
Postuar më parë nga
Llapi
Qeveria: Të shembet vila e Kadaresë në Golem
Nën goditje edhe Skëndo, Rosh e Male
Ismail Kadare shkrimtari i madh shqiptar nuk ka për të pushuar më në vilën e tij në Golem, nëse shteti e ka seriozisht me kërcënimin që ka bërë për prishje të vilave të një fshati turistik. Prej disa ditësh policia ndërtimore i ka dërguar letrën për prishje të disa prej vilave të fshatit turistik Ada Holding në Golem të Kavajës, të cilat i përkasin Kadaresë dhe biznesmenëve Marsel Skëndo, Zhyljen Roche e Behar Male.
Burime zyrtare në policinë ndërtimore e kanë pranuar ekzistencën e kësaj letre, ndërsa kanë thënë se ndërkohë është duke u bërë një kontroll verifikimi në të gjithë bregdetin. Ky fshat turistik në të cilën ka një vilë të tijën edhe shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare ishte gjobitur më parë me 2 milionë dollarë. Tani shteti nuk kërkon më gjobën por kërcënon me shkatërim të vilave si zgjidhje për parregullësitë e vëna re. Çështja ka mbetur pezull që në kohën e qeverisjeve socialiste.
Zëvendësimi i gjobës
Prej kohësh qëndronte në fuqi një gjobë që ish-drejtuesit e turizmit në kohën e qeverisë socialiste vendosën për fshatin turistik në fjalë. Gjoba përfshinte 2 milionë dollarë si ndëshkim për parregullësitë që janë vërejtur në zbatimin e projektit, tejkalimin e parametrave fillestarë si dhe mospasjen e lejes. Kjo gjobë nuk u pagua asnjëherë dhe policia ndërtimore, drejtuesit aktualë të saj kanë shfrytëzuar raportet e paraardhësve për t’i dërguar letrën për prishje. Tashmë nuk kërkohet më gjoba prej 2 milionë dollarë.
Kontrollet
Policia ndërtimore, sipas burimeve zyrtare është duke bërë kontrolle përgjatë gjithë bregdetit shqiptar për të verifikuar shkeljet që janë bërë në urbanistikë, ndërtimet pa leje dhe për të stidiuar vendet ku duhet të ndërhyet. Kontrolli vjen pas deklarimeve si elektorale por edhe vendosjes në programin qeveritar të çështjeve që kërkojnë zgjidhje të problemeve që lidhen me turizimin. Berisha premtoi vendosje të rregullit në bregdet si pjesë të strategjisë për turizmin, prishjen e ndërtimeve pa leje. Sipas tij strategjia për turizimin do të niste që gjatë dimrit për të përgatitur vendin për pritjen e sezonit të ri turistik.
Kadare
Ismail Kadare, gjatë udhëtimeve të tij mes Parisit dhe Tiranës ndalet shumë shpesh edhe në Golem në vilën e tij në plazh që është pjesë e fshatit turistik të cilit i është dërguar letra për shembje të ndërtimeve. Në atë vilë kanë marrë shkas ose janë vazhduar edhe disa nga veprat më të fundit të tij letrare të botuara në Francë dhe në Shqipëri. Por tani shkrimtari i madh shqiptar duhet të shkëputet pak nga realiteti i tij i letërsisë për t’u përballur me rrezikun e humbjes së pronës së tij. Ai nuk është i vetmi që kërcënohet se do të humbasë vilën, janë edhe disa biznesmenë mes të cilëve edhe Marsel Skëndo dhe Zhyljen Roche, aksionerët më të mëdhenj të dy mediave, të cilat duket se janë edhe burimi i vërtetë i “andrallave” më të fundit edhe tani në kohën e qeverisjes së PD-së
ZEVENDESOHET GJOBA
Policia Ndërtimore nuk i kërkon më gjobën prej 2 milionë dollarë fshatit turistik në Golem, por i ka dërguar njoftimin për shembjen e ndërtimeve
Banorët
Ndër banorët më vip të këtij fshati është shkrimtari Ismail Kadare i cili qëndron në vilën e tij në Golem sa herë kthehet në Shqipëri nga Franca
Kontrollet
Policia ndërtimore është duke kontrolluar dhe verifikuar të gjitha ndërtimet në bregdetin shqiptar si pjesë e përgatitjeve për sezonin e ri turistik.
g.sh