25.11.2005

Ministeriali i tretë, Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor, vlerësoi sot pozitivisht vullnetin politik dhe programin e qeverisë së Shqipërisë për të ndërmarrë masa të shpejta për goditjen e krimit të organizuar dhe për reformimin e sistemit gjyqësor në vend.

“Bashkimi Europian mirëpret progresin që po bën Shqipëria në luftën kundër krimit të organizuar, për kontrollin dhe mbikqyrjen e kufijve, për luftën kundër pastrimit të parave, për bllokimin e trafikut të drogës dhe implementimin e legjislacionit antimafia” – thuhet në deklaratën përfundimtare të ministerialit që u zhvillua në Vjenë, në prag të transferimit të presidencës së BE-së nga Britania e Madhe tek Austria.

Takimi përcaktoi si prioritete për vitin 2006 forcimin e kontrollit kufitar në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit dhe në portet e Durrësit dhe Vlorës. Një vëmendje e madhe pritet t’i kushtohet trajnimit të thelluar të forcave të policisë si dhe rritjes së numrit të procedimeve penale kundër krimit të organizuar.

“Ne presim një implementim të suksesshëm të të gjitha reformave që po ndërmerren nga qeveria e Shqipërisë, veçanërisht përsa i përket pastrimit të parave” – thuhet në deklaratën e Ministerialit, e cila u paraqit nga zëvendëspresidenti i Komisionit Europian, Franco Frattini. Ky i fundit, krahas hapave pozitive të qeverisë shqiptare, të vlerësuara edhe në deklaratën e mësipërme, është shprehur optimist për progresin që Shqipëria ka bërë në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar.

Duke folur për Shqipërine, komisioneri Frattini, e cilësoi atë si një vend nga i cili duhet marre shembull. Kam vënë re me kënaqësi të gjitha progreset që jane bërë në luftën ndaj krimit të organizuar dhe përmiresimnit të legjislacionit. “Edhe pse mbetet ende për të bërë, ka një progres të dukshem përsa i përket përmirësimit të legjislacionit”, theksoi ai.



Në lidhje me sistemin e vizave ai u shpreh se ky është një problem, mbi të cilin po punohet veçanërisht edhe nga qeveria austriake, e cila do te marre drejtimin e BE-së vitin e ardhshem. Liberalizimi i vizave do të sjellë edhe një ndikim pozitiv në goditjen e trafikut të qenieve njerëzore. Nga lehtesimi i dhënies së vizave mund të përfitojne fillimisht studentët, biznesmenët,zyrtarët, etj.



Përsa i përket përpjekjeve të qeverisë shqiptare dhe ministrave Olldashi e Bumçi, Frattini shprehu mbështetjen e tij të plotë. “Unë ju mbështes dhe do t’ju mbështes personalisht për të patur sukses në misionin tuaj. Suksesi juaj është edhe suksesi im”.



Deklarata u pasua me prezantimet që bënë ministrat e Drejtësisë, Aldo Bumçi dhe i Brendshëm, Sokol Olldashi, për reformat që po ndërmerr qeveria e Shqipërisë, në përmbushje të angazhimeve të saj politike që përputhen me angazhimet që vendi ynë ka marrë përpara Bashkimit Europian.

Bumçi dhe Olldashi paraqitën reformat ligjore dhe strukturore që po ndërmerr qeveria shqiptare në policinë e shtetit dhe në sistemin e drejtësisë, reforma që morrën mbështetjen e plotë të Komisionit Europian edhe dy ditë më parë, në takimin që Bumçi dhe Olldashi zhvilluan me zëvendëspresidentin Frattini, në Bruksel.

Ministeriali BE-Ballkani Perëndimor është aktiviteti më i rëndësishëm për vlerësimin individual të të gjitha vendeve që aspirojnë anëtarësinë në BE dhe përbën një test të rëndësishëm për raportet mes Komisionit Europian dhe secilit prej vendeve të Gadishullit.