Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Medi Prodani, historia e gjallë e kitarës shqiptare

    Medi Prodani, historia e gjallë e kitarës shqiptare

    ...Medi Prodani, ka qenë një ndër kitaristët më të mëdhenj të Shqipërisë. Në vitet ’52, kur Shqipëria kishte shumë pak kitaristë, emri dhe fama e tij kishin marrë dhenë, ai ishte kitaristi numër një në këtë periudhë. Kur, ka qenë në Lushnje, ai i ka dhënë mësim në kitarë edhe këngëtares së madhe, Vaçe Zela. Por, ndërkohë që të gjithë njerëzit ishin të magjepsur pas tingujve brilantë të kitarës së tij, dhe kur të gjithë mendonin që ai do të ishte kitaristi kryesor në të gjitha Festivalet dhe aktivitetet kulturore kombëtare dhe ndërkombëtare, fati u tregua i pamëshirshëm me të. Nuk i’u krijua asnjë mundësi për të shprehuar talentin e jashtëzakonshëm të tij, në skenën e festivaleve, apo të aktiviteteve të tjera, që organizoheshin, në kohën kur ai ishte në kulmin e moshës e të krijimtarisë muzikore. Përkundrazi, provoi përjashtimin nga Radio-Tirana dhe për gjashtë vite rresht, edhe qelitë e lagështa dhe të ftohta të burgut, vetëm pse dashuroi dhe lidhi jetën me vajzën e një të arratisuri. Tashmë ai ndodhet në pension dhe ndonëse ka 75 vite mbi shpinë, akoma nuk është ndarë nga kitara e tij e dashur, që i largonte trishtimin dhe dhimbjen në çastet më të këqija, qoftë kur punonte tek “Vollga”, qoftë kur kryente vitet e rënda të burgut komunist. Akoma kompozon dhe interpreton, madje pas viteve të demokracisë, ka marrë shumë ftesa dhe ka interpretuar në spektakle të mëdha, ku ndër ta është spektakli “12 vallëzime pa një të shtunë”. Po bën përgatitje, që të gjitha krijimet e tij t’i përmbledh në një album dhe në një koncert recital

    Për moshatarët e brezit tuaj, ju njiheni si një ndër kitaristët më të mirë që kishte Shqipëria në atë kohë. Kur dhe si e keni mësuar kitarën?

    Kitarën e kam mësuar që kur isha në moshën 13-vjeçare. Ma ka mësuar Andon Xhaçka, i cili në atë kohë punonte si drejtor banke. Ishte pikërisht ky njeri që më mësoi akordin e parë të kitarës. Kur unë e mësova dhe i rashë këtij akordi ia futa me vrap për në shtëpi dhe e gdhiva gjithë natën duke i rënë këtij akordi. Ky ishte arti i parë që më rrëmbeu. Më pas, duke dëgjuar kitaristët e tjerë, fillova t’i imitoj dhe kështu për dhjetë ditë arrita t’a mësoj shumë mirë përdorimin e kitarës.

    Talenti juaj në kitarë, shpërtheu në kohën kur ju ishit në moshën më të bukur të rinisë. Si e ndieje veten me kitarë në dorë, para një publiku që të dëgjonte dhe të duartrokiste fort?

    Ndihesha shumë mire. Njerëzit më donin dhe më respektonin, jo vetëm për atë kënaqësi që u jepja me tingujt e ëmbla të kitarës sime, por edhe për faktin se unë isha shumë i thjeshtë para tyre.

    Gjatë kësaj periudhe, a merrnit ftesa për t’i rënë kitarës nëpër dasma?

    Merrja shumë ftesa, por nuk më pëlqente të shkoja nëpër dasma.

    Po në koncertet që organizoheshin atëherë, a ju ftonin?

    Kam marr pjesë vetëm në koncertet që organizoheshin nga Organizata e Bashkimeve Profesionale dhe jo në festivale apo koncerte të tjera të mëdha, sepse isha i persekutuar.

    Në mbrëmjet e vallëzimit që organizoheshin nga ndërmarrjet, a shkonit shpesh?

    Shkonim, por vetëm në rastet kur ne ishim të lirë, ose kur ishim në ditë pushimi.

    Nga bisedat me bashkëmoshtarët tuaj kam mësuar se në vitet ’52, nga të gjithë kitaristët që kishte Shqipëria në këtë periudhë, juve ju quanin si kitaristin më të mirë të të gjitha kohrave. Sa e vërtetë është kjo?

    Për atë kohë unë quhesha si më i miri. Më vonë dolën edhe kitaristë të tjerë. Talenti im ra në sy të Andon Xhaçkës, i cili punonte si drejtor banke. Ai më punësoi në Radio-Tirana. Këtu qëndrova pak vite, sepse më përjashtuan nga puna me motivacionin, shkurtim organik.

    Domethënë, ky ishte shkaku që të pushuan nga Radio-Tirana?

    Jo, nuk ishte ky shkaku. Më përjashtuan, sepse u njoha dhe u martova me një vajzë që kishte babanë të arratisur.

    Pas përjashtimit tuaj nga Radio-Tirana çfarë ndodhi më pas me ju?

    Për shumë kohë mbeta pa punë. Doja të hyja edhe punëtor krahu, por, nuk më linin as punëtor krahu. Pas sorollatjeve të mëdha duke kërkuar punë, doli një drejtor, që më bëri nder duke më punësuar te “Vollga”, jashtë dëshirës së organizatës bazë të partisë. Në Vollga punova për rreth shtatë vjet rresht.

    Teksa punoje në “Vollga”, për çfarë ëndërroje më shumë?

    Më pëlqente të punoja në radio, ose në Opera, ku ishte vendi, apo altari i një muzikanti të vërtetë, por kjo dëshirë e zjarrtë m’u refuzua menjëherë. Më pas më vendosën edhe prangat.

    Pra, në vend që ti të punësoheshe në Opera, të futën në burg, në çfarë viti të kanë arrestuar?Në vitin 1976.

    Sa vjet burg keni bërë?

    Kam bërë gjashtë vjet. U dënova shtatë, por një vit e përfitova nga falja.

    Sa orë punoje në burg?

    Pesë orë.

    Në burg vazhdove t’i bije kitarës, apo u shkëpute përfundimisht nga muzika?

    Nuk u shkëputa, por vazhdova të merrem me muzikë edhe gjatë kohës së vuajtjes së dënimit. Por, gjatë qëndrimit këtu, nuk i bija më kitarës, por firzamonikës. Në burg, unë dhe një grup artistësh krijuam grupin tonë, ku unë isha përgjegjës i grupit, ndërkohë i bija firzamonikës.

    Ku e mësuat këtë vegël muzikore?

    Firzamonikën e mësova në burg.

    Domethënë shkuarja juaj këtu, lehtësoi edhe dhimbjen e të burgosurve të tjerë, pasi me muzikë u keni larguar dhimbjen?

    Mendoj që po.

    Në burg, ju organizonit koncerte?

    Po. Organizonim një herë në javë. Veç punës si solist, i bija dhe firzamonikës.

    Ku i jepnit koncertet?

    I jepnim para të burgosurve.

    Kur dole nga burgu u punësove në ndonjë institucion artistik?

    Jo, nuk u punësova në asnjë vend, më punësuan punëtor krahu. Nuk më çuan as në “Vollga” ku kisha punuar për shumë vite, para se të burgosesha. Punova hamall, në një magazinë në Tërshisë. Ngrija arka me patate. Pas burgut nuk e zura më me dorë kitarën, por bëra punë të rëndomta.

    Pas gjithë këtyre vuajtjeve, kur erdhi demokracia në Shqipëri, në vitin 1990, të ofruan ndonjë post?

    Kur erdhi demokracia në Shqipëri, fillova punë në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë. Punova si pedagog i parë i kitarës për gati katër vjet, sepse më pas dola në pension.

    Ju njiheni si kitarist, po për të kënduar keni kënduar ndonjëherë?

    Nuk kam kënduar asnjëherë gjatë jetës sime, por kam qenë pjesëtar i muzikës popullore shqiptare, jepja koncerte. Nuk u mora me këngë, sepse ishte vëllai im Agimi dhe nuk mund të bëheshim dy këngëtarë.
    Në periudhën e shkëlqimit tënd në kitarë, vëllai juaj Agim Prodani ishte një talent.

    Çfarë mendonte ai për talentin dhe famën tuaj që kishte marrë dhenë?

    Sa herë ai bënte kompozime, vazhdimisht kërkonte edhe mendimin tim. E dinte ai që unë kisha veshë harmonikë dhe shumë të hollë për muzikë. Ai, më përqafonte përzemërsisht sa herë që unë ia ndryshoja skemat. Me Agimin kam shkuar shumë mirë.

    Mund të zbuloni ndonjë person që të ka bërë nderin më të madh?

    Nderin më të madh ma ka bërë Vera Grabocka. Para, dhjetë vjetësh ajo më ftoi tek spektakli “12-Vallëzime pa një të shtunë”.

    Me çfarë u paraqitët në këtë spektakël shou?

    U paraqita me ca kompozime spanjolle, me tri sambo shumë të bukura, të cilat i kam të inçizuara. Më pas më ftoi në spektaklet e tij edhe regjisori Petro Bozo. Por Verën nuk e harroj kurrë.

    I bini akoma kitarës?

    I bie, kam vënë re se jam bërë më i mirë në kitarë. Kam përgatitur edhe pesë pjesë virtuoze, dhe kur t’i vijë momenti do t’i inçizoj dhe me ta mund të paraqitem në një koncert recital, apo mund t’i përmbledh në një album së bashku me disa krijime të tjera.

    Keni interpretuar ndonjë pjesë me kitarë para të huajve?

    Kam interpretuar. Kur isha në Vollga, teksa interpretoja një rapsodi, më afrohen dy soprano dhe dy violinistë, tek tribuna dhe më falenderojnë. Ata u mahnitën nga loja ime për rapsodinë “Lisi”. Erdhën edhe ca gjermanë nga Lajpcingu. Edhe ata u mahnitën kur më dëgjuan në interpretimin e “Paganinit”. Ata më falenderuan, por ndërkohë më kapën sigurimsat dhe më thanë: “-Çfarë u fole këtyre?”, -Asgjë u thashë, pasi unë nuk di gjermanisht”. Këto kanë qenë dy momentet më të bukura me të huajt. Kjo ka ndodhur në vitet ’60-‘70.

    Duke parë se ju keni një jetë shumë të trazuar, të vjen keq që kishit shumë për të bërë, por ndërkohë jeta dhe fati u treguan shumë të pamëshirshëm me ju, duke mos ju dhënë mundësi dhe kohë të shprehnit talentin e madh që ju kishte dhënë natyra?

    Më vjen shumë keq që nuk m’u dha mundësia të përfshihesha në koncertet dhe festivalet, që organizoheshin në periudhën që unë isha në kulimin e talentit dhe të frymëzimit. Diskrimini që më bënin më mërziste dhe më frenonte shumë, bile nga mërzitja për disa vite braktisa edhe kitarën dhe u dhashë pas mësimit të gjuhës angleze, ndërkohë që flisja shumë mirë frëngjisht. Për 10 vjet jam marr me anglisht. Përktheva nga shqipja në anglisht edhe vargje të poetes së mirënjohur, Mimoza Ahmeti.

    Fëmijët tuaj kanë marrë profesionin tuaj?

    Djali i vogël Voltani ka mbaruar Akademinë e Arteve të Bukura për kompozicion, ka bërë dhe një specializim pasuniversitar në Itali. I bie shumë bukur kitarës, është një kompozitor dhe një pianist shumë i mirë.

    Jeni i kënaqur që ka marrë profesionin tuaj, ndërkohë që artistët paguhen shumë pak tek ne?

    Unë nuk kam dashur të marr këtë rrugë, madje kam vuajtur për këtë. I kam thënë, “përse more këtë profesion, nuk ta heq kush muzikën”, por ai nuk më dëgjoi mua. Gjithësesi është pasioni i tij dhe unë i uroj jetë të gjatë dhe udhë të mbarë në rrugën artistike që ka nisur.

    Sot.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Brari
    Anëtarësuar
    23-04-2002
    Postime
    18,826
    thx xhu ..per kto shkrime interesante..

    ja keshtu me prodana na sill e jo si nje dizaj me laraska te Ps-se..lol.

    kam nje cd me regjistrime nga andre Segovia.. e do ja jepja me gjith qejf ketij Kotarristit te gulageve te PPSH-Ps-se.. Medi prodanit..
    Past jet e shendet e ta gezoje demokracine..!

  3. #3
    i/e regjistruar Maska e Ard
    Anëtarësuar
    09-05-2004
    Postime
    504
    Brezi i humbur i muzikanteve qe kaloi kalvarin me te dhimbshem.
    Artisti mbetet artist dhe askush nuk e shuan shkendijen e tij!






    p.s.Se c'me hipi ne koke te klikoj sot tek forumi i muzikes(pasioni im i vjeter)

  4. #4
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    29-11-2010
    Postime
    16,205

    Për: Medi Prodani, historia e gjallë e kitarës shqiptare

    https://www.youtube.com/watch?v=fLsH59DXmjs

    Voltan Prodani në një rrëfim edhe për babanë e tij - Mjeshtrin Medi Prodani.

Tema të Ngjashme

  1. Çfarë mendoni për Ahmet Zogun?
    Nga honzik në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 242
    Postimi i Fundit: 03-03-2014, 08:03
  2. Plavë e Guci
    Nga Davius në forumin Bashkëpatriotët e mi në botë
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 05-10-2008, 23:36
  3. Historia e Kishes Katolike shqiptare ne Kosove
    Nga NoName në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 15-06-2006, 16:43
  4. Letërsia Shqiptare
    Nga [A-SHKODRANI] në forumin Enciklopedia letrare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 24-10-2005, 14:02

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •