Eskorta e Nanos përfundon në polici
26 Nentor Një qytetar denoncon truprojën Pirro Ymeri se e ka dhunuar fizikisht dhe kërcënuar me armë
Pirro Ymeri, badigardi i ish-kryeministrit Fatos Nano, është denoncuar mbrëmjen e djeshme nga një qytetar për ushtrim të dhunës fizike dhe prishje të pronës. Ndërkaq janë shoqëruar në polici vetë Pirro Ymeri dhe denoncuesi, ku po u merren deklarimet përkatëse. Së bashku me Ymerin dhe denoncuesin janë shoqëruar edhe të tjerë pjesëtarë të eskortës së Nanos, me qëllim pyetjen e tyre në cilësinë e dëshmitarit. Lajmi është bërë dje i ditur nga burime të Policisë së Tiranës, të cilat sqaruan se ngjarja ka ndodhur në orët e vona të natës pranë shkollës “Teknologjike” në kryeqytet.
Incidenti
Sipas burimeve të sipërpërmendura, eskorta e Nanos, e përbërë nga tri autovetura ka qenë duke udhëtuar në këtë aks rrugor të unazës së kryeqytetit. Ndërsa denoncuesi i quajtur Ilir, ka hyrë me mjetin e tij që drejtonte në mes të tri makinave të eskortës së ish-kryeministrit. Pas këtij gjesti të qytetarit, që ndoshta nuk e ka ditur se makinat mes të cilave kishte hyrë ishte eskorta personale e Nanos, këta të fundit e kanë ndaluar. Ndërkaq, denoncuesi pretendon se truproja e Nanos, Pirro Ymeri, e ka dhunuar fizikisht, duke e qëlluar me grushta. Madje, ai pretendon se Ymeri e ka kërcënuar me armë, duke i vënë pistoletën në fyt. Ndërsa ka shtuar në kallëzimin e tij në polici se i kanë thyer edhe xhamin e autoveturës së tij.
Shoqërimi
Burimet pohojnë se në vendngjarje kanë mbërritur uniformat blu, të cilat kanë shoqëruar të dyja palët. Kjo me qëllim sqarimin e situatës në të cilën ka ndodhur ngjarja. Gjithashtu pritet që policia dhe prokuroria të vendosin masat që do të merren për të denoncuarit, nëse faktohen pohimet e qytetarit, i cili pretendon se është kërcënuar me armë dhe është dhunuar fizikisht nga truproja e Nanos. Burimet saktësojnë se në momentin e incidentit, ish-kryeministri Fatos Nano nuk është ndodhur me eskortën e tij.
Krijoni Kontakt