Korrik 19, 2005
HISTORIA/ Implikimi i qeverisë dhe parregullsitë në votime
Kërcënime me armë në qëndrat e votimit në zgjedhjet e 1921
Dashnor Kaloçi
Po t'i referohemi historisë sonë të shkuar do të vëmë re se ashtu si zgjedhjet parlamentare që përfunduan para pak ditëve, edhe ato të mbajtura 85 vite të shkura në pranverën e vitit 1921, të cilat ishin dhe zgjedhjet e para parlamentare në Shqipëri, u zhvilluan në mes rregullit dhe parregullsive, akuzave dhe kundërakuzave, qetësisë dhe zhurmës. Asgjë nuk ka ndryshuar. Kandidatë për deputetë që mbanin poste të larta në qeveri, ashtu si në zgjedhjet e 3 korrikut edhe në ato të vitit 1921, u akuzuan se po përdornin administratën vendore dhe forcat e xhandarmërisë për të fituar sa më shumë vota, dhe përgënjeshtrimet e tyre se ishin treguar korrektë në detyrë. Shprehja e vjetër "Historia përsëritet" më mirë se kudo ka gjetur vënd këtu në këtë pikë të së kaluarës dhe të tashmes sonë!?
Xhandarët presione në votime
Në fushatën elektorale për zgjedhjet e para parlamentare të vitit 1921 shpallën kandidaturat e tyre dhe një pjesë e funksionarëve të lartë të qeverisë së asaj kohe si prefektë, nënprefektë, ministra etj. Edhe pse qeveria e Sulejman Delvinës u angazhua se funksionarët e lartë të saj, ushtria, xhandarmëria, e administrata do të qëndronin sa më larg zgjedhjeve dhe nuk do përziheshin fare në to, pati shumë abuzime. Në disa prefektura dhe nënprefektura të vëndit shumë funksionarë të administratës shtetërore dhe xhandarë e policë u implikuan në fushatën elektorale e procesin zgjedhor duke mbështetur kandidatët për deputet që mbanin poste të larta në qeveri. Lidhur me këtë në një prej editorialeve të saj të datës 19 shkurt 1921, gazeta "Koha" e Korçës në mes të tjerash shkruante: "Zgjedhje apo Emnime. Nuk po e di se fat i zi i Elbasanit asht a ç' asht? qi të përdoret influenca e Qeverisë këtu në Elbasan sot kur janë duke u bërë zgjedhjet e reja. Na duke pas këndue në ato qarkore të bukra pa ansin e Qeveris qi dotë munte në zgjedhjet qi pobahen, kujtoshin se do dërgoshin në këshillën kombëtare ata njerëz që janë më të zotët e punës, ata njerës që mund do t'i shërbein këtij vëndi sikurse e kërkon nevoja por për fat të keq dualëm të gënjer. Qeverija këtu në Elbasan si një parti e veçantë nuk asht duke pran (pushuar së foluri) për të nxjerrë si deputet kandidaturët e saj. Nën shumë gjëra të tjera që rrëfejnë trazimin e qeverisë në zgjedhjet qi janë duke u ba, munt të përmëndet edhe ky aktivitet që asht bamë sheshasi pa pasun nën mënd se rrijmë n' Evropë: Një farë Mustafa Bilishti nga Elbasani vete në nja katund (Bishqem) të Krrabës edhe si merr nga stacioni i gjindarmërisë së këtij katundi dy gjindarma (xhandarë) me vete, shëtit në disa katunde si në Pajun e Pajovë e tjer, duke këshilluar katundar e gjindarmë që ata të votojnë për atë e për këtë. E zgjedhmja e deputetëve asht një e drejtë e popullit në këtë punë dhe Qeveria konstitucionale qi asht, nuk ka të drejtë të trazohet aspak. Pra Qeverija qëndrore duke marrë parasysh randësinë e madhe që ka kjo punë e duke pas ndër mënd edhe rezultatet e damshëm të influencës së zhon Tyrkuet qi donin të bëshin monopoll parllamentin për intresin e tyre, duhet qi t'i ndajë këto paudhësina që janë duke ngjaj këtu e ndaj tër popullit të lir qi t'i zgjedh deputetët ma të zot e ma të mir se ndryshe në vënd të zgjedhjeve këtu n' Elbasan, puna po del me emnime".
Zgjedhjet në Polis me armë
Në fushatën elektorale dhe zgjedhjet e para parlamentare që u zhvilluan në Shqipëri në pranverën e vitit 1921, krahas shumë Prefekturave ku u zhvilluan zgjedhje të qeta dhe pa probleme, pati edhe krahina të tjera ku ato u zhviulluan me parregullësi. Madje në disa qëndra votimi të fshatrave të thella pati edhe konflikte ku u vunë në përdorim armët. Një nga këto konflikte ndodhi në fshatin Polis të Prefekturës së Elbasanit, ku ndërmjet dy fisve të atij fshati gati sa nuk u shkaktua një gjakderdhje për shkakt të votimeve. Lidhur me këtë ngjarje në numrin e saj të datës 4 mars 1921, midis të tjerash gazeta "Shkumini" e Elbasanit shkruante: "Zgjedhjet në Polis. Më 20 të këtij muaji komisjoni qe dërgue prej këndej për me bamë votimet në krahinën e Shpatit, shkoi në katundin Polis që asht qëndra e parë e asaj krahine edhe thirri popullin që të mblidhet në xhami. Atë ditë me që koha kish kalue, votoi mëhalla e Zenun Cekanit. Në nesëret, Dik Muzhaqi me parinë e vet (mbështetësit e vet. Shënimi ynë) afro 100 shpirtrish erth e që të votoj. Mirpo myhtari i katundit (kryeplaku) Jonuz Zharri, nuk erth ma në xhami dhe çoi fjalë që të mos hudhnin vota asnjë nga ata që ishin mbledhë për me votua, se ndryshe do t'u binte me pushkë, edhe kërkoi që të digjeshin votat e partisë së Cekanit pa u këndue fare. Dik Muzhaqi me partinë e tij thosh, se dje votuan ata, e sot do votojmë ne. Si e pa komisjoni se do të bahesh gjakderdhje, vendosi me i djeg votat dhe iku për me i bamë votimin qëndrës së dytë. Shtojmë se dy fiset, Cekani dhe Muzhaqi, janë përgjakë shoq me shoq e ndodhen në hasmëri".
Votimet në Elbasan u zhvilluan me bandë muzikore
Shefqet Bej Vërlaci mori më shumë vota nga kandidatët
Zgjedhjet e para parlamentare që u mbajtën në Shqipëri në pranverën e vitit 1921, u konsideruan si një eveniment i madh historik nga qeveria e asaj kohe e cila ndonëse bëri të gjitha përpjekjet që ato të zhvilloheshin sa më të qeta dhe pa probleme, nuk ja arriti qëllimit. Një nga qytetet ku ato zgjedhje u zhvilluan të rregullta dhe të qeta ishte Elbasani, ku autoritetet lokale të tij kishin marrë të gjitha masat e duhura për ta kthyer ditën e votimeve si në një ditë feste. Lidhur me këtë gazeta "Shkumini" e Elbasanit, midis të tjerash shkruante: "Votimi i deputatëve të Prefekturës s' Elbasanit. Më 21 të këtij muaji më 3 e ½ allaturka, filloi votimi i këtushëm në Hotel "Kosova". Në sallën e përgatitur ishin mbledhur: Këshilla e Katundaris, Këshilla Administrative, Trupi i Gjykatores, Inspektori i Zgjedhjevet, Rexhep Jella, zonjëzat e Kryqit të Kuq amerikan dhe drejtori i "Shkuminit" si përfaqësues i kësaj gazete. Policia e xhandarmëria kishin zan vënd përpara hotelit dhe kur vijshin zgjedhsat për me hyrë brenda, Drejtori i Policisë, z. Josif Skile dhe togerët z, Alush Kastrati dhe Sulejman Voshtina, i shikonin për armë. Votuesit e qytetit dhe ata të krahinës së Quksit, Mokër, Çermenikë, Gryk e Xaranikës, Shpat, Dumre e Krrab, bashkë me ta edhe banda muzikore e qytetit, qenë vendosë në kopsht të hotelit. Kur do të fillonte votimi, banda muzikore muer marshin e flamurit edhe kryetari i Komisjonit të votimit, z. Kasem Sejdini iu drejtue votuesave me këto fjalë patriotike: "Në mbledhjen e sotëme zotnia juej që jeni zgjedhës të dytë të qytetit edhe të krahinavet do të zgjidhen 8 deputatë të cilët për të parën herë në jetën politike të Shqipërisë do të marrin pjesë në Këshill e Kombit, n'atë këshill që me ligjet e saj do t'i siguroj lirimin, përparimin e drejtimin e bashkimit të Kombit". Pas fjalëve të kryetarit filloi votimi pas rendit alfabetik të krahinavet edhe vazhdoi me një rregull e qetësi të jashtëzakonëshme. Më 6 e ½ ora allaturka u hap arka e votave edhe u ban formalitetet që urdhnon kanuni, si erth edhe përfundimi i votimit të nënprefekturavet, Peqin e Gramsh, u shpall zyrtarisht lista e deputatëve të zgjedhun. Përfaqësuesit e krahinës së Quksit, me sjelljen e tyre fisnike ban një përshtypje të mirë në zëmër të popullit. Qeveria me tejshkrimet që ka dërgue njeni mbas tjatrit, nuk do të njohi të drejtën Prefekturës tonë me pas 8 deputetë edhe kërkon të ketë vetëm 7".
Marrë nga gazeta e "Koha", 19/ 2/1921
Gazeta Shqiptare.
Krijoni Kontakt