Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Portat e Arta (Golden Gate) të Via Egnatias në Ballkan

    Portat e Arta (Golden Gate) të Via Egnatias në Ballkan

    Prof.Dr.Valter Shtylla

    Historia e rrugës antike Via Egnatia e meriton të ndriçohet dhe botohet për shumë arsye. Trasimi topografik mjaft komod, kalldrëmet solide, veprat e artit të shumta si urat e gurit e drurit, muret mbajtës, kanalizimet etj, formulojnë historinë e teknikës së ndërtimit të saj. Ekspeditat e shumta ushtarake gjatë shekujve të ndryshëm përshkruajnë historinë militare të Via Egnatias. Veç këtyre, kjo rrugë antike ka qënë bartëse e kulturave të ndersjellta. Ajo lidhte ndërmjet tyre qendra të botës antike si Dyrrachium, Scampën, Lychuidin, Heraclean, Edesen, Pellën, Tesalonikun, Neapolis (Kavallën) dhe Kostandinopojën, duke qënë kështu një rrugë kulturore, e integrimit të traditave dhe e komunikimit human. Përveç treguesve të mësipërm, që përbëjnë historinë komplekse të Via Egnatias, kjo rrugë antike sot tingëllon mjaft interesante në aktualitetin euro-ballkanik, sot Via Egnatia përfaqësohet nga i ashtuquajturi "Korridori 8", aq shumë u përfol në projekte-ide, projekte teknike dhe preventiva kostoje të qeverive dhe organizmave projektuese nga Ballkani. Dhe nuk është punë e humbur kot. Romakët që kur e ndërtuan në shekullin e II para erës sonë zgjodhën atë si variantin më të shkurtër dhe ekonomik ndërmjet Durrësit dhe Kostandinopojës nëpërmjet Selanikut. Duke kaluar një terren të shkurtër malor në malet e Polisit, gjatë luginës së Shkumbinit në Iliri, qafat e buta në Bukovo e Xhavato në segmentin Lychnid - Heraclea në Maqedoni, nga pikëpamja fizike Via Egnatia përfaqësonte një aks rrugor, i cili veç lartësive të cituara më sipër, përshkohej në ultësira bregdetare deri në Kostandinopojë, Rrugë e shkurtër, përgjithësisht fushore dhe që kalon nëpër qytete të rëndësisme të Shqipërisë, Maqedonisë, Greqisë dhe Turqisë, janë tamam këto avantazhet e kësaj rrugë antike që e bëjnë atë të lakohet aq shumë në opinionet aktuale. Via historike Egnatia kalonte nëpër katër territoret e mësipërme dhe gjithë rrugët e tjera në veri e jug të saj janë veçse degë të saj. Rigjenerimi i kësaj rruge, me të dy orientimet - Maqedoni - Bullgari si dhe Maqedoni - Greqi - Turqi, përbën një faktor jetik për Shqipërinë. Në fazën e ndërtimit, ky investim punëson shumë shqiptarë, si dhe inicion nismat infrastrukturore si hotele - restorante, pika karburanti, etj. Ndërsa në fazën e shfrytëzimit Shqipëria është tranzite urbanistike ekonomiko-kulturor. Si të thuash atdheu ynë do ta ketë vendin në mesin e sofrës ballkanike. Në këtë rast, shansi historik është me ne dhe pavarësisht nga pengesat ai duhet shfrytëzuar.

    Duke pasur pozitën kyçe në këtë aks historik nuk na falet mbetja jashtë nga aktualizimi i tij, për arsye të varianteve të tjera ballkanike, të cilat mund të emertoheshin dhe ato me termin Via Egnatia. Në fund të fundit, Komuniteti Ndërkombëtar duhet të ndërgjegjësohet se jo rastësisht Iliria - Shqipëria ka qënë shtrat i Via Egnatias të ndërtuar nga romakët, të cilët janë dalluar për trasime rrugësh apo ndërtime të arrira të çfarëdolloji. Tema të tilla teknike që përfaqësojnë njëherazi dhe interesa jetike politiko-ekonomike, në forumet ndërkombëtare duhen mbrojtur jo vetëm nga përfaqësues diplomatikë.

    Emergjenca të tilla si faktorë ekonomikë, investimet e huaja dhe hapja e vendit drejt niveleve të larta të qytetërimit nuk pranojnë zvarritje të problemeve kardinale të zhvillimit. Rrugët gjithmonë kanë shprehur zhvillimin e një vendi. Historikisht vendi ynë për vetë pozitën, i ka pasur gjithmonë ato. Sot kemi të drejtën e rigjallërimit të tyre edhe në ndonjë rast në ballafaqime ekskluzivitetesh prej të tjerëve. Rrugët lidhin popujt, zhvillojnë vendet ku kalojnë dhe ato duhen zhvilluar aq më tepër sot në pretendimet për një Europë Komunitare. Korridori 8 (pjesërisht dhe tërësisht Via Egnatia), rruga Durrës - Prizren, edhe ajo me origjinë antike, rruga transversale veri - jug nuk janë veçse shpëtimi i Shqipërisë, e cila vazhdimisht po citohet nga organizmat ndërkombëtare për nivelet e ulëta të jetesës.

    Për ndërtimin e Via Egnatias shprehet një gur miliar i zbuluar në vitin 1974 në rrethinat e Selanikut. Në këtë gur në latinisht dhe greqisht lexohet emri i Prokonsullit të Maqedonisë Knaesus Egnatius, biri i Gajusit sunduesit të Romës, si dhe distanca prej 260 miljesh ndërmjet Dyrrachianit (Durrësit dhe Tesalonikut). Ky shënim me emrin e shtetarit më të lartë të provincës së Maqedonisë, nën pushtetin e të cilit u ndërtua kjo rrugë, shpreh faktin historik se punimet e Via Egnatias u realizuan në periudhën republikane të Romës, ndërmjet viteve 146-143 para erës sonë, në fillimet e prokonsullit të Egnatiusit në Maqedoni, emrin e të cilit mori dhe vetë rruga. Via Egnatia në Ballkan ishte vazhdimi i Via Apias së njohur të gadishullit italik të Apenineve, ndërtuar në vitin 312 p.e.s. nga censori Apius Klaudit, i ngarkuar me pasurinë shtetërore dhe me punët publike. Via Apia nga Roma zbriste drejt jugut deri në skelën e Brundisiun (Brindisi) për t'u hedhur matanë Adriatikut në Dyrrachium. Ndërsa Egnatius e ndërtoi këtë aks romak, perandori Trojan (98-117) ndërmori gjatë Via Egnatias punime të tilla të rëndësishme sa që emri i këtij perandori konfondohet me emrin e krijuesit të rrugës, Egnatias. Via Egnatia si një rrugë antike me vlera të njohura funksionale, përveçse ishte një zgjidhje teknike optimale e pasur me elementë strukturore, kjo ka qënë trajtuar dhe si një vepër monumentale. Në qytetet antike ku ajo kalonte, ishin të njohura Harqet e Triumfit me relieve dekorative si dhe portat madhështore.

    Nëpërmjet Portave, Via Egnatia hynte në sistemet e fortifikuara të qyteteve të asaj kohe. Portat e qyteteve antike ku kjo rrugë duke çarë muret e fortifikuara, futej në qytet mespërmes duke dalë nga faqja simetrike e fortifikimit, quhheshin Porta e Artë - Golden Gate. Deri më sot Golden Gate të Via Egnatias në Ballkan, diku e ruajtur apo diku sipas burimeve, hasen në Dyrrachion (Durrës), Scampis (Elbasan), Tessalonik (Selanik) dhe në Kostandinopojë (Stamboll). Gjurmët e Portës së Artë në Kalanë e Durrësit dolën pas prishjes së godinës së ish Shtëpisë së Pionierit karshi Inter Klubit. Ajo ndodhet në murin më të hershëm të kalasë muri i shek.III-IV të erës sonë ndërtuar me tulla. Punimet e çlirimit të kryera në fundin e vitit 2000 evidentuan konstruksionin e Portës së Artë të Durrësit. Nën asfaltin e rrugës doli gjurma e fillimit të qemerit të madh me tulla, në mbështetjen e djathtë të saj. Pas llogaritjeve ky qemer rezulton me hapësirë drite rreth 9.6 m. Djathtas tij ndodhet qemeri i vogël i kalimit të këmbësorëve me hapësirë drite 2.5 m. Qemeri i majtë nuk ruhet, por gjurmët e tij mund të jenë nën lulishten pranë. Porta e Artë e hyrjes së Via Egnatias në Dyrrachion dhe në vetë gadishullin ballkanik ka formë klasike. Një hark i madh qëndror për kalimin e qerreve me dy harqe simetrike më të vegjël anash për kalimin e këmbësorëve. Në vitin 1914 qemeri i madh ka qënë i ruajtur plotësisht.

    Portë të Artë të Via Egnatias duhet të ketë pasur dhe në fazën më të hershme të Kalasë së Elbasanit, shekulli i IV i erës sonë. Në fortifikimin e Scampias (Elbasani) Via Egnatia hynte në mesin e murit perëndimor pranë muzeut të luftës dhe pasi përshkonte qytetin dilte nga lindja. Nga Golden Gate i Scampisit nuk ruhet asgjë në këmbë përveç fondamenteve arkeologjike të nëndheshme. Siç vërehet nga gjurmët e kullave në daljen e Via Egnatias, në Scampis hyrja e dalja e Via Egnatias kanë pasur një strukturë tjetër, të paktën gjykuar nga faza mesjetare, pasi sqarimi i fazës antike kërkon gjurmimin arkeologjik. Portat me qemere nga të dy anët mbroheshin me kulla gjysmë rrethore që dilnin jashtë mureve gjatësore. Qyteti i Selanikut ka qënë një nga qendrat më të rëndësishme ku kalonte Via Egnatia në Ballkan. Bulevardi kryesor i saj mban emrin Via Egnatia. Sipas planimetrisë së fortifikimit hyrja Golden Gate që futej nga muri perëndimor që mbyll dhe aksin e sotëm "Odhos Ignatia". Në Selanik, në mesin e këtij bulevardi ndodhet harku i triumfit i Galerios, nga vendasit e njohin me emrin Kamara, nën të cilin kalonte Via Egnatia. Galerio, ka qënë ushtarak i lartë romak me origjinë ilire. Më 1 mars 293 Galerio u bë një nga pjesëtarët e "Tetrarkisë" (Pushteti i të Katërve) i krijuar nga Diokleciani. Galerio nga Iliria në periudhën 293-305 u shpall Cezar dhe më pas deri në 311 ai ishte "August - perandor". Në vitet 297 - 198 Galerio arriti një fitore të bujshme mbi persianët. Kësaj fitoreje Galerio i kushtoi pikërisht Harkun e Triumfit në qendër të Selanikut. Harku i Galerios është një konstruksion solid me kompozim simetrik - një qemer i madh me tulla me hapësirë drite 9.7 m - me dy qemere më të vegjël me hapësira 4.85 metra. Lartësia e harkut të madh arrin në 12.5 metra. Në Kamaran e Galerios këmbët e harqeve janë veshur me pllaka guri të bardha ku janë gdhendur skena interesante nga jeta e këtij perandori romak me origjinë ilire, përfshirë dhe skenën e fitores së tij me persët.

    Së fundi, pasi përshkon gjithë Ballkanin Via Egnatia arrin në Kostandinopojë (Stamboll) duke hyrë në qytetin e fortifikuar nëpërmjet Golden Gate të njohur në Jedikulen e Stambollit. Jedikule është një citat i vogël formë trapezi të çrregullt me shtatë kulla në muret perimetrale, prandaj quhet dhe "Jedikule" (Shtatë kullat). Ndërtuar në vitet 1457-58 nga Sulltan Mehmeti II Fatik, Jedikule përfaqëson një shembull të arkitekturës ushtarake otomane të shekullit të XV. Gjatë këtij ndërtimi, Golden Gate është përfshirë brenda tij Porta e Artë është një hark triumfi i ndërtuar në vitin 390 nga perandori Teodosius I. Gjatë sundimit të perandorit Tedosius II në vitet 408-450 u ndërtua muri rrethues i Kostandinopojës, i cili në sistemin difensiv të tij përfshin dhe Portën e Artë. Në qendër të kompozimit të kësaj Porte ndodhet Harku i madh punuar me blloqe guri të gdhendur me finesë, me hapësirë drite 7.75 metra, anash të cilit janë dy harqet e vegjël me hapësira 5.7 m. Pas hyrjes duken qartë gjurmët e kalldrëmit të Via Egnatias i punuar me gurë të mëdhenj plloçakë të lëmuar sipër. Portat e Arta (Golden gate) të Via Egnatias në Ballkan e kategorizojnë këtë aks antik si një rrugë perandorake në antikitet dhe si një arterje mbretërore në mesjetë, kur për arsye të luftrave dhe pushtimeve të ndryshme ajo e humbi disi rëndësine e saj, bile hera-herës edhe u pezullua.

    Për historinë e Via Egnatias, është shkruajtur dhe folur shumë. Në kushtet e sotme të krijimit të shumë organizmave kulturore kombëtare e ndërkombëtare, kjo vijë antike meriton statuse të veçanta si Pasuri e Kulturës Botërore, Itinerar Kulturor Ballkanik, etj. Evidentimi i elementëve të kësaj vije antike si dhe i qendrave dhe objekteve monumentale përgjatë saj përbëjnë një tematikë që duhet trajtuar pasi përveç vlerave historike - dokumentare ato janë të lidhura organikisht me turizmin kulturor, të cilin ende nuk po e ndjejmë në masën e duhur.

  2. Anetarët më poshtë kanë falenderuar Albo për postimin:

    bsdev (03-03-2017)

  3. #2
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    01-08-2002
    Vendndodhja
    N.Y.
    Postime
    660
    Shume interesante! Po une dua te bej disa pyetje. Mos valle Korridori 8 do te ishte nje Via Egnatia e diteve tona? Po pse u evitua ndertimi i saj? A mos ka qellime dashakeqese ne mosndertimin e saj. Mbase nuk eshte kjo tema po nuk mund te rri pa shkruar per te. TUNG!!!

  4. Anetarët më poshtë kanë falenderuar beni67 për postimin:

    bsdev (03-03-2017)

Tema të Ngjashme

  1. Kombin shqiptar 7 milionësh në Ballkan e kanë mbuluar retë e zeza
    Nga Davius në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 29
    Postimi i Fundit: 01-08-2010, 13:18
  2. “Muslimanët në Ballkan - realiteti dhe e ardhmja”
    Nga ~Geri~ në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 11-10-2008, 19:52
  3. "Shqipëria etnike është projekt antievropian dhe civilizues"
    Nga Irfan në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 3
    Postimi i Fundit: 01-05-2005, 15:23
  4. Ballkan - Makedhonia -Nezir Myrta
    Nga Henri në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 28
    Postimi i Fundit: 17-09-2002, 18:54
  5. Roli i Italise ne Ballkan
    Nga Eni në forumin Problemet ndërkombëtare
    Përgjigje: 26
    Postimi i Fundit: 04-07-2002, 08:29

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •