Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    Rising Star and Legend Maska e Davius
    Anëtarësuar
    20-04-2003
    Vendndodhja
    Underground
    Postime
    11,956

    Petri Çeku, kitaristi me përmasa evropiane!

    Kosova gjithmonë ka qenë djep i talentëve muzikor, shembuj për të kemi mjaft, pos Sihana Badivukut, violiniste me përmasa ndërkombëtare, këto ditë dëgjuam edhe një talent te ri i cili se shpejti do të pushtoj skenat europiane me talentin dhe ekzekutimin e tij bravuroz në kitarë."

    Koncerti tij në kuadër te garave ndërkombëtare të muzikës klasike na vërtetoi këto thënie që i cekëm më parë.

    Që në start vërejtëm se kemi të bëjmë me një talent të rallë që pas shumë vitesh lind njëherë dhe menjëherë pushton skenat muzikore.
    Nga biografia e shkurtë e tij do të shohim se për këtë kitarist të talentuar së shpejti do të dëgjojmë shumë, nga se që tash është mjaft i ri i cili fitoi ca shpërblime që garantojnë ardhmërinë e tij si kitarist me përmasa të mëdha.

    Petrit Çeku u lind në Prizren në vitin 1985. Në vendlindje kreu shkollën fillore të muzikës dhe dy vitet e para të shkollës së mesme në klasën e Luan Sapunxhiut. Në vitin 2002 vazhdon shkollimin muzikor në Zagreb, në klasën e prof. Xhevdet Sahatçiut. Eshtë fitues i çmimit të parë në garën shtetërore në Dubrovnik (2003.), si dhe i çmimeve të para në garat kitaristike: ''Anna Amalia'' në Weimar, Gjermani, ''Emilio Pujol'' në Itali, ''Andrés Segovia'' në Velbert, Gjermani. Në vitin 2004 e përfaqësoi Kroacinë në garën ''Shpërblimi muzikor europian për të rinjë'' ku fitoi çmimin e parë si dhe çmimin special për interpretimin e kompozitorit kroat. Mori pjesë në seminare te kitaristët e mirënjohur si M. Barrueco, Z. Dukić, C. Marchione, E. Musa, S. Tennant, A. Vidović, etj. Bashkëpunoi me orkestrin Zagrebacki Solisti, si dhe me Orkestrin Simfonik të Dubrovnikut. Tani studion në Akademinë Muzikore të Zagrebit, në klasën e prof. Darko Petrinjak.

    Pra, vetëm këto të dhëna në biografinë e tij flasin mjaft se për një kohë të shkurtë arriti rezultate që të tjerëve i janë dashtë vite te tëra.
    Sonata e Bahut, Suita Valenciana e Asencios, Variacionet e Sorrit, Sonata Giocosa e Rodrigezit dhe te tjera, ishin vepra te bukura por të vështira për moshën e tij te re, u ekzekutuan me një sens të duhur për tingullin aq të bukur të kitarës, sa që mendonim se ky i ri i kishte ekzekutuar me vitet te tëra.

    Ne sonatën e Bahut u vërejte qasja e tij dhe përkushtimi për muzikën e bukur por tejet te vështire te Bahut , sepse vijat melodike të një polifonie tashmë të njohur të Bahut qitën në pah stilin, si e quanin muzikologët, motorik të muzikës barokiane, por edhe një tingull hyjnor karakteristik për muzikën e epokës barokiane.

    Nuk dinim cilën kohë ta veçonim por megjithatë koha e dyte është kohë ku dalin në pah kualitetet e këtij artisti te ri.

    Po ashtu edhe në variacionet e Fernando Sorrit u vërejt mjeshtëria e tij që çdo variacion ta trajtoj në mënyre të veçantë që është një vështirësi edhe për artistët më me eksperience se sa që ka vet Petriti.
    Vete konstruksioni i tij na bënte me dije se ky djalosh është i lindur për ketë instrument sa që me një rast e quajta se ai nuk po luan në kitarë por ishte vet kitarë.

    Trupi i tij i gjatë, qëndrimi serioz dhe respekti që bënte për vetë muzikën , gishtërinjtë ishin te krijuara enkas sikur të i kishte bë skulptori për një instrument siç është kitara.

    Nuk dinim të veçonim cilën vepër e ekzekutonte më mirë, sepse temperamenti, talenti që ka, na sjellte një tingull të ri që nuk është dëgjuar në këto salla tona koncertale nga një i ri siç është Petriti.

    Ne jemi befasuar me interpretimet e shumë kitaristëve që kanë qenë në skenat tona koncertale, mirëpo, interpretimi i këtij të riu tejet i balansuar në çdo pikëpamje qoftë ritmike, melodike apo dinamike na bënte me dije se Petriti i kishte studiuar të gjitha për mrekulli.

    Për fund nuk kisha shtuar asgjë më tepër se sa fjalët që kishte shkruar kolegu Rafet Rudi ne titullin e artikullit të tij per Petritin: Rrugë të mbarë midis të mëdhenjve.

    My silence doesn't mean I am gone!

  2. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    16,205

    Për: Petri Çeku, kitaristi me përmasa evropiane!



    Young Musicians Foundation Debut Orchestra
    Malibu, KALIFORNIA - 2012

    ( Medalje e Argjendte - Parkening International Guitar Competition. )

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    16,205

    Për: Petri Çeku, kitaristi me përmasa evropiane!

    Petrit Çeku - Në fund të ditës unë e dua kitarën bajagi shumë.

    Maj 2014 - " Standard "


    Petrit Çeku ka ardhur në Tiranë si nostalgjik i librave të lexuar nga përshkrimet e shkrimtarëve shqiptarë, por edhe me lirinë e artistit që po e njeh skena evropiane, si kitarist që ka hyrë në rrugën e një karriere sfiduese. Kitaristi sonte do luajë koncertin e parë zyrtar në Teatrin e Operas dhe Baletit. Lidhja me kitarën qysh në moshë të hershme e ka bërë të evokojë një ndjesi “siameze” për t’ia dalë sa herë ndodhet në skenë. E më tej kitaristi jep një leksion farë të thjeshtë suksesi, si ndodh në të zakonshmen e tij. “Mendoj se çelësi i suksesit tim është fakti që nuk jam i koncentruar në të. Na ndodh të gjithëve që në shtëpi ta humbim, ta zëmë, një libër dhe ta kërkojmë gjithë ditën, ndërsa një ditë tjetër e humbim lapsin dhe duke e kërkuar lapsin, e gjejmë librin. Kështu është edhe me karrierën, nëse kërkojmë suksesin – nuk e gjejmë dot, ndërsa nëse kërkojmë diçka tjetër, në rastin tim zhvillimin artistik, atëherë e gjejmë suksesin”.

    Për herë të parë në Tiranë, impresioni që ju lidh më këtë ftesë të Teatrit të Operas dhe Baletit?

    Kam pasur një koncert në Tiranë para 5-6 vitesh me Orkestrën Simfonike të RTSH-së. Ajo ka qenë hera e parë që isha në këtë qytet, për bulevardet dhe godinat e mëdha të të cilit kam pasë lexuar aq shumë në përshkrimet e shkrimtarëve shqiptare. Ende ndjej një kënaqësi të posaçme, një forme plotësimi dëshirash fëmijërore që ta shoh qytetin e “Kalamajve të pallatit tim”.

    Si e mendonit këtë skenë dhe çfarë do të thotë për ju të performoni për publikun shqiptar?

    Tirana ka nxjerrë artistë të mëdhenj muzikorë, me njohuri dhe kapacitete të jashtëzakonshme. Kjo është njëfarë garancie që publiku në skenat shqiptare është cilësor. Këtë e thashë edhe në Prishtinë, ku performova javën e kaluar, por vlen edhe për Tiranën – përkundër të gjitha përpjekjeve të mia që të gjitha koncertet e mia kudo në botë, të kenë të njëjtën cilësi dhe intensitet, nuk mund t’i shmangem disa emocioneve te posaçme qe me shfaqen kur luaj ne vendlindje. Unë megjithatë, do të vazhdoj te përpiqem qe të kem te njëjtin emocion qe e kam ne vendlindje edhe kur luaj në vende tjera, për popujt tjerë. Konsideroj shumë të rëndësishme qe në punën time te kem disa parime humaniste, në këtë rast – që arti im të mos njohë kombe, raca dhe dallime të tjera.

    Mund të na flisni për karrierën tuaj, si ia dolët me kitarën për t’u bërë virtuoz me klasiken?

    Unë fillova të luaja kitarën qysh në moshën 6 vjeç. Më duhet të ndalem këtu dhe të them se për t’u bërë virtuoz në kitarën klasike, është e domosdoshme që të fillohet që nga një moshë shume e re, ashtu si është rasti me baletin, pianon e violinën. Këtë po e them në mbështetje të kolegëve të mi në Tiranë, që po përpiqen ta mundësojnë studimin e kitarës në shkolla të muzikës qysh në moshë të hershme, e jo në moshën 13-14 vjeç, kur është tepër vonë.

    Studimin muzikor e fillova në Prizren me Luan Sapunxhiun, ndërsa në vitin 2001 në Kosovë për herë të parë pas luftës erdhi Xhevdet Sahatçiu, kitarist dhe ndër pedagogët më të shquar në Evropë, i cili jeton dhe vepron ne Kroaci. Ai me t’i dëgjuar disa takte më ofroi që të vijoj shkollimin në departamentin e tij në Zagreb. Ashtu edhe lëviza nëe Zagreb, kur isha 16 vjeç dhe aty nga profesori Sahatçiu mora nji edukim të jashtëzakonshëm (jo vetëm) muzikor. Pastaj studiova edhe me themeluesin e shkollës se njohur kitaristike të Zagrebit, Darko Petrinjakun dhe më pas studimet postdiplomike me njërin nga kitaristët më të mëdhenj të shekullit XX, Manuel Barrueco në Baltimorë, SHBA. Gjatë studimeve mora pjesë në rreth 11 konkurse ndërkombëtare dhe fitova 9 prej tyre. Pikërisht kjo bëri qe sot e kësaj dite ta kem kalendarin përplot me koncerte, pa pasur ndonjë PR të posaçëm. Me fitoren e fundit në vitin 2012 në konkursin prestigjioz “Parkening” në Kaliforni e mbylla “fazën e konkurseve”, për t’i lënë më shumë hapësirë zhvillimit tim artistik, që ndodh në secilin prej koncerteve dhe recitaleve që mbaj.

    Koncerti i sotëm do të përmbajë dy koncerte nga Rodrigo, pse kjo zgjedhje, çfarë ju shtyn drejt muzikës së tij?

    Rodrigon e kam gati rregullisht në repertor. Madje, në vitin 2008 kam incizuar një vepër të tij në CD. Koncertet që do t’i luaj sonte janë vepra të cilat edhe pse i kam luajtur shumë herë deri më tash – ndërsa punën me to e kam filluar para shumë vitesh – ende me magjepsin dhe ç’është me interesantja me emocionojnë jashtëzakonisht shumë. Nga gjithë repertori i veprave që luaj, mund të them që vetëm me këto dy vepra unë sinqerisht emocionohem gjatë vetë interpretimit të veprës, sidomos në koncert, ku edhe ndiej elektrizimin e publikut.
    Rast i veçantë është Concierto de Aranjuez, me atë Adagio-n që është melodi shumë e famshme, e përdorur në mënyra nga më të ndryshmet – neper filma, e aranzhuar si këngë me fjalë ose si xhaz standard nga Miles Davis. Përkundër gjithë këtij (keq)përdorimi të kësaj teme jashtëzakonisht të bukur, ajo prapëseprapë arrin që të shpalosë çiltërsinë dhe bukurinë e saj, në çdo formë. Do ta luaj një lojë – në qofte se dikush nga publiku nuk ndien asnjë emocion gjatë performancës sonë të Adagio-s, le të më lajmërojë pas koncertit dhe do t’ia kthej shpenzimet e biletës nga xhepi im.

    Preferoni më mirë të luani solo apo me orkestër dhe si e vlerësoni bashkëpunimin me Orkestrën e TKOB?

    Si kitarist, jam i detyruar që shumicën e koncerteve t’i mbaj solo, gjë që siç e thotë edhe fjala ka të bëjë shumë me vetminë. Unë gjithsesi konsideroj shumë të rëndësishme ballafaqimin me vetminë, faktikisht me vetveten, prandaj çdo paraqitje solo e shfrytëzoj për zhvillimin tim personal. Ndërsa loja me orkestër me asocion me të qenit me shoqëri, me komunikim e bashkëveprim, gjë që gjithsesi e ka bukurinë e vet dhe ofron shumë kënaqësi. Orkestra e TKOB është në një nivel jashtëzakonisht të mirë. Ka një tingull shumë të bukur dhe kompakt, ndërsa solot e violinçelos dhe bririt anglez te Aranjuezi, trumbetës dhe fagotit te Fantasía para Gentilhombre janë mahnitëse.

    Çfarë është kitara për ju në sensin romantik, mendimit e frymëzimit që krijon kur e mbërtheni?

    Kur isha i vogël kisha një pasion të pangopshëm për kitarën, një si nevoje fizike që të jem gjatë gjithë kohës në kontakt fizik më të. Gjithmonë, kur jam në prapaskenë dhe pres momentin kur duhet të dal para publikut, mundohem që të evokoj ato ndjenja që m’i ka sjellë dikur ky instrument dhe shpeshherë ia dal mbanë. Në fund të ditës unë e dua kitarën bajagi shumë.

    Çfarë profesioni do kishit zgjedhur po të mos ishit kitarist?

    Kam përshtypjen që po të mos isha kitarist, do të ëndërroja që të isha kitarist.

    Si është e organizuar dita juaj dhe sa pjesë zë ushtrimi me kitarë?

    Ushtrimi i kitarës, në një dite normale zë gati gjithë ditën. Kjo s’do me thënë që gjatë gjithë ditës e kam në dorë, por e kam në mendje gjithsesi edhe atë në mënyrë shumë aktive dhe efikase. Një pjesë të madhe të punës e kryej në kokë, ndërsa në ato orë që mbesin e realizoj atë punë mentale në kitarë.

    Cila mendon se është arritja më e madhe në karrierën tuaj, keni vendosur piketën e së ardhmes?

    Mendoj se çelësi i suksesit tim është fakti që nuk jam i koncentruar në të. Na ndodh të gjithëve që në shtëpi ta humbim ta zëmë një libër dhe ta kërkojmë gjithë ditën, ndërsa një ditë tjetër e humbim lapsin dhe duke e kërkuar lapsin e gjejmë librin. Kështu është edhe me karrierën, nëse kërkojmë suksesin – nuk e gjejmë dot, ndërsa nëse kërkojmë diçka tjetër, në rastin tim zhvillimin artistik, atëherë e gjejmë suksesin. Hm… Mbase e kam gabim, se kjo do të thotë që unë ende nuk e kam gjetur zhvillimin artistik.


    http://www.standard.al/2014/05/30/ne...-bajagi-shume/
    Ndryshuar për herë të fundit nga sirena_adria : 09-06-2019 më 08:32

Tema të Ngjashme

  1. Gjergj Kastriot Skënderbeu
    Nga Arbushi në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 434
    Postimi i Fundit: 18-09-2022, 06:57
  2. Shkenca ne Islam
    Nga Shën Albani në forumin Toleranca fetare
    Përgjigje: 66
    Postimi i Fundit: 18-08-2010, 11:10
  3. Kontributi i shkenctarëve islam në shkencë
    Nga Bleti002 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 19
    Postimi i Fundit: 15-03-2009, 22:29
  4. 45,5mld lek per Tiranen evropiane
    Nga ganoid në forumin Ekonomi & biznes
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 23-03-2005, 12:02

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •