Shoqata 9 janari në Shkodër:Tragjedinë e Karaburunit e fsheh vetë shteti
Sipas kreut të shoqatës, Nikoll Mëhillaj, dëshmitë tregojnë se në det ishin 2 gomone
“Në tragjedinë e 9 janarit në Karaburun kanë qenë dy gomone në det, por shteti vetë e ka fshehur njërën prej tyre dhe në tjetrën ka grumbulluar trupat e jetë dhe të pajetë që janë gjendur në mes të natës në mes të detit”. Kjo deklaratë vjen nga kreu i shoqatës 9 janari, Nikoll Mëhillaj, i cili në 5- vjetorin e tragjedisë së ndodhur pranë gadishullit të Karaburunit më 9 janar të vitit 2004. Në këtë ditë tashmë e cilësuar me të drejtë si e “zezë”, udhëtonin me gomone drejt Italisë 39 persona, por fati i keq e desh që prej tyre vetëm 11 të ktheheshin të gjallë, 21 të vdekur, ndërsa 7 deklarohen të humbur që prej asaj dite. Ndërkaq, nga instancat shtetërore të asaj kohe u deklarua se në det ka qenë vetëm një gomone, por sot pas 5 vitesh ekzistojnë dëshmi që tregojnë se në det kanë qenë 2 gomone por për ta minimizuar sa më shumë tragjedinë, është deklaruar vetëm njëra.
Dëshmia e Sokol Bizhgës
“Atë mbrëmje në det kanë qenë 2 gomone. Në gushtin e vitit 2008, më ka rënë në dorë një dëshmi, ku Sokol Bizhga, në momentin kur ka qenë Shef i Krimeve të Republikës ka nxjerrë përpara tre prokurorëve momentin e një gomoneje të dytë përveç asaj ku janë gjetur apo vendosur edhe të gjallët e të vdekurit e fatkeqësisë së 9 janarit. Unë nuk di se ku ta marr njeriun më të përgjegjshëm se sa këtë person që është shef i krimeve”, ka bërë të ditur Mëhillaj, sipas të cilit, gomonia për të cilën ka deklaruar Bizhga, është konstatuar në orën 6:30 të mëngjesit në gjirin e Palasës dhe ajo me viktima e të gjallë në orën 10:30 në një vend tjetër. “Prandaj shtrohet pyetja se pse nuk është hetuar për këtë mjet që dyshohet edhe sot, që ka pasur destinacion tjetër dhe është “mbytur” nga misteri? Shteti e ka manipuluar këtë fakt dhe i ka marrë trupat e i ka çuar në Sazan. Trupat janë grumbulluar në mes të detit nga dy gomonet dhe ka dalë sikur të gjithë kanë qenë në një gomone. Gomonen e parë e kanë zhdukur dhe nuk dihen edhe disa trupa kurse të dytën e kanë mbushur me të tjerët dhe deklarojnë se janë gjetur në një gomone”, shton kreu i shoqatës së 9 janarit, sipas të cilit “kështu vërtetohet se shteti është vënë në shërbim për të mbyllur këtë çështje pa u marrë vesh se çfarë është bërë realisht”. Mëhillaj shpreh dhe një herë pikëllimin për këtë tragjedi të pazbardhur prej 5 vitesh duke siguruar se do të vazhdohet të kërkohet drejtësi. Kështu, edhe pas 5 vitesh, tragjedia e Karaburunit vazhdon të mbetet e mistershme për ekzistencën e një gomoneje tjetër dhe të 7 trupave që deti nuk i nxori kurrë dhe që kërkimet nuk i gjetën kurrë. Megjithatë shoqata e 9 janarit shprehet e sigurt se nuk do të mungojë asnjëherë këmbëngulja për zbardhjen e kësaj tragjedie, e cila mundon jo vetëm familjarët e viktimave për gjetjen e autorëve të vërtetë të saj dhe dënimin e tyre sipas ligjit. Tragjeditë ujore në vendin tonë të ndodhura gjatë 16 viteve të fundit, numërojnë rreth 235 viktima, trupat e një pjese prej të cilëve nuk kanë mundur të gjenden që prej ditës së mbytjes së tyre.
E ëma e Marlen Mhillaj:
“Lotët e Berishës, lot krokodili”
Drejtuesi i G99 Erion Veliaj dhe aktivistë të tjerë të kësaj lëvizje vizituan dje familjen e z. Nikollë Mhillaj në Shkodër, i cili humbi të birin e tij Marlenin, në tragjedinë e 9 janarit, 5 vjet më parë. Veliaj, i cili drejtoi në vitin 2004 protestat e Lëvizjes MJAFT! për këtë tragjedi tha se, “është e pafalshme që drejtësia ka qenë totalisht e padukshme për tragjedinë e 9 janarit”. Të njëjtin mendim me drejtuesin e G99 kishin edhe familjarët e Marlenit, Nikolla dhe Agia, të cilët nuk ngurruan të venë në dukje faktin se, ish opozitarët e dikurshëm, Sali Berisha dhe Jozefina Topalli nuk bënë asnjë përpjekje për të zbardhur të vërtetën e kësaj tragjedie, gjatë gjithë mandatit të tyre qeverisës.
“Tani po e kuptojmë se lotët e Berishës dhe të Topallit, paskërkishin qenë lotë krokodili”, u shpreh ëma e Marlenit, Agia. Kur fitoi PD-ja, shumë menduan se diçka do lëvizte në drejtim të zbardhjes së të vërtetës të tragjedisë së 9 janarit, e se zvarritjet e institucioneve për të vënë drejtësinë në vend, do të merrnin fund. Vetë Sali Berisha, atëherë lider i opozitës dhe deputetja e Shkodrës Jozefina Topalli, u premtuan familjarëve se, “nëse në zgjedhjet e 2005-s pushtetin e merr PD-ja, s’do lemë gur pa lëvizur që drejtësia të vihet në vend”. Por dje u mbushen plot 5 vjet nga ajo tragjedi dhe drejtësia nuk është vënë në vend.
Krijoni Kontakt