Rinia, mosha e dilemave

I duken interesante shifrat e studimit më të fundit, botuar nga revista italiane 'Espresso", por thotë se realiteti shqiptar shfaqet me disa ndryshime nga ai i të rinjve në vende të tjera. "Të rinjtë tek ne piqen më shpejt, sepse atyre u duhet të përballojnë shumë shpejt probleme të mprehta ekonomike e sociale. Mosha kur arrihet kjo pjekuri e të rinjve në Shqipëri nuk i kalon të 20-at", - shpjegon psikologu, Edmond Dragoti. Ai sqaron se periudha e adoleshentëve njihet tashmë si periudha e vetmisë dhe e dëshpërimit. Adoleshenti kërkon të realizojë vetveten, por është në mes të udhës. Duan të quhen të pjekur e nuk e përballojnë dot peridhën e kapërcimit të menjëhershëm". Sipas psikologut, të rinjtë në Shqipëri kanë si veçori se përballen shumë herët me probleme konkrete. Nëse të huajt i kalojnë thuajse pa i cikur fare probleme të tilla, shqiptarët duhet të nisin çdo gjë nga e para, t'i bëjnë të gjitha me duart e tyre duke qenë se vijnë nga familje të varfra prej të cilave nuk marrin mbështetje të madhe. "Por, në përgjithësi, i riu nuk kënaqet me ato që arrin. Është një brez i rebeluar". Për të arritur lirinë individuale duhet arritur së pari pjekuria sociale, por kjo realizohet edhe nga përvojat në punë. Shihen njerëz më pak të interesuar për të zhvilluar vetveten, por gjithçka sipas psikologut varet nga kombësia, shtrirja gjeografike, mendësia dhe kushtet psikologjike, sociale e historike. Dragoti mendon se aplikimet e gjimnastikave shpirtërore, si yoga e ZEN janë mënyra që po dështojnë, megjithëse shihen si mënjanuese të stresit e të problemeve të rutinës së përditshme. Sfida e të rinjve është përballimi i problemeve dhe zgjidhja e tyre në mënyrë sa më racionale, duke lënë mënjanë dëshpërimin e pesimizmin. Por, sipas psikologut, gjithçka fitohet me moshë , pjekuri e përvojë. Por ndonjëherë edhe në moshë të rritur njeriu nuk vihet në paqe të plotë me veten. Mosha e dilemës duket se zgjat tepër.