Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1

    Qeveria është ndërtuar nga struktura parapolitike e paraushtarake

    Prishtinë, 24 dhjetor 2005 (Kosovapress) Time: 18 : 30

    Lideri i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi, në një intervistë ekskluzive për Kosovapress ka thënë se ka korrupsion dhe krim të organizuar në Kosovë që udhëhiqen pikërisht nga njerëz që janë në Qeverinë e Kosovës. Ai ka thënë se korrupsioni nuk është në baza individuale, por është një sistem i tërë që funksionon në kuadër të institucioneve që janë të involvuara. Thaçi ka deklaruar se për involvimin e bartëse të ekzekutivit në krim të organizuar e ka konfirmuar edhe UNMIK-u. “Kjo qeveri i takon të së kaluarës, sepse është një qeveri e ndërtuar prej strukturave parapolitike dhe paraushtarake që ka krijuar një realitet të rënd dhe pesimist për qytetarët e Kosovës. Kemi qeverinë më të dobëtën në rajon që ka krijuar vetëm kriza sociale”. Lidhur me dosjet që para disa muajve PDK ia ka dorëzuar UNMIK-ut, drejtuesi i këtij subjekti politik, Hashim Thaçi, ka deklaruar se ato të dhëna janë faktografike, për çka ekzekutivi e ka për obligim që t’i sqarojë opinionit. Sipas tij, të gjitha ato dhëna një ditë do të zbardhen, sepse kjo nuk është çështje e një dite. Kryetari i PDK-së në intervistën e Kosovapress-it ka ngritur edhe shumë çështje që kanë të bëjnë me punën e Ekipit Negociator, si dhe për zhvillimet e ardhshme. Ai mendon se Kosova do të jetë shtet i pavarur dhe sovran në fillim të vjeshtës që vjen. Thaçi flet edhe për sukseset e PDK-së si dhe objektivat e saj në procesin që vijnë duke besuar në fitoren e PDK-së në zgjedhjet e vitit 2006.

    Kosovapress: Z. Thaçi, Kosova tanimë ka hyrë në një proces tejet të ndjeshëm. Cili do të jete roli juaj në këtë proces?

    Thaçi: Kosova po hyn në proces vendimtar për zgjidhjen përfundimtare të statusit politik, po hyn në vitin e vendimit për të zbatuar në praktikë vullnetin e qytetarëve për shtet të pavarur dhe sovran. Besoj se në këtë drejtim do të kemi edhe mbështetjen e SHBA-ve dhe BE-së, por edhe të vendeve fqinje. Roli im do të jetë në përputhshmëri me legjitimitetin qytetarë që e kam, por natyrisht edhe me përkushtimin maksimal për të implementuar vullnetin e gjithë qytetarëve për shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

    Kosovapress: Ju jeni edhe anëtar i Ekipit Negociator të Kosovës, kohë më parë kanë dalë në pah disa mospajtime. A mund të thuhet se janë tejkaluar ato mospajtime?

    Thaçi: Në kuadër të angazhimeve për shtetin e pavarur dhe sovran ka unitet të plotë. Por, të gjithë ata që hezitojnë apo kanë dyshime se nuk mund të bëhet Kosova shtet i pavarur, natyrisht se pretendojnë për ta gjetur delegacionin e palës kosovare si të përçarë.

    Sido që të jetë, ne kemi prezantuar si delegacion dokumentin për shtetin e pavarur të Kosovës tek kryenegociatori Marti Ahtisari dhe ka pasur opinione të ndryshme prej personaliteteve të ndryshme, që kanë qenë në suaza të debatit të brendshëm. Kurse në raport me komunitetin ndërkombëtarë kemi dalë unikë dhe me qëndrime të përbashkëta si nga pozita ashtu edhe nga opozita.

    Statusi politik nuk është vetëm punë e një faktori politik apo një lideri, por është i gjithë spektrit politik dhe institucional të Kosovës, por mbi të gjitha është vullneti i qytetarëve të Kosovës. Në kuadër të kësaj, ne si liderë e kemi për obligim vetëm të jetësojmë në praktikë atë vullnet.

    Kosovapress: A do të thoni se nuk ka pasur mosmarrëveshje brenda Ekipit Negociator?

    Thaçi : Më tepër ka pasur frustrime të njerëzve për të prezantuar ato frustrime si përçarje dhe ato kanë qenë individuale.

    Kosovapress: Herë pas here nga zyrtarë dhe diplomatë të huaj në këtë proces të negociatave kërkohet kompromisi. A mund të siguroni qytetarët se Hashim Thaçi nuk do të lejojë kompromis në çështjen e zgjidhjes së Kosovës, pavarësisht presioneve që do të mund t’iu bëhen?

    Thaçi: Mund t’i siguroj dhe i garantoj qytetarët e Kosovës se do të jem i përgjegjshëm dhe do të punoj me përkushtimin më të madh jetësor, ashtu siç kam punuar edhe më herët dhe do të punoj edhe në të ardhmen për ndërtimin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Vullneti i qytetarëve të Kosovës për shtet të pavarur dhe sovran, as nuk është shpikje, e as monopol i ndonjë lideri politik, dhe si i tillë është i panegociueshëm.

    Kosovapress: Sipas jush, kur do të mund të zgjidhet statusi final, përderisa është thënë se do të jetë një proces i gjatë, se sa që mund të mendohet dhe njëkohësisht një proces i vështirë?

    Thaçi: Procesi negociator në fakt do të jetë i vështirë, i ndjeshëm dhe jo i shkurtër, por besoj se fundi i verës 2006 dhe fillimi i vjeshtës, do të gjejë Kosovën me statusin e saj të zgjidhur, që është pavarësia e vendit. Kosovapress: A do të jetë një zgjidhje përfundimtare, apo vetëm një status i ardhshëm?

    Thaçi: Do të jetë status për Kosovën e pavarur.

    Kosovapress: Cilët janë faktorët që vështirësojnë zgjidhjen e statusit politik të Kosovës?

    Thaçi: Faktorët që vështirësojnë këtë proces janë zgjidhja e çështjeve për minoritarët, reformimi i pushtetit lokal, raportet me vendet fqinje, integrimi i komunitetit serb në institucione dhe shoqëri, si dhe çështja e Mitrovicës. Por, në përgjithësi mendoj se faktori që e vështirësojnë zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, është mosgatishmëria e duhur e komunitetit ndërkombëtar për të marrë vendimin sa më shpejt që është e mundur. Nga ana tjetër, një rol negativ vazhdon të luajë edhe Beogradi me involvimin e tij negativ në Kosovë. Sidoqoftë, jam optimist se Prishtina dhe komuniteti ndërkombëtar do të arrijnë marrëveshjen e duhur, në kohë të duhur për ta zgjidhur statusin e Kosovës.

    Kosovapress: A do të pranojë pala kosovare të dialogojë drejtpërdrejt me Beogradin?

    Thaçi: Për shumë çështje do të diskutohet me të gjitha vendet fqinje, por në raport me statusin politik nuk do të diskutohet me Beogradin, sepse kjo është çështje që i takon vetëm popullit të Kosovës për të vendosur në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar.

    Ne bashkërisht me ndërkombëtarët e kemi çliruar Kosovën, kemi arritur suksese solide së bashku me UNMIK-un dhe KFOR-in, dhe jam optimist se po ashtu bashkërisht do të arrijmë edhe suksesin për një Kosovë të pavarur.

    Kosovapress: Megjithatë ministrat e Qeverisë së Kosovës kanë zhvilluar disa takime të drejtëpërdrejta me palën serbe. A do të thotë kjo, se edhe delegacioni i Kosovës do të obligohet nga faktori ndërkombëtar që të ulët dhe bisedojë me palën serbe edhe për statusin e Kosovës?

    Thaçi: Për çështjen e statusin askush nuk ka mandat për të diskutuar me Beogradin. Përfaqësuesit legjitimë të Kosovës kanë mandatin nga qytetarët e vendit, vetëm për të jetësuar vullnetin e tyre për shtet të pavarur.

    Kosovapress: Kohë më parë nga Tirana zyrtare kemi pasur deklarata për një pavarësi të kushtëzuar për Kosovën. Si i vlerësoni ju këto qëndrime dhe a mund ta dëmtojnë Kosovën në këtë proces?

    Thaçi: Vlerësoj rolin e Tiranës në të kaluarën për zhvillimet në Kosovë dhe për çlirimin e saj, ku janë krijuar rrethana demokratike. Megjithatë, liria e Kosovës ka pasur reflektimet e saja për zhvillime demokratike në Shqipëri.

    Idetë që vijnë nga përfaqësues të ndryshëm nga Tirana për pavarësi të kushtëzuar janë më tepër ide personale, por është për t’u mirëpritur dhe përshëndetur rezoluta e nxjerrë nga Parlamenti i Shqipërisë që është pro pavarësisë së Kosovës.

    Kosovapress: PDK është parti opozitare. A mendoni se jeni duke i kryer detyrat e juaja në këtë rol dhe a mendoni se e keni bindur opinionin se në Kosovë shkelet dhe abuzohet me ligjin nga ana e drejtuesve të IPVQ-ve?

    Thaçi: Në Kosovë shkelet ligji dhe të drejtat e njeriut. Ka korrupsion dhe krim të organizuar që udhëhiqet pikërisht nga njerëz që janë në Qeverinë e Kosovës. Mund të them se kur flasim për korrupsion, nuk kemi të bëjmë në baza individuale, por është një sistem i tërë që funksionon në kuadër të institucioneve dhe për fat të keq janë të involvuar.

    PDK ka punuar në këtë drejtim edhe me ndërkombëtarët edhe në raport me opinionin publik ka denoncuar fuqishëm në kuptimin më pozitiv fenomenet negative që mos i kushtojnë Kosovës, në mënyrë që të kemi institucione demokratike dhe efektive.

    UNMIK-u tashmë ka konfirmuar të dhënat për involvimin e bartësve të Qeverisë së Kosovës në krimin e organizuar. Por, është çështje tjetër që gjendemi në rrethana e kushte specifike për zgjidhjen e statusit politik dhe UNMIK nuk reagon. Jam optimist se një ditë do të funksionojë ligji dhe ata që kanë shkelur mbi ligjin, një ditë do të ballafaqohen me të.

    PDK është parti opozitare dhe nuk mund t’i shuajë dukurit negative, por ne mundohemi që ta pengojmë dhe luftojmë me mjete demokratike. Mendoj se në momentin që do të fillojë funksionimi i ligjit në Kosovë, atëherë do të jetë më lehtë që të luftohen këto dukuri negative në kuadër të institucioneve të Kosovës, që janë përfshirë në këtë fenomen të rrezikshëm për vendin.

    Kosovapress: Është thënë disa herë nga ana e juaj se kemi të bëjmë me një qeveri të dobët. Cili është vlerësimi juaj për punën e ekzekutivit?

    Thaçi: Kosova është vendi më i pazhvilluar në rajon, me qeverinë më të dobët në rajon. Kemi qeverinë më të dobët, por më të involvuar në korrupsion dhe krim të organizuar. Kemi një qeveri joefektive që ka krijuar vetëm kriza sociale, një qeveri që në fakt është e keqja e vet mekanizmave politik që e kanë formuar atë.

    Mendoj se tashmë kjo qeveri i takon të së kaluarës, sepse është një qeveri e ndërtuar prej strukturave parapolitike dhe paraushtarake që ka krijuar një realitet të rëndë për qytetarin e Kosovës dhe ka krijuar një realitet pesimist. Në këtë aspekt, PDK me forcat tjera opozitare të Kosovës dhe qytetarët e Kosovës janë duke u përkushtuar që të dilet nga kjo situatë e status quos së mërzitshme, në mënyrë që t’i hapet perspektiva zgjidhjes së statusit politik për ta integruar Kosovën në strukturat e BE-së dhe në NATO.

    Kosovapress: Po ku mbeten akuzat e PDK-së drejtuar koalicionit qeverisës. Pse jeni duke heshtur për dosjet që i keni dorëzuar tek UNMIK-u?

    Thaçi: Ato janë kërkesa për sqarime dhe nuk janë akuza, të cilat janë shumë të sinqerta dhe të bazuara në të dhëna faktografike. Andaj, qeveria ka për obligim të sqarojë opinionin për të gjitha këto çështje që kemi ngritur ne dhe forcat tjera opozitare.

    Kosovapress: Megjithatë deri më sot asgjë nuk ka lëvizur në këtë drejtim dhe nuk dihet se si kanë përfunduar ato dosje?

    Thaçi: Të gjitha do të zbardhen, sepse nuk është çështje e një dite, por me vendosmërinë tonë do të arrijmë të zbardhim të gjitha gjërat negative dhe dukurive negative nga ana e Qeverisë së Kosovës.

    Kosovapress: Ju më herët keni propozuar që çështja e ndarjes se pushtetit lokal të bëhet sipas modelit të Marrëveshjes së Ohrit, që atë kohë është refuzuar nga forcat politike në vend. A qëndroni ende prapa asaj, se decentralizmi duhet të bëhet sipas modelit të Ohrit ?

    Thaçi: Kam propozuar që elemente të Marrëveshjes së Ohrit, elemente qytetëruese, integruese që të barten si model në kushte, rrethana dhe specifika edhe në Kosovë. Fillimisht kemi pasur një reaksion agresiv nga dy partitë politike që janë tash në koalicion dhe që pastaj e përqafuan projektin e decentralizimit të Beogradit, të cilin po e jetësojnë në Kosovë. Por me vjen mirë që idenë time për implementimin e elementeve të Marrëveshjes së Ohrit në Kosovë, veç janë duke e përkrahur Marti Ahtisari, por më herët është përkrahur edhe SHBA-të dhe tashmë gradualisht edhe BE-ja.

    Mund të them se modeli i Marrëveshjes së Ohrit është integrues, kurse modeli i qeverisë aktuale është çintegrues, i rrezikshëm për ndarjen territoriale të Kosovës dhe që i përgjigjet Beogradit.

    Kosovapress: Sa ka mundësi që çështja e Mitrovicës të zgjidhet gjatë negociatave apo ajo mund të ketë fatin sikurse e ka Bërçko e Bosnjës dhe Hercegovinës?

    Thaçi: Me zgjidhjen e statusit politik të Kosovës, do të zgjidhet edhe çështja e Mitrovicës, çka do të thotë se në asnjë mënyrë Mitrovica nuk do ta ketë fatin e Bërçkos.

    Kosovapress: T’i kthehemi punës në partinë që e drejtoni. PDK ka mbajtur Kongresin e tretë zgjedhor. A ka reflektuar ndonjë reformë nga ai kongres dhe nëse po, cilat janë ato reforma?

    Thaçi: Kongresi i tretë i partisë ka qenë kongres i reformimit, i hapjes, integrimit, kongres koheziv, kongres i fuqizimit të konceptit për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, një kongres që do të rezultojë me fitoren e PDK-së në zgjedhjet e ardhshme.

    Kosovapress: Është thënë nëpër media nga zyrtarë të lartë të PDK-së, se brenda partisë suaj nuk respektohet statuti. Sa është e vërtetë kjo?

    Thaçi: Unë nuk merrem me deklarime anonime, por nga zyrtarët e lartë kjo nuk është thënë.

    Kosovapress: Po, Shukri Buja ka dalë publikisht nëpër media, ku thotë se është shkelur statuti?

    Thaçi: Të qenit në parti politike është vullnetar, gjithashtu edhe largimi është vullnetar.

    Kosovapress: Tashmë po bëhen një muaj që kur Fatmir Limaj është liruar i pafajshëm nga Haga, mirëpo asnjëherë nga ai, nuk e kemi dëgjuar të ketë përmendur PDK-në. A do të thotë kjo se kthimi i tij në PDK është diskutabil?

    Thaçi: Lirimi i Fatmir Limajt dhe Isak Musliut nga Tribunali i Hagës, fillimisht dua të them se është një fitore që tregon pastërtinë dhe drejtësinë e luftës së UÇK-së dhe popullit të Kosovës. Limaj ka qenë aktiv në ndërtimin dhe fuqizimin për shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës, dhe natyrisht do të jetë implementues i fuqishëm i këtij misioni.

    Kosovapress: Kur flisni për drejtësinë e luftës së UÇK-së dhe pastërtinë e saj, a nuk mendoni se në rastin e Haradin Balajt është dënuar lufta e UÇK-së?

    Thaçi: Shpresoj dhe besoj se në shkallën tjetër, Haradin Balaj shumë shpejt do t’i kthehet familjes dhe shoqërisë kosovare. E gjithashtu besoj se shumë shpejt do të ngadhënjejë drejtësia edhe në rastet e tjera që janë ngritur kundër luftëtarëve të UÇK-së.

    Kosovapress: Mesazhi juaj për qytetarët e Kosovës?

    Thaçi: Jua uroj të gjithë qytetarëve të Kosovës Krishtlindjet dhe Vitin e Ri 2006, mbarësi dhe shëndet. /Intervistoi: Lumturie Blakaj/

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    cfar jan kta strukturat parapolitike e paraushtarake?
    kush i beson me shpifjeve te PDK-s?

    cjan keto budallalleqe me te cilat e mbyll veprimin poltik te vitit Hashim demaq vesel Togeri?

    PDk mbetet bunkeri i krimineleve.

    Mos e gzofshin vitin e ri Vrasesit qe lan pa djal Nanen e Drinit e pa bije Nanen e Sabahetes..e shum e shum nana tjera te Kosoves..!
    Ju ngecte ne fyt orgjija pojata-xhive te PDK-s..!

Tema të Ngjashme

  1. Gazeta Shekulli rendit skandalet e qeverise Berisha 2005-2009
    Nga juanito02 në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 69
    Postimi i Fundit: 12-06-2009, 13:10

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •