Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 2
  1. #1
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Të krijojmë një botë të vetëdijshme.

    Të krijojmë një botë të vetëdijshme.


    OSHO


    Trupi duhet dashuruar,duhet të jetë për ty një mik i mirë. Trupi është shtëpia jote, duhet ta pastrosh nga të gjitha papastërtitë, duhet të kujtohesh që trupi është në shërbimin tënd në mënyrë të njëtrajtshme ditë pas dite; edhe kur fle trupi punon për të tretur ushqimin, për të transformuar ushqimin në gjak, për të eliminuar qelizat e vdekura, duke sjellur oksigjen të ri, oksigjen të freskët ndërsa ti fle në gjumë të thellë! Trupi bën gjithcka për mbijetesën tënde, për jetën tënde, edhe pse ti je aq pak mirënjohës, madje as nuk e falenderon atë. Për më tepër besimet fetare të kanë mësuar ta torturosh trupin: Të kanë thënë se trupi është armiku yt dhe duhet të lirohesh nga ai dhe nga sulmet e tij. E di mirë që je më shumë se një trup dhe nuk është e nevojshme të kesh konflikte. Por dashuria nuk është një konflikt, dhembshuria nuk është një konflikt. Dashuria dhe dhembshuria janë nevoja absolute për trupin për të ushqyerin e tij. Për të ushqyerin e tij. Sa më në formë të jetë trupi yt aq më shumë mundësi ke për të rritur vetëdijen. Është një tërësi organike.

    Është e nevojshme një edukatë krejtësisht e re në të cilën çdo njeri njihet me qetësitë e thella të zemrës - me fjalë të tjera në meditim - ku cdo njeri përgatitet të ketë dhembshuri për trupin e vet. Sepse nëse nuk ke dhembshuri për trupin tënd nuk mund të kesh dhembshuri për trupin e askujt tjetër. Është një organizëm i gjallë që s'të ka bërë gjë të keqe. Ka qenë në gjithmonë në shërbimin tënd që nga ngjizja e tij deri në vdekje. Do të bëjë cdo gjë që ti do që ai të bëjë, madje dhe të pamundurën dhe nuk do të të kundërshtojë asnjëherë. Është e pamundur të krijosh një mekanizëm që t'i ngjajë,të jetë kaq i urtë, i pjekur dhe kaq i bindur. Nëse bëhesh i vetëdijshëm për të gjitha funksionet e trupit tënd do të mbetesh i habitur. Nuk kishe menduar kurrë për të gjitha ato çka trupi yt bën. Është e mrekullueshme, misterioze. Por ti nuk e ke parë kurrë me vëmendje trupin tënd. Asnjëherë nuk je shqetësuar që të njihesh me trupin tënd dhe pohon se dashuron persona të tjerë. Nuk është e mundur, sepse edhe personat e tjerë të shfaqen si trupa. Trupi është misteri më i madh i gjithë ekzistencës. Ky mister duhet dashuruar; misteret e tij, funksionet e tij duhen hetuar në thellësi. Fatkeqësisht besimet fetare kanë qenë në kundërshti të plotë me trupin. Por kjo tregon një shenjë, një tregues të qartë se nëse një njeri mëson urtësinë dhe misteret e trupit, nuk do të përfillë as priftin dhe as Zotin. Do ketë gjetur misterin më të madh brenda vetes së tij; dhe brenda misterit të trupit tënd ndodhet tempulli i vetëdijes tënde. Kur bëhesh i vetëdijshëm për qënien tënde, për vetëdijen tënde nuk ka më asnjë zot mbi ty. Vetëm një person i tillë mund të respektojë qëniet e tjera njerëzore, qëniet e tjera të gjalla sepse janë të gjithë misteriozë si ai, janë shprehje ndryshe, një shumëllojshmëri që e bën jetën më të pasur.

    Kur një njeri ka gjetur në veten e tij vetëdijen, ka gjetur çelësin e madhështores.Çdo lloj edukate që nuk të mëson të duash trupin tënd, nuk të mëson të kesh mëshirë për trupin, nuk të mëson se si të hysh në misteret e tij, nuk do të jetë në gjëndje të të mësojë sesi të hysh në vetëdijen tënde. Trupi është dera, trupi është hapi i parë. Çdo lloj edukimi që nuk prek temën e trupit dhe të vetëdijes nuk është vetëm i pjesshëm por është absolitisht i dëmshëm sepse kthehet në edukim shkatërrues

    Është vetëm lulëzimi i vetëdijes brenda vetes që të ndalon të shkatërrosh. Kjo të jep një dëshirë të fortë për të krijuar: Për të krijuar më shumë bukuri në botë, për të krijuar më shumë komoditet në botë. Ja pse dhe arti eshte pjesa e dytë e akademisë. Arti është vetëdija e sforcuar për të krijuar bukurinë, për të zbuluar bukurinë, për të bërë jetën tënde më të gëzuar, për të mësuar të vallëzosh dhe të festosh. Pjesa e tretë është shkenca krijuese. Arti mund të krijojë bukurinë, shkenca mund të zbulojë të vërtetën objektive dhe vetëdija mund të zbulojë realitetin subjektiv. Këto tre elemente së bashku mund ta bëjnë të plotë çdo sistem edukimi. E gjithë pjesa tjetër është dytësore. Mund të jetë e nevojshme për qëllime të zakonshme por nuk shërben për rritjen shpirtërore, nuk shërben për të të drejtuar në burimet e gëzimit, dashurisë,paqes dhe qetësisë. Është një njeri që nuk ka eksperimentuar ekstazën e brendshme ka jetuar kot më kot, pa asnjë arsye. Ka jetuar, është zvarritur që nga barku i nënës deri në varr, por nuk ka kërcyer, nuk ka kënduar dhe nuk ka pasur mundësi t'i ofrojë asgjë botës.

    Sipas meje njeriu besimtar është ai që i jep botës pak bukuri, pak gëzim, pak lumturi, pak festim që më parë nuk ishin, diçka të re, të freskët. Por besimi nuk është përkufizuar kurrë në mënyrën në të cilën e përkufizoj unë. Të gjitha mënyrat me të cilat është përkufizuar besimi kanë demostruar se janë të këqija dhe të gabuara. Nuk kanë ndihmuar njerëzimin për tu ngritur deri në kulmin e gëzimit, bukurisë dhe dashurisë. Kanë futur njerëzimin në palumturi dhe vuajtje nuk kanë mësuar lirinë. Madje kanë imponuar mbi ty çdo lloj skllavërie në emër të bindjes. Po bindje ndaj kujt? Bindje ndaj klerikëve, bindje ndaj atij që ka fuqi, me pak fjalë bindje ndaj të gjitha interesave që janë në fuqi. Një pakiscë e vogël ka vendosur në pranga njerëzimin për shekuj. Vetëm një lloj edukimi mund të ndryshojë këtë situatë të tmerrshme, të sëmurë.

    Me fjalë të tjera idea ime për një Akademi Botërore të Shkencës Krijuese, Artit dhe Vetëdijes është vizioni im për një besim të vërtetë. Njeriu ka nevojë për një trup më të mirë, më të shëndetshëm. Njeriu ka nevojë për një qënie më të vetëdijshme më të zgjuar. Njeriu ka njevojë për të gjitha komoditetet dhe luksin që ekzistenca është gati që t'ia japë. Ekzistenca është gati të të japë parajsën pikërisht tani, pikërisht këtu, por ti vazhdon ta shtysh për më vonë; është gjithnjë pas vdekjes. Në Sri Lanka po vdiste një dishepull i madh ".një mistik i madh" i cili admirohej nga miliona njerëz. Në çastin e vdekjes të gjithë u mblodhën rreth tij. Ai hapi sytë: Do të merrte pak frymë para se të shkonte, të shkonte përgjithmonë. Të gjithë dëshironin të dëgjonin fjalët e tij të fundit dhe plaku tha: Ju kam folur gjatë gjithë jetës për ekstazën, për lumturimin, meditimin. Tani do iki në bregun tjetër. Nuk do të jem më i gatshëm. Më keni dëgjuar, por nuk keni zbatuar kurrë ato që ju kam thënë. Gjithmonë e keni shtyrë për më vonë. Por tani nuk ka më kuptim shtyrja për më vonë, do të iki. 'Dikush nga ju do të vijë me mua"? Bie një heshtje e madhe. Njerëzit shikonin njëri-tjetrin duke menduar se ndoshta ai tipi që ishte vendosur aty dhe që kishte qenë një dishepull për 40 vjet "Ai ndoshta do jetë gati" Por dhe ai shikonte të tjerët. Asnjë nuk ngrihej në këmbë. Më pas nga rreshti i fundit ngriti dorën një burrë. Mistiku i madh mendoi: "Sa mirë të paktën një njeri paska aq guxim'. Por burri i tha "Të lutem më lër të saktësoj menjëherë se nuk jam ngritur në këmbë. Kam ngritur vetëm dorën. Do doja të dija si të arrij në bregun tjetër, sepse sigurisht që sot nuk jam gati. Ka shumë gjëra që nuk kanë përfunduar: ka ardhur një mik, djali im më i vogël duhet të martohet. Me të vërtetë që sot nuk kam mundësi dhe ti thua që nga bregu tjetër nuk mund të kthehesh më. Një ditë, një ditë të bukur sigurisht që do të vij me të takue. Nëse mund të na shpjegosh edhe një herë tjetër " edhe pse na e ke shpjeguar gjatë gjithë jetës tënde- vetëm një herë të na përsërisësh si arrihet në bregun tjetër? Por të lutem ta kesh të qartë që në këtë çast nuk jam gati. Dua vetëm të rifreskoj kujtesën kështu që kur të vijë çasti?" Çasti i duhur nuk do vijë kurrë.

    Nuk është vetëm historia e atij varfanjaku, është historia e miliona njerëzve, e pothuajse të gjithëve. Të gjithë presin çastin e duhur, takimin e duhur të yjeve? Këshillohen me astrologë, shkojnë te lexuesi i dorës? për të kërkuar në mënyra të ndryshme se çfarë do të ndodhë nesër. E nesërmja nuk ekziston, nuk ka ekzistuar kurrë. Është vetëm një strategji idiote për të shtyrë për më vonë. Ajo që ekziston është gjithmonë sot. Tipi i duhur i edukimit do t'i mësojë njerëzve të jetojnë këtu dhe tani, të krijojnë një parajsë mbi tokë dhe jo të presin sa të vijë vdekja dhe të jenë të palumtur derisa vdekja të arrijë t'i lirojë nga mjerimi i tyre.

    Bëj që vdekja të të gjejë duke vallëzuar, në kulmin e dashurisë dhe të gëzimit. Gjëja e çuditshme është se nëse një njeri mund të jetojë jetën e tij si të ishte në parajsë, vdekja nuk mund t'i heqë asgjë nga eksperienca e tij. Mbështetja ime është të të mësoj që parajsa është këtu, që nuk ka parajsa të tjera, dhe se nuk është e nevojshme ndonjë përgatitje për të qenë i lumtur. Nuk duhet një disiplinë për të qenë të dashur; vetëm pak vëmendje, vigjilencë, mirëkuptim. Dhe nëse edukata nuk mund të të japë këtë mirëkuptim nuk është edukatë. Perceptimi im për një akademi botërore është ajo që e gjithë bota duhet të ketë këtë edukimin për meditimin artin dhe shkencën krijuese.

    ***

    Deri sot edukimi nuk ka shkuar në drejtimin e duhur. Ka torturuar njerëzit pa asnjë dobi me historinë dhe gjeografinë. Nëse ndonjë është i interesuar këto lëndë duhet të jenë të disponueshme. Nëse dikush është i interesuar të dijë për Stambollën atëherë lëre ta bëjë. Nëse ndonjërit i intereson të njohë Xhenxhis Kan apo Tamerlanin lëre ta bëjë. Por nuk u duhen mësuar me detyrim njerëzve të gjitha këto budallaliqe dhe të gjithë këtë mbeturina që ka ndodhur në të kaluarën. Është budallallëk dhe e pabesueshme. Të mësosh se kanë ekzistuar njerëz si Xhenxhis Kan dhe Nadirshahu, Tamerlani dhe Aleksandri i Madh, është t'u mësosh njerëzve anën negative të ekzistencës dhe qënies së tyre.

    Unë kam këmbëngulur në universitet: Përse nuk mësoni Sokratin? Përse nuk mësoni Chuang Tzu? Përse nuk mësoni Bodhidharma??? Ata janë krahu pozitiv i vetëdijes. Nëse mësuesi yt i përket personave të gabuar, do të të japë idenë se është mirë nëse dhe ti je i gabuar. Nuk po bën asgjë të re, njeriu gjithnjë e ka bërë diçka të re. Duhet të vëmë rregull në histori, duke eliminuar të gjithë personat e gabuar në mënyrë që të mbrojmë fëmijët tanë nga përvetësimi i ideve të gabuara se njeriu nuk ka bërë asgjë tjetër veç luftës, përleshjeve, që ka qenë vetëm lakmues dhe ambicioz. Duhet ti mësojmë fëmijëve jo atë që ka qenë por atë që mund të jetë, jo të kaluarën por të ardhmen. Sepse duke humbur kohë duke mësuar lëndë që nuk kanë asnjë domethënie në jetën reale,-të mos i japësh atyre të paktën asnjë shenjë të artit të të dashuruarit, të artit të të jetuarit, domethënien e ekzistencës, përgatitja për vdekjen e bërë me gëzim, heshtje dhe meditim - mungon gjithcka esenciale, ndërsa imponohet ajo që nuk është esenciale dhe e çmendur. Thuhet që historia përsëritet. Jemi ne që në mënyrë të budallallepsur i mësojmë të njëjtat gjëra çdo gjenerate. Ato fëmijë të vegjël janë të detyruar të imitojnë të njëjtët heronj të mëdhenj, që në fakt ishin kriminelë, jo heronj. Vetëm një njeri, Xhenxhis Kan , ka vrarë 40 milionë njerëz. Është më mirë të hiqen të gjithë informacionet mbi këta njerëz nga programet edukative. Jep një edukim mbi vallëzimin e Shivas, flautin e Krishnas . Mëso gjithçka ka qenë e bukur dhe e mirë në mënyrë që fëmijët të mësohen me faktin që e mira është natyrale dhe e keqja është vetëm aksidentale, që e keqja nuk ndodh dhe nuk ka ndodhur kurrë dhe e mira është plotësisht normale. Të jesh një buda nuk është një gjë anormale. Duhet ti mësojmë të gjithë fëmijëve që të jesh një buda është një fenomen normal. Çdo kush që ka pjekuri të mjaftueshme do të bëhet një buda. Ti do të bëhesh një buda. Revolucioni më i madh duhet të ndodhë në edukim dhe në sistemet e tij, përndryshe njeriu do të vazhdojë të përsërisë historinë.

    Artikulli është shkëputur nga:
    "Om Shantih Shantih Shantih", Kapitulli 27

    Përktheu: Sulela GERA
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura   
    Ndryshuar për herë të fundit nga Xhuxhumaku : 26-07-2005 më 15:49
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

  2. #2
    i/e regjistruar Maska e Xhuxhumaku
    Anëtarësuar
    19-11-2003
    Vendndodhja
    sopr'un'curva
    Postime
    13,379

    Të krijojmë një botë të vetëdijshme.

    Të krijojmë një botë të vetëdijshme.



    Akademia e krijimit, artit dhe vetëdijes

    Për shekuj me radhë njeriut i është dashur të dëgjojë gjëra negative të të gjitha llojeve mbi jetën. Madje dhe të torturuarit e trupit është konsideruar një disiplinë shpirtërore. Idea ime për një akademi është që të bëj që shkenca për herë të parë të bëhet e qëllimshme dhe jo aksidentale. Deri tani shkenca ka qenë aksidentale. Njerëzit kanë hasur rastësisht në disa zbulime dhe shpikje. Madje janë zbuluar gjëra që asnjë s'po i kërkonte, thjeshtë dikush ecte me hamendje në errësirë pa pasur asnjë ide se ku po shkonte. Pa dyshim politikanëve- të cilëve u pëlqen të kenë një fuqi shkatërruese gjithnjë e më të madhe në duart e tyre- menjëherë u ka lindur idea që të kthejnë shkencëtarët në skllevër. Tani çdo shkencëtar është skllav i ndonjë kombi, i ndonjë qeverie dhe punon vetëm për qëllime që janë kundër jetës, shkatërruese. Sa më shumë zbulon gjëra shkatërruese, aq më shumë lavdërohet nga qeveria e tij, më të mëdha janë shpërblimet. Idea ime për një akademi, ka të bëjë me atë të një shkencë krijuese, e cila do evitojë me vetëdije çdo gjë që është shkatërruese për jetën dhe do të kërkojë gjithçka që favorizon jetën. Kjo akademi nuk mund të kufizohet vetëm te shkenca, sepse shkenca është vetëm një pjesë e realitetit njerëzor. Akademia duhet të jetë e kompletuar, duhet të jetë për krijimin, artin, vetëdijen; pra akademia do të ketë 3 departamente kryesore, të pandashme mes tyre, por që secili departament do të ketë një emër specifik për t'i dalluar për arsye praktike. Thelbësore do të jetë krijimi i metodave, teknikave, mënyrave për të rritur vetëdijen, dhe natyrisht kjo vetëdije nuk mund të jetë në kundërshtim me trupin; kjo vetëdije qëndron në trup.Trupi dhe vetëdija nuk mund të konsiderohen armike të njëra-tjetrës; ato mbështesin njëra-tjetrën në çdo mënyrë që të jetë e mundur. Unë ju them diçka dhe dora ime bën një gjest pa i thënë gjë. Ekziston një sinkronitet i thellë mes meje dhe dorës. Ecën, ha, pi: Të gjitha këto tregojnë që je një trup e një vetëdije që janë një tërësi organike.Nuk mund të torturosh trupin e të rrisësh vetëdijen.

    Të tërhiqesh në vetvete

    Shumica e njerëzve jetojnë në sipërfaqen e qenies, të hapur ndaj kontakteve të ndikimeve të jashtme. Njeriu jeton si me thënë i projektuar jashtë trupit dhe kur takon një qenie të pakëndshme, edhe ky i prjektuar jashtë, mbetet i habitur. E gjithë vështirësia rrjedh nga fakti se nuk jemi mësuar të jetojmë brenda vetes. Duhet të mësojmë të hyjmë brenda vetes. Edhe kur e keni me ngut një gjë, tërhiquni brenda vetes për një çast dhe do të zbuloni se atë gjë që do bënit do ta bëni më mirë dhe më shpejt. Nëse ndokush është i nxehur me ju mos e lini veten të rrëmbeheni nga tërbimi i tij, por tërhiquni, dhe inati i tij, duke mos gjetur tek ju asnjë lloj mbështetjeje dhe përgjigjeje do të shuhet. Rrini gjithnjë të qetë dhe rezistojini çfarëdo tentative për të humbur paqen. Kini ndjesinë e e relativitetit të gjërave, mblidhuni në vetvete dhe vëzhgoni. Vëreni në zbatim këtë paqe të brëndshme; të paktën provojeni, dhe vazhdoni ta ushtroni derisa të bëhet një zakon i juaji.

    Duhet ndryshuar sistemi i edukimit

    Nëse mund të krijojmë sistem edukativ të shëndetshëm, atëherë ndarja mes besimit dhe diskriminimit mes të bardhëve dhe të zinjve, mes kombësive të ndryshme, politika e shëmtuar që ekziston për këto arsye, dhe sjellja prej budallai të njerëzve që përgatiten vazhdimisht për luftë? . Kur shikoj një ushtar nuk mund ta besoj se ky njeri ka tru. Dhe vetë kafshët nuk bëhen kurrë ushtarë. Por njeriu duket se ka vetëm një interes:si të vrasë,si të vrasë me efikasitetin më të madh, si të përpunojë mjetet e vdekjes. Një edukim i mirë të mëson të zbulosh këngën tënde dhe të mësosh vallëzimin dhe të mos jesh i turpshëm; të festosh gjërat e vogla të qytetit dhe të gjallërosh gjithë planetin. Për aq sa njohim ne, ka vetëm një vend ku njerëzit mund të duan, ku njerëzit mund të meditojnë, ku njerëzit mund të bëhen Buda, ku mund të ekzistojnë njerëz si Sokrati dhe Lao Tzu. Është një fat i madh për ne që ndodhemi në këtë planet të vogël. Është një ndër planetet më të vegjël të universit, por dhe yjet më të mëdha, që janë miliona herë më të mëdhenj se toka nuk mund të mburren me një Albert Anjshtain ose nje Jezu Krisht apo Yehudi Menuhin. Është e çuditshme që në këtë univers të madh ekzsistenca ka arritur të krijojë vetëm pak vetëdije, pak jetë. Tani është në duart tona të rrisim vetëdijen nga ky fillim akoma kaq i vogël deri në lartësitë e pagundme që janë fuqia jonë dhe e drejta jonë për të lindur.

    Përktheu: Sulela GERA


    Marre nga Milosao.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura   
    --- La Madre dei IMBECILI e sempre in cinta...

    ---voudou.. ---

Tema të Ngjashme

  1. Si te krijojme video me AVS video editor 4.
    Nga benseven11 në forumin Trajnim & leksione
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 03-05-2009, 17:28
  2. Bibla Kur'ani Dhe Shkenca
    Nga Florim07 në forumin Komuniteti musliman
    Përgjigje: 8
    Postimi i Fundit: 15-04-2009, 21:26
  3. Si te krijojme nje përpilues/kompajler per Java?
    Nga joanna në forumin Arti i programimit
    Përgjigje: 10
    Postimi i Fundit: 22-05-2006, 07:55
  4. Kontributi Katolik per tolerance eshte i paarritshem
    Nga FLORIRI në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 4
    Postimi i Fundit: 21-04-2005, 09:53
  5. A do te kete serrisht konflikt ne Maqedoni?
    Nga Tigrimelara në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 28
    Postimi i Fundit: 17-09-2002, 14:57

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •