Romeo e Zhuljeta…të shpërfytyruar nën qiellin e Butrintit

Së pari, dashuria "alla shekspiriane" u fut mes artistëve italianë dhe regjisorit të tyre si një lojë e thjeshtë…çdonjëri prej tyre nisi të provonte se sa do të mund të realizonte vdekjen më të mirë, puthjen më të ndjerë, rrëfimin e asaj çfarë shpirti fshihte brenda për bukurinë e vajzës Zhulietë, ose atë të djalit Romeo. E nisën kështu (si lojë) ndoshta sepse kishin frikë ta merrnin seriozisht dashurinë e madhe "alla shekspiriane". Nuk ishin aspak të bindur nëse në këto kohë mund të flitej ende për një të atillë dashuri, duke përdorur sërish të atilla fjalë magjike të thëna nga Shekspiri. Më së shumti, ishte mbërthyer pas kësaj frike vetë regjisori Stefano Vercelli, ai që kërkonte të vinte në skenë veprën "Romeo dhe Zhulieta" sipas një tjetër këndvështrimi me studentët e rinj që punojnë në studiot eksperimentale në teatrin rajonal publik Modena në Itali. Frika ndillej çdoherë e më shumë nga bindja se emocionet e sinqerta tashmë janë deformuar …nga cinizmi, nga prirja drejt modës, nga pornografia… janë ndrydhur nga situatat konfuze të cilat vetë njerëzimi i krijon…janë rënduar nga politikanët, nga luftrat dhe konfliktet mes njëri-tjetrit. Gjithsesi asnjëri prej tyre nuk hoqi dorë. Atë çka nisën si lojë e çuan deri në fund derisa kuptuan se ajo dashuri mund të rrëfehej edhe prej tyre, në po atë linjë që e tregoi Shekspiri, e po aq seriozisht. Regjisori i pyeti të rinjtë (studentë) nëse ishin të gatshëm të rrëfenin edhe një herë historinë e Romeos dhe Zhulietës. Dhe ata thanë-"Po. Dashuria nuk mbaron asnjëherë. Dashuria nuk ka epoka. Ajo edhe në këto kohë është dëmtuar nga të tjera situata ashtu siç u dëmtua ajo e Romeos dhe Zhulietës nga armiqësia e papajtueshme mes dy familjeve. Ne duhet ta prekim sërish cënimin që i bëhet ndjenjës së pastër mes të rinjve ". I ngacmuar nga ky entuziazëm, regjisori ndërtoi "Romeon dhe Zhulietën" e tij. Ndërsa frika ndaj kësaj dashurie të madhe, pas kësaj, u shua në lotët, në puthjet, në emocionet e aktorëve të rinj që veshën petkun e personazheve shekspiriane.
"Loja" me Shekspirin
Ajo që u quajt "lojë", nuk kishte qënë gjë tjetër veçse provë për të bindur deri në fund veten nëse mundet apo jo të bëhet diçka me dashurinë e Shekspirit. Forma e kësaj lloj prove u ruajt e paprekur edhe atëherë kur regjisori e kishte ndërtuar seriozisht në skenë gjithë idenë e tij për Romeon dhe Zhulietën e re. Me këtë provë ata u shfaqën edhe në skenën e Butrintit. "Loja" mes të rinjve italianë me pretendimin për të vdekur, me pretendimin se kush puth më mirë ose kush performon më mirë në skenën finale të vetërasjes së dy të rinjve të dashuruar, u shfaq në sytë e publikut shqiptar ashtu siç u zhvillua edhe pak kohë më parë në studiot e punës në Itali. Regjisori e bëri të dukshme pasigurinë që ata kishin ndier në fillim…për dhënë pas saj shfaqjen që ndërtuan të gjithë sa bashku, seriozisht…dhe jo më si lojë.
Dëshmitarët e tragjedisë së të gjitha kohëve
Në një dekor të ndërtuar me dru, u rrëfye historia e dashurisë. Personazhet qëndruan aty gjatë gjithë kohës së rrëfimit, të veshur me kostume të kohëve të ndryshme (dashuria është e gjithëkohshme). Aktorët ishin protagonistë dhe dëshmitarë të asaj që ndodhte në skenë. Personazhet (disa prej tyre) ishin dhe femra dhe meshkuj. Kështu kishte vendosur vetë regjisori…që vajza që luante Rozalinën të luante dhe murgun Lorenco, që vajza që luante zonjën Kapuleti të luante dhe zotin Kapuleti. Ishte kjo një zgjedhje që u bë për arsye teknike. Nuk kishte dashur të merrte më shumë aktorë se aq sa kishte trupa (11 vetë, gjashtë djem e pesë vajza). Por jo vetëm për këtë arsye. Regjisori bëri mes personazheve dhe lidhjen organike… zonja Kapuleti fare mirë mund të përfaqësonte bashkëshortin e saj. Ndërsa me dyzimin e murgut dhe Rozalinës është një tjetër gjetje e veçantë…ndaj Romeos fjalët -"Ju të rinjtë dashuroni me sy dhe jo me zemër"- janë të priftit ndërsa bota shpirtërore që ngacmohet pas këtyre fjalëve e shumë të tjerave pas tyre, është ajo e Rozalinës (vajzës që Romeo dashuronte para se të njihej me Zhulietën). Vetë regjisori Vercelli ka shpjeguar në një konferencë për shtyp se këto janë ndër të paktët elementë që kanë ndryshuar nga vepra e Shekspirit-"Qëllimi im nuk ishte që të bëja një perfomancë moderne me këtë vepër të madhe. Sfida ime ishte që të realizoja gjithë veprën. Kam hequr prej saj vetëm disa pjesë sepse doja që ta konceptoja shfaqjen në historinë e dashurisë mes Romeos dhe Zhulietës. E për ta realizuar gjithë këtë ne nuk jemi ulur fare në tryezë pune, sic quhet por kemi shkëmbyer mendime brenda asaj "lojës" që bëmë në fillim. Shfaqja në fillim ishte e montuar me pjesët e saj të veçanta por më pas kuptuam se ishte shumë interesante ndërthurja e aktorëve me njëri-tjetrin si dëshmitarë në lojën e tyre. Dhe kështu e lamë edhe formën e fundit"-pohoi regjisori i cili nuk e ka fshehur ngacmimin që i ka dhënë skena e Butrintit-"Në fillim na dukej se do kishim probleme me akustikën në atë mjedis të hapur por jo, gjithçka shkoi mirë. Na erdhi mirë që patëm rastin të provonim një eksperiencë të tille. Ndiem një emocion të fortë përballë qetësisë së Butrintit dhe qetësisë së publikut shqiptar
Zhulieta, nën qiellin e Butrintit
Edhe "Zhuljeta" Silvia Battaglio, është ndier mirë në skenën antike të Butrintit-"Nuk e kishim parë kurrë më parë këtë vend. Regjisori ynë na e tregoi në letër këtë skenë. Por kur e shkelëm ishte krejt ndryshe. Unë nuk e dija se si recitohej në një hapësirë të tillë. Bashkë me mua këtë ndiesi e kishin edhe kolegët e mi pasi nuk kemi luajtur më parë në skena të hapura. Pastaj gjithçka u bë magjike. Në skenën kur unë dal në ballkon dhe pres Romeon, sa herë kam qenë në teatrot e mbyllura e kam imagjinuar qiellin. Ndërsa në Butrint atë e kisha mbi krye, pra nuk kisha nevoja ta imagjinoja. Dhe kjo ishte mrekullia",-theksoi Battaglio. Mrekullia nuk kishte mbërthyer vetëm atë dhe ballkonin e saj të dashurisë. Gjithë të tjerët e kishin ndier transformimin që po bëhej në shfaqjen e tyre, nën atë qiell të hapur…aty ku lindi dashuria, aty ku vdiqën dy viktimat e saj

Jashtë festivalit
Sëmundja e Kadri Roshit
Nuk e refuzoi ftesën për të qenë në netët e festivalit ndërkombëtar teatror të Butrintit , edhe pse në fakt kishte kohë që nuk ndihej mirë nga gjëndja shëndetësore. E mori udhën e gjatë drejt Sarandës i mbushur me dëshirën për të qenë edhe një herë mbi shkallët e Butrintit. Gjithçka shkoi për mbarë në tre netët e para të këtij festivali. Më pas Kadri Roshi nuk u ngjit më në autobusin që dërgonte artistët në vendin antik. Mushkëritë, e ngacmuara nga era e ftohtë e Butrintit e ngarkuan sërish gjendjen e tij aq sa artistin e dërguan në spitalin e qytetit të Sarandës. Atje përpëlitej për t'u ngritur nga ai shtrat, që të shkonte sërish në Butrint, që të mos humbiste asnjë shfaqje. Donte me çdo kush t'i shikonte të gjitha…por mjekët nuk e lejonin. Ndërsa tani gjendja e tij është përmirësuar. Ndaj Kadri Roshi nuk dëshiron të ikë nga Saranda, që ta braktisë në mes festivalin. Edhe në këto pak ditë që kanë mbetur, Kadri Roshi do jetë sërish krah Drita Pelingut, Tinka Kurtit dhe Margarita Xhepës. Të katërt kanë vendosur t'i shkojnë deri në fund këtij festivali edhe pse në fakt nuk kanë mbetur shumë të kënaqur nga trajtimi që u kanë bërë. Në ditët e para të mbërritjes u mërzitën aq sa diskutuan mes tyre që të iknin. Por nuk mundën ta bënin. Duruan edhe këtë herë, siç kanë bërë në të gjithë herët duke e qetësuar mendjen me përshëndetjet e përzemërta të njerëzve të thjeshtë udhëve të Sarandës.

Përkujdesi për politikanët…dhe jo për artistët
Në natën e "Romeos dhe Zhuljetës" ishin dhe kryeministri shqiptar Fatos Nano me bashkëshorten e tij Xhoana. Vonesa e tyre shkaktoi shtyrjen e tejzgjatur të hapjes së shfaqjes. Nuk ishte vetëm publiku që u çorientua nga e gjithë kjo por dhe vetë artistët Italianë.Ata, siç edhe pohoi vetë regjisori Italian-"E kishin të vështirë të përqendronin vëmendjen dhe u nervozuan ndërsa iu desh të përsërisnin disa herë elemente të "lojës" që hapte shfaqjen e vërtetë. Gjithsesi ne kuptuam që ishte e rëndësishme të respektohej një figurë e tillë politike". Kryeministri i Shqipërisë, edhe pse me vonesë, u prit me duarttokitje nga publiku. Pas kësaj nisi shfaqja të cilën politikanët po e shikonin të ulur mbi sfungjerët e vendosur në shkallët e lagura nga shiu të Butrintit. Ndërsa një rresht mbi ta ishin të ulur artistët e thinjur të artit shqiptar, por jo mbi sfungjerë. Askush nuk u kujdes kaq shumë për ta. Nëse do kishte ndodhur kështu ndoshta dhe Kadri Roshi nuk do të sëmurej aq shumë