Kronikë e derës së Gjon Buzukut”

një libër nga Jaho Brahaj.

Libri: “Kronikë e Derës së Gjon Buzukut”, i autorit Jaho Brahaj sjell risi në ndriçimin e një prej figurave më të spikatura të kulturës kombëtare shqiptare, të qëndresës kulturore, krahas luftës së armatosur të shqiptarëve në shekujt e parë të robërisë turke.
Autori i monografisë në fjalë i njohur edhe me boimet e mëparshme si; “Emblema Shqiptare”, “Flamuri i kombit Shqiptar” e monografi të tjera, ka krijuar personalitetin e tij në studimet historike e etnokulturore të mesjetës.
Monografia: “Kronikë e Derës së Gjon Buzukut” është një punë shumvjeçare gjurmuese në dokumente të botuara nga arkivi i Venedikut, Napolit e Romës, por të gjitha këto të nderthurura në varësi të objektit studimor me botimet e autorëve më në zë të letrave shqipe.
Në këtë monografi zgjidhet përfundimishtë enigma nga ishte autori i monumentit të kulturës shqiptare, Gjon Buzuku dhe shpalosen fakte të panjohura mbi mjedisin ku kaloi fëmijërinë.
Në këtë libër të mbështetur në studimet dhe referencat e shumë autorëve e materialeve dokumentare, sillet atmosfera dhe kushtet që mundësuan botimin e librit të parë në gjuhën shqipe, në vitet më të vështira që kalonte populli ynë pas pushtimit të shekullit XV.
Në monografinë në fjalë sillen edhe fakte dhe argumente për lëvizjen e kordinuar të shqiptarëve në gjysmën e parë të shek. XVI për t’i bërë ballë agresionit kulturor të pushtusit, dhe analizohen rrethanat e botimit të “Mesharit” të nderthurura me veprimtaritë e tjera kulturore e të armatosura.
Të gjitha përpjekjet e shqiptarvet analizohen e shihen në dritën e vazhdës kulturore përendimore të trashëguar të shoqërisë shqiptare të para pushtimit dhe të përpjekjeve për të mos u nderprerë këto lidhje në atmosferën e ngjarjeve politike të popujve të Ballkanit.
Botimi i kësaj monografije në këtë vit jubilar (2005) të 450-vjetorit të botimit të librit të parë shqip, është me vlera dhe në nderim, që i bëjmë traditave tona kulturore.
Për autorin, studiuesin Jaho Brahaj ky botim është frut i një pune disavjeçare në hullinë e studimeve të historisë tonë kombëtare.

Prof. As. Dr. Shefqet Hoxha.

me poshte po publikojme nje kapitull te pjeses se dyte te librit:

Meshari: Reformë apo Kundrareformë

Nëqoftëse do kishim në shek. XVI nga shqiptarët një tendencë shkëputje nga kisha e Romës, duhet të analizojmë faktorët kulturor e njerëzor, që mundësonin të kryhej ky hap.
Së pari, popullsia dhe fisnikët shqiptarë që emigruan, ata të gjithë u përfshinë në territoret dhe në gjirin e vendeve ku mbizotëronte Kisha e Romës. Në këtë periudhë me një grup shqiptarësh të emigruar, kemi një fenomen të jashtëzakonshëm religjioz për kohën. Shqiptarët e ritit lindor (ortodoksë), që emigruan në Itali, iu bashkangjitën Papatit, duke bërë unifikimin e riteve të tyre dhe si rrjedhojë krijuan Kishën Unite në tokat italiane. Në këto kushte nuk mundemi të flasim teorikisht, që shqiptarët katolikë latinë, të krijonin ose të mendonin për shkëputje. Nga ana tjetër, banorët vendas në truallin amë, bënë një qëndresë kulturore, duke u mbështetur në traditën etnokulturore, ku krishtërimi ishte pjesë e kësaj pasurie.
Të gjitha ngjarjet kulturore-historike dhe lëvizjet çlirimtare të këtij shekulli dhe të shekullit XVII, janë të lidhura me përpjekjet dhe veprimtaritë për t’u lidhur dhe udhëhequr nga shtetet perëndimore katolike latine.
Në shekullin XVI kemi të konsoliduar vetëdijen kombëtare shqiptare. Për këtë njëri ndër dëshmitë është fakti i dorëshkrimeve shqip, që pranohet se kanë ekzistuar dhe fragmete të tyre ruhen nga ajo kohë, kemi dhe botimin e një libri me një gjuhë shqipe të konsoliduar, siç është Meshari.
Në projektet dhe luftërat çlirimtare të shqiptarëve, kemi një ndergjegjësim tek popullsia dhe krerët shqiptarë, se të gjithë: ortodoksët shqiptarë, (të lidhur me gjuhën liturgjike greke ose sllave), katolikët, biles dhe shqiptarët e islamizuar janë të gatshëm dhe i shohim, që luftojnë për çlirimin kombëtar.
Vetëm 12 vjet pas daljes në dritë të Mesharit, njohim dokumentin e një projekti për çlirimin kombëtar të shqiptarëve. Hartuesi i këtij projekti është fisniku shqiptar Bukja (Buchia) nga Kotorri. Ky fisnik shqiptar përmend disa herë termin “kombi shqiptar”. Njohësi i shquar i mesjetës shqiptare Shuflai këtë e komenton: “...Ndër mendjet e disave u ndez shkëndija e kuptimit të kombësisë.” Ai (Buchia) na njeh, se kombi shqiptar është i dalluar prej të tjerëve, komb me emrin dhe gjuhën e shqiptarëve. Në këtë dokument, kemi dhe vetëdijen për shtrirjen territoriale (atdheun) e shqiptarëve: “Përkundrazi shqiptarët, sidomos ata, që prej Bunës shtrihen deri në Prevezë, duke përfshirë Himarën përballë Puljes dhe Kepit të Otrantit, sepse prej Arte e tutje në anë të Lindjes, kudo popujt janë të përzierë, një pjesë greke e një pjesë shqiptarë”1. Po këtu na dëshmohet se: “Shqiptarët nga natyra dhe kanuni i tyre i lashtë dhe i trashëguar, janë të rrebtë, guximtarë dhe luftarakë”2.
Ky dokument vetëm 12 vjet pas botimit të Mesharit të Buzukut, na tregon, se ishte mbrujtur vetëdija kombëtare shqiptare. Ky farkëtim vetëdije, që në dokument cilësohet kombi shqiptar, nuk është rezultat i një libri të shypur në gjuhën kombëtare, por është vetëdija kombëtare, që solli Mesharin. Jemi në një periudhë, që para shqiptarëve është shtruar detyra e lëvizjes për çlirim kombëtar, qoftë me kryengritje e luftëra dhe vepra të dijes, siç është Meshari. Nuk ka se si, që botimi i Mesharit të jetë vepër e mendjeve të ndritura të kombit, kundra pjesës së vet shpirtërore dhe aleatit, siç është Kisha e Romës dhe shtetet katolike europiane të lidhura me të. Nga letra, që Pleqësia e Lezhës i drejton Papës, më 23 prill 1565, 10 vjet pas Mesharit pasi ankohen për ipeshkvin e Lezhës, i cili ishte sllav me kombësi e njeri “i paudhë”, shprehen: “Qëllimi ynë i vetëm është, të gjendet mjeti shërues, që të mundemi të mbetemi në besimin romak, edhe pse jemi shtetas turq3”. Shqiptarët janë të ndërgjegjësuar për njehësimin e tyre kombëtar. Pleqësia e Shqipërisë, më 1593, i drejtohet me një letër Papës, ku i bëjnë të ditur se: “Përsëri këtyre vendeve tona, do ju kthejmë lirinë e lashtë. Jemi bashkuar me guxim... dhe fshehtas, kemi biseduar e ujdisur dhe po ju a bëjmë të ditur...”. Letra vazhdon: “Dhe për më tepër do të vijnë të bashkohen me ne shqiptarë të tjerë...që janë ata të Himarës.” U zgjatëm për të kujtuar, se shqiptarët janë të vetëdijshëm për kompaktësinë kombëtare. Botuesit e Mesharit, nuk ka si të sillen ndryshe dhe kundër rrjedhës së vet fetare, por as kundër aleatit të vetëdijshëm kombëtar; Kishës së Papatit. Autori (dhe ndërmarrësit) e botimit të Mesharit, këtë e kanë të qartë. Në Meshar ka një lutje për ato shqiptarë, që nuk e kanë të mundur të shkojnë në kishë, të cilët në mënyrë përgjithësuese themi se janë: kushërinjtë e islamizuar të ipeshkvit Budi, që janë gadi të bashkohen me kristianët (të ritit lindor e latin) shqiptarë kryengritës, për të përzënë pushtuesin4. Një lutje tjetër ka Buzuku për Papën, që tregon, se nuk ka asnjë shenjë, që të shkëputet, por me lutje i qëndronte besnik.
Sikur të qëndrojë fakti që, rrethi i gjerë i krerëve dhe klerikëve shqiptarë, me në krye arkipeshkvin Gjon Bruni, që bëri të mundur botimin e Mesharit nga Gjon Buzuku, e kryen këtë ndërmarrje për t’iu kundërvenë Kuries Romane, çfarë do fitonin në rrafshin kombëtar dhe individual. Të gjitha rrethanat historike të kohës tregojnë, se ata do të mbeteshin të izoluar. Me këtë akt ata do të shkëputeshin, ndiqeshin e burgoseshin nga shtetet perendimore, ku pjesa më e madhe sherbenin e kishin familjet, në Venedik, Napoli dhe vende të tjera të Italisë etj. Nga ana tjetër arkipeshkvi Bruni dhe të gjithë klerikët katolik shqiptarë, që do përdornin këtë libër fetar heretik për kohën (Mesharin), do e humbnin edhe atë përkrahje të paktë morale, që kishin nga Roma në mesin e shek. XVI, dhe kjo, nga ana tjetër, do i shkëpuste nga polemi (popullsia katolike) e famullive të tyre. Por asnjëri nga ndërmarrësit e botimit të Mesharit nuk kishte, si të vepronte kundra ndërgjegjësimit të tyre, dhe as të shkonin kundra hullisë së vetëdijes e qëllimit të kombit të tyre.
Tek Papati dhe shtetet katolike, kërkojnë ndihmë e mbështetje edhe krahinat shqiptare të ritit lindor, siç është rasti i Himarës, që i bën thirrje Papës, për t’i ndihmuar kundra armiqëve, për t’i dëbuar turqit. Në letrën e vitit 1581, krahina e Himarës, që përfshinte të gjitha fshatrat, që sot janë Labëri, në tekstin e letrës, që i shkruan Papës, lexojmë: “Për shpëtimin e shpirtërave dhe trupave tonë...gjendet mënyra për të mundur të çlirohemi nga duart e pushtuesëve të pabesë”5. Në përgjigjen e datës 17 shkurt 1582, duket fare qartë, se nga kombi shqiptar nuk ka patur asnjë shenjë heretizmi, që në atë kohë ishtë shfaqur si4 e quajmë sot “reformacion” tek disa kombe, që kishin kaluar në protestanizëm. Përgjigjja e Papës: “Ky vullnet dhe ky zjarr i juaj janë të përbashkët me atë të princave të tjerë të krishterë, por kaq shumë pengohen kudo punët e tyre nga vështirsitë, dhe të mëdha janë rreziqet, që vijnë nga ana e heretikëve dhe e rebelëve, që shkaktojnë dasira të brendshme”6. Pra, heretikët, janë larg shqiptarëve.
Fakte të tjera na bindin, se të gjitha përpjekjet luftarake dhe kulturore të shqiptarëve janë për lartësimin e çlirimin e kombit të tyre, por kjo e pashkëputur edhe nga fuqia e shteteve europiane të krishtërimit romak. Po sjellim pjesë nga relacioni-projekt i kalorsit shqiptar Bukja: “Nëqoftëse do arrihet fitorja kundra turqëve në Shqipëri ...Shenjtëria e Juaj (Papa), do të ketë rritur në një mënyrë shumë të madhe forcat e fuqinë për mbrojtjen e për sulm kundër të gjithë heretikëve (protestantë) qëllimkëqinjë...” Ky dokument i 12 vjetëve pas botimit të Mesharit prej shqiptarëve, na zbulon, që jo vetëm nuk ka asnjë shenjë të reformacionit (heretizmit) nga kombësia shqiptare, por mbarë ky komb është i gatshëm: “Ti vinin (nga shqiptarët J.B.) Selisë Apostolike, ndihma të mëdha kundra heretizmit7”.
Përfaqësuesi i Venedikut në Napoli, më 13 maj 1597, njofton, se Nikolla Renësi: “...nuk shkon në Gjermani për të mësuar besimin8, por për të studiuar literaturë dhe të kthehet në shtëpi me ndopak dituri, për ta shtënë në punë në shërbim të atdheut”. Është shumë me rëndësi ky shënim: “Nuk shkon në Gjermani për të mësuar besimin...” Ky tregon, se Venediku i gjurmonte idetë e protestanizmit, dhe ruhet, që ato të mos futen në territoret e pushtuara prej tij. Ndryshe, po të kishte patur nga shqiptarët edhe përpara ndonjë shenjë të skizmës, dokumentet do na njoftonin. Duke njohur dokumentacionin e kohës, jemi të bindur, që po të ishte kjo (shenja heretizmi) e vertetë tek Meshari, do njoftoheshim nga dokumentacioni, për më shumë, që në ndermarrjen botuese është arkipeshkvi i Tivarit Gjon Bruni (Zeza), dhe një rreth i tërë i kapedanëve shqiptarë në sherbim të Venedikut.9
Sikur Buzuku të ishte për shkëputjen e kishës katolike shqiptare nga Roma, është e vështirë që të kishim një pasardhës të vëllazërisë atërore të tij, në krye të punëve për lëvizjen çlirimtare kombëtare shqiptare të lidhur ngushtë me Papatin e Romës10.
***
Vetë Gjon Buzuku nuk len asnjë shtek të hapur, që ne të mendojmë se ai kishte edhe më të voglin iluzion për shkëputje nga Kisha e Romës.
Në lutjet e tija të përfshira në librin e parë të gjuhës shqipe, ai lutet hapur për Kishën Romake dhe unitetin e saj. Së pari, lutet që Kisha e Shejtë e krishterë të ruhet e të vazhdojë11. Së dyti, ai lutet për popujt europianë të Kishës së Krishterë me Papën të jenë të bashkuara12. Së treti, Don Gjoni ka dhe një lutje me shpresë se do kthejnë rrugë e do bashkohen me Kishën e Shejtë edhe protestantët13.
Veçanërisht lutet dhe për bashkatdhetarët: “Gjihë popullin e kërshtenë ndë Arbanit, ata në mortjet largo, ty të lusmë Zot”.
Si shihet nga brendia e vetë Mesharit, autori është akitv në luftën kundër heretizmit (protestanizmit) dhe besnik dhe i përulur para Kishës Romane e Papës.
__________
1). Këtu, që në vitin 1567, kemi një vështrim konkret, ku ndahen kombet e tjera me kombin shqiptar, edhe pse ky ishte i shpërndarë në disa vatra qëndrese, ose ishte i organizuar nga pushtuesit (Osman dhe Venecian) administrativisht në sanxhaqe, e në zonën e “Shqipërisë Veneciane”.
2). Këtu relatori shqiptar na e shfaq dukshëm dhe bindshëm, që shqiptarët e njohin kombin e tyre të formuar me vetëdijen e shqiptarëve, për gjuhën e përbashkët me shtrirjen territoriale historikisht të trashëguar, me kanunin (ligjet) e tyre të trashëguara etj.
3). Letra e Pleqëve të Lezhës drejtuar Papës, më 23 pril 1565. Dokumente për historinë e Shqipërisë..., Vëllimi I, T. 1989, f. 211-213.
4). “Krenët e atyre popujve (shqiptarë) janë shumica farefis i im dhe miq shumë të ngushtë, kështu edhe myslimanët e parë në ato vise, të cilët e kanë zbulue shpirtin e tyre. Dhe me ato krenë të parë asht shestue mënyra shumë e lehtë për ti shti në dorë fortesat kryesore t’atyne vendeve... Dhe janë të mbushur me dëshirë që t’u vijë sadopak ndihmë për t’u çlirue, dhe jo vetëm të krishtenët, por edhe vetë të parët mysliman, pra edhe ata që i kanë ra moh besimit, sepse se durojnë ma tiraninë osmane, dhe prandaj secili ka dëshirë të çlirohet nga një mjerim i tillë, ose të vdes me armë në dorë. ”Letër e Pjetër Budit drejtuar kardinalit Gocadino, “Mbi organizimin e luftës në Shqipëri e vende të tjera të Ballkanit, 15 shtator 1621”, Buletini i Shkencave Shoqërore, Tiranë 1958, nr. 2, f. 79-92.
5). Himariotët i premtojnë Papës besnikëri ndaj çështjes së koalicionit europian, me kusht që t’u sigurohet atyre ushtrimi i ritit ortodoks. Dokumente për historinë e Shqipërisë, vëllimi I, Tiranë 1989, f. 354.
6). Përgjigje e Gregorit XIII, datë 17 shkurt 1582, shih; Dok. për historinë e Shqipërisë..., vëll. I, f. 356-57.
7). Jemi njohur me spiunët venecianë, që hetonin mbi çdo person me influencë dhe për çdo veprim të shqiptarëve. Sikur, në vitet e botimit të Mesharit të kishte lëvizje reformatore do njiheshim nga dokumentet e kohës.
8). Letër e sekretarit venedikas në Napoli mbi kapedanin shqiptar Nikolla Renësi, Dokumente për historinë e Shqipërisë të shekujve XVI - XVII, vëllimi II, T. 1990, f. 184.
9). Shih shenimin 6.
10). Në fundin e shek. XVI dhe fillimin e shek. XVII nderlidhësi i Kuvendeve Shqiptare e Kuvendeve Ballkanike me shtetet e Perëndimit dhe Papën, është Gjon Renësi, bir i derës fisnike të Rensi-Buzukëve.
11). “Ti të denjosh, zotnë Papë e Apostojet me gjithë ur(d)hënit të Shenjtesë Klishë ndë Shejte religjion me ruajtunë e me konservuom, Ty të neve ndiglo”. Meshari, përgaditur për botim nga E. Çabej, Tiranë 1968, vëllimi II, f. 51.
12). “Ti regjënjët (mbretërive) e zotnivet kërshtena paq(ë) e të mbetunë bashkë u (j)ep, Ty të lusmë, neve na ndiglo”. Po aty, f. 51, germat mbrenda kllapave janë tonat (J.B).
13). “Gjithë anëmiqtë e shenjtesë Klishë Ti i përvenë, Ty të lusmë, neve gjegj”. Po aty, f. 51.