Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,426
    Postimet në Bllog
    17

    Kuvend për letërsinë shqipe në romë

    ‑ nën patronazhin e Evropës ‑

    Nga Visa Zhiti

    "Shtëpia e Letërsive (Casa delle Letterature) në Romë i kushton letërsisë shqiptare dy ditë kuvend, takime me disa nga poetët shqiptarë bashkëkohorë më domethënës, një tryezë të rrumbullakët me intelektualë të të dy vendeve mbi raportet komplekse mes letërsisë dhe pushtetit në Shqipëri dhe një takim me botuesit italianë për paraqitjen e një projekti të Bashkimit Evropian".

    Kështu shkruhej, ndër të tjera, në fletë‑palosjet me ngjyra që shpërndau Ambasada italiane në Tiranë dhe në pllakatet e mëdha rrugëve të Romës, në vitrinat e xhamta e kollonat pranë ngrehinës së vjetër të veprimtarisë, në "Piazza dell'Orologio" 3, në anë të sheshit "Navona", ndër më të famshmit në botë, me statuja e shatërvanë mitologjikë të Berninit, me piktorë të shumtë, që vizatojnë pa ndërprerje, me këngëtarë e kllouna, pranë të cilëve mblidhen njerëz e gjatë gjithë natës ndodh të dëgjosh, ndoshta, nga të gjitha gjuhët e njerëzimit nën dritën e një hëne që s'mungon kurrë. Ndryshe do ta shpikësh vetë prej frymëzimit dhe drita e saj do të derdhet si një ujvarë ëndrre.

    Nga data 18 shtator, gjatë këtij kuvendi, por dhe pas tij, deri më 27 shtator, do të qëndrojë e hapur ekspozita fotografike "Kumi" me pamje nga Shqipëria që dokumentojnë zhvillimet e saj në vitet pas Luftës II Botërore, etj, etj, organizuar nga Komuna e Romës, "Shtëpia e Letërsive", në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Institutin italian të Kulturës si dhe shoqatës "Syri blu" nën patronazhin e Evropës. Me të vërtetë interesante, kështu duhej të ishte dhe të gjitha këto sikur ta prapsin atë ndjesi të ftohtë që të jepte ftesa me fotografinë e pagjetur të një minatori me mollëza të mëdha, me mushama e llambë karbiti në dorë, klasa e dikurshme punëtore, së cilës i takonte arti i Shqipërisë së re. Por brenda saj lexoje nën temën "Poezia dje dhe sot" emrat e Mimoza Ahmetit, Elsa Ballaurit, Bardhyl Londos, Xhevahir Spahiut, do të recitonte italisht aktorja emigrante Drita Haxhiraj, do të diskutonin shefat e katedrës së letërsisë dhe gjuhës shqipe Elio Miracco dhe Francesco Altimari, arbëreshë që të dy, njëri në universitetin "La Sapienza" të Romës dhe tjetri i Kozencës, paraqitës Besnik Mustafaj, do të përshëndeste këshilltari i politikës kulturore Gianni Borgha e përgjegjësja e "Shtëpisë së Letërsive" Maria Ida Gaeta, kurse të nesërmen, në tryezën e rrumbullakët me temë "Letërsia dhe pushteti", moderator i së cilës do të ishte shkrimtari i njohur Raffaele Nigro do të diskutonin Ylljet Aliçka, Diana Çuli, Fatos Lubonja, Pirro Misha, Mariela Pandolfi, Predrag Matvejeviç dhe në takimin me botues do të paraqitej projekti i Bashkimit Evropian "Interreg" për përhapjen e kulturës shqiptare në Itali

    * * *

    Avionin e bardhë të "Albanian Airilines" të vjen ta krahësosh me pegasin. Ndërsa futej me uturimë të butë midis reve, jemi në lartësinë rreth 8.000 m, u dëgjua në altoparland ndoshta zëri i njërit prej pilotëve, me shpejtësinë rreth 750 km në orë, pas dritares së vogël e të rrumbullakët shihej një flatër e madhe metalike, më tej panteone prej ajri, kubizëm që deformohej shpejt e poshtë befas u përshfaq frikshëm humnera e kaltër e detit, një anije e vogël si lodër, e ndonjë Uliksi që ende vazhdon të kërkojë Itakën, gjithsecili është në kërkim të Itakës së vet, kështu do t'i thosha poetit të dashur Fatos Arapi, pranë të cilit isha. Bardhësia e flokëve të tij kishte diçka qiellore. Ashtu si dhe poezia. Ndërkohë na vinte mirë që stjuardesat e bukura flisnin shqip, ishin bashkatdhetaret tona. Dy‑tre kamera të televizioneve shqiptare xhironin qiellin e pafundëm, labirinthet e tij ajrore gjithë mister erërash.

    ‑ Përse kanë ardhur gazetarët, për veprimtarinë e poetëve?

    ‑ Jo, jo, në Romë po shkon dhe kryeministri shqiptar Fatos Nano, takon homologun italian Silvio Berluskonin...

    ‑ Këtu është?

    ‑ Në avion tjetër, sigurisht...

    Në Romë gjetëm diell, shumë diell që copëtohej nëpër aeroportin e madh "Leonardo Da Vinçi" dhe italianin që na priste, njëri nga organizatorët e veprimtarisë, Paolo që dinte shqip shkëlqyer.

    ‑ Mirë se erdhët! ‑ na tha i qeshur.

    * * *

    Salla e "Shtëpisë së Letërsive" ishte plot me të ftuar, rrinin dhe më këmbë dhe të tjerë që e ndiqnin veprimtarinë në korridor, në një ekran të madh e të tjerë në oborrin me zhavor e me tryeza druri.

    Pasi u falenderuan organizatorët dhe veçanërisht zonja Anna Bova, bashkëshortja e ambasadorit italian në Tiranë, falë dhe përpjekjeve të së cilës u bë i mundur ky aktivitet, folën drejtori i Institutit italian të kulturës në Tiranë De Gasperi dhe studiuesit e njohur Miracco ("një popull pa poezi vdes", do të thoshte ai) dhe Altimari, të cilët bënë panorama impresionante të poezisë shqiptare dhe arbëreshe. U thirr sugjestionuesi Xhevahir Spahiu. Mbasi foli për fuqinë e poezisë shqipe duke marrë si shembuj kolegët dhe miqtë, recitoi poezinë e njohur "Fjala". Më pas u thirr shkujdesura krenare Mimoza Ahmeti. Pas meje e pati radhën e urta Elsa Ballauri. Poeti Fatos Arapi u paraprit me duartrokitje. Mbasditja u mbyll me poezinë e drejtuesit të seancës Besnik Mustafaj.

    Në koktejl do të vinte dhe ambasadori Mario Bova, i cili kishte lënë kryeministrin shqiptar nën shoqërinë e homologut të tij shqiptar në Romë. Do t'u jepte dorën me radhë gjithë poetëve.

    ‑ Kjo është mbrëmja e parë me ju, ‑ do na thoshte gjithë përzemërsi, ‑ paraprirëse e mbrëmjeve të tjera...

    Mesnata do të na gjente në shtëpinë e mikut tonë Roland Sejko, botues dhe përkthyes, por dhe drejtor i gazetës aq të kërkuar nga diaspora jonë në Itali "Bota shqiptare". Do të shfletonim numrat e saj më të fundit. Faqosur bukur, artikuj interesantë. Bisedonim duke pirë raki Shqipërie për ambasadën tonë, mbështetjen që duhet t'i bëhet kulturës dhe njerëzve të saj, për Akademinë kulturore "Iliria", themeluar nga gruaja e shquar Nermin Vlora Falaschi dhe për domosdoshmërinë e një Instituti shqiptar për kulturën në Romë, ku kanë të gjithë shtetet e Evropës, përveç tonit. Duhet të punojmë shumë më tepër për kulturën, me seriozitetin që ajo meriton dhe me programe të qëndrueshme. Vetëm me kulturën jemi të barabartë me të tjerët...

    Paraditen e së nesërmes u bë takimi i parashikuar me editorët. Prapë diell romak, i praruar si një mburojë antike. Ishin përfaqësue nga 18 shtëpi botuese, nga jugu dhe veriu i Italisë. Dëgjuan të ardhurit nga Shqipëria. Përse të jemi më shumë të njohur në Francë dhe aq pak në Italinë fqinje, kur letërsia e saj njihet aq mirë nga shqiptarët. Kur vendi ynë qe i izoluar, zonja Ollbrajt tha se realitetin shqiptar e njohëm nga romanet e Kadaresë, u tregoi të pranishmëve shkrimtari Fatos Arapi. Botuesi i "Argos", Eugenio Scalambrino, u shpreh se "ne botojmë po të jesh i njohur, por që të jesh i njohur, duhet të botohesh? Si ta zgjidhim këtë, kur libri sot është mall që duhet shitur?" Botuesi i "Besës" Livio Muci dha shembuj të shkrimtarëve shqiptarë në diasporë, të aftë të shkruajnë drejtpërsëdrejti dhe në italisht. Të pranishmëve ju bë i njohur Programi komunitar "Interreg III", i cili, sipas hartueve "ndërton rastin për mbështetje në përkthim dhe shpërndarje të letërsisë shqiptare dhe në bregun tjetër të Adriatikut".

    Veprimtaria u mbyll mbasdite me diskutime rreth temës së parashikuar "Letërsia dhe pushteti". Ligjëruesit kujtuan dhe skenarin e filmit "Parrullat", shkruar nga tregimtari i talentuar Ylljet Aliçka. Përveç të tjerave, Xhevahir Spahiu debatoi rreth diskutimit të Predrag Matvejeviçit. Njëri nga organizatorët, Besim Petrela, kujdesej që gjithçka të përfundonte mirë, të mos e humbnim njërit tjetrin...

    * * *

    Shëtitja në mbrëmjen romane është e magjishme, jo vetëm nëpër rrugët e sheshet e mëdha, të njohura nga filmat dhe romanet, por dhe në rrugicat, ku e papritura u ngjan metaforave të guximshme. "Piazza Navona" lëkundej si emri i saj, anije e bukur prej muzgu dhe dritash. Pak më tej, teksa një klub i vjetër festonte një përvetjor të vetin dhe fitoren e një çmimi, shpërndante verë, lloj‑lloj, për të gjithë kalimtarët jashtë. Një popull i tërë me gota kristali ndër duar, uronte i gëzuar vetveten. Kamerierët me kostum të zi e të ndritur, me papione si dallandyshe në grykë, u jepnin verë të kuqe kujdo që kalonte. Mes rrëmujës së bukur u futëm edhe ne, të dehur nga poezitë tona.

    Visar Zhiti

  2. #2
    Eshte kenaqsi kur lexon per aktivitete e lajme te tilla mbi letersin shqiptare. Mendoj se kemi krijime me nivel te denj per ti treguar botes se kemi edhe ne "perla leterare". Shume nga krijimet e Agollit, Spahiut, Ahmetit, Zhitit etj jane vertet te mrekulluesheme duke lene menjeane Kadaren qe eshte I vecant.
    Jo vetem aq por dhe forumi jone shqiptare ka krijime shume te bukura qe fare mire ndoshta mund te permblidhen e te behen pjese e tradites sone me te mire leterare

    Suksese Letersis Shqiptare
    Mos shkruaj gjë kur je me nerva, sepse, ndërsa plaga e gjuhës është më e keqe se e shpatës, mendo ç’ka mund të jetë ajo e pendës

Tema të Ngjashme

  1. Gjuha Shqipe - Kisha dhe Kleri Katolik
    Nga toni77_toni në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 14
    Postimi i Fundit: 02-10-2011, 14:48
  2. Dështimi i gjuhës standarde shqipe te gegët!
    Nga Davius në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 460
    Postimi i Fundit: 31-01-2010, 20:27
  3. Armiqtë e gjuhës shqipe dhe triumfi i saj
    Nga brooklyn2007 në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 24-11-2008, 11:35
  4. A vihet ne diskutim Sovraniteti Kombit?
    Nga Dito në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 06-10-2006, 20:17
  5. Armiqte e Gjuhes Shqipe?
    Nga Tastiera në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 10-10-2005, 10:57

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •