SARANDE/ 46-vjeçari Përparim Veliu tregon për neglizhencën e shtetit ndaj tij

“Si mbeta i paralizuar nga orteku”





Mira ZENATI

SARANDE – Prej shumë vitesh, karroca me rrota është bërë gjëja e tij më e shtrenjtë. Jeta e tij do të merrte rrjedhë tjetër që nga mëngjesi i 6 shkurtit të vitit 1981. Asokohe, Përparim Veliu nga Saranda ishte student i Akademisë Ushtarake dhe ndodhej në fushim dimëror në fshatin Feken. Por orteku do të priste në mes ëndrrën për të qenë një ushtarak i devotshëm, pasi ai mbeti i paralizuar. Tani, 25 vjet më pas, ai nuk ka asnjë përkrahje nga shteti shqiptar, edhe pse u paralizua teksa ishte në stërvitje me shkollën. Përparimi jeton me nënën dhe babanë e tij, një ish-oficer karriere për vite e vite me radhë. Prindërit e tij janë të dy të moshuar. “Forca për t’i shërbyer djalit dhe për të mos e lënë atë të mërzitet, më jep edhe mua forcë”, na thotë nëna e Përparimit. Duke u kthyer shumë vjet në kohë, Përparimi, na tregon me lot në sy për atë ditë e fillon të tregojë dhe për jetën e tij të tanishme natyrisht të vështirë.
Si e kujtoni ditën kur u ndodhi fatkeqësia?
Ishte duke u gdhirë 6 shkurti i vitit 1981. Ishim në fushim dimëror në Feken. Po binte shumë dëborë. Duhej të rreshtohej shkolla, por shkolla nuk rreshtohej, sepse i ftohti i madh na pengonte. Atëherë, duke parë se studentët po thyenin disiplinën, komandanti i shkollës, Rustem Peçi, na nxjerr në oborr dhe jep urdhër për detyrë luftarake për të kapur majën e Meçekut. Them se kjo gjë nuk ndodhte shpesh, por duhet të ketë qenë një rastësi. Sepse gjithmonë kur binte dëborë nuk na çonin asnjëherë për të arritur në majë, na zbrisnin poshtë, në një rrugë mbi kampin punëtor. Ishim studentë ushtarakë të vitit të tretë. Për shtatë ditë mbaronin dhe 6 shkurti ishte dita e parafundit. Ne u nisëm për të filluar ngjitjen drejt majës së Meçekut. Pranë kisha një shokun tim të ngushtë, Gjovalin Kola, nga Kukësi. Një vit më parë në të njëjtin vend, por në kushte të tjera toga jonë bënte ngjitje në orën e fizkulturës në atë vend, por atë ditë terreni ishte i ngrirë. Nuk ecëm shumë, megjithëse unë isha shkëputur disi nga grupi i nxënësve, se isha andej nga fillimi i kolonës. Mbaj mend mirë se pak para se të ndodhte ngjarja i them Gjovalinit: “Çudi në të njëjtin vend jemi rrezikuar edhe vjet, nuk e di nëse e mban mend”. Pas kësaj, unë nuk ndjeva absolutisht asgjë. Kaq mbaj mend. Jam përmendur tri ditë më vonë dhe pashë se ndodhesha në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Shokët më kanë treguar se si rrodhën ngjarjet.
A mund të na thoni se si të kanë gjetur shokët?
Më kanë gjetur mbi dëborë. Aleko Gjoni nga Gjirokastra vdiq vetëm, sepse nuk e gjetën në kohë. Në ortekun e parë kishte nga ata që erdhën për të shpëtuar shokët e tyre. Kur më kanë ndihmuar mua, më kanë vendosur trupin mbi pelerinën time dhe më kanë zvarritur për rreth 1 km e ca rrugë. Nuk di se si. Aq dinin shokët e mi aq bënë. Shkolla qe e papërgatitur për ngjarje të tilla, nuk kishte barela për transportimin e të sëmurëve rëndë. Njëri nga shokët më ka treguar më vonë kur jam përmendur pas katër ditësh në spital që kam thënë: Avashni mor, çfarë më bëni. Kjo, sepse edhe në gjendje kome unë kisha dhimbje të tmerrshme në trupin tim. Prandaj, them që edhe nga goditja, por ndoshta edhe zvarritja ka ndikuar në mbetjen e këmbëve të mija siç janë tani të palëvizura, të paralizuara. Pra unë dhe shoku im, Luan Muço mbetëm siç më sheh sot, të paralizuar për tërë jetën. Pas katër muajsh lufte në Spitalin Ushtarak në Tiranë, mua me Luanin na çuan në Hungari. Katër muaj në Spitalin Ushtarak kam luftuar me jetën, se temperatura e lartë nuk më iku asnjëherë. Pas katër muajsh na çuan për mjekim të specializuar në Hungari.
Si është gjendja e sotme e Përparimit?
Pasi u ktheva nga Hungaria, gjendja shpirtërore e imja ishte shumë e rëndë. Qava e qava shumë për jetën, por e pashë se çdo gjë ishte e kotë. Sa erdha në Sarandë u përballa me probleme të domosdoshme për jetën time: me të drejtë fitova një pension prej 4300 lekësh, flasim për vitet 1982. Se fillimisht më thanë se nuk të takon pension se ke qenë student. Por kur u thashë se kam bërë stazh duke ndërtuar qendra zjarri, atëherë munda të fitoja të drejtën për pension. Një ndihmë të madhe më ka dhënë edhe inxhinier Mane Lula dhe ish-kryetari i Komitetit Ekzekutiv, Stefan Qiriako, që më ndihmuan duke më bërë një garazh dhe një rrugë me pjerrësi për të lëvizur me karrocë. Nuk harroj të them edhe atë që në vitin 1981 më dhanë edhe një dekoratë trimërie. Dhe më asgjë. Erdhi pluralizmi dhe akoma kishte një farë harrese të plotë. Nuk e di se kush i ka nxitur, por aty rreth viteve 1999, ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Albert Brojka, së bashku me qeverinë e asaj kohe i shpallën 11 shokët tanë të mbetur të vdekur në ngjarjen e 6 shkurtit “Dëshmorë të Atdheut”, ndërsa për mua dhe Luanin nuk u bë asnjë gjë. Them se nuk është shumë për jetën tonë. Nëse them për pension të posaçëm, sinqerisht kërkoj të thuhet i tillë edhe sikur të mos më jepet fare shpërblim në vlera monetare. Pra, një gjë është e qartë që vepra ime them se nuk është vlerësuar fare nga askush në tërë këto 25 vjet. Pra, për shtetin ne kemi qenë dhe jemi një hiç.
A është kujtuar kush nga shkolla ku keni qenë juve, të vijë t’ju shohë a të interesohet për tërë këto vjet?
Veç një takimi që kemi bërë si togë, që kemi qenë më të prekur në ngjarjen e 6 shkurtit askush tjetër nuk ka pyetur për ne.
Si është një ditë e zakonshme për Përparimin ?
Çohem në mëngjes, bëj fizkulturë dal e pi kafe, kthehem në shtëpi, si zakonisht dreka, pastaj vazhdoj përsëri me fizkulturë, lexoj shumë libra artistikë, por ndjek edhe emisione televizive të ndryshme.

Tragjedia e 6 shkurtit 1981
Më 6 shkurt 1981, gjatë një stërvitjeje dimërore në lartësinë e malit të Meçekut, 11 studentë bashkë me pedagogët e tyre humbën jetën. Përkujtimi i ngjarjes tragjike të Fekenit ka përmasa e emocione të forta, edhe pse ka shumë kohë që ka ndodhur 25 vjet më parë, më 6 shkurt 1981 ishte ditë e premte. Mali i Meçekut me lartësi 1872 m ishte mbuluar nga dëbora e madhe. Qendra stërvitore e Fekenit kishte “mysafirë” studentët e Akademisë Ushtarake. Ata ishin miqësuar me ambientin, pasi çdo vit në këtë qytezë ushtarake të ndërtuar nën këmbët e malit të Meçekut pritej dhe përcillej rinia studentore ushtarake, stërvitjen e tyre do ta ndiqte dhe një grup specialistësh nga Tirana. Rrëshqitja (orteku) i dëborës “zgjodhi” oficerët Nikollaq Bero, Dushan Shameti e Çlirim Pula, si dhe studentët Pëllumb Rrapo, Qemal Lika, Nexhip Çopa, Ilir Gramatiko, Bujar Aga, Bilibil Pasha, Aleko Gjoni e Besnik Shehu.


tirana observer