Si e njoh unë Shqipërinë

Marcie Ries

Është një kënaqësi shumë e madhe që flas në këtë forum të shquar. Do të doja të filloj duke falënderuar profesorin Kondis dhe institutin për ftesën tuaj të këndshme. Dua gjithashtu, të shpreh mirënjohjen time për stafin e konsullatës amerikane këtu në Selanik, për ndihmën gjatë vizitës sime.
Megjithëse kjo është vizita ime e parë në Selanik, në Greqi udhëtoj shpesh, meqenëse kam një arsye disi të veçantë për të ardhur. Nuk është se na bie rasti t'i dëgjojmë fjalimet e njëri-tjetrit, ndaj e kam kënaqësi që ambasadorja Ris është këtu sonte. Për pothuajse një vit, tani kam pasur privilegjin të shërbej si ambasadore amerikane në Shqipëri, prandaj është kënaqësi të vizitoj një mike dhe aleate shumë të mirë të Shteteve të Bashkuara për të folur mbi një vend tjetër me të cilin Shtetet e Bashkuara gëzojnë një marrëdhënie të shkëlqyer. Shqipëria është një partnere e jashtëzakonshme e Shteteve të Bashkuara në luftën globale kundër terrorizmit, ka kontribuar në mënyrë bujare me trupa në forcën evropiane në Bosnjë, si edhe ka një dislokim trupash komando në Irak.
Sonte, dëshiroj të flas mbi ku është Shqipëria sot dhe për ku mendoj se është drejtuar. Besoj fort që Shqipëria po lëviz në një drejtim pozitiv, që do të thotë, drejt demokracisë së mirëfilltë, anëtarësimit në strukturat euroatlantike, si dhe integrimit në ekonominë globale të tregut të lirë.Mund të thoni, epo, diplomatët i paguajnë për të qenë optimistë, por do të doja të flas mbi ato lloje ndryshimesh që shikoj çdo ditë dhe që janë shenja për drejtimin në të cilin Shqipëria si e tërë është drejtuar. Ndoshta keni dëgjuar për ndryshimet shumëngjyrëshe në Tiranë. Anembanë qytetit ndërtesa të reja tërheqëse janë në ndërtim. Rrugët po përmirësohen. Shqiptarë të rinj sipërmarrës, shumë prej të cilëve janë kthyer pasi kanë jetuar dhe punuar jashtë vendit, po hapin biznese të reja çdo ditë. Zhvillohen ekspozita ndërkombëtare kulture, shfaqje kulturore, festivale filmi, ka restorante dhe bare të mrekullueshme. Çdo ditë takoj njerëz që po punojnë fort për t'i dhënë formë ndryshimeve pozitive në qytet. Ky ritëm zhvillimi nuk është përhapur në të gjitha pjesët e Shqipërisë, por përparim është bërë edhe në qytetet provinciale. Industritë e udhëtimit dhe turizmit po zhvillohen. Në Tiranë, gjatë pak viteve të fundit janë hapur dy hotele ndërkombëtare të klasit të parë dhe shumë hotele të reja janë hapur në bregdetin shqiptar. Një linjë e re, teleferiku i çon vizitorët në majën e malit të Dajtit, duke dhënë mundësinë për pamje spektakolare të Tiranës. Këtë verë që kaloi, për herë të parë, anije u ndalën në bregdetin shqiptar dhe pasagjerët eksploruan vende të ndryshme në brendësi të vendit. Përparim i madh është bërë në zhvillimin e Butrintit, një mjedis i bukur dhe historikisht i rëndësishëm historik dhe një park kombëtar. Mund të shkohet lehtë nga Korfuzi. Mund të shtoj që shumë amerikanë dhe grekë po punojnë së bashku në Butrint dhe vende të tjera për të ndihmuar përpjekjet restauruese.
Duke i vendosur këto ndryshime në perspektivë, është vërtet mbresëlënëse se sa rrugë ka bërë Shqipëria qysh nga viti 1991, kur populli përmbysi një prej regjimeve më shtypëse dhe më të mbyllura në historinë e kombeve-shtete moderne. Trashëgimia shkatërrimtare komuniste dhe niveli përgjithësisht i ulët i zhvillimit ekonomik, një trashëgimi e periudhës parakomuniste, nënkuptonte që Shqipëria e nisi tranzicionin e saj paskomunist në kushte gjerësisht më të vështira sesa vendet e tjera në rajon. Megjithëkëtë, qysh atëherë, shqiptarët kanë bërë përparime mbresëlënëse në demokratizimin e vendit dhe shoqërisë së tyre. Vërtet, për të përdorur fjalët e një teoricieni të shquar të demokracisë, shqiptarët kanë treguar që ndërtimi i demokracisë është arti i asaj që është e mundshme të bëhet dhe jo thjesht asaj që ka gjasa të bëhet.
Përparimi i bërë lë vend për optimizëm, por dëshiroj të vë në dukje edhe një numër gjërash të tjera mbi Shqipërinë sot.
Në sferën e politikës së brendshme, zgjedhjet e fundit përbënin një pikë kthese, jo për shkak të kush fitoi apo humbi, por, sepse ishin zgjedhjet më legjitime në Shqipëri në periudhën paskomuniste. Këto zgjedhje nuk ishin të përkryera dhe votimi u desh të përsëritej në disa zona, por në fund, të gjitha palët i pranuan rezultatet dhe ndodhi një transferim paqësor i pushtetit mes partive tradicionale kundërshtare. Kjo përbën një hap madhor drejt demokracisë së mirëfilltë, ku të gjithë lojtarët pranojnë rregullat e lojës, po ashtu edhe rezultatet. Kemi qenë dëshmitarë të rotacionit paqësor të pushtetit mes dy partish politike të moderuara që kanë rrënjë të ndryshme, por që gjithsesi janë në një mendje në lidhje me synimet kyçe, të tilla si demokracia, zhvillimi i ekonomisë së tregut të lirë dhe integrimit euroatlantik. Është për t'u shënuar që këto synime gjejnë mbështetje të gjerë edhe mes publikut shqiptar, një publik shumë fetar, por prapëseprapë tolerant; një publik në të cilin ideologjitë nacionaliste dhe ekstremiste gjejnë pak jehonë; një publik që është mbështetës i fortë i anëtarësimit në NATO dhe BE.
Një shënim i fundit mbi zhvillimet pozitive në politikën e brendshme: edhe pse korrupsioni vazhdon të mbetet një problem serioz, fakti që kohët e fundit është diskutuar hapur dhe debatuar publikisht është inkurajues. Në fakt, qeveria e re e ka bërë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përparësinë më të lartë. Ne mendojmë që këto janë përparësi të mira dhe kemi në plan të bëjmë gjithçka mundemi për t'i mbështetur ato.
Në sferën ekonomike, ka shumë arsye për optimizëm. Me afro 6 për qind në vit, ritmet e rritjes shqiptare kanë qenë më të lartat në Evropë gjatë dy viteve të fundit. Inflacioni është i ulët falë politikave të përgjegjshme monetare dhe fiskale. Shumica e sektorëve të ekonomisë, përfshi bujqësinë dhe ndërtimin, duket se kanë dalë mjaft mirë në gjysmën e parë të vitit 2005. Shqipëria është anëtare e OBT-së, mbi 90 për qind e tregtisë zhvillohet me vendet e BE-së dhe Greqia është partneri i dytë më i madh i Shqipërisë. Tekstilet dhe materialet e ndërtimit përbëjnë eksporte të suksesshme. Falë një programi energjik privatizimi, sektori privat përbën mbi 75 për qind të GDP-së dhe 80 për qind të punësimit.
Gjithsesi, GDP-ja e Shqipërisë është ende më e ulëta në Evropë pas Moldavisë. Shqiptarët ende hedhin sytë drejt vendeve jashtë kufijve të tyre për shanse ekonomike. Gjatë pesëmbëdhjetë viteve qysh nga rënia e komunizmit, shumë kanë zgjedhur të lëvizin për në vendet e Evropës, përfshi Greqinë, apo në Shtetet e Bashkuara për të gjetur vende pune për vete dhe një të ardhme më të mirë për fëmijët e tyre. Mendoj që kjo prirje po kthehet në drejtimin tjetër tani, megjithëse ende nuk kemi fakte të qëndrueshme statistikore për ta provuar këtë. Sigurisht, sa më shumë që shqiptarët të ndiejnë dhe të shohin rezultatet e përparimit ekonomik në vendin e tyre, aq më shumë do të duan të qëndrojnë në Shqipëri dhe të jenë pjesë e asaj rritjeje dhe zhvillimi.
Shqipëria e ka pasur përparësi kultivimin e marrëdhënieve të mira me të gjithë fqinjët e saj, edhe pse gjendet në një rajon të paqëndrueshëm. Në vitin 1999, shqiptarët luajtën një rol shumë konstruktiv, duke ndihmuar zgjidhjen e konfliktit në Kosovë dhe qeveri të njëpasnjëshme e kanë pasur përparësi kultivimin e marrëdhënieve të mira me të gjitha vendet në rajon. Ish-ministri i Jashtëm kreu takimin e parë me një homolog serb në 40 vjet dhe pasardhësi i tij zhvilloi një takim të ngjashëm gjatë takimit të fundit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Është për t'u shënuar që anëtarësimi në NATO dhe BE qëndron në qendër të politikës së jashtme të Shqipërisë dhe që ekziston konsensus në mbarë spektrin politik në lidhje me këto synime. SHBA-ja i mbështet plotësisht përpjekjet që Shqipëria po bën për të përmbushur kriteret për anëtarësim dhe shpresojnë për sukses. Së fundi, Shqipëria premton të vazhdojë të luajë një rol kritik moderues në rajon. Kjo do të jetë edhe më e rëndësishme këtë vit, sidomos, nëse fillojnë bisedimet mbi statusin e ardhshëm të Kosovës.
Të gjitha këto janë arsye për të qenë optimistë për Shqipërinë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që vendi nuk ka problemet e veta. Megjithëse ekonomia ka ecur mirë në shumë mënyra, papunësia dhe nivelet e varfërisë mbeten të larta, veçanërisht në zonat fshatare, duke kontribuar në të këqija sociale të tilla si trafikimi i qenieve njerëzore dhe drogave. Fakti që qeveria e re e ka bërë reformën ligjore dhe luftën kundër korrupsionit, një përparësi që duhet të ndihmojë në krijimin e një klime më të mirë për investime dhe rritje ekonomike. Sektorët e arsimit dhe shëndetësisë, shtylla kurrizore e zhvillimit shoqëror dhe ekonomik, vuajnë nga nënfinancimi dhe infrastruktura e dobët. Edhe këtu, e përsëris, problemet janë pranuar dhe sidomos në arsim, ekziston një përqendrim për të sjellë përmirësime shpejt. Mungesa e zhvillimit ekonomik, sidomos nga pikëpamja e infrastrukturës, mbetet një çështje madhore. Megjithëse zhvillimi nuk është parakushti i vetëm i demokracisë, lidhja mes të dyve është një prej marrëdhënieve më të forta statistike në studimin e demokratizimit dhe, ka nuk ka dyshim që forcimi i ekonomisë së Shqipërisë do të ndihmojë forcimin e institucioneve të saj demokratike.
Mendoj që të gjithë jemi në një mendje që rritja dhe zhvillimi i shoqërisë civile janë thelbësore për funksionimin e një demokracie të pjekur. Në Shqipëri, shoqëria civile, e cila praktikisht nuk ekzistonte gjatë periudhës komuniste, është rritur jashtë mase vitet e fundit. Organizata anembanë vendit po punojnë për të përfshirë qytetarët në vendimmarrjen pjesëmarrëse dhe qeverisjen në nivelin vendor. Ka gjithashtu, organizata që ofrojnë shërbime për grupe të marxhinalizuara, të tilla si: gra dhe vajza të trafikuara, fëmijët e rrugës, njerëz me paaftësi, si edhe ata që përqendrohen mbi çështje të jashtme, promovimin e të drejtave të gruas e kështu me radhë. Një koalicion organizatash vendore luajti një rol shumë të rëndësishëm për të nxjerrë në votime, si edhe për të mobilizuar qindra vëzhgues vendorë në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Përfshirja e shoqërisë civile në fazat e lobingut dhe hartimit të zhvillimit të politikave ka treguar disa hapa inkurajues vitet e fundit. Për shembull, një grup OJQ-sh shqiptare ka punuar në mënyrë të efektshme me qeverinë për hartimin e Strategjisë Kombëtare Antitrafikim. Të tjerë kanë bërë presion mbi qeverinë dhe Parlamentin për politika dhe legjislacion më të mirë mjedisor. Koalicioni Shqiptar Kundër Korrupsionit punoi për afro 12 muaj për të ndihmuar hartimin dhe paraqitjen e legjislacionit për deklarimin e pasurive financiare për mbi 2 500 zyrtarë të lartë qeveritarë.
Në këtë sektor ka shumë udhëheqës të rinj të talentuar dhe pres që në vitet që do të vijnë do të bëhet shumë më tepër nga pikëpamja e forcimit të kapaciteteve të këtij sektori, në çuarjen përpara të besimit midis organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve të tyre në qeveri dhe në sektorin privat, si dhe në krijimin e hapësirave për pjesëmarrjen e qytetarëve në procesin e politikë-bërjes.
Qeveria e re do të përballet me shumë sfida për të gjetur emëruesin e përbashkët me opozitën politike, diçka e nevojshme për reformat që nevojiten. Reformat përfshijnë rënien në ujdi dhe qeverisë do t'i duhet të përcaktojë përparësitë. Reforma nuk është kurrë pa dhimbje ndaj qeverisë së re do t'i duhet të trajtojë detyrën sfiduese për të edukuar publikun si mbi kostot ashtu edhe mbi përfitimet nga anëtarësimi në organizatat euroatlantike.
Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të përkushtuara për ta ndihmuar Shqipërinë t'i kapërcejë këto sfida. Jemi dhe do të mbetemi të angazhuar në të gjitha çështjet që përmenda dhe do të bashkërendojmë dhe bashkëpunojmë nga afër me kolegët tanë evropianë në këtë drejtim. Sukseset që vëzhgojmë në Shqipëri janë rezultat i drejtpërdrejtë i këtij bashkëpunimi. Për më tej, bashkërendimi i donatorëve së bashku me qeverinë shqiptare do të ndihmojë për të identifikuar synime të përbashkëta.
Shtetet e Bashkuara, së bashku me kolegët tanë në BE po ofrojmë asistencë për të ndihmuar Shqipërinë të përmbushë shumë prej synimeve që përmenda. Asistenca jonë synon promovimin e reformave demokratike, ekonomike, ushtarake dhe shoqërore, përforcimin e stabilitetit rajonal dhe zbatimit të ligjit, si edhe zhvillimin e programeve të shkëmbimit. Gjithashtu, mbështesim programe që synojnë parandalimin e trafikimit dhe ndihmojnë për mbrojtjen dhe riintegrimin e viktimave të trafikuara.
Për ta mbyllur, meqenëse ky institut i përkushtohet studimit të Ballkanit, më lejoni të them disa fjalë mbi rajonin në përgjithësi. Ka shumë arsye përse mund të jemi optimistë mbi të ardhmen e demokracisë liberale në Ballkan. Vendet e Ballkanit janë të lidhura nga pikëpamja shpirtërore, historike dhe gjeografike me qendrat e mëdha të demokracisë perëndimore, begatisë dhe novacionit në ekonominë botërore. Mjafton të hedhim vështrimin deri në Vjenë, Romë, apo Athinë, për të parë të mirat që mund të sjellin demokracia dhe ekonomia e tregut. Ç'është më e rëndësishme, popujt e Ballkanit e shohin veten se i përkasin vendosmërisht sferës perëndimore të qytetërimit dhe janë në një mendje me vlerat e saj qendrore të demokracisë, lirisë individuale dhe të drejtave të njeriut. Prandaj, është shpresa jonë që vizioni ynë për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe në fund të fundit do të përfshijë integrimin e vendeve të Ballkanit në bashkësinë tonë ndëratlantike.
Përfshirja e vazhduar e Brukselit dhe Uashingtonit së bashku dhe siguria dhe begatia që do të sjellë anëtarësimi në strukturat perëndimore janë ogur i mirë për rajonin. Premtimi i zgjerimit të BE-së dhe NATO-s, në fakt, është instrumenti ynë i vetëm më i rëndësishëm i politikave për të siguruar një rajon ballkanik të qëndrueshëm, të begatë dhe demokratik. Tek e fundit, ishin pikërisht mbështetja pozitive evropiane dhe amerikane që ndihmuan në sigurimin e stabilitetit, begatisë, demokracisë dhe anëtarësimin në strukturat euroatlantike për vendet e Evropës Qendrore dhe shtetet e Balltikut. Për herë të parë qysh nga rënia e Murit të Berlinit, të gjitha shtetet e Ballkanit shohin drejt procesit të integrimit në NATO dhe në BE; të gjitha kanë deklaruar përkushtimin e tyre ndaj qeverisjes demokratike dhe ekonomisë së tregut. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ndihmuar Shqipërinë dhe fqinjët e saj t'i arrijnë këto synime në këtë fazë kritike në historitë e tyre.

* Fjala e ambasadores Marsi B. Ris
në Institutin e Studimeve Ballkanike, Selanik