Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 3
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,030
    Postimet në Bllog
    17

    Jeta e Shën Gjergjit të Janinës - 17 janar

    Martiri i ri Shën Gjergji i Janinës

    Jeta e Shenjtit

    Gjergji - ky martir dhe atlet i bekuar i Krishtit, mburrja e Janinës, rrëzimi i të pabesëve dhe ngjallja e besimtarëve, - lindi më 1808 në fshatin Gurhli të rrethit të Grevenit. Prindërit e tij ishin fshatarë të varfër dhe quheshin Konstandin dhe Vasiliqi.
    Në moshën 8 vjeç mbeti jetim nga prindërit dhe për këtë u kujdesën i vëllai dhe e motra.
    Në atë periudhë të trazuar, u thirr tek një haxhi Avdulla që ishte funksionar i Emin Pashait dhe punoi tek ai për më se tetë vjet si ordinancë.
    Pasi Emin pashai u bë sundimtar i Janinës, mori me vete dhe Gjergjin e bekuar, i cili me nxitjen e miqve të tij u fejua me nuse të re të quajtur Eleni që gjithashtu ishte jetime.
    Agarinët, sipas zakonit, nuk e thërrisnin Gjergjin me emrin e tij kristian, por e quanin ordinanca Jaup Hasan duke menduar se, meqenëse që i vogël ishte pranë tyre, do të ishte bërë turk. E reja Eleni, ndonëse ishte shumë e varfër nga pasuritë materiale, nga dhuntitë shpirtërore ishte shumë e pasur. Ishte e urtë, e thjeshtë, respektonte Perëndinë. Ditën e fejesës së tij, një hoxhë turk, vrapon ta kallëzojë te kadiu.
    Haxhiu e thërret Gjergjin dhe e pyet se ç'është dhe Shenjti pa u trembur i përgjigjet: "Kristian isha dhe jam", duke bërë njëkohësisht edhe shenjën e Kryqit.
    Kadiu, duke dëgjuar një gjë të tillë, vendosi ta çonte te veziri, por edhe te veziri martiri u përgjigj me të njëjtat fjalë. Pastaj, veziri, pasi mësoi se ishte njeri i haxhi Avdullait, dërgon dhe e thërret dhe pasi erdhi, e pyet nëse Gjergji është i krishterë.
    Kështu, Gjergji, me këtë pohim, shkruhet në listë si i krishterë dhe çlirohet nga çdo shpifje.
    Duke gdhirë dita e Shën Dhimitrit, më 1836, Gjergji u kurorëzua me Elenin dhe atë kohë iku së bashku me Emin pashanë për në Pruskë, por, pas një turneu disamujor, u rikthye në Janinë dhe u rekrutua si adjutant i Myteselim efendiut.
    Në fund të dhjetorit 1837, e shoqja i lindi djalë dhe Gjergji përderisa nuk e shoqëroi të zotin që shkonte në një krahinë tjetër, e pagëzoi të birin më 7 janar 1837. U gëzua shumë që u bë i denjë të bëhet baba duke ndjekur rrugën kristiane. Dukej se Ati qiellor ato ditë po i thurrte kurorën e pavyshkur të lavdisë së martirizimit, sepse ditën tjetër ra në një gjumë të thellë dhe të pasnesërmen, kur u zgjua, kërkoi të vishte rrobat e festës.
    Pasi i veshi, duke ikur, u kthye dy herë për të përshëndetur familjen. Ishte e martë, 12 janar 1838.
    U nis në drejtim të pazarit dhe, duke kaluar nga rrapi madhështor në mes të pazarit, takoi hoxhën së bashku me kadi Bylykbashin. Ata, duke e kapur, e pyetën: "Deri kur do qeshësh me fenë? Turk është Krishti?"
    Në fillim Gjergji, si njeri, u trondit dhe luste që ta linin.
    Ndërkohë, duke parë këtë zënkë, erdhën dhe turq të tjerë, por edhe shumë të krishterë, paria, njerëz shumë të mirë, të cilët na transmetuan si një miro të çmueshme çastet e fundit të Shën Gjergjit.
    Përballë vendit të grindjes ishin njerëzit e Daut pashait dhe, meqë u shqetësua, ky urdhëroi t'i sillnin përpara ata që grindeshin. Duke i pyetur turqit se ç'po ndodhte, ata iu përgjigjën se ky ishte turk dhe e dinin të gjithë, por tani ndryshoi dhe u bë i krishterë, sepse ka në festën e tij shenjën që mbajnë të krishterët. Pasi u pyet Shenjti, i cili me guxim u përgjigj: "I krishterë linda, i krishterë jam dhe i krishterë do të vdes". Kryekomandanti Daut, duke mos mundur të merrte vendim, e merr Shenjtin dhe e çon te kadiu.
    Kadiu e pyet: "I krishterë je ti?" Shenjti iu përgjigj: "Po, i krishterë isha dhe jam dhe si të krishterë më ke shkruar në listat e tua, që vjet."
    Kadiu i thotë: "Vjet ishte vetëm një dëshmitar, por tani janë shumë që thonë se ti je turk. Ose të bëhesh turk, ose të vdesësh".
    Në burg Shenjti takoi edhe të krishterë të tjerë të cilët, pasi mësuan arsyen përse u burgos, filluan ta ngushëllonin dhe t'i jepnin guxim për martirizim.
    "Mos u frikëso, i thoshin, Krishti do të të ndihmojë".
    Ditën tjetër e çuan përsëri tek kadiu, i cili e nxiti që të bëhej turk, por ai iu përgjigj: "Kristian jam dhe kristian do të vdes". Atëherë, si bagëti e çojnë ta lidhnin, i vënë këmbët në një dru, i vendosin një pllakë guri mbi gjoks rreth 70 okë dhe i plagosin duart duke i futur gjemba nëpër thonj. Shenjti i pathyer lavdëron Perëndinë, fle i qetë si mbi dyshek dhe priste çastin hyjnor. Kur u zgjua, të tjerët e pyetën nëse rron, sepse u frikësuan që nën peshën e pllakës së rëndë nuk do të rronte më. Dhe Shenjti u thotë: "Nuk ndjeva fare dhimbje, por pashë edhe një vegim që do t'jua tregoj: "Erdhi një i ri i veshur me të bardha të ndritshme dhe më tha: "Mos u tremb Gjergj, do të kesh bekimin tim."
    Takoi të gjendej atje një plak i keq, një mohues i Krishtit rreth 70 vjeç që ishte bërë turk. Ai, duke parë Shenjtin, i thotë: "Ore, unë kisha 70 vjet në këtë besim dhe e lashë e u bëra mysliman". Shën Gjergji, duke parë këtë luçifer të ri, pa u trembur, ndonëse ishte si bagëti midis ujqërve të uritur, i mbushur me zell hyjnor dhe i fuqizuar me dhuratë hyjnore, i thotë plakut të keq: "O i ndyrë. Po i lë këta të marrë dhe të them ty se besimi im është më i shkëlqyer se edhe dielli.
    O i mjerë! Si mund të largohesh nga familja jote, nga bijtë e tu dhe madje nga më i madhi nga prifti? Nuk të dhembi shpirti që u ndave, o plak i fëlliqur?"
    O atlet trim! O burrëri martirike! O studim dhe dëshirë, lavdi e shenjtë qiellore!
    E marrin përsëri nga kadiu dhe e çojnë tek funksionari i shtetit, por edhe atje Shenjti u përgjigj njëlloj. Së fundi, me vendim, e burgosën.
    Duke gdhirë e shtuna, për herë të tretë e çuan Shenjtin te kadiu për të predikuar për herë të tretë Trininë e Shenjtë. "E ç'thua?" i thotë kadiu. "Erdhi koha të vdesësh, do të nxjerr vendimin". Shenjti, pa u trembur, por me guxim, i thotë: "Nuk trembem nga asgjë. Jo një por njëqind vendime". Kadiu, duke parë dhe duke admiruar trimërinë e Gjergjit, donte ta lironte por raca barbare dhe demoniake e turqve të Janinës thërriste: "Vdekje, atij që shau myslimanizmin. Vdekje!"
    Dhe kadiu, për respekt fetar, ra dakord. Dha vendimin dhe Shenjtin e marrin për në burg. Thonë disa se, në çastin që kadiu u dha vendimin gardianëve, u bë një vetëtimë hiperbolike dhe një zhurmë e llahtarshme e shoqëruar dhe me një gurgullimë të liqenit, saqë u trembën shumë njerëz.
    Kristianët e Janinës, miq dhe të afërm të Gjergjit, paria me në krye mitropolitët e Epirit dhe Grevenit, veprojnë dhe kujdesen të shpëtojnë Shenjtin. Shkojnë te veziri dhe ndërsa i tregojnë se Gjergji nuk kishte qenë kurrë mysliman, ai, si një Pilat tjetër, "lan duart" duke thënë se respekton vendimin e kadiut dhe nuk mund ta anullonte. Në burg shkonin çdo ditë të krishterë, të cilët i predikonin dhe e stimulonin në rrugën e martirizimit, por ai u thoshte: "Mos u tremb. Unë do të martirizohem për Krishtin tim me zell".
    Ishte i bekuari kaq i qetë, sa askush tjetër, na thoshte gruaja e tij. Gjithë ato ditë që ndenji në burg nuk pushuan agarinët së shkuari dhe së ngacmuari. E nxisnin të ndryshonte besimin, por ai u thotë: "Jam i krishterë". Roja e tij nuk pushonte së shqetësuari, duke i thënë: "More, Gjergj, bëhu turk që të shpëtosh nga vdekja dhe pastaj shko në Greqi ose gjetkë dhe bëhu prapë i krishterë". Gjergji i dëshpëruar, duke menduar fjalën e pushtuesit, i përgjigjet me thjeshtësinë e tij të natyrshme: "Unë si të krishterët vdes, ç'mund të më bësh?"
    Duke gdhirë e hëna e Shën Andonit, erdhën pesë xhelatë të merrnin Shenjtin. Të burgosurit që ishin me të, i thoshin: "Burrërohu. Kujdes mos frikësohesh. Mbaj besimin tënd deri në fund. Pak dhimbje në tokë e pastaj vjen gëzimi i qiellit". Shenjti, me gëzimin që i pasqyrohej në fytyrë, puthi miqtë e tij të mirë dhe u largua. Vraponte drejt martirizimit "si një dre i etur drejt burimeve të ujit", siç thotë dhe Davidi hyjnor.
    Një mrekulli e madhe ishte për ata që po e vërenin Shenjtin, sepse vraponte me kaq zell dhe qetësi përbri xhelatëve sa dukej sikur fluturonte në ajër. Fytyra i dukej gazmore dhe e shkëlqyer nga gëzimi. Kur mbërritën në derën e madhe të kështjellës, tek një shesh që sot mban emrin e tij (të martirit të ri Gjergj), te vendi Kuramana, e pyetën përsëri: "Ç'je ti?"
    "Jam i krishterë, u përgjigjet, dhe i falem Krishtit tim dhe Zonjës Hyjlindëse" dhe duke i thënë këto fjalë, luti xhelatët që t'i zgjidhnin duart.
    Pasi ia zgjidhën, bëri Kryqin dhe thirri në drejtim të të krishterëve: "Më falni, vëllezër, dhe Perëndia do t'ju falë". Sapo mbaroi, i vunë në qafë litarin dhe duke e tërhequr, dorëzoi shpirtin.
    Në këtë mënyrë ky njeri trim, në moshën 30 vjeç, u bë i denjë të marrë kurorën e martirit dhe të përjetësisë. Ishte e hënë, 17 janar 1838. Më vonë, himnografi i frymëzuar nga Perëndia do të shkruajë: "Atë trim nuk e mundën vuajtjet, as ledhet e pushtuesve, as lulja e rinisë së tij, as dashuria e gruas, as dashuria e fëmijës së vogël, por i quante si kleçka për të fituar Krishtin". Sipas zakonit të turqve, Lipsani i shenjtë qëndroi për tri ditë në trekëmbësh. Rojet çdo natë shihnin një dritë qiellore që e mbulonte dhe thoshin: "Po, po, po. Ç'xhind është ky?"
    Pasi kaluan tri ditët, kristianët lutën vezirin dhe ua dha lipsanin e Shenjtit. Të mbledhur të gjithë, kryepriftërinj, priftërinj dhe popull, në kishën e Mitropolisë së Shën Athanasit, me lot për humbjen dhe me gëzim për lavdinë e besimit, me psalme të shkëlqyera dhe zell besimi e varrosën me një adhurim të madh lipsanin e shenjtë në anë të hierores dhe u ruajt atje deri tani vonë. Ata të krishterë që morën copa nga litari, ose këmisha e tij, ua dhanë të sëmurëve, të cilët u bënë mirë. Memecët folën, çalamanët ecën drejt, një gruaje me dorë të tharë iu rikthye shëndeti si më parë. Shumë njerëzve iu shfaq në ëndërr, si edhe gruas së tij, duke i thënë: "Mos u tremb, unë të vizitoj shpesh". Fjala e mrekullive të tij i kaloi kufijtë e Janinës dhe vraponin e vraponin turma njerëzish, të cilët sipas besimit të tyre merrnin dhe shëndetin e tyre.
    Që nga dita e martirizimit të tij, populli e nderon martirin e ri Gjergj si shenjt, por kërkuan edhe shpalljen zyrtare nga ana e Patrikanës, e cila u bë më 1839 në kohën e mitropolitit të Janinës Joaniq. Ekziston gjithashtu një letër e së vesë së martirit të ri Gjergj drejtuar Krisanth Lenës, himnues dhe redaktor i shërbesës së parë të Shenjtit, e shkruar në Janinë më 27 shtator 1886 dhe e nënshkruar si Eleni Martire e Re.
    Më 26 tetor 1971 u bë trasportimi i lipsanit të shenjtë dhe me psalme madhështore e vendosën në një arkë të argjendtë në kishën e tij të rindërtuar e shumë të bukur. Atje ndodhet edhe sot lipsani i shenjtë i martirit të ri, Gjergjit, mbrojtësit të Janinës, siç u quajt.
    Shën Gjergji, me flijimin e jetës së tij na tregoi me veprim, madhështinë e besimit të tij dhe ndihmoi bashkëbesimtarët të ruajnë të qëndrueshëm dhe të palëkundur kristianizmin që ndjente atëherë përndjekje të ashpra dhe satanike.
    Le ta lavdërojmë dhe ne Perëndinë si pasardhës të vërtetë të martirëve që u bëmë të denjë të jemi pjesëtarë të trimërisë së tyre, e cila arrin deri në ditët tona. Le të lavdërojmë Perëndinë në më të lartat, sepse flijimi i Shenjtit, martirit të ri, u bë ngjallja e vërtetë e besimtarëve dhe rënie e të pabesëve.

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,030
    Postimet në Bllog
    17
    Dy ikona të Shën Gjergjit të Janinës, me kostum popullor shqiptar

    Shenjtorët e krishterë, me veshje shqiptare


    A. Mile

    Elementi popullor shqiptar ka zënë vend edhe në ikonografi. Në arkivën e Muzeut Historik Kombëtar ndodhen dy ikona të shekullit XIX me figurën e Shën Gjergjit të Janinës, një nga martirët e rinj të krishterë, i cili paraqitet me veshje popullore shqiptare. Fustanella nën gju, jeleku, xhamadani e opingat me xhufka, janë disa nga elementët në veshjen e shenjtorit. “Në konsultim me specialistët e Institutit të Kulturës Popullore kemi vërtetuar, se veshja e Shën Gjergjit është shqiptare, kjo fustanellë gjendet jo vetëm në Çamëri, por dhe në Shkodër. Një veshje e tillë në shekullin XIX është pikturuar dhe nga Kol Idromeno dhe është fotografuar nga Marubi”,- thotë drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Moikom Zeqo. Ikonat që ndodhen në MHK, prej viteve ’60 janë të përmasave të ndryshme. Në atë me përmasa më të vogla paraqitet Shën Gjergji me kostum shqiptar, duke mbajtur në dorën e djathtë kryqin e në të majtën palmën e martirizimit. Në sfond duket një peizazh me kodra dhe figura e një engjëlli. Ikona më e madhe tregon gjithashtu shenjtorin me veshje popullore shqiptare, në anën e djathtë të saj dhe trupin e tij të varur në trekëmbësh. Në të duken edhe bedenat e kështjellës së Janinës, mbi të cilat shquhen figurat e ushtarëve turq, një kullë sahati dhe figura e një engjëlli. Nga një mbishkrim që ndodhet mbi të mësohet se ikona është pikturuar nga Dhimitër Enomarini, në 12 mars 1864. Sipas Zeqos, ka mundësi që të dy ikonat, që vijnë nga Metropolia e Gjirokastrës, të kenë të njëjtën autorësi. Ato do të vendosen në pavionin e etnografisë shqiptare në MHK.

    Emri:  A-211-St-George-of-Ioannina.jpg

Shikime: 2064

Madhësia:  69.3 KB
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 19-01-2021 më 03:22

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,030
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Jeta e Shën Gjergjit të Janinës - 17 janar

    Më 26 tetor, 1971, lipsani i martirit të ri të Greqisë, Shen Gjergji i Janinës, u zhvarros dhe u vendos në kishën e sapo ndërtuar. Një murg nga Mali i Shenjtë me origjinë nga Epiri me emrin P. Mitrophanes i cili kish kompozuar një shërbesë për Shenjtorin e Shenjtë, mori pjesë në lëvizjen e lipsanit dhe mori një copë të vogël të lipsanit nga peshkopi. Një vit më pas, murgu P. Mitrophanes i tha peshkopit se e pa Martirin e Ri Gjergj të shfaqej gjatë vigjiljes dhe rreth skitës ku jetonte në Malin e Shenjtë, në Ditën e Shenjtë të Festës se shenjtorit, dhe lipsani i shenjtorit filloi të lëshontë një aromë të mrekullueshme.

    Emri:  LipsaniShenGjergjiJanines.jpg

Shikime: 935

Madhësia:  51.5 KB

    Lipsani i Shenjtë i Shen Gjergjit ka bërë mrekulli pa fund dhe Shenjtori i bekon të gjithë ata besimtarë që i vijnë ta nderojnë dhe ti luten Atij.

    Burimi: LA FEDE DEI NOSTRI PADRI (Facebook)


    Shënim: Përktheu nga anglishtja, Ilirjan Papa.

Tema të Ngjashme

  1. Ali Pashe Tepelena-figure Kombtare
    Nga ILovePejaa në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 106
    Postimi i Fundit: 05-08-2013, 21:21
  2. Ç'është Dita e Shën Gjergjit? Shkruan: Mexhid YVEJSI, Gjakovë
    Nga Mexhid Yvejsi në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 30-04-2009, 08:40
  3. Informacion per Mitropoline e Korces
    Nga Kryeengjelli në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 11
    Postimi i Fundit: 31-01-2009, 06:11
  4. Nga Iliret deri tek Shqiptaret!
    Nga tani_26 në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 111
    Postimi i Fundit: 06-03-2007, 21:53
  5. Qeveria e Vlorës përpiqet të rimarrë Janinën
    Nga Albo në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 2
    Postimi i Fundit: 25-01-2004, 14:31

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •