Mësuesja e vetme: Fëmijët shkuan tek shkolla greke falas që u hap këtë vit afër fshatit
Shkolla e Boboshticës, vetëm me 5 nxënës
Shkolla 9-vjeçare e fshatit Boboshticë që ndodhet vetëm 5 kilometra larg qytetit të Korçës e ka filluar vitin e ri shkollor vetëm me 5 nxënës. Mësuesja e vetme tha se nxënësit e kësaj shkolle janë larguar së bashku me familjet e tyre në Greqi. Kurse një pjesë tjetër e atyre që jetojnë në fshat, këtë shtator u regjistruan e po vazhdojnë mësimet në shkollën greke jo publike pa pagesë, që u çel këtë vit afër Boboshticës.
Ky fshat është relativisht i madh, me rreth 1 200 banorë. Rreth 300 familje kanë emigruar në Greqi dhe i kanë marrë me vete fëmijët, duke i shkolluar në vendin fqinj. Përveç dhjetëra të tjerëve që kanë shkuar në shkollën greke hapur afër fshatit, falas. Shkolla jopublike “Omiros“ , u përurua nga Ministria e Arsimit të Shqipërisë dhe ajo greke, disa muaj më parë. Banorët justifikohen duke thënë se fëmijët preferojnë shkollën greke nga ajo e fshatit sepse në të mësimi zhvillohet në mënyrë më profesionale dhe ambientet janë shumë luksoze.
Mësuesja e vetme e Boboshticës, Burbuqe Çaprazi, ardhur përpara disa viteve nga fshati Bërzheshtë e Librazhdit, tregon se dikur kjo shkollë e ciklit 8-vjeçar numëronte mbi 200 nxënës, ndërsa tashmë ajo ka mbetur vetëm me 5 nxënës. Katër prej tyre janë nga fshati Boboshticë dhe tjetri vjen nga një fshat fqinj.
Gjithsesi Drejtoria e Arsimit në Korçë, edhe pse me pesë nxënës, ka vendosur që shkolla e këtij fshati të qëndrojë e hapur me shpresën që në vitin e ardhshëm shkollor do të regjistrohen të gjithë fëmijët e fshatit që hyjnë në klasën e parë. Shkolla shqipe e këtij fshati është nga më të vjetrat në Shqipëri, ajo është hapur në vitin 1916 dhe në atë kohë numëronte 35 nxënës
Marre nga "Shekulli"
5/10/05
Krijoni Kontakt