Sotir Papahristo, njeriu i arsimit
E Premte, 30 Shtator 2005
Pedagog i talentuar me veprimtari te frytshme praktike e teorike, drejtues e organizator i shquar arsimi, perkthyes e studiues prodhimtar ne fushe te pedagogjise, intelektual erudit, helenisti dhe humanisti Sotir Papahristo i dha vendit dhe popullit te vet, nga jeta e tij fatmiresisht e gjate, 56 vjet te mira pune me rendiment te begatshem
Dr. Iljaz Gogaj
Bir i nje prifti fshati, Sotir Papahristo u lind me 11 dhjetor 1887 ne katundin Vembel ne lindje te qytezes se Bilishtit. Me 1912, pushtuesit greke ia nderruan emrin, duke e quajtur Boshori. Mesimet e para i mori ne shkollen e fshatit, ku nuk pati mesues per te qene, te cilet me metodat e tyre te cala, "me lane shume te dobet, - thote vete Papahristoja, - gje qe e ndieva kur u regjistrova ne Gjimnazin e Korces". Disa te aferm paten nderhyre qe te shkonte ne Manastir, per te vijuar shkollen ne gjimnazin serb te atjeshem. Mirepo shpejt, me deshiren dhe vendosmerine e tij, u largua nga Manastiri dhe me kujdesin e te atit, qe ishte prift i kenduar, vijoi Gjimnazin grek te Korces. Megjithe zbrazetite dhe mungesat nga Manastiri, me inteligjencen dhe etjen per mesim i kaloi shpejt dobesite fillestare dhe erdhi e u be nje nga nxenesit me te mire te gjimnazit, per ta perfunduar ate me sukses me 1907.
Pastaj me ndihmen e disa miqve te babait, Mitropolia e Korces i siguroi nje burse, per te vijuar studimet ne Fakultetin e Filologjise te Universitetit te Athines, te cilen e priti me kenaqesi. Pas pese vjet studimesh, me 5 tetor 1912, mori diplomen me perfundime te lavderuara. U kthye ne Korce dhe, me merite vetjake, u emerua ne Gjimnazin e Korces, ku per dhjete vjet rresht, deri me 1922, dha greqishten e vjeter, latinishten dhe historine e pergjithshme. Keto vite te turbullta me shqetesime te medha per Korcen dhe per gjithe Shqiperine, profesori i ri i Gjimnazit grek, i perjetoi me dhimbje prej shqiptari te vendosur. Me qendresen e tij paqesore, e cila e kaliti dhe e brumosi me etje si atdhetar, provoi bindshem se bente pjese ne ata jo te pakte shqiptare, te cilet studiuan ne shkolla te huaja dhe ku perthithen etshem kulturen, pa u bere pre e saj dhe e politikave e ideologjive, qe mund te fshiheshin rrezikshem prapa tyre. Ai e beri prone te tij gjuhen dhe kulturen klasike helene dhe e shnderroi ate ne arme per t'u bere perpjekes i vendosur per kulturen ne gjuhen e pasur dhe te bukur te nenes.
Ngjarjet e medha te 1920-tes, sollen ndryshime te rendesishme ne jeten e vendit per konsolidimin e Pavaresise dhe te zhvillimit te brendshem politik, shoqeror e kulturor. Pas mbylljes se shkollave greke dhe debimit te mitropolitit famekeq, Jakovit, Sotir Papahristoja i perterire, nisi t'i perkushtohej me tere energjite e tij arsimit shqip, duke u bere shpejt nje figure kryesore. Me 30 janar 1922, pati fatin te martohet me Evdhoksi Manon, bije e nje familjeje te degjuar korcare. Fale dhuntive njerezore dypaleshe dhe dashurise se ndersjellte, ata bene nje jete bashkeshortore, qe sic na e thote vete Papahristoja ne kujtimet e tij "me harmoni e dashuri te pashembullt".1)
Punetor i merituar i arsimit, Sotiri mori pjese si delegat i Korces ne Kongresin Arsimor te Tiranes me 1922, ku ra ne sy per pergatitjen e larte profesionale dhe prirjet perparimtare per reformimin e shkolles shqiptare. Pas kesaj, u emerua kryeinspektor i shkollave te prefektures se Korces. Ne kushtet e veshtira te shumanshme te kohes, Sotir Papahristoja u perpoq per t'i vene shkollat ne udhe te mbare. Me durim e ngulm perpara veshtiresive, me pasion per punen dhe me dashuri per vendin lindor, qe priste gjithnje ringjallje nga bijte e tij intelektuale, Papahristoja, beri shume e shume, qe te gjente zgjidhjet me optimale per problemet e shumta qe i dolen perpara si mesues e inspektor. Atij iu desh te behej edhe mesues i mesuesve me ane kursesh kualifikimi. Pa marre parasysh veshtiresi e ndalesa dhe pa u trembur nga kercenimet e shumta te elementeve grekomane, Papahristoja eci perpara ne udhen e tij prej misionari atdhetar per shkollimin e bijve te popullit. Me mbeshtetjen edhe te autoriteteve arsimore ne kryeqytet, sidomos te ministrit te Arsimit, Rexhep Mitrovica, puna e tij ndoqi sukses pas suksesit, duke qene gjithnje shume aktiv edhe me artikuj te ndryshem pedagogjike ne shtypin e kohes. Shkrimet e tij pasuan njeri-tjetrin ne gazeta e revista, ku pervec ceshtjeve te drejtperdrejta te arsimit, ai rrahu edhe ceshtje te kultures ne pergjithesi, te artit, te muzikes dhe te sportit.
Ne postin e inspektorit te arsimit te qarkut te Korces, ai tregoi cilesi te rralla organizimi, duke punuar me ngulm e optimizem per te vene ne udhe te themelte punet e shkolles, sipas shembullit te kombeve te tjera te perparuara. Ne raportin e zakonshem te fundit te vitit shkollor 1923-1924, ai shenonte edhe keto: "Sic e kemi shkruar edhe here te tjera, gjendja e arsimit te kesaj prefekture, ndodhet edhe larg prej shkalles, ne te cilen duhet te arrije. Kjo shkalle, do te arrihet natyrisht, dalengadale sipas normave historike te zhvillimit te kombeve. Ceshtja eshte duke u permiresuar gjithmone dhe per kete guxon kjo inspektori qe te siguroje ate ministri". 2) Sistematik dhe i palodhur sic qe, pasi mbaronte inspektimin, ku futej ne cdo qelize te punes se shkolles, bente pastaj nje konference pedagogjike me trupin mesimor perkates, duke analizuar punen e secilit mesues, nje per nje. Pastaj po te ishte nevoja, behej edhe ore mesimi shembullore, per te demonstruar praktikisht, kete apo ate ceshtje te ores se mesimit, qe duhej ndricuar apo sqaruar mire. Disa vjet me vone, sintezen e punes se Papahristos si inspektor arsimi i prefektures se Korces, e beri "Gazeta e Korces", kur shkruante: "Si inspektor i arsimit te Korces, ka vepruar me zell e zotesi te rralle, me konferencat e mesimet pedagogjike, keshillat dhe udhezimet e vlefshme qe u jepte arsimtareve te qarkut shenoi nje stacion te paharrueshem ne zhvillimin e arsimit fillor te Korces".3)
Sukseset e dukshme ne punen si inspektor arsimi ne prefekturen e Korces, bene qe emri i Sotir Papahristos, te dale nga kufijte lokale e te njihet kudo ne qarqet arsimore ne mbare vendin. Autoritetet perkatese ne kryeqytet, diten te vleresojne personalitetin njerezor dhe intelektual te Papahristos dhe ne mars 1925, ai u ftua ne Tirane, per te marre ne dore drejtimin e arsimit shqiptar ne postin e drejtorit te Drejtorise se pergjithshme te Arsimit shqiptar, qe ne ate kohe zevendesoi Ministrine e Arsimit.
Ne krye te puneve te arsimit shqiptar Sotir Papahristoja qendroi pak kohe, por fale kompetences profesionale, vullnetit, energjive dhe atdhetarizmit, ne ate kohe 5-mujore ne Drejtorine e Pergjithshme te Arsimit, u be pune voluminoze dhe mjaft frytdhenese, e cila i sherbeu shume shkolles shqiptare ne rrugen e rendesishme te mekembjes se saj.
Kur e mori ne dorezim Papahristoja Drejtorine e Pergjithshme te Arsimit, ne zyrat e saj kishte pak ligje, rregullore e programe, ose nje pjese e mire e atyre qe ishin, duheshin ndryshuar e perterire. Se pari, u be ligji i kategorizimit te arsimtareve per t'u dhene fund ankimeve te arsimtareve dhe crregullimeve, te cilat ridhnin nga mungesa e nje ligji qe te rregullonte statusin e arsimtarit. Pastaj u hartua Ligji organik i dikasterit te arsimit, rregullorja per arsimin fillor, si edhe rregullorja e njesuar per konviktet e shkollave te mesme. Po ne dikasterin e arsimit, mungonin specialistet e kualifikuar per t'iu pergjigjur detyrave qe kerkonte koha, gjithnje ne zhvillim. Prandaj ai thirri ne Tirane nje komision specialistesh te njohur e autoritare, si Aleksander Xhuvani, Leonidha Naci, Mirash Ivanaj e Ndue Paluca. Ky komision, me ne krye Papahriston, punoi per 3 muaj rresht dhe beri keto pune te rendesishme: a- programin per shkollat e katundeve; b - programin per shkollat plotore 6-klaseshe; c - programin per shkollat Normale mashkullore dhe femerore, d - programin dhe rregulloren per kopshtet e femijeve; e - programin per gjimnazet shteterore; e - modele oraresh te ndryshme per shkollat fillore; f - shqyrtoi disa tekste mesimore dhe u dha pergjigje autoreve qe prisnin perfundimin.4)
Ne lidhje me librat shkollore, Papahristoja i shqetesuar per abuzimet qe beheshin ne shitjen e tyre dhe per shume parregullsi ne shperndarjen e tyre nxorri nje qarkore te botuar ne "Revisten Pedagogjike", ku me masa te posacme, u vihej fre shperdorimeve dhe futej ne udhe te mbare shperndarja e tyre ne te gjithe vendin.5)
Te kesaj kohe jane celja e disa shkollave te mesme dhe rimekembja e disa te tjerave. Me rendesi eshte celja e disa shkollave fillore-konvikt ne zonat malore te vendit.
Per kualifikimin e mesuesve, Papahristoja ka meriten qe gjate pushimeve verore shkollore te vitit 1925, u organizuan kurse kualifikimi per mesuesit e shkollave fillore. Gazeta "Zeri i Korces" e dates 5 gusht 1925, lajmeronte: "Drejtoria e Pergjithshme e Arsimit, nen drejtoratin e te palodhurit prof.Sotir Papahristo, per permiresimin e arsimtareve te qyteteve dhe aq me teper te katundeve, vendosi me kohe qe te hapen kurse pedagogjike ne te gjithe qytetet qendra te Shqiperise".6)
Megjithe veshtiresite dhe pengesat e shumta, puna e Papahristos po ecte perpara me ritme te shpejta dhe po jepte perfundime te lakmueshme. Mirepo nje dite papritur ai dha doreheqjen nga posti me i larte i arsimit shqiptar. Po pse valle kjo doreheqje, nga nje njeri i punes se kualifikuar dhe te ndergjegjshme, prej te cilit shkolla shqiptare, kishte te drejte te priste shume? "Gazeta e Korces", na thote: "Aty-ketu, flitet se qe i shtrenguar nga pengimet qe e ndalojshin per te veme ne zbatim mendime perparimtare, te cilat kishin per te vene ne udhe te mbare arsimin e kaq vuajtur shqiptar".7) Me konkretisht, atehere u fol se, Papahristoja i drejte, nuk mund te duronte nderhyrjet e shumta qe i beheshin nga pushtetare, ose autoritete te tjera, per bursa studimi dhe per emerime mesuesish. Aq me teper, Papahristoja i ndershem, nuk mund te pranonte rryshfetin. Sado te paplota qe te jene keto argumente, jane te besueshme, po te kemi parasysh koherencen e personalitetit te tij, qe kishte dhene dhe do te jepte gjithnje prova te nje karakteri te qendrueshem dhe te paperlyer. Kur dorezoi celesat e dikasterit te arsimit, Papahristoja e vuri veten ne nje prove te madhe, duke mos pranuar qe te zhgerryhej rreth kolltukut te pozites se larte shteterore. Ishte personifikimi i intelektualit me cohe te zgjedhur per burre shteti. Shtypi i kohes shfaqi keqardhje te madhe per largimin e Papahristos nga kreu i puneve te shkolles shqiptare. Elementet perparimtare, diten ta vleresojne me nota lartesisht kualifikuese punen e tij. Gazeta "Koha" e Mihal Gramenos e quajti hic me pak, por kolosale vepren e tij ne krye te dikasterit te arsimit. "Per punen qe beri zoti Papahristo si drejtues i pergjithshem i arsimit, cdo levdim na duket i vogel", - shkruajti gazeta e mirenjohur demokratike. Dhe me tutje vijonte: "Me te vertete, ne nje kohe teper te shkurter beri aq shume pune, sa qe mund te themi se u vune themelet e arsimit"8) Duke lene menjane panegjerizmin e ketyre tiradave, eshte fakt se krahas Mirash Ivanajt e Rexhep Mitrovices, edhe Sotir Papahristoja ben pjese nder titullaret me perparimtare dhe me te perkushtuar te zyres se larte te shkolles se shtetit shqiptar ne vitet '20-'30 te shekullit XX-te.
Deshira e Papahristos ishte qe te kthehej ne Korcen e tij te bukur dhe te dashur. Dhe ashtu u be. Ne shtator 1925, profesor Sotir Papahristoja u emerua drejtor administrativ i Liceut. Posti i drejtorit administrativ te asaj shkolle te rendesishme, nuk nenkuptonte thjeshte pune administrative dhe shkresurie, por edhe mjaft pune te tjera te rendesishme mesimore pedagogjike. Ishte nje vleresim dhe nje nder qe i behej te parit shqiptar ne ate vend pune. Ne kete mes, Papahristoja u vu ne prove te veshtire ne nje trupe pedagogjike, ku pjesa me e madhe, deri atehere ishte franceze, mesues me nje barre kulture e me pervoje. Kete prove, Papahristoja e kaloi me sukses me nje veprimtari, e cila nuk ra kurre me poshte se ajo e francezeve.
Vijon ne numrin e ardhshem
Shenime
1) Sotir Papahristo: "Jeteshkrimi im"
2) AQSH, FMA, dok.dt.26.5.1924
3) "Gazeta e Korces", Korce, dt. 1.9.1933, nr.1880
4) "Gazeta e Korces", Korce, 5.9.1925, nr.215
5) "Revista Pedagogjike", Tirane, 1925, nr.3
6) Gazeta "Zeri i Korces", Korce, dt.5.8.1925, nr.85
7) "Gazeta e Korces", Korce, 5.9.1925, nr.215
8) Gazeta "Koha", Korce, dt.5.9.1925, nr.236
Krijoni Kontakt