Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Άγιος Ειρηναίος της Λυών Maska e Seminarist
    Anëtarësuar
    10-05-2002
    Postime
    4,982

    Eparkia arbëreshe në Kalabri

    --------------------------------------------------------------------------------

    Papàs Antonio Bellusci
    Itali

    Origjina dhe Zhvillimi Historik i Eparkisë Bizantine Arbëreshe e Ungrës në Kalabri dhe Mbrojtja e Identitetit Arbëresh (1439 – 1919)

    Hyrje

    Papa i Romës, Benediti XV, themeloi në vitin 1919 eparkinë bizantine arbëreshe e Ungrës, në krahinën e Kozencës, Itali. Në vitin 1937 u krijua edhe eparkia bizantine e Hores e Arbëreshëve, në krahinën e Palermo-s dhe Monastiri i Grotaferrates (Roma), i themeluar në shekullin X nga shën Nili. Këto përbëjnë sot rrethin e Kishave bizantine katolike në Itali dhe varen nga Kongregacioni i Kishave Orientale në Romë.

    Në këtë kumtesë do të sjell një përmbledhje vetëm mbi origjinën dhe zhvillimin historik fetar të katundeve arbëreshe në Kalabri dhe në Bazilikatë, duke filluar nga Sinodi i Florencës (1439) deri në krijimin e Eparkisë bizantine arbëreshe të Ungres (1919) në Kalabri.

    Qëllimi im është t'ju njoftoj disa përfundime që do të lidhin ngushtë historinë tonë të vogël pesëshekullore fetare bizantine në trungun e shenjtë dhe të lashtë të 2000- vjetorit të Krishtërimit ndër Shqiptarët, që është sot dhe tematika e këtij Kuvendi.

    Falënderoj me zemër Konferencën Episkopale të Shqipërisë, që më ftoi dhe më dha rastin të marr pjesë, me shumë gëzim, bashkë me gjithë ju sot këtu në Tiranë.

    1 – Sinodi i Florencës (1439),

    2 – Sinodi i Trento-s (1563),

    3 – Kolegji "Corsini" (1732),

    4 – Themelimi i Eparkisë bizantine arbëreshe në Ungër (1919).


    1. Sinodi i Florencës


    1.1. Në sinodin e Florencës (1439) u nënshkrua lidhja midis Kishës latine të Romës dhe Kishës ortodokse të Kostandinopojës. Një ngjarje historike për ne arbëreshët, sepse këtu filloi dhe historia jonë në Itali. Në vitin 1446 sulltani otoman, Murat II, pushtoi Morenë në Peloponezë, në vitin 1448, Kosovën, në vitin 1450, Shqipërinë, dhe në vitin 1453 qytetin e shenjtë të Kostandinopojës.

    Emigrimet e para në Itali, sipas historianit arbëresh Pjetër Pompilio Rodotŕ, ndodhën në 1461, në 1467, në 1471 deri në vitin 1744, kur banorët e Piqerrit nga Himara erdhën në Itali dhe themeluan katundin Villa Badessa (Pescara).


    1.2. Në vitin 1468 vdiq Skënderbeu, "Atleti i Krishtit" dhe "Mbrojtës i Besës së krishterë", ashtu siç e kanë lavdëruar Papët e Romës. Lidhur me këto shpërngulje të "Motit të Parë", ashtu si e lavdëron shekullin XV poeti Jeronim de Rada, kemi edhe disa dëshmi historike, që etërit tanë i vunë dhe i kënduan me vjersha.


    1.3 E njihni edhe ju këngën nostalgjike të mërgimtarëve arbëreshë:


    "Oj e bukura More,

    si të le u më s'të pe;

    atje kam u zotin tat

    atje kam u zonjën mëmë

    atje kam edhe tim vëlla

    gjithë t'mbuluar

    nën Atdhe"

    E Morea ish atdheu dhe vendi nga iknin etërit tanë.


    1.4 Prifti arbëresh, Mikele Scutari, famullitar në Shën Kostandin Arbëresh, në vitin 1825 botoi arbërisht këto vjersha:

    "Maumeta duaj na vrin

    E na erdhëm ndë Litinj

    Petkat e t'mirat tona

    I lam gjithë te Korona

    Erdh me ne Shër Mëria

    Kur iktim ka Turkia

    Ajo vate Xhenacŕn

    Na qëndruam Napulltan".


    Ky tekst në gjuhën arbëreshe është i pari dokument deri sot, që na tregon se Shën Mëria, Mirëkëshilltare e Shkodrës, shkoi e iku "Ka Turkia" (dmth nga otomanët) dhe vate dhe mbeti në Xhenacan, dhe etërit tanë bëjnë banesë në tokat e mbretit të Napulit.


    1.5 Arkimandriti arbëresh, Pjetër Camodeca (1847–1918), nga katundi Kastërnexhi, shkruan dhe ai këta vjersha:


    "Petkat e të mirat tona

    na i lamë te Korona

    Krishtin vet kemi me ne,

    Oj e bukura More

    Thellë të pjast me lotë ndër si (Sy)

    Na t'lipismi, oj Arbëri".


    1.6 Në një dorëshkrim të vitit 1822, që gjendet në arkivin tonë, është dhe kjo këngë që ka për titull: "Canzona nella morte di Scanderbec", me këto vjersha me shumë domethënie:


    "Kur vdiqi Skënderbeu

    trimazit t'Arbërit

    më birin përmisurith

    kush ndë pjëh, e kush ndë hi

    se s'doin më vetëhenë.


    Kur vdiqi Skënderbeu

    vashatë t'Arbërit

    më birin përmisurith

    kush ndë pjëh, e kush ndë hi

    se s'doin më vetëhenë


    Kur vdiqi Skënderbeu

    pjeqërit t'Arbërit

    më birin përmisurith

    kush ndë pjëh, e kush ndë hi

    se s'doin më vetëhenë.

    Por treqind mil trima

    iktin, çajtin detin

    se t'mbajtin besëzën".


    1.7 Besa e mërgimtarëve arbëreshë tek Perëndia, tek Shën Mëria e Jëma e Perëndisë, tek Shenjtrat është një dhuratë e madhe nga Zoti për Kombin dhe për Diasporen.


    "Oj e larta Besa jonë

    sa t'bukura na buthëton!", - këndojnë edhe sot arbëreshët.


    Vërtet mund të vërtetohet se shkaku kryesor i etërvet tanë, për të emigruar në Itali, ka qenë të mbajnë të gjallë Besën e krishterë të shenjtë tek Perëndia Inzot. Dhe kjo Besë ushqimin shpirtëror kryesor e kish dhe e ka ende sot në ritin dhe në zakonet e kishës bizantine. Në vitin 1763, Pjetër P. Rodotŕ shkruan se banorët e Koronës, në vitin 1534, kanë shkuar në mbretërinë e Napulit, bashkë me episkopin e tyre me ritin bizantin, që quhej Benedikti.


    1.8 Etërit tanë besimtarë, në kohën e Skënderbeut, ishin nën juridiksionin fetar të Mitropolitëve ortodoksë të vendeve tek ku gjëndëshin: Epiri, Himara, Peloponezi dhe krahinat e tjera të Helladhes.

    Papa Leone X, në vitin 1521, lejon që priftrat me ritin bizantin mund të celebrojnë liturgjinë dhe mund të japen sakramendet dhe në katundet latinë. Ashtu bëri edhe Papa Pavli III, në vitin 1536, i cili i jep lejen episkopit ortodoks, Josafat Lombňs, të mbajë juridiksionin mbi arbëreshët.

    Deri në vitin 1562 Mitropolitët bizantinë "të Agrixhentit të Italisë dhe të të gjithë Perëndimit", kanë pasur nga Papa i Romës lejen për juridiksionin e tyre mbi të krishterët arbëreshë në diasporë. Siç duket, edhe nëse Sinodi i Florences nuk zbatohej plotësisht, megjithatë, ai ka mbajtur vlerësinë e tij për bashkimin midis dy Kishave motra.

    Dhe Gabrieli, episkop ortodoks i Ohrit (1581–1604), vinte rregullisht në Itali për shugurimet priftërore të klerit arbëresh. Shumë bukur ndodhi se bashkë me mërgimtarët arbëreshë, në atë kohë, ishin edhe priftrat me ritin bizantin. Dhe sot në katundin arbëresh Fallkunara Arbëreshe (Kozenca), prifti famullitar quhet nga besimtarët: "Zoti kapedan".


    1.9 Sipas bashkimit dhe marrëveshjeve të Sinodit të Florencës, etërit tanë, megjithëse ishin me ritin bizantin dhe nën juridiksionin e Patriarkut të Kostandinopojës, kanë qenë të pranuar nga ipeshkvijtë latinë si besimtarë të të njëjtit Besim: Besimi i Nikesë – Kostandinopolitan të vitit 325. Dhe kështu, për ata mërgimtarë ka qenë e mundshme, me sakrifica të shumta, të mbajnë ritin bizantin, zakonet dhe gjuhën amtare.


    1.10 Episkopët latinë të vendit, duke u dhënë mikpritje etërvet tanë, kanë nënshkruar me ata dhe disa marrëveshje, që quhen "Capitolazioni", për të rregulluar probleme shoqërore dhe ekonomike të ndryshme midis dy palëve. Kështu, këto "Capitolazioni", që dëftojnë dhe vitin e ardhjes së etërvet tanë, na tregojnë se në vitin 1471 u nënshkruan "Capitolazioni" për katundin Shën Mitri Koronevet; në vitin 1486 për Shën Sofia Epiros; në vitin 1490 për Shën Vasilin; në vitin 1491 për Frasnita; dhe në vitin 1506 për katundin Fermoza, të gjithë në krahinën e Kozencës.


    2. Sinodi i Trento-s


    2.1 Vendimet disiplinore të Sinodit në Trento lidheshin veçanërisht me vendbanimin e episkopeve, me Sinodet dioqezane, me vizitat e episkopëve në famullitë dhe me themelimet e seminareve. Por interpretimi dhe zbatimi i këtyre vendimeve shkaktoi dëme të shumta në komunitetet tona arbëreshe bizantine, dhe, mjerisht filloi një politikë kishtare për një humbje dhe një asimilim të plotë nga ana e latinëve.


    2.2 Në vitin 1564 Papa Pio IV vuri komunitetet arbëreshe nën autoritetin e episkopëve latinë, duke akuzuar arbëreshët "se kishin mendime të rrezikshme dhe heretike". Ky Papë anulloi të gjitha të drejtat e fituara nga Papa Leone X, Pali III dhe Juli III. Humbej kështu në këtë moment, nga pikëpamja kanonike, bashkësimi dhe lidhja e dukshme midis dy Kishave Motra të shenjta të Perëndisë dhe lindi projekti se arbëreshët, me ritin bizantin, mund të jetojnë vetëm nën pushtetin dhe organizimin kishtar dhe kanonik të dioqezave latine të vendit. Filluan moskuptime, luftëra, mërira dhe persekutime, për të detyruar arbëreshët të shkojnë nga riti bizantin në ritin latin të baronëve të vendit italian.

    2.3 Dhe kështu, disa katunde arbëreshe, që kishin ritin bizantin që në shekullin XV, të detyruar me dhunë e me kërcënime nga episkopët latine, kërkuan kalimin në ritin latin. Mbi këto rrethana kemi shumë dokumente të botuara nga historianët, të shënuar në bibliografinë. Në vitin 1634 pranoi ritin latin komuniteti i katundit Shën Mërtiri prej Finitesë dhe, një nga një, shumë të tjerë. Në vitin 1668 mori ritin latin dhe katundi Spixana Arbëresh.

    Me ndihmën dhe me dhuratën e Perëndisë, në vitin 1668, mbaroi kjo hemoragji dhe nuk kaluan më katunde arbëreshe në ritin latin. Këto katunde kanë kërkuar, me lot të shumtë, të rishkojnë një herë tjetër në ritin bizantin të origjinës, por qe e pamundur. Vetëm katundi Falkunara Arbëreshë (Kozenca), në vitin 1974, u kthye përsëri në ritin bizantin të të parëve, me bekimin dhe me lejen e Papës, pastaj që kish mbetur treqind vjet me ritin latin.

    Humbja e ritit bizantin, për shumë katunde arbëreshe, ka qenë dhe bjerrja e gjuhës arbëreshe, e zakonëve "della Nazione Albanese", dmth të Kombit Shqiptar, siç shkruajnë etërit tanë në shekullin e kaluar.


    2.4 Disa katunde bizantine arbëreshë, që humbën ritin bizantin dhe sot kanë ritin latin në dioqezat italiane:


    A. në krahinën e Kozencës: 1. Cerzeto, 2. Mongrassano, 3. S. Caterina Albanese – Picelia, 4. S. Martino di Finita, 5. Spezzano Albanese, 6. S. Giacomo di Cerzeto, 7. Rota Greca, 8. Cavallerizzo, 9. Cervicati.

    B. në krahinën e Katanxaros: 10. Caraffa di Catanzaro, 11. Gizzeria, 12. Marcedusa, 13. Vena di Maida, 14. Pallagorio, 15. S. Nicola dell'Alto, 16. Andali, 17. Carfizzi.

    C. në krahinën e Potenxës: 18. Barile, 19. Ginestra, 20. Maschito, 21. Brindisi di Montagna.

    D. në krahinën e Kampobasos: 22. Campomarino; 23. Montecilfone; 24. Chieuti; 25. Portacannone; 26. Ururi.

    E. në krahinën e Tarantos: 27. San Marzano di S. Giuseppe.

    F. në krahinën e Foxhes: 28. Casalvecchio di Puglia.

    G. në krahinën e Beneventos, në Abrucë: 30. Greci.




    3. Kolegji "Corsini" (1732)

    3.1 Papa Klemendi XII, në vitin 1732, themeloi në katundin arbëresh Shën Benedikti Ullano (Kozenca) Kolegjin "Corsini" për edukimin e klerit arbëresh. Ky kolegj në vitin 1794 shkoi në Shën Mitër Korone, e pati një rol të madh për ringjalljen e arbëreshëve për ritin bizantin, për ruajtjen e identitetit shqiptar deri në vitin 1919, kur shkoi nën duart e shtetit italian. Në Kolegjin "Corsini", në vitin 1735, qe i zgjedhur nga Papa Corsini i pari episkop arbëresh, pa juridiksion, si bashkë-episkop, që vepronte për besimtarët arbëreshë nën autoritetin e episkopeve të dioqezave latine.


    3.2 Episkopët "Ordinanti" arbëreshë me seli në Kolegjin "Corsini" dhe në Kolegjin e Shën Adrianit, në Shën Mitër Korone, pa juridiksionin mbi besimtarët arbëreshë, por me autoritet vetëm bërdha te Kolegji Korsini (1735–1912) janë si më poshtë:


    3.2.1. Felice Samuele Rodotŕ (1735–1740)

    3.2.2. Nicola de Marchis (1742–1756)

    3.2.3. Giacinto Archiopoli (1757–1789)

    3.2.4. Francesco Bugliari (1792–1806)

    3.2.5. Domenico Bellusci (1808–1833)

    3.2.6. Gabriele De Marchis (1834–1858)

    3.2.7. Agostino Franco (1858–1875),

    3.2.8. Giuseppe Bugliari (1875–1888)

    3.2.9. Giuseppe Schirň (1889–1896),

    3.2.10 . Giovanni Barcia, episkop titullar i Krujës (1902–1912).


    4. Themelimi i Eparkisë e Ungrës (1919)


    4.1 Më 13 shkurt 1919 Papa Benediti XV themelloi Eparkinë bizantine arbëreshe me seli në Ungër, katund arbëresh në krahinën e Kozences, duke bashkuar nën juridiksionin e plotë të Episkopit "Ordinario" të Ungrës disa katunde arbëreshe, që me besnikëri kishin ruajtur gjatë pesë shekujve ritin bizantin të të parëve.


    4.2 Episkopët "Ordinari" të Eparkisë së Ungrës (Kozenca):


    4.2.1 Giovanni Mele, arbëresh nga Formoza (1919–1979)

    4.2.2 Giovanni Stamati, arbëresh nga Platani, aministrator apostolik (1967–1979) dhe episkop (1979–1987)

    4.2.3 Ercole Lupinacci, arbëresh nga Mbuzati, (1987 - )




    4.3 Themellimi i Eparkisë së Ungrës është një datë historike për "gjakun tonë të shprishur". Viti 1919 mbylli kohën e vjetër të Motit të Parë dhe na hapi një rrugë të re me një fytyrë të re në këtë kohën e re. Që nga viti 1919 arbëreshët, me ritin bizantin, kanë në Episkopin e Ungrës një dritë, një udhëheqës, një Atë, të urtë dhe të butë, që bashkon në një zemër "Shpirtin e Arbërit", që sot jeton me spiritualitetin e Etërvet bizantinë, me gjuhën amtare arbëreshe dhe me dashurinë për Kombin shqiptar.


    4.4 Të gjitha këto ndjenja, Episkopi jonë Eraklli, mirë i përfaqësoi kur në maj – qershor të vitit 1991 ka qenë i zgjedhur nga Papa i Romës dhe ka qenë i dërguar në Shqipëri si përfaqësue i tij për të parën vizitë kanonike që ai i bëri Kishës në Shqipëri, pas shkatërrimit të komunizmit. Episkopi i Ungrës, Eraklli, erdhi këtu në Atdhe si një vëlla arbëresh i "Gjakut tonë të shprishur" për t'ju përqafuar gjithë juve si vëllezër të dashur të "Gjakut tonë të shprishur", pa dallim feje dhe si mjek i ëmbël, për t'ju shëruar sadopak, me ndihmën e Zotit dhe nga sëmundjet e shpirtit në atë kohë e pathënshme.

    Me një emocion të pathënshëm ju kujtoj këtë episod në këtë Kuvend madhështor dhe historik, sepse e shikoni sa e bukur dhe misterioze, e gjatë pesë shekuj, ka qenë rruga që Perëndia caktoi për ne arbëreshët, shqiptarë të vjetër në Diasporë, në shërbim për ju vëllezër shqiptarë të sotëm në Atdhe.

    Perëndia na bekoi dhe na shpëtoi për pesë shekuj nga humbja e ritit bizantin dhe nga humbja e identitetit kombëtar, sepse në muajin e majit të vitit 1991, mbas gati 50 vjetësh të mbushura me persekutime, internime, vrasje, pikërisht i ndershmi Episkop arbëresh, Eraklli i Ungrës, erdhi në gjirin tuaj dhe në vatrat tuaja.


    4.5 Dua edhe të shtoj, me shumë ulësi, se edhe kur Kisha shqiptare nën diktaturën ish në katakomb, Episkopi arbëresh, Jani Stamati, në prill të vitit 1981 shkruan kështu: "Vetëm Perëndia di sa ne arbëreshë duam Kombin tonë të origjinës dhe për këtë kemi një hidhërim të thellë për të gjitha persekutimet që pësojnë në Shqipëri besimtarët katolikë, ortodoksë dhe myslimanë për shkak të besimit fetar"


    4.6 Dekreti i Papës Benediti XV për themellimin e Eparkisë Bizantine Arbëreshe të Ungrës (1919) fillon me këto fjalë në gjuhën latine: "Besimtarët katolikë me ritin grek, të cilët banonin më përpara në Epir dhe në Shqipëri, duke ikur dhe u larguar shumë herë nga pushtimi i otomanëve, kanë emigruar në të afërmën Itali, ku kanë qenë të pritur me zemërgjerësi dhe me mikpritje dhe janë vendosur në tokat e Kalabrisë dhe të Siçilisë, duke mbajtur ashtu si ish e drejtë, kostumet dhe zakonet e popullit bizantin, veçanërisht ritet e Kishës së tyre, bashkë me të gjitha ligjet dhe zakonet, që ata kishin pranuar nga Atrat e tyre dhe i kishin mbajtur me një kujdes dhe me një dashuri të pathënëshme gjatë shekujvet"


    4.7 Katundet arbëreshe dhe famullitë në Eparkinë e Ungrës (Cosenza):

    1. Lungro – Ungra: Seli Episkopale (Cosenza), famullia "Shën Kolli";

    2. Acquaformosa – Firmoza (Cosenza), famullia "Shën Janji Pagëzori";

    3. Firmo – Ferma (Cosenza), famullia "Fjetja e Perëndilindëses" dhe famullia "Shën Janji Krizostomi";

    4. S. Basile – Shën Vasili (Cosenza), famullia "Shën Janji Pagëzori";

    5. Frascineto – Frasnita (Cosenza), famullia "Fjetja e Perëndilindëses";

    6. Ejanina – Purçilli (Cosenza), famullia "Shën Vasili i Madh";

    7. Civita – Cifti (Cosenza), famullia "Fjetja e Perëndilindëses";

    8. Plataci – Platani (Cosenza), famullia "Shën Janji Pagëzori";

    9. Castroregio – Kasternexhi (Cosenza), famullia "Shën Mëria e Borës";

    10. Farneta (Cosenza), famullia "Shën Kolli";

    11. S. Paolo Albanese – Shën Pal Arbëresh (Potenza), famullia "Ngritja e Kryqit të Nderuar";

    12. S. Costantino Albanese – Shën Kostandini Arbëresh (Potenza), famullia "Shën Kostandini i Madh";

    13. S. Sofia d'Epiro – Shën Sofi Epiros (Cosenza), famullia "Shën Thanasi i Madh";

    14. S. Demetrio Corone – Shën Mitër Koronë (Cosenza), famullia "Shën Mitri";

    15.Macchia Albanese – Maqi Arbëresh (Cosenza), famullia "Shën Mëria e Kostandinopojës";

    16. Sofferetti (Cosenza), famullia "Shën Mihali Arkangjël"; S. Cosmo Albanese – Strigari (Cosenza), famullia "Shën Pjetri e Shën Pali";

    17. Vaccarizzo Albanese – Vakarici Arbëresh (Cosenza), famullia "Shën Mëria e Kostandinopojës";

    18. S. Giorgio Albanese – Mbuzati (Cosenza), famullia "Shën Gjergji";

    19. Cantinella (Cosenza), famullia "Shën Mauri" (që nga viti 1989);

    20. S. Benedetto Ullano – Shën Benediti Ullano (Cosenza), famullia "Shën Benediti";

    21. Marri – Nda – lli – Marr (Cosenza), famullia "Shën Zepa";

    22. Falconara Albanese – Farkunara Arbëreshë (Cosenza), famullia "Shën Mihali Arkëngjel", (që nga viti 1974);

    23. Cosenza, famullia "Shëjti Shpëtimtar", (që nga viti 1978);

    24. Lecce, famullia "Shën Kolli"

    25. Villa Badessa (Pescara), famullia "Fjetja e Perëndilindëses".


    4.8 Eparkia e Ungrës sot përbën pesëdhjetëmil besimtarë, 25 famulli, 35 priftra, 1 murg, 3 diakonë, 35 murgesha, 14 Institute për edukimin e fëmijëve, 2 Institute dashamirësë, Insituti për Shkenca Fetare.

    Emigracioni nga katundet arbëreshe, ndër qytetet të Evropës është shumë i madh dhe është e na varfëron shumë, pse rinia nuk ka më punë në vendlindje. Shumë arbëreshë gjenden në Milano, Romë, Bari, Napoli, etj. Nga ana tjetër, mund të shënoj se sot në katundet tona arbëreshe gjënden, që nga korriku 1990, shumë vëllezër mërgimtarë shqiptarë myslimanë, ortodoksë dhe katolikë, që e bëjnë më të bukur e më të plotë Arbërinë tonë në Kalabri. 5.


    Duke mbyllur këtë kumtesë mund të nënvizoj këto pika:


    5.1 Selia e Shenjtë me themellimin e Eparkisë bizantine arbëreshe të Ungrës (1919), bashkoi arbëreshët me Atdheun, si edhe me vëllezërit me ritin bizantin këtu dhe gjetkë. Gjithashtu kjo Eparki, në vogëlësinë e saj, është si një "shenjë" e si një urë midis katolikëve dhe ortodoksëve në dialogun ekumenik.


    5.2 Sinodi i Florencës ka një rëndësi shumë të madhe për ne arbëreshët. Ne jemi bij të këtij Sinodi dhe nuk kemi asnjë faj nëqoftëse vëllezërit ortodoksë, mbas vitesh, nuk e pranuan më këtë Sinod dhe na kanë harruar neve. Mund edhe të shtoj këtu se ne arbëreshë, për këtë arsye nuk mund të jemi të klasifikuar si ”uniŕtë”, sepse në shekullin XV nuk ekzistonte ”uniatizmi”, i cili, siç dihet, lindi me marrëveshje të dyanshme, në Romë e në Brest në vjetët 1594 e 1596.


    5.3 Ne, priftërinjtë arbëreshë të ritit bizantin, kur shkojmë në Shqipëri, mjerisht, nuk mund të meshojmë bashkë me vëllezërit ortodoksë, sepse sot ligjet kanonike na pengojnë dhe nuk është "bashkimi i plotë" midis Kishës së Romës dhe Kishës së Kostandinopojës.


    5.4 Në vitin 1940 u mbajt në Grottaferrata, i pari Sinod intereparkial dhe në vjetët 1995-1996 Eparkia e Ungrës, për herë të parë në historinë e saj pesë shekullore, mbajti Sinodin Eparkial, ku të gjithë besimtarët arbëreshë kanë marrë pjesë me një dashuri të pathënshme, duke u detyruar për shenjtërimin e tyre, për rifitimin e zakoneve bizantine dhe për të mirën e Arbërisë sonë. Tashti është në punë komisioni për përgatitjen e Sinodit II intereparkial, dmth eparkia e Ungrës (Cosenza), Hora e arbëreshëvet (Palermo) dhe Monastiri i Grottaferrates (Roma).


    5.5 Episkopi Eraklli, në vitin 1989 në Palermo, përpara Papës së Romës, me ballë të lartë, deklaroi kështu duke qëndisur shumë bukur identitetin e besimtarëve bizantinë arbëreshë në Itali: "Ne arbëreshë me ritin bizantin, duke mos këputur kurrë lidhjen me Selinë e Kostandinopojës, kemi ardhur këtu në Itali për të jetuar një lidhje të plotë me Selinë e Pjetrit, princit i Apostujvet. Por edhe nuk kemi harruar kurrë Kombin tonë të origjinës, Shqipëria, ku Skënderbeu luftoi me të gjitha energjitë e tij për mbrojtjen e fesë së krishterë, duke merituar titullin "Defensor Fidei" dhe "Atleta Christi."


    "Kujtimi i Skënderbeut për gjithë ne, - shtoi episkopi Eraklli, - na sjell akoma më shumë vuajtje në shpirtin tonë, sot që situatat njerzore kanë shuajtur në Atdhe çdo manifestim të asaj Besë në Perëndi për të cilën kanë luftuar Atrat tanë."


    Dhe Episkopi Eraklli, shtoi dhe këto fjalë profetike: "Por zhvillimi i historisë na jep shpresa se vëllezërit tanë shqiptarë mund të dëftojë haptazi besën e tyre tek Perëndia, i cili çdo gjë e realizon ‚në kohën e caktuar" (Ps. 144, 75).


    5.6 Vëllezër dhe motra në Krisht dhe të "Gjakut tonë të shprishur", sot na erdhi kjo ditë e shenjtë, sot na erdhi ky muaj i shkëlqyeshëm, sot na erdhi dhe kjo kohë madhështore e caktuar nga Perëndia, në të cilën gjithë ne gëzojmë bashkë në Shqipëri, sot këtu në këtë Kuvend të shënjtë, ku jemi të gjithë të mbledhur në emrin e Zotit, duke i kujtuar Kombit tonë se Krishterimi ndër shqiptarë rrënjen e ka gjithmonë tek Fjala e përjetshme e Krishtit, i cili na tha: "Unë jam Rruga, E drejta dhe Jeta".

    BIBLIOGRAFI MBI HISTORINË E ARBËRESHËVE BIZANTINË

    Apostolopoulos Pavlos, I Ekklisiastiki fisionomia ton Arvaniton tis Notiou Italias (Kalabrias–Sikelias), Ed. Thamiris, Athina 1997;

    Argondizza, Antonio, Il Collegio Italo-Greco di S. Adriano, Corigliano Calabro 1884;

    Bellizzi Mario, S. Basilio Craterete – Comunitŕ albanofona del secolo XV dell'area del Pollino. Castrovillari 1995;

    Bellusci Antonio, Magia Miti e Credenze Popolari – Ricerca etnografica tra gli albanesi d'Italia. Ed. Centro Ricerche, Cosenza 1983;

    Idem, Canti Sacri Albanesi raccolti a S. Costantino Albanese, S. Sofia d'Epiro e alcune comunitŕ albanesi di Grecia, S. Costantino Albanese 1971;

    Idem, Ricerche e Studi tra gli Arberori dell'Ellade – Da radici arbëreshe a matrici arbërore – Testi e documenti, Ed. Centro Ricerche "G. Kastriota", Cosenza 1984;

    Idem, Ortodossi ed Arbëreshë, in "Lidhja", Cosenza, n.8, 1983;

    Idem, La figura e l'opera di Mons. Domenico Bellusci (1774–1834), in "Lidhja", Cosenza, n. 8, 1983;

    Bugliari Francesco, Vita di Mons. Francesco Bugliari, Grottaferrata 1971;

    Bugliaro Salvatore, S. Demetrio Corone e Macchia nella prima metŕ del Settecento – Analisi socio – demografiche ed economiche – Ed. Zeta, Rosano Scalo 1998;

    Camodeca Pietro, L'Autonomia Ecclesiastica degli italo–albanesi della Calabria e della Basilicata, Roma 1903;

    Canadč Giovan Battista, Il rito greco nelle colonie italo–albanesi, in "Rivista Storica Calabrese", 1907;

    Cassiano Domenico, Le Comunitŕ Arbëreshë nella Calabria del XV secolo, Ed. Brenner, Cosenza 1977;

    Costituzioni del Sinodo Intereparchiale di Grottaferrata, Ed. S. Nilo, Grotaferrata 1993;

    Cucci Maria Franca, Il processo di latinizzazione del Collegio "Corsini" a S. Benedetto Ullano (1834–1923), in "Lidhja", Cosenza, n. 8, 1983;

    De leo Pietro, Condizioni economico–sociali degli Albanesi in Calabria tra secolo XV e XVI – L'esempio di S. Sofia d'Epiro, in: "Bollettino della Badia Greca di Grottaferrata" (Roma), vol. XXXV, 1981;

    Dorsa Vincenzo, Su / Gli / Albanesi / Ricerche e pensieri, Napoli 1847;

    Eparchia di Lungro degli Italo–Albanesi dell'Italia continentale;

    Ferrari Giuseppe, Vita Italo–albanese nel 1700, in "Bollettino della Badia Greca di Grotaferrata" (Roma), vol. XVIII, 1964;

    Idem, Greci e albanesi in Calabria nei secoli XV-XVII, in "Atti del III Congresso Storico Calabrese", 1963, pp. 393 – 399;

    Fortino Eleuterio F., La Chiesa bizantina albanese in Calabria – Tensioni e Comunione, Ed. Bios, Cosenza 1994;

    Fortino Italo Costante (a cura di - ), La vita di Maria di Giulio Varibobba – Prolegomeni, trascrizione, traduzione, glossario e note, Ed. Brenner, Cosenza 1984;

    Idem, Latinizzazione di Spezzano Albanese, in "Zgjimi/Risveglio", Marri – S. Benedetto Ullano, IX, n. 1, 1971, pp. 17 – 29;

    Idem, Il Sessantennio del Collegio "Corsini" a S. Benedetto Ullano (1732–1794), in "Lidhja", Cosenza, n. 8, 1983;

    Fyrigos Antonis (a cura di - ), Il Collegio Greco di Roma – Ricerche sugli alunni, la direzione, l'attivitŕ, Pontificio Collegio Greco di Roma 1983;

    Godino Francesco, Gli albanesi e la difesa del rito greco in Calabria, Cosenza 1971;

    Kollia Aristidi P., Arvanites kai i katagogi ton Ellinon, Athinai 1983;

    Idem, (a cura di - ), Archeio Arvanitikon Meleton, Ed. Thamiris, Athina 1996;

    Laviola Giovanni, Pietro Camodeca de' Coronei, Ed. Aversa 1968;

    Lacko Michele, Ochrida Centro Ecclesiastico dell'Albania, in "Bollettino della Badia Greca di Grottaferrata", vol. XI, 1957;

    Lupinacci Ercole, Discorso programmatico pronunziato nella Cattedrale di Lungro il 17 gennaio 1988, in "Bollettino Ecclesiastico dell'Eparchia di Lungro" (Cosenza), n. 1-6, 1988;

    Idem, Cammino sinodico, in "Bollettino Ecclesiastico dell'Eparchia di Lungro" (Cosenza), n. 7-10, 1004 – 1997, pp. 406 – 413;

    Marafioti Girolamo, Croniche et Antichitŕ di Calabria, Padova 1601;

    Marchianň Francesco, Cenni storici e Statuto fondamentale del Collegio Italo–Albanese di S. Adriano, Castrovillari 1935;

    Marougas Jorgos, Afieroma stous armperesi, in "Dialogoi", Nikaia – Athina, n. 41, 1984;

    Massaro Mario, Presenza degli Albanesi in Puglia e nel Molise, in "Lidhja" (Cosenza), n.20, 1988;

    Morelli Domenico (a cura di -), Atti del Convegno ”Comunitŕ Religiose e Minoranze Linguistiche oggi in Italia”, Roma 1988;

    Peri Vittorio, L'unione della Chiesa orientale con Roma. Il moderno regime canonico occidentale nel suo sviluppo storico, in "Aevum", LVIII (1984, pp. 439 – 498;

    Idem, Presentazione del volume ”Cristo riuscitň”, in "Oriente Cristiano" (Palermo), n. 4, 1977, pp. 38 – 44;

    Idem, I metropoliti orientali di Agrigento. La loro giurisdizione in Italia nel XVI secolo, in Bisanzio e l'Italia, Raccolta di studi in memoria di A. Pertusi, Milano 1982, pp. 274 – 321;

    Rennis Giovanbattista, La tradizione bizantina della comunitŕ Italo–Albanese, Lungro: il rito, le festivitŕ, la storia e le usanze, Ed. Progetto 2000, Cosenza 1993;

    Rodotŕ Pietro Pompilio, Dell' origine, progresso e stato presente del rito greco in Italia, osservato dai greci, monaci basiliani, e albanesi, libri tre, in Roma 1758, 1760, 1763;

    Rotelli Claudio, Gli Albanesi in Calabria, Secoli XV–XVIII, Cosenza 1988;

    Salimbeni Giuseppe, Appunti per la storia ecclesiastica in Albania nei secoli XIV e XV, Badia Greca di Grottaferrata 1977.

    Serra Alessandro, Spezzano Albanese nelle vicende storiche sue e dell' Italia (1470–1945), Spezzano Albanese 1987;

    Scutari Antonio, Presenza degli Albanesi in Basilicata, in "Lidhja" (Cosenza), n. 20, 1988;

    Scutari Michele, Notizie istoriche / sull' origine e stabilimento / degli Albanesi / nel Regno delle due Sicilie / sulla loro indole, linguaggio e rito, Potenza 1925;

    Similari Alessandro, Gli Albanesi d' Italia – Loro costumi e poesie popolari, Napoli 1891;

    Solano Francesco, Il Catechismo Albanese di San Basile, Roma 1993;

    Stamati Giovanni, Decreto di adozione della lingua parlata (albanese) nella liturgia, in "Bollettini Ecclesiastico dell'Eparchia di Lungro" (Cosenza), n. 3, 1968;

    Tajani Francesco, Le Istorie Albanesi, Salerno 1886;

    Tocci Guglielmo, Memoria pei Comuni Albanesi di S. Giorgio, Vaccarizzo, S. Cosmo, Ed. Guido, Rossano Scalo 1990 (Ristampa anastatica dell'edizione di Cosenza 1865);

    Tomai–Pitinca Emidio, Comunitŕ Albanesi nel Tarentino – secolo XVI, in "Bollettino della Badia Greca di Grottaferrata" (Roma), vol. XXXV, 1981 e 1982;

    Vaccaro Attilio, Italo–Albanensia – Repertorio bibliografico sulla storia religiosa, sociale, economica e culturale degli Arbëreshë dal sec. XVI ai nostri giorni, Cosenza 1994;

    Veneziano G., Contrasti, confessionali ed ecclesiastici tra gli Albanesi greco–ortodossi e cattolici latini in Calabria e Lucania, in "Archivio Storica di Calabria e Lucania", 1958;

    Zangari Domenico, Le colonie italo–albanesi di Calabria – Storia e demografia, sec. XV–XIX, Napoli 1941;

    Zavarroni A., Historia erectionis Pontifici Collegi Corsini Ullanensis italo–graeci et deputationis episcopi titularis graeci, Napoli 1750;


    Rivista Arbëreshe (1883–1999)


    1. Besa / Fede – Corrispondenza del Circolo italo-albanese di cultura (Roma); periodico mensile fondato da mons. Eleuterio F. Fortino (S. Benedetto Ullano) nel 1984;

    2. Bollettino Ecclesiastico dell'Eparchia di Lungro (Cosenza): periodico fondato da mons. Giovanni Mele (Acquaformosa) nel 1925;

    3. Diaspora – Rivista italo-albanese di cultura italo–albanese di spiritualitŕ orientale (1972–1976); periodico fondato a Roma da mons. Eleuterio Fortino;

    4. Dita jote / Il tuo giorno (S. Sofia d'Epiro); periodico fondato dal papŕs Giovanni Capparelli (Acquaformosa) nel 1958;

    5. Fiamuri arbërit / La Bandiera dell' Albania (1883–1887), periodico fondato dal prof. Girolamo De Rada (Macchia Albanese);

    6. Ili i arbreshvet / La stella degli Albanesi (1896–1897), periodico fondato dal papŕs Antonio Argondizza (S. Giorgio Albanese);

    7. Katundi ynë / Il Nostro Paese – rivista italo–albanese di cultura e di attualitŕ; periodico fondato dal prof. Demetrio Emanuele (Civita) nel 1970;

    8. La nazione albanese (1896–1900); periodico dal prof. Anselmo Lorecchio (Pallagorio);

    9. La voce del santuario (S. Cosmo Albanese), periodico fondato dal papŕs Ercole Lupinacci (S. Giorgio Albanese) nel 1963;

    10. Lajme / Notizie – rivista dell'Eparchia di Lungro (Cosenza); periodico fondato da mons. Ercole Lupinacci (S. Giorgio Albanese) nel 1989;

    11. Lidhja / l'Unione – rivista di cultura italo–greco–albanese (Cosenza); periodico fondato dal papŕs Antonio Bellusci (Frascineto) nel 1980;

    12. Rinascita sud – periodico di informazione e di cultura italo-albanese, fondato da Domenico Licursi (Farneta) nel 1972;

    13. Shęjzat / Le Pleiadi (1957–1975) – rivista culturale, sociale ed artistica (Roma); periodico fondato dal prof. Ernest Koliqi;

    14. Vatra jone / Il Nostro Focolare (1966–1970) – bollettino della parrocchia di S. Costantino Albanese (Potenza); periodico fondato dal papŕs Antonio Bellusci (Frascineto);

    15. Zëri i arbëreshvet / La Voce degli Albanesi (1972–1982) – rivista di cultura italo–albanese, Ejanina (Cosenza), periodico fondato dal papŕs Emanuele Giordano (Frascineto);

    16. Zjarri / Il Fuoco (1970–1998) – rivista di cultura italo–albanese, S. Demetrio Corone (Cosenza), periodico fondato dal papŕs Giuseppe Faraco (Vaccarizzo Albanese);

    17. Zgjimi / Risveglio (1963–1980) – rivista internazionale di informazione e di cultura italo–albanese, S. Benedetto Ullano (Cosenza), periodico fondato dall' avv

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    Nese dikush do te mesoje se cfare do te thote Shqiptari dhe cilet jane shqiptaret e vertete, ata duhet te mesojne mbi jeten dhe sakrificat e arberesheve jo vetem ne Itali, por kudo qe i ka hedhur jeta, ne Spanje, Argjentine apo Ameriken e larget. Kudo ku ata kane shkruar ata kane mbajtur dy gjera te shenjta ne shpirtin e tyre:

    1. Dashurine ndaj Perëndisë dhe besën orthodhokse.
    2. Dashurine për atdheun dhe popullin e tyre me gjuhën, zakonet dhe traditën e të parëve.

    Përkushtimi dhe përulësia e jetës së tyre është e jashtëzakonshme kur mendon se sa sakrifica dhe peripeci kanë kaluar në tokë te huaj, në një vend me zakone dhe traditë të ndryshme nga e tyre.

    Le ti lutemi Perëndisë së bashku, që dita e bashkimit shpirtëror të mos jetë e largët. Sic e thote edhe Peshkopi Erakli me lart:


    "Ne arbëreshë me ritin bizantin, duke mos këputur kurrë lidhjen me Selinë e Kostandinopojës, kemi ardhur këtu në Itali për të jetuar një lidhje të plotë me Selinë e Pjetrit, princit i Apostujvet. Por edhe nuk kemi harruar kurrë Kombin tonë të origjinës, Shqipëria, ku Skënderbeu luftoi me të gjitha energjitë e tij për mbrojtjen e fesë së krishterë, duke merituar titullin "Defensor Fidei" dhe "Atleta Christi."

    "Kujtimi i Skënderbeut për gjithë ne, - shtoi episkopi Eraklli, - na sjell akoma më shumë vuajtje në shpirtin tonë, sot që situatat njerzore kanë shuajtur në Atdhe çdo manifestim të asaj Besë në Perëndi për të cilën kanë luftuar Atrat tanë."

    Dhe Episkopi Eraklli, shtoi dhe këto fjalë profetike: "Por zhvillimi i historisë na jep shpresa se vëllezërit tanë shqiptarë mund të dëftojë haptazi besën e tyre tek Perëndia, i cili çdo gjë e realizon ‚në kohën e caktuar" (Ps. 144, 75).
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 08-09-2013 më 23:02

Tema të Ngjashme

  1. At Andon Bellushii, një arbëresh mes arvanitasve të Greqisë
    Nga dodoni në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 26-01-2015, 00:07
  2. Arbëreshët e Italisë - Këngët dhe traditat
    Nga shigjeta në forumin Folklori shqiptar
    Përgjigje: 36
    Postimi i Fundit: 14-08-2013, 21:36
  3. Napoleon Bonaparti me origjinë nga një familje arbëreshe
    Nga Albo në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 14
    Postimi i Fundit: 09-10-2011, 04:08
  4. Napoleon Bonaparti, perandori me origjinë arbëreshe
    Nga shoku_sar në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 6
    Postimi i Fundit: 27-09-2003, 02:52
  5. Bime Arbereshe per te rrojtur me shume
    Nga Kallmeti në forumin Mjeku për ju
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 11-09-2002, 00:47

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •