Kapitulli 29
“Zot!”
Ishte kusari.
Fytyra e tij ishte ënjtur, sytë e tij ishin nxirë, vështrimi i tij ishte mjegulluar dhe cdo frymëmarrje ishte një betejë e vërtetë. Unë isha i sigurt se këto do të ishin ndër fjalët e fundit që ky kusar do të ishte në gjendje të shqiptonte.
Koha ime ishte gjithashtu shumë e shkurtër. Unë mund të nuhasja aromën e keqe të vdekjes që po afrohej.
Unë dëgjova një ton në zërin e këtij kusari që nuk e kisha dëgjuar më parë, ndonëse ishte vetëm një fjalë e vetme: “Zot!”
“Zot, a jemi takuar më parë?”- pyeti ai.
“Ndoshta.”
“Kur?”
“Përpara fillimit. Ose mbase në fund. Ose ndoshta pas fundit. Unë ec nëpër korridoret e kohës dhe të hapësirës, duke depërtuar nëpër të shkuarën dhe të ardhmen, në këtë mbretëri ose në tjetrën. Unë të kam njohur ty që përpara se koha të ekzistonte, të kam njohur përpara se të krijoja, madje para se të thosha: ‘U bëftë drita!’”.
Kusari plak tundi kokën, “Unë nuk e kam idenë se cfarë po thua, por e di se askush tjetër nuk ka folur sic flet ti. Të kërkoj vetëm një gjë, Zot: A është e mundur që në momentin e triumfit tënd, kur ti të hysh në mbretërinë tënde, a është e mundur që ti të mund… të më kujtosh mua?”
“Të të kujtoj ty?”- u përgjigja unë.-“Por si mund të të harroj ty? Ti je i pari i shpëtimit tim. Ti je i pari që unë i rrëmbeva vdekjes.Ti, përmbi gjithë të tjerët, je prova e parë e shpengimit që unë sjell. Si mund të të harroj? Ekziston një libër që quhet Libri i Jetës. Emri yt është shkruar aty, kohë, kohë më parë.”
Kusari nuk kuptoi asgjë, por brenda pak momentesh, ai do të njihte gjithcka. Ai do të njihte ashtu sic njihej.
“Zot, unë nuk di asnjë nga mësimet e tua. Unë nuk di asnjë nga urdhëresat e tua. Madje unë nuk mundem as të lëviz. Nuk ka asnjë mënyrë se si unë të të shërbej ty. Cfarë mund të bëj unë?”
“Ka vetëm një porosi, dhe ti e ke plotësuar atë. Ti ke mësuar të më quash Zot. Kështu, unë do të hyj në qënien tënde dhe do të banoj tek ty për të gjithë përjetësinë. Kjo është mjaft për ty që të njohësh.”
“Megjithëse nuk kam asnjë njohuri të asaj që po thua, Zot, dicka brenda meje më thotë se është mjaft. A mund të ta bëj përsëri pyetjen? A do të më kujtosh mua?”
Unë u sforcova që të mbushesha fort me frymë për herë të fundit.
“Përpara se kjo ditë të mbarojë, ti do të jesh me mua, në parajsë.”
“Si mund të ndodhë kjo?”
“Kjo do të ndodhë, sepse unë të zgjodha ty përpara se të mos ekzistonte asgjë, madje as vetë asgjëja. Dhe emri i parë që ishte shkruar në Librin e Jetës, u shkrua me dorën time. Dhe, emri yt, kusar, ishte emri i parë që u shkrua aty.
Tani mbylli sytë, o i shpenguar. Kur t’i hapësh përsëri, hapi në parajsë.”
“Tani është koha.”
Skena në kodër filloi të ndryshojë.
“Tani është koha që unë të thërras këtu vetë Vdekjen”
Kapitulli 30
“Vdekje, ora jote ka ardhur.”-përshpërita unë.
“Eja nga bota e nëndheshme. Le të flasim me njëri-tjetrin, Vdekje, përpara se të vdesim të dy.”
“Ai vjen! Ai vjen! Biri im po vjen.” – u corr Mëkati.- “Eja biri im, nëna jote po të thërret. Eja nga lindja dhe merr me vete cdo gjë që është e fëlliqur. Eja nga perëndimi dhe mblidh cdo gjë që është e ndyrë. Nga veriu mblidh cdo gjë që është e keqe. Dhe nga jugu mblidh cdo gjë që është demoniake. Eja nga thellësitë e deteve, nga vendet e harruara prej kohësh. Eja nga vendet që kanë pushuar së ekzistuari. Eja, o ushtri e ferrit. Eja nga pellgjet më të thella të ndyrësisë, të shthurrjes dhe të paturpësisë. Mblidh me vete gjithë fundërrinat e ferrit, gjithcka që është e panatyrshme. Sill me vete të gjitha blasfemitë e kohës dhe të përjetësisë.”
Me arrogancë të kapardisur, Mëkati deklaroi: “Unë po ndjej erën e ndyrë të kalbësisë së tij. Askush nuk është si ai – ai është më i madhi i të gjithë zotave! Ai është shoqëruesi im i përhershëm.”
Sistemi Botëror e ktheu mëgjanë kokën me turp. Principatat, demonët e mallkuar, dhe frymërat e ndyra po ngulconin për të marrë frymë.
Asnjëherë më parë nuk ishte mbledhur i gjithë mëkati në kaq hapësirë të vogël. Vetë toka u drodh nga tmerri. Yjet dhe Dielli i mbyllën sytë. Jerusalemi u drodh në terror, dhe po kështu të gjithë pelegrinët e Pashkës.
Madje dhe Luciferi e ktheu kokën mënjanë.
Në mesin e kësaj skene të pashenjtë, u shfaq monstra serafimike- Vdekja!
“Nuk ka asnjë kaq krenar sa ty, o Vdekje. Eja dhe na trego për madhështinë tënde!”- fola me qesëndi.
“Le ta shohin këta se kush je ti.”- bërtiti Mëkati me një krenari të sëmurë për birin e saj.
“Ai është zoti i të gjithë zotave. Dëgjojeni atë. Lëreni t’ju tregojë atë që është e vërtetë.”
Vdekja filloi monologun e tij: “Ah, ja ku u takuam sërisht, o i ashtuquajturi Zot.”
Kapitulli 31
“Unë erdha nga zorrët e nënës sime, Mëkatit, atëherë kur të takova ty përballë gjatë rebelimit në mbretërinë tjetër. Më pas, gjatë natës së Pashkës, ti më ndalove që të merrja prenë time të ligjshme. Unë u betova atë natë se një ditë ti so të bëheshe preja ime. A nuk është tragjike, Nazareas, që kanë ngelur vetëm dy zota. Njëri jam unë dhe tjetri po vdes në një pemë. Ti nuk ke njohur kurrë vdekje, o Bir i Perëndisë. Unë nuk kam njohur kurrë jetë. Unë jam e kundërta e gjithë asaj që je ti. Zoti që jeton dhe zoti që nuk mund të jetojë! Po i shpenzojmë momentet tona të fundit së bashku. Më pas do të ketë vetëm qetësi! Më pas do të jem vetëm unë!”
Vdekja ngriti kthetrat e tij të pamposhtura dhe bërtiti: “Më në fund, mbi këtë kodër, ti je i imi!”
“Unë, Vdekja, shuaj urrejtjen në zemrën e cdo njeriu.
Unë u jap fund pyetjeve dhe dyshimeve të njerëzve, përgjithmonë.
Unë jam ai që të moshuarit e përqafojnë me gëzim.
Unë i jap fund cdo dhimbjeje.
Unë, dhe vetëm unë, cliroj nga cdo dhimbje.
Më lejo të të them përse vetëm unë mund të quhem zot:
Unë u jap fund të gjitha luftërave.
Unë i përfundoj të gjitha marrëveshjet.
Ti, Galileas që po vdes, solle dritë në krijim.
Unë solla errësirën që kurrë s’mbaron.
Askush nuk ka fituar në debat me mua.
Ti i solle jetën një pakice.
Unë u solla fundin të gjithëve.
Më të fuqishmit kanë luftuar me mua dhe janë mposhtur.
Nuk ka asnjë përjashtim.
Unë i barazoj të gjithë njerëzit.
Nuk ka të mëdhenj apo të vegjël.
Ti ke ngritur një a dy, mbase dhe tre veta nga varri.
Unë kam zhytur miliarda miliardash në varr.
Askush nuk i ka shpëtuar kthetrave të mia mbytëse.
Sa e fuqishme është dashuria?
Unë jam akoma më i fuqishëm.
Në kështjellën time, jeta dhe dashuria do të harrohen.
Hyjnia do të asgjësohet.
Asnjëherë nuk do të rritet më një farë e tillë.”
Vdekja po vazhdonte të gjëmonte duke u vetë-lavdëruar.
“A nuk e sheh se unë jam i vetmi që jam i denjë për t’u quajtur zot?
Ti je Krijuesi.
Po kush është më i madh, ai që krijon, apo ai që zhduk nga faqja e dheut?
Më pas, mbretëria ime nuk do të ketë mbarim.
Bëju tani dëshmitar i fundit i cdo gjëje që ke krijuar.
Brenda kësaj ore, s’do të ketë vecse një zot.
Tjetri do të jetë përjetësisht i vdekur.
Shih rrotull teje, Marangoz. I gjithë mëkati është trupëzuar këtu.
Tani, pije kupën.
Piji të gjitha fundërrinat.
Ti, që dikur quheshe Zot.
Bëje tënden cdo ndyrësi të mëkatit.
Gëlltite të gjithë ligësinë.
Por, dije se ajo do të jetë gllënjka jote e fundit.
Në atë moment unë do të vij dhe do të të mbuloj me përqafimin tim.
Dhe do të të shtërngoj aq fort, sa frymëmarrja jote e fundit të jetë frymëmarrja e fundit e të gjithë universit.
Më pas do ta kurorëzoj veten time zot, duke vallëzuar mbi varrin tënd.
Askush nuk do të ngelet gjallë me përjashtim të atyreve që nuk mund të jetojnë. Ai që është përjetësisht i vdekur, do të sundojë mbi gjithcka. Unë do ta ngre mbretërinë time në një vend ku të gjithë qytetarët janë pa frymë.”
Mëkati ishte në ekstazë ndërkohë që Vdekja ishte dehur me krenarinë e vet.
“Marangoz, ti ke deklaruar se ke vetëm një armik dhe gjithë të tjerët s’janë vecse kundërshtarë të njerëzimit. Kjo është e vërtetë! Ata kanë triumfuar vetëm mbi gjërat e Adamit. Por, tani më shiko mua, armikun tënd. Unë jam fitimtar mbi ty!”
“Vdekje, a mbarove me vetë-ekzaltimin tënd?”- pyeta unë.
Kapitulli 32
“Sundues serafimik i botës së nëndheshme, a je ti i barabarti im? Kështu mendon?
Ti thua se mund të vrasësh dhe Zotin, apo jo?
Por, nga ato që the, vetëm njëra është e vërtetë: Ajo që kjo është beteja finale.
Jeta kundër Vdekjes.”
“Vdekja kundër vetë Jetës së Përjetëshme” – tha Vdekja me këmbëngulje. “Beteja jonë finale. Nqs unë fitoj, kjo do të jetë çrrënjosja e jetës së Zotit.”
“Dhe nqs humbet, çrrënjosja e vdekjes!”-shtova unë.
“Kjo nuk mund të ndodhë kurrë.”- ulëriu Vdekja. –“Unë do ta vras jetën hyjnore dhe ajo nuk do të njihet kurrë më.”
“Kjo është ajo që do të ndodhë, apo ajo që thua ti se do të ndodhë?”- u përgjigja unë.
Në atë moment, Kupa u shfaq.
As Vdekja madje nuk mund të shihte brenda helmit të ndyrë që ishte aty brenda.
Vdekja filloi të këndojë si i cmendur, me një gëzim pervers:
“Ora ime, ora ime.
Më në fund, ora ime. Ora e fundit që do të jetë ndonjëherë.”
“Vdekje, po të pyes nëse ti mund të më vrasësh.”
“Po, po”- shkumëzoi ai me një ngazëllim të cmendur- “Unë mundem, unë mundem!”
“A mund të më vrasësh, pa Kupën?”
Vdekja angulloi dhe ra në qetësi.
“Atëherë, mos e harro kurrë: Eshtë vetëm me vullnetin tim që kjo kupë është këtu!”
Në atë moment, kupa u drejtua që ta derdhte përmbajtjen e saj tek unë. Tërbimi i cdo mëkati filloi ta mbushte cdo qelizë të trupit tim. Zemra dhe me pas mendja ime filloi të ligështohej. Unë, që kurrë nuk kisha mëkatuar, që isha i panjohur me shkeljet, po bëhesha në moment, një me mëkatin.
Fundi im ishte tek dera. Unë jo vetëm që kisha marrë mëkatin brenda meje, por po bëhesha mishërimi i tij. Unë e dija se jeta ime nuk do të duronte dhe shumë.
Kur thirra me forcë brenda tmerrit tim, Vdekja e kuptoi se kishte ardhur casti i tij.
Vdekja atëherë ulëriu tingullin e tij djallëzor dhe u sul drejt meje.
Trupi dhe shpirti im ishin ndezur flakë nga ajo që tani po depërtonte në të gjithë qënien time. Me një trup në flakë, unë e dëgjova veten time të thërriste:
“Kam etje!”
Një nga ushtarët rrëmbeu një sfungjer, dhe në aktin e vetëm të mëshirës së asaj dite, e zhyti sfungjerin në verë të thartuar dhe filloi të kërkonte dicka që ta ngrinte deri tek buzët e mia.
Ai moment ishte pamja ime e fundit.
Gjoni, me kujdes, kishte carë drejt kodrës dhe po rrinte afër nënës sime.
“Gjon, kjo është nëna jote tani.
Nënë, ky është tani biri yt.”
Pamja ime humbi. Unë isha verbuar nga përmbajtja që u derdh në shpirtin tim. Për një moment, unë nuk do të isha më njeri.
Unë…do të isha… mëkat!
Kapitulli 33
“Unë kam jetuar përpara se ti të kishe ekzistuar.”- i thashë Vdekjes kur ai më shtërngoi nën kthetrat e tij. “Vdekje e mjerë, ka gjëra që kanë ndodhur përpara se ti të ekzistoje, për të cilat ti nuk di asgjë.”
“Kjo nuk ka rëndësi.”- u mburr Vdekja.
“Kjo është e vetmja gjë që ka rëndësi” – u përgjigja unë.
Në atë moment final, unë i urdhërova të gjithë ata që ishin të pranishëm nga realiteti i padukshëm: “Eja këtu, Sistem Botëror. Eja brenda vetë qënies sime.
Ti, Botë, do të vdesësh bashkë me mua!
Lucifer, principata dhe fuqi, dhe të gjitha ato që ti drejton, ejani brenda meje.
Ligj, ti u përmbushe, tani eja brenda gjirit tim.
Racë e Adamit, gjithçka që u prek nga Rënia, dhe vetë krijimi, ejani brenda meje dhe bëhuni një me mua!
Vdekje, beju shërbëtori im: Bëj të vdesë cdo gjë që tani është një me mua!
Eja, fe! Ajo që përpiqet për të bërë mirë, por që dështon gjithmonë, eja.
Vdekje, merre fenë, njeriun e vjetër, dhe natyrën egoiste dhe bëji ato pretë e tua.
Vdisni mbi Kryqin tim. Ejani, të gjithë ju, vdisni në mua! Ju tani keni takuar fuqinë më të madhe shkatërruese në krijim – Kryqin tim!
Më ço në vdekje, po të urdhëroj. Vdekje, më shih: Unë jam bërë Rënia!
Cdo gjë që është krijuar është kryqëzuar në mua.
Oh, ka ngelur vetëm njëri!
Vdekje, pasi ta marrësh frymën time të fundit, kam një suprizë dhe për ty.
Vdekje, ti tani je i imi!” – bërtita triumfalisht.
Kapitulli 34
Dhe si Vdekja më mbështolli me veten e vet, para se të shuhej dhe thëngjilli i fundit i jetës sime, i pëshpërita Vdekjes: “Ti nuk je Vdekja. A nuk është dikush më i madh se ty?”
“Askush” – shkumëzoi Vdekja.
“A nuk ekziston dikush që mund ta cojë dhe Vdekjen në vdekje?”
“Nuk ekziston asnjë që mund ta bëjë këtë!” - bërtiti Vdekja.
“Nuk është e vërtetë.” – u përgjigja unë- “Ti e ke thirrur veten Vdekje për një kohë të gjatë, por unë kam qënë shumë kohë përpara teje. Unë po të them tani diçka që ti nuk e di. Unë jam maskuar. Ti, Vdekje, nuk je veçse një hije. Ti nuk je fare vdekje. Ti s’je veçse një pikturë e imja. Jo, Vdekje, ti nuk je vdekje aspak. Unë jam jetë, kjo është e vërtetë, por unë jam gjithashtu ai që është vdekja e vërtetë. Dhe në këtë moment final, unë jam vdekja jote.
Oh, Vdekje, tani të pret habia. Dikush është më i madh se të gjitha deklaratat e tua mburravece. Ai që mund të vrasë Vdekjen, është vdekja e vërtetë. Sot, unë po të vras, Vdekje. Ti mendove se erdhe për mua, por në fakt isha unë ai që erdhi për ty!
Atëherë kur ti Vdekje të kesh vdekur, atëherë dhe mëkati do të ketë vdekur gjithashtu, bashkë me principatat, fuqitë, botën, racën e Adamit dhe ligjin. Kur Vdekja të vdesë, ligji do të jetë përjetësisht i vdekur. Kur Vdekja të vdesë, krijimi do të takojë fundin e tij. Dhe në qoftë se Vdekja ka vdekur, atëherë, kush do t’i mbajë varret? Do të ketë jetë për të gjithë ata që ishin dikur preja jote.
Vdekje, më dëgjo, do të ketë vetëm një që banon në mbretërinë e të vdekurve! Ai do të jesh ti!”
Vdekja filloi ta ndjente se si fuqia po i shterronte. Sytë e tij shndërritën në tmerr.
“Unë kam kryqëzuar botën, unë kam kryqëzuar Mëkatin, unë kam kryqëzuar Ligjin, unë kam kryqëzuar racën e Adamit, unë kam kryqëzuar krijimin dhe kam kryqëzuar cdo gjë tjetër që në këtë orë hyri brenda meje.”
Vdekja bërtiti:”Mua më mjafton vetëm fakti që po vras Galileasin. Kjo kënaqësi më mjafton. Le të mbaroj, këtu dhe tani, por Marangoz, ti do të dergjesh në varr, afër meje.”
Vdekja vazhdoi të bërtiste gjithnjë e më fort duke u zhytur në varrin e tij. Fjalët e tij të fundit, në kulmin e dëshpërimit, ishin: “Në qoftë se unë do të mund të të mbaj ty për tre ditë, Marangoz, atëherë do të të mbaj përjetësisht.”
Kur gjithçka e imja, që nuk ishte mëkat, ishte larguar nga unë, unë thirra:
Eloi, Eloi, Lama sabachthani
Dikush që ishte aty afër mendoi se unë po thërrisja Elinë.
Ushtari kishte gjetur një degë hisopi dhe po bëhej gati ta ngrinte sfungjerin drejt buzëve të mia.
“Ndal!”- tha dikush- “Le të shohim nëse vjen Elia dhe e shpëton.”
Një skenë e fundit më kaloi përpara. Pashë se si gjithë krijimi dhe cdo gjë që ishte brenda tij, vdiq në Kryqin tim, dhe më pas dëgjova zërin e Atit tim:
“Të lumtë, Biri im i dashur dhe besnik.”
Pasi dëgjova fjalët e Atit tim, unë bërtita:
Mbaroi!
Në sekondën e fundit të jetës, unë e lëshova hyjninë time tek Ati.
At, në duart e tua, e dorëzoj frymën time.
Kapitulli 35
Perdja e hyrjes tek e Shenjta e të Shenjtave u ca përmes dhe copat e drurit u përplasën me dyshemenë poshtë.
Menjëherë, reja e madhe dhe e zymtë që ishte mbledhur përreth Golgathasë u zhduk.
Për herë të parë, Pashka u kalua në kaos. Priftërinjtë të tmerruar po përpiqeshin të gjenin ndonjë mënyrë për të mbuluar hyrjen për tek e Shenjta e të Shenjtave, duke klithur: “Mos shikoni tek e Shenjta e të Shenjtave!”
Kur i thanë se hyrja e së Shenjtës së të Shenjtave, ishte e dukshme për njerëzit e zakonshëm, Kajafa u mundua ta fshihte panikun e tij.
Në të njëjtin moment, në vendet qiellore, Kerubinët e fuqishëm bashkë me shpatat e tyre të zjarrta që nuk pushonin së rrotulluari (të cilat ruanin derën midis dy mbretërivë që nga koha e Rënies), fluturuan me tmerr, sepse dera u zhduk papritmas.
Që nga koha kur Adami nga toka dhe Zoti nga qielli, ecnin së bashku në kopësht, nuk kishte pasur më shkëmbime midis dy botëve.
Engjëjt, po aq të tmerruar sa Kerubinët, erdhën tek vendi bosh ku ishte dera ruajtëse. Më në fund, kur kurioziteti i mposhti ata, ëngjëjt me ndrojtje po zgjateshin për të parë vendin që për kaq kohe kishte qënë i vulosur.
Kapitulli 36
Ishte ora tre e pasdites.
Unë kisha qënë në Kryq për gjashtë orë.
Të dënuarit me kryq, asnjëherë nuk vdesin brenda një kohe kaq të shkurtër, sepse qëllimi i kryqëzimit ishte që të ekzspozonte një vdekje të ngadaltë dhe të pamëshirshme.
I pasigurt se dikush mund të vdiste kaq shpejt, ushtari ngriti nje heshtë dhe shpoi brinjën time.
Unë u shpova në të njëjtin vend ku shumë kohë më parë, unë kisha marrë brinjën e Adamit për të krijuar nusen e tij.Njeriu i dytë, i cili ishte kreu i një race të re, kishte gjithashtu një grua brenda tij. Brenda pak ditësh, kjo grua hyjnore, do të dilte nga unë.
Dhe si ushtari hoqi heshtën nga brinja ime, fillimisht rrodhi ujë dhe më pas gjak – kështu u plotësua ajo që i kisha thënë Zekerias.
Kur mbrëmja dhe ora e ritualit të Pashkës po afrohej, ushtarët romakë morën shufra hekuri dhe goditën këmbët e dy kusarëve që ishin akoma gjallë. Këmbët e tyre u thyen dhe që të dy vdiqën brenda një casti nga asfiksimi. Meqënëse unë kisha vdekur, dhe ata e kishin provuar këtë, këmbët e mia ngelën të pathyera, duke plotësuar kështu profecinë time se asnjë nga eshtrat e mia nuk do të thyhej.
Më në fund, gjithcka kishte mbaruar, por kush do te vinte për të marre trupin tim? Për aq sa romakët mund të kujdeseshin për të, ai s’ishte vecse mish për korba.
Nëna ime kishte mbajtur vigjiljen e Pashkës , së bashku me Marian, motrën e saj dhe Maria Magdalenën.
Dikush nga Sinedri, me një kurajë të fortë dhe besim, po bëhej gati për të kërkuar trupin tim.
Kapitulli 37
Megjithëse Pashka po afronte, njëri nga burrat e Sinedrit kishte ardhur në kodër për të kërkuar trupin tim. Ishte Jozefi nga qyteti i afërt i Arimatesë. Ai nuk guxoi për të ardhur shumë afër të vdekurit, por u kërkoi ushtarëve që të mund të merrte kufomën time.
“Vetëm Pilati mund ta lejojë këtë.”- kundërshtoi njëri nga ushtarët.
Jozefi, një njeri i mirë dhe i dashur, nuk kishte qënë i pranishëm në gjyqin tim. Ai e sforcoi veten dhe shkoi tek Pilati dhe i kërkoi trupin tim. Kur Pilati dëgjoi se unë kisha vdekur tashmë, ai nuk mundi ta besojë.
“Askush nuk ka vdekur kaq shpejt në kryq.”- tha ai.
Njëri nga rojet u përgjigj: “Zotëri, brinja e tij u shpua; ai ka vdekur. Unë isha aty.”
Me këtë fjalë, Pilati i dha Jozefit lejë për të hequr trupin tim.
Menjëherë pas kësaj, një anëtar tjetër i Sinedrit, dikush që quhej Nikodem, u bashkua me Jozefin dhe shërbetorët e tij. Koha po vraponte shpejt dhe kështu ata nxituan drejt Golgothasë për të marrë trupin tim.
Forcërisht, një roje i shkuli kunjat nga këmbët e mia. Më pas, duke u ngjitur në pemë, i preu litarët që e mbanin trupin tim tek trau i kryqit. Trupi im i pajetë ra përtokë.
Me dhimbje dhe keqardhje, Nikodemi dhe Jozefi, bashkë me shërbëtorët e tyre, e vendosën trupin tim në një savan të linjtë, të gjatë dhe të bardhë, që e mbuloi të gjithë trupin tim.Disa vjet më parë, Jozefi kishte blerë për veten dhe familjen e tij një varr që nuk ishte përdorur akoma. Varri ishte afër Gjethsemanit dhe vendit ku unë isha kryqëzuar.Duke qënë se vetëm pak momente ndanin nga Pashka, shërbëtorët nxituan për tek varri i Jozefit dhe e vunë aty trupin tim, së bashku me mirra dhe aloe.
Vetëm pak metra larg këtyre burrave, ishte nëna ime, duke u munduar të sigurohej se ku ishte vendi që unë po varrosesha. Bashkë me nënën time, ishin Maria Magdalena dhe Maria nëna e Jakobit të ri dhe Jozefit.Para se të largoheshin, Jozefi nga Arimatea i vuri shërbëtorët e tij që të rrokullisnin një gur të madh në hyrjen e varrit tim.
Askush në të gjithë universin nuk mund ta kuptonte se cfarë dergjej në atë varr në atë mbrëmje.
Vetë krijimi ishte në atë varr, duke pritur lindjen e një krijimi të ri. Krijimi i ri nuk do të krijohej në shtatë ditë, por në tre, dhe fillimi i tij do të ishte pikërisht në atë varr. Ai krijim i ri do të lindte brenda një casti nga një shpërthim i dritës dhe i fuqisë.
Të gjitha fuqitë e errësirës, Bota, Mëkati dhe Ligji ishin në atë varr. Po kështu dhe raca e hebrenjve dhe e johebrenjve, i gjithë njerëzimi. Por më e rëndësishmja nga të gjitha ishte se vetë Vdekja dergjej aty e ftohtë dhe e heshtur.
Të gjitha ishin duke pritur – duke pritur triumfin e tyre ose timin.
A do të ringjalleshin vallë fuqitë e errësirës? Apo kjo do të ishte fitorja gjithë-konsumuese e Vdekjes dhe mbarimi i jetës përgjithmonë?
Apo?
Mos vallë ishte e mundur që asgjë nuk do të ndodhte?
Kapitulli 38
“Kanë kaluar vetëm disa sekonda sipas kohës njerëzore dhe shumë gjëra po ndryshojnë”
“Unë s’mund të bëj gjë tjetër vecse të habitem,”- u shpreh njëri nga ëngjëjt. –“Mos vallë zhdukja e derës do të thotë se ne do të jemi në gjendje që të shkojmë e të vijmë në tokë, ashtu sic bënim me Adamin?”
“Apo më shumë se kaq,”- pyeti një tjetër. –“A do të shohim qënie të vdekshme që hyjnë në mbretërinë e frymorëve?”
“Unë nuk mund ta imagjinoj këtë,”- u përgjigj njëri nga ëngjëjt.
“Mbase ke të drejtë.” – ra dakord një tjetër.
Pas kësaj ishte një pauzë. Të gjithë ëngjëjt shihnin nga vendi i derës dhe drejt tokës.
Një ëngjëll i alarmuar, kapsiti sytë dhe thirri: “Cfarë është ajo që po shoh? Cfarëdo që të jetë, ajo u shfaq pikërisht në këtë moment dhe duket sikur po vjen këtej.”
“As që mendohet që një njeri i rënë të mund të hyjë në vendet qiellore!” – bërtiti një ëngjëll i shqetësuar. – “Por cfarë është ajo?”
“Nuk e kam idenë,”- u përgjigj një ëngjëll tjetër.
“A mund të jetë një ëngjëll i një lloji që ne nuk e njohim?”
“Jo, nuk ka mundësi. Eshtë shumë i ndritshëm për të qënë një ëngjëll.”
“Mbase është njëri nga Kerubinët e zhdukur?”
“Jo, është shumë më i ndritshëm se dhe ata. Përvec kësaj, Kerubinët janë të egër, ndërsa ky po shpreh një gëzim trullosës. Nuk mund të jetë Kerubin.”
“Nuk mund të jetë njeri, apo jo?”
“Pa tjetër që jo! Njerëzit e rënë nuk lejohen të hyjnë në mbretërinë e gjërave frymore, në asnjë rast. Por, cfarëdo që të jetë, është duke ardhur këtej.”
“Atëherë ne duhet të përgatitemi për t’u larguar.”
“Pse?”
“Sepse, çfarëdo që të jetë, kaq i ndritshëm dhe i shenjtë, ne nuk do të kemi asnjë të drejtë që të qëndrojmë në praninë e tij.”
“Cfarëdo qoftë, ai po bën shumë zhurmë.”
“Më thoni shpejt, kush ka qënë në mbretërinë tonë më parë?”
“Ka qënë Enoku.”
“Po tjetër?”
“Moisiu pa brenda mbretërisë sonë, por nuk hyri.”
“Më pas ishte ajo vizita e Isaias.”
“Po, por ai qëndroi vetëm tek cepi i të Shenjtës së të Shenjtave.”
“Elia.”
“Jo, Elia pa një ushtri ëngjëjsh gati për betejë, por nuk hyri brenda.”
“Dikush tjetër?”
“Solomoni e pa mbretërinë tonë. Davidi po ashtu i hodhi sytë këtu.”
“Por askush nuk ka hyrë brenda?”
“Jo, me sa më kujtohet mua.”
« Shkojeni këtë. Ai duket shumë i vendosur për të ardhur këtu, duke u ngjitur nëpër shkallët qiellore. »
« Ai pengohet, vrapon dhe pengohet përsëri. Shihni...tani po kërcen. Ai po vjen pikërisht këtu... po hyn brenda!”
“Unë nuk kam parë kurrë një sjellje të tillë,” – u shpreh njëri nga ëngjëjt.
“Sic u thashë, do të na duhet të gjejmë një vend tjetër për të jetuar. Për arsyen e vetme sepse nuk mund të rrijmë afër një pastërtie dhe shenjtërie të tillë.”
Për momentin, gjithë ushtria ëngjëllore ishte vendosur në vendin e hyrjes së pambrojtur për në vendet qiellore. “Cfarë drite!” . Engjëjt ishin shtangur nga tmerri kur tjetri po afrohej gjithnjë e më shumë.
“Ai është i tejdukshëm,” – thirri njëri nga ëngjëjt. – “Unë mendoj se ai mund t’i shohë të dyja mbretëritë.”
“Unë mendoj se ai u përket të dyja mbretërive.”
“Kjo nuk është e mundur.”
“Jo, të paktën nuk ka qënë e mundur deri para pak castesh.”
“Nuk ka asnjë dyshim se ky që vjen, është më se i sigurt se e ka të drejtën për të qënë këtu.”
“Cfarë drite!”- përsëriti njëri nga ëngjëjt.
“Unë besoj se ai mund të na shohë!”
“Por si është e mundur kjo? Ne jemi të padukshëm.”
“Unë mendoja se dicka e ngjashme do të ndodhte në qoftë se muri midis dy mbretërive do të shembej- dhe në fakt ky mur u shemb...”
“Sa po më mungon dera...” tha një ëngjëll shumë i shqetësuar.
“Mua nuk po më pëlqen kjo carje... kaq e pambrojtur...” – ra dakord një tjetër.
“A mundeni ta dëgjoni atë? Mua më duket sikur po na flet.”
“A nuk na lejohet që të paktën njëri nga ne të nxjerrë shpatën?”
“Më thuaj, cfarë mund të bënte shpata në këtë rast” - deklaroi një tjetër.
“Mos ndoshta ky është fundi?”
“Mua më ngjet më shumë me fillimin. Drita e tij po bëhet gjithnjë e më e fortë.”
Engjëjt filluan të mbulonin sytë.
Kapitulli 39
« A jeni që të gjithë ju, ëngjëj ? »- pyeti ai.
« Po na flet ne ! » - bërtiti njëri nga ëngjëjt.
“A jam unë një ëngjëll?”
Krijesa që po afrohej, u ndal dhe pa me kujdes rreth e rrotull.
“Jo, unë besoj se nuk jam ëngjëll. Mendoj se dikur kam qënë qënie njerëzore. Por, oh, më shihni tani!”
“Unë nuk kam parë kurrë kaq pafajësi, pastërti dhe perfeksion.” – pëshpëriti njëri nga ëngjëjt. – “Duket sikur ai nuk është i vetëdijshëm se sa i bukur është dhe sa e ndritshme është drita e tij.”
“Ku jam une? Cfarë po bëj këtu? Kush jeni ju? Ju lutem, më thoni çfarë jam unë?”
“A mund të guxojmë të flasim me të?”- pyeti një ëngjëll tjetër.
“Ju nuk keni parë asgjë si mua, apo jo?”
“Ti je i pari.”- belbëzoi njëri nga ëngjëjt më në fund. “Por, kam idenë se nuk do të jesh i fundit. Përsa i përket asaj se çfarë je, unë do doja të ta thoja, por unë nuk e di se çfarë apo kush je ti.”
“Ai me tha se do të jem këtu sot. A është kjo e sotmja?”
Më në fund, gojët e ëngjëjve u hapën.
Njëri prej tyre tha: “Më në fund e kuptuam se kush je ti!”
Dikush tjetër tha: “Kjo nuk është e mundur. Mbi të gjitha, kujtohuni se cfarë ishte ai. Ai ishte vetëm një kusar plak. Ai kusari plak, hileqar dhe mashtrues.”
“Tani m’u kujtua!” bërtiti kusari. “Dhe oh, oh, oh, Ai më kujtoi mua!”
“E dimë se kush je tani, o i dashur. Por ne jemi pak të habitur se çfarë ke qënë këtë mbrëmje.”
“Unë jam një kusar. Apo isha i tillë? Cfarë jam tani?”
“Ti je i pari i të shpenguarve”
“Ti je vepra e punës shpenguese të Krishtit.”
“Kjo është pikërisht ajo se çfarë jam!”- bërtiti ish-kusari.
“Kam një pyetje tjetër. A jam aq i bukur sa mendoj se jam?”
« Je më i bukur nga sa mendon. »- u përgjigjën ëngjëjt në korr.
« Jam kaq i ndritshëm sa jeni ju ? »- pyeti përsëri.
« Jo. Shumë më tëpër. Shumë, shumë më tepër. Ne asnjëherë nuk kemi qënë kaq të ndritshëm. »
« Asnjëherë më parë nuk kam qënë në gjendje që të shoh vende që nuk mund të shihen, »- vuri re kusari me habi. –« A jeni të sigurt se unë jam i vetmi i llojit tim ? »
« Po. »- u përgjigj njëri nga ëngjëjt. –« Por ne presim shumë të tjerë nga lloji yt. »
« Ti je i pari nga specia jote, » - e informoi një ëngjëll tjetër.
“Unë mendoj se vdiqa.”- tha kusari.-“Isha në një kryq vetëm pak momente më parë. Tani, më shihni! A jam unë në...në Parajsë?”
“Kjo është më e pakta e Parajsës.”- u përgjigj një ëngjëll. “Dhe ndoshta do të jetë akoma më tepër se kaq. Do ta mësojmë brenda tre ditësh. Në fakt, me ardhjen tënde këtu, ne jemi të sigurt se kjo do të jetë shumë më tepër se sa Parajsë- brenda tre ditësh.”
Me këto fjalë, ky fëmijë i Zotit, rrëmbeu njërin nga ëngjëjt e tmerruar, e përqafoi atë dhe filluan të vallëzojnë.
“Engjëjt nuk vallëzojnë.”- u mundua të ndërhynte njëri nga ushtria qiellore me ashpërsi.
“Por, do të vallëzojmë tani...”- tha një tjetër me buzëqeshje.
“Unë nuk e di se kush jam, Unë nuk e di se ku jam. Unë nuk e di se çfarë jam. Por e ndjej se nuk jam ai që kam qënë- dhe që jam i mrekullueshëm dhe i bukur,” – bërtiti ai.
Papritmas, ai ndaloi. “Ai që po vdiste afër meje më tha se unë do të isha bashkë me të në parajsë, por ai më përmendi dhe dicka në lidhje me një libër. Një Libër të Jetës. A ekziston diçka e quajtur Libri i Jetës? Oh, dhe diçka tjetër, ne lidhje me atë që do të njoh ashtu si njihem.”
Kur dëgjuan këtë, ëngjëjt vrapuan drejt Librit të Jetës. Ashtu sic e kishin pritur, emri i parë i shkruar në atë Libër, ishte emri i kusarit.
Engjëjt filluan të lëshojnë lavdërime të shoqëruara më gjëmime të qeshurash. Ata shpërthyen në një këngë entuziaste që rrallë herë ishte dëgjuar më parë.
“Unë jam i pari i çfarë?”- pyeti ai.
“Ti je i pari i atyre për të cilët ne kemi pritur përgjatë epokave. Ne kemi pritur shumë që kjo ditë të vinte.”
“Një pyetje të fundit: Ju quheni ëngjëj. Por unë si quhem?”- pyeti ai.
“Ti quhesh i shenjtë”.
Kapitulli 40
A është dielli ai që po lind? Ai sapo ka filluar të ngrihet mbi kreshtat e maleve. Unë po ndjej lëkundjet e një tërmeti.
Duhet të jetë e dielë në mëngjes!
(Vazhdon...)
Krijoni Kontakt