Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 1
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Muzeu I Shkencave të Natyrës.

    Flet Idriz Haxhiu, drejtori i muzeut të Natyrës

    “Si e fituam gjyqin e pronësisë në shkallën e parë”

    Dorina Topollaj

    Prej katër vitesh ka shkuar çdo dhjetë ditë në gjykatë. Në muze punonjësit ia dedikojnë krejtësisht atij fitoren e këtij gjyqi. “Profesori ka rrëmuar gjithë arkivat për të vërtetuar se muzeu ishte i shtetit dhe se s’kishte pronar tjetër”, thonë punonjësit të gjithë njëzëri, duke treguar se është njeriu më i pasionuar pas punës, që kanë njohur në jetën e tyre. Vetëm katër ditë më parë, Gjykata e Faktit Tiranë ka shpallur fitues shtetin në gjyqin e pronësisë së muzeut. Ndërsa përmend kalvarin e gjyqit, duket se Idriz Haxhiu, drejtori i këtij muzeu, e ka shpëtuar me thonj këtë institucion, i cili mban brenda mureve të tij 2 mijë kafshë të balsamosura. “Nuk i numërohen zerot çmimit të këtij muzeu”, thotë profesori kur këmbëngulim të na thotë se çfarë vlere monetare ka ai. Ai punon prej 40 vjetësh në muzeun e Shkencave të Natyrës dhe nuk është e tepërt të thuash se i është bërë si shtëpi e dytë.

    Pas fitimit të gjyqit për çështjen e pronësisë së muzeut në Shkallën e Parë të Gjykatës, çfarë do të bëni ju tani?

    Për mua personalisht kjo ishte një nga fitoret më të rëndësishme. Kjo për faktin se ky gjyq mund të them se është ndër të paktit, në mos i vetmi, që shteti fiton ndaj individit në këto 15 vjet. Tani pas fitimit të gjyqit do i kushtohem tërësisht punës për të thithur investime nga Ministria e Arsimit për të rregulluar muzeun. Ai është në gjendje të mjerueshme, pasi nuk i është vënë dorë për 15 vjet me radhë. Më është premtuar nga eprorët e mi që në qoftë se unë fitoja gjyqin paratë për të rregulluar muzeun nuk do të më mungonin.

    A mund të na shpjegoni historinë e gjyqit?

    Ai ka filluar para katër vitesh nga disa të ashtuquajtur pronarë të godinës ku ndodhet muzeu i Shkencave të Natyrës. Ata, në bazë të një dokumenti të lëshuar nga Komiteti i Kthimit të Pronës e quanin veten zot të muzeut. Por më pas nga gjyqi doli që firma e kryetarit të këtij komisioni nuk ishte e rregullt, pasi ai në atë kohë mbante postin e kryetarit të një minibashkie në Tiranë dhe jo atë të Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronës. Unë personalisht jam interesuar dhe kam shfletuar në arkivin e shtetit dokumente të tëra të cilat më pas i kam dorëzuar në gjykatë. Ato dokumente hidhnin poshtë pretendimet e të ashtuquajturve pronarë. Gjatë kësaj periudhe jam interesuar për gjyqin dhe kjo për arsyen se aty kam kaluar 40 vjet të jetës sime. Ai muze është një pasuri kombëtare dhe ia vlen të luftosh me gjithë forcën për ta mbrojtur. Muzeu nuk duhet të shkatërrohej, pasi aty është një punë 56-vjeçare e shumë shkencëtarëve të vendit tonë, si dhe ai është një nga më të mëdhenjtë në Ballkan.
    Gjatë kësaj lufte asnjë nuk është afruar të na ndihmojë. Në periudhën që zhvillohej gjyqi kam arritur deri aty sa të mos kisha edhe besim te gjyqtarja, nëse do të tregohej e drejtë në dhënien e vendimit. Por ata më treguan se e drejta mund të triumfojë edhe në Shqipëri.

    Profesor, a është pasuruar muzeu gjatë kësaj kohe dhe si funksionon shtimi i gjallesave apo bimëve?

    Gjatë kësaj kohe kishte probleme me fondet. Pasi drejtuesit thoshin që të zgjidhej njëherë çështja e pronësisë. Në muze puna është e ndarë në bazë të sektorëve, për shembull për zoologjinë kujdeset vetëm një person, për amfibët një person tjetër e kështu me radhë. Ne pastaj çdo fundviti bëjmë planin e punës për vitin e ardhshëm. Punonjësit e çdo sektori në fillim të muajit janar dorëzojnë planet e tyre të punës se çfarë kërkimesh shkencore do të realizojnë për atë vit.

    Muzeu duket në gjendje të mjerueshme. Shiu hyn brenda. A është ai i hapur për vizitorët?

    Muzeu deri vonë ka funksionuar rregullisht për vizitorët. Por aktualisht unë kam pasur frikë për fëmijët dhe i kam këshilluar punonjësit të bënin kujdes për të parandaluar ndonjë incident, sepse gjendja e godinës së muzeut është shumë e amortizuar dhe çatia mund të shembet nga dita në ditë. Është turp që një pasuri kombëtare si ky muze dhe me një vlerë të pallogaritshme të lihet pas dore nga shteti.

    Historia e Muzeut të Shkencave Natyrore

    Godina ku sot ndodhet muzeu i Shkencave të Natyrës, që nga ndërtimi i saj ka pasur funksione të ndryshme. Në kohën e Zogut ajo ka shërbyer si konvikt, ndërsa pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia ajo ka shërbyer për riparimin e motorëve të avionëve. Në vitin 1948, ndërtesa u kthye në Muze të Shkencave të Natyrës. Në vitet e para të krijimit të tij, muzeu ishte në varësi të Institutit të Shkencave dhe nga viti 1957 ai kaloi në varësi të Fakultetit të Shkencave Natyrore. Në vitin 1969, muzeu u riorganizua në tre sektorë: sektori i zoologjisë, sektori i botanikës dhe sektori i gjeologjisë. Në muze ka mjaft eksponate nga bota e kafshëve të Shqipërisë, atje ndodhet i ekspozuar një koleksion nga fauna ekzotike, gjithashtu ka eksponate të drurëve e shkurreve kryesore si dhe herbarin e bimëve industriale. Sektori i gjeologjisë ekspozon mineralet dhe shkëmbinjtë kryesorë të vendit etj.

    Në ndërtesën ku ndodhen pothuajse të gjitha kafshët dhe bimët që rriten në vendin tonë


    Muzeu ku dergjet balena 300 mijë $

    Në muzeun e Shkencave të Natyrës, tavani pikon mbi miliona dollarë. Dykatëshja, peng i një gjyqi 4-vjeçar, duket po aq e balsamosur sa speciet që mban brenda, por me një ndryshim: është shumë herë më pak e kushtueshme sesa ato. Edhe në kat të parë, shiu çukit ritmikisht skeletin e një balene 8 metra të gjatë, që kushton jo më pak se 300 mijë dollarë. “Një muze francez ka insistuar disa herë që ta blejë me këtë çmim në vitin 1997, por ishte ai vit që ishte dhe nuk kishim kohë të bënim verifikime, sepse ata mund të ishin edhe piratë”, shpjegon drejtori Idriz Haxhiu, duke thënë se skeleti i balenës është një nga pasuritë më të mëdha të muzeut.

    Muzeu, legenat dhe tharëset e flokëve

    Në kthinën ku pozon balena, aroma e lagështirës, parketi i mbufatur dhe tavani harta-harta, tregojnë se ky institucion s’ka provuar prej kohësh në muret e tij mistri e gëlqere. Dhurata, punonjëse e muzeut, thotë se që kur ka hyrë në punë ajo, s’është bërë asnjë restaurim, që i thonë 6 vjet. Por, drejtori i shton edhe 9 plus këtyre. Gjithsesi, s’është e nevojshme ta konfirmosh zyrtarisht. Kjo përshtypje të krijohet që para se të hysh brenda. Madje, për ata që s’kanë shkuar ndonjëherë, vetëm pllakati 200 metra mbi kryqëzimin e 21 Dhjetorit, mund t’i bindë se vërtet godina që shohin përpara është muzeu. Dykatëshja duket si ndërtesë e braktisur dhe vende-vende duket se derës i kanë dalë zorrët e saj prej tallashi. Ndërsa shiu i prek më së afërmi, ato që drejtori Haxhiu i quan “zero që s’numërohen”. “Kemi blerë vetë legenë për të mbajtur shiun. Ngaqë kemi frikë se mos na myken kafshët që janë me gëzof, i nxjerrim jashtë, madje i thajmë edhe me tharëse flokësh”, tregon drejtori.
    Dhurata na shoqëron në pjesën më të madhe të sektorëve, aty ku ndodhen kafshët, shpendët, amfibët, insektet. Ka dëgjuar nga profesorët aq shumë për speciet e balsamosura, saqë mund t’i përgjigjet çdo lloj pyetjeje. Ajo i di në majë të gishtave historitë e specieve të rralla.

    Historitë

    Çdo sektor ka historitë e tij, në varësi të asaj çfarë mban brenda. Historia e parë që marrim vesh është ajo e dy gjarpërinjve që janë arratisur nga muzeu. “Ishin të vetmet qenie të gjalla këtu”, thotë Dhurata me seriozitet, i cili thyhet në çast nga e qeshura jonë. Hyjmë te shpendët dhe atje nuk mund të mos marrësh vesh historinë e bufit të bardhë. Quhet Hrushov dhe i kanë vënë këtë pseudonim, thjesht se ka ardhur nga Rusia. Më tutje ndodhet balena, historia e së cilës është padyshim më intriguesja. “Është gjetur në ‘63-shin në Patok, dhe mendohet se është qëlluar me top nga ushtarët tanë, sepse dyshohej se ishte nëndetëse”, tregon Dhurata, duke shtuar se historinë e ka dëgjuar me dhjetëra e dhjetëra herë. “Balenat kujdesen shumë për familjen e tyre dhe mendohet se kanë qenë 5, dy prindër dhe tre fëmijë. Njëri prej tyre është plagosur dhe të tjerët nuk janë larguar, duke u përpjekur ta ndihmojnë”, rrëfen ajo duke shtuar se pikërisht në këtë moment kanë ndërhyrë ushtarët.
    “Është e rrallë që balenat kanë hyrë në Mesdhe, pasi ato duan hapësirë shumë të madhe”, na shpjegon më pas profesor Haxhiu. “Por fakti është se ajo është një nga skeletet më të pastra në Evropë. Muzetë e tjera mund të kenë balena, por skeleti i tyre mund të jetë i dëmtuar dhe disa pjesë të skeletit mund të zëvendësohen me brinjë plastike. Balena jonë është 100 për qind origjinale”, thotë profesori me krenari. Ajo është vetëm një nga vlerat më të çmuara të këtij muzeu të paçmim. “Jo vetëm nga pasuria, puna që është bërë për t’i mbledhur speciet në këto 56 vjet, apo nga vlera e tyre monetare, por edhe për edukimin e të gjithëve ne”, shton profesori.

    Pelikani i Enverit
    Në muzeun e Shkencave të Natyrës ndodhet edhe një pelikan, i cili etiketohet nga studentët e Biologjisë si pelikani i Enverit. Sipas drejtorit, shpendi është vrarë gjatë një dite gjuetie nga ish-diktatori Enver Hoxha dhe më pas është dërguar pranë muzeut për t’u balsamosur e për të shtuar koleksionin e tij.

    Peshku fluturues i Spiro Kolekës
    Ka pothuaj të njëjtën histori si pelikani. I kanë vënë këtë emër, pasi e ka zënë anëtari i Byrosë Politike, Spiro Koleka. Sipas të dhënave, peshku fluturues hidhet mbi sipërfaqen e ujit me një largësi prej 200 metrash dhe kjo për t’iu larguar grabitqarëve.

    Bufi Hrushov
    Është ndër të paktët shpendë që ka ardhur nga jashtë. Pikërisht nga Rusia. Prandaj mban edhe emrin e kreut të Bashkimit Sovjetik në vitet ’60. Ai është një shpend i veçantë, që nuk rritet në vendin tonë. Përveç tij, në muze janë edhe disa shpendë të tjerë të ardhur nga Brazili, një familje papagajsh.

    Tirana-Observer.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura   
    Ndryshuar për herë të fundit nga Xhuxhumaku : 22-12-2005 më 18:41
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

Tema të Ngjashme

  1. Protokoll bashkëpunimi mes Akademisë së Shkencave të Shqipërisë e Kosovës
    Nga Kandili 1 në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 05-04-2007, 23:43
  2. Fragmente nga Shën Grigor Teologu
    Nga Kryeengjelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 12-03-2007, 07:40
  3. Shqipëria dhe pakicat etnike
    Nga RTP në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 93
    Postimi i Fundit: 09-03-2006, 08:00
  4. Shkrihet dega e shkencave politike
    Nga Davius në forumin Mentori akademik
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 28-02-2006, 03:32
  5. Immanuel Kant
    Nga fisnik në forumin Filozofi-psikologji-sociologji
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 17-09-2005, 04:21

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •