Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Kisha përkujton në 20 vjetorin e fjetjes, birin e saj Theofan Popa

    “I drejti do të kujtohet gjithnjë”

    (Ps. 112:6)

    Nga Mitropoliti i Korçës
    Joani


    U mbushën njëzet vjet që kur u nda nga ne Theofan Popa. Ai ia përkushtoi tërë jetën e tij Krishtit, studioi për Atë dhe punoi për Atë, duke u bërë një shembull për shumë e shumë njerëz. Fjala e tij e dashur jepte shpresë, qortimi i tij nuk zemëronte dhe këshillat e tij ndërtonin.
    Tek ai ishte kombinuar dijetari me shpresëtarin, duke i dhënë fjalëve të tij, të dala nga një mendje e ditur, edhe ngrohtësinë e një zemre të prekur nga dashuria e Krishtit.
    Theofani jetoi dhe punoi tërë jetën për Perëndinë në një kohë shumë të vështirë, kur pushteti i errësirës donte të shkatërronte çdo shpresë dhe të shuante çdo dritë. Por shpresa nuk vdes kurrë dhe drita e Krishtit nuk mund të shuhet kurrë, sepse ajo është “dritë që nuk perëndon”. Ai punoi në një kohë kur shumë thonin dhe mendonin se po mundohej më kot, madje shumë veta, edhe nga dashamirësit e tij, i thonin se ç’po fiton nga tërë kjo përpjekje. I thonin se nuk kuptonin, se të “humbësh” në Krishtin është fitim dhe madje i vetmi fitim. Asgjë nuk humbet tek Perëndia. Prandaj edhe Theofani, jo vetëm që nuk humbi, jo vetëm që nuk u mundua më kot, por fitoi shumë. Fitoi Perëndinë që është e vetmja pasuri. Me mundin, përpjekjet, lutjet dhe jetën e tij ai ndenji pranë Zotit, duke pasuruar shpirtin e tij dhe duke ndihmuar edhe të tjerët, nëpërmjet dëshmisë së jetës dhe veprës së tij.
    Sot, kur shumë prej persekutuesve u është harruar emri, ndonëse nuk kanë kaluar shumë kohë, atyre që “u munduan më kot” për Zotin po u shkëlqen emri. Një nga shembujt është pikërisht ky i sotmi. Emrin e Theofan Popës u munduan ta linin në harresë, ta denigronin dhe madje ta poshtëronin, por nuk mundën dot, as atëherë dhe aq më pak sot. Ne gjithmonë, dhe sidomos në këta përvjetorë i kujtojmë emrat e njerëzve që kanë punuar për Perëndinë. Madje, do të doja ta theksoja se përkujtimi në Kishën Orthodhokse nuk është thjesht për të kujtuar një njeri të dashur dhe të vdekur, por përkujtimi është lavdi dhe jetë, një formë e kungimit të gjallë ndërmjet qiellit dhe dheut, një shenjë e pranisë së Shpirtit të Shenjtë në Kishë që e bën të mundur këtë.
    Theofani dha një kontribut të jashtëzakonshëm për mbrojtjen e kishave, për mbrojtjen e kulturës së vendit tonë, si edhe për mbledhjen dhe ruajtjen e ikonave, kësaj pasurie të rrallë, e cila dëshmon për krishterimin, besimin dhe devotshmërinë e popullit tonë. Duke u përpjekur për t’i ruajtur ato, ai ishte i ndërgjegjshëm se po ruante një pjesë të shpirtit të popullit tonë, pa të cilin asnjë popull nuk mund të jetojë. Duke i mbledhur dhe duke ruajtur ato, ndonëse shpesh me rrezik, ai ruante atë pak dritë që kishte mundur të shpëtonte nga stuhitë e tmerrshme që kanë fryrë vazhdimisht me tërbim mbi vendin tonë, atë dritë kaq të nevojshme për ne. Populli ynë ka nevojë për dritë, më shumë se çdo vend tjetër, sepse këtu edhe errësira ishte më e madhe. Njerëz si Theofani, si edhe miqtë e tij të dashur, si motrat Cico, Atë Kozmai, më pas Episkop Kozmai, Petro Zheji, Petraq Fundo e shumë të tjerë, secili sipas aftësive dhe mundësive që kishin, dhanë një kontribut të madh për ta ruajtur këtë dritë në shpirtrat e tyre. Duke e ruajtur në shpirtrat e tyre, ata e shpërndanin atë kudo, sepse drita nuk mund të fshihet dot. Sa më e madhe të jetë errësira aq më shumë ajo ndriçon. Në qiellin e errët atesit, këta ishin yjet e paktë që rrezatuan dritë, atë dritë aq të domosdoshme për jetën e njeriut. Këta do të mbeten gjithmonë në mendjen dhe zemrën tonë.
    Më kujtohet entuziazmi dhe shpresa e tij e madhe edhe në çastet kur çdo njeri do të kapej nga dëshpërimi i thellë. Kur u mbyllën kishat, ai e mbajti përsëri shpresën, kur i arrestuan djalin e tij Dhimitrin, ai përsëri u mbështet tek Perëndia dhe nuk u dorëzua. Edhe në çastet e fundit të jetës, kur ishte i sëmurë dhe e kuptoi se Perëndia i tij i dashur, të Cilit i kishte shërbyer me devotshmëri gjatë gjithë jetës, po e thërriste pranë Tij, ai përsëri e përballoi vdekjen me besimin e madh se ajo nuk është fundi, por fillimi i jetës së plotë, duke dëshmuar edhe në çastet e fundit për Krishtin dhe dashurinë e tij për njeriun.

    Shpirti i tij pushoftë në paqe dhe i përjetshëm qoftë kujtimi!

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    Theofan Popa ka qene nje prej shtyllave te Kishes Orthodhokse ne Shqiperi, mbase shtylla e vetme mbi krahet e te cilit ra bara e shpetimit te thesarit e trashegimise me te cmuar kombetare qe ka nxjerre ai popull dhe ai vend: artit kishtar dhe Tradites se Shenjte verbale dhe te shkruar. Ku meson per jeten e tij dhe per punen e tij ne rrethanat e nje rregjimi satanik komunist, te duket sa e pabesueshme se si nje njeri i vetem mund te beje nje pune kaq voluminoze dhe te rrezikshme.

    Theofan Popa ishte i zgjedhuri i Perendise per te shpetuar ato kisha, manastire, ikona, ikonastase, kodike nga flaket e rregjimit te vetemshpallur ateist ne bote! Kur breza te tere shqiptaresh rriteshin me urrejtjen ndaj Perendise, Kishes, e cdo gje qe kish lidhje me fene, Theofan Popa ruante me vetemohim kete pasuri te jashtezakonshme shpirterore qe e kemi trasheguar ne shekuj edhe per brezin tone, brezin e lindur dhe rritur ne liri.

    Jeta dhe vepra e Theofan Popa jane si flaket e nje pishtari qe leshon drite ne mes te nje erresire te plote. Shembullin e tij duhet ta ndjekim te gjithe ne qe e quajme veten besimtare orthodhokse.

    I perjetshem qofte kujtimi i tij,
    Albo

    Vepra nga Theofan Popa:

    100 Kodikët e Shqipërisë
    Dorëshkrimet mesjetare kishtare në Shqipëri
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 19-02-2013 më 00:28

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Kisha përkujton në 20 vjetorin e fjetjes, birin e saj Theofan Popa

    Si u njoha me Theofan Popën dhe histori të tjera

    Në jetën e njeriut ndodh që persona të veçantë të lënë një mbresë të përhershme dhe të ndikojnë në një shndërrim pozitiv të kualitetit të jetës. Kështu më ndodhi edhe mua, mbas njohjes me theologun, misionarin, historianin dhe arkeologun Theofan Popa. Ishin vitet 60-të, propaganda ateiste po arrinte gradualisht majat e saj. Në këtë kohë punoja si shofer i kino-filmit, çoja me një makinë tip xhip dhe zhvilloja filma dhe dokumentarë nëpër fshatrat e rrethit të Korçës. Ndërkohë më ngarkojnë si detyrë nga sektori i kulturës të Komitetit Ekzekutiv të rrethit, të shoqëroja me makinën time një studiues në punën e tij për të mbledhur ikonat dhe objektet kishtare nëpër kishat e zonës sonë. Takimit me këtë specialist, i cili ishte Theofani, i kishte paraprirë një njohje në rrethana të çuditshme, kur një ditë kur unë shkoja për në Voskopojë me punën e filmit e takoj si pasagjer, e marr në makinë dhe si u njohëm, ai më tregoi arsyen, se po shkonte në Voskopojë për të studiuar afresket e kishave. I jap besim dhe i them se edhe unë jam besimtar, bile agjiorit, meqenëse që i vogël kisha ndenjur së bashku me babanë për punë nëpër manastiret e Malit të Shenjtë. Ai më përqafon dhe qysh atëherë na lidhi një miqësi e madhe bazuar në besimin orthodhoks. Mund të flas me ditë të tëra për përkushtimin dhe devocionin e tij në punën për mbledhjen e këtyre materialeve të shenjta, që siç thoshte edhe vetë ai përbënin memorjen historike të një populli me vlera të rralla dhe unikale. Falë kësaj pune u mblodhën dhe u shpëtuan me mijëra ikona dhe objekte kishtare me vlera të mëdha nga mania e shkatërrimit dhe e dhunës së verbër ateiste. Duket se ekonomia e Zotit veproi nëpërmjet këtij misionari të kohërave të vështira, në mënyrë që populli i tij këtu të mos mbetej pa histori dhe vlera. Paralelisht me këtë punë e cila vazhdoi gjatë, Theofani gjatë vizitave të tij në Korçë, deri në fund të jetës së tij, nuk harronte kurrë të frekuentonte apo të korrespondonte me rrethin e të krishterëve që i mbijetoi dhunës ateiste në këtë qytet. Ai gjithmonë i forconte nëpërmjet fjalës dhe i ngushëllonte siç dinte të bënte ai nëpërmjet pasazheve të Shkrimit të Shenjtë dhe punëve të Apostujve. Motrat Cico, Olimbi Mulla, Elisaberta Dhimitri, Pavlina Prifti dhe dhjetëra gra të tjera deri në fund e quanin vëlla të dashur më Krishtin.

    Një ditë, i shtyrë edhe nga gojëdhënat që flasin për vizitën e Apostull Pavlit në zonën tonë, e pyes se ç’dinte të më thoshte në lidhje me këtë. Nuk m’u përgjigj menjëherë, në takimin tjetër, kur ai erdhi në Korçë mbas dy javësh, pasi ishte konsultuar me disa shokë historianë dhe arkeologë në Institutin e Monumenteve të Kulturës, më thotë se ekzistenca e shumë kishave paleokristiane paleokristiane në zonën përreth, flet për një krishterim apostolik në këtë zonë. Kështu filluam që atëherë të vizitonim, duke zbuluar disa faltore shumë të hershme. Sipas tij, mund të hamendësohej se sipas Shkrimit të Shenjtë, Apostull Pavli nga Apolonia zbriti në Selanik, dhe ndoshta ka kaluar nga Apolonia edhe në zonën e Korçës. Mbas kësaj bisede, Theofani u interesua për disa kisha paleokristiane, për të cilat kishte një lloj informacioni për ekzistencën e tyre, por që nuk u dihej vendndodhja e saktë. Kështu shkuam në Moglicë, ku jashtë fshatit gjetëm një kishë mbas shumë orë kërkimesh. Hyrja e kishës ishte e hapur në shkëmb, ajo ishte në formë kubeje dhe ngrihej deri në dy metra, pastaj kubeja ulej, nuk kishte mure të drejta, vetëm nga lindja kishte altarin. Kisha ka pasur shumë mbishkrime.

    Ndërkohë mbas kësaj, unë shkova në Voskop, ku mësoj për gjetjen e një mozaiku të vjetër me zbukurime florale. Lajmëroj Theofanin dhe ai më thotë të shkoj për ta parë në vend. Atje mora një kryq dhe disa kolona, të cilat i dorëzova në depon e Muzeut Mesjetar, te kisha e Mitropolisë së Korçës. Do të ishte më pas arkeologu i talentuar, i ndjeri Petrika Damo, i cili do të merrej këtu me zbulimin e kalasë së Zagradishtës, mendimet e të cilit për këtë vendbanim të hershëm me kisha paleokristiane do t’i përfshinte në disertacionin e tij, por që fatkeqësisht vdekja nuk e la që të thellohej mbi këtë punë. Këto ngulime të vjetra me kisha paleokristiane, si kalaja e Kuçit, përballë, apo kalaja e Zvezdës afër tyre, kanë qenë qendra të mëdha banimi dhe ndoshta Apostulli ka ardhur dhe ka predikuar, për të kaluar më pas në Ohër, në Prespë, Selanik dhe Ptolemaidhë. Ndoshta është një detyrë e arkeologjisë por edhe e historianëve të krishterimit, që t’i studiojnë si duhet këto mbetje të kohërave, ku fshihet historia, sidomos në këtë zonë që referova këtu.

    Tashmë po afroj të nëntëdhjetat, por dikush patjetër që duhet të merret me këto lloj hulumtimesh, pse jo edhe me shpjegime dhe interpretime të këtyre objekteve dhe fakteve historike, të historisë së Krishterimit, që njëherazi është edhe historia e popullit dhe e kulturës së këtij vendi.

    Ilia Nemçe
    psalti i parë, Katedrale Korçë.

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    27-01-2010
    Postime
    1,126

    Për: Kisha përkujton në 20 vjetorin e fjetjes, birin e saj Theofan Popa

    Eshte shume interesant libri i botuar me mbishkrimet e perkthyera nga Theofan Popa dhe gjithashtu emrin e tij e mban dhe peshkopi i pare i shqiptareve te Amerikes/
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    Ndryshuar për herë të fundit nga neokastra : 21-02-2013 më 15:51

Tema të Ngjashme

  1. Hirësia e Tij, Theofan Stilian Noli [1882-1965]
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 27-06-2013, 17:59
  2. “Radio Tirana” festoi sot 70 vjetorin e saj
    Nga Brari në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 27-11-2008, 21:39
  3. Theofan (Fan) S. Noli
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 05-04-2006, 16:54
  4. Vlora feston 60 vjetorin e clirimit të saj
    Nga KoTeLja_VL në forumin Aktualitete shoqërore
    Përgjigje: 7
    Postimi i Fundit: 24-10-2004, 20:09

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •