Pushtimi turk mbajti peng projektin që do ta veçonte qytetin nga pjesa tjetër e Shqipërisë

Durrësi ishull, ideja 6 shekuj më parë

Drini ULQINI


DURRES - Pushtimi turk shekuj më parë preu në mes një nga idetë, ndoshta më ambiciozet dhe më të veçantat, për ta kthyer qytetin e Durrësit në ishull. Aty rreth shekullit XIV, kur pushtuesit otomanë u shfaqën në trojet e arbërve, banorët autoktonë të Durrësit vendosën që qytetin bregdetar ta shkëpusnin nga pjesa tjetër e vendit të shqipes. Një ide që lindi për vetëmbrojtje. E, nëse sot një gjë e tillë do të ishte realizuar, padyshim që Durrësi do të ishte ishulli më i madh shqiptar.

Projekti

Në bibliotekën “Marciana” dhe Muzeun Correr të Venecias ruhen dokumente të rëndësishme, që bëjnë fjalë për këtë sipërmarrje madhështore, që vazhdoi disa dhjetëvjeçarë. Në një dokument thuhet se dëshira e banorëve të Durrësit ishte shndërrimi i qytetit në ishull (Quod terra panatur in insula - fjalë për fjalë dokumenti në latinisht), duke hapur përreth kanale (cavae) për kalimin e ujit. Por sulmet e vazhdueshme turke bënë që ky projekt të mos realizohej deri në fund, megjithëse u arrit që pjesa veri-perëndimore e kënetës së Durrësit të bashkohej me detin, duke gërmuar kodrën që ngrihej në mes të vendit të quajtur Porto Romano me Kepin e Palit. Nga ana tjetër u sheshua një kodër e vogël, duke hapur një kanal te thellë në vendin e quajtur Ura e Dajlanit (1455).

Punimet

E gjithë puna, sipas një dokumenti tjetër, do të vazhdonte vinte më pas dhe do të drejtohej nga një inxhinier, ndërsa punëtorët mblidheshin nga qytetet e Durrësit, Shkodrës, Drishtit, Lezhës dhe krahinave të tjera. Në këtë sipërmarrje dërguan punëtorë edhe princërit shqiptarë Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Gjergj Arianiti, Karl Topia etj. Ky i fundit kishte dërguar 5000 punëtorë. Shpresohej që me këtë ndërmarrje të mbrohej qyteti i Durrësit nga sulmet turke, por të pastrohej edhe ajri i keq, shkaktar i malaries. Në një dokument tjetër, më 1461-in, thuhet se kryepeshkopi i Durrësit, Pal Engjëlli, ofronte 8000 mijë punëtorë, 4000 prej të cilëve me shpenzimet e veta dhe 4000 të tjerët me shpenzimet e kryepeshkopatës. Fatkeqësisht, ky projekt mbeti i parealizuar. Ndoshta dhe qyteti i Durrësit do të kishte kanalin e tij të madh, të ngjashëm me atë të qytetit të Venecias.

Pushtimi

Pushtuesit turq u dukën për herë të parë përpara mureve të qytetit të Durrësit në vitin 1387, duke krijuar alarm dhe panik në popullsinë e madhe të qytetit. Shumë familje emigruan në Itali, kryesisht në Venedik dhe Ankona, ndërsa të tjerë dhe më larg. Familja shqiptare, që në dokumente të ndryshme do të njihet si Durrësi (Durazzo), emigron në Xhenova, duke i dhënë këtij qyteti dozhë, të përmendur dhe si anëtarë të këshillit të të urtëve, si dhe shtatë kardinalë. Por pjesa më e madhe e popullsisë qëndroi duke marrë masa përforcuese për riparimin e mureve të kështjellës. Në këtë kohë u hodh ideja dhe nisi realizimi i një projekti të madh për transformimin e qytetit në ishull, që edhe sot vazhdon të mbetet një ëndërr e parealizuar.

Projekti i Durrësit i përfolur nga studiues

Studiuesi francez, Hiasint Hekard(1858), shprehet se qyteti kishte vetëm 200 shtëpi. Ai tregon se projekti i kthimit të Durrësit në ishull ishte lënë në harresë. Prurjet e detit dhe ato të lumit Erzen kishin bllokuar hyrjen veriore, duke prishur lidhjen e kënetës së Durrësit me detin. Gjithashtu, ishte bllokuar hyrja që lidhte detin me kënetën tek ura e Dajlanit. Qyteti ishte kthyer sërish në një vend malarik. Shumë kohë më vonë një nga punët e para, që bëri qeveria e princ Vidit, ishte lidhja e kënetës me detin. Arkeologu austriak, Kamilo Rashlinker, zbuluesi i bukuroshes së Durrësit (1918), shprehu dhe një herë idenë e thellimit të kënetës me anë të një kanali për ta kthyer në ishull. Në këtë mënyrë Durrësi mund të kthehej në një nga portet më të mëdhenj të detit Adriatik. Kjo ishte periudha e fundit kur u përfol realizimi i këtij projekti .