Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Të dhëna mbi historinë e zhvillimit të arkitekturës fetare(kulti islamik në Shqipëri)

    DOSJE/ Si u ruajt kulti islamik në Shqipëri

    Studiuesi Zija Shkodra sjelle të dhëna mbi historinë e zhvillimit të arkitekturës fetare

    Pas fushatave luftarake që zgjatën mbi 200 vjet, më 1571 u vendos sundimi osman në Shqipëri. Krahas tij, një rrezik...

    ISLAMIZMI/ Studiuesi Zija Shkodra sjell të dhëna mbi arkitekturën fetare dhe zhvillimi në periudha të ndryshme

    Si u ruajt kulti islamik në Shqipëri

    Numrin më të madh e zënë xhamitë me çati prej druri, të cilat në pjesën më të madhe nuk i kanë qëndruar kohës

    Zija Shkodra


    TIRANË - Pas fushatave luftarake që zgjatën mbi 200 vjet, më 1571-ën u vendos sundimi osman në Shqipëri. Krahas tij, një rrezik tjetër i ri i kërcënohej nga deti vendit tonë. Republika tregtare e Venedikut, duke dashur të rrisë zotërimet e veta, nga viti 1392 nisi pushtimin e qyteteve bregdetare shqiptare. Por turqit osmanë pas krizës shumëvjeçare të shkaktuar nga disfata e Ankarasë (1402), i mblodhën forcat përsëri dhe nën drejtimin e Sulltan Mehmetit i rifilluan fushatat pushtuese drejt Ballkanit, pra dhe Shqipërisë. Pasi shtinë në dorë një pjesë të këtyre anëve, si dhe viset veriore dhe juglindore të vendit, u përhapën me shpejtësi edhe në drejtime të tjera. Më 1417-ën morën Vlorën dhe Beratin, ndërsa Gjirokastrën e pushtuan në vitin 1419. Osmanët, që synonin të kalonin në Itali, i vazhduan sulmet në drejtim të Shqipërisë së mesme dhe të veriut. Më vonë, sidomos pas fushatës së dëshpëruar 25-vjeçare kundër heroit legjendar Skënderbeut, ia dolën të shtien në dorë qendra të tjera të vendit si: Prizrenin më 1455, Krujën, Lezhën dhe Drishtin më 1478-ën, Shkodrën më 1479-ën dhe Durrësin më 1501-ën. Me përjashtim të kështjellave bregdetare të Tivarit dhe Ulqinit, të cilat vazhduan të qëndrojnë në duart e venedikasve deri në betejën detare të Lepantit (1571), fushata pushtuese osmane, pas gati 2 shekuj luftërash të përgjakshme, përfundoi me pushtimin e plotë të vendit në shekullin XV.

    Xhamitë e thjeshta me çati druri

    Shekulli XV përbën periudhën e ndryshimeve të mëdha: ekonomike, politike, shoqërore e kulturore. Sigurisht që për nevojat e ushtrisë, në kalatë e garnizoneve osmanët ndërtuan faltore të kultit islamik, të cilat nuk i qëndruan kohës, nga shkaku i materialeve të dobëta të përdorura në to. Xhamia më e hershme që njihet në vendin tonë ka qenë xhamija e Sulltan Mehmetit II, ndërtuar mbi kullën e hyrjes së kalasë së Elbasanit, një xhami e thjeshtë me çati druri dhe e mbuluar me tjegulla. Me emrin e Fatihut lidhen dhe xhami të tjera të ndërtuara në Shkodër, Krujë dhe në Kaninë të Vlorës. Xhamitë e para me çati druri duket se u takojnë qyteteve të rëndësishme të vendit. Ato i shërbenin administratës pushtuese dhe garnizoneve ushtarake, sepse deri nga fundi i shek. XV, numri i banorëve të kthyer në fenë e re islame ishte mjaft i pakët (i vogël).

    Vetëm nga mesi i shek. XVI, islamizmi i qyteteve, krahas rritjes së popullsisë, u krye me ritme të shpejta. Në aspektin arkitekturor ato nisin të marrin pamjen e qyteteve myslimane me ndërtimin e xhamive, mesxhiteve, namasgjaheve, teqeve, medreseve, tyrbeve, imareteve, hamameve publike, bezisteneve, çesmave, karvansarajeve dhe varrezave. Ndërtime të tjera u kryen edhe gjatë dy shekujve që pasuan. Një tablo të zhvillimit ekonomik si dhe ndërtimeve në qytetet na japin burimet dokumentare historike, si dhe të dhënat e udhëtarëve të huaj që vizituan vendin. Krahas udhëtarëve e misionarëve të shumtë perëndimorë, me vlerë janë edhe ato që vinin nga Lindja, sidomos Haxhi Kallfa (shek 16) dhe Evlija Çelebi (shek. 17). Kështu, ato na plotësojnë pamjen e këtyre ndërtimeve, duke na dhënë mundësinë për një njohje më të mirë të arkitekturës islamike në Shqipëri.

    “Boom” i xhamive

    Shekulli XVIII shënon një rritje të shpejtë të forcave prodhuese në qytet dhe ndryshime të mëdha në strukturën e ekonomisë shoqërore të fshatit, me fuqizimin e ekonomisë çifligare. Në këto rrethana, krahas qyteteve kryesore të vendit si Tivari, Shkodra, Prizreni, Elbasani, Berati, Vlora, Gjirokastra, zhvillohen edhe një varg qytetesh të tjera, si Tirana, Kruja, Kavaja, Dibra, Gjakova, Korça, Voskopoja etj. Fuqizimi ekonomik dhe zhvillimi në përgjithësi i qyteteve u dha hov të madh ndërtimeve. Krahas zgjerimit të qyteteve me dendësimin e banorëve dhe lagjeve ekzistuese, zhvillohet akoma më tepër qendra e qyteteve, ku një vend të rëndësishëm zënë ndërtimet e kultit islamik. Tashmë çdo lagje e banuar kishte zakonisht një qendër të vetën, ku ndërtohej xhamia e shoqëruar me kompleksin e hamamave, çezmave, teqeve, tyrbeve, bezistanëve, kullave të sahateve që ndërtoheshin rreth xhamisë etj. Me islamizimin në masë edhe të popullsisë fshatare që duket se nis nga fundi i shek. XVIII, ndërtimet e kultit islamik u përhapën edhe në disa rajone fshatare. Me përhapjen e islamizimit në masën 2/3 të popullatës së vendit, ndërtimet e kultit islam shtohen së tepërmi nga gjysma e dytë e shek. XVIII deri në mesin e shek. XIX.

    Arkitektura

    Në vargun e madh të faltoreve islamike dhe të ndërtesave të kultit të ngritura në vendin tonë, jo të gjitha përbëjnë objekte me vlera për historinë e arkitekturës. Mjaft prej këtyre i njohim nga përshkrimet e Evlija Çelebiut, i cili na jep një pasqyrë të qartë për shek. XVII. Nga shkrimet e tij rezulton se numrin më të madh të ndërtimeve të kultit islam e zënë xhamitë me çati prej druri, ndër to edhe mesxhitet, të cilat në pjesën më të madhe nuk i kanë qëndruar kohës, ose kanë pësuar ndryshime. Më të vjetra janë ato të kohës së sulltan Bajazitit II, d.m.th të fundit të shek. XV, fillim i shek. XVI. Të tilla xhamitë u ndërtuan në qytetin e Beratit, në Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Tepelenë, Përmet e Delvinë dhe kudo janë të mbuluara me tjegulla. Me interes na duket xhamia e Bajazitit që ndodhet në kalanë të Gjirokastrës "e mbuluar me rrasa guri, me një minare sipas sistemit të vjetër 80x40 këmbë, me tavan dërrasash të punuara bukur, i cili mbahej mbi katër shtylla". Të tilla xhami dhe mesxhide u ndërtuan edhe në qendra më të vogla dhe në kala. Me ndërtimet e mëdha të kultit islamik janë veçanërisht xhamitë, teqetë, medresetë dhe tyrbet, bezistenët, çezmet etj. Xhamitë, që simbolizojnë flatoret e kultit islam, përbëjnë numrin më të madh të ndërtimeve të kultit që ruhen deri në ditët tona.

    Përbërja

    Xhamia përbëhet nga aalla e lutjeve, hajati (portiku) dhe minareja. Në formulimin e përgjithshëm arkitekturor vendin kryesor e zë salla e lutjeve, me të cilën lidhen edhe dy korpuset e tjera. Për nga ndërtimi planimetrik xhamitë i ndajnë në dy grupe: në ato të tipit të vogël me tavan e çati druri, që përbënin pjesën dërmuese të këtyre ndërtimeve të kultit, si dhe me xhamitë e tipit sulltanor me kupolë, që janë më të kufizuara si numër. Tipi i xhamive sullanore me kupolë paraqet vlera më të mëdha arkitekturore: ato zakonisht janë ndërtuar nga persona të lartë të hierarkisë feudale vendase. Salla e tyre e lutjeve me efekt monumental, ishte në njëfarë mase imitim me miniaturë të Shën Sofisë së Stambollit. Kupola e tyre zakonisht vishej me plumb. Xhamitë me çati druri, këto janë xhamitë selxhukide, si dhe xhamitë e mëdha (uluxhamitë), të cilat në periudhën e principatave selxhukide ndjekin rrugën e thjeshtimit të hapësirës së brendshme, nëpërmjet pakësimit të numrit të kolonave mbajtëse.

    Xhamitë “tipike”

    Nga këto ndërtime të para (ndonëse të rrënuara) është xhamia në kalanë e Shkodrës-ish kisha e Shën Stefanit- e adoptuar në xhami prej Sulltan Mehmetit II. Kësaj iu shtua nga ana lindore, minarja me vëllim paralelopedik, e cila ruhet në pjesën e poshtme të saj. Kthimi i kishës në xhami duhet të ketë ndodhur në vitet 1470-1480, menjëherë pas rënies së Shkodrës në dorën e ushtrisë osmane. Të këtij tipi janë sidomos faltoret e vogla të lagjeve dhe në përgjithësi mesxhidet. Një xhami e këtij lloji që meriton të përmendet është xhamia mbret në kala të Elbasanit, të cilën E. Çelebiu e quan xhamia e Gazi Sinan Pashës, e ndërtuar rreth vitit 1492. Në vitin 1492 Gazi Sinan Pasha (admiral i flotës osmane) me 300 anije, ndodhet në brigjet e Shqipërisë dhe po në qershor të atij viti vjen edhe vetë Sulltan Bajaziti II-të, i cili qëndron deri në mes të dimrit, kur u kthye në Stamboll. Të kësaj periudhe janë edhe disa xhami të qytetit të Beratit. Një ndërtim me vlerë arkitekturore i këtij tipi, i kohëve më të vona (1848-1243) është xhamia e Beqarëve (esnafit të Beqarëve) e mbajtur në gjendje të mirë. Kjo ndodhet në qendër të qytetit dhe është e zbukuruar me piktura me pamje të ndryshme nga bota bimore.

    VLERËSIMI/ Piktori anglez, Eduard Lear e cilëson “Et’hem Beun” ndër xhamitë më të bukura që kishte vizituar

    Simboli i sulltanëve në qendër të Tiranës

    TIRANË - Xhamitë sulltanore me kupolë. Këto paraqesin vlera më të mëdha arkitekturore dhe janë ndërtuar me pretendime nga ana e porositësve të tyre. Veçori e tyre është salla e lutjeve me planimetri kuadratike, që në aspektin vëllimor paraqet një kub të mbuluar me kupolë sferike. Zakonisht këto xhami paraqiten me portikë në pjesën veriore, ku ndodhet dhe hyrja e lutësve. Tipologjikisht këto xhami bëjnë pjesë në grupin e madh të xhamive me kupolë dhe i takojnë një tipi të vjetër, më pararendës se xhamitë e periudhës së principatave osmane, si xhamia e Aladinit në Bursë e ndërtuar më 1335-ën, Jeshil Xhami në Iznik ndërtuar më 1349-ën, Xhamia Iljaz beut në Balat, ndërtuar me kupolë masive të rrumbullakët ose shumëkëndëshe. Sallat e tyre me efekt monumental ishin në një farë mase intime, në miniaturë të Shën Sofisë në Stamboll. Kupola e tyre që vishej zakonisht prej plumbi, dallonte lart në siluetën e qyteteve. Xhamia me kupolë kishte rëndësi më të madhe se xhamia me çati, por në siluetën e qyteteve në dy tipet me minaretë e holla dhe të larta prej guri të gdhendur, merrnin pjesë aktive në to. Në panoramën e qyteteve vendi dhe pozita e këtyre xhamive dallohej nga shfaqja në horizont e minareve të larta, të bardha. Në përgjithësi karakterin oriental të qyteteve tona gjatë pushtimit osman, asgjë nuk e paraqiste më qartë se minareja e lartë e këtij objekti kulti islamik. Krahas islamizimit të vendit, u rrit numëri i xhamive, i teqeve, hamameve, namazgjaheve, karvansarejeve e bizesteneve. Sipas traditës së njohur osmane, në themelimin e një qyteti xhamia, çezmja, imareti (menza për të vorfrit dhe udhëtarët), furra, hamami, përbënin objektet e para, ose bërthamën e qytetit, përreth të cilit pastaj mblidheshin dhe ndërtoheshin grupi i ndërtesave të tjera publike e private.

    Në Shqipëri

    Në Shqipërinë juglindore, në qytetin e Korçës, meriton të shënohet xhamia e Iljaz Bej Mirahorit, e krushkut të sulltan Bajazidit II, i dalluar në luftën për marrjen e Stambollit. E ndërtuar mbi rrënojat e një kishe, kjo xhami që është edhe sot në këmbë, përbën një shembull klasik të këtij tipi. Kjo përbëhet nga salla e madhe e lutjeve, nga portiku trepjesësh dhe nga minareja e lartë, me një "kazan". Pranë kësaj xhamije bën pjesë kompleksi me tyrbenë, hamamin dhe ujësjellësin, imaretin, furrën, kullenë e sahatit dhe medresenë. Edhe Tirana, si qendër kryesore e vendit, ishte e mbushur me një varg objektesh dhe faltoresh të kultit islam. Piktori anglez Eduard Lear, i tërhequr nga bukuria e këtyre ndërtesave, në vizitën që bëri në këtë qytet në mesin e shek. XIX, thoshte: "Në asnjë vend tjetër të Shqipërisë nuk ka xhami kaq të bukura si këto të Tiranës". Nga tetë xhamitë kryesore, shkruan konsulli austriak Müller më 1838-ën, është ajo në afërsi të sheshit të kështjellës. Me sa duket, ky fliste për xhaminë e Mazhi Et-hem beut që filloi të ndërtohet më 1792-93 në sheshin e pazarit, pranë kullës së bukur të sahatit dhe kishte përfunduar së ndërtuari më 1821 nga i biri, se i ati vdiq.

    Në qendër

    Xhamia e Haxhi Et-hem beut, e tipit sulltanor me kupolë, që e zbukuronte qytetin, sikurse "Shën Sofia Stambollin", është një ndërtim me vlerë të veçantë arkitektonike. Kjo faltore e ruajtur në qendër në Tiranë, pranë kullës së sahatit, është e zbukuruar me piktura dhe zbukurimore. Ajo ka një hajat të gjerë me çati, të mbajtur mbi shumë shtylla guri nga tre anët e saj. Përveç zbukurimoreve skulpturale, xhamia është e mbushur me piktura në arkade, sofa dhe brenda saj. Motivet zbukuruese janë kryesisht nga bota bimore si: lule, pemë etj., ndonëse aty nuk mungojnë edhe peisazhet, mbase edhe pamje nga xhamitë e Stambollit, të krijuara nga fantazia e piktorit. Xhamia e Haxhi Et’hem beut, nga çdo pikëpamje, si nga ana ndërtimore, nga harmonia e pjesëve përbërëse, nga minareja e lartë e bardhë, prej guri të gdhendur dhe elegant, apo edhe nga kupola e portiku i saj tërheqës, mund të radhitet fare lehtë në grupin e monumenteve më të bukura të besimit islamik, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Ballkanit. Eduard Lear-i, duke bërë fjalë për këtë lloj arkitekture thoshte: "Tirana, veç rrugëve më të gjera se ato të Elbasanit, shkëlqente më shumë edhe në arkitekturën fetare islamike, si edhe në sheshet e hapura të pazarit".

    Të tjera...

    Veç ndërtesa të kultit dhe rrugëve kryesore të gjera, përveç tyrbeve dhe teqeve të shumta etj., në qendrën e Tiranës kishte një shesh tërheqës të gjelbëruar "namazgjah", që ishte një vend prehës shumë i bukur, i rrethuar me mure jo të lartë dhe me selvi të shumta anash, një shesh që përdorej gjatë verës për mbledhjet e qytetarëve dhe faljet e tyre gjatë muajit të ramazanit dhe të bajramit.

    Edhe banjot publike (hamamet) zinin një vend të dukshëm në arkitekturën e ndërtimeve shoqërore të qyteteve. Sipas parimit të urbanistikës islamike, hamamet ndërtoheshin në grup bashkë me objektet e tjera siç ishin xhamitë, (për të cilat folëm më sipër), furrat, çezmet, karvansarajet, imaretet etj.", të cilat përbëjnë lëndën e një trajtese tjetër.

    Shek. XIX

    Xhamitë në Kosovë

    30 - Prizreni

    16 - Peja

    13 - Prishtina

    11 – Gjakova

    4 – Mitrovica

    3 - Vuçiterni

    2 – Gjilani

    Xhamitë në Shqipëri

    26 - Shkodër

    8 - Tiranë

    5 - Kavajë

    16 - Elbasan

    7 - Berat

    10 - Vlorë

    2 – Korçë

    Dita.
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Postmodern
    Anëtarësuar
    16-08-2003
    Vendndodhja
    prishtine
    Postime
    137
    Teme vertet e qelluar. NJe dite te kendshme...
    It's the end of the world as we know it and I feel fine.

  3. #3
    carpe diem Maska e drini_në_TR
    Anëtarësuar
    28-09-2002
    Vendndodhja
    Tiranë, AL
    Postime
    1,585
    Xhuxhumak, falemnderime për sjelljen e kësaj info-je këtu. Meqë ra fjala për Xhamitë dhe lidhjet e tyre me hamamet, etj... desha të shtoj këtu edhe diçka tjetër për lexuesit jo-muslimanë, pasi besimtarët e islamit që falen rregullisht medoemos që duhet ta dinë... çdo Xhami ka qaben e saj (qendrën ku drejtohen me faljen e tyre besimtarët) e cila drejtohet gjithnjë për nga Meka. Psh, po të vërehet xhamia e Et'hem Beut në Tiranë, nuk është në një aks paralel me Bashkinë e Tiranës dhe me godinat e tjera ministrore të RSH-së, pasi ajo është e drejtuar sipas orjentimit për në Mekë, si çdo Xhami tjetër në botë...

    Orjentimi i saktë ndaj Qabes (më duket se në ktë rast i referohet edhe Mekës) është aq i rëndësishëm për besimtarët musliman saqë në Itali rreth viteve 80-të shisnin ora apostafat për këta besimtarë të cilat kishin nga një busull ku tregohej drejtimi i Qabes, që kur t'i kapte orari i lutjeve/faljeve të dinin nga të drejtoheshin...

    përshëndetje.
    drini.

Tema të Ngjashme

  1. Çfarë mendoni për Ahmet Zogun?
    Nga honzik në forumin Elita kombëtare
    Përgjigje: 242
    Postimi i Fundit: 03-03-2014, 08:03
  2. Si mund të ulet ndikimi grek në shqipëri ?
    Nga Anton në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 192
    Postimi i Fundit: 14-08-2011, 17:46
  3. A ka konspiracion kundër Shqipërisë?
    Nga BARAT në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 42
    Postimi i Fundit: 10-05-2011, 09:36
  4. Gjermani i dashuruar pas kishave shqiptare
    Nga Hyllien në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 1
    Postimi i Fundit: 05-08-2005, 19:47
  5. Interviste e Fadil Tolaj-t
    Nga Brari në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 04-01-2004, 06:56

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •