Eliot Engel bën thirrje të caktohet data për shpalljen e pavarësisë së Kosovës
Intervistoi Isabela Çoçoli
Uashington
07-10-2005



Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, thotë se do t’i rekomandojë Këshillit të Sigurimit se bisedimet për të ardhmen e Kosovës duhet të fillojnë shumë shpejt. Zoti Annan u tha gazetarëve në Bernë të Zvicrës, se çështja autonomi apo pavarësi për Kosovën do të shtrohet për diskutim. Ai tha se do t’i dërgojë sot (7 tetor) rekomandimet e tij për këtë çështje Këshillit të Sigurimit. Administratori i Kosovës, Soren Jesen-Petersen, shprehu besimin se bisedimet do të fillojnë nga fundi i vitit. I dërguari i posaçëm i OKB-së, diplomati norvegjez, Kai Eide, i dorëzoi zotit Annan të martën (4 tetor) raportin mbi situatën në Kosovë. Kolegia jonë Isabela Çoçoli bisedoi dje me ligjvënësin amerikan, Eliot Engel lidhur me këtë zhvillim, gjatë një interviste për disa çështje shqiptare.

Zëri i Amerikës: Kongresmen Engel, diplomati norvegjez Kai Eide i dorëzoi Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, raportin lidhur me standardet për Kosovën. Zoti Annan tha se mund të rekomandonte fillimin e bisedimeve për statusin. Si e prisni ju këtë deklaratë?

Eliot Engel: Më gëzon shumë kjo deklaratë, pasi bisedimet për statusin përfundimtar të Kosovës duhet të kishin filluar shumë kohë më parë. Megjithatë, më mirë vonë se kurrë. Unë e kam thënë për vite me radhë se nuk ka alternativë tjetër veç pavarësisë së Kosovës. Komuniteti ndërkombëtar nuk do që të qendrojë në Kosovë përgjithmonë dhe as nuk do që ajo të mbetet protektorat ndërkombëtar. Kosova nuk mund t’i kthehet kurrë më Serbisë dhe të administrohet nga Beogradi. Populli i Kosovës nuk mund ta pranojë kurrë këtë. Pra, e vetmja alternativë është pavarësia dhe sa më shpejt që të njihet ajo, aq më mirë do të ishte. Unë kurrë nuk e kam mbështetur idenë “standardet para statusit”, sepse kam bindjen se kjo është një mënyrë për të penguar vetëqeverisjen në Kosovë.

Zëri i Amerikës: Ju jeni një nga mbështetësit më të fuqishëm të pavarësisë së Kosovës. Natyrisht që kjo është diçka që shqiptarët e dëshirojnë, por janë diskutuar edhe variante të tjera në forume të ndryshme. Serbët kërkojnë autonomi të zgjeruar, por jo pavarësi. Ministri i jashtëm i Shqipërisë ka hedhur idenë e një pavarësie të kushtëzuar. A shikoni ju ndonjë zgjidhje tjetër që do të ishte e përshtatshme përveç pavarësisë?

Eliot Engel: Jo. Në qoftë se pavarësi e kushtëzuar do të thotë se pavarësia është e padiskutueshme, por po punohet për kushte ideale, kjo është e pranueshme. Por në qoftë se ideja e pavarësisë së kushtëzuar do të ishte një justifikim për ta penguar pavarësinë, justifikim për ta vonuar atë, duke vënë standarde nga më të ndryshmet që është e pamundur të përmbushen plotësisht, unë jam kundër saj. Zgjidhja më e mirë do të ishte të caktohej një datë dhe pavarësia e Kosovës të shpallej në atë datë. Dua të theksoj se kur flas për pavarësi, unë kam parasysh gjithë Kosovën, jo një Kosovë të ndarë apo të copëtuar. Mitrovica nuk mund të jetë një qytet i ndarë. Kufijë e Kosovës nuk mund të ndryshojnë, se kjo do t’i hapte rrugën ndryshmit edhe të shumë kufijve të tjerë, si për shembull shkëputja nga Serbia e Luginës së Preshevës. Kosova duhet të qendrojnë 100% ashtu siç është dhe duhet të jetë e pavarur. Asnjë zgjidhje tjetër nuk është e përshtatshme dhe kjo duhet shprehur qartë e prerë. Por, pavarësia ka edhe përgjegjësitë e veta. Unë e kam theksuar edhe shumë herë të tjera se është detyrim i shumicës që të respektojë të drejtat e pakicave. Serbët e Kosovës nuk mund të jetojnë në enklava të vogla dhe të ndjehen të kërcënuar për jetën e tyre nëse dalin prej andej. Por një shtet i pavarur duhet patjetër të lejohet të drejtojë punët e veta. E vetmja zgjidhje është shteti plotësisht i lirë dhe i pavarur i Kosovës.