Gazeta Shqiptare
Flet Bashkim Kopliku: Lideri i PD ka vënë maskën e qingjit
"Si urdhëroi Sali Berisha armatosjen e PD më 1997"
------------------------------------------------------------------------
/Tetë vjet pas rrëzimit të pushtetit të Partisë Demokratike, Bashkim
Kopliku, ish-ministër i Rendit dhe njëkohësisht ish-zv/kryeministër i
qeverisë së parë të Partisë Demokratike, në një intervistë të gjatë për
Gazeta Shqiptare, rrëfen shumë sinqerisht si i ka përjetuar ditët e
fundit të rrëzimi të saj. Ai konsideron një "gomarllëk" mbështetjen
politike që Partia Demokratike u dha firmave piramidale dhe akuzon me
tone të rënda liderin e kësaj partie, Sali Berisha. Sipas Koplikut,
lideri i PD nuk ka ndryshuar as tani në vitin 2005. Ai e bën atë një nga
shkaktarët kryesorë të krizës së vitit 1997, madje e akuzon se "sikur
gjithçka të ishte lënë në duar të Berishës, gjaku do të kishte shkuar
deri në gju". Për Koplikun pas asaj që ndodhi më 1997 "asnjë vend tjetër
në botë s'do mbante në politikë një njeri si Berisha". Ja intervista e
plotë./
*
Në gazetën "Koha Jonë" të 15 prillit 1997 citohen pjesë nga një
intervistë juaja. Sipas kësaj interviste, ju keni bërë publik faktin se
presidenti Berisha kishte urdhëruar armatosjen e PD-së në një mbledhje
të grupit parlamentar të PD-së, të zhvilluar rreth një muaj më parë.
Mund të na përshkruani me sa më shumë detaje që të kujtoni të gjitha
hollësitë e asaj mbledhjeje?*
Në atë kohë jam shprehur në masmedia të ndryshme, e kam vështirë të jem
i përpiktë në citimet. Nejse, ajo që ka rëndësi është se fakti qëndron.
Z. Berisha erdhi në grupin parlamentar të PD-së dhe pa u ulur, në këmbë,
lëshoi bombën: "Të armatoset PD-ja".
*Kush ishte prezent?*
Grupi parlamentar i PD-së, besoj se shumica e deputetëve të PD-së.
*Fjala e Berishës?*
Mbaj mend se z. Berisha nuk priti të bëhej diskutim nga deputetët dhe as
ai nuk mbajti ndonjë fjalë, por tha shpejt e shpejt atë, në këmbë, "të
armatoset PD-ja", dhe iku. Nuk ndenji të japë përgjigje, sepse "kishte
punë të ngutshme për të kryer", për të shtypur kryengritjen e armatosur.
*Si u interpretua në grup ky urdhër?*
Duhet të sqaroj se kishte muaj që brenda PD-së, brenda grupit
parlamentar të saj kryesisht, bëhej një diskutim i gjatë në mes atyre që
donin veprime të "forta", shtypje me dhunë të prishësve të rendit,
demonstruesve në Vlorë e në gjithë Shqipërinë, dhe atyre që e
konsideronin çmenduri jo vetëm armatosjen e PD-së, por edhe vetë
shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme (po i quaj liberalët). Shpallje
e gjendjes së jashtëzakonshme do të thoshte që të kishte të drejtë
"shteti" të urdhëronte ushtrinë të vendoste rendin. Në liberalët isha
edhe unë. Ishim të bindur që nuk duhej përdorur dhuna ndaj
demonstruesve, por masa politike, si dorëheqja e qeverisë, krijimi i një
qeverie të re, po të PD-së, që të fillonte negociatat me demonstruesit,
që kërkesat e para i kishin që të hiqej Kryeministri, z. Meksi. Në se as
qeveria e re e PD-së nuk do ta qetësonte dot situatën, duhej të ecej në
rrugën normale, të krijimit të një qeverie teknike, që do ta shpinte
vendin në zgjedhje të parakohshme. Edhe pas shpalljes së gjendjes së
jashtëzakonshme, ne liberalët insistonim në masa të qeta. Jam krejt i
bindur që liberalët e PD-së e shpëtuan vendin nga lufta civile, se po të
ishte vetëm për z. Berisha dhe të fortët, këtu do të bëhej gjaku deri në
gju. Kur presidenti, z. Berisha, iku, në grupin parlamentar plasi
diskutimi në mes të fortëve dhe liberalëve. Të fortët bënin thirrje
histerike "për shtypje me gjak të kryengritjes bolshevike", e ne
liberalët insistonim në zbatimin e principeve të demokracisë. Në të
fortët kryesisht ishin disa njerëz me zë në zanatet e tyre jopolitike
(si mjekë, piktorë, matematicienë, historianë etj.), por që politikisht
ishin katapultuar personalisht nga z. Berisha në Kuvendin e vitit 1996,
ishin njerëz pa ndonjë meritokraci në lëvizjen demokratike, njerëz të
vonuar, të etur për karrierë të shpejtë politike, e që nuk duronin që
karriera e tyre të merrte fund kaq papritur e kaq shpejt, nga ca
demonstrues, që "policia e ushtria" duhej t'u shtypte kokën; ishin një
lloj KOP-i i asaj kohe. Ne liberalët nuk kishim ndonjë farë organizimi
në grup, ishim njerëz që thjeshtë na bashkonin mendësitë demokratike për
zgjidhjen e situatës, e bile nuk kishim as miqësira personale me
njëri-tjetrin! E kam fjalën, nuk ishim agjentë të amerikanëve, siç u
pëlqente berishistëve të shpifnin.
*A pati diskutime, apo Berisha u largua me shpejtësi ashtu siç flitet në
shkrimin e "Koha Jonë"?*
Siç ju thashë, z. Berisha nuk u duk më për këtë problem në grupin
parlamentar.
*Çfarë ndodhi konkretisht pas kësaj mbledhjeje? Si u shpërndanë armët
dhe nga kush? Kush mori armë?*
Ne liberalët ngulëm këmbë që mos të armatosej asnjë civil jashtë
rregullave shtetërore. Pra, nëse ka nevojë, të rekrutoheshin njerëz në
repartet përkatëse të policisë dhe ushtrisë së shtetit, dhe jo të
partisë, të PD-së, sepse kjo ishte fashizëm. Pra, ishim që armatosja të
bëhej vetëm sipas të gjitha rregullave shtetërore, dhe vetëm në rast
nevoje ekstreme. Insistimi i liberalëve qe i madh, dhe berishistët
zgjodhën rrugën tjetër. Filluan të na izolonin ne liberalët nga i gjithë
aktiviteti partiak, të bënin armatosje "të fshehtë" të militantëve, e sa
herë ishim rrotull "ne liberalët" i binin me bërryl njëri-tjetrit:
"Kujdes, ja ai". Kishim të dhëna se armët po shpërndaheshin pa asnjë
rregull, pa marrë as shënimet elementare, emër i marrësit, numër arme
etj. Nga ne, nga liberalët, u shfrytëzua shumë tribuna e Kuvendit si
edhe shtypi, gjë që kontribuoi shumë në frenimin e luftës civile.
*Si shkuan zhvillimet e mëtejshme në PD, që u arrit deri në ngjarjet e
vitit 1997?*
Duhet thënë se ngjarjet e asaj kohe kanë qenë shumë intensive, brenda
pak javëve u kryen zhvillime të vrullshme, që shoh se nga "historianët"
e sotëm pasqyrohen gabim: flitet me muaj, në kohë që duhet folur me
ditë. Projektohen në një kohë ngjarje që kanë ndodhur në kohë të
ndryshme dhe që kanë logjikën e vet vetëm po u rreshtuan njëra pas
tjetrës. Madje, edhe epoka e qeverisë së PD-së duhet ndarë në dy
periudha të mëdha: para referendumit për Kushtetutë, dhe pas
referendumit, ose praktikisht tre vitet 1992-'94, dhe tre vitet
1995-'97. Vitet 1992-'94 karakterizohen nga një punë kolosale për
transformimin e Shqipërisë nga një shtet totalitar në një shtet të
ekonomisë së tregut. U vendos rendi, njerëzit filluan të mos kenë frikë
të dalin rrugëve kur errej, pushuan të shtënat natën. Ministrat e PD-së
të asaj kohe nuk kishin asnjë bodigard nëpër kryeqytet. Edhe ministri i
Rendit publik, kur lëvizte edhe nëpër Shqipëri, kishte vetëm një oficer
me vete. Madje nganjëherë e merrte makinën edhe fillikat i vetëm, pa
shofer e pa oficer (besoj i shihni se ç'bëhet me ministrat dhe
badigardët sot!). Gjatë këtyre 3 vjetëve u bënë reforma ekonomike me një
vrull të paimagjinueshëm. U privatizua toka bujqësore, dyqanet e
ndërmarrjet e vogla e të mesme, u privatizuan shtëpitë, u liberalizuan
çmimet. U krijuan institucione demokratike. U shkatërrua pa nam e nishan
shteti komunist dhe u krijua shteti i ekonomisë së tregut. Ne thyem
konceptin etatist për ekonominë. Më kujtohet që në vitin 1993, në
Bruksel, në mbledhjen e G-24 (24 vendet e zhvilluara që do të ndihmonin
Shqipërinë), mora duartrokitje të furishme, sepse u thashë: "Nuk duam
gjë nga ky studim disa qindra faqesh, i bërë me ndihmën e Bankës
Botërore, e që parashikon fonde për përfundimin e veprave të filluara
nga socializmi. Këto vepra do t'i privatizojmë, dhe nëse vërtet kanë
leverdi, t'i vazhdojnë privatët. Ajo që duam, janë këto "dy fletë", janë
investimet urgjente në rrugë, ujësjellës, kanalizime, energji elektrike
etj., që janë rreshtuar aty." Pra, na është dashur të bëjmë përpjekje të
mëdha për të futur konceptin e shtetit që merret kryesisht me investime
që privatët nuk kanë interes t'i bëjnë, si p.sh. me infrastrukturën,
duke iu kundërvënë edhe të majtëve brenda PD-së, por kryesisht atyre të
opozitës, PS-së, që qanin hallin se "shteti nuk po ndërtonte më
fabrika". Po të lexoni "Zërin e Popullit", të asaj periudhe, do të gjeni
me dhjetëra shkrime ku sulmoheshim pikërisht për këto mendime. Sot
socialistët po mburren se po bëjnë të njëjtën gjë, rrugë etj.!
Natyrisht nuk mund të kërkohet suksesi i asaj periudhe në rreshtimin e
veprave publike shtetërore të asaj përmase që bëhen sot, si kaq qindra
kilometra rrugë etj. Atëherë, qëllimisht shqiptarin po e linim të
forcohej individualisht, pra shteti nuk i merrte frymën me taksa "për të
rregulluar rrugët". Në fakt edhe nuk mund të vileshin shumë tatime,
sepse të ardhurat bruto për frymë (GDP) ishin nja dhjetë herë më të
vogla se sot, e nuk kishte se ç't'i merrje të shkretit shqiptar, veç ta
vdisje nga uria. Shqiptari nuk siguronte dot ushqimin e vet, mbahej me
ndihma humanitare të huaja, që edhe shpërndaheshin nga ushtri të huaja.
Pra, pretendimi i sotëm se "PS-ja ka punuar më mirë se ka bërë 200 km
autostradë, kurse PD-ja në vitin..." është të mburresh me një produkt të
kohës, që nuk tregon punën tënde. Është si të pretendosh se "me që
kishte karabinë sovjetike, komandanti i zborit, shoku Sulo, ishte
strateg më i dëgjuar se Aleksandri i Madh i Maqedonisë!". Për të
vlerësuar përparimin e kohës, duhet të shihet se si u mbush tregu, nga
dyqanet krejt bosh të vitit 1991-'92; se si u mbushën shtëpitë (nga
televizori me autorizim, në dy televizorë për shtëpi); se si u ndërtuan
shtëpi të reja në fshat; se si lulëzoi kudo aktiviteti privat; se si
filloi ta mbajë veten shqiptari, duke lënë ndihmat humanitare që e
mbanin kur PD-ja formoi qeverinë. Përparimi i Shqipërisë gjatë kësaj
periudhe ka qenë një çudi ekonomike, që na bëri "heronjtë e Bankës
Botërore". Në PD mbretëronte fryma e misionarëve demokratë idealistë.
Debati ishte i lirë. Z. Berisha respektohej si njeri punëtor, me të meta
të vogla, pra si njeri dhe jo si zot. Megjithatë, nga fundi i periudhës,
filluan të shfaqen shenjat e totalitarizmit, të berishizmit. Do të
veçoja, për më sinjifikativin, ndryshimin e bërë, diku nga mesi i
1994-s, të statutit të PD-së, ku u hoq ndalimi i mosmbajtjes së postit
të kryetarit të PD-së për më tepër se dy mandate rresht. Z.Berisha po
siguronte me qitje të largët përjetësinë, dhe pak nga ne iu kundërvunë
në atë kohë, gjë që përbën një faj tonin. Vitet 1995-'97 Po i ndaj në
disa nënperiudha. Fundi i vitit 1994 deri maj i 1995-s. Humbja e
referendumit për Kushtetutën. Vendosja në PD e dorës së fortë, për të
shtypur me dhunë çdo zë, edhe brenda PD-së edhe jashtë saj, që guxonte
të kishte mendime të ndryshme nga z. Berisha. Mendohej nga më
militantët, se reagimi i popullit për referendumin e Kushtetutës
kërkonte një përgjigje me forcim të unitetit të PD-së dhe me shtypje të
zërave ndryshe, dhe jo të kundërtën, liberalizimin e shtetit, dhënie
lirie masmedias e kundërshtarëve politikë. Humbja e referendumit shihej
në "tolerancën e madhe ndaj komunistëve", dhe faji i PD-së shihej në
qëndrimin e butë: "Vetë e keni fajin që nuk ua shtypët kokën
komunistëve" - ata që ulërinin më tepër shpesh ishin ish-komunistët!
Ishte një histeri kolektive, që udhëhiqej nga z. Berisha. Ai filloi të
godiste të gjithë "konfliktuozët" e PD-së, ata që nuk pranonin të
ktheheshin në kukulla të tij. ("Konfliktuoz" është një term italiano-
tiranas, për fjalën "konfliktual", apo "sherrxhi") Natyrisht, brenda
PD-së, pati debate dhe kundërshtime ndaj tij, por zëri ynë, i
"konfliktuozëve" (atyre që përpiqeshin të mos lejonin që PD-ja të
kthehej në një parti komuniste, nga metodat, me mungesën totale të
demokracisë së brendshme), shtypej nga ulërimat e militantëve, që
përkraheshin jo vetëm nga z. Berisha, por edhe nga z. Eduard Selami, që,
pavarësisht se ishte formalisht kryetari i PD-së, në fakt ishte thjesht
një zëdhënës i z. Berisha. Ndërkohë, filloi një gjuajtje shtrigash, me
akuza, të vërteta dhe të pa vërteta, për korrupsion. U krijua një
tymnajë akuzash, për të gjithë. Karakteristike ishte që nuk kishte asnjë
vullnet për të bërë analiza për akuzat që u bëheshin njerëzve;
qëllimisht liheshin pa u ndjekur akuzat, që të mos dihej kush ishte i
pastër dhe kush ishte i korruptuar. Për çudi, akuzat shpesh nuk
fabrikoheshin vetëm nga opozita, por edhe nga kolegët brenda PD-së, një
dorë e padukshme thurte dhe ushqente thashethemnajën nga brenda PD-së.
Të korruptuarit e vërtetë z. Berisha i shante, i kritikonte, por nuk i
dënonte, pasi bëhej "i mëshirshëm", duke i falur, duke mos u thelluar
qëllimisht në analiza dhe gjetjen e fajtorëve. Ai me mjeshtri po
përgatiste një lukuni që i duhej për t'u përdorur për diversion brenda
PD-së, kur i duheshin vota të vjedhura, dhe trukime të zgjedhjeve e
marrje të vendimeve brenda PD-së.
Edhe akuza "për spiun Sigurimi" u përdor shumë për tymnajë. U akuzuan
spiunë të vërtetë dhe të pavërtetë. U hoqën nga listat e kandidimit për
deputetë të vitit 1996 të gjithë ata që kishin firmosur për Sigurimin,
por me këtë rast u hoqën edhe ata që kishte rezultuar se kishin votuar
kundër urdhrave të z. Berisha, në jetën e brendshme të PD-së (rezultoi
se ishin nxjerrë sekretet e votimeve të fshehta, dhe z. Berisha e dinte
se kush ka votuar kundër tij). Ata që ishin me popullaritet, dhe që nuk
hiqeshin dot aq lehtë, u hoqën nga zonat e tyre elektorale, dhe u
degdisën në zona të thella; që ose të humbnin ose të lodheshin e
dërmoheshin, që të mos kishin më fuqi të kundërshtonin me efektivitet
kthimin e PD-së në një parti totalitare. U futën në forumet drejtuese
(Kryesi, Këshill Kombëtar) disa fytyra krejt të reja, njerëz që ia dinin
për nder "karrierën e tyre të shpejtë politike" direkt e vetëm e vetëm
z. Berisha, siç thashë më parë: një farë KOP-i i asaj kohe. Ata
destinoheshin të ulnin përqindjen e njerëzve me mendim të pavarur brenda
PD-së, të "konfliktuozëve". Me një fjalë, u bë krejt e kundërta e asaj
që duhej bërë: në PD triumfoi tradita e vjetër komunisto-shqiptare e
dajakut (dhunës) ndaj traditës Perëndimore të re (të brishtë) të lirisë.
Këtë e konsideroj një fatkeqësi kombëtare.
*Dhjetor 1995-mars 1996*
FMN insistonte që të vihej kontroll mbi bankat. Të aprovoheshin
amendamentet përkatëse në ligjin e Bankave. Erdhi puna deri sa të
prisheshin fare marrëveshjet me FMN-në, nëse nuk aprovohej ky ligj. Po e
theksoj këtë fakt, sepse është e kundërta e asaj që përsëritet nga
berishizmi, se gjoja FMN "nuk na paralajmëroi për rrezikun" nga marrja
hua në publik, pra nga piramidat; dhe për gënjeshtrën tjetër, që gjoja
mbledhja e parave nga piramidat nuk ishte e kundërligjshme. Këto i
pretendonin me të madhe edhe njerëz që sot bëjnë publikisht ekspertin e
ligjeve të PD-së aktuale. Ligji i ri për bankat ndalonte marrjen e
parave borxh në publik nga çdolloj institucion apo shoqëri, përveç
bankave të licencuara. Pra, ishte ligji që do të ndalonte njëherë e mirë
fajdet (piramidat mashtruese). Ligji i Bankës u aprovua, por piramidat
vazhduan të zhvillohen pa i prekur njeri.
*Prill-maj 1996*
Fushata dhe zgjedhjet e majit. Vjedhje masive e votave, që nuk po e
komentoj në hollësi, sepse është e njohur. Joshje e firmave piramidale,
marrja e tyre si aleatë në fushatën elektorale, nga të dyja paritë, edhe
PD edhe PS. Piramidat (fajdet) paraqiteshin si një fenomen normal,
pavarësisht se ishte në shkelje të Ligjit për Bankat, që sapo ishte
aprovuar, shkelje që justifikohej me "ai ligj ishte i manjakëve,
ekspertëve të FMN-së". Sidoqoftë, premtohej se do të "merreshim me
fajdet sa të mbaronin zgjedhjet", me që ishim në fushatë, dhe do të na
dëmtonte marrja me to "siç na dëmtoi në zgjedhjet lokale të vitit 1992
liberalizimi i çmimit të bukës". Këto ishin përgjigjet që merrnim ne
"konfliktuozët" që kërkonim zbatimin e ligjit. Ç'është e vërteta, bëmë
kompromis dhe i pranuam këto justifikime, por ama me kusht që të
merreshin masa dinamike menjëherë pas zgjedhjeve. Polemikat i zhvillonim
të mbyllura atë kohë, brenda zyrave të PD-së, "për të mos dëmtuar partinë".
*Maj-tetor 1996*
Zgjedhjet u kritikuan ashpër nga komuniteti ndërkombëtar. U tha që
zgjedhjet lokale të tetorit 1996 do të monitoroheshin intensivisht nga
ndërkombëtarët. "E gjithë" PD-ja u hodh për të fituar zgjedhjet e
tetorit. U gjet stimulimi absurd i skemave piramidale, që të krijonin
një ndjenjë mirëqënieje, që njerëzit "vetë" të votonin për PD-në që ju
garantoi atë mirëqënie: u arrit, të futeshin "300 000 lekë për familjar
sot", e të merreshin "900 000 lekë pas tri javësh". Piramidat u
përkrahën fuqimisht nga PD-ja, nga kandidatët e saj për pushtetin lokal,
nga vetë z. Berisha. Qëllimi u arrit: edhe kundërshtarët e PD-së votuan
për të, me që nuk donin të "ngacmonin" këtë mrekulli ekonomike".
Zgjedhjet e tetorit u fituan pa asnjë vjedhje votash.
*Nëntor-mars 1996*
Asnjë masë reale për të bllokuar aktivitetin e piramidave. Kolapsi i
tyre erdhi jo nga shteti, por si rezultat i ngopjes së natyrshme të
procesit të mashtrimit; nuk mund të merreshin më tepër depozita se sa
jepeshin interesa, sepse shteruan burimet. Piramidat kishin tërhequr
praktikisht shumicën e kursimeve të shqiptarëve, bile edhe të ndonjë
miku të huaj. Mosqënia në gjendje e firmave piramidale për të dhënë
paratë, shkaktoi protesta masive në të gjithë vendin. Shteti fillimisht
ndenji pasiv, bile duke thënë edhe "kush ju tha t'i fusni paratë në
firmat?!". Apo filloi të tallet me popullin, duke krijuar komisione
parlamentare për studimin e piramidave, duke bërë të paditurin, apo
idiotin. U detyrova të dal edhe publikisht kundër qeverisë time, që nuk
po merrte masa kundër piramidave (diskutim në seancë plenare, i botuar
më 22 nëntor 1996! Besoj se është prononcimi i parë publik kundër
piramidave). Në vend të marrjes së masave, u provua kundërvënia ndaj
protestave me forcë policore, por qe e pamundur. Duhet thënë fakti se
protestat fillimisht ishin fare spontane, në kuptimin që nuk ishin të
organizuara nga opozita, PS-ja. Më kujtohen diskutimet për të rënë në
kontakt me demonstruesit dhe u tha të kontaktohej me ata të PS-së, se
mos kishin lidhje. Ata të PS-së rezultoi se ishin fare të çorientuar dhe
nuk po kuptonin se ç'po ndodhte. Ata vetë, të PS-së, kishin qenë krah
për krah me firmat piramidale gjatë fushatës elektorale, edhe kandidatët
e tyre kishin shfrytëzuar gjatë fushatës, sidomos gjatë asaj të majit të
1996-s, po firmat piramidale. Prandaj demonstruesit nuk kishin besim as
te PD-ja, por as edhe te PS-ja. Vetëm kur ne, PD-ja, nuk po reagonim si
duhet, pas disa javë demonstratash, e "morën veten" ata të PS-së dhe u
vërsulën, penetruan në mesin e demonstruesve dhe i shfrytëzuan për
qëllimet e tyre politike; për t'i dhënë predominancë politike protestës
së piramidave. Pra, PS-ja i hodhi benzinë zjarrit që kishte ndezur
PD-ja. Këto janë momentet që desha të theksoj, sepse vazhdon të
spekulohet, nga të dy monopolistët politikë, edhe nga PS-ja edhe nga
PD-ja, për këto fakte. Janë këto fakte arsyeja e vërtetë, që deri sot,
nuk u dënua njeri për shkatërrimin e Shqipërisë gjatë skemave
piramidale: Në pushtet erdhi PS-ja, që ishte bashkëfajtore, dhe nuk
kishte sesi ta vinte në vend drejtësinë.
*Në një intervistë televizive të vitit 1995 jeni shprehur se nuk
ekzistonte korrupsion gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. A jeni të
këtij mendimi edhe sot? Ka pasur apo jo korrupsion në atë periudhë?
*Edhe sot jam i këtij mendimi, se atëherë, deri në vitin 1995,
korrupsioni ishte në nivele minimale, pra praktikisht nuk ekzistonte.
Njerëzit që ishin në administratën e PD-së ishin në shumicë dërrmuese
idealistë, njerëz tip misionarësh të lirisë dhe të antikomunizmit. Pas
referendumit, sidomos gjatë vitit 1996, PD-së filluan t'i ngjiteshin
gjithfarë arrivistësh dhe degjeneratash, që janë pasojë automatike e
korrupsionit politik. Korrupsioni politik shkakton edhe korrupsionin
ekonomik. Me korrupsion politik nënkuptoj vjedhjen e votës, edhe brenda
PD-së, moszbatimin e parimeve demokratike etj. Ia vlen të ndaloj pak te
një gjë shumë e përfolur, edhe për korrupsion, tek privatizimet. Gjatë
viteve 1993 dhe 1994 privatizimet janë udhëhequr nga unë, në pozicionin
e zëvendëskryeministrit për reformën ekonomike. Them se ka qenë procesi
më pak i korruptuar i të gjitha reformave ekonomike të këtyre 15 vjetëve
tranzicion. Në të gjithë vendin u krijuan bordet e privatizimit (pothuaj
900 vetë në të gjithë Shqipërinë), të cilat shërbenin si nxitës të
privatizimit, si zhbllokues të ngecjeve të privatizimit. Edhe brenda
PD-së shpreheshin qëndrime, si "jo po mos ta privatizojmë filan objekt,
se nuk kanë bërë akoma dokumentet ish-pronarët", apo "përse ndërmarrjen
të mos e privatizojë ky grup ish-të përndjekurish politikë?", apo "përse
mos t'ia japim një investitori me ide shumë pozitive biznesi?" etj. Të
gjitha këto ide, këto ngecje, para krijimit të bordeve të privatizimit,
ishin shkak për frenimin e procesit, gjë që lidhej me dëmtime të
paimagjinueshme të pronës së përbashkët. Duhet të shkojmë me mend në
situatën e fillimit të viteve '90, që të kuptojmë se nuk mund të vonohej
asnjë moment privatizimi, sepse do të ishte me pasoja shumë të rënda,
mund të mos mbetej gjë për të privatizuar, sepse objektet do të
shkatërroheshin edhe fizikisht. Mentaliteti zotërues antipronë
shtetërore që mbretëronte, ishte mentaliteti i grabitjeve masive, i
trashëguar nga periudha e qeverisë Nano të vitit 1991, me grabitjet
masive në Laç etj. Bordet qenë një "shpikje" që godiste, rregullonte
edhe situatën para bordeve, kur vetëm "dy ministra" vendosnin: me firmën
e tyre përjashtonin nga ankandi! Pra bordet, këta 900 vetë, qenë
parlamenti i privatizimit. Edhe personat e SHIK-ut, apo Shefi i Policisë
që merrte pjesë në bord, e që sot përflitet gjithë mllef, ishin vënë
qëllimisht që të ulnin rrezikun e kalimit të pronës shtetërore në duart
e personave kriminalë. Nga ana tjetër, në borde merrte pjesë edhe
opozita. Vendimet e bordeve ishin të hapura, ku secili votonte me
shkrim. Publikimi i privatizimeve ishte perfekt dhe fare transparent. Si
rezultat, u privatizuan me mijëra ndërmarrje të vogla, të mesme dhe të
mëdha, brenda më pak se 6 muajve. Megjithatë, procesi u kritikua, e unë
mendoj se u kritikua sepse nuk u bënë hatërllëqe, as për ata të PS-së,
dhe as edhe disave të PD-së, që "të mbyllnin gojën"! Shoh sot në media
ca liderë politikë që "shajnë privatizimin me borde", e më kujtohet kur
vinin në zyrën time që të kërkonin favore të paligjshme për privatizim.
Duhet thënë se Bordi Qendror i Privatizimit, që unë kryesoja, nuk ka
bërë, në qindra rastet që ka kaluar nëpër duar, asnjë përjashtim të
vetëm nga ankandi, e përsëris, as edhe një përjashtim të vetëm! Diku nga
viti 1995 u hoqën bordet e privatizimit, dhe privatizimi filloi të bëhet
"ekskluzivisht me ankand". Ky qe një dështim i plotë praktik. Ankandet u
kriminalizuan. Në ankande hynin kriminelë të armatosur, që kërcënonin
ose blinin pjesëmarrësit në ankande, që të tërhiqeshin. Procedurat u
bënë fare jotransparente. Nejse, nuk po e zgjas më tej për privatizimin,
sepse nuk dua t'ju shkëpus nga tema juaj e intervistës. Aktivitetet ku
mund të flitet për korrupsion dhe mungesë totale transparence qenë
marrja e kredive nga bankat shtetërore, marrjet e licencave, dhënia e
tokave me qira "99 vjet" etj., të cilat nuk u kritikuan aq shumë nga
opozita e kohës, PS-ja, me që ishin edhe vetë të përfshirë në
korrupsionin që nisi: PS-ja paguhej me favore nga të korruptuarit e
PD-së, për të mos folur shumë, për të mos kritikuar shumë! Sidoqoftë,
duke e parë situatën me mendtë e sotme, pas 8 vjetësh regjim të PS-së,
jam i bindur që rastet e korrupsionit, para vitit 1997, kanë qenë me
mijëra herë më të pakta, më të rralla se sot. Sot, të gjesh një zyrtar
që nuk merr bakshishe, që nuk trukon tenderat për të marrë "10-20%-shin
e vet", është gjëja më e vështirë, e shpesh e pamundur.
*Si e gjykoni qëndrimin e qeverisë së PD-së dhe presidentit Berisha në
ngjarjet e vitit 1997?*
Disa gjëra i shpjegova më lart. Por ajo që do të theksoja përmbledhtas
këtu, është sa vijon. Faji kryesor i kastës së aparatçikëve profajde të
PD-së, me në krye z. Berisha, nuk ishte tolerimi i firmave piramidale.
Jo, tolerimi mund të ishte jo faj, por gabim, apo gomarllëk. Këtu flitet
për faj të rëndë penal, për ushqimin e firmave piramidale me përkrahje
politike, për krijimin ndaj tyre të lehtësive për të vepruar në një kohë
që ekzistonte detyrimi i qartë ligjor për t'i ndaluar. Flitet për
mbështetje qeveritare në pagesat e tatimeve dhe taksave, për
kontrollimin e financave të tyre skandaloze dhe për fshehjen e gjendjes
së tyre reale-e kjo nuk do të thotë "tolerim", por do të thotë
praktikisht krijim i piramidave. Natyrisht, janë pronarët e tyre
ekzekutorët e krijimit të tyre, por z. Berisha, në krye të aparatçikëve
profajde, i krijuan politikisht dhe ekonomikisht piramidat, siç krijon
një pushtet një rend ekonomik të caktuar. Nuk jemi pra vetëm para një
mosveprimi, jemi para veprimesh në favor të firmave piramidale
mashtruese, të kryera nga kasta propiramida e PD-së. Fakti që shumë
zyrtarë të firmave piramidale ishin ish-sigurimsa apo ish-aparatçikë të
Partisë Komuniste, nuk do të thotë se ato i krijoi PS-ja e jo PD-ja; ai
soj zyrtarësh ishin shërbëtorët më të devotshëm të Kryeministrisë dhe të
Presidencës së kohës së PD-së!
*Nëse PD-ja, që në dhjetorin e 1996-s, apo fundja në janarin e vitit
1997, do të krijonte një qeveri teknike për ta shpënë vendin në zgjedhje
të parakohshme, e njëkohësisht do të fillonte të ndante paratë në një
masë të vogël, p.sh. deri në vlerën 10 000 dollarë (sa të kënaqeshin
masa më e madhe e kreditorëve nga demonstratat), Shqipëria nuk do të
ishte shkatërruar. Shqipëria u shkatërrua që z. Berisha të mos humbte
kolltukun e tij të presidencës së dytë, dhe që berishistët të mbanin
pushtetin aq të dëshiruar. Ju keni qenë një nga drejtuesit e qeverisë
dhe njerëzit më të besuar brenda PD-së. Sipas jush, duke ndjekur
lëvizjet e fundit politike, ka ndryshuar vërtet PD-ja dhe Berisha?
*Z. Berisha në përmbajtje nuk ka si të ndryshojë, ai vetëm ka vënë një
maskë për t'u dukur "qengj". Nuk ka vend tjetër në botë, që mban në
politikë një lider që t'i ketë bërë vendit të vet atë që i ka bërë z.
Berisha më 1996-'97. Ndërsa PD-ja ka ndryshuar për keq; ka rrëshqitur më
majtas se PS-ja, dhe, ç'është më e keqja, ka marrë ngarkesa populiste,
që kanë brenda totalitarizmin, që është një rrezik i madh për vendin.
*Jeta aktuale dhe shkaku pse nuk ingranohet në politikë*
*/Kopliku: Nuk kam një parti politike që të më përputhet/*
Bashkim Kopliku, ish-ministri i sukseshëm i Rendit i Partisë Demokratike
në vitet 1992-1993 nuk mendon të futet sërish në politikë, pasi sipas
tij ende nuk ka një parti që i përputhet së paku në gjërat kryesore, me
mendimet e tij. Tashmë në pension, Kopliku mendon se Partia Demokratike
ka ndryshuar për keq, në një kohë që ai vetë nuk kë ndryshuar. Kopliku
pohon se ndihet komod që është prezent në media me mendimet e veta të
shprehura në formë opinionesh. Sipas tij "e kam për detyrë t'u them
bashkëqytetarëve të mi të vërteta, ashtu siç i mendoj unë. Mendja ma
thotë se i bëj një të mirë opinionit politik e ekonomik shqiptar, me
analizat dhe opinionet e mia". Njeriu që dikur drejtonte bordin e
privatizimeve të ndërmarrjeve dhe gjithçkaje shtetërore të trashëguar
nga komunizmi, pohon se korrupsioni në atë kohë ishte në kufij minimalë
dhe se detyra e tij ndaj shtetit është bërë shumë ndershmërisht. Në këtë
këndvështrim Kopliku sheh të gjithë angazhimin e tij të dikurshëm në
strukturat drejtuese të Partisë Demokratike. Duke besuar se ka
përmbushur shumë më mirë se të tjerët, që tashmë janë në radhët e PD,
detyrat e tij jo ndaj partisë, por ndaj popullit dhe shtetit.
*Pasaporta*
-Diplomuar si inxhinjer elektronik në Universitetin e Tiranës, 1966.
-Uzina e Radio Televizorëve Durrës (1973-1991)
-Kryetar i Sektorit të Kontrollit të Cilësisë (1973-75)
-Kryetar i Byrosë Teknike (1985-90)
-Kryeinxhinjer (1990-91)
-Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Durrësit (1991-1992)
Deputet i Kuvendit (1991-1997)
-Zëvendës Kryetar i Këshillit të Ministarave dhe Ministër i Rendit
Publik (1992-1993)
-Zëvendës Kryetar i Këshillit të Ministarave i ngarkuar me Reformën
Ekonomike (1993-1995)
-Kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, Financës dhe
Privatizimit (1996-1997).
Krijoni Kontakt