martires Sabiha Kasimati.
    Po kush e hodhi “bombën” në Ambasadën Sovjetike? A u gjendën autorët dhe ç’u bë me ta?
    Ata që e hodhën dinamitin ishin Hysen Llulla dhe Qazim Laçi të organizatës antikomuniste “Bashkimi Kombëtar”. Pjesëtarët e kësaj organizate u arrestuan dhe u mbajtën në izolim të fshehtë për 8 muaj, ndërsa në “vend të tyre” për terror u pushkatuan 22 viktimat e pafajshme dhe u burgosën e u internuan qindra të tjerë. Gjykata e Lartë Ushtarake më 9.10.1951 me dyer të mbyllura dënoi me vdekje: Qazim Laçin, Sejfulla Shimën, Rustem Thaçin, Zenel Rikën, Ali Voglin, ndërsa për Mark Zef Palin, Ramiz Voglin, Riza Shehun dhe Adem Kastratin, dënimi me vdekje u kthye në burgim të përjetshëm. Reshit Shima u vra në dhomën e torturave, Riza Pengili u pushkatua përpara derës së shtëpisë, ndërsa Hysen Llulla, kryetari i grupit që hodhi dinamitin në oborrin e Ambasadës Sovjetike, u vra kur desh t’i ikte arrestimit prej agjentit të Sigurimit të Shtetit, Besim Selita.
    Dënimi i krimit në çdo kohë, është një akt kulture.




    27/02/2006

    shekulli

  2. #2

    Kolec Topalli: Do përkujtojmë bombën në ambasadën sovjetike

    Kolec Topalli: Do përkujtojmë bombën në ambasadën sovjetike

    » Dërguar më: 14/02/2011 - 14:35

    Fatmira Nikolli

    Më 19 shkurt të vitit 1951 ndodhi ajo, që më tej do të njihej si incidenti i bombës që u hodh në ish-ambasadën sovjetike në Tiranë. Bomba, siç e quajti propaganda e kohës, u hodh në orën 17 e 47 minuta. 7 ditë mbas këtij incidenti, më 26 shkurt të po të njëjtit vit, 22 veta u pushkatuan si autorë të "krimit" ndaj rusëve. Të pushkatuar pa gjyq, të 22 shqiptarët e pafajshëm u bënë padashur "fajtorë" për një ngjarje me të cilën nuk kishin të bënin e në fakt, historianët e kanë cilësuar ngjarjen si pretekst për një valë të re arrestimesh. Më 26 shkurt të këtij viti, plot 60 vjet pas masakrës ndaj intelektualëve, ata do të përkujtohen nga Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri. Anëtari i këtij instituti, Kolec Topalli, duke folur për Gazetën, ka thënë dje se do të jetë një konferencë shkencore që do të mbahet në datën 26 shkurt. Në të do të ketë referate e kumtesa në nderim të intelektualëve e po ashtu pritet që të hidhet ende më shumë dritë mbi ngjarjen e 60 viteve më parë. "Ne do të përkujtojmë 60-vjetorin e hedhjes së 'bombës' në ambasadën sovjetike, pas së cilës janë pushkatuar 22 persona të pafajshëm. Përveç tyre janë arrestuar e internuar dhjetëra e dhjetëra të tjerë. 26 shkurtin do ta përkujtojmë sepse është një nga masakrat më të përgjakshme, por edhe më të dhimbshme. Ne do të zhvillojmë një konferencë shkencore në kuadër të aktiviteteve të institutit tonë. Janë përgatitur disa kumtesa për atë datë, madje edhe unë vetë do të mbaj një të tillë, bashkë me Uran Butkën dhe Amik Kasoruhon. Megjithatë, këtë javë do të përcaktohet qartë programi i konferencës nga bordi i institutit. Ka edhe gjëra të reja, sepse janë parë gjyqet dhe dokumentacioni për to", - tha dje për Gazetën, Topalli.

    Instituti i Studimeve për Krimet e Komunizmit

    Instituti i Studimeve për Krimet e Komunizmit u krijua në korrik të vitit 2010. Parlamenti shqiptar ka miratuar vitin që shkoi kandidatin e propozuar nga Instituti i Integrimit të të Përndjekurve Politikë, Uran Butkën, Pjetër Pepa, Gëzim Peshkopia. Ndërsa nga propozimet e ardhura nga Akademia e Shkencave, u miratua Kolec Topalli, Romeo Gurakuqi, Alfred Lako. Ky institut do të zbardhë krimet e komunizmit së bashku me 7 anëtarët e tij. Dy ditë pasi parlamenti shqiptar miratoi emrat e bordit të Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit në Shqipëri, Gazeta përmes një interviste me Kolec Topallin zbardhi mënyrën se si do të funksionojë ky bord. Topalli shpjegoi se kush dhe ç'kohë do të jetë objekt i këtij hetimi, cila është hapësira gjeografike dhe kohore që ai përfshin pas studimit, ç'do të bëhet me rezultatet e tij, cilat janë ngjarjet mbi të cilat pritet të hidhet dritë, e jo vetëm kaq. Siç tha vetë Topalli, akademik dhe autor i një sërë librash studimorë, pas studimit të emrave të përveçëm apo ngjarjeve të ndryshme që kanë shoqëruar jetën e Shqipërisë në 50 vite komunizëm, rezultatet do të bëhen publike. Kështu pritet që përmes punës së këtij instituti, do të zbardhen dënimet që prokurorë apo gjyqtarë të ndryshëm kanë dhënë, e pas zbardhjes përmes konferencave, seminareve apo ekspozitave, veprat e tyre kriminale do të bëhen publike për të gjithë. I pyetur nëse ky publikim do të jetë një dënim moral për këta të fundit, Topalli pasi heziton, thotë se janë gjëra që dihen. Më tej ai tregon se studimi do të kalojë nëpër duar dokumente arkivore, materiale bibliotekare por edhe kujtimet e ish-të përndjekurve politikë, të dënuarve dhe të internuarve. Sa i takon hapësirës gjeografike, sipas tij, përmes ambasadave shqiptare në vende të ndryshme do të kërkohet bashkëpunim me shtete të tjera për përdorim arkivash. Ai deklaroi për Gazetën se në fokus të studimit do të jenë edhe ligjet e miratuara para '90-ës, ligje që sipas tij janë në kundërshtim me të drejtat e njeriut, si edhe një kujdes i veçantë do t'i kushtohet luftës së klasave. Duke mos u ndalur në emra të përveçëm apo ngjarje të caktuara apo duke mos i përmendur ato sepse puna ende nuk ka filluar, ai tha se do të bashkëpunohet me institucionet arsimore në mënyrë që brezi i ri të njohë mirë atë periudhë.
    Masakra
    Historiani Uran Butka ka shkruar se masakra e natës së 26 shkurtit 1951 është një vepër kriminale e regjimit komunist. "Është e tillë, sepse u masakruan 22 intelektualë krejt të pafajshëm dhe sepse nuk u zhvillua asnjë gjyq për të provuar fajësinë e tyre, duke tejkaluar e shkelur kështu edhe Kushtetutën, edhe ligjet në fuqi të asaj kohe. Është gjithashtu absurde, por edhe skajshmërisht tendencioze, sepse ata u arrestuan dhe u pushkatuan me pretekstin e hedhjes së një dinamiti në oborrin e ish-ambasadës sovjetike, por de facto nuk kishin asnjë lidhje me këtë incident, madje edhe Sigurimi i Shtetit nuk i akuzoi për këtë ngjarje", - ka thënë Butka. Sipas tij, asokohe kishte përfunduar etapa e dominimit të plotë jugosllav në Shqipëri, që e zvarriti atë pas qerres jugosllave dhe kishte nisur periudha e dominimit rus. "Edhe reagimi antikomunist e antisovjetik gjallonte dhe hera-herës kundërvepronte. Një nga këto manifestime ishte edhe hedhja e dinamitit të reduktuar në oborrin e ish-ambasadës sovjetike më 19 shkurt 1951, vepër e organizatës 'Bashkimi Kombëtar'. Gjithsesi, ishte një akt terrorist që nuk sillte asnjë dobi, veçse shtim të masave represive të shtetit, për të justifikuar valën e re të arrestimeve, pushkatimeve, burgimeve dhe të terrorit komunist.
    Menjëherë u mblodh plenumi i KQ dhe më 20 shkurt, Byroja Politike e PPSH", - ka thënë Butka. Sipas historianit, përzgjedhja e personave që do të pushkatoheshin apo burgoseshin u bë nga Sigurimi i Shtetit. Nga listat e përgatitura me kohë në Ministrinë e Punëve të Brendshme u zgjodhën dhe u shënuan me kryq ata "më të rrezikshmit", të cilët në këtë rast nuk ishin as të rrezikshëm, as të dyshimtë dhe as që kishin ndonjë dijeni për ngjarjen e ambasadës. "Ishin vetëm emra të njohur atdhetarësh e intelektualësh, nga familje të mëdha, natyrisht që s'e donin komunizmin, por qëndronin në punën e tyre, të patrazuar, të zgjedhur thuajse nga gjithë trevat shqiptare, që nga Gjirokastra e Delvina e deri nga Kosova, Shkupi, Dibra e Mali i Zi, në mënyrë që terrori dhe përgjakja të shtriheshin kudo. Sipas tij, akuzën për 22 të pushkatuarit e nënshkroi prokurori ushtarak Siri Çarçani dhe ata u akuzuan: "Janë vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste; janë bërë anëtarë të një organizate terroriste dhe kanë propaganduar për të rrëzuar me dhunë pushtetin popullor dhe kanë hedhur parulla pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve". Më 26 shkurt 1951, siç shkruan Butka, u pushkatuan Sabaha Kasimati, Pjerrin Guraziu e Gjon Temali nga Shkodra, Zyhdi Herri, Jonuz Kaceli e Ali Qorraliu nga Tirana, Manush Peshkëpia, Reiz Selfo, Qemal Kasoruho dhe Petro Konomi nga Gjirokastra, Thoma Katundi e Pandeli Nova nga Korça, Fadil Dizdari nga Kavaja, Hekuran Troka nga Kuçova, Niko Lezo nga Delvina, Anton Delhysa nga Prizreni, Tefik Shehu nga Gjakova, Myftar Jegeni, Gafurr Jegeni e Haki Kodra nga Dibra e Madhe, Mehmet Shkupi nga Shkupi, Lluka Rashkoviç nga Mali i Zi. Ata u pushkatuan në mesnatë në afërsi të "Urës së Beshirit", të lidhur dorë përdore me tela me gjemba dhe i mbuluan në një gropë të përbashkët me dhé e shkurre.

    Gazeta Shqiptare

  3. #3
    jom mo i bukri katunit Maska e TikTak
    Anëtarësuar
    26-04-2005
    Postime
    1,633
    sa kaqola mer daj. juve ju ka plas bumja ne mes te tirones rrini e mereni me fosile. hapni ma mir i history channel ene ne albania hahahahahahaha
    no glove no love

  4. #4
    Mire ështe puna mire Maska e PLAKU
    Anëtarësuar
    19-05-2002
    Postime
    2,443
    Pse mer Tik Tak, cfare te pengojn ty keto histori, ngjareje te dhimbeshme qe ika kapercye shqyptari ne kurriz ti, dhe ska guxu me fole! edhe sot behen keto gjurulldia nga mbetja e asaj te keqje qe mbjellte zi kudo ne shqyptar, per ate edhe sju konvenon demokracia, fjala e lire,i versulen shqypnis si te terbu gjoja vdesin nga unetija e fukaralleku!Kjo ashete historia ndryshe nga ajo qe na ashete meshef nga ai regjim i poshter, dhe sot falangat e asaj mbetje te keqe, me ulerimat e tyne duan ta vrasin Lirin,Demokracin e shqyptarit!
    Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

  5. #5
    Mire ështe puna mire Maska e PLAKU
    Anëtarësuar
    19-05-2002
    Postime
    2,443
    Reshat Kripa: Përvjetori i një masakre të paramenduar
    E Hene, 21-02-2011, 07:59pm (GMT)


    Gjashtëdhjetë vjet më parë


    Përvjetori i një masakre të paramenduar


    Nga Reshat Kripa


    Në këtë përvjetor jubilar të masakrës së pashembullt që rregjimi komunist ushtroi mbi inteligjencën shqiptare, me rastin e të ashtuquajturës bombë në ambasadën sovjetike, para syve më del ai vit i tmerrshëm, kur në Vlorën time do të vinin të sjella forcërisht, pesë familje të këtyre martirëve që kosa komuniste u preu fillin e jetës. Ato ishin pesë gra fisnike që sillnin pas vetes një tufë fëmijë. Kujtoj Marie Temalin, Sevdie Shehun, Liri Herrin, Azbie Kodrën dhe Shuke Jegenin. Kujtoj ato njëmbëdhjetë vajza dhe katër djem që me nurin dhe sjelljen e tyre i dhanë dritë Vlorës, ku më e madhja nuk i kishte mbushur të pesëmbëdhjetat, më i vogli Luli kishte vetëm disa ditë që kishte lindur, ndërsa Hyseni ishte ende në barkun e s’ëmës. Kujtoj Idën, Gretën, Lilin dhe Zanën e Temalajve, Xhonin dhe Hysenin e Shehajve, Brunildën dhe Xhenerin e Herrajve, Teftën, Vjoletën, Rexhepin dhe Lulin e Kodrave, Jetën, Medihanë dhe Adhurimin e Jegenëve.
    I vendosën të pesë familjet në një depo qymyri. Mendonin t’i linin aty vetëm për pak ditë, pastaj t’i dërgonin në Tepelenë apo një Zot e di se ku. Një urdhër i dytë anulloi të parin, i lanë aty. Midis tyre edhe një plakë e moshuar, nëna e Tefik Shehut, apo siç e thërrisnin “Nana kosovare“. Nënës së ngratë nuk i kishin treguar për birin e pushkatuar. Nusja e djalit, Sevdija, për t’i hequr vëmendjen këndonte me të këngën “I kam hyp vaporit“. Por zemra e nënës e kishte ndjellë mandatën që e kishte pllakosur. I mbylli sytë shumë shpejt. Ishin plotësisht të izoluar nga bota. Vetëm disa kurajozë, njerëz të shtresës së tyre, vinin fshehurazi natën dhe u sillnin sende me të cilat ato mbijetonin.
    Kush ishte ajo forcë që u dha mundësi këtyre heroinave për të mbijetuar në ato kushte ferri? Padashur më kujtohet thënia e filozofit të shquar gjerman Friedrich Nietzsche, që një shekull më parë shkruante:
    Ekziston vetëm fisnikëria e lindjes, fisnikëria e gjakut. Vetëm shpirti fisnikëron, por më parë duhet diçka që të fisnikërojë shpirtin. Çfarë duhet atëhere? Gjaku….
    Po, ishte gjaku dhe origjina fisnike që i mbajti aq lart këto gra, vajza dhe djem. Fisnikërinë e tyre nuk mundi ta thyente as terrori dhe as metodat e tjera djallëzore të përdorura nga rregjimi.
    Para dhjetë vjetësh, në takimin e organizuar për pesëdhjetë vjetorin e kësaj ngjarje, së bashku me mikun tim, Cane Agaj, takuam Ida Temalin, që tashmë ishte plakur. Përqafohemi me mall dhe nga sytë e saj shohim të rrjedhin lotë. Me një zë të dridhur më thotë
    - Kam nostalgji për Vlorën. Mendonim se atje do të gjenim vetëm bisha të etura për gjak, por gjetëm njerëz të thjeshtë e të ndershëm, që na ndihmuan në ato çaste të vështira.
    E pyesim për motrat dhe njerëzit e tjerë. Zëri i saj që duket sikur vajton vazhdon:
    - Jeta që kaluam na shkatërroi. Greta është e sëmurë, ndaj nuk erdhi. Po ashtu edhe Lili me Zanën.
    Nuk e ngacmuam më tej. Çdo pyetje tjetër do t’i hapte një plagë të re.
    Takova Brunilda Herrin. Në karakterin e saj dallova krenarinë që kishte trashëguar nga e ëma fisnike, e cila për vite të tëra nuk u përul para presioneve të
    vazhdueshme që bënte sigurimi i shtetit. Në fytyrën e Brunës dallova Liri Herrin,
    simbolin e fisnikërisë dhe krenarisë.
    Takoj shpesh herë Hysenin. Bisedojmë për tema të ndryshme. Një ditë e pyeta për Xhonin krenare, me të cilën kam punuar në ndërmarrjen bujqësore. Kishte dëshirë të vinte për të punuar në brigatën e ndërtimit, ku isha edhe unë, pasi aty kishte shumë persona nga shtresa e jonë, por nuk e lejuan. Ishte e dënuar të punonte në bujqësi. Hyseni heshti për një çast, pastaj foli me një zë të dridhur:
    - Xhoni e ka mbyllur jetën e saj!
    U trondita tepër. Si ishte e mundur që Zoti të merrte pranë vetes një yll bukurie si ajo?
    Takohem me Lulin. Ai më tregon se Violeta dhe Rexhepi nuk jetojnë më. Po ashtu më thotë se edhe Adhurimi i Jegenëve i kishte mbyllur sytë. Të gjitha këto më bënë të mendoja:
    - Sa veta hëngri diktatura? Sa të tjerë po shuhen njeri pas tjetrit? Mirë njerëzit që nuk po kujtohen, po Zoti i madh si nuk mëshiroi për këta njerëz të përvuajtur? Apo mos ndoshta edhe vetë Zoti kishte nevojë për fisnikërinë e tyre dhe i mori pranë vetes së tij?
    Fola vetëm për këto pesë familje, pasi këto erdhën në qytetin tim dhe e kemi ndarë vuajtjen së bashku, por nuk mund të rri pa përmendur edhe shtatëmbëdhjetë familjet e tjera të shpërndara nëpër Shqipëri, fati i të cilave ishte i njëjtë me këtë të këtyre që përmenda më sipër.
    Para syve më del rezoluta e miratuar para disa vitesh nga Këshilli i Europës. Në njërën nga pikat e saj shkruhet:
    Asamblea beson që viktimat e atyre krimeve që u realizuan nga rregjimet komuniste totalitare e që janë akoma gjallë, apo familjet e tyre, meritojnë simpati, mirëkuptim dhe mirënjohje për vuajtjet e pësuara.
    Lidhur me këtë rezolutë edhe parlamenti shqiptar ka miratuar një të tillë, ku solidarizohet me atë të Këshillit të Europës. Por çfarë është bërë deri tani? Si në asnjë nga vendet e tjera ish totalitare, në Shqipëri nuk ka asnjë burg apo kamp të punës së detyruar që të jetë kthyer në muze. Nuk ka asnjë lagje, rrugë apo shesh, institucion kulturor apo shëndetësor që të ketë marrë emrin e ndonjërit prej viktimave të shumta të genocidit komunist. Si në asnjë vend tjetër në Shqipëri nuk ka një varrezë për viktimat e komunizmit, nuk ka një përmendore apo pllakë përkujtimore për mijrat e të rënëve që akoma nuk u dihen as varret. Shteti komunist i mblodhi eshtrat e dëshmorëve dhe u dha një varr ashtu si e meritonin. Po shteti demokratik a nuk ka mundësi t’u jap një varr eshtrave të të rënëve nga plumbat e rregjimit totalitar?
    Deri në vitet 70-të në shkollat gjermane nuk studiohej as Hitleri dhe as nazizmi. Një gjë e tillë bëhej me qëllim që populli gjerman ta harronte atë periudhë të errët të historisë së tij. Po tek ne çfarë po ndodh? Ka kohë që flitet për një rishikim të historisë së Shqipërisë, por deri tani asgjë konkrete nuk është bërë. Nëpër shkollat nxënësit tanë vazhdojnë të helmohen me propagandën neokomuniste. Në Varrezat e dëshmorëve vazhdon të mbizotërojë ylli i kuq i komunizmit, a thua se të rënët u flijuan për atë yll dhe jo për atdheun. Deri kur do të vazhdohet në këtë mënyrë?
    Me vendim të qeverisë amerikane, në Washington është ngritur madhështor monumenti në kujtim të viktimave të komunizmit. E pra Amerika nuk e provoi diktaturën komuniste. Megjithatë monumentin e ngriti, pasi e konsideronte si një obligim të saj. Po te ne kur do të ngrihet ky monument? Ne mendojmë se ai duhet të ngrihet pikërisht në vendin ku dikur qëndronte monumenti i diktatorit. Një kërkesë e tillë bëhet edhe më e theksuar sot, kur kremtojmë njëzetvjetorin e rrëzimit të atij monumenti. Ky do të ishte hapi i parë në luftën për çrrënjosjen e ideologjisë komuniste.
    Mendoj se qeveria demokratike shqiptare do të marrë të gjitha masat për vënien në vend të kësaj padrejtësie shoqërore. Një gjë e tillë duhet bërë sa më parë. Mendoj se është detyrë e Komisionit për Hetimin e Krimeve të Komunizmit, Shoqatave të të Përndjekurve Politikë, Institutit të Integrimit të Përndjekurve Politikë, Qendrës Kombëtare Kundër Traumës dhe Torturës, dhe Organizatave të të Drejtave të Njeriut, ta ngrejnë zërin deri në kupë të qiellit, deri në realizimin e këtyre kërkesave.
    Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

  6. #6
    i/e regjistruar Maska e gjirfabe
    Anëtarësuar
    23-06-2004
    Vendndodhja
    Boston, MA
    Postime
    576
    MESNATA E FTOHTE E NJE PUSHKATIMI BARBAR.

    60 VJET ME PARE


    Pas pyetjesh e kërkimesh të shumta, aty nga viti 1993, buzë lumit Erzen, nën një kodrinë afër Urës së Beshirit, u zbulua një gropë me eshtra njerëzish. Ç’qe ajo gropë? Prania e grave të përzishme dhe e burrave të tronditur, tregonte se nuk ishte gjetur një tumë ilire, por një varr i përbashkët, varr makabër i vitit 1951.
    Nga shenja të ndryshme ata njohën mbetjet nga trupat e 22 njerëzve të dashur, të pushkatuar në mesnatën e 26 shkurtit 1951, të lidhur tok me tela me gjemba, midis tyre dhe një vajzë. Oh tmerr! Përse i vranë ata?

    Nuk do të mjaftonin vrasjet e shumë patriotëve, pa gjyq e me gjyq, që nisën qysh nga nëntori i vitit 1944, kur sadisti Mehmet Shehu, i njohur për epitetet “terror i bardhë”, “terror i kuq”, në vitin 1949 do të shprehej: “Ne duhet ta ashpërsojmë luftën kundër armiqve të pushtetit tonë, të vrasim njerëz që të mundemi të përballojmë situatën.”

    Viti 1951 qe një kohë, kur shumë qytetarë të zhgënjyer shpresonin, se pas prishjes me jugosllavët, do të ndodhnin ndryshime të thella. Ata që kishin radio, dëgjonin më kot Radio Londrën, me sinjalin e njohur “Ju flet Londra!”, apo Ankaranë, me “Burasi Ankara!” Ndërkohë natën nëpër rrugët e taracat e Tiranës, aktivistët e Frontit Demokratik, kërkonin fletushkat e hedhura nga duar të panjohura, ndoshta edhe nga qielli, kurse ditën nëpër trotuare, civilë të paguar gjurmonin kalimtarë të dyshimtë. Në mure u dukën pankarta me fjalën e rreptë “Vigjilencë!” Në Durrës, kur qytetarët ktheheshin në shtëpi, gjenin mbi radio letra me shënimin tronditës:”mos hapni radion në kanalet italiane!”.Në bregdet pushuesit porositeshin të ndërprisnin lojën me domino e të hynin ndër fjetore. Nga dritaret dukej në muzg patrulla e rojeve bregdetare me armë në duar. Banorët e majmur të Bllokut, natën shihnin ëndrra të frikshme me sulme të befasishme nga deti e ajri dhe nga malet. Ndaj zgjoheshin të trembur dhe në mbledhje të fshehta, hartonin lista arrestimesh me emra të diktuara nga krerët kryesorë të partisë, disa të njoftuara edhe nga agjentët e sigurimit.

    Befas, në krahun e shkretë të oborrit të Ambasadës Sovjetike në rrugën e Durrësit në Tiranë, shpërtheu një sasi e pakët dinamiti, nga e cila u thyen vetëm disa xhama.

    Dhe ja, brenda një nate, sipas listave të përgatitura qysh më parë, u shoqëruan të lidhur mbi treqind vetë, midis tyre, Sabiha Kasimati, dijetare e Institutit të Shkencave, Jonuz Kaceli, nga familja e madhe e Kacelëve, Fejzi Dika, i laureuar në Montepellier për filozofi dhe pedagogji, poet e mendimtar patriot, Ing. Vasil Noçka, një prej yjeve të Universitetit të Shtutgardit, Prof. Ibrahim Babamusta, personalitet i njohur i kulturës perëndimore, Gaqo Qano, doktor i kirurgjisë dentare, i kthyer nga studimet në SHBA, Gani Strazimiri, inxhinier i shquar i ndërtimit, Rok Radovani, profesor i kimisë, Tefik Gabrani, ekonomist, zotërues i disa gjuhëve, patriot i kthyer nga Selaniku në atdhe për Kosovën e shumë të tjerë.

    Nga listat e zeza nën diktatin e E. Hoxhës dhe të M. Shehut, u përzgjodhën për pushkatim 22 vetë, të gjithë banues në Tiranë. Shumë njerëz qenë të bindur se atentati dhe arrestimet u kryen me urdhër nga lart, me anën e shërbimit të fshehtë, me emrin Sigurimi i Shtetit, duke fashitur kështu ëndrrat e shpresat e qytetarëve për shembjen e diktaturës. Asnjë nuk u pyet për ngjarjen e bujëshme me dinamit, por veç për ndodhi e biografi të paraluftës. Madje pati zyrtarë rusë që ndërhyn për lirimin e disa prej tyre. Ishte koha, kur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, po bënin hapat e para.

    Ata 22 fatkeq, pasi lindën, u rritën dhe u shkolluan, ecën nëpër udhën e jetës, herë me gëzime të pakta, herë të tronditur nga zhgënjime, apo nga dramat familjare, së fundi do t’i priste një mbarim tragjik, nga dora gjakatare e tiranit komunist E.Hoxha dhe e xhelatit M. Shehu. Pas arrestimit u pushkatuan në mbarim të pesë ditëve, pa prokuror, pa gjyq e pa asnjë shpjegim zyrtar, në mesnatën e 26 shkurtit të vitit 1951, pranë Urës së Beshirit.

    Ky veprim u quajt i përligjur, sipas një dekreti mizor me gjashtë nene, për „veprimtaritë terroriste“ që u hartua me vonesë nga kreu i Ministrisë së Brendshme M. Shehu dhe u miratua rrufeshëm nga Presidumi i Kuvendit Popullor dhe Byroja e PPSH, më 26 shkurt 1951, kur gjithçka, pa gjyq, kish marrë fund. Ministri i Drejtësisë u përjashtua nga kjo orgji juridike e pështirë. 26 shkurti shënon një datë të zezë të drejtësisë shqiptare që ngjeth jo vetëm çdo jurist në botë, por edhe njeriun më të thjeshtë.

    Një oficer i lartë i asaj kohe të mbrapsht dëshmon: “Për pushkatimin e këtyre personave, nuk është bërë gjyq dhe këtë e them pasi nga pyetja që bëhej nga zyrat e Ministrisë së Brendshme, ata janë çuar direkt në vendin e pushkatimit dhe nuk është lënë kohë për gjykimin e çështjes..“ Pra, asnjë seancë gjyqësore nuk u zhvillua. Nuk u dëgjua as prokurori, as gjyqtari. Mungonin dëshmitarët dhe avokati.

    Viktimat, të lidhur me tela me gjemba të kohës së luftës, i hipën në një kamion. Jonuz Kacelin të vdekur nga torturat e hodhën nga dritarja. Askush prej tyre nuk u njoh me vendimin. Në mes të natës, kur era e maleve ulurinte si mallkim, i pushkatuan barbarisht të gjithë ashtu siç qenë, të lidhur tok. Kur krismat e armëve pushuan, u dëgjua britma e dhimbshme e një gruaje: “Ç’i paskam bërë perëndisë!“ Ishte Sabihaja! Plumbi nuk e kishte kapur! Atëhere ushtarët u sulën dhe ia shuan jetën, duke e qëlluar egërsisht me kondakët e pushkëve. Pas disa çasteve britma pushoi. Ndihej vetëm ulërima e erës dhe rrjedha e tërbuar e Erzenit. Një vetull hëne e pikëlluar rrezëllinte midis reve. Të vrarët, ashtu siç qenë, i mbuluan shkel e shko, në një gropë të përbashkët.

    Gjithçka kishte marrë fund. U dëgjua një motor që u ndez. Xhelatët, pasi mbaruan detyrën me sukses, u zhdukën si hajna nëpër natë. Në të nesërmen nëpër shtëpitë e Tiranës, fshatarët e fshatit pranë, trokitën të tronditur në dyert e miqve të tyre dhe sipas një zakoni të lashtë, rrëfyen se ç’kishte ndodhur në mes të natës. Më vonë, ndërsa punohej për shpyllëzimin e asaj zone, një traktoristi i ra të fikët, kur pa që traktori nxori papritur një kufomë gruaje dhe po e zvarriste. Qe trupi i patretur i martires Sabiha Kasimati…

    Pas ekzekutimit të viktimave, që shkuan drejt vdekjes pa e ditur pse, dokumentet gjyqësore u plotësuan të mangëta. Kur viktimat nuk jetonin më, nga një dokument i vonuar gjyqësor, merret vesh një vandalizëm i paparë, se më datën 27 shkurt 1951, një trup gjyqtarësh fantazmë i përbërë nga tre vetë, pa praninë e prokurorit, kish dhënë një vendim: dënimin me vdekje për 22 të vdekur!! Në atë dokument të turpshëm mungon sërish një nënshkrim.

    Pra, bllokmenët, uzurpatorët e Shqipërisë, me atë vrasje, kërcënuan gjithë popullin liridashës, kërcënuan drejtësinë, kërcënuan edhe Zotin. Me këtë rast E. Hoxha u rek të tregonte dashurinë e madhe për miqtë e rinj sovjetikë, e mbi të gjitha të qetësonte jetën e tij të mbrapsht. As Shekspiri i tragjedive, s’do të mund të gjente fjalë për të treguar, sesi brenda një nate u krye ajo masakër e llahtarshme.

    Pas atij akti kriminal, diktatori E. Hoxha do të hakërrehej me grushtin lart: “Reaksioni i brendshëm është strukur si miu dhe po lëvizi, e piu e zeza!”

    Ja cilët ishin ata, që humbën jetën, shumica në moshë të re, pa asnjë faj, nga pushkatimi mizor në natën e ftohtë të 26 shkurtit 1951:

    -Sabiha Kasimati, 38 vjeçe. E lindur në Edërne të Turqisë, e diplomuar në Itali. Megjithëse iu ofrua një vend pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo vajzë patriote e ditur, dëshiroi vendin e saj, Shqipërinë. Pas kthimit në atdhe, punoi në Institutin e Shkencave krahas shkencëtarëve të shquar në histori. Si ishte e mundur të dënohej me vdekje dhe të masakrohej një ëngjëll si ajo? Fajtor për këtë krim barbar ndaj asaj vajze të rrallë dijetare, ishte vetë dora e përbindëshit ziliqar, E. Hoxha.

    -Tefik Shehu 39 vjeç, i lindur në Gjakovë. I diplomuar në Zagreb për ekonomi, financë dhe drejtësi. Në vitin 1939 u vendos e punoi në Tiranë. Pas pushtimit të Shqipërisë u kthye në Gjakovë. Atje u arrestua nga serbët, por mundi të shpëtonte me ndihmën e nacionalistëve shqiptarë. Më 1945 u arrestua nga komunistët shqiptarë në Tiranë, por me ndihmën e avokatit Koço Dilo, shpëtoi nga pushkatimi. Më 26 shkurt 1951, askush nuk mundi ta mbronte nga vandalët.

    -Pjerin Guraziu 45, vjeç i lindur në Shkodër. Doktor i Shkencave Ekonomike, sportist me rezultate të nivelit ndërkombëtar. Pedagog në shkollën tregtare të Vlorës. Drejtor i Doganës së Tiranës më 1938. Pas luftës, shef finance në Ministrinë e Finacave dhe në Ministrinë e Bujqësisë. Anëtar i komisionit për organizimin e garave atletike në Ballkaniadën e vitit 1946. Për këto aftësi meritoi pushkatimin.

    -Jonuz Kaceli 43 vjeç U lind në Tiranë, në familjen e madhe patriote të Kacelëve, e njohur për shërbime në dobi të atdheut, në ekonomi, kulture, art etj. Më vonë, sipas një dëshmitari, për këto vlera, sadisti i Ministrisë së Brendshme e vrau në tortura dhe e hodhi nga dritarja. Shkuan vite dhe sadisti i “terrorit të kuq”, u dergj në shtrat i vrarë.

    -Anton Delhysa, 47 vjeç. U lind në Prizren, specialist ndërtimi, kreu me përfundime të shkëlqyera Shkollën Teknike të Fulzit. Njihet si drejtues i punimeve për ndërtimin e Shkollës Amerikane në Golem të Kavajës, të ShkollësTeknike të Fulzit dhe të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Pas luftës drejtoi punimet për për ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Maliq, për spitalin në Gjirokastër, për fabrikën e tullave ë Vorë etj. Për punën e tij, u dekorua edhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, së fundi edhe me pushkatim…

    -Haki Kodra-, 30 vjeç. U lind në Dibër të Madhe. Pasi u diplomua për ekonomi në Universitetin e Zagrebit, u kthye në Dibër, ku ngriti një biznes të madh, por u luftua nga serbët, ndaj u largua dhe u vendos më 1940 në Tiranë. Pas luftës punoi në sektorin ekonomik deri në vitin e zi të pushkatimit 1951.

    -Gafur Jegeni, 41 vjeç. U lind në Dibër.Ishte një nga përfaqësuesit e shquar të Jegenëve të Dibrës. Kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali. Nga viti 1935 më 1937, komandant i kufirit bregdetar në Shqipëri. Në ditët e prillit 1939 në Vlorë, me gradën kapiten, kreu detyrën si patriot për mbrojtjen e atdheut. U arrestua dhe gjyqi ushtarak e dënoi me vdekje, më pas u internua në Ventotene. U lirua nga anglo-amerikanët më 1943. Pas kësaj u tërhoq nga ushtria deri në shkurt të vitit 1951. Epilogu: Në vend të plotonit ushtarak italian të ekzekutimit, u ndodh përballë skuadrës së ekzekutimit barbar me ushtarë, që mbanin yll të kuq në ballë.

    -Myftar Jegeni, 36 vjeç. U lind në Dibër. Kreu Akademinë Ushtarake më 1937 në Itali. Me gradën kapiten më 7 prill 1939, luftoi në Durrës për mbrojtjen e atdheut, më pas edhe kundër ushtrisë gjermane. Kundërshtoi masakrat jugosllave, ndaj serbët pasi e arrestuan e dërguan në duart e komunistëve në Shqipëri. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, punoi llogaritar në një ndërmarrje ndërtimi në Tiranë, deri në vitin 1951. Nuk mundi të punonte më sepse në mesnatë e priste pushkatimi i pabesë.

    -Manush Peshkëpia, 39 vjeç, poet patriot, me origjin nga Gjirokastra, u lind në Vlorë. Analistët e letërsisë e rendisin krahas me Fishtën. Poradecin, Koliqin, Kutelin etj. Ja, si është shprehur shkrimtari i shquar Vedat Kokona:“Shumë nga shokët e mi vdiqën zemërplasur pas dekada vuajtjesh dhe mjerimesh. Një nga këta fatzinj ishe edhe ti, Manush. Askush në këtë sallë dhe jashtë saj nuk të ka njohur si të kam njohur unë, si vëllai, gjashtëdhjetë vjet më parë…Shumë njerëz kam njohur në jetën time, pak kam çmuar, shumë pak kam dashur siç të kam dashur ty. Ti shkruaje vjersha pa e hequr veten poet, të mos jeshë poet në vargje, nuk është faj. Faj është të mos jeshë njeri. Ti, Manush, ishe poet njeri“
    Edhe pas pushkatimit nga terrori i kuq në mesnatën e 26 shkurtit, ky poet njeri mbeti i gjallë në vargje e në dritë.

    .-Reiz Selfo, u lind në Gjirokastër. U shqua si një nga sipërmarrësit e aftë në tregëti dhe në ndërtim. Disa nga veprat, si Firma “Selfo” në Vlorë, Ura e famshme e Dragotit mbi lumin Vjosë, Ura e Bënçës në Tepelenë, disa shkolla, ndër to, Gjimnazi në Gjirokastër dhe shumë të tjera, janë tregues të qartë të ndihmesës së tij për lulëzimin e Shqipërisë, por dora e diktatorit E.Hoxha, më 26 shkurt 1951, ia rrëmbeu pa mëshirë, jetën këtij biznesmeni të madh patriot.

    , -Qemal Kasaruho, 49 vjeç. U lind në Gjirokastër. Ekonomist, zotërues i disa gjuhëve të huaja, Në vitet 20-40 punoi si kryeinspektor në doganën e Sarandës, më pas drejtor i përgjithshëm i Monopoleve dhe i Tatimeve në Ministrinë e Financave, ndër kohë mori pjesë në luftën kundër pushtueve italo-gjerman. Pas luftës nuk u pranua të punonte si ekonomist në Tiranë, por jashtë saj, në minierën e Rubikut, së fundi jashtë nga jeta, por nuk mundën ta fshinin nga kujtesa e Kombit.

    -Zyhdi Herri, 30 vjeç. U lind në Tiranë. Studjoi në Liceun e Korçës dhe në Gjimnazin e Tiranës, më pas vazhdoi studimet për drejtësi. Gjatë luftës bashkëpunoi me Frontin N.Ç. Pas luftës kryeredaktor i gazetës Bashkmi në Tiranë. Më pas e priste pushkatimi pa gjyq. e pa faj.

    -Gjon Temali, 47 vjeç. U lind në Shkodër. Në vitet 40 studioi për farmaci në Universitetin e Firences. Nga viti 1946 deri në shkurt të vitit 1951, farmacist në Spitalin e Tiranës. Ky njeri, i përkushtuar në shërbimin human të mjeksisë, duhej të vritej si “terrorist”, pa gjyq e pa faj.

    -Petro Konomi, 30 vjeç. U lind në Kajro. Kreu studimet e larta në Turqi në Robert Kolezh, mandej në Akademinë Ushtarake në Itali. Gjatë luftës përkrahu Frontin N.Ç. Pas luftës u emërua në ATSH. Edhe ky punonjës ëngjëll, duhej lidhur me tela, për t’u vrarë.

    -Niko Lezo, 50 vjeç. U lind në Delvinë. Kimist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Ka kryer Universitetin e Tuluzës. në vitin 1921. Më 1923, ngriti të parin laborator kimik.në Tiranë. Po atë vit zgjidhet deputet i Delvinës. Më 1940 arrestohet e internohet në Ventotene. Pas luftës punon sërish kimist në laboratorin, tashmë nën vartësinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Ky themelues i paharruar i laboratorit të parë shqiptar, duhej pushkatuar pa mëshirë.

    . -Pandeli Nova 59 vjeç. U lind në Opar, në një familje të pasur. Ekonomist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Deri në vitin 1944 u mor me tregëti dhe njëkohësisht ndihmoli Frontin N.Ç. Pas luftës punoi në një shoqëri tregtare çeko-shqiptare. Ky prind, i një djali partizan në mesatën e 26 shkurtit 1951, do të dëgjonte për herë fundit, zërin e ashpër të komandantit partizan: Zjarr!!

    -Thoma Katundi- Më i “vjetri” në moshë, 64 vjeç! U lind në Katund të Korçës. Ish Vatran në SHBA. I djegur nga malli, u kthye në atdhe dhe punoi me ndershmëri. I edukuar nga idetë demokratike amerikane, duke përbuzur çdo tirani, humbi jetën më 26 shkurt 1951. Faji i tij nuk ishte vetëm dashuria për lirinë, por edhe malli për atdheun.

    -Mehmet Shkupi, 58 vjeç. U lind në Shkup dhe banoi në Tiranë. Ish pronar me arsim të mesëm dhe me profesion nëpunës kaloriferi. Dyshohej si “agjent” I Legatës Francze dhe se zhvillonte veprimtari terroriste. Pra prova konkrete për dënimin me vdekje pa gjyq, shërbeu sajesa me emrin dyshim.

    -Ali Qorraliu, 61 vjeç U lind në Tiranë. Tiranas i pasur. Jurist. Kreu studimet e larta në Kolegjin Juridik të Selanikut. Në kohën e luftës ka perkrahur Ballin Kombëtar, ndaj u burgos nga rregjimi komunist. Megjithatë pas lirimit nuk ndërmori asnjë veprim kundër regjimit. Pa patur asnjë trashgimtar u arrestua si “terrorist“ dhe u pushkatua pa mëshirë, pa gjyq. La vetëm kujtimin e një njeriu, të ditur e të pasur. Kur u zbulua varri, u vu re se para pushkatimit ia kishin shkulur dhëmbët e florinjtë.

    -Fadil Dizdari, Me origjinë nga Shkodra, u lind në Kavajë, Në kohën e Zogut kishte punuar si sekretar prefekture. I dashuruar pas librave dhe të fejuarës së vet, mbante hapur një librari në qendër të Tiranës. U arrestua dhe u pushktua pa gjyq, i dyshuar si “terrorist”, apo “armik i Pushtetit. Popullor.” Në të vërtetë faji i tij, ishte bujaria, teksa shiste pothuaj falas kryeveprat botërore, të ashtuquajtuara “të verdha”, të autorëve me famë, si Viktor Hygo, Aleksandër Dyma, Frederik Shiler etj. Shpëtoi vetëm unaza e fejesës që u gjet në gropë, për të dëshmuar për krimin e fshehtë e barbar në mes të natës.

    -Hekuran Troka, 32 vjeç. U lind në Kuçovë dhe banoi në Tiranë, me profesion tregtar. Në listën e zezë për këtë djalë të hijshëm, është shënuar “tregtar i dyshimtë spekulant”, “agjent i shërbimeve të huaja” dhe “ terrorist.” U pushkatua i dyshuar, pa gjyq. Familja u internua e punoi në punë të rënda për bukën e gojës. Ja, si dënoheshin me mungesë provash e vriteshin natën ata, që dyshoheshin.

    -Lluka Rashkoviç, 51 vjeç. U lind në Mal të Zi. Ka ardhur në Shqipëri me familjen në kohën e mbretërisë. Gjatë kohëve të ndryshme u mor me transport udhëtarësh, në Shqipëri e Ballkan, jashtë çdo rryme politike. Për gjithë këtë jetë të pastër dhe punë të ndershme në shërbim të vendit tonë, u arrestua dhe u pushkatua pa gjyq.

    Për gropën e braktisur në errësirën e ftohtë 60 vjet më parë, nga xhelatët e nga fajtorët e shekullit, folën eshtrat, folën edhe gurët, folën arkivat e zbuluara edhe ato si gropa e të vrarëve, foli dhe kujtesa e njerëzve të ndershëm, e motrave, e vëllezërive, e nipave, e qytetarëve dhe e fshatarëve të ndershëm. Folën me zë të lartë që ta dëgjonte bota dhe rinia të merrte vesh, megjithëse me vonesë, se kush ishte në të vërtetë Republika Popullore Socialiste, apo Komuniste e E. Hoxhës dhe e M. Shehut, “fanar ndriçues”, burg apo varr i përbashkët i shqiptarëve?


    Nga Agim Xh. Dëshnica

    Boston MA.
    Shkurt 2011

  7. #7
    i/e regjistruar Maska e gjirfabe
    Anëtarësuar
    23-06-2004
    Vendndodhja
    Boston, MA
    Postime
    576






    Demokracia nuk ndërtohet mbi harresën.



    Ekspozitë fotografike kundër krimeve të komunizmit në Presidencë


    Presidenti i Republikës Prof Dr. Bamir Topi vlerëson me titullin e lartë “Nderi i Kombit” 22 deputetët që u vranë nga bishat komuniste.



    “ Demokracia nuk ndërtohet mbi harresën”, ishte sllogani i ekspozitës fotografike të krimeve të komunizmit që u çel në Tiranë, nga Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Mbarëkombëtare të Integrimit të Burgosurve dhe të Përndjekurve Politikë, z.Besim Ndregjoni.

    Ekspozita fotografike e krimeve të komunizmit u vendos në selinë e Presidencës nga data 21- 25 shkurt, në Sallën “Skënderbeu”. Në përurimin e saj ishte Presidenti i Republikës Prof.Dr. Bamir Topi, Qeveritarë dhe forca të ndryshme politike. Të pranishëm ishin familjarët dhe të afërmit e atyre njerëzve të harruar. Gjithashtu nderuan me pjesëmarrjen e tyre,gjithë Përfaqësitë Diplomatike të akredituara në Tiranë.Enkas për nderimin e këtyre jetëve të harruara erdhi nga Gjeneva Misioni i OKB-s.

    Presidenti i Republikës, Prof.Dr.Bamir Topi, në fjalën e vet theksoi veç vlerave të këtyre njerëzve të mohuar, që janë pjesë e pamohueshme dhe e pandashme e historisë sonë kombëtare, këmbënguli në dënimin e krimeve të komunizmit.

    Që fjala e Z. President të bëhet realitet, duhet të hapen dosjet, për ta parë të vërtetën në sy dhe të ndahet shapi nga sheqeri.

    Më vjen keq për Individë të veçantë, qofshin këta edhe në sferat e larta të shoqërisë, mendoj se e kanë gabim kur merren me emra të përveçëm të diktaturës. Nuk ishte një, as dy dhe as dhjetë njerëz, por ishte një sistem i tërë, që kërkon një analizë të mirëfilltë dhe pas kësaj, të marrë dënimin e merituar secili sipas shkallës së krimit. Nuk ishin pak krime, por:

    1- Ishin 6212 burra dhe gra të vrarë, nga të cilët 450 ishin gra.

    2- Të burgosur ishin 36 000 ( burra dhe gra ) të moshave dhe profesioneve të ndryshme.

    3-Në Shqipëri 50 000 familje u internuan .

    4- Ishin 100 000 familje të cilësuara Kulak. Në të gjithë botën vetëm Rusia dhe Shqipëria vendosën damkën e kulakut, duke i ndarë bashkëkombasit në dy klasa armike. Ambasadori i ShBA në Tiranë, Msr. Arvizu, i pasuar nga të tjerë diplomatë theksuan se: “Shqipëria Demokratike duhet të ndjekë shembullin moral të këtyre njerëzve që nuk e kursyen jetën për lirinë e vërtetë.” Me të drejtë e quajtën kështu, sepse liria e një vendi u takon të gjithë shtetasve. Por për fat të keq, ne shqiptarët ishim pushtuesit dhe ekzekutorët e vetvetes. Nuk na vrau i huaji, por vëllai i një gjaku, i një race, i një gjuhe dhe i të të njëjtave zakone.

    Në ditën e mbylljes së Ekspozitës, Presidenti i Republikës z. Bamir Topi, në kujtim të vrasjes makabre të 22 deputetëve, më 1951, i vlerësoi ata me titullin e lartë

    “Nder i Kombit”. Duheshin 60 vite që të vlerësohej gjaku dhe jeta e tyre e re.

    Unë, si pjesë e kësaj shtrese të leqendisur, e falenderoj Presidentin tonë të nderuar, Prof.Dr.Bamir Topi, për gjestin human ndaj këtyre intelektualve që kërkonin të vendosnin drejtësi. I jam mirënjohëse për këtë vlerësim, ndonëse të vonuar. Gjithsesi më mirë vonë se sa kurrë.

    Ndaj sot u drejtohem me dy fjalë gjithë atyre intelektualve dhe fisnikëve që u tretën qelive, kënetave dhe minierave apo në varret pa emër, të cilët të heshtur dhe me qortim shihnin nga muret e Presidencës. Nuk mund të ndërtohet demokracia dhe historia mbi harresën, sepse dëshirat dhe ëndrrat e 6212 shqiptarëve nuk u realizuan menjëherë pas çlirimit nga fashizmi.

    - Nderim dhe mirënjohje gjithë këtyre shqiptarëve të mirë që luftuan, u vranë, u burgosën dhe u internuan për liri dhe demokraci të vërtetë!

    - Këta viganë, që janë pjesë e pamohueshme e historisë sonë kombëtare kërkuan të ndërtonin një demokraci të tipit perëndimnor

    - Sipas tyre në themel të shtetit demokratik qëndron zhvillimi i gjithanshëm i Vendit, ndërtimi i shtetit të së drejtës, i cili duke mbrojtur pronën private, mbron identitetin kombëtar.

    - Këta shqiptarë të vërtetë nuk luftuan, nuk u vetmohuan që Shqipëria, ky vend i pasur dhe i bukur të shndërrohej në një burg gjigand , ku kishte vetëm rojtarë dhe të burgosur.

    - A e meritoi vallë ajka e kombit që luftoi për liri dhe demokraci, t ë shndërrohej në pleh apo në shtretër mushkonjash dhe gjarpërinjësh, për të kënaqur xhelatët e diktaturës komuniste?

    - Përse vallë inteligjencën shqiptare, fisnikërinë që përbënte palcën e Kombit në çdo periudhë të historisë, e varrosën nëpër llomi kënetash, kanalesh dhe minierash? Apo mos xhelatët, që të quheshin të tillë, u duheshin viktimat?!

    - Shqipëria, Parajsa, ku kanë folenë Perënditë, a duhej shndërruar në një varrezë gjigante mbushur me varre pa emër?

    -Ata kaluan kalvare vuajtjesh në ferrin komunist, u vetmohuan se Shqipëria nuk ka kuptim dhe kombi nuk ekziston pa Kosovën dhe Çamërinë.

    - Ata kërkonin vazhdimin e traditës së bukur shqiptare, ku të bashkëjetonin në paqe dhe harmoni të tri besimet fetare: Islame, Katolike dhe Ortodokse.

    - Ata ishin kundër urrejtjes dhe hakmarrjes. Deviza e tyre ishte: Zhvillim i gjithanshëm i Shqipërisë, ku të ketë dashuri, mirëkupim dhe tolerancë mes bashkëkombasve.

    - Vetëm me realizimin e idealeve demokratike, pa dhunë dhe pa mohim vlerash, ata ishin për një Shqipëri evropiane

    - Kush mund ta imagjinonte se lufta e klasave, më e egra që ka njohur njerëzimi, kombin më të lashtë të botës, do ta ndante me një hendek të thellë në dy klasa armike deri në vdekje me njëra-tjetrën

    - Trastat dhe fëmijët në shpinat e grave, nënave dhe motrave, ishin më të rënda se prangat në duart dhe këmbët e të burgosurve, që nuk e panë lirinë.

    - Sa e sa fëmijëve nuk u tha kurrë goja “baba” dhe sa mijëra të tjerë u rritën jetimë me prindër gjallë!

    -A harron vallë një nënë që gjithë ditën i binte bretku në ish ullinjtë e saj dhe në darkë i mblidhte barktharët e saj me lakra pa vaj.

    - I vranë, i burgosën,i internuan dhe i fundosën, por ata dolën mbi sipërfaqe, se mbijetesa është virtyt i fisnikërisë.

    - Ata nuk u vranë që të shpërbëhej familja, as të ndahej babai nga djali, motra nga vëllai, ose gruaja nga burri.

    - Këto krime monstruoze, të pashembullta të nënshkruara nga dorë shqiptari, që ia kishte shitur shpirtin djallit, me penën e ngjyer në gjak të pastër shqiptari, do të zilepsnin komedianët dhe tragjedianët që të ngriheshin nga varri për të shkruajtur tragjedinë më të dhembshme, atë të vendit të shqiponjave.

    - Këta që rilindën për të mos u harruar kurrë, përsëri nuk kërkojnë hakmarrje. Ata duan vetëm pendesën dhe faljen e persekutorëve.

    - Nëse vjen dita e madhe e ndjesës, kjo do të ndodhë vetëm kur bijtë e xhelatëve dhe persekutorëve do të jenë gjykatësit dhe prokurorët e baballarëve të tyre kriminelë.

    Pyes: A bën vaki një gjë e tillë?

    -Kurrë.

    Bijtë dhe nipat ecin në gjurmët e baballarëve, që drejtonin dje, kurse ata drejtojnë sot. Ata bëjnë paqe edhe me djallin, vetëm ta kenë në duart e tyre politikën, ekonominë, drejtësinë, arsimin, kulturën…Katovica pas realizimit të planit A( morën drejtimin e forcave politike “pluraliste “nga njerëzit e PPSh). Kurse tani vazhdon planin “B” me përqëndrimin dhe forcimin e pronës private në duart e bijëve dhe nipave të tyre…Në këtë mënyrë Ish pronarët legjitim, jo vetëm ngelën me gisht në gojë, por ngelën në përjetësi “ISh”…

    Ky ishte zhgënjimi më i madh për ata që i shpëtuan vdekjes. Ata njerëz të arsimuar në perëndim, duke u nisur nga përvoja botërore, ishin të bindur se shteti i së drejtës, shteti demokratik nuk mund të ndërtohet, nëse prona nuk shkon te pronari legjitim. Por kjo për fat të keq ngeli teori…

    Janë të paktë ata pronarë legjitim që u kanë dhënë ndonjë kockë, e cila u ka ngecur në fyt dhe po vrasin njëri-tjetrin. Kurse fëmijët e ish ponarëve, të varfër sa më s’ka, pa pronë, sepse nuk shkoi prona tek i zoti dhe pa punë, kanë marrë rrugët e kurbetit. A nuk ishte ky plani i Katovicës “B”? Mohimi i çdo mundësie prone dhe pushteti për fëmijët e ish fisnikëve dhe ish pronarëve. Strategjitë e tyre janë me qitje të largët. Pasi bijtë e Enverit, Leninit dhe Stalinit e dinë mirë se, me kalimin e kohës humbet identiteti i familjeve të vjetra që krijuan Shqipërinë. Humbja e identitetit autokton kombëtar u intereson shovinistëve sllavo serb dhe shovinizmit grek. Ndaj iu rritet oreksi Janullatosit (Kali i Trojës në Shqipëri), konsullit të Korçës, lobit grek në ShBA me Geixh në krye .

    Për këtë luftuan dhe dhanë jetën e tyre të pafajshme shqiptarët? I kujt është faji vallè?Fajin e bënë qyrk, e lanë në rrugë dhe nuk e pranoi asnjeri. Gjithë kalimtarët e shihnin vëngër, duke thënë: Jo, s’është imi… s’është imi. Po ju lë të gjykoni vetë…

    Shqiptarë të mirë, që jetoni në zonat kufitare të vendit mëmë; Ju që me breza lindët shqiptarë, por fati i izolimit gjysmë shekullor ju çoi argatë në vendet fqinje, mos e ulni kaq shumë dinjitetin tuaj, sa për një pension lëmoshë, ndërroni emrin, fenë dhe kombësinë. Koha do të jetë gjykatësi më i mirë. Vjen një ditë dhe para ndërgjegjes secili jep llogari, por atëherë do të jetë vonë. Mos harroni se kurrë nuk është vonë për të bërë gjënë e duhur. Ruajuni gjykimit të ndërgjegjes suaj.

    Atë që nuk e bënë shekujt, po e bënë mashtrimi shovinist këto 20 vite. Ndaj mos e lejoni një turp dhe një krim të tillë! Kujtohuni se cilët jeni. Jeni nga ajo racë e lashtë ilire, të cilën e vlerëson bota, kurse ne…


    Vilhelme Vranari Haxhiraj

    .

  8. #8
    Mire ështe puna mire Maska e PLAKU
    Anëtarësuar
    19-05-2002
    Postime
    2,443
    http://www.botasot.info/mesme/faqja-2.jpg

    Vendimi i gjykatës pas pushkatimeve
    Zbardhet procesverbali i plotë. Një javë pas pushkatimit të 22 intelektualëve, Kadri Hazbiu: Të hartohet vendimi formal i gjyqit. Letra e Hoxhës: Shoku Stalin ne nuk kemi qenë vigjilentë, ju kërkojmë ndjesë!
    Letra/Enver Hoxha i kërkoi falje Stalinit
    Një javë pas pushkatimit pa gjyq të 22 intelektualëve më 26 shkurt të 1951, për të mbuluar gjurmët e krimit, regjimi komunist përpiloi në mënyrë të fshehtë një vendim formal, i cili "përligjte" aktin e ekzekutimit. Gazeta zbardh sot procesverbalin e plotë të 2 dhjetorit 1993, të Prokurorisë së Rrethit Tiranë lidhur me dëshminë e Vangjel Koçanit (kryetar i Gjykatës së Lartë Ushtarake, në vitin 1951), në të cilin ai dëshmon se si klika më e lartë e regjimit komunist e urdhëroi të përpilonte vendimin gjyqësor pas pushkatimit të intelektualëve, të cilët u pushkatuan pa gjyq natën e 26 shkurtit të vitit 1951 në afërsi të Urës së Beshirit nga regjimi komunist. Arrestimi dhe më pas pushkatimi i tyre u bë menjëherë pas alarmit dhe bombës që shpërtheu në dyert e ambasadës së Bashkimit Sovjetik në shkurt të vitit 1951. Përmes kësaj dëshmie, Koçani tregon se rreth një javë pas pushkatimit të 22 intelektualëve, ai është thirrur nga ish-kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, Shuaip Panariti, ku ishte informuar për ngjarjen e hedhjes së bombës në Ambasadën Sovjetike si dhe pushkatimin e 22 personave si autorë të kësaj ngjarjeje. Koçani dëshmon se në këtë takim, në cilësinë e kryetarit të Gjykatës së Lartë Ushtarake i është kërkuar që të përpilojë një vendim gjyqësor penal vetëm formalisht në të cilin të deklaroheshin fajtorë dhe të dënoheshin me vdekje personat e pushkatuar më parë. Më pas, ngjarjet zhvendosen në Ministrinë e Brendshme, në një zyrë, ku Koçani tregon se aty, e priste Kadri Hazbiu. Ky i fundit i ka dorëzuar Koçanit listën emërore të personave të pushkatuar dhe më pas nisi përpilimi dhe arsyetimi i vendimit. Vetë Koçani konfirmon se ky vendim nuk ishte pasojë e një gjyqi, pasi nuk ishte bërë asnjë seancë gjyqësore, nuk kishte patur asnjë të pandehur për gjykim dhe as kishte patur një seancë gjyqësore me personat të cilët ishin pjesë e vendimit, pasi ata ishin pushkatuar më parë. Ndaj dhe Koçani pohon dhe ripohon për të disatën herë se nuk njihte asnjë prej personave, të listuar në vendimin gjyqësor formal që ai ka firmosur, ku 22 intelektualët deklaroheshin fajtorë dhe dënoheshin me vdekje. Gjithçka ishte vendosur në mbledhjen ur-gjente të Byrosë Politike të 20 shkurtit 1951. Mehmet Shehu, atëherë ministër i Brendshëm, urdhëroi marrjen e masave për represion, pa marrë parasysh ligjet në fuqi si dhe bëri analizën dhe masat e menjëhershme që duhet të merreshin në ndëshkimin e "terroristëve" në seancën e mbledhjes me anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror. Në këtë mbledhje, Mehmet Shehu theksoi se, "kjo është një ngjarje politike e kalibrit të madh, madje më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne".
    PROCESVERBAL I PYETJES SË DËSHMITARIT VANGJEL KOÇANI
    Tiranë, më 2 dhjetor 1993
    Unë Marenglen Rrapi dhe Petrit Shehu, hetues të Prokurorisë të Rrethit Tiranë, mbajmë këtë procesverbal të pyetjes së dëshmitarit Vangjel Koçani, i biri i Kiços dhe i Sofijes, i datëlindjes 1.03.1922, lindur në Dhërmi të Himarës dhe banues në rrugën "Niko Avrami", Pallati 7, Shkalla 2, Apartamenti 23 Tiranë, me arsim të lartë juridik, i padënuar, pensionist.
    Dëshmitari u paralajmërua për përgjegjësinë penale që ka sipas nenit 202 të K. Penal në rast se bën dëshmi të rreme.
    FIRMA E DËSHMITARIT
    PYETJE : Çfarë detyrash shtetërore keni kryer gjatë kohës që keni qenë në marrëdhënie pune me shtetin?
    PËRGJIGJE: Pas çlirimit të Tiranës, mua më kanë dërguar ne seksionin e SEMP-it (kështu quhej sigurimi) në rrethin e Shkodrës, me detyrën e zëvendësshefit të seksionit, pasi shef kisha Zoi Themelin. Këtu ndenja rreth një muaj, dhe më kanë arrestuar dhe më kanë dënuar për moszbatim të rregullave gjatë kryerjes së detyrës. Dhe konkretisht më dënuan se përdora dhunë, sipas urdhrit ndaj një oficeri të brigadës. U dënova 8 muaj. Pasi u lirova m'u njoh prapë grada kapiten i dytë dhe vajta në M. Mbrojtjes.
    PYETJE: Meqenëse në vitin 1951 keni punuar në Gjykatën e Lartë Ushtarake dhe në këtë kohë ka ndodhur dhe një ngjarje në Ambasadën Sovjetike të akredituar në Tiranë, çfarë mund të na sqaroni në lidhje me trajtimin juridik të kësaj ngjarjeje nga organet e drejtësisë së asaj kohe?
    PËRGJIGJE: E kujtoj mirë se në vitin 1951 ka ndodhur një ngjarje në Tiranë dhe konkretisht u fol se ishte hedhur një bombë në Ambasadën Sovjetike. Se çfarë masash represive u morën nga shteti në atë kohë, sa dhe cilët persona janë arrestuar unë nuk di gjë fare. Pas ca ditësh, të kësaj ngjarjeje, apo me kalimin e një jave, unë jam thirrur nga ish-kryetari i Gjykatës se Lartë Ushtarake Shuaip Panariti dhe bashkë me mua më ngjan se janë thirrur ose Nonda Papuli ose Hilmi Telegrafi, që ishin anëtarë të Gjykatës së Lartë Ushtarake. Kur na thirri në zyrë, Shuaipi na tha se për ngjarjen e hedhjes së bombës në Ambasadën Sovjetike, nga Ministria e Punëve të Brendshme janë pushkatuar 22 persona. Shuaipi na tha se neve duhet të bëjmë, përpilojmë një vendim gjyqësor penal vetëm formalisht në të cilin të deklarojmë fajtor dhe të dënojmë me vdekje personat e pushkatuar më parë. Pas kësaj kemi shkuar në kohë paradite në zyrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme, shkova unë, Shuaipi dhe ose Nonda ose Hilmiu, tjetër njeri nuk më kujtohet. Hymë në Ministrinë e Brendshme nga dera kryesore, nga bulevardi dhe vajtëm në një zyrë të sigurimit në katin e dytë, ku unë mbaj mend se në këtë zyrë ka qenë Kadri Hazbiu, tjetër njeri nuk më kujtohet, por në këtë zyrë kam vënë re se hynte e dilte dhe Nevzat Haznedari (sot i vdekur). Nga drejtuesit e tjerë të ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme nuk më kujtohet se kush ka ardhur në këtë zyrë...
    Sqaroj se si unë dhe kolegu tjetër, që ishte në takim me Shuaipin kur nuk kishim shkuar akoma në Ministrinë e Punëve të Brendshme, i thamë kryetarit se si mund të përpilojmë një vendim gjyqësor, pa qenë prezent personat që gjykohen dhe kur më tepër ata janë pushkatuar pa gjyq. Shuaipi na tha se ashtu është, por neve megjithatë duhet ta bëjmë një vendim gjyqësor formal, se neve duhet të kemi besim tek udhëheqja, se ashtu na thotë ajo. Në atë kohë në udhëheqje të shtetit ishte Enver Hoxha, kryente detyrën e Kryeministrit, ndërsa Mehmet Shehu ishte ministër i Punëve të Brendshme. Shuaipi nuk na tha se kush e kishte thirrur nga udhëheqja e asaj kohe dhe kështu neve na u mbush mendja të bënim një vendim gjyqësor formal.
    Siç thashë, ne vajtëm në zyrën ku ishte Kadri Hazbiu, ku erdhi dhe Nevzat Haznedari dhe na thanë se ne kemi pushkatuar 22 persona dhe duhet bërë vendimi gjyqësor. Nga ana e Kadriut na është dhënë lista emërore e personave të pushkatuar dhe filluam përpilimin dhe arsyetimin e vendimit. Nuk na është dhënë ndonjë aktakuzë, por nuk mbaj mend se kush e ka shkruar vendimin, por konceptimin e bënte Shuaipi. Nuk më kujtohet nëse vendimi gjyqësor është bërë me dorë apo me makinë shkrimi. Nuk më kujtohet që krahas vendimit të jetë përpiluar dhe procesverbali i seancës gjyqësore, me sa di unë, është bërë vetëm vendimi. Kemi ndenjur në zyrën e Kadriut sa përfunduam përpilimin e vendimit gjyqësor dhe kujtoj se kam firmosur unë dhe Shuaip Panariti, për të tjerët nuk e di.........
    Në këto rrethana është bërë vendimi për deklarimin fajtor dhe dënimin me vdekje të 22 personave që ishin pushkatuar më parë nga Ministria e Punëve të Brendshme, për hedhjen e bombës në ambasadën sovjetike.... Vendimin gjyqësor formal, pasi e firmosa dhe unë e ka marrë Shuaip Panariti. Ky vendim nuk ishte pasojë e një gjyqi të zhvilluar, pasi neve nuk bëmë asnjë seancë gjyqësore, nuk na janë sjellë të pandehurit për gjykim, nuk kishim përpara një seance gjyqësore personat e shënuar në këtë vendim, pasi ata ishin pushkatuar më parë. Prandaj unë nuk kam parë dhe as njoh asnjë nga personat e pushkatuar pa gjyq, për të cilët bëmë këtë vendim gjyqësor formal më pas. Si mbaruam punë në Ministrinë e Brendshme, vajtëm në Gjykatën e Lartë. Shuaipi na dha porosi që për këtë që dëgjuam që janë pushkatuar pa gjyq 22 persona dhe për vetë vendimin formal gjyqësor që përpiluam pas pushkatimit të tyre, mos t'i themi njeriu, ta ruajmë sekret, si sekret shtetëror. Që nga kjo kohë unë e kam mbajtur gojën të mbyllur dhe nuk ia kam treguar të vërtetën ndonjë personi....Në ndonjë rast tjetër të mëpasëm mua nuk më është
    kërkuar që të bëj ndonjë vendim tjetër gjyqësor formal.....
    PYETJE: Më pas në lidhje me ngjarjen e hedhjes të një bombe në Ambasadën Sovjetike, a është bërë ndonjë gjykim në lidhje me autorët e vërtetë të kësaj ngjarje?
    PËRGJIGJE; Pas përpilimit dhe nënshkrimit të vendimit gjyqësor penal dhe formal të deklarimit fajtor dhe (dënimit me vdekje të 22 personave, gjatë gjithë kohës që unë kam punuar në organet e drejtësisë, nuk di dhe as kam dëgjuar që të jenë gjykuar dhe dënuar persona të tjerë për hedhjen e bombës në Ambasadën Sovjetike në vitin 1951...
    -PYETJE : Dëshmitarit i tregohet dosja e hetuesisë Nr. 1687-A e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, në të cilën ndodhen dhe vendimi gjyqësor penal nr. 64 dt. 27.II.1951 për dënimin e 22 personave dhe që fillon me të pandehurin Tefik Shehun e përfundon me Sabiha Kasimatin, i cili përbëhet prej 3 fletësh dhe në fund të të cilit ekzistojnë 2 nënshkrime të trupit gjykues. Gjithashtu procesverbali i seancës gjyqësore prej 5 fletësh, në fund të të cilit nuk ka asnjë nënshkrim. Çfarë mund të na sqaroni në lidhje me këtë dosje e dokumentet që ndodhen në të?
    -PËRGJIGJE: Dosjen hetimore të Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit sot po e shikoj për herë të parë. Fletën e inventarit të kësaj dosje nuk e kam plotësuar unë me dorëshkrimin tim. Vendimin e gjykatës së Lartë Ushtarake e shoh që është i daktilografuar dhe në përbërje të trupit gjykues është shënuar si kryetar Shuaip Panariti, ndërsa si anëtarë unë dhe Nonda Papuli, kurse me detyrën e sekretarit Idajet Bejo. Në këtë vendim thuhet se seanca gjyqësore është zhvilluar pa pjesëmarrjen e prokurorit, në bazë të ligjit të ri mbi gjykimin e akteve dhe organizatave terroriste dhe janë deklaruar fajtorë 22 persona dhe konkretisht Tefik Shehu, Hekuran Troka, Lluka Rrashkoviç, Haki Kodra, Pandili Nova, Thoma Katundi, Fadil Dizdari, Ali Qoraliu, Jonuz Kaceli, Gafur Jegeni, Petro Ikonomi, Zydi Herri, Niko Lezo, Myftar Jegeni, Qemal Kasaruho, Manush Peshkëpia, Andon Delhysa, Reiz Selfo, Xhon Temali, Pjetrin Gruraziu, Mehmet Shkupi dhe Sabiha Kasimati. Asnjërin prej këtyre personave nuk e njoh dhe nuk i kam parë. Nuk është e vërtetë që ata të jenë sjellë për gjykim para trupit gjykues dhe me këta persona nuk kam zhvilluar asnjë seancë gjyqësore, as në zyrat e M.P.Brendshme, as në zyrat e Gjykatës së Lartë Ushtarake dhe as në një vend tjetër. Në fund të vendimit, në faqen 3, shoh se janë hedhur vetëm 2 nënshkrime. Ajo në emër të kryetarit të seancës e njoh se është e Shuaip Panaritit, një firmë e anëtarit të trupit gjykues është firmë e vënë nga ana ime. Anëtari tjetër i trupit gjykues dhe sekretari janë pa firmë. Këtë firmë, siç shpjegova më lart, unë e kam hedhur, duke qenë i thirrur në zyrat e Sigurimit të Shtetit, duke qenë bashkë me Kryetarin e Gjykatës së Lartë Ushtarake Shuaip Panariti. Duhet të kenë qenë në zyrën e Kadri Hazbiut, kështu më kujtohet mua, dhe Nonda Papuli dhe sekretari Hydai Bejo. E vërteta është se personat e shënuar në këtë vendim, nuk kanë dalë fare në gjyq, pasi ata kanë qenë pushkatuar më përpara nga organet e sigurimit dhe vendimin e kemi përpiluar dhe nënshkruar krejtësisht formalisht, për të justifikuar pushkatimin e tyre të paligjshëm dhe arbitrar. Megjithëse na e mbushi mendjen kryetari Shuaip Panariti se përpilimi dhe nënshkrimi i këtij vendimi iu shërbente interesave të shtetit të asaj kohe, unë përsëri e ndjej se moralisht nuk duhej të isha pajtuar me këtë arbitraritet dhe nuk duhej të pranoja firmosjen e këtij vendimi. Por në këtë rrugë të gabuar më ka futur frika e kohës, prandaj edhe kam heshtur ...Pash edhe procesverbalin e seancës gjyqësore dhe kam për të thënë se është e para herë që e shoh. Ky procesverbal është krejt fik, ky nuk na është paraqitur për ta firmosur atë ditë që firmosëm vendimin ose më vonë. Në faqen e dytë të procesverbalit të seancës shoh që në numrin rendor 23, është shënuar dhe emri i Vesel Pitarkës me gjeneralitetet përkatëse, të cilat janë prishur me vizë me bojë shkrimi ngjyrë kafe dhe është shënuar në kllapa prishen 33 fjalë. Këto shënime nuk janë bërë dhe nga ana ime. Në këtë procesverbal janë fiksuar deklarimet e të pandehurve në seancë gjyqësore pas leximit të aktakuzës së prokurorit, deklarime që fillojnë me të pandehurin Tefik Shehu dhe mbarojnë me të pandehurin Reiz Selfo. Përmbajtja e këtyre deklarimeve, sikurse e gjithë përmbajtja e procesverbalit të seancës gjyqësore, është krejtësisht e rreme, pasi këta të pandehur nuk kanë dalë në gjyq, pasi siç shpjegova ishin pushkatuar disa ditë më parë nga organet e sigurimit të shtetit. Në këtë dosje shoh dhe aktakuzën prej 2 faqesh që ka dhe nënshkrimin e ish- Prokurorit të Përgjithshëm Ushtarak Siri Çarçani, por dhe këtë aktakuzë po e shoh për herë të parë sot. Në kohën kur kemi përpiluar vendimin gjyqësor në zyrat e Sigurimit të Shtetit, nuk kam parë që të ketë ardhur dhe në zyra në atë kohë dhe Siri Çarçani....
    PYETJE : Dëshmitarit i lexohen shpjegimet e dëshmitarit Hydai Bejo të datës 26.11.1993. Çfarë keni për të thënë?
    PËRGJIGJE: I dëgjova shpjegimet e dëshmitarit Hydai Bejo, dhe sqaroj se nuk kam ndonjë kundërshtim për sa thotë ai. Unë siç shpjegova vura në dukje se mund të ketë qenë dhe Hydai, kur na thirrën në M.P. Brendshme, por derisa thotë Hydai se nuk ka qenë, ai e di më mirë,
    sepse mua nuk më kujtohet mirë. E vërteta është se për personat e pushkatuar nuk është bërë asnjë lloj gjyqi. Procesverbali mbyllet dhe pasi
    lexohet nënshkruhet pa vërejtje. Këtij procesverbali i bashkëlidhet
    dhe deklarata me dorëshkrimin e dëshmitarit e datës 2.12.1993..
    DËSHMITARI SEKRETARE HETUESË
    Vangjel Kocani Loreta Paparizo Petrit Shehu Mariglen Rrapi
    (Si lexova procesin dua të shtoj se në atë kohë që është bërë formalisht vendimi neve nuk na kanë bërë të njohur ndonjë dekret të posaçëm për gjykimin e veprave terroriste pa prokuror, pa avokat dhe pa praninë e të pandehurve).
    Enver Hoxha letër Stalinit: Të pamëshirshëm kundër armikut
    Pas ngjarjes së klasifikuar si një akt politik terrorist, Enver Hoxha përmes një telegrami urgjent drejtuar Stalinit u zotua për besnikëri ndaj kauzës së komunizmit e Bashkimit Sovjetik dhe se do të ndëshkonin rëndë autorët dhe mbështetësit e tyre. Në këtë letër, diktatori Hoxha shprehet se ky akt i poshtër i armikut e kishte egërsuar pa masë Tiranën zyrtare duke bërë që të dhjetëfishohej lufta dhe vigjilenca ndaj, siç shprehet ai, imperialistëve gjakatarë, luftënxitës amerikano-anglezë, ndaj tradhtarëve fashistë të Beogradit, të Athinës dhe të Romës, dhe reaksionit të brendshëm, vegël e tyre.
    (Letra e Enver Hoxhës drejtuar Stalinit pas shpërthimit të bombës në Ambasadën Sovjetike)
    Datë 21.02.1951
    Shokut Josif
    Visarionoviç Stalin
    Kremlin, Moskë.
    Atentati i poshtër që armiku i egër i popullit tonë dhe i Bashkimit Sovjetik na bëri kundër Legatës Sovjetike në Tiranë në datën 19.02.1951, në orën 19:47, duke hedhur dinamit në oborrin e Legatës, na ka goditur mu në zemër të Partisë dhe të popullit tonë. Ky akt politik terrorist i armikut na ka prekur jashtëzakonisht, sepse ai u drejtua ndaj çka është më i dashur, më i shtrenjtë dhe më i shenjtë i popullit tonë, Bashkimit Sovjetik, që është gjithçka për ne e që pa atë nuk kishte dhe nuk mund të ketë jetë për popullin dhe Partinë tonë. Shoku Stalin, ne nuk kemi qenë vigjilentë sa duhet, sepse mund ta kishim evituar atë gjë të tmerrshme që na ngjau ne, atë mungesë vigjilence që ne e konsiderojmë një nga gabimet më të rënda tonat, nuk duhet të na falej lehtë nga populli dhe Partia jonë. Ne, shoku Stalin, ju betohemi, juve dhe partisë bolshevike të lavdishme se do t'ia lajmë partisë dhe popullit tonë këtë gjë kaq të rëndë që u shkaktua nga mungesa e vigjilencës sonë. Ky akt i poshtër i armikut na ka egërsuar pa masë dhe na ka bërë të dhjetëfishojmë luftën dhe vigjilencën tonë ndaj imperialistëve gjakatarë, luftënxitës amerikano-anglezë, ndaj tradhtarëve fashistë të Beogradit, të Athinës dhe të Romës, dhe reaksionit të brendshëm, vegël e tyre. Shoku Stalin, Partia jonë do të jetë e pamëshirshme kundër armiqve të Bashkimit Sovjetik, të popullit tonë e të paqes. Partia jonë, si kurdoherë, do të vërë të gjitha forcat e saj për të çelikosur dashurinë e popullit tonë ndaj shpëtimtarëve të tij, Bashkimit Sovjetik, Partisë Bolshevike dhe jush, shoku Stalin. Armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm nuk do të arrijnë kurrë të gërvishtin dashurinë dhe besnikërinë e pakufishme që ka populli ynë për ju dhe Bashkimin Sovjetik. Shoku Stalin, në emër të të gjithë shokëve të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, të mbledhur në Plenium, ju kërkojmë ndjesë Juve, Partisë Bolshevike dhe Qeverisë Sovjetike dhe ju betohemi do t'ia lajmë këtë fatkeqësi që na ngjau ne. Ne do të jemi të pamëshirshëm dhe vigjilentë ndaj armikut të brendshëm dhe të jashtëm, do ta forcojmë dhe do ta çelikosim partinë tonë, do ta bolshevizojmë atë dhe do të forcojmë çdo ditë e më shumë mbrojtjen e vendit tonë. Duke ju shprehur dashurinë dhe besnikërinë më të madhe që ne kemi për Partinë Bolshevike dhe për Ju, mësues gjenial dhe i shtrenjtë yni, pranoni të falat tona revolucionare.
    Në emër të pleniumit të Komitetit Qendror
    të Partisë së Punës
    së Shqipërisë Sekretari i Përgjithshëm
    Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

  9. #9
    Mire ështe puna mire Maska e PLAKU
    Anëtarësuar
    19-05-2002
    Postime
    2,443

    Mehmet Shehu: T'i pushkatojmë jashtë ligjeve në fuqi

    Mehmet Shehu: T'i pushkatojmë jashtë ligjeve në fuqi
    Mbledhja e Byrosë Politike që vendosi ekzekutimin e intelektualëve të "bombës së ambasadës"
    Pa gjyq dhe pa asnjë justifikim zyrtar, 22 intelektualë u pushkatuan natën e 26 shkurtit të vitit 1951 në afërsi të Urës së Beshirit nga regjimi komunist. Arrestimi dhe më pas pushkatimi i tyre u bë menjëherë pas alarmit dhe bombës që shpërtheu në dyert e ambasadës së Bashkimit Sovjetik në shkurt të vitit 1951, ku u shënuan disa xhama të thyer dhe asnjë viktimë. Por, ky shpërthim do të shërbente si mjeti për të goditur të gjithë ata që konsideroheshin "të rrezikshëm" për regjimin komunist. Menjëherë organet e Ministrisë së Punëve të Brendshme u vunë në lëvizje dhe brenda natës, pa dhënë asnjë shpjegim, sqarim, arrestuan më tepër se 100 persona. Pyetje, hetime, kërcënime dhe akuza për veprime terroriste. Dhe vetëm 5 ditë pas bombës, 22 persona do të pushkatoheshin pa gjyq. Ky veprim u cilësua i përligjur, falë dekretit që doli enkas ato ditë, ku citohej se në raste të veprimtarive terroriste, gjyqi ndaj personave kryhej në mungesë dhe vendimi ishte i paapelueshëm. Me këtë lëvizje rrufe të Byrosë Politike e të të gjitha instancave të tjera të lidhura me të vetëm brenda pak orësh, gjithçka do të merrte fund.
    Vendimi: Spastrim nga Tirana të familjeve reaksionare brenda muajit
    60 vjet më parë, mbrëmjen e 19 shkurtit 1951, forca të shumta policore, hetues e prokurorë mbërritën në ambasadën sovjetike, në Tiranë pas zhurmës që shkaktoi një shpërthim i fuqishëm në brendësi të ambienteve të saj. Dëmet nga shpërthimi në garazhdin e makinave të legatës sovjetike, në Rrugën e "Durrësit", ishin minimale, vetëm disa xhama të thyer dhe asgjë më shumë. Por, mjaftoi vetëm kaq, që klika e regjimit të niste marrjen e masave të ashpra të represionit ndaj kundërshtarëve, armiqve të partisë, e aq më tepër, armiqve të Bashkimit Sovjektik. Menjëherë, pas ngjarjes së klasifikuar si një akt politik terrorist, Enver Hoxha përmes një telegrami urgjent drejtuar Stalinit u zotua për besnikëri ndaj kauzës së komunizmit e Bashkimit Sovjetik dhe se do të ndëshkonin rëndë autorët dhe mbështetësit e tyre.
    Gjithçka ishte vendosur në mbledhjen urgjente të Byrosë Politike të 20 shkurtit 1951. Mehmet Shehu urdhëroi marrjen e masave për represion. Pas fjalës së tij, nisi përpilimi i listave. Sigurimi i Shtetit hartoi tri lista me më shumë se 100 vetë.
    Në këto lista ishin shkruar emrat e personave që do të arrestoheshin. Anash emrit të tyre kishte edhe shënime biografie, aktiviteti para lufte dhe pas saj, si dhe akuza që mund t'u bëhej. Të gjithë personat e listuar, ishin intelektualë, por që në listat e përpiluara secili prej tyre cilësohej si borgjez të lidhur me spiunazh etj.
    Në krah të emrit u ishin vendosur edhe kryqe blu, që do të thoshin se ata ishin të piketuarit për t'u ekzekutuar. Më 25 shkurt, prokurori ushtarak, Siri Çarçani, hartoi akuzat për 22 personat e parë, të gjithë intelektualë. Sipas akuzës, këta persona ishin vënë në shërbim të spiunazheve të huaja imperialiste, se ishin anëtarë të një organizate terroriste, kishin bërë propagandë për të rrëzuar me dhunë pushtetin popullor dhe se, kishin hedhur parrulla pro shpërthimit të një lufte të re nga ana e imperialistëve. Në dokumenta thuhet se 22 intelektualët janë ekzekutuar, duke u gdhirë 26 shkurti, ndërsa vendimi u dha një ditë më pas ekzekutimit të personave.
    Vendimi i ekzekutimit është firmosur nga kryetari i Gjykatës së Lartë Ushtarake, por ishte një vendim formal i një gjyqi të pazhvilluar dhe jepej thjesht për të justifikuar ekzekutimet, por edhe të tjera masa represive që u ndërrmorën në atë kohë.
    Mehmet Shehu: T'i pushkatojmë jashtë ligjeve në fuqi
    Mehmet Shehu, atëherë ministër i Brendshëm, bëri analizën dhe masat e menjëhershme që duhet të merreshin në ndëshkimin e "terroristëve" në seancën e mbledhjes me anëtarët e Byrosë Politike të Komitetit Qendror. Në këtë mbledhje, Mehmet Shehu theksoi se, "kjo është një ngjarje politike e kalibrit të madh, madje më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne". Në këto kushte, të cilësuara prej tij si ngjarje e kalibrit të madh, Mehmet Shehu kërkoi masa represive të jashtëzakonshme, pa marrë parasysh ligjet në fuqi, meqenëse "edhe herë tjetër kemi pushkatuar jashtë ligjeve në fuqi. Të arrestojmë rreth 100 apo 150 veta, nga të cilët 10 ose 15 prej tyre t'i pushkatojmë, duke zgjedhur sigurisht ata më kryesorët. Kjo masë do të procedohet me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji. Ne duhet t'i përgjigjemi terrorit me terror dhe këtë mund ta bëjmë plot ndërgjegje dhe me gjakftohtësi. Ne i kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe po të jeni edhe ju dakord, veprojmë që sonte". (Nga procesverbali i mbledhjes së Byrosë Politike)
    Të gjithë anëtarët e Byrosë: "Jemi dakord me këto masa".
    Nga listat e përgatitura me kohë në Ministrinë e Punëve të Brendshme u zgjodhën dhe u shënuan me kryq ata "më të rrezikshmit", të cilët në këtë rast nuk ishin as të rrezikshëm, as të dyshimtë dhe as që kishin ndonjë dijeni për ngjarjen e ambasadës. Ishin vetëm emra të njohur atdhetarësh e intelektualësh nga familje të mëdha, natyrisht që s'e donin komunizmin, por qëndronin në punën e tyre të patrazuar, të zgjedhur thuajse nga gjithë trevat shqiptare.
    Dekreti që përligjte ekzekutimin pa gjyq
    Për të mbuluar krimin, autorët hartuan në mënyrë të menjëhershme një dekret që lejonte dënimet, pa bërë gjykimin, të cilin e firmosën Presidenti, Omer Nishani dhe Sekretari, Sami Baholli. Konkretisht ky dekret, përligjte dënimin dhe ekzekutimin pa respektuar procedurën ligjore, duke eliminuar gjithë etapat e saj si gjykimin pa pyetjen e të pandehurve, mbrojtjen, apelimin, praninë e prokurorit etj.
    Mbi bazën e këtij "dekreti" që mban datën fiktivisht 26 shkurt, u përpilua procesverbali tjetër (dy procesverbale të ndryshme për të njëjtën çështje), mbi "vendimin" e Gjykatës së Lartë Ushtarake për pushkatimin e 22 personave dhe që mban në krye datën 27.02.1951 dhe në brendësi të vendimit datën 25.22.1951:
    "Gjykata e Lartë Ushtarake e përbërë po prej atij trupi gjykues, pa pjesëmarrjen e prokurorit dhe sipas ligjit të ri mbi gjykimin e akteve terroriste, e merr sot në shqyrtim gjykimin e çështjes etj...".
    (Sekretari Kryetari)
    (Pa firmë Pa firmë )
    SEANCA E MBRËMJES E DATËS 20 SHKURT
    DHE MBETEN VETËM ANËTARËT E BYROSË POLITIKE TË KQ
    SHOKU KOMANDANT - Tani të shohim një propozim të Mehmetit në lidhje me masat që duhet të marrim për atë që na ngjau në Legatën Sovjetike.
    SHOKU MEHMET SHEHU - Çështja qëndron këtu. Mbrëmë në orën 07:47 në rrugicën mbrapa Legatës Sovjetike është hedhur një dinamit i mbështjellë me letër dhe i lidhur me një fitil. Dinamiti u hodh brenda në oborr, ka plasur e ka thyer derën, dritaret dhe ka bërë një zhurmë të fortë. Menjëherë kanë shkuar forcat për ndjekje, por nuk kanë gjetur gjë. Pasi kanë rënë pas shenjave kanë kapur disa njerëz që ishin atje. Dyshimet tona rreth kësaj ngjarjeje janë se kjo mund të jetë vazhda e një procesi, por pavarësisht nëse është ndonjë nga ata që mendojmë ne apo jo, ne duhet ta zbulojmë patjetër burimin dhe njerëzit e këtij atentati.
    Duke marrë parasysh se ky nuk është një aksion i thjeshtë, por një ngjarje politike e kalibrit të madh, madje më e madhe se një atentat që mund të bëhej kundër ndonjërit nga ne, është e nevojshme politikisht që të marrim masa represive të jashtëzakonshme pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Një masë të tillë ne e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba, domethënë kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi.
    Unë mendoj se, masa që do të marrim duhet të jetë në shkallë të atillë që elementi që përpunohet, elementi reaksionar i tipit "Kasoruho" etj., që t'i arrestojmë sonte. Të arrestojmë rreth 100 ose 150 veta nga të cilët 10 ose 15 t'i pushkatojmë, duke zgjedhur sigurisht ata më kryesorët, pasi kanë dashur të organizojnë atentate të tjera. Kjo masë do të cedohet edhe me një masë tjetër spastrimi nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji. Terrorit duhet t'i përgjigjemi me terror dhe këtë mund ta bëjmë me plot ndërgjegje e me gjakftohtësi.
    Ne kemi përgatitur listat e arrestimeve dhe po të jeni edhe ju dakord, veprojmë që sonte. Qysh mbrëmë, ne kemi marrë masa për ruajtjen e të gjithë njerëzve sovjetikë që ndodhen këtu si këshilltarë, profesorë, duke u vënë njerëzit tanë për t'i shoqëruar. Pjesa kryesore e tyre do të armatosen. Pastaj kemi menduar që të vëmë roje edhe në të gjitha objektet, ku punojnë e banojnë këta. Rrotull tyre do të bëjmë pastrimin që të heqim familjet e dyshimta, si dhe njerëz të tjerë që punojnë afër tyre, pasi kemi vënë re se tek ata janë futur njerëz të poshtër, si dhe dy shoferë jo të mirë. Këto masa mendojmë t'i marrim kudo ku ka sovjetikë. Këtu janë rreth 200 veta prej tyre.
    Gjithashtu, me këtë rast do të marrim masa, edhe më të mira, për mbrojtjen e legatave të demokracive popullore, të cilat, sot për sot, kanë vetëm nga një roje. Megjithëse për këto masa do të ketë edhe mjaft harxhime, ne do ta bëjmë këtë, sepse janë masa të domosdoshme dhe duhet t'i marrim.
    TË GJITHË SHOKËT ANËTARË TË BYROSË (njëzëri) - Të gjithë jemi dakord me këto masa.
    SHOKU MEHMET SHEHU - Do të ishte mirë që ne si Byro Politike t'i bënim një telegram shokut Stalin, ku t'i tregonim sesi ka ndodhur kjo ngjarje, kjo fatkeqësi e madhe, t'i premtojmë dhe ta sigurojmë se luftën kundër armiqve të jashtëm e të brendshëm do ta vazhdojmë edhe më me ashpërsi.
    TË GJITHË SHOKËT ANËTARË TË BYROSË POLITIKE - (Aprovojnë edhe këtë propozim të dytë të shokut Mehmet Shehu).
    SHOKU BEQIR BALLUKU - Për çështjen e atyre që do të pushkatojmë ne duhet të gjejmë edhe një motivacion.
    SHOKU MEHMET SHEHU - Këtë gjë ta lidhim me atë që donin të bënin në datën 8 shkurt.
    SHOKU KOMANDANT - Në motivacion të mos thuhet "për atentat".
    SHOKU MEHMET SHEHU - Për këtë gjë duhet të flitet pak edhe me Gjykatën dhe Prokurorinë Ushtarake.
    (Mbyllet seanca e datës 20.02.1951)
    Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

  10. #10
    Mire ështe puna mire Maska e PLAKU
    Anëtarësuar
    19-05-2002
    Postime
    2,443
    Gëzim Peshkëpia: Bamir Topi ma rivrau babanë me dekoratën që i vuri në gjoks prokurorit Skënder Breca
    27-02-2011 / Gazeta 55

    http://www.gazeta55.al/fotolajm/52057peshkepia.jpg

    Ish-i përndjekuri Peshkëpia, djali i njërit nga viktimat e bombës sovjetike, tha dje në një konferencë në përkujtim të 22 martirëve, se dekorata që presidenti Topi i kishte dhënë persekutonit Breca, ishte një tjetër plumb ndaj kujtimit të ish-të përndjekurve

    Gëzim Peshkëpia, një ish-i dënuar politik, i cili pak ditë më parë u dekorua nga Presidenti Bamir Topi me “Medaljen e Mirënjohjes”, ka akuzuar dje kreun e shtetit, i cili sipas tij, të njëjtën medalje, ia ka dhënë edhe rreth tre vjet më parë, njërit prej prokurorëve, persekutorë të babait të tij.
    Në konferencën e mbajtur dje, menjëherë pas ngritjes së një memoriali në përkujtim të viktimave të “bombës” së ambasadës ruse, të ekzekutuar pa gjyq, 60 vjet më parë, Gëzim Peshkëpia, u shpreh midis të tjerave, se Bamir Topi ma rivrau babanë me dekoratën që i vuri në gjoks prokurorit Skënder Breca. Ajo dekoratë është si një plumb tjetër që ngulet në kujtimin e atyre martirëve”.
    Reagimi i Gëzim Peshkëpisë, vjen pak ditë më parë, dekorimit të tij prej Presidentit të Republikës, Bamir Topi me “Medaljen e Mirënjohjes” me motivacionin: "Në respekt të vuajtjeve të pafund dhe qëndresës së pashembullt ndaj persekutimit nga diktatura komuniste”. Ndërkohë, në datën 8 maj 2008, Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, me rastin e “Ditës së Drejtësisë”, dekori me të njëjtën “Medalje të Mirënjohjes”, Skënder Brecën, prokurorin e diktaturës, autor i një sërë dënimesh politike, personin që as nuk ka pranuar të tregojë pas viteve ’90, se ku janë varrosur të ekzekutuarit me vendimin e tij.
    Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

  11. #11
    Mire ështe puna mire Maska e PLAKU
    Anëtarësuar
    19-05-2002
    Postime
    2,443
    Republika e E. Hoxhës dhe e M. Shehut, varr i përbashkët i shqiptarëve!
    Agim Xh. Dëshnica
    Mesnata e ftohtë e një pushkatimi barbar, 60 vjet më parë (3)
    Reiz Selfo, u lind në Gjirokastër. U shqua si një nga sipërmarrësit e aftë në tregëti dhe në ndërtim. Disa nga veprat, si Firma “Selfo” në Vlorë, Ura e famshme e Dragotit mbi lumin Vjosë, Ura e Bënçës në Tepelenë, disa shkolla, ndër to, Gjimnazi në Gjirokastër dhe shumë të tjera, janë tregues të qartë të ndihmesës së tij për lulëzimin e Shqipërisë, por dora e diktatorit E.Hoxha, më 26 shkurt 1951, ia rrëmbeu pa mëshirë, jetën këtij biznesmeni të madh patriot. -Qemal Kasaruho, 49 vjeç. U lind në Gjirokastër. Ekonomist, zotërues i disa gjuhëve të huaja, Në vitet 20-40 punoi si kryeinspektor në doganën e Sarandës, më pas drejtor i përgjithshëm i Monopoleve dhe i Tatimeve në Ministrinë e Financave, ndër kohë mori pjesë në luftën kundër pushtueve italo-gjerman. Pas luftës nuk u pranua të punonte si ekonomist në Tiranë, por jashtë saj, në minierën e Rubikut, së fundi jashtë nga jeta, por nuk mundën ta fshinin nga kujtesa e Kombit.

    Më pas, pushkatimi pa gjyq e pa faj

    Zyhdi Herri, 30 vjeç. U lind në Tiranë. Studjoi në Liceun e Korçës dhe në Gjimnazin e Tiranës, më pas vazhdoi studimet për drejtësi. Gjatë luftës bashkëpunoi me Frontin N.Ç. Pas luftës kryeredaktor i gazetës Bashkmi në Tiranë. Më pas e priste pushkatimi pa gjyq. e pa faj. -Gjon Temali, 47 vjeç. U lind në Shkodër. Në vitet 40 studioi për farmaci në Universitetin e Firences. Nga viti 1946 deri në shkurt të vitit 1951, farmacist në Spitalin e Tiranës. Ky njeri, i përkushtuar në shërbimin human të mjeksisë, duhej të vritej si “terrorist”, pa gjyq e pa faj. -Petro Konomi, 30 vjeç. U lind në Kajro. Kreu studimet e larta në Turqi në Robert Kolezh, mandej në Akademinë Ushtarake në Itali. Gjatë luftës përkrahu Frontin N.Ç. Pas luftës u emërua në ATSH. Edhe ky punonjës engjëll, duhej lidhur me tela, për t’u vrarë. -Niko Lezo, 50 vjeç. U lind në Delvinë. Kimist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Ka kryer Universitetin e Tuluzës. në vitin 1921. Më 1923, ngriti të parin laborator kimik në Tiranë. Po atë vit zgjidhet deputet i Delvinës. Më 1940 arrestohet e internohet në Ventotene. Pas luftës punon sërish kimist në laboratorin, tashmë nën vartësinë e Ministrisë së Shëndetësisë. Ky themelues i paharruar i laboratorit të parë shqiptar, duhej pushkatuar pa mëshirë. -Pandeli Nova 59 vjeç. U lind në Opar, në një familje të pasur. Ekonomist. Zotërues i disa gjuhëve të huaja. Deri në vitin 1944 u mor me tregëti dhe njëkohësisht ndihmoi Frontin N.Ç. Pas luftës punoi në një shoqëri tregtare çeko-shqiptare. Ky prind, i një djali partizan në mesnatën e 26 shkurtit 1951, do të dëgjonte për herë fundit, zërin e ashpër të komandantit partizan: Zjarr! -Thoma Katundi- më i “vjetri” në moshë, 64 vjeç! U lind në Katund të Korçës. Ish-vatran në SHBA. I djegur nga malli, u kthye në atdhe dhe punoi me ndershmëri. I edukuar nga idetë demokratike amerikane, duke përbuzur çdo tirani, humbi jetën më 26 shkurt 1951. Faji i tij nuk ishte vetëm dashuria për lirinë, por edhe malli për atdheun.

    Faji i vetëm ishe se shiste thuajse falas kryeveprat botërore të letërsisë

    Mehmet Shkupi, 58 vjeç. U lind në Shkup dhe banoi në Tiranë. Ish pronar me arsim të mesëm dhe me profesion nëpunës kaloriferi. Dyshohej si “agjent” i Legatës Franceze dhe se zhvillonte veprimtari terroriste. Pra prova konkrete për dënimin me vdekje pa gjyq, shërbeu sajesa me emrin dyshim. -Ali Qorralliu, 61 vjeç U lind në Tiranë. Tiranas i pasur. Jurist. Kreu studimet e larta në Kolegjin Juridik të Selanikut. Në kohën e luftës ka perkrahur Ballin Kombëtar, ndaj u burgos nga regjimi komunist. Megjithatë pas lirimit nuk ndërmori asnjë veprim kundër regjimit. Pa patur asnjë trashëgimtar, u arrestua si “terrorist“ dhe u pushkatua pa mëshirë, pa gjyq. La vetëm kujtimin e një njeriu, të ditur e të pasur. Kur u zbulua varri, u vu re se para pushkatimit ia kishin shkulur dhëmbët e florinjtë. -Fadil Dizdari, Me origjinë nga Shkodra, u lind në Kavajë, Në kohën e Zogut kishte punuar si sekretar prefekture. I dashuruar pas librave dhe të fejuarës së vet, mbante hapur një librari në qendër të Tiranës. U arrestua dhe u pushktua pa gjyq, i dyshuar si “terrorist”, apo “armik i Pushtetit. Popullor.” Në të vërtetë faji i tij, ishte bujaria, teksa shiste pothuaj falas kryeveprat botërore, të ashtuquajtuara “të verdha”, të autorëve me famë, si Viktor Hygo, Aleksandër Dyma, Frederik Shiler etj. Shpëtoi vetëm unaza e fejesës që u gjet në gropë, për të dëshmuar për krimin e fshehtë e barbar në mes të natës. -Hekuran Troka, 32 vjeç. U lind në Kuçovë dhe banoi në Tiranë, me profesion tregtar. Në listën e zezë për këtë djalë të hijshëm, është shënuar “tregtar i dyshimtë spekulant”, “agjent i shërbimeve të huaja” dhe “terrorist”. U pushkatua i dyshuar, pa gjyq. Familja u internua e punoi në punë të rënda për bukën e gojës. Ja, si dënoheshin me mungesë provash e vriteshin natën ata, që dyshoheshin. -Lluka Rashkoviç, 51 vjeç. U lind në Mal të Zi. Ka ardhur në Shqipëri me familjen në kohën e Mbretërisë. Gjatë kohëve të ndryshme u mor me transport udhëtarësh, në Shqipëri e Ballkan, jashtë çdo rryme politike. Për gjithë këtë jetë të pastër dhe punë të ndershme në shërbim të vendit tonë, u arrestua dhe u pushkatua pa gjyq.

    Për gropën e braktisur në errësirën e ftohtë 60 vjet më parë, nga xhelatët e nga fajtorët e shekullit, folën eshtrat, folën edhe gurët, folën arkivat e zbuluara edhe ato si gropa e të vrarëve, foli dhe kujtesa e njerëzve të ndershëm, e motrave, e vëllazërive, e nipave, e qytetarëve dhe e fshatarëve të ndershëm. Folën me zë të lartë që ta dëgjonte bota dhe rinia të merrte vesh, megjithëse me vonesë, se kush ishte në të vërtetë Republika Popullore Socialiste, apo Komuniste e E. Hoxhës dhe e M. Shehut, “fanar ndriçues”, burg apo varr i përbashkët i shqiptarëve...? (FUND
    Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

  12. #12
    Mire ështe puna mire Maska e PLAKU
    Anëtarësuar
    19-05-2002
    Postime
    2,443
    Gjyqi u bë një ditë pas pushkatimit !
    Agim Xh. Dëshnica
    Mesnata e ftohtë e një pushkatimi barbar, 60 vjet më parë (2)
    Pas ekzekutimit të viktimave, që shkuan drejt vdekjes pa e ditur pse, dokumentet gjyqësore u plotësuan të mangëta. Kur viktimat nuk jetonin më, nga një dokument i vonuar gjyqësor, merret vesh një vandalizëm i paparë, se më datën 27 shkurt 1951, një trup gjyqtarësh fantazmë i përbërë nga tre vetë, pa praninë e prokurorit, kishte dhënë një vendim: dënimin me vdekje për 22 të vdekur!! Në atë dokument të turpshëm mungon sërish një nënshkrim. Pra, bllokmenët, uzurpatorët e Shqipërisë, me atë vrasje, kërcënuan gjithë popullin liridashës, kërcënuan drejtësinë, kërcënuan edhe Zotin. Me këtë rast E. Hoxha u rrek të tregonte dashurinë e madhe për miqtë e rinj sovjetikë, e mbi të gjitha të qetësonte jetën e tij të mbrapsht. As Shekspiri i tragjedive, s’do të mund të gjente fjalë për të treguar, sesi brenda një nate u krye ajo masakër e llahtarshme.
    Pas atij akti kriminal, diktatori E. Hoxha do të hakërrehej me grushtin lart: “Reaksioni i brendshëm është strukur si miu dhe po lëvizi, e piu e zeza!”
    Iku nga burgjet serbe, por u pushkatua pa gjyq nga Enver Hoxha e Mehmet Shehu
    Ja cilët ishin ata, që humbën jetën, shumica në moshë të re, pa asnjë faj, nga pushkatimi mizor në natën e ftohtë të 26 shkurtit 1951: -Sabiha Kasimati, 38 vjeçe. E lindur në Edërne të Turqisë, e diplomuar në Itali. Megjithëse iu ofrua një vend pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo vajzë patriote e ditur, dëshiroi vendin e saj, Shqipërinë. Pas kthimit në atdhe, punoi në Institutin e Shkencave krahas shkencëtarëve të shquar në histori. Si ishte e mundur të dënohej me vdekje dhe të masakrohej një engjëll si ajo? Fajtor për këtë krim barbar ndaj asaj vajze të rrallë dijetare, ishte vetë dora e përbindëshit ziliqar, E. Hoxha. -Tefik Shehu 39 vjeç, i lindur në Gjakovë. I diplomuar në Zagreb për ekonomi, financë dhe drejtësi. Në vitin 1939 u vendos e punoi në Tiranë. Pas pushtimit të Shqipërisë u kthye në Gjakovë. Atje u arrestua nga serbët, por mundi të shpëtonte me ndihmën e nacionalistëve shqiptarë. Më 1945 u arrestua nga komunistët shqiptarë në Tiranë, por me ndihmën e avokatit Koço Dilo, shpëtoi nga pushkatimi. Më 26 shkurt 1951, askush nuk mundi ta mbronte nga vandalët. -Pjerin Guraziu 45, vjeç i lindur në Shkodër. Doktor i Shkencave Ekonomike, sportist me rezultate të nivelit ndërkombëtar. Pedagog në shkollën tregtare të Vlorës. Drejtor i Doganës së Tiranës më 1938. Pas luftës, shef finance në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Bujqësisë. Anëtar i komisionit për organizimin e garave atletike në Ballkaniadën e vitit 1946. Për këto aftësi meritoi pushkatimin. -Jonuz Kaceli 43 vjeç. U lind në Tiranë, në familjen e madhe patriote të Kacelëve, e njohur për shërbime në dobi të atdheut, në ekonomi, kulture, art etj. Më vonë, sipas një dëshmitari, për këto vlera, sadisti i Ministrisë së Brendshme e vrau në tortura dhe e hodhi nga dritarja. Shkuan vite dhe sadisti i “terrorit të kuq”, u dergj në shtrat i vrarë. -Anton Delhysa, 47 vjeç. U lind në Prizren, specialist ndërtimi, kreu me përfundime të shkëlqyera Shkollën Teknike të Fulzit. Njihet si drejtues i punimeve për ndërtimin e Shkollës Amerikane në Golem të Kavajës, të Shkollës Teknike të Fullcit dhe të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Pas luftës, drejtoi punimet për për ndërtimin e fabrikës së sheqerit në Maliq, për spitalin në Gjirokastër, për fabrikën e tullave ë Vorë etj. Për punën e tij, u dekorua edhe nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, së fundi edhe me pushkatim… -Haki Kodra-, 30 vjeç. U lind në Dibër të Madhe. Pasi u diplomua për ekonomi në Universitetin e Zagrebit, u kthye në Dibër, ku ngriti një biznes të madh, por u luftua nga serbët, ndaj u largua dhe u vendos më 1940 në Tiranë. Pas luftës punoi në sektorin ekonomik deri në vitin e zi të pushkatimit 1951.
    Të vrarët ishin të gjithë ekspert me shkollim universitar dhe familjet e mira
    -Gafur Jegeni, 41 vjeç. U lind në Dibër.Ishte një nga përfaqësuesit e shquar të Jegenëve të Dibrës. Kreu studimet e larta në Akademinë Ushtarake në Itali. Nga viti 1935 më 1937, komandant i kufirit bregdetar në Shqipëri. Në ditët e prillit 1939 në Vlorë, me gradën kapiten, kreu detyrën si patriot për mbrojtjen e atdheut. U arrestua dhe gjyqi ushtarak e dënoi me vdekje, më pas u internua në Ventotene. U lirua nga anglo-amerikanët më 1943. Pas kësaj u tërhoq nga ushtria deri në shkurt të vitit 1951. Epilogu: Në vend të plotonit ushtarak italian të ekzekutimit, u ndodh përballë skuadrës së ekzekutimit barbar me ushtarë, që mbanin yll të kuq në ballë. -Myftar Jegeni, 36 vjeç. U lind në Dibër. Kreu Akademinë Ushtarake më 1937 në Itali. Me gradën kapiten më 7 prill 1939, luftoi në Durrës për mbrojtjen e atdheut, më pas edhe kundër ushtrisë gjermane. Kundërshtoi masakrat jugosllave, ndaj serbët pasi e arrestuan e dërguan në duart e komunistëve në Shqipëri. Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, punoi llogaritar në një ndërmarrje ndërtimi në Tiranë, deri në vitin 1951. Nuk mundi të punonte më sepse në mesnatë e priste pushkatimi i pabesë. -Manush Peshkëpia, 39 vjeç, poet patriot, u lind në Vlorë. Analistët e letërsisë e rendisin krahas me Fishtën. Poradecin, Koliqin, Kutelin etj. Ja, si është shprehur shkrimtari i shquar Vedat Kokona: “Shumë nga shokët e mi vdiqën zemërplasur pas dekada vuajtjesh dhe mjerimesh. Një nga këta fatzinj ishe edhe ti, Manush. Askush në këtë sallë dhe jashtë saj nuk të ka njohur si të kam njohur unë, si vëllai, gjashtëdhjetë vjet më parë…Shumë njerëz kam njohur në jetën time, pak kam çmuar, shumë pak kam dashur siç të kam dashur ty. Ti shkruaje vjersha pa e hequr veten poet, të mos jeshë poet në vargje, nuk është faj. Faj është të mos jeshë njeri. Ti, Manush, ishe poet njeri”. Edhe pas pushkatimit nga terrori i kuq në mesnatën e 26 shkurtit, ky poet njeri mbeti i gjallë në vargje e në dritë.
    E tërë Shqipëria ishte ngujuar brenda telave gjemborë, me të cilin tel u lidhën edhe 22 intelektualët e pushkatuar
    Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

  13. #13
    Mire ështe puna mire Maska e PLAKU
    Anëtarësuar
    19-05-2002
    Postime
    2,443
    U likuidua ajka e intelektulëve atdhetarë shqiptarë
    Agim Xh. Dëshnica
    Mesnata e ftohtë e një pushkatimi barbar, 60 vjet më parë (1)
    Pas pyetjesh e kërkimesh të shumta, aty nga viti 1993, buzë lumit Erzen, nën një kodrinë afër Urës së Beshirit, u zbulua një gropë me eshtra njerëzish. Ç’qe ajo gropë? Prania e grave të përzishme dhe e burrave të tronditur, tregonte se nuk ishte gjetur një tumë ilire, por një varr i përbashkët, varr makabër i vitit 1951. Nga shenja të ndryshme
    ata njohën mbetjet nga trupat e 22 njerëzve të dashur, të pushkatuar në mesnatën e 26 shkurtit 1951, të lidhur tok me tela me gjemba, midis tyre dhe një vajzë. Oh tmerr! Përse i vranë ata?
    Vrasje me gjyq e pa gjyq
    Nuk do të mjaftonin vrasjet e shumë patriotëve, pa gjyq e me gjyq, që nisën qysh nga nëntori i vitit 1944, kur sadisti Mehmet Shehu, i njohur për epitetet “terror i bardhë”, “terror i kuq”, në vitin 1949 do të shprehej: “Ne duhet ta ashpërsojmë luftën kundër armiqve të pushtetit tonë, të vrasim njerëz që të mundemi të përballojmë situatën.”
    Viti 1951 qe një kohë, kur shumë qytetarë të zhgënjyer shpresonin, se pas prishjes me jugosllavët, do të ndodhnin ndryshime të thella. Ata që kishin radio, dëgjonin më kot Radio Londrën, me sinjalin e njohur “Ju flet Londra!”, apo Ankaranë, me “Burasi Ankara!” Ndërkohë natën nëpër rrugët e taracat e Tiranës, aktivistët e Frontit Demokratik, kërkonin fletushkat e hedhura nga duar të panjohura, ndoshta edhe nga qielli, kurse ditën nëpër trotuare, civilë të paguar gjurmonin kalimtarë të dyshimtë. Në mure u dukën pankarta me fjalën e rreptë “Vigjilencë!” Në Durrës, kur qytetarët ktheheshin në shtëpi, gjenin mbi radio letra me shënimin tronditës:”mos hapni radion në kanalet italiane!”. Në bregdet pushuesit porositeshin të ndërprisnin lojën me domino e të hynin ndër fjetore. Nga dritaret dukej në muzg patrulla e rojeve bregdetare me armë në duar. Banorët e majmur të Bllokut, natën shihnin ëndrra të frikshme me sulme të befasishme nga deti e ajri dhe nga malet. Ndaj zgjoheshin të trembur dhe në mbledhje të fshehta, hartonin lista arrestimesh me emra të diktuara nga krerët kryesorë të partisë, disa të njoftuara edhe nga agjentët e sigurimit.
    Befas, në krahun e shkretë të oborrit të Ambasadës Sovjetike në rrugën e Durrësit në Tiranë, shpërtheu një sasi e pakët dinamiti, nga e cila u thyen vetëm disa xhama. Dhe ja, brenda një nate, sipas listave të përgatitura qysh më parë, u shoqëruan të lidhur mbi treqind vetë, midis tyre, Sabiha Kasimati, dijetare e Institutit të Shkencave, Jonuz Kaceli, nga familja e madhe e Kacelëve, Ing. Vasil Noçka, një prej yjeve të Universitetit të Shtutgardit, Prof. Ibrahim Babamusta, personalitet i njohur i kulturës perëndimore, Gaqo Qano, doktor i kirurgjisë dentare, i kthyer nga studimet në SHBA, Gani Strazimiri, inxhinier i shquar i ndërtimit, Rok Radovani, profesor i kimisë, Tefik Gabrani, ekonomist, zotërues i disa gjuhëve, patriot i kthyer nga Selaniku në atdhe për Kosovën e shumë të tjerë. Nga listat e zeza nën diktatin e E. Hoxhës dhe të M. Shehut, u përzgjodhën për pushkatim 22 vetë, të gjithë banues në Tiranë. Shumë njerëz qenë të bindur se atentati dhe arrestimet u kryen me urdhër nga lart, me anën e shërbimit të fshehtë, me emrin Sigurimi i Shtetit, duke fashitur kështu ëndrrat e shpresat e qytetarëve për shembjen e diktaturës. Asnjë nuk u pyet për ngjarjen e bujëshme me dinamit, por veç për ndodhi e biografi të paraluftës. Madje pati zyrtarë rusë që ndërhyn për lirimin e disa prej tyre. Ishte koha, kur marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik, po bënin hapat e para.
    Lista e të pushkatuarëve ishte bërë me kohë
    Ata 22 fatkeq, pasi lindën, u rritën dhe u shkolluan, ecën nëpër udhën e jetës, herë me gëzime të pakta, herë të tronditur nga zhgënjime, apo nga dramat familjare, së fundi do t’i priste një mbarim tragjik, nga dora gjakatare e tiranit komunist E.Hoxha dhe e xhelatit M. Shehu. Pas arrestimit u pushkatuan në mbarim të pesë ditëve, pa prokuror, pa gjyq e pa asnjë shpjegim zyrtar, në mesnatën e 26 shkurtit të vitit 1951, pranë Urës së Beshirit. Ky veprim u quajt i përligjur, sipas një dekreti mizor me gjashtë nene, për „veprimtaritë terroriste“ që u hartua me vonesë nga kreu i Ministrisë së Brendshme M. Shehu dhe u miratua rrufeshëm nga Presidiumi i Kuvendit Popullor dhe Byroja e PPSH, më 26 shkurt 1951, kur gjithçka, pa gjyq, kish marrë fund. Ministri i Drejtësisë u përjashtua nga kjo orgji juridike e pështirë. 26 shkurti shënon një datë të zezë të drejtësisë shqiptare që ngjeth jo vetëm çdo jurist në botë, por edhe njeriun më të thjeshtë. Një oficer i lartë i asaj kohe të mbrapsht dëshmon: “Për pushkatimin e këtyre personave, nuk është bërë gjyq dhe këtë e them pasi nga pyetja që bëhej nga zyrat e Ministrisë së Brendshme, ata janë çuar direkt në vendin e pushkatimit dhe nuk është lënë kohë për gjykimin e çështjes..“ Pra, asnjë seancë gjyqësore nuk u zhvillua. Nuk u dëgjua as prokurori, as gjyqtari. Mungonin dëshmitarët dhe avokati. Viktimat, të lidhur me tela me gjemba të kohës së luftës, i hipën në një kamion. Jonuz Kacelin të vdekur nga torturat e hodhën nga dritarja. Askush prej tyre nuk u njoh me vendimin. Në mes të natës, kur era e maleve ulurinte si mallkim, i pushkatuan barbarisht të gjithë ashtu siç qenë, të lidhur tok. Kur krismat e armëve pushuan, u dëgjua britma e dhimbshme e një gruaje: “Ç’i paskam bërë perëndisë!“ Ishte Sabihaja! Plumbi nuk e kishte kapur! Atëhere ushtarët u sulën dhe ia shuan jetën, duke e qëlluar egërsisht me kondakët e pushkëve. Pas disa çasteve britma pushoi. Ndihej vetëm ulërima e erës dhe rrjedha e tërbuar e Erzenit. Një vetull hëne e pikëlluar rrezëllinte midis reve. Të vrarët, ashtu siç qenë, i mbuluan shkel e shko, në një gropë të përbashkët. Gjithçka kishte marrë fund. U dëgjua një motor që u ndez. Xhelatët, pasi mbaruan detyrën me sukses, u zhdukën si hajna nëpër natë. Në të nesërmen nëpër shtëpitë e Tiranës, fshatarët e fshatit pranë, trokitën të tronditur në dyert e miqve të tyre dhe sipas një zakoni të lashtë, rrëfyen se ç’kishte ndodhur në mes të natës. Më vonë, ndërsa punohej për shpyllëzimin e asaj zone, një traktoristi i ra të fikët, kur pa që traktori nxori papritur një kufomë gruaje dhe po e zvarriste. Qe trupi i patretur i martires Sabiha Kasimati…(vijon)
    Pa Kosovë e Çamëri nuk ka Shqipëri

  14. #14
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,030
    Postimet në Bllog
    17

    26 shkurt 1951 - Ekzekutohen 22 intelektualë për "bombën në ambasadën sovjetike"

    Lekë Tasi: Sali Ormani kundërshtoi ekzekutimin e 22 intelektualëve, e vërteta duhet thënë me sëpatë!

    Emri:  leke-tasi.jpg

Shikime: 934

Madhësia:  29.6 KB

    70 vite më pas, janë përkujtuar 22 intelektualët e ekzekutuar më 26 shkurt të vitit 1951. Një sërë posterash më shënimin “Mos harro 26 shkurtin”, janë vënë në kryeqytet, ndërsa gjatë takimit përmbyllës të “Ditëve të Kujtesës”, mbajtur nga IDMC, mbi atë ngjarje, foli edhe ish i dënuari politik Lekë Tasi, duke dhënë një mesazh të fortë mbi qasjen tonë ndaj të shkuarës.

    “Kam lexuar kujtimet e Vaclav Haveli, ku mes të tjerash kuptoje se koleget e tij çekë në atë kohë, kishin një farë frymëzimi të mbrapshtë, mbi idenë se të qenurit korrekt me ligjin, i bënte të respektonin rendin në fuqi. Haveli i kundërshtonte me shumë qytetari. Më indinjoi pak intelektualisht, sepse duhej t’u ishin kthyer më keq, duhej t’u kishte rënë me sëpatë. Instituti juaj duhet të vërë në zbatim këtë sëpatën se kemi qenë ku e ku larg Çekisë”, tha Tasi.

    Ai solli në vëmendje një figurë që refuzoi të ishte korrekt me rendin në kohë të pazakonta. “Dua të zgjedh figurën e Sali Ormanit, që ka qenë shef policie dhe ka qenë i shquar në luftë. Ai e kundërshtoi pushkatimin pa gjyq të atyre 22 personaliteteve të Shqipërisë(për bombën në ambasadën sovjetike), mes tyre edhe e shquara Sabiha Kasimati. Në këtë lloj tonaliteti tragjik dhe historik, duhet të thuhen faktet dhe të interpretohen si barbari me art”, tha Lekë Tasi, ish çelist në Opera para internimit dhe piktor.

    Të pranishëm në takimin përmbyllës, ishin Tobias Ruttershof drejtues i Fondacionit “Konrad Adenauer”, Jonila Godole drejtuese e IDMC, etj.
    Duke ju drejtuar të rinjve që kanë marrë pjesë në konkurset e të rinjve, tha se “të rinjte, jo rrallë e shohin të ardhmen jashtë ndaj ju bëj thirrje politikës e shoqatave se të rinjte nuk janë të topitur, por duan mbështetje. Ne duhet të kujdesemi që këta të rinj që janë filiza të bëhen pemë të fuqishme për demokracinë e vendin”.

    Shkrimtari e skenaristi Ylljet Aliçka tha se ai që ka pushtetin ka në dorë të shkuarën, ndaj veçoi punën e bërë gjatë Ditëve të Kujtesës, si një punë, që ka pasur shumë ndikim në shpalosjen e të vërtetës.

    Në mesnatën e 26 shkurtit 1951 u pushkatuan pa gjyq dhe pa faj 22 intelektualë të shquar të Tiranës dhe të Shqipërisë, me vendim të Byrosë Politike të KQ të PPSH, me pretekstin e të ashtuquajturës “Bomba sovjetike”, një sasie vogël dinamiti hedhur në oborrin e Ambasadës Sovjetike në Tiranë. Propaganda fajësoi për këtë organizatën antisovjetike, por që s’kishte asnjë lidhje me të pushkatuarit. Njëzete dy intelektualët e pafajshëm, mes tyre dhe Sabiha Kasimati, shkencëtarja e parë shqiptare, u ekzekutuan në breg të lumit Erzen, ku u groposën në errësirë dhe fshehtësi në një varr të përbashkët. Familjet e tyre u internuan në kampet e Tepelenës, Vlorës etj.

    (BalkanWeb)

Tema të Ngjashme

  1. Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 27-02-2021, 11:37
  2. Gruaja qe i hoqi bomben nga dora protestuesit
    Nga medaur në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 37
    Postimi i Fundit: 28-01-2011, 18:42
  3. Vdes piloti që hodhi bombën atomike në Hiroshimë
    Nga RaPSouL në forumin Historia botërore
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 02-11-2007, 17:09
  4. Projekti Manhatan per bomben atomike
    Nga YaSmiN në forumin Historia botërore
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 30-09-2007, 20:09
  5. Përgjigje: 14
    Postimi i Fundit: 11-02-2006, 16:18

Fjalët Kyçe për Temën

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •