(vazhdim)
E ndër t'tjerë, njiky Dedë Gjoni
Qi kur të krehin te llogori
Kurr' për t'gjallë nuk ka me e lshue
Për pa dekë, o pa fitue.
Burrë të fortë e trim si zana,
Pikë sokolit e kish ba nana,
E kish ndodhë ky bajraktar
Nuk dorzohet kurr' për t'gjallë.
Me gjith mashkuj, me djem t'vet
Po lufton, po ban gajret,
Me dy djem ky Gjon Rapuka,
Ndou e Zefi, si hyll Luca
Po luftuekan nëpër suka,
Si trembë topi, s'i trembë pushka.
Kush m'i thotë Dylaver Kerit
Do t'ma shofish pik'n e sherrit
Se je ndeshë me djemt t'Skënderit,
E bajmë gjak t'tanë ujt'e Cemit!
K'shtu shkoj koha tuj luftue,
Kush tuj dekë, kush i varrue!
Amanet, o more grue
N'kjoftë kismet ndoj djalë me m'pshtue,
Ke me rritë e ke me e mësue,
Ke me e rritë me kenë bujar,
Burrë fisnik, me besë shqyptar.
Trim i fortë e atdhetar.
Kur pa pritë, rrebt' tuj luftue
Ky Dedë Gjoni u varrue,
E cpoi plumbja an'për anë,
An'për anë e bri në bri
Tuj kalue n'për mushkni!
Po nisë fryma me ju xanë,
Kambë e dorë nisin me e lanë.
"Amanet ju, shokt' e mij,
M'merrni në vig e m'qitni n'shpi,
Kurrqysh frymë s'mundem m'u ngi.
Por luftoni der' t'mbaroni,
Komunistit mos ju shtroni!"
E kanë marrë e qitë te shpija
Pa vonesë ia beh ushtrija.
Shpi e rob i kanë rrethue,
E tu vra e tue luftue,
E tu vra tue u gri
Si t'terbuem kanë hi në shpi,
Ku kanë gjetë Dedë Gjonin n't'shtruem,
T'shtruem në shtrat edhe t'varruem.
I varruem k'shtu trupi i tij
Cpue zemër e mushkni,
Kurrqysh gjallë s'ndigjon m'u shtrue
Me at trup të tanë coptue!
Atëher' briti komisari:
"Njiksaj shpi t'i nepet zjarmi
Mrendë le t'digjet Bajraktari".
Pa vonue zjarmin ja dhanë
Me Dedë Gjonin në shtrat ramë.
N'zjarm po digjet Dedë Gjo' Rapuka
Si n'Vraninë njaj Oso Kuka!
Ty, o Zot, te kjoshim falë,
Ku ke pa me i djegë për t'gjallë,
Ku ke pa a ku ke ndi
Kurrkund n'botë, as cifutni!
Zogjt' e malit tash këndojnë
Kët' Dedë Gjonin po e vajtojnë,
Po vajtojnë kët' bajraktar
Që e dogjën për të gjallë,
E ja nxorën sytë e ballit,
N'zjarm i dogjën për së gjallit.
E kur t'vinë Zoja në maj,
Bashkoi miqtë, priti me mallë,
Dajau shejet si gjithmonë
Pregaditë jeta "mizore",
Tuj pre krena e krahnorë,
Tue nxjerrë zemra prej barkut,
Tuj i pre e cilë për s'gjallit
Krahë e krena e sytë e ballit
Cka vec toska asht kujtue,
Cka vec toska ka punue,
Cka vec toska e ka ba,
T'rreh, t'copton, s't'len ma ba za,
More gra, ju vraftue era,
Del e mblidhni krah' e krena
Se ju sot u mshilka dera,
N'votër t'zjarmit u bijka ferra!
Tash pranvera kur t'fillojnë
Në mal qyqet do t'këndojnë,
Vjehërr e re le t'u ndihmojnë.
Kanë me kndue rrem në rrem
Në c'do vend, nëpër Kelmend,
Dogjën n'zjarm sot Dedën tem!
More Ndoc, nana e Dedë Gjonit,
Me qindrue ditën e sodit,
Paske kenë malsorë rodit!
Tash dy fjalë me kushrini,
Po jau la nji porosi:
"Kam nji vajzë me emën "Mri".
Por në kjoftë kjo ndokund gjallë,
T'vinë n'gjini m'u ba hallall,
Se ka mbetë pa nanë, pa babë,
Se ka mbetë pa kurrnji vlla,
Toskë - mizorja ja ka vra!
Për t'gjallë babën n'zjarm ta poqën
Sytë për t'gjallë vllaut ja hoqën!
Kuti t'vogël ke me marrë
N'ta me shti cka ty t'kanë lanë.
Ke me shti ti n'at kuti
Ke me shti krejt nji gjini
Babën tand "pluhën e hi"!"
Kët' sistem kurr' se ke le
Gjithmonë rrena e kacarrena,
Si për jashta, si për mrena!
Si me punë e si me gojë
Gjithshka t'bajsh, si t'duesh me folë,
Kurr t'vërtetën mos me e qitë,
Atëherë cka ti don me pritë
Prej k'si njerzsh t'pa Zot e fe,
Si prej shtaset t'kishin le!
Hajt në kishë, sa me t'qorrue,
Gjanë e kujt kurrqysh me e prekë,
Tash me e dijtë se kam me dekë,
A prej etjet, a prej unit
Por tek s'mbramit, fundi i fundit
Kurr' me sy ti c'se ke le,
Njiksi njerz'sh t'pa besë e fe
S'e ke pa kund sojn'e tij
As në turq, as cifutni!...
...Tri brigada pat'n kalue
Për Toplanë, e kjem mësue
Se ndër ta cka vije s'ka,
As ka besë, as ka burrni,
Kurrgja t'mirë me cue n'shpi,
Kurrgja t'mirë me marrë për vedi,
Si dikur asht kenë adeti.
Me cdokënd qi je tokue,
Prej cdonjenit dic ke mësue,
Posë prej ktyne, gjofti rrfeja,
Gratë e tyne mbetshin veja,
Mbetshin veja, pa burrë e djalë
Jarebi shkoshin pa farë!
N't'gjitha mnyrët po gazepohen
Me e "cveshe" t'shkretin shqyptar
Mos me e thirrë ma kush bujar,
Mos me lanë n'ta besë as fe,
Si traditë asht kenë ndër ne!
Nji gjysë shekullit ka kalue
N't'gjitha mnyrtë na janë mundue
Me e cveshë t'shkretin shqyptar
Prej virtytesh, qi ma parë
I ka pasë ky rodi i tij:
"Besë e fe, nderë e burrni"
Si kurrkushi mbi kët' dhe.
Por, që sot, na erdhi dita
Me i bjerrë t'tana, cka nuk prita,
Por kto gjana, posë ndër ne
N't'katër anë t'Shqypnisë i ke.
"Proletarë" me kenë sejcili
Si i keqi, si i miri,
Duz me thanë "karapitik",
Zi ma zi k'ta për cdo ditë.
Pasuninë e ka marrë shteti,
Pasuninë e dajnë ndër vedi,
Katundari pa kurrgja,
Punon fort e kurr' nuk ka,
Tuj shkue moti dajm' me t'keq,
Gja në shpi s'i kndon, ha dreq...!
Pra gjithmonë k'ta "proletarë"
Pa kurrgja si cdo "laper".
Menden nelt e n'për hava
Thue se tash prej qiellit ra.
Por kur erdh ky Gorbacovi,
Frejt 'e shtetit n'dorë i mori,
Imt'e hollë bani pleqni
Me shokë t'vet e me kryesi,
Se marksizmi me cka ka,
Kurrkuj n'botë si duhet ma.
Se, shtatëdhet e disa vjet,
Kot rrejmë botën n'kët' sistem.
Buk e krypë s'kanë mujtë me i ngi
As në botë, as në Rusi.
Shtjelm i ra sistemit t'vjetër,
Për ma mirë kapi nji tjetër,
Me fjalë t'tjera ka formue,
"Perestrojka" e ka cue.
U kthen tokën katundarve
Me i ba t'veten, sikur t'parve
Qi dikur i patën marrë,
E gja mbas shpirtit s'u patën lanë.
Shpartalloi Pakte e Blloqe,
E prej shtetesh ushtritë hoqën.
Gjermaninë për me e bashkue
Gorbacovi u mundue,
Deri sa në nji e bani
E kurrkush për ta nuk bzani.
Me fjalë tjera, me e bashkue,
Kurrnji shtet s'u kundërshtue.
Fesë, ndërgjegjes i dha liri
Si n'Evropë edhe n'Rusi.
Relacionet diplomatike
Me selinë në Vatikan
Mirë e bukur, besa i ban.
Gorbacovi shkon te Papa
Me përcjellsa e grue mbrapa.
Kur asht kenë me bisedue,
Besa jashtë t'tanë i ka bue,
E kanë ndejë k'ta gju për gju,
Muhabetin e kanë shtrue.
Mbasi k'ta kanë ba pleqni,
Me kujdes e ma dashtni,
Thirrë e ka Papen me pa
Shtetin Rus se i ka ra
Me e pa me 'e vizitue
Si gjithkund, ku ai ka shkue.
Pra vizitën me ia kthye
Kish me thanë, kishte me vye,
Me ia kthye sa ma parë,
Me ia kthye sa t'jenë gjallë.
Papa ynë i ka do vjet,
I ka mbushë dikund shtatëdhjetë.
Mbasandej njikjo rini
N'ambasada shkon m'u ndrye.
Marrin rrugën e Kurbetit
Aty k'tu, e përtej detit.
Mbasandej prap kjo rini
N'demonstrata kenka hi,
E po lypin shumë parti,
C'ka Ramizi ja u "ka dhanë"
E kurrqysh mos me ja u ndalë,
Se "me ja" 'kta janë merzitë
Shtatëdhet vjet si 'i ditë përditë.
Kin' me dashtë nji parti t're,
Kin' me dashtë n'nji tjetër fe,
Si Ballkani, si Europa,
Amerika e të tanë bota.
Mbasandej po "nep" liri
Me cilë kishë, me cilë xhami.
N'vorre meshë na paskan cue
Populli i madh ku janë bashkue,
Përse kishat e rrënueme
O për tjetër t'përdorueme.
Tash na mbet Shqypnija e jonë
Me Ramizin "dorë për dorë"
Tue shetitë kooperativat,
Si të dobtat, si ma t'mirat.
Mbasandej po bajnë plenume,
Kund me zort, ku me përdhunë,
Thonë luftueme për kët' shtet
Përt të pshtue rrashtën e vet.
Për me mujtë me ndrrue sistemin,
Qi Stalini me Enverin,
Me "trupore" e me "parulla"
Në gjithkahen na u xu rruga.
Prej Marksizmit k'tu na i prunë,
Nëpër bahce k'tu na i vunë,
Kindemek "me zbukurue",
Kush na i pruni..., kjoftë mallkue...!
Fund.
marrë nga libri Patër Kolë Berishaj, Nder e Burrni ndër Malet tona - Kangë epike. "Camaj-Pipa", Shkodër 2003.
Ruaj Lidhjet