Kosova dhe "drejta histor1ke në dritën e burimeve dhe studimeve mesjetare”
Shkruan Dr.sci. Selim Daci prof ordinar
Çështja e ndriçimit të historisë së Kosovës në shekuj, përveçse është një ndër problemet shkencore më tërheqëse të Ballkanit dhe Evropës, mori sidomos pas vitit 1981 edhe dimensionin politik. Por, duhet theksuar që në fillim se një gjë e tillë nuk ndodhë për herë të parë në histori. Në të vërtetë, politizimi i çështjes së historisë së Kosovës ka një histori të gjatë më se 150 vjeçare, veçanërisht në historiografinë e shteteve fqinjë dhe në mënyrë të veçantë në atë serbe.
Krahas zhvillimit të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare gjatë shek. XIX-XX, një ndër vatrat më të rëndësishme e së cilës ishte bërë edhe treva shqiptare e Kosovës, u vërejt në shtetet fqinjë një politikë ekspansioniste që kishte për objektivë krijimin e shteteve të mëdha në kurriz të popujve të tjerë të shtypur, sidomos të popullit shqiptar. Nga këtë aspekt, pas viteve 40 të shek.XIX u intensifikua veprimtaria diplomatike e tyre, sidomos e Serbisë, për të shkëputur pjesë nga trojet shqiptare. Në këtë kuadër, shteti serb i shek.XIX-XX e angazhoi edhe shtypin, publikimet dhe shkencën që synonte t'i vinte një mbështetje gjoja historike shkencore politikës grabitqare pushtuese serbe ndaj trevës iliro-shqiptare të Kosovës. Këto "studime" përpiqeshin të provonin se treva në fjalë kishte qenë në mesjetë qendër e shtetit serb dhe trevë e banuar nga serbët deri nga kapërcyelli i shekullit XVII kur pas luftërave Austro-Turke (1683-1699), një pjesë e popullsisë serbe që mori anën e Austrisë qenka tërhequr për në Veri dhe vendin e saj e paskan zënë shqiptarët e ardhur nga viset e brendshme malore të Shqipërisë së Veriut. Me këtë shteti serbomadh, përpiqej që brenda vendit dhe në qarqe politike ndërkombëtare të arsyetonte politikën e vetë grabitqare ndaj tokave dhe popullsisë shqiptare duke sforcuar gjoja të "drejtën" historike për Kosovën dhe trojet të tjera shqiptare.
Në këtë letërsi të propagandës që nuk kishte aspak lidhje me shkencën dhe objektivitetin shkencor u shquan autor si
A.Joviçeviq, V.Gjorgjeviq, J.Tomiq, J.Cvijiq, A.Urosheviq, V.Çubriloviq, etj. Ndryshe nga autorë të lartëpërmendur, historianët e mirënjohur të huaj si, M.Shufiaj, K Jireçek, M.Diniq, A.Hanxhiq, A.Dyselie, etj. , si dhe historianët e mirënjohur shqiptarë provojnë kontinuitetin iliro-shqiptar dhe praninë iliro-shqiptare në shekuj në Kosovë. Gjithashtu, studiuesit e lartpërmendur vejnë në dukje praninë e shqiptarëve në qytete dhe fshatra të Kosovës edhe gjatë periudhës së sundimit serb gjatë shekujve XIII-XIV.
Lidhur me atë që u tha më sipër duhet thënë qartë e prerazi se të gjithë ata që shtrembërojnë historinë dhe personalitetet e ndritshme të saj, për të vënë atë në shërbim të politikës së ditës, argumentet që i përdorin jo vetëm që janë të paqëndrueshme, pa mbështetje të domosdoshme, por edhe jetëshkurtra, të dëmshme, madje ndjellin pasoja katastrofale, jo vetëm për popuj që i vënë në shënjestër, por edhe për vetë popullin e vet. Për këtë mund të na ndihmojnë shembujt e panumërta nga e kaluara e qytetërimit njerëzorë, në rastin tonë të historisë së popujve të Ballkanit, i cili mu për këtë arsye nga vrojtuesit dhe njohësit e mirë të së kaluarës së tij konsiderohet me të drejt fuqi baroti, së cilës herë-herë vetëm që i mungon shkëndija, për t'u shndërruar në luftë me përmasa Evropiane dhe më gjerë. Andaj, duke u nisur nga urtia e njohur latine se historia është mësuese e jetës, e nxjerrë nga përvoja e hidhur e historisë pushtuese e skllavëruese të Romës së lashtë, Bizantit dhe Perandorisë Turke, ishte dashur të mësohej domosdo nga dështimet. Pra, është koha e fundit për fillimin e demistifikimit të historisë dhe për vënien e saj në shërbim të ardhmërisë. Ndryshe, gjërat do të ndërlikohen përditë e më shumë dhe marrëdhëniet midis popujve të acarohen deri në shkallën e padëshirueshme si ndodhi kohë më parë në Kroaci , Bosnjë dhe Kosovë. Shkurt, historia dhe e vërteta historike t'u lihet vetëm historianëve ndërkaq, historia do të ketë si lajtmotiv të përhershëm: mirëkuptimin e paqen midis popujve.
Për të vërtetuar atë që u tha më sipër, rrjedhimisht për të parë paqëndrueshmërinë e ekskluzivitetit historik të një populli mbi të tjerët, do t'i përrnendim vetëm disa shembuj të mirëfilltë shkencorë, që natyrisht nuk mund të jenë në funksion të politikës së ditës, siç pretendohet:
E para, territori i sotëm i Kosovës dhe më gjerë, në antikitet ishte i banuar ekskluzivisht nga dardanët. Dardanët i takonin trevës jugore ilire të karakterizuar nga një nivel ekonomik, shoqëror e kulturor relativisht të lartë, ku u zhvilluan formacione politike si shteti ilir. Kjo trevë, e banuar sot nga shqiptarët, u zhvillua brenda diversitetit ilir me disa tipare etnogjuhësore e kulturore të veçanta, në krahasim me trevat e tjera, dhe nga ana tjetër unitare. Nuk qëndrojnë as nga pikëpamja arkeologjike as historike e gjuhësore tezat se gjoja dardanët nuk bëjnë pjesë në bashkësinë e madhe ilire. Në anën tjetër popullsia iliro-shqiptare gjatë antikitetit dhe mesjetës së hershme arriti t'i bënte ballë asimilimit shumëshekullorë romak dhe bizantin.
E dyta. pushtimi dhe vendosja e serbëve në trevën e Kosovës është e vonshme (shek.XII, XIII-XIV). Andaj, kolonizimi i Kosovës me anë të mekanizmit shtetëror nemanjid si dhe ngritja, ndajëndërtimi apo meremetimi i ndonjë monumenti sakral të ritit ortodoks mbi atë iliro-shqiptar gjatë periudhës së sundimit dyshekullorë nemanjid, nuk mund t'i japin të drejtë shkencës së mirëfilltë që këtë periudhë mesjetare të shtetit nemanjid në Kosovë ta quaj si ekskluzive serbe. Sipas kësaj logjike, hise historike do të kërkonin nga viset që i sundonin me shekuj romakët, bizantinët, osmanët, etj. Pra, konsiderojmë se të drejtë historike për Kosovën kanë të gjithë ata që banojnë sot.
E treta, me gjithë trumbetimin që po i bëhet përparësisë ekskluzive të etnisë serbe në Kosovë, burimet historike flasin ndryshe. Në këtë trevë edhe gjatë sundimit dy shekullorë nemanjid popullsia serbe paraqiste një pakicë të parëndësishme përballë popullatës autoktone iliro-shqiptare. Në këtë kuadër, shtrohet një pyetje tjetër: pse vallë mbretërit e fundit serbë, pra edhe perandori Dushan e quajti vetën edhe perandor të shqiptarëve? Dhe së fundi, si shqiptarët në dy beteja të Kosovës (1389,1448) u gjetën krah për krahu me popuj tjerë të Ballkanit në luftë kundër një rreziku të përbashkët-invadimit osman.
E katërta, në vazhdën e "argumentit" të fuqishëm shkencor, shtrohet zhurmshëm çështja e shpërnguljes së madhe serbe në krye me patrikun Arsenie III Çërnojeviq. Në të vërtetë dokurnentet e burimit osman, venedikas, austriak, madje dhe serb të kohës, provojnë se barrën e luftës gjatë luftërave austro-turke (1683-1699) në trevën e Kosovës bartnin shqiptarët. Që këtej, shpërngulja e serbëve nga Kosova, që u krye pas luftërave në fjalë, është fryrë qëllimisht duke e paraqitur si shpërngulje me përmasa të mëdha sa mund t'i ndërronin menjëherë përbërjen etnike një territori aq të gjerë, me qëllim që të shpjegonin në këtë mënyrë "deserbizimin" e Kosovës. Në të vërtetë ajo ishte një shpërngulje me përmasa shumë të vogla të kryengritësve nga pakica serbe të udhëhequr nga patriku i Pejës.
Së fundi është e papranuar shkruarja e historisë nga jo ekspertët profesionist dhe nuk mund të mbështeten institucionalizimi i historisë dhe vënia e saj në shërbim të politikës së ditës kur edhe disa nga njohësit e historisë së Kosovës si A. Dyselie, N.Malkolm, ne studimet e tyre të shkruara për shkencën e historisë, për Kosovën ndër të tjera, arrin në përfundim se: "Nga përvoja e historisë dhe historiografisë mund të nxjerrim një sërë pasojash të dobishme dhe të dëmshme, të cilat paraqiten në raport me politikën dhe historiografinë. Këto pasoja ecin prej nënshtrimit të historisë politikës kur historia bëhet shërbëtore e politikës". Pra, në lidhje me gjithë atë që u tha nuk do t'i duhej koment tjetër.
Krijoni Kontakt