-----------------------------------------------------
Emri i tij ngjalli shumë debate pas trazirave të vitit 1997, por ish-kreu i SHIK-ut, Bashkim Gazidede, është rikthyer thuajse pa u vënë re në Shqipëri. Së bashku me të shoqen dhe dy vajzat e tij, Bashkim Gazidede është rikthyer në banesën e mëparshme, është ulur normalisht nëpër kafetë e Tiranës pa rënë në sy të kërkujt. Kanë qënë vetëm miqtë e tij të ngushtë që e kanë përshëndetur apo e kanë takuar, gjatë ditëve të para të rikthimit Bashkim Gazideden. Fqinjët e tij pohojnë se kanë qënë të shumtë njerëzit që i kanë urdhëruar mirëseardhjen në shtëpi ish-kreut të SHIK-ut, e apartamenti i tij duket se ka vend vetëm për ta. Megjithëse ka ditë në Tiranë, Bashkim Gazidede ka mënjanuar çdo takim me mediat. Në apartamentin e tij, në një pallat pesë katësh në Tiranën e Re janë të mirëpritur vetëm njerëzit që janë të njohur për familjen. Në fakt, që pas largimit të tij nga Shqipëria, në mesin e vitit 1997, askush nuk ka patur dijeni të saktë për vendndodhjen e Gazidedes dhe familjes së tij. Burime të besueshme thonë se Bashkim Gazidede është përgatitur për t’u rikthyer në Shqipëri gjatë ditëve të para të korrikut, atëherë kur ka qenë i sigurt edhe rikthimi i PD-së në pushtet.
Ka qënë një leje kalimi e siguruar nga Ministria e Brendshme ajo që i ka mundësuar zyrtarisht rikthimin në Shqipëri, ish- shefit të Shërbimit Sekret, Bashkim Gazidede. Burime të Ministrisë së Brendshme bëjnë të ditur se pikërisht nga ky institucion ka dalë leja e kalimit për Bashkim Gazideden, pasi prej vitesh ish -profesorit të fizikës i kishte skaduar pasaporta. Falë kësaj lejeje të siguruar, Bashkim Gazidede ka mundur të kalojë normalisht në pikën kufitare të aeroportit të Rinasit. Zyrtarisht nuk dihet vendi nga e ka nisur rrugën e kthimit Gazidede, por ai ka përdorur si vendkalimi tranzit, Turqinë. Burime të besueshme thonë se për një kohë të caktuar Bashkim Gazidede ka qëndruar në Pakistan dhe nuk është çudi që rikthimi i tij pas tetë vjetësh në vendlindje të ketë pikënisjen nga ky vend. Gjithsesi, Gazidede, duke përjashtuar çdo mundësi kontakti me median shton tymnajën e diskutimeve rreth vendit ku qëndroi gjatë 8 viteve të arratisë. Pas largimit nga Shqipëria në vitin 1997 askush nuk ka ditur me saktësi vendondodhjen e tij apo vëshirësitë ligjore me të cilat është përballur gjatë këtyrë viteve. Vetë Gazidede premtoi se gjithçka që lidhet me të do ta bëjë me dije gjatë një konference për shtyp, e cila pritet të organizohet javën e ardhshme.
-----------------------------------------------------
Krijoni Kontakt