Shqiptarët dhe reflektimi i luftës kundër terrorizmit
Nga Zef AHMETI
Njëmbëdhjetë shtatori, kur u sulmuan Kullat Binjake në New-York, ishte një ditë zie për botën, por edhe për popullin shqiptar. Për botën, ngase me atë sulm filloi një konflikt i ri, dhe bashkë me sulmin iu dha fund mendimit euforik të atyre që kanë përfaqësuar pozicionin, se me përfundimin e Luftës së Ftohtë 50-vjeçare mes Perëndimit e Lindjes kemi një “happy end of history”. Konflikti i ri, tani mes civilizimeve, ka marrë përmasa krejtësisht të reja dhe dallon thellësisht nga konfliktet përkatësisht luftërat e tipit klasik. Sulmi i 11 shtatorit ishte për shqiptarët një ditë zie edhe për fatin e gjendjes aktuale ku do të reflektohet edhe në zhvillimet politike të atjeshme.
Konflikti i civilizimeve
Rreth konfliktit mes civilizimeve është shkruar shumë nga autorë të ndryshëm dhe ka pasur prognozime të larmishme. Nga shumica e këtyre vlerësimeve, mund të themi se ekziston një mendim i përbashkët sa i përket dimensionit të ri të konfliktit, si sfida më e madhe e shekullit 21. Pas rënies së paktit të Varshavës, që u vlerësua si përfundim i hareshëm i historisë, ende pa u relaksuar bota nga kapitulli që e mbajti nën tension për 50 vite, shpërtheu një konflikt me dimensione të reja e shumë të rrezikshme, që nuk dihet se si do të përfundojë. Konflikti i ri, që kryesisht ka për bazë luftën fetare, e ka bërë botën shumë të pasigurt. Shpërthimet terroriste kanë shkaktuar pasiguri dhe po ndikojnë negativisht kundër besimtarëve islamë, por në anën tjetër, në emër të vetëmbrojtjes, është rritur diskriminimi brenda këtij besimi, në sajë të veprimeve nga njerëzit, që më së paku është menduar se mund të aplikojnë dhunën, tani po bëhen sulme që janë kualifikuar në terrorizëm, ku për pasojë ka shkatërrime e vrasje masive. Me gjithë përpjekjet e shkencëtarëve dhe njohësve të islamit, se bota duhet të dallojë mes “islamit si besim fetar” dhe “islamizmin si ideologji politike”, laikët dhe njerëzit me dije mesatare, vështirë e kanë të bëjnë një dallim të tillë. Klishetë dhe paragjykimet janë të (tej)theksuara. Padyshim se nuk duhet të globalizohet çështja, se të gjithë myslimanët janë “terroristë”, porse antipatia (in)direkte kundër tyre është shtuar për arsye të akteve terroriste që po ndodhin në Evropën Perëndimore dhe Amerikë, si një hakmarrje për “padrejtësitë kundër botës islame”, si dhe qëndrimet jo të qarta të vetë botës arabe, ka rritur dyshimin për mundësinë e lidhjeve me aktivitete e organizata terroriste, duke e zbehur besimin në mes këtyre dy civilizimeve. Lufta që i ka shpallur Perëndimi “terrorizmit islamik” është një luftë që vështirë se mund të lokalizohet, e aq më pak me arsenalin luftarak që është përdorur edhe në luftërat tjera. Sakrifica e “njerëzve bombë” është strategjia e re e luftës militante, e cila nga Perëndimi duhet të merret më seriozisht. Perëndimi ka mundësi ta “fitojë” luftën, vetëm nëse ai vë një linjë ndarëse të qartë mes civilizimeve (gjë kjo e paarritshme) dhe atëherë mund të identifikohet, përkatësisht lokalizohen aktet e dhunës. Ndryshe, lufta kundër terrorizmit dhe sidomos propaganda e mediave, që po bëhet kur Perëndimi në brendinë e tij ka miliona besimtarë e simpatizantë, madje përkrahës të militantizmit, që brenda një çasti shndërrohen në “njerëz-bombë” dhe mund të eksplodojnë “në zemër të saj”, është e pakuptueshme dhe nganjëherë edhe si provokuese. Një gjë e tillë duket tamam sikurse fryma (era) kur i rreh “mullinjtë e erës”, sepse sa më shumë të ketë erë, mullinjtë sillen më shumë.
Lufta mund të ketë sukses vetëm me investime pozitive në njërën anë dhe në anën tjetër, kur nga bota islame do të ketë gatishmëri për ta luftuar këtë formë veprimi, që është e dëmshme sa për vetë islamin dhe besimtarët e vet, po aq edhe për paqen në botë. Perëndimin mund ta “shpëtojnë” vetëm besimtarët myslimanë, nëse vihen kundër këtij fenomeni që po merr përmasa shkatërrimtare dhe natyrisht investimet pozitive të botës perëndimore, (qoftë edhe në liberalizimin e fesë). Se sa janë të gatshme të dy palët që të ndërtojnë një strategji të re, është herët për të gjykuar, por për t’u distancuar nga aktet e tilla, ka mundësi që tashti. Arsyet janë të shumta dhe të ndryshme për këtë ngurrim paqësor, ndoshta për faktin se “civilizimi islam po ndihet i rrezikuar nga Perëndimi dhe imperializmi amerikan”, ndoshta janë kushtet ekonomike apo një prapambetje e theksuar.
Solidarizimi me “vëllezërit myslimanë”, është ende simbolik. Dhe kjo ka për rezultat skepticizmin, shtimin e mosbesimit, frikës, diskriminimit, urrejtjes mes besimtarëve dhe të feve. Në konfliktet mes orientalizmit e oksidentalizmit, konsekuencat më të mëdha do t`i kenë besimtarët islamë që jetojnë në Perëndim. Dhe shtrohet pyetja: cili është interesi i tyre të jetojnë në “geto”?
Reflektimi te shqiptarët
Kombi shqiptar, i cili edhe gjatë historisë, për shkak të shtrirjes së tij gjeografike, sot ka një detyrë shumë të rëndësishme dhe me peshë të madhe, së pari për vetë interesat e tij, e pastaj edhe në raport me konfliktin ekzistues. Kur flasim për interesat e tij, mendojmë fillimisht harmoninë (ndër)fetare dhe interesat shtesë aktuale politike. Konflikti i civilizimeve nuk po e përjashton në asnjë mënyrë reflektimin në shoqërinë shqiptare, sado që ne po mundohemi ta paraqesim si “jo të rrezikshëm”, përkatësisht si “jo të dëmshëm” dhe se harmonia (ndër)fetare te shqiptarët është në “nivel”. Kjo nuk është përherë kështu. Konflikti po ndikon sa direkt, po aq më shumë në mënyrë indirekte tek shoqëria shqiptare. Numri i teologëve shqiptarë të edukuar e shkolluar është në rritje dhe në kohën kur është pritur më shumë liberalizim, sikur kjo gjë ka ngecur mu tashti, kur Kosova ka nevojë më shumë. Tani ka dalur një konflikt në mes teologëve të rinj islamë të shkolluar në shtetet arabe, të cilët po akuzojnë teologjinë e shkollave islame, sipas ritit turk, se gjoja nuk po e praktikojnë “islamin e vërtetë”. Konflikti brenda bashkësive islame në Maqedoni, Shqipëri, Kosovë, sidomos në mes “teologëve të rinj” dhe atyre “tradicionalë”, është bërë publik dhe nga dita në ditë më i theksuar.
Kombi shqiptar, që në gjirin e tij ka tre fe, duhet t’i ruajë pos të tjerash edhe si pasuri kulturore kombëtare, meqë te tri fetë janë bërë pjesë të tij. Udhëheqësit e tre feve te shqiptarët, tani kur kemi një luftë të hapur kundër terrorizmit dhe si popull autokton që i përkasim Evropës, duhet të ndihemi më të gjallë, sepse e kemi obligim, nëse dëshirojmë ta ruajmë harmoninë fetare dhe të mos nxisim edhe konflikte të mundshme, por të kultivohet harmonia e dialogu ndërfetar. Ndikimet nga jashtë dhe pretendimet me interesat e ndryshme në gjendjen aktuale në rajon, Evropë e botë, kombi shqiptar duhet të jetë vigjilent e ta zgjidhë rrugën e interesit dhe të përparimit, si një vend neutral, me mundësi të veçantë për ta ruajtur qetësinë e harmoninë (ndër)fetare, e cila duhej të reflektohej edhe në rajon, sepse nuk ka alternativë tjetër. Nëse pretendohet për një lloj tjetërsimi të identitetit kombëtar në atë fetar, do të ishte fatale për kombin. Ruajtja e këtij ekuilibri është shumë i vështirë, sepse ai stimulohet e sponsorizohet nga qarqe e qendra të caktuara dhe po përcillet me sfida e probleme të jashtëzakonshme. Konflikti i brendshëm, qoftë brenda vetë bashkësive fetare, qoftë ndër fetë, shkakton vetëm dëmtime të pariparueshme politike në këtë fazë delikate, që po kalon kombi shqiptar dhe sidomos Kosova. Kërcënimet, direkt apo të tërthorta, publike a interne, abuzimet, shantazhimet, jo sinqeriteti, mungesa e tolerancës së vërtetë, nxitja e paragjykimeve, në vend që të zvogëlohen, ndikojnë reciprokisht, do të dëmtojnë interesin nacional, fundja fundit do të dëmtohet vetë interesi i Kosovës.
Epilog
Po ashtu, shqiptarët e besimit islam që gjenden në Perëndim, sidomos ata të organizuar nëpër “organizata të ndryshme”, që kanë synim fenë dhe Bashkësinë Islame pa dallime nacionale e regjionale, sikur shikohet nga perëndimorët me dyshime, ngase përballë identitetit nacional është vënë ai fetar, duke i bashkuar raca e popuj nën një ideologji dhe askush nuk mund të shpjegojë se a janë në favor të tyre këto veprime?
Fundja kombi shqiptar a nuk duhet të jetë i vetëdijshëm se është pjesë e kontinentit të Evropës dhe nuk i duhet bajraktarizmi për t’i bartur mëkatet e të tjerëve mbi shpatullat e tij të njomështuara?
St. Gallen, Zvicër, korrik 2005
Marre nga Dita.
Krijoni Kontakt