DOSSIER
Historia tragjike e ish-deputetit, Ministrit të Brendshëm dhe dy herë Kryeministrit të Shqipërisë, të cilin komunistët e rrëmbyen në Greqi dhe e vdiqën në Burgun e Burrelit
Si e mbytën në Burrel Koço Kotën, ish-Kryeministrin e Shqipërisë
Kush ishte Koço Kota, ku ishte shkolluar dhe nga ç'familje rridhte ai. Si u angazhua në jetën politike të Shqipërisë që nga viti 1912 kur Ismail Qemali e emëroi Kryesekretar në Ministrinë e Arsimit dhe pjesëmarrja e tij në Kongresin e Lushnjes ku ai u zgjodh sekretar i Kongresit e Senator. Përse e përkrahu ai Ahmet Zogun dhe cilat ishin funksionet e larta që iu ngarkuan gjatë kohës së Monarkisë. Cili ishte qëndrimi i tij gjatë agresionit fashist të 7 prillit 1939, kur ai ishte Kryeministër i Shqipërisë dhe si e rrëmbyen komunistët shqiptarë në Selanik të Greqisë. Si e mbrojti atë avokati i tij Dr. Spiro Stringa në Gjyqin Special dhe vdekja e tij tragjike në Burgun e Burrelit
Dashnor Kaloçi
Xhaxhai im Kostaqi, apo Koço siç e thërrisnim ne në familjen tonë, u largua shpejt nga Korça dhe u vendos në Tiranë që para vitit 1920, për arsye se ai u muar me politikë. Ndryshe nga Koço, babai im Ilia që u diplomua në Stamboll për Drejtësi, jo vetëm që nuk u muar me politikë, por ai i thoshte sa herë Koços që të hiqte dorë nga politika.
Por Koço nuk e dëgjoi kurrë babain dhe ai u angazhua në politikë që fare i ri në Qeverinë e Ismail Qemalit, ku u emërua si Kryesekretar në Ministrinë e Arsimit. Ndonëse Koço punoi dhe luftoi një jetë të tërë në të mirën e Shqipërisë, që nga Kongresi i Lushnjes ku u zgjodh Sekretar i tij dhe më pas si Ministër i Punëve Botore dhe dy herë si Kryeministër i Shqipërisë, ai pati një fat tragjik. Pas mbarimit të luftës, ai u largua nga Athina ku ishte vendosur pas largimit të Zogut dhe u vendos në Selanik së bashku me dy shokëtë të tij, ish-funksionar të lartë të Monarkisë. Aty nga fillimi i vitit 1945, në shtëpinë ku banonte shkuan dhe e takuan tre oficerë të Sigurimit të Shtetit të cilët arritën deri aty të ndihmuar nga komunistët grekë që në atë kohë kontrollonin një pjesë të madhe të territorit të Greqisë ku përfshihej dhe Selaniku. Ata iu hoqën si nacionalistë dhe e gënjyen duke i thënë se duhet të kthehej me ta në Shqipëri, pasi do formohej një Qeveri koalicioni me komunistët e Enver Hoxhës. Ndonëse Koço nuk i besoi thëniet e tyre dhe nuk pranoi të kthehej, ata e morën me forcë në një furgon të mbyllur dhe e sollën në Tiranë ku e nxorrën para Gjyqit Special në marsin e vitit 1945. Fatkeqësisht Koços i doli fjala e vëllait dhe babait tim Ilias, i cili i kishte thënë që të mos përzihej në politikë. Kështu pas dënimit me burg të përjetshëm në Gjyqin Special, ai vdiq në mënyrë tragjike në qelitë e errta të Burgut të Burrelit". Njeriu që flet dhe dëshmon për herë të parë për "Gazetën", është 69-vjeçarja Kristina Kota, e cila rrëfen gjithë historinë e xhaxhait të saj, ish- Kryeministrit të Shqipërisë Koço Kota, i cili mori pjesë aktive në politikën shqiptare që në moshë fare të re në Qeverinë e Ismail Qemalit dhe më pas në Kongresin e Lushnjes ku u zgjodh Senator, për ta vazhduar karrierën e tij të gjatë si deputet, Ministër i Brendshëm, i Punëve Botore si dhe dy herë Kryeministr i Shqipërisë. Po cili ishte Koço Kota, nga ç'familje rridhte ai dhe cila ishte e kaluara e tij? Ku u shkollua ai dhe si u angazhua për herë të parë në politikën shqiptare? Cilat ishin funksionet që mbajti Koço Kota nga viti 1912 e deri në vitin 1939 kur agresioni fashist italian i 7 Prillit, e gjeti në postin e Kryeministrit të Shqipërisë. Ku u vendos ai pas largimit nga Shqipëria dhe përse nuk e ndoqi nga pas Mbretin Zog, të cilit i kishte shërbyer me besnikëri për 20 vjet me rradhë në konsolidimin e Shtetit Shqiptar? Si e gjetën atë në Selanik oficerët e Sigurimit të Shtetit Shqiptar dhe si e rrëmbyen ata duke e sjellë me forcë në Shqipëri me ndihmën e komunistëve grekë? Cili ishte qëndrimi i Koço Kotës në Gjyqin Special në marsin e vitit 1945 dhe si e mbrojti atë avokati i tij Spiro Stringa? Përse e dërguan Koçon në Burgun e Burrelit dhe si vdiq ai në vitin 1949 nga torturat që i bënë atij dhe dy shokëve të tjerë të qelisë tij? Lidhur me këto dhe të tjera ngjarje e fakte nga jeta e ish-Kryeministrit të Shqipërisë, hedhin dritë dëshmitë e mbesës së tij, 69-vjeçares Kristina Kota, dokumenti origjinal i mbrojtjes së avokatit të tij Spiro Stringa (të cilin e ka ruajtur i biri Pandeliu) si dhe rrëfimi rrënqethës i Avni Bejkovës, i cili ka qenë prezent në vdekjen tragjike të Koço Kotës në Burgun e Burrelit, ku ai vuante dënimin bashkë me të.
Kush ishte Koço Kota
Kristina Kota, së bashku me të motërn e saj Gallatën, (dy vjet më e madhe se ajo) janë të vetmet trashëgimtare nga familja Kota që jetojnë në Shqipëri, me të cilat ne morëm kontakte për të na rrëfyer diçka më shumë për xhaxhanë e tyre, ish-Kryeministrin e Shqipërisë i cili pati një fat tragjik. Kristina, tashmë në moshën 69-vjeçare, e cila jeton me familjen e saj në një shtëpi private diku në fillim të Rrugës "Qemal Stafa", e priti me shumë kënaqësi qëllimin e vizitës sonë dhe u tregua e gatëshme për të dëshmuar rreth xhaxhait të saj. Lidhur me origjinën dhe të kaluarën e familjes Kota, Kristina shprehet: "Koço apo Kostaqi, siç është emri i tij i vërtetë i xhaxhait tim, u lind në qytetin e Korçës në vitin 1888, prej nga është dhe origjina e familjes sonë. Gjyshi im dhe babai i Koços, quhej Nuçi Kota dhe në atë kohë ai merrej me tregti lëkurësh e importe të ndryshme nga Italia dhe Greqia. Koço ishte fëmija i dytë nga tre djem dhe një vajzë që kishte Nuçi Kota, i cili ndonëse nuk e kishte mbaruar shkollën e lartë, ishte njeri shumë praktik. Nga mosha, i pari prej xhaxhallarëve ishte Kristaqi, pas tij vinte Koço dhe më i vogli i tyre ishte babai im Ilia. Në atë kohë shtëpia e gjyshit Nuçit, ku u lindën dhe babai im me dy vëllezërit e tjerë dhe motrën Leonorën, ndodhej diku në afërsi të Kishës së sotme Orthodokse të qytetit të Korçës. Nga të katër fëmijët e Nuçit, vetëm babai im Ilia dhe Koço mundën të mbaronin shkollat e larta, kurse i madhi Kristaqi dhe vajza Leonora, mbaruan vetëm shkollat e mesme. Siç më ka treguar babai im Ilia, mësimet e para Koço i kreu në qytetin e lindjes në Korçë dhe më pas ai shkoi në Greqi dhe vazhdoi Universitetin në Athinë, ku u diplomua në Shkencat Politike. Ndërsa babai im Ilia u diplomua po për Drejtësi, po në Universitetin e Stambollit. Koço u martua fare i ri pas kthimit nga Greqia dhe me gruan e parë që i vdiq në moshë të re, ai kishte tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Vajzat quheshin Tefta dhe Beatriçe, kurse djali kishte emrin e gjyshit, Nuçi. Koço u largua që herët nga shtëpia dhe pasi mbaroi Universitetin e Athinës, ai nuk u kthye më në qytetin e Korçës, pasi iu kushtua politikës. Në vitin 1912 ai iu përgjigj thirrjes së Ismail Qemalit dhe mori pjesë në administratën e tij duke punuar si Kryesekretar i Ministrisë së Arsimit në Qeverinë që kryesohej nga vetë Ismail Qemali.
(vijon nesër)
Gazeta Shqiptare
------------------------
E mer koco kota , kot u more me politik.
Ruaj Lidhjet