"Friendly takeover" e Kosovës apo pjesëve të saj!
Kush janë këshilltarët e ekipit Serb Dr. Thomas Fleiner – Dr. Lidija Basta Fleiner! Propozimet serbe për Federatën Kosovare! A do të kërkojë edhe Serbia: Vetëvendosje për popujt e Kosovës! Raporti i Kai Aides, platformë shumë e gjerë dhe e legjitimuar nga Këshilli i Sigurimit dhe konjukturat vendimmarrëse ndërkombëtare, për projekte të kantonizimit por edhe aso federale, të vet Kosovës!
Shkruan: Bardhyl Metaj
Me emërimin e zviceranit Thomas Fleiner, si këshilltarë kryesorë të ekipit negociues të Serbisë, “është bërë” pak më e qartë se në cilin drejtim dhe me cilat koncepte kushtetuese e drafte legjislative, do të mbështeten propozimet e Serbisë, të paktën gjatë fazës së fundit të bisedimeve për statusin e ardhshëm të Kosovës!
Si duket, e “vetëdijesuar” nga korniza e bisedimeve, e cila është kufizuar me formulën se “nuk ka kthim në gjendjen e para vitit 99-të, si dhe, nuk ka ndarje të Kosovës por as bashkim me ndonjë union të rajonit apo shtet fqinjë” kornizë të cilën plot kreativitet e zbardhi S.J.Petersen, duke deklaruar se “negociatat po zhvillohen për t’ua hequr shqiptarëve frikën e kthimit në të kaluarën dhe serbëve frikën për të ardhmen e tyre” – udhëheqja aktuale e Serbisë - po mundohet të gjej hapësirat e nevojshme manovruese, në mënyrë që megjithatë të dalin “faqebardhë” nga ky proces historik...i cili gjithsesi, do të qojë kah ndarja definitive e këtyre dy shteteve dhe popujve!
Por, pyetja kryesore mbetet fatkeqësisht megjithatë, se cili do të jetë kualiteti i shtyllave të kësaj shtetësie...cilat janë hapësirat e shumta manovruese, “ende të pa kufizuara” për negociatorët serbë, që do të qojnë tek një zgjidhje e cila shumë herë dhe nga të gjitha instancat vendimmarrëse është thënë se do të jetë zgjidhje kompromisi? Cilat pjesë të raportit të Kai Aides dhe sugjerimeve të tij janë hapësirë e “mjaftueshme” manovrimi për palën Serbe? Sa ka ende shanse kacavjerja serbe rreth “sovranitetit të saj territorial”? A është rastësi që udhëheqja serbe emëroi pikërisht z. Thomas Fleiner për këshilltarë kryesorë dhe çfarë mund të presim respektivisht kuptojmë nga vendimi për emërimin e tij...apo në cilën fazë të bisedimeve mund të vijnë në shprehje konceptet dhe draftet e tij? A mund të ngjajë se më shumë se këshilltarë, ai, të jetë ftuar në fakt, që të sjellë koncepte dhe propozime të komplikuara e shumë teorike federale e Konfederale, me qëllim të vetëm që të arrijnë atë, të cilën e parashikonte edhe Kai Aide në Raportin e tij të fundit mbi Kosovën, në pikën 67, ku veç tjerash thuhet se: “Në komunitetin ndërkombëtar ka aktualisht një "lodhje prej Kosovës" dhe se zhagitja e “... e procesit të statusit do të rriste këtë lodhje dhe do të dobësonte aftësinë e komunitetit ndërkombëtar për të bërë këtë proces”, që përkthyer do të thotë se çdo pa vendosshemëri për imponim të zgjidhjes, nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, do të shëndronte çështjen e Kosovës në kancer të Ballkanit, të ngjashëm me çështjen e Palestinës...e cila me Kosovën ka të përbashkët, bashkëlindje defektueze, me rastin e shpartallimit të perandorisë Osmane dhe vendimeve absurdeve të Konferencës së Versajës!
Të gjitha këto por edhe shumë pyetje të tjera, na dalin përballë, posa të operacionalizojmë e përqendrojmë optin, në detajet e dokumenteve ekzistuese – bazë e bisedime tashmë të filluara!
Por të shkojmë radhazi, duke parë fillimisht kush janë këshilltarët e ekipit Serb!
Në të vërtetë, fjala është për binomin me përvojë dhe nam të madh internacional, Dr. Thomas Fleiner – Dr. Lidija Basta Fleiner, të cilët gëzojnë një reputacion të lartë, në rrethet Akademike të instituteve më me renome Europiane e botërore...por edhe në Bordet më të larta këshilluese të Bashkimit Europian, ku edhe mbajnë postet më të larta! Që të dy, janë profesorë të universitetit me renome Internacionale të Friburgut të Zvicrës, ligjërues në Universitetet më me renome botërore dhe Drejtorë të Institutit shumë Prestigjioz të Federalizmit! Flajner është figura dhe personaliteti më shquar Europian për çështje të Federalizmit, dhe bashkë-botues i revistave më prestigjioze profesionale gjermane e angleze, të Drejtësisë; President Emiratus i Asociacionit Internacional të ligjësisë konstitucionale dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të të gjitha Asociacioneve të Ligjvënësve Gjerman (Gjermani, Austri, Zvicër); Ai gjithashtu është Koordinatorë i Networkut Europian për çështje të Autonomive Lokale në shtetet Europiane; Nga postet politike dhe përvoja me Jugosllavinë: ai ka qenë në vitet 1992-93 kryesues i të gjitha Misioneve të OSBE –së për republikat e ish Jugosllavisë, si dhe këshilltarë i saj për çështjen Jugosllave në periudha të ndryshme! Ai nuk mund të reduktohet si dhëndër i Serbisë vetëm në kuptimin klasik, ngase nuk është bashkëshortë i ndonjë serbeje pastruese të institucionit e Universitetit ku ai punon, por i Profesoreshës me reputacion pothuaj më të madh se ai, në çështje dhe sfera të shumta të Drejtësisë! Ajo, ka qenë anëtare e këshillit të ekspertëve të Negociatave të Gjenevës, pjesa parapërgatitore e Konferencës së Londrës (1991-92) ku shpesh ka pas përballë të ndjerin, Fehmi Agani! Ka qenë Këshilltare për çështje Kushtetuese, në bisedimet shumë të rënda të Afrikës së Jugut, në mes ANC-së dhe Frontit Popullor të Afrikanëve (1994 dhe 1997); Në vitin 1999, angazhohet nga qeveria Greke që të bëje, një ekspertizë dhe draft kushtetues për statusin e ardhshëm të Kosovës, si dokument të qeverisë greke! Ka qenë udhëheqëse e grupit të ekspertëve (iniciativa Solana) për përpilimin e Kushtetutës Federaliste të shtetit të ardhshëm të Serbisë dhe Malit të Zi! Që nga viti 2002, është anëtare eksperte e Komitetit këshillues të Këshillit të Europës kurse nga viti 2004, Vicepresidente në këtë Këshill Europian!
Raporti i Kai Aides, platformë shumë e gjerë dhe e legjitimuar nga Këshilli i Sigurimit dhe konjukturat vendimmarrëse ndërkombëtare, për projekte të kantonizimit por edhe aso federale, të vet Kosovës!
Një pjesë të posteve dhe titujve, i përmendëm më lartë, si rrethanë lehtësuese për të kuptuar më mirë kahet e strategjisë serbe në bisedimet e Kosovës! Elementi i parë që bie në sy tek profili i tyre profesional është se Grupi negociues serb, dëshiron që projekt-propozimeve dhe koncepteve në formë të projekteve kushtetuese, të cilat në formë serike do ti ofrojë ky binom, tu jep legjitimitet të Këshillit Europian dhe BE-së, duke pas parasysh postet e ekspertëve të sajë (kujtoni deklaratat e Drashkoviqit, se të gjitha opsionet serbe janë konform BE-së)! E dyta, është që në faza të ndryshme të bisedimeve, gjithherë dhe në të gjitha variantet të flitet për zgjidhje Federale mes Serbisë dhe Kosovë, por pa i ikë as zgjidhjeve Konfederale...! Në fazën e fundit, ndërkaq, ku mendohet se megjithatë do të arrihet, që të projektohet një zgjidhje e cila ndanë këto dy vende...do të hyjnë në punë pjesët më problematike nga Raporti i Kai Aides, e të cilat nuk janë hapësira të vogla, për zgjidhje federale në vetë Kosovën...! Me këtë dëshirohet të arrihen dy qëllime: e para, shtrimin e problemit në rrafshin teorik duke iu shmangë vendimit politik, në mënyrë që, siç e theksuam më lartë, të vij deri te stërzgjatja e bisedimeve dhe sindromi palestinez...të cilin po e sforcon presidenti serb Tadiq me konceptin e dy entitetve ...dhe projektimi i kantonizimit të Kosovës, për të cilin lenë shumë hapësirë ky raport, kujtoni pjesët nga Raporti i Aides veçanërisht pikat 23, e cila “legalizon” paralelizmin e pushteteteve në Kosovë dhe lidhshmërinë e strukturave paralele serbe me ato të Beogradit, pastaj pikat, 51, ku thuhet se, “Prandaj, me disa përjashtime. serbët e Kosovës do të kthehen vetëm në vendet ku ata mund të gjejnë siguri në numër me qasje në shërbimet e tyre vetanake...” dhe pika 53, ku thuhet se “Një politikë më fleksibile e asistencës për t'ua mundësuar të kthyerve rivendosjen në zona sipas dëshirës së tyre duhet të shqyrtohet...; dhe tutje, po aty, se ”Përkrahja, kësisoj do tu ofrohej njerëzve (serbëve) atje ku ata mund të jetojnë dhe jo vetëm në vendet ku kanë jetuar” , që ska se si të kuptohet ndryshe pos se, kërkohet koncetrimi dhe krijimi artificial i enklave; si dhe pika 56, ku për Kishat serbe thuhet se “Ka nevojë për të krijuar një "hapësirë mbrojtëse" përreth këtyre objekteve me qëllim që të mos jenë aq të ekspozuara ndaj manipulimit politik...Duhet gjetur modalitete të cilat do ti vendosnin objektet fetare serbe nën një formë të mbrojtjes ndërkombëtare...” dhe në vazhdim, përfundimisht politizimi i decentralizimit, i cili fatkeqësisht, do të paraqesë fushëbetejën kryesore, e për të cilën në raportin e Kai Aides krijohet hapësirë shumë e madhe, veçanërisht në pikën 58, ku shprehimisht thuhet se, “Për të realizuar një kthim të qëndrueshëm dhe komunitete të qëndrueshme minoritare, do të nevojitet procesi i decentralizimit”, pikë e cila ngrihet dhe paraqitet si kusht themelorë për praninë e minoritetit serbë në Kosovë, duke e kualifikuar politikisht me qëndrimin se,”Decentralizimi, do të përmirësoje mundësinë e komuniteteve joshqiptare në Kosovë që të ruajnë identitetin e tyre dhe jetën e tyre, të ndërtojnë besim në të ardhmen dhe të inkurajohen që të marrin pjesë më aktivisht në institucionet qeverisëse të Kosovës”! Kësaj pjese të raportit, mbi decentralizimin i kushtohet rëndësi e veçantë në raportin e Aides dhe s`kemi asnjë arsye të besojmë se kështu nuk do të bëj edhe ekipi negociues serb! Në vazhdim të këtij raporti, shih pikën 60-të, raport i cili për shumë aspekte të bisedimeve do të shërbej si platformë, thuhet se “Decentralizimi tani duhet të shqyrtohet seriozisht, në një kornizë më të gjerë, duke çuar në decentralizim të pushtetit dhe rritje të kompetencave në nivel lokal”, pikë e cila pasohet me një platformë mjaft galante dhe e cila në vete legalizon relacionet federale apo konfederate (pika 60-të), “Një kornizë e tillë do të mund të përfshinte një numër komunash të reja e ku ne veçanti serbët e Kosovës do të kishin shumicë ne theksuar. Kjo mund të parashikojë kompetenca të shtuara në sferat si ajo e policisë, drejtësisë,: arsimit, kulturës, mediave dhe ekonomisë, duke përfshire edhe emërimin e zyrtarëve kyçë. Do të mund të lejonte po ashtu lidhje horizontale midis komunave me shumicë serbe... Mund të shqyrtohen po ashtu edhe modalitete për lidhje të posaçme me Beogradin, pa i dhënë Beogradit autoritet mbi komunitetet e tilla”. Shkurt e shqip e thanun, kjo pjesë e këtij raporti shumë problematik, është një përplotësim dhe një Road-Map politike, e pikave 51,53,56,58, për lidhjen vertikale e horizontale të enklavave serbe mes vete, por edhe me Beogradin. Domethënë, platformë shumë e gjerë e legjitimuar nga Këshilli i Sigurimit dhe konjukturat vendimmarrëse ndërkombëtare për projekte të kantonizimit por edhe aso federale të vet Kosovës, të cilat në deklaratën e parë për media, këshilltari tashmë i emëruar serb, Prof. Dr. Thomas Fleiner i përmblodhi si zgjidhje, të cilat “do t`i nxjerrin faqebardhë të dyja palët” karshi qytetarëve të vet!
Duke pas për bazë të gjitha publikimet e këtij eksperti si dhe stilin e tij të krijimit të postulateve lapidare në formë sloganesh, të cilat pastaj krijojnë kornizë dhe platformë për operacionalizimin e zgjedhjeve, parashoh, se z.Thomas Fleiner, në ndonjë fazë të bllokadës së negociatave do të del me moton, Vetëvendosje për popujt e Kosovës, si formulë e cila në shikim të parë, kënaq të gjitha palët dhe e cila është shumë vështirë të kundërshtohet! E përimtuar, kjo formulë do të thotë, se edhe serbët e Kosovës, ashtu si edhe shqiptarët, kanë të drejtë të vetëvendosjes, gjithsesi në kuadër të një federate Kosovare e cila pastaj atyre, gjithherë bazuar në platformën e shtruar nga Kai Aide, do tu ipte përgjegjësi të integrimit në Institucionet kosovare, por edhe të drejtë në lidhje dhe relacione të veçanta e speciale me Serbinë dhe qeverinë e saj!
Cili është imazhi i federatave dhe sa konsiderohen ato në bashkësinë Ndërkombëtare si zgjidhje fatlume? A jenë akceptable këto koncepte federale për bashkësinë ndërkombëtare?
Federalizmi gëzon reputacionin dhe konsiderohet si “zgjidhja më efektive dhe fatlume institucionale e realiteteve multikulturore”, kështu shkruan eksperti më i njohur dhe respektuar për çështjet federale, kanadezi, Roland Watts...( i cili do të ishte eksperti më i preferuar për ekipin kosovarë, jo që të këshillojë rreth federalizmit por që të hedh poshtë propozimet federaliste, si njohës i shkëlqyer i të metave të tyre) dhe kështu do të propagandojë e lobojë edhe Prof. Dr. Thomas Fleiner! Aktualisht në gjithë rruzullin tokësorë jetojnë rreth 40% e popullsisë së përgjithshme botërore, në shtete me struktura Federale! Shumica e tyre janë multikulturale apo edhe multinacionale!
Janë dy arsye themelore, që po bëjnë që Federalizmi po përjeton një renesancë: e para ngase ofron një zgjidhje për integrim dhe demokratizim të shteteve multietnike dhe multikulturore dhe e dyta ngase, është strukturë moderne e cila në mënyrë eficiente përbashkon dhe mbledh e zgjidh nevojat dhe kërkesat e popullsisë së një vendi si dhe ato të identitetit të theksuar lokal e minoritarë!
Por cilat janë të metat e tij, veçanërisht në rastin e Kosovës?
Zgjidhjet federale nuk kenë qenë model asnjëherë në dezintegrimet e ndodhura në Federatat “postkomuniste” respektivisht të atyre që dolën nga Bashkimi Sovjetik...bile as në rastet kur, siç ngjau në disa prej tyre, të cilat në vete kanë edhe “minoritet” rus, prej 20 milionësh! Nuk është aplikuar një zgjidhje e tillë as në rastin e ish-Jugosllavisë, ta zëmë në Maqedoni, apo Kroaci, pa harruar edhe vetë Serbinë dhe çështjet ende të pazgjidhura mirë të Vojvodinës dhe Sanxhakut! Me të vetmen arsye ngase këto krijesa të “reja” kanë nevojë për strukturë të fortë qendrore, veqanerisht në fazë të parë të formësimit të struktura e shtyllave të shtetësisë!
Pastaj Federalizmi nuk është një produkt i përfunduar njëherë e mirë, apo një “set i fiksuar” institucionesh, por më tepër është një projeksion pragmatik i teknikës së inkorporimit dhe vëmendjes ndaj Interesave partikulare! Prandaj në plan të saj të parë nuk qëndron një ideologji por gjithherë dhe gjithkund – çështja e pjesëmarrjes në vendimmarrje dhe ndarja e përgjegjësive! Vendimtare për suksesin apo mos suksesin e një federate, paraqitet gjithherë aftësia, forca dhe përvoja e Institucioneve respektivisht, softueri...d.m.th, faktori njeri! Element që vetvetiu në rastin e Kosovës nuk mund të paramendohet si i aplikueshëm ngase në Kosovë, nuk kemi të bëjmë vetëm me një proces shpërbërjeje përmbyllëse të ish Jugosllavisë por edhe me shoqëri postkonfliktuoze, të pasluftës, ku plagëve të luftës as që u është dhënë shans që të shërohen! Për më shumë, ky koncept si tillë, është rrugë e minuar për strukturën e brishtë të institucioneve të shtetit të Kosovës...që të dështojë që në hapat e parë dhe të tregohet jo-funksional! Pastaj një element tjetër qendrorë i federatave mbetet se ato janë krijesa të proceseve të gjata historike e jo vendime konferencash! Kultura politike është lokomotiva e suksesit të Federalizmit zviceran...shtet i cili shumë shpesh merret si shembulli më i suksesshëm i integrimit të popujve të të katër gjuhëve si dhe të kantonizimit...por Zvicra, me të drejtën për vetëvendosje për çdo kanton bile edhe për pjesë të tij, është krijesë qindvjeçare dhe produkt i kulturës dhe mendësisë politike të formësuar historikisht! Shpërbërja e ish federatave të bllokut të lindjes ndërkaq, është proces që ka kahe të kundërt, atë të vënies në vend të padrejtësive nacionale dhe formësimit të shteteve kombëtare!
Pajtimi dhe e ardhmja e përbashkët, Kosovare!?
Shqiptarët e Kosovës si shumicë në Kosovë, me serbët kosovarë si pakicë i “bashkon” aktualisht por edhe në të ardhmen e një Kosove të pavarur, elementi i fatit të ngjashëm kombëtarë e individual historik!
Derisa shqiptarët kosovarë tash e njëqind vite, jetojnë ndaras trungut të natyrshëm territorial e kombëtarë të Shqipërisë së cungueme,...në një proces shumë të disfavorshëm politik, rrethanash e regjimesh diktatoriale të gjithfarshme serbe..., serbët e Kosovës, ndërkaq, aktualisht - pas tragjedive të shembura mbi bashkëqytetarët e tyre shqiptarë, në të cilat ishin pjesëmarrës aktivë, kush më shumë e kush më pak, por të gjithë - duhet (të detyrohen) të mësojnë të artikulojnë dhe formësojnë identitetin e tyre serbo-kosovarë, në kuadër të një Kosove të Pavarur...ku duhet të organizojnë e etablojnë qenësinë e tyre politike, kulturore dhe fetare – por gjithsesi të pavarur - nga amplitudat e politikës së Beogradit...! Rrethanat të cilët ju ofrohen atyre, në një Kosovë të super-monitoruar, nga të gjitha instancat dhe reflektorët ndërkombëtarë të shekullit XXI, janë shumë, shumë më të favorshme se plagët asnjëherë të shëruara të kalvarit të shqiptarëve të Kosovës në 100 vitet e fundit nën Serbi! Bile, e them pa ironi, se në këtë rrugëtim të domosdoshëm të tyre, ata mund të mësojnë shumë nga historia e shqiptarëve të Kosovës...para se të tentojnë të marrin mësime nga ko-patriotët e tyre në Kroaci, çfarë nuk do të ishte keq! Nga shqiptarët e Kosovës, veçanërisht nga gjashtëmbëdhjetë vitet e fundit të Lëvizjes së tyre, duhet të mësojnë të respektojnë dhe pse jo edhe ti kopjojnë... ngase ata ditën të ndërtojnë identitetin e tyre politik, të organizojnë e ndërtojnë ambiciet e tyre kombëtare, si kosovarë dhe për Kosovën, jashtë koncepteve të bashkimit kombëtarë dhe strukturave të shtetit amë...Shqipërisë!
Serbët kosovarë, por edhe ata në Serbi, po dëshirojnë...apo thjeshtë po harrojnë, “ndoshta edhe pa fajin e tyre”...d.m.th nga arsyeja se shqiptarët kanë theksuar shumë rrallë zyrtarisht, së fundi në deklaratën e parë të grupit negociatorë, se po bëjnë një kompromis të madh, duke sakrifikuar dhe ngulfatur një vullnet dhe inercion historik...atë të bashkimit me Shqipërinë, me shtetin amë!
Kaq, asgjë më tepër, seç po bëjnë shqiptarët e Kosovës, s`kërkohet sot, as prej serbëve kosovarë!
Një përzierje e realitetit dhe perceptimit...të të ardhmes së përbashkët kosovare!
Autori është Kolumnist i gazetës “Java”, Prishtinë
www.gazetajava.com
Krijoni Kontakt