GSH
------
Luca: Mos i shkelni ëndrrat e "Rozafës"
---------------------------------------
(Monolog i pabotuar)
Gjergj Luca
Që të kuptoni ëndrrat, duhet të dini se kush jam, nga vij dhe ku shkoj, nga rrjedh dhe çfarë mendoj. Po flas e pse jo! Do provoj çfarë humbas dhe çfarë fitoj. Kam kaq vjet që provoj ditë e natë mbi ëndrrat e herë humbas e herë fitoj mbi to. Po plas të shkruaj dy fjalë, mos fol, mos fol dëgjohen në kor zërat e miqve të mi "ç'po të duhet me fol, 5 minuta dole para kamerave dhe të bllokuan një vit", "çfarë të duhet, shteti është shtet" etj. etj. Pas këtyre fjalëve njeriu zhytet në ritmin e punës dhe harron për disa momente monologun e tij.
Kush jam! Jam shqiptari i zakonshëm, që kjo kohë ndryshimesh të mëdha s'na la të vazhdonin ëndrrat e para për të cilat u ushqyem, jam shqiptari që ajo kohë më gjeti me dy prindër të nderuar në pension, me grua e fëmijë në shtëpi. U detyrova të dal në rrugë e të braktis ëndrrat përpara një domosdoshmërie jetese. S'më erdhi keq, s'isha i vetëm, ai ishte fati i shumicës, atë ndryshim kërkuam dhe mes dallgëve të asaj kohë të gjithë filluam të kërkonim vetveten. Kam bërë çdo punë, shofer taksie, shitës te tregu, tregtar lodrash, këpucësh, rrobash; endesha gjithë ditën rrugëve për mbijetesë e bashkë me këtë luftë të mundimshme filluan të hidhnin rrënjë ëndrra të reja, ato ëndrra që unë bashkë me njerëzit që zgjodha në vite, bashkë me njerëzit që u rrita në vite, bashkë me njerëzit që më dhanë besim, që formuan ëndrrat e tyre mes ëndrrave të mia, që krijuan familjet e tyre e nga 2-3 të tillë më 1992 sot janë 200-300, që dhe këta kanë afruar rreth vetes qindra të tjerë, për të plotësuar ëndrrat e tyre. E tani kjo është bërë familje, e pse jo është bërë kështjellë e kjo kështjellë ka një emër, një emër të madh, një emër që luftojnë të gjithë ta mbajnë me dinjitet. Pra kjo ëndërr tani është realitet, quhet "Rozafa", ju s'mund ta shkulni këtë emër.
Mos harroni nga vij! Vij nga baba që për abetare më dha "Lahutën e malcisë". Që për amanet më la dy fjalë: "Djalo, ditën e fundit të jetës s'dua hipokrizi, do të më nxjerrësh vetëm nga shtëpia dhe në kokë do të më vësh qeleshen, që ma kanë dhuruar me "Bacën e Gjetajve" në Deçan. Vij nga një nënë që ka pasë për gjysh Bej Samiun dhe për ata që janë nga Jugu e dinë mirë kush është.
E dini se ç'rrugë ka kaluar ëndrra "Rozafa", s'po ju flas për të gjitha ato që dini e keni parë, por po ju flas për ato që s'keni parë.
Më 1997 shumë vetë ikën të trembur, të tjerë u mbyllën, të tjerë prisnin, e ca të tjerë të çmendur ndërtonin në Shëngjin, në Durrës, në Divjakë e gjithkund magazina peshku. Këta ishin njerëzit e "Rozafës", të cilët mblidhnin peshkun e mijëra peshkatarëve të tyre që nuk i braktisën në asnjë moment. E bënin për ditë kamionë eksporti me Greqinë, dhe e bënin këtë mes rrugëve që as qenë të trembur nuk kishin, por ku nuk mungonin pritat, e çdo mëngjes shihnin njëri-tjetrin në sy e duke qeshur thoshin "Na desh Zoti dhe sot!"
Si duket kjo kohë na trimëroi, dhe më pas, më 1998- 1999, hapën një stabiliment në Mal të Zi; më 1999-2000 shkuan në Serbi. Dy ambasada ishin me plumba nëpër mure, një që kishte luftuar për ne, por e hapur dhe ajo e jona e mbyllur.
Qeshnim dhe thoshim këtu do hapim stabiliment. Po emrin si do t'ia vëmë? "Rozafa", s'ka tjetër. Ashtu ndodhi, "Rozafa" u hap dhe filloi të punonte normalisht. E ndërsa ëndrrat rriteshin përditë në Kosovë, më vonë në Greqi me linja përpunimi e deri flota e kooperativa në Shqipëri .
Më hyrjen e "Rozafës' në sektorin e Lojërave të Fatit, një kompani e përbashkët me pjesën tjetër të familjes në Amerikë nën emrin "Rozafa Palace", e cila preku dhe prishi monopolin e Lojërave të Fatit në Shqipëri, direkt pas 3-4 muajsh erdhi goditja, mbyllet "Rozafa Palace". Goditja e parë e asaj përmase ndaj biznesit për të ruajtur monopolet. Ishte e para dalje e një biznesmeni para kamerave, që duke iu dredhur buza me dorën lart thotë "Më tregoni, kujt t'ia çoj çantën me lekë?!". Këto fjalë i kushtuan kësaj kompanie një vit pa punë, 300-400 mijë euro kredi nëpër banka për të mbajtur të gjithë punëtorët dhe strukturën, pa i hedhur në rrugë rreth një vit. Trokita në të gjitha dyert e shtetit me taksat e paguara nëpër duar, asnjë derë s'u hap. Iu drejtova Ambasadës Amerikane dhe Atasheut tregtar të asaj kohe, i shpjegova dhe i kërkova ndihmë që të paktën këta përbindësha që erdhën në emër të shtetit, të mos ndërhynin në manipulimin e gjyqit, fitova të dyja shkallët e gjyqit, mbylla gojën dhe vazhdova punë, pra iu riktheva ëndrrave. Këtë radhë më me forcë, më me inat për të shkatërruar monopolet e këtyre njerëzve, duke hapur përditë punë, lokale të reja, dhe duke i vënë nga një gur shpirtit që të mos shpërthente, kur ndeshej në ambientet publike të "Rozafës" me këto mostra që u përpoqën të fusnin ëndrrat në dhe. Këta njerëz e dinin mirë që unë nuk isha dhe s'kisha për të qenë kurrë pjesë e tyre, ballafaqimi i dytë erdhi, TENDERI I KAZINOVE, ishte një tjetër ëndërr, për të cilën njerëzit e "Rozafës" kishin 3-4 vjet që punonin, për të plotësuar të gjithë dokumentacionin e kërkuar nga Ministra e Financës, duke trajnuar personelin jashtë, duke sjellë këtu teknikë të huaj, duke blerë teknologji moderne.
Ma prunë fjalën që të mos futesha në konkurs, po unë hyra dhe ajo hyrje u quajt SFIDË. Lufta filloi. Instituti i thashethemeve, që është i vetmi që meriton dekorata në këtë vend, filloi të vjellë vrer: "Rozafa firmë që pastron paratë", çfarë është ky Luca, kush ia la lekët, me siguri merret me drogë, arritën që thashethemet të depërtonin si letra konfidenciale nëpër internete, ku Luca dhe drejtorë të tij ishin Bosi i linjës së drogës Shqipëri-Mal i Zi-Serbi, por fantazia u bë akoma më e besueshme kur tregonin dhe vendin ku fshihej droga: në "barkun e peshkut". Kur i dërgoi letër SHISH-i ynë atij të Jugosllavisë, me të vetmit kolegë që kanë marrëdhënie të mira, "kontrolloni barkun e peshqve...", dhe këta me letër në dorë më thonë: " Vitin e parë të kemi kontrolluar dhe vëzhguar dhe menduan ç'është ky?! Vitin e dytë kemi thënë ç'është ky Ufo; ndërsa vitin e tretë na ke imponuar respekt dhe kemi thënë "Hallall!".
I kam kërkuar takim ish-kryetarit të SHISH-it, nëpërmjet të njohurve të tij, s'ka denjuar të më presë. Më pas, nëpërmjet një miku tim, arrita të takoj një tjetër titullar të këtij shërbimi, dhe i kam thënë "Kush jam unë në vendin tim, si s'u vjen turp këtyre shërbimeve, që duan të diskreditojnë emrin e "Rozafës". Nuk e dinë kush është "Rozafa"? Me çfarë punon Gjergj Luca? Ç'është kjo fushatë e turpshme, kur punonjësit e tu urdhërojnë të kontrollohet "Rozafa' për drogë. Ai më thotë: "Ti e kupton si funksionojnë zyrat te ne, një informator shkruan një copë letër dhe shteti ngrihet në këmbë për ta verifikuar". Dhe unë e pyes se cili shtet, nuk e di ky shtet për 15 vjet se kush jam unë, kush është Rozafa, por e dinë më mirë Greqia, Jugosllavia, Italia ku bëj eksport dhe import përditë. Mos e njeh më mirë "Rozafën" Jugosllavia, që më jep këtë letër të turpshme dhe duke qeshur më thotë "Shiko si i ke punët në vendin tënd!". Drejtuesi më thotë qetësohu, ata kanë bërë gabim që ta kanë dhënë këtë letër, rri i qetë, ne e dimë se kush je. Dhe pas kësaj situata ashpërsohet në mënyrë demonstrative. Punonjës të SHISH-it shihen rreth ambienteve të "Rozafës" dhe e bënin këtë vetëm për të bërë show dhe deri taksixhinjtë që rrinë përballë Rozafës thoshin: "Po këta, çfarë kanë?!". Por kulmi arriti kur para disa ditësh bënë një tjetër show, të përmasave të "Rozafa Palace", në mes të Portit të Durrësit, ku bllokuan kamionin në shesh të trageteve, për ta kontrolluar. Mora në telefon përgjegjësin e këtij grupi dhe i them dy fjalë "Është e turpshme që pas 10 viteve eksport bëni këtë show, krejt normalisht mund ta kishit kontrolluar këtë peshk në magazinat frigoriferike të "Rozafës", që janë vetëm metra larg sheshit të trageteve. Megjithatë, ty të kanë urdhëruar. N.q.se nuk ul deri arkën ë fundit në tokë dhe të lësh një procesverbal kontrolli me emra, mua më ke borxh". Show u realizua dhe të gjithë njerëzit nga pritja e gjatë pëshpëritnin: "Kamioni i Rozafës kontrollohet për drogë".
Tani le të hapin veshët mirë të gjithë ata shpifës të zellshëm të administratës, ata që janë të papërtueshëm të çojnë përpara, për hir të karrierës, çdolloj intrige dhe poshtërsie të shefave.
Le të hapin veshët mirë dhe të dëgjojnë fjalët e një njeriu që s'mund t'ia vjedhin ëndrrat, sepse rrënjët e këtyre ëndrrave janë shumë thellë, njëra është në Veri e tjetra në Jug, sepse rrënjët e kësaj ëndrre janë te origjina. Sepse rrënjët e këtyre njerëzve të seleksionuar në vite që punojnë që realizojnë këto ëndrra, s'mund t'i kuptojnë ata njerëz të mjerë, që sa herë ndërrohet shefi i zyrës o fryhen si tullumbace o hidhen në rrugë. Askush s'mund të ketë forcën të bëjë pis emrin dhe ëndrrën që kanë luftuar mijëra njerëz për ta krijuar.
Provuan ta godisin "Rozafën" për Evazion Fiskal, por panë që paguan 7 milionë (të reja) në muaj, po provojnë t'i marrin fytyrën me këto show dhe opinione që ngrejnë. Më dëgjoni dhe më dëgjoni mirë ju njerëz që po shkoni dhe ju që po vini, ky vend mbahet dhe ecën përpara vetëm nga kjo racë njerëzish që guxojnë. Kjo racë njerëzish ka hapur universitetet e veta në të gjithë Shqipërinë. Dhe në të gjitha objektet ku është kjo racë, njerëzit punojnë, mësohen, shkatërrojnë veset e akumuluara 40 vjet prej komunizmit dhe pajisen me diplomën e vërtetë në jetë. Këta janë njerëzit tanë, që Rozafa s'ka pak, ka rreth njëmijë e mijëra të tjerë ka nxjerrë nga universiteti i saj.
Kini kurajë të pyesni sipërmarrësit që punësojnë kur lexojnë në një CV për të punësuar, cilën racë njerëzish do të preferonin të merrnin në punë, ata që vijnë nga "Rozafa" apo ata që përgatiten nga administrata shtetërore. Kur këtu, në këtë tokë, në këtë mënyrë fiton tenderin një firmë jashtëtokësorësh dhe nga tenderi eliminohet një kompani shqiptare dhe një kompani amerikane, ndër të paktët që kanë iniciativë për të ardhur në këtë vend. S'do ta mbyll gojën më për të luftuar për ëndrrat, për perspektivën e njerëzve të mi, për perspektivën e këtij vendi të mjerë.
P.S.
Qesh gjithmonë kur shoh kolegët e mi biznesmenë, me kollare dhe kostum, sesi japin definicione. Stafi im qesh me lot kur lexon ftesat e Dhomës së Tregtisë. Kur vijnë përfaqësues nga Kina apo Hungaria ftohen dhe nuk ftohen kurrë kur vijnë përfaqësues nga Italia, Greqia, Jugosllavia, me të cilët ne bashkëpunojmë.
Aman o njerëz, n.q.se do ta çoni deri në fund rrëfimin tim, mos më qeshni…
Krijoni Kontakt