Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 7
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,315
    Postimet në Bllog
    17

    Gjuha Shqipe në Kishë

    Botohet me bekimin dhe miratimin e Fortlumturisë së Tij, Kryepiskopit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, +Anastas,

    Tiranë, 1997



    Përmbajtja e lëndës

    1. Gjuha Shqipe në Kishë - Faqe 3
    2. Pasthënie - Faqe 36
    3. Artikulli: Kontribut i Qënësishëm në përtëritjen Kishës sonë - Faqe 38
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 24-06-2005 më 04:53

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,315
    Postimet në Bllog
    17
    Botohet me bekimin dhe miratimin e Fortlumturisë së Tij,
    Kryepiskopit të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, +Anastas,

    I.

    Ishte dhe mbetet gjithnjë e gabuar pikëpamja, sipas së cilës fjalët e Perëndisë dhe lutjet e shenjta mund të shprehen vetërn në tri gjuhë: hebraisht, greqisht dhe latinisht, gjuhë të konsideruara si të shenjta. Një pikëpamje e tillë është në kundërshtim jo vetëm me zhvillimin gjuhësor të Shkrimeve të Shenjta, por edhe me vetë frymën e Krishtërimit dhe me praktikën e Kishës.

    Ja ç'tregojnë faktet:

    Dihet se Perëndia ia shfaqi vullnetin e tij Moisiut për popullin izraelit në gjuhën hebraike. Po, kur ky popull. me kalimin e shekujve, e ndryshoi gjuhën, duke përdorur, në vend të saj, aramaishten. një dialekt siro-kaldeas, librat e fundit të Dhiatës së Vjetër u shkruajtën në këtë gjuhë të gjallë të popullit. Po në këtë gjuhë bëhej përkthimi dhe shpjegimi i librave tc parë të Dhiatës në Tempullin e Jeruzalemit dhe në sinagogat e tjera.
    Më vonë, kur një pjesë e këtij populli, i shtrënguar nga rrethana të ndryshme historike. ishte i detyruar të largohet nga Palestina e të vendoset në vende të tjera; filloi dalngadalë ta harrojë gjuhën aramaishte, por jo dhe Perëndinë, siç është rasti i hebrejve të Aleksandrisë së Egjiptit, të cilët në vend të aramaishtes përdorën greqishten. Më 280 para Krishtit u përkthye në këtë gjuhë, që flitej dhe kuptohej nga populli, edhe Dhiata e Vjetër, përkthim i cili njihet me emrin "i të 70-ve" ose më saktë "i të 72-ve".

    Zoti dhe Shpëtimtari ynë Jisu Krisht, pak kohë para ngjitjes së tij në qiell, i porositi nxënësit e tij: "Shkoni dhe mësoni gjithë kombet... të ruajnë sa ju kum porositur"1
    Dhe nxënësit e tij e zbatuan këtë porosi. Ungjillori Mark, në ungjillin e tij të shkruar rreth vitit 63 pas Krishtit, thotë: "edhe ata dolën dhe predikuan kudo... "2.
    Po në ç'gjuhë e lexonin Ungjillin e Zotit apostujt e shenjtë dhe nxënësit e tyre? "Ç'do populli në gjuhën e tij".
    "Besimi (dm.th. pranimi i krishtërimit), thotë Apostull Pavli, vjen nga të dëgjuarit"3, sepse "si mund të besojnë (njerëzit) në Atë, për lë cilin s'kanë dëgjuar gjë? Si do të dëgjojnë. pa ndonjë lexues"4, i cili të njohë gjuhën e atyre që u flet'?
    Dhe në një vend tjetër Apostull Pavli thotë: "në Kishë dëshiroj më mirë të them pesë fjalë të kuptueshme që të mësoj dhe të tjerët, se sa dhjetëmijë fjalë në gjuhë të pafrymtë"5 d.m.th. në gjuhë të huaj per ata, të cilëve u flitet për Krishtin.
    Është e qartë, pra, se që ta njihnin njerëzit Krishtin dhe t'i besonin Atij, "lajmi i mirë" i Ungjillit duhej t'u lexohej dhe t'u jepej në gjuhën e tyre.

    Kështu ka vepruar edhe Kisha qysh në shekujt e parë.

    Librat e shenjta të Dhiatës së Re dihet se janë shkruar në gjuhën greke, me përjashtim të Ungjillit të Mattheut, që u shkrua në gjuhën aramaike (por që u përkthye edhe ky në gjuhën greke), sepse në atë kohë, kjo gjuhë - dhe jo gjuha latine, gjuha e pushtuesit të atëhershëm të botës së vjetër dihej nga të gjithë popujt, që ishin nën pushtimin e perandorisë së fuqishme romake.
    Nga greqishtja, pastaj ato u përkthyen dhe në gjuhë të tjera, në fillim në gjuhën siriane, përkthim që njihet me emrin "Vetus syra", pastaj në gjuhën latine, që njihet me emrin "Itala" (shek. II).
    Origjeni, shkrimtar i madh kishtar i fillimit të shek. III, në veprën e tij "Kundër Kelsit" thotë: "Të krishterët në lutjet e tyre nuk përdorin emrat që ndodhen në shkrimet hyjnore dhe që janë caktuar për Perëndinë (sikundër ngjet nëper magjitë. ku ndalohet edhe ndryshimi më i vogël), por grekët greqisht dhe romanët latinisht dhe kështu secili në dialektin c tij i falel Perëndisë dhe e himnon ashtu si mundet. Dhe Zoti i çdo dialekti i dëgjon ata që i luten në çdo gjuhë; dhe që të them kështu i dëgjon të gjitha sikur thuhen me një zë; se Perëndia, i cili është i të gjithëve nuk ka zgjedhur me short ndonjë gjuhë barbare a greke dhe as që s'i di gjuhët e tjera ose s'i merr parasysh ata që falen në gjuhë të tjera... "6.
    Efsevi, ati i historisë kishtare, që ka jetuar në shek. IV thotë: "se (pas ardhjes së Krishtit) iu dha gjithë kombeve (e drejta) të përdorin gjuhë të ndryshtne që ka çdo komb (dhe përpara Krishtit) po Perëndia urdhëroi që profecitë të kuptohen nga të gjithë kombet me anën e shpjegimit" 7.
    Edhe jo vetëm Shkrimet e Shenjta, por edhe shërbesat kishtare, u pa e udhës të shpjegohen në gjuhën e çdo populli, që të jenë të kuptueshme.
    Në liturgjinë më të vjetër të ritit aleksandrin, që është e shek. IV pas Krishtit, ndërmjct kategorive të tjera të punonjësve në Kishë gjejmë edhe interpretët(fjala greqisht), të cilët kishin për detyrë të përkthenin shërbesën dhe predikimin për ata që nuk e kuptonin gjuhën greke 8.
    Për një kategori të tillë përkthyesish na flet edhe Etheria (shek. IV), e cila thekson se në kishën e Jeruzalemit këta përkthenin shërbesën nga gjuha greke, në të cilën meshohej, në gjuhën siriane, për ata që nuk e kuptonin të parën 9.
    Armenët e kanë përdorur gjuhën e tyre në kishë që në shek. III pas Krishtit.
    Këtë rregull Kisha Orthodhokse e ka ndjekur pothuaj vazhdimisht, me përjashtime të rralla.
    Misionarët e saj, që dërgoheshin nga Konstandinopoja nëpër popujt e ndryshëm për të përhapur Krishtërimin, krahas me leximin dhe organizimin, interesoheshin dhe për përkthimin e librave të shenjtë në gjuhën e atyre popujve.
    Ulfila, apostull i gotëve dhe i pari episkop i tyre, stërnip i disa të krishterëve kapadoqeas, njohës i mirë i gjuhës gotike, latine dhe greke, i cili ka jetuar në shek. IV, krahas me punën rnisionare për kthimin e gotëve në krishtërimin, përktheu dhe Biblën në gjuhën gotike 10.
    Apostujt e popujve sllavë Qirilli dhe Metodi, të dërguar nga Patriarkana e Konstandinopojës në shek. IX për te kthyer në krishtërim moravasit, përkthejnë në gjuhën sllave Shkrimet e Shenjta dhe bëjnë një luftë te ashpër për futjen e kësaj gjuhe në shërbesat kishtare 11.
    Veprën e Qirillit dhe të Metodit e vazhdojnë nxënësit e tyre Shën Klementi, Shën Naumi e të tjerë, që vunë bazat e gjuhës kishtare edhe në Kishën Orthodhokse Bullgare.
    Në shek. XV Shën Sava, I dorëzuar kryepiskop i Kishës Orthodhokse Serbe, prej patrikut të Konstandinopojës në Nike, krahas me organizimin e Kishës, cakton që shërbesat kishtare të kryhen në gjuhën e popullit 12.
    Në bazë të dokumentave të njohura gjer tani 13, në Kishën Orthodhokse Rumune, përpjekjet e para të përkthimit të librave kishtare në gjuhën e popullit fillojnë në shek. XV dhe më vonë, që në shek. XVII, përkthimi të bëhet i plotë dhe gjuha rumune të përdoret gjerësisht në Kishë.
    Këto pra, na tregon historia e Kishës.
    Po në Kishën tonë Orthodhokse të Shqipërisë, si qëndron kjo çështje?
    Pikërisht, këtë do të analizojnë në pjesën që pason.





    1. Mt. 28:19-20
    2. Vik. 16:20
    3. Rom. 10:17
    4. Rom. 10:14
    5. I Kor. 14:19
    6. Kundër Kelsit VII. Vol. 11. 1593 A Migne Patr. Graeca 1844-1866, Paris.
    7. Efsevi: Ungjijtë, shih Prokopi VIII (Hyrje).
    8. "Ortodoksia" revista Patriarhiei Romane. Viti XI, Nr. 2, prill-maj 1959, f. 289, Bukuresht.
    9. Si më sipër.
    10. Istoria bisericeasca universaia Vol. 1, Bucuresti 1956, faqe 191. 11 Si rnë sipër, faqe 329-330.
    11. Si më sipër, faqe 329-330
    12. Hrisostom Papadhopullos (titulli greqisht) 1923, faqe 8
    13. Istoria Bisericii Romane, Vol I, Bucuresti 1957, faqe 252.
    wh
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 23-06-2005 më 03:34

  3. #3
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,315
    Postimet në Bllog
    17
    II.

    Përkthimi më i vjetër që njohim deri tani në lidhje me temën që trajtohet. i përket shek. XV. Eshtë një dorëshkrim që u gjend brenda një dorëshkrimi tjetër greqisht, në biblio-tekën Ambroziana të Milanos. Përmban tri pjesë të ndryshme:

    1. Ungjillin e Shërbesës së Mëngjesit të së Premtes së Madhe, që këndohet pas proçesionit me Epitafin (Mt. 27: 62-66).
    2. Urimin "Për shumë vjet, o Kryezot", që këndohet nga psalti kur episkopi bekon popullin pas mbarimit të leximit të Ungjillit nga dhiaku.
    3. Himnin e Pashkës së Madhe "Krishti u ngjall", që është himni më i njohur dhe më i përhapur ndër orthodhoksët gjatë 40 ditëve të Pashkës 14.
    Natyrisht kjo s'do të thotë se përpjekjet për të përkthyer Shkrimet e Shenjta në gjuhën shqipe dhe për përdorimin e tyre në Kishë, fillojnë në shek. XV.
    "Fragmentet, theksohet në Historinë e Letërsisë Shqipe, flasin për përdorimin sado të pjesëshëm të shqipes në shërbesat fetare të Kishës Orthodhokse para pushtimit turk. Ato janë thërmijat e një prodhimi që është zhdukur, gjurmët e një tradite të lashtë letrare " l5.
    E njëjta gjë mund të thuhet dhe për shek. XVI e XVII. periudhë për të cilën nuk ka dalë deri tani në dritë asnjë e dhënë ose njohuri për përpjekje të tilla.
    "Eshtë më afër mendsh, shkruan Eqerem Cabej, që për nevoja kishtare lë jetë shkruar shqipja edhe ndër orthodhoksë të Shqipërisë së mesme e jugore. Prandaj më duket me vend porosia e Mario Roques, që këshillon të bëhen gjurmime të këtij drejtimi në Slamboll, si edhe vetë në Shqipëri" 16.

    Përkundrazi, shek. XVIII është i pasur në këtë drejtim.

    Tipografi Grigor Konstandinidhi, njeri me kulturë të gjerë, nxënës i Akademisë së Voskopojës dhe profesor për një kohë në të, ndërmjet veprave të tjera, na thotë bashkëkohësi i tij J. Zavira "përktheu Dhiatën e Vjetër dhe të Re dhe e shkroi atë me gërma shqipe, të cilal i i shpiku vetë" 17. Kjo vepër mjerisht ka humbur. Për veprimtarinë e tij të gjerë në lëmin e kulturës dhe të mbrojtjes së orthodhoksisë në vendin tonë, Patrikana Ekumenike e zgjodhi dhe e emëroi Mitropolit të Durrësit, që ishte Mitropolia më kryesore nga pikëpamja historike dhe fetare në Shqipëri, me qendër ndoshta në Elbasan dhe sidomos në Manastirin e Shën Joan Vladimirit manastir i cili u bë dhe qendër për lëvizjen e përkthimit të librave të kishës në gjuhën shqipe për Elbasanin, dhe ku janë gjetur mjaft dorëshkrime me përkthme pjesësh të ndryshme nga të Kishës 18.

    "Anonimi i Elbasanit", mund të ketë qenë ndonjë kallogjer ose ndonjë prift i Manastirit të Shën Jonit; dorëshkrirni i tij është zbuluar më 1949 ndërmjet dorëshkrimeve me prejardhie nga manastiri i Shën Jonit19. Pas një predikimi prekës në gjuhën shqipe mbi vuajtjet e Krishtit, ai përkthen pjesë nga Ungjilli që lexohen të dielave dhe të kremteve në Kishë, si p.sh. Ungjilli i së Premtes së Madhe, i së dielës së Shën Thomait, i shërbesës së varrimit e të tjera, të cilat nuk janë renditur sipas rregullit të Ungjillit të madh, por që sigurisht lexoheshin në Kishë, ku edhe predikohej shqip. Përkthimi është i lirë, në gjuhën e folur të asaj kohe dhe përmban fare pak fjalë të huaja. Eshtë botuar në Buletinin e Institutit të Shkencave 20.

    Theodhor Haxhifilipi nga Elbasani (1730-1806), që njihet me emrin "Dhaskal Todri", nxënës edhe ky i Akademisë së Voskopojës. mësues dhe predikues i Kishës së Elbasanit, bën një hap mjaft të madh përpara. Përveç Dhiatës së Vjetër e te Re, ai përktheu në gjuhën shqipe Liturgjinë e Shën Joan Gojartit. e cila, siç dihet, është pjesa më e rëndësishme e kultit orthodhoks dhe që përdoret në kishë, pothuajse gjatë gjithë vitit. Kjo, si edhe disa pjesë nga Orologji (Libri i Orëve) janë botuar nga Dh. S. Shuteriqi21. Natyrisht nuk mund të pretendohet për një përkthim të rregullt e të rrjedhshëm të Liturgjisë. Dhaskali, gjatë përkthimit e ka ndjekur tekstin grek fjalë për fjalë dhe ka krijuar shumë neologjizma, që s'i përshtaten natyrës së gjuhës shqipe. Po inisiativa ishte dhe mbetet gjithnjë e lavdëraeshme. Ai ka bërë dhe përkthime të tjera fetare, por mjerisht, dorëshkrimet u zhdukën prej familjes së tij më vonë, më 1827, thuhet nga frika e kolerës. Me Dhaskal Todrin kemi një përpjekje serioze për përdorimin e gjuhës shqipe në Kishë ".

    Një punë të tillë bën në Berat, po gjatë këtij shekulli dhe Konstandin Berati. Në dorëshkrimin e tij me 152 faqe, që ruhet në Bibliotekën Kombëtare, gjenden mjaft pjesë të shërbesave kishtare dhe të Ungjillit që përdoren në Kishë23. Madje përkthimet e tij arritën deri në Vithkuq, ndofta dhe gjetiu, me anë të dhaskalit të kohës, Kost Cepi, siç provohet nga një dorëshkrim i gjetur në Manastirin e Shën Pjetrit të Vithkuqit24.
    Mirëpo duhet theksuar se përkthimet që janë përmendur më lart, nuk patën ndonjë përhapje të gjerë, për faktin se nuk patën fatin të shohin dritën e botimit.
    Përkundrazi, ato të shek. XIX dhe të fillimit të shek. XX, që janë botuar, patën një përhapje shumë të gjerë dhe deçiduan futjen një herë e përgjithmonë në Kishë të gjuhës shqipe.

    Më 1824, episkopi Grigor Gjirokastriti boton në Korfuz Ungjillin sipas Mattheut dhe në vitin 1827 krejt Dhiatën e Re, të përkthyer nën kujdesin e tij. Ky botim pati një përhapje të gjerë tek orthodhoksët e Shqipërisë dhe arbëreshët e Greqisë, aq sa më 1858 u ndie nevoja e ribotimit në Athinë 25.
    Megjithëse si bazë për përkthimin nuk u përdor teksti zyrtar i Dhiatës së Re, por një tekst tjetër në greqishten. e re, i quajtur "Maksimin", përkthimi është bërë me kujdes në gjuhën labërishte të kohës dhe nga pikëpamja e interpretimit orthodhoks është mjaft i mirë, gjë që tregon vëmendjen e vetë episkopit në këtë drejtim, por edhe përgatitjen e tij teologjike. Eshtë i dyti episkop shqiptar, pas Grigor Konstandinidhit, që pas botimit të Dhiatës së Re në gjuhën shqipe, gradohet nga Patrikana Ekumenike, duke u zgjedhur Mitropolit i Athinës.

    Në gjysmën e dytë të shek. XIX Konstandin Kristoforidhi (1830-1895) nga Elbasani, vazhdues i denjë i veprës së Anonimit të Elbasanit dhe të Dhaskal Todrit, përkthen për nevojat e Shoqërisë Biblike Britanike Dhiatën e Re të plotë, e cila u botua në Stamboll, në dialektin verior më 1869 dhe në dialektin jugor më 1879. Rreth viteve 1868-1872 përkthen dhe boton Psaltirin, një nga librat më poetikë të Dhiatës së Vjetër. Gjatë periudhës 1880-1884 shohin dritën e botimit: "Të bërët" (Gjenesis), "Të dalët" (Eksodhos) dhe "Nomi i dytë" (Deuteronomi)26.
    Si orthodhoks i mirë, Konstandin Kristoforidhi, përveç perkthimit të Biblës interesohet dhe për edukimin fetaro-kombëtar të fëmijëve orthodhoksë, duke përkthyer dhe tekste shkollore fetare, siç janë: "Historia e Shkronjës Shenjtëruarë" dhe "Katër Katekizmat". Dhe ajo që është më interesante për Kishën tonë ai nuk pranon të bëhet vegël e Shoqërisë Biblike Britanike për përhapjen e protestantizmit në vendin tonë27, përhapje e cila do të shkaktonte edhe një përçarje të re fetare, në dëm të interesave kombëtare të popullit tonë.
    Përkthimet e Kristoforidhit nga pikëpamja gjuhësore janë më të pastra e më të përsosura nga përkthimet e paraardhësve të tij. Teksti i tij i Dhiatës së Re në dialektin jugor, i ndarë në perikopa, sipas rregullave të ritit tonë, përdoret edhe sot në Kishë. Kisha si vlerësim për punën e tij, ngriti më 1934 një bust të tij pranë Kishës së Shën Marisë në Elbasan. Përkthimet e Kristoforidhit patën një përhapje të madhe ndër orthodhoksët shqiptarë, brenda dhe jashtë atdheut, dhe i sollën një shërbim të madh çështjes së përdorimit të gjuhës shqipe në një Kishë orthodhokse shqiptare të pavarur.

    Gjithashtu i përket shek. XIX edhe përkthimi i pabotuar "Vajtimet e përmbivarëshme të Krishtit", i bërë nga Papa Jani i Paparistos, prift i fshatit Godolesh të Elbasanit, i cili pas myslimanizmit të fshatit ishte vendosur, siç duket, në manastirin e Shën Jonit. Dorëshkrimi i tij gjendet pranë arkivit të ish Institutit të Shkencave28.
    Por punën më të madhe e më të organizuar për shqipërimin e librave liturgjike dhe për përdorimin e tyre në Kishë, e bëri Imzot Fan S. Noli, protagonisti kryesor i kombëtarizimit dhe i pavarësisë së Kishës sonë Orthodhokse.
    Jemi në periudhën kur lëvizja për pavarësinë e atdheut nga robëria pesëshekullore turke kishte marrë hov të madh brenda dhe jashtë atdheut.
    Për t'i shërbyer, pra, kësaj kauze edhe nga ana kishtare, sepse Kisha jonë ishte nën varësinë e Patrikanës Ekumenike, Noli, i cili gjendej në Amerikë që më 1906, me kërkesë të shqiptarëve të atjeshëm hirotoniset, më 8 mars 1908, prift nga Mitropoliti rus i Nju Jorkut, Imzot Platoni, dhe më 22 mars, të Dielën e Orthodhoksisë, celebron në Kniht Holl të Bostonit Liturgjinë e parë në gjuhën shqipe. Në pasdreken e po asaj dite themelon në Foiniks Hoill të Bostonit kryekishën e Shën Gjergjit për shqiptarët orthodhoksë të Amerikës, që u bë qendra e përpjekjeve për pavarësinë dhe kombëtarizimin e Kishës sonë29. Nga ana tjetër, ai përkthen dhe boton në gjuhën shqipe, librat më të domosdoshëm liturgjike, të cilët shënohen më poshtë, sipas rendit kronologjik të botimit të tyre:

    1. Shërbesa e Javës së Madhe
    Përmban gjithë të kënduarat prej së Shtunës së Shën Llazarit deri të Shtunën e Madhe. U botua në Boston Mass më 1908.
    Nuk kemi parë ndonjë ekzemplar të këtij botimi.

    2. Librë e shërbesave të shenjta të Kishës Orthodhokse
    Përmban: Shërbesën e mbrëmësores, të mëngjesit, të blatës së hyjshme, liturgjinë e Gojartit, shërbesën e pagëzimit, të martesës, të rrëfimit, të prehjes për të vdekurit, të bekimit të vogël të ujit, disa himne nga Oktoiku i vogël dhe katavasitë e motit. Në fund ka dhe një fjalor me termat më kryesore të Kishës. U botua në Boston Mass më 1909.
    Në parathënien e këtij libri, Noli thekson: "Po u fal shqiptarëve orthodhoksë këtë librë, e cila është e dyta dhe pandeh që përdorja e sajë do t'i sjellë një shërbim vendit tonë. I kam dhënë zotim kombit tim t'u fap vëllezërve të mi bashkëfetarë librat më të nevojshme për të praktikuar faljen e tyre në gjuhën kombëtare, dhe zotimin tim do ta mbaroj ndofta brenda në pak kohë, në qoftë se shqiptarët janë gati të më ndihnin, sikundër më ndihnë me të shtypurit e këtyre dy librave. Më të kthyer të kësaj libre u përpoqa të mos largohem nga teksti greqisht dhe besoj që u dhashë shqiptarëve një kthim ekzakl të lutjeve të kishës orthodhokse. Natyrisht nnk mund të mbetesha i kënaqnr nga kthimet e vjetra të atdhetarit të shkëlqyer Z. K. Kristoforidhit, dhe u përpoqa t'i ndreq ato që hynë në këtë libër pas përparirnit që ka bërë gjuha shqipe që nga koha e tij, pa mohuar që puna e tij qe një ndihmë dhe themeli për mua ... Shpërenj se shpejt do të kuptohet nevoja e librave të tjera që po përgatit, dhe kjo gjë do të më bëjë të punoj me më shumë mall e qëndrim".
    Në këtë parathënie del qartë qëllimi kryesor dhe i ngutshëm i Nolit, si dhe puna e tij e palodhur për realizimin e tij në dobi të Kishës e të atdheut.

    3. Librë e të Kremteve të mëdha të Kishës Orthodhokse.
    Përmban himnet kryesore të të kremteve të mëdha të Kishës, bashkë me pjesën e Apostullit dhe të Ungjillit, ungjijtë mëngjesorë të të dielave, si dhe Apostujt dhe Ungjijtë e të dielave në meshë, që nga e Diela e Gjithë Shenjtorëve te e Diela e Fariseut dhe e Kumerqarit. U botua në Boston Mass më 1911. Eshtë një përmbledhje e të 12 mineove të Kishës.
    Të dy librat e sipërmë, Noli ia kushton në shenjë mirënjohjeje e reverimi Imzot Platonit, kryepiskopit rus të Amerikës së Veriut dhe të Viseve Aleutine, për ndihmën që ai i dha kauzës së Kishës sonë.
    Edhe botimin e tretë Noli e shoqëron me një parathënie, në të cilën thotë: "Duke shtypur këtë libër çkarkohem nga një barrë dhe me gas shoh që më mbetet vetëm dhe një libër fetar edhe për të botuar. Kjo do të jetë Triodi dhe Pendikostari i vogël, lë cilin do ta kem gati nga vera që vjen. U lutem shqiptarëve të më ndihmojnë dhe për këtë librë të fundme, e cila do të mbushë serinë e teksteve fetare orthodhokse më të nevojshme dhe do të më lerë të lirë të merrem me kthime veprash letrare, për të cilat kombi ynë ka aq nevojë".
    Dhe përkthimi e botimi i tyre vazhdon.

    4. Triodi i Vogël.
    Përmban. himnet e mbrëmësores dhe të mëngjesit të të dielave të periudhës së Kreshmëve të mëdha, duke filluar me të Dielën e Kumerqarit dhe Fariseut dhe duke mbaruar me të Shtunën e Madhe, shërbesën e Pasdarkës së Madhe e të Vogël dhe Himnin Akathist. Disa të diela i ka të plota, disa jo, si p.sh. të dielën II, IV e V të Kreshmëve. U botua në Boston Mass më 1913.

    5. Lutjesorja.
    Përmban himnet e mbrëmjes dhe të mëngjesit të të tetë tingujve të Kishës vetëm për të dielat dhe pa kanonet; gjithashtu përmban dhe kanonin paraklitik të madh e të vogël. Është përkthimi i Oktoikut të vogël të Kishës. Disa nga himnet e këtij libri qenë përfshirë dhe te "Libra e shërbesave të shenjta". U botua në Boston Mass më 1914.

    6. Pesëdhjetorja e Vogël.
    Përmban shërbesën e plotë të së Dielës së Pashkës së Madhe bashkë me mbrëmësoren, himnet e mbrëmjes dhe mëngjesit të të dielave të tjera të periudhës së Pentikostisë, me Apostullin dhe Ungjillin e ditës, me përjashtim të së Dielës së Gjithë Shenjtorëve, si edhe shërbesën e Sheshtjes. Eshtë një përmbledhje e Pentikostarit të Madh të Kishës. U botua në Boston Mass më 1914.
    Siç del nga vetë përmbajtja e librave të përkthyer dhe të botuar, si edhe nga të dy parathëniet e paraqitura më lart, synimi kryesor dhe imediat i Imzot Nolit në kushtet e atëhershme ishte që në një kohë sa më të shkurtër t'u jepte shqiptarëve orthodhoksë të përkthyera në gjuhën shqipe pjesët më të nevojshme të Kishës, në mënyrë që ajo të shkëputej nga ndikimi grek dhe me punën që bëri në këtë drejtim, ai ia arriti plotësisht qëllimit.
    Librat e tij, të pritur me gëzim nga të gjithë patriotët shqiptarë orthodhoksë dhe të përhapur gjerësisht nëpër komunitetet orthodhokse shqiptare të Amerikës, të Bukureshtit e të Sofjes, si dhe në vetë Shqipërinë e robëruar, ku gjaku i Papa Kristo Negovanit dhe përpjekjet e At Stathi Melanit, të Petro Nini Luarasit, të "Lidhjes Orthodhokse" të Mihal Gramenos dhe të aq patriotëve të tjerë e kishin çarë disi rrugën për përdorimin e gjuhës shqipe, i sollën një kontribut të madh dhe çështjes kombëtare dhe gjuhësore30.
    Autoritetet e larta kishtare të Shqipërisë së robëruar, në fillim nuk i dhanë dhe aq rëndësi përhapjes së librave liturgjike shqipe, duke kujtuar se kjo lëvizje s'do të kishte sukses, pasi ata kishin pas vetes pjesën më të madhe të klerit dhe të popullit, pjesë e cila nuk e kishte kuptuar ende që njeriu mund t'i falej Perëndisë fort bukur dhe në gjuhën shqipe. Po kur panë se kjo lëvizje po përparonte dhe se besnikët nisën të kërkonin me këmbëngulje që librat të përdoreshin dhe në Kishë, në vend që të mbanin një qëndrim korrekt, konform frymës dhe traditës së Kishës Orthodhokse ndaj këtij problemi, filluan të merrnin masa të ndryshme, që ishin në dëm të vetë interesit të Kishës; ndalonin priftërinjtë t'u bënin shërbime atyre që ishin me mendime të tilla, sillnin çdo lloj pengese që këta të mos bënin pjesë në këshillat kishtare, etj.31. Megjithatë, lëvizja jo vetëm që nuk u shua, por përkundrazi, pas shpalljes së pavarësisë së atdheut më 1912 dhe formimit të shtetit shqiptar më 1920, u forcua edbe më tepër.
    Kongresi Kishtar i Beratit, i cili më 12 shtator 1922 shpalli autoqefalinë e kishës sonë, në artikullin 10 të Statutit
    kishtar caktoi si gjuhë zyrtare të Kishës, si në korrespondencë, ashtu dhe në shërbesat fetare, gjuhën shqipe.
    Kështu, pas një periudhe kaq të gjatë përpjekjesh, gjuha shqipe, gjuha e popullit tonë, zuri vend njëherë e përgjithmonë në Kishë.

    Para Kongresit Kishtar të Beratit, përveç botimeve të Imzot Nolit janë përkthyer dhe botuar dhe këto libra:

    1. Librë për Te Deume të Kishës Orthodhokse, Përkthyer nga rumanishtja nga Arkimandrit Foti G. Ballamaçi.
    Përmban: Te deume për motin e ri, për të kremte kombëtare, ditën e emrit të Mitropolitit apo të episkopit, kur fillon viti shkollor, për çdo përhirim, për çdo mirëbërje që kemi marrë prej Perëndisë, kur hapet Sinodhi i Shenjtë dhe
    kur mblidhet parlamenti.
    Eshtë botuar në Bukuresht më 1916 me ndihmën e Komunitetit Orthodhoks Shqiptar të Bukureshtit. I është kushtuar në shenjë reverimi dhe mirënjohjeje arkiepiskopit dhe mitropolitit të Ungro-Vllahisë, Z. Z. Konon, i cili mbrojti dhe përshëndeti me nxehtësi komunitetin e orthodhoksëve shqiptarë në Bukuresht. Eshtë një libër tipik për Kishën Rumune, që nuk figuron si libër liturgjik ndërmjet librave liturgjikë të Kishës Orthodhokse.

    2. Urimtore e shërbesës Mbrëmësore, përkthyer nga prifti orthodhoks P. T. Sinica më 1920. I është kushtuar si shenjë adhurimi H. Tij, Imzot Theofanit, themelonjësit të Kishës Kombëtare. Eshtë botuar në Ëorcester Mass të Amerikës, më 1920.
    Përmban: Lutje të mëngjesit dhe të mbrëmjes, simbolin e besës, urata të ndryshme, urata të drekës e të darkës, përlëshore të provimeve shkollore, kanonin e vogël (paraklis), bekimin e pesë bukëve, ngritjen e bukes (ipsomën), urata për lehonën ditën e parë, ditën e dyzetë dhe kur ajo dështon, urata për të sëmurin, shërbesën e orës së nëntë dhe shërbesën e mbrëmjes. Me përjashtim të kanonit të vogël, të simbolit të besës, si dhe të disa himneve dhe psalmeve, pjesa tjetër, më e madhja, është punë e At Sinicës.
    "Po u fal besnikëve orthodhoksë, - thotë At Sinica në parathënie, këtë libër të vogël, i cili do t'u shërbejë mjaft të gjithë atyre që dëshirojnë të mësojnë luljet kryesore të krishtërimit, dhe më tepër këshilloj gjithë prindërit që t'ua rrënjosin bijve që në vogëli bashkë me ushqimin e tyre. Nuk munda të kënaqem vetëm deri këtu, duke parë që dhe shumë lutje që na mugonin, i përklheva sipas fuqisë dhe ia dhashë H. Tij Peshkopit Theofan për t'i korrektuar... "
    Sidomos pjesa e dytë e librit, që përfshin bekimin e pesë bukëve, ngritjen e bukës, uratat në raste të ndryshme të orthodhoksëve, orën e nëntë etj., që plotësojnë veprën e Imzot Nolit, ka mbushur një zbrazëti të domosdoshme për priftërinjtë.

    Në periudhën ndërmjet Kongresit Kishtar të Beratit, më 1922 dhe atij të Korçës, më 1929, që është dhe periudha e përpjekjeve për njohjen e Autoqefalisë së Kishës sonë nga Patrikana Ekumenike dhe nga Kishat e tjera Orthodhokse, është bërë vetëm ky botim:

    Librë e shenjtë (çkëputur nga libra e Meshës) e Mbrëmësores, e Mëngjesit dhe e Meshës së Shenjtë të Atit Shën Joan Gojëartit.
    Përmban: Këndimet më të nevojshme për priftërinjtë shqiptarë dhe shtypet me lejen dhe pëlqimin e Këshillës së Lartë Kishtare. Korçë 1922.
    Siç theksohet dhe në vetë titullin e librit, pjesët që përmban ky, janë marrë nga Libri i Shërbesave të Shenjta të Imzot Nolit. Ka vetëm këtë ndryshim: para çdo pjese është vënë edhe termi në gjuhën greke; kjo për të ndihmuar priftërinjtë që të orientoheshin më mirë në kryerjen e shërbesave në gjuhën shqipe sipas rregullit që ata kishin mësuar në gjuhën greke. Veç kësaj, libri është parë dhe nga pikëpamja gjuhësore. Janë ndrequr mjaft emra dhe fjalë që Imzot Noli i ka përdour të latinizuara, si p.sh. Jisu për Jesu, profit për profet, mirënderim për devotesë, perëndilindëse për hyjlindëse etj.
    Në mars të vitit 1929, meqë traktativat me Patrikanën Ekumenike s'po jepnin ndonjë rezultat dhe Kisha ishte pa udhëheqje kanonike, formohet, pa pëlqimin e Patrikanës, Sinodhi i Parë i Kishës sonë dhe në qershor të atij viti mblidhet në Korçë Kongresi i Dytë Kishtar, i cili votoi dhe Statutin definitiv të Kishës 32.
    Sinodhi, menjëherë pas Kongresit, u mor me çështjen e pajisjes së kishave të qyteteve dhe të fshatrave me librat më të domosdoshëm liturgjikë në gjuhën shqipe, sepse një pjesë e librave të botuara nga Imzot Noli në Amerikë, si Libri i Shërbesave të Shenjta dhe ai i të Kremteve të Mëdha, qenë mbaruar dhe gjendeshin shumë rrallë. Pra, paraqitej, nevoja e ribotimit të tyre dhe e përpilimit të Apostullit dhe të Ungjillit, të ndarë në perikopa, sipas tipikosë së Kishës. Për këtë qëllim u formua një komision nën kryesinë e kryeepiskopit të atëhershëm, Vissarion Xhuvani, me anëtarë Ikonomin e Madh At Vasil Marko, Prof. Sotir Papakriston dhe Prof. Kostaq Cipon, komision i cili mori në shqyrtim të dy tekstet: Librin e Shërbesave të Shenjta dhe atë të Kremteve të Mëdha. Komisioni bëri korrektimet e duhura, që kërkonte zhvillimi që kishte pësuar gjuha shqipe gjatë 20 vjetëve, që nga botimi i parë i teksteve të përkthyera e të botuara nga Imzot Noli, pa bërë ndonjë shtesë, përveç heqjes nga libri i të Kremteve të Mëdha të Ungjijve dhe Apostujve, që do të përfshiheshin në libra më vete. Nga ana tjetër u përgatitën Ungjilli dhe Apostulli sipas tipikosë së Kishës, në bazë të tekstit të Dhiatës së Re në dialektin jugor të Konstandin Kristoforidhit, pa bërë asnjë ndryshim gjuhësor.

    Të aprovuara sipas rregullit nga Sinodhi i Shenjtë, këto u botuan si më poshtë:

    1. Librë e Shërbesave të Shenjta të Kishës Orthodhokse. Korçë 1930.
    2. Ungjilli i hyjnuar dhe i shenjtë. Tiranë 1930.
    3. Aposiulli, domethënë Veprat dhe Letrat e Apostujve të Shenjtë, që këndohen në Kishë për gjithë vitin. Tiranë 1931.
    4. Libri i të kremteve të mëdha. Shkurtim i dymbëdhjetë mujoreve të Kishës Orthodhokse. Tiranë 1931,
    Në vitin 1931 është botuar, po me pëlqimin e Sinodhit dhe "Shërbesa e vajit të bekuar", i vetmi libër liturgjik mund të themi, që u përkthye dhe u botua nga Kisha gjatë gjithë periudhës 20-vjeçare, ndërmjet Kongresit Kishtar të Korçës (1929) dhe atij të Tiranës (1950).
    Dhe kjo është ana më negative për udhëheqësit shpirtërorë të Kishës të kësaj periudhe, të cilët me të ardhurat që kanë pasur në dispozicion nga pasuritë e mëdha manastiriale dhe kishtare dhe me kapacitetin e tyre teologjik, kishin mundësi për të vazhduar veprën fisnike të shqipërimit të librave liturgjikë, të nisur prej shekujsh, për kombëtarizimin e plotë të Kishës sonë.

    Ata janë kënaqur vetëm me dy përkthime të vogla, të botuara më tepër në mënyrë personale si:

    1. Jetëshkrimi dhe akolluthia e dëshmorit të ri dhe isapostullit Shën Kozma. Kthyer nga greqishtja prej klerikut orthodhoks Kr. K. (Kristofor Kissi), faqe 49. Korçë 1931.
    2. Shërbesa e shenjtë e Shën Joan Vladimirit, çudibërësit, Mbretit të lavdueshëm dhe dëshmorit të madh. E përkthyer dhe e botuar me bekim të Kryepiskopit të gjithë Shqipërisë Kr. H. Tij Imzot Dr. Vissarionit, pjesa e parë, faqe 16. Tiranë 1934.

    Përkundrazi, inisiativat personale nga ana e klerit dhe e besimtarëve në këtë drejtim kanë qenë shumë më të mëdha, megjithëqë ato s'kanë pasur asnjë nxitje dhe përkrahje nga ana e udhëheqjes së Kishës.
    Gjatë po kësaj periudhe, janë bërë dhe këto përkthime në dorëshkrim:

    At Kristo Konomi, famulltar i katundit Shën Vasil të Sarandës, ka përkthyer 33:

    1. Meshën e Shën Vasilit, (të plotë)
    2. Uratat falenderuese të kungatës
    3. Shërbesën e orës së nëntë
    4. Të shtatë urimet e agimit (Lyknikët)
    5. Shërbesën e bukë-prerjes
    6. Shërbesën e pasdarkës, (komplet me shërbesën pregatitëse për kungimin hyjnor sipas rregullave priftërore)
    7. Urimet e Hyjlindëses.

    Gjithashtu janë përkthyer:
    1. Mesha e Dhuratave të Parashenjtëruara nga Dh: Beduli, aprovuar dhe nga Sinodhi i Shenjtë.
    2. Shërbesa e plotë e rrëfimit nga Dh.Beduli. Tiranë 1940.

    Ndërkaq edhe Imzot Noli e vazhdon punën. Përkthen pjesë të reja, rishqyrton librat e botuar, i risistemon dhe i përgatit për t'u ribotuar nga Peshkopata orthodhokse shqiptare në Amerikë.
    Në vitin 1941 del "Uratorja e Kishës Orthodhokse" 34. Eshtë përkthimi i librit liturgjik të Kishës Orthodhokse që njihet me emrin "Efhollogjion to mega", por me disa ndryshime të vogla
    "Ky libër, - thotë Imzot Noli në parathënie, - përmban shërbesat kryesore të Kishës Orthodhokse. Disa prej këtyre botohen për herën e purë në gjuhën tonë, si Mesha e Shën Vasilit, Mesha e Shën Grigorit, Rregulla e meshës peshkopale, shërbesa e Miros, martesa e dytë, dorëzimet, gradimet, dedikata e Kishës, varrimi i priftënnjve, varrimi në javën e Pashkës, varrimi i fëmijëve, shërbesa e lanjtores dhe uratat e ndryshme. Nga kjo pikëpamje, ky libër plotëson një nevojë urgjente lë kishës sonë kombëtare. Nga ana tjetër edhe shërbesat që janë bolnar më parë, ribotohen këtu të ndrequra dhe të përmirësuara. Disa prej uratave janë shkurtuar, dhe disa këndime janë lënë jashtë jo vetëm për të kursyer harxhet, po më tepër nga shkaku, që ato figurojnë vetëm në librat dhe kurrë nuk këndohen. Troparet e përshëmbëllta (Prosomia) janë kthyer jo në një mënyrë letrare, por si vjersha pas ritmit të tyre, kështu që, këndimi i tyre do të jetë fare i lehtë për psaltërit që dinë melodilë bizantine origjinale. Duhet vënë re se në këlo tropare, virgullat kanë një kuptim melodik dhe caktojnë fundin e frazave muzikale. Në fund të librit u shtua një tabelë e pashkëve dhe të kremteve lëvizore që më 1942 gjer më 1978 pas kalendarit të ri."

    Në vitin 1947 del "Kremtorja e Kishës Orthodhokse" 35. Eshtë bashkimi i të dy librave të botuara më parë: i Lutjesores dhe i Librës së të Kremteve të Mëdha, të dy të rishqyrtuar e më të plotë, siç theksohet dhe në parathënie:
    "Ky libër, sipas titullit përmban këndimet e të kremteve kryesore të palëvizura lë dymbëdhjetë muajve. Në këto shtuam të dy kanunet e Shën Marisë, lutjesoren dhe djeloren, domethënë troparet e të tetë tingujve me aposlujt dhe ungjijt, që këndohen në lë dielal e zakonta të motit. Pothuaj të gjitha troparet janë hartuar pas ritmeve dhe melodive bizantine. Përkthimin e kemi bërë lirisht, pas kuptimit dhe jo fjalë për fjalë, nga greqishtja, me përjashtimin e këndimeve të Shën Kozmait të Beratit, të cilat i parafrazuam nga versioni shqip, i Kryehirësisë së Tij Imzot Kristofor Kissii, Kryeepiskopil të Shqipërisë. Një pjesë e madhe e këtyre tropareve botohen këtu për herën e parë. Që të gjitha këndimet, që janë botuar më parë, dalin tani në dritë të ravizuara......".

    Në vitin 1952 del "Triodhi dhe Pesëdhjetorja" 35. Edhe ky libër përbëhet nga bashkimi i dy botimeve të mëparshme të Triodhit dhe të Pesëdhjetores së Vogël, të rishqyrtuara dhe tek tuk më të plotësuara.
    Këto ribotime të Imzot Nolit, ndonëse më të plota nga përmbajtja, lënë shumë për të dëshëruar përsa i përket besnikërisë ndaj origjinalit, që është në përdorim në të gjithë Kishën Orthodhokse Lindore. Siç e thekson dhe në parathëniet, Imzot Noli ka bërë përkthim të lirë, ka shkurtuar pjesë për hir të melodisë dhe të ritmit muzikor, ka bërë ndryshime, të cilat fatkeqësisht nuk lejojnë që këto libra të përdoren në Kishë si tekste zyrtare, ndonëse janë shumë të mira nga pikëpamja e përshtatjes muzikore bizantine. Siç dihet, asnjë Kishë Orthodhokse nuk ka cënuar sadopak përmbajtjen për hir të melodisë e të ritmit muzikor dhe kjo çështje kurrë nuk ka dalë mbi atë të ritit liturgjik. Uniteti i ritit liturgjik është një traditë e vjetër dhe një nga parimet kryesore të unitetit të besimit të Kishës Orthodhokse Lindore, pjesë përbërëse dhe e pandarë e së cilës është dhe Kisha Orthodhokse e Shqipërisë.

    Veç botimeve të mësipërme, në periudhën pas çlirimit janë bërë dhe këto përkthime:

    1. Shërbesa e dëshmorit të madh Shën Prokop. E përtheu Dh. Beduli dhe i është paraqitur nëpërmjet Këshillit Kishtar të Komunitetit Orthodhoks të Tiranës për shqyrtim dhe aprovim Kryesisë së Kishës Orthodhokse Autoqefale.
    2. Shërbesa e përgatitjes për kungim dhe e falenderimit pas kungimit, përkthyer dhe kjo nga Dh. Beduli.

    Dhe me këto mund të themi se mbyllet përshkrimi kronologjik i përkthimeve dhe botimeve të librave liturgjikë të Kishës në gjuhën shqipe dhe i përdorimit të tyre në Kishë.


    14. Historia e Letërsisë Shqipe. Botim i Universitetit Shtetëror të Tiranës. Viti 1959, vol. I, faqe 149-150. 1 5 Si më sipër, faqe 151.
    15. Si më sipër, faqe 151.
    16 Tekstet e vjetra shqip dhe disa kritere rreth botimit të tyre. Buletini i Universitetit Shtetëror të Tiranës. Seria "Shkencat shoqërore", Nr. 2, 1959. faqe 110.
    17. Historia e Letersisë Shqipe, faqe 305.
    18. Aleksudhi Anthim. (titulli greqisht i librit) 1868, faqe 148-149
    19. Dh. S. Shuteriqi "Anonim i Elbasanit", Buletin i Institutit Shkencave, Viti III, Nr. 1, faqe 33-54.
    20. Viti V. 195 I. Nr. 3-4, faqe 69-130.
    21. Buletini: Universitetit Shtetëror të Tiranës. Seria "Shkencat shoqërore", Viti XIII, 1959, Nr. i, faqe 166-177.
    22. Historia e Letërsisë Shqipe, faqe 321. Si më sipër, faqe 313-314.
    23. Si më sipër, faqe 313-314.
    24. Dh. S. Shuteriqi: Anonim i Elbasanit. Shkrimi Shqip në Elbasan në shek. XVIII-XIX dhe Dhaskal Todri. Buletin i Institutit të Shkencave Viti III, 1949, Nr. I, faqe 37.
    25. Historia e Letërsisë Shqipe, faqe 323
    26. Dh. S. Shuteriqi "Historia e Letërsisë Shqipe" për shkollat e mesme. Tiranë 1955, faqe 113.
    27. Si më sipër, faqe 114.
    28. Dh. S. Shuteriqi "Anonim i Elbasanit", Buletin i Institutit të Shkencave, viti III, 1949, Nr. 1, faqe 45.
    29. Dh. Beduli "Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërise", dorëshkrim pranë Arkivit të institutit të Historisë dhe Gjuhësisë, faqe 7.
    30. Vehbi Bala "Fan S. Noli dhe poezia e tij". Shih "Album" të F. S. Nolit, Tiranë 1958, faqe 4.
    31. Dh. Beduli "'Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë", faqe 8-10.
    32. Dh. Beduli "Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë", faqe 11.
    33. Revista "Predikimi" organ shpirtnuer, shoqnuer kombëtar i Kishës Orthodhokse Autoqefale, Nr. 44. 31 Mars 1935, faqe 8.
    34. Uratore e Kishës Orthodhokse. E përktheu Imzot Noli. E botoi Peshkopata e Amerikës. Boston Mass 1941.
    35. Kremtore e Kishës Orthodhokse. E përktheu Imzot Fan S. Noli. E botoi Peshkopata e Amerikës. Boston Mass 1947.
    36. Triodhi dhe Pesëdhjetorja. E përktheu Imzot Fan Stilian Noli.


  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,315
    Postimet në Bllog
    17
    III.

    Përkthimi i një teksti liturgjik kishtar është shumë më i vështirë se përkthimi i çdo lloj teksti tjetër letrar. Ai kërkon që përkthyesi të jetë jo vetëm njohës i thellë i gjuhës shqipe dhe i gjuhëve kishtare të huaja, nga të cilat përkthen, (për t'i dhënë versionit shqip bukurinë e shprehjes së gjuhës sonë), por edhe njohës i thellë i disiplinave të ndryshme teologjike: të dogmatikës, të historisë së Kishës, të liturgjikës dhe të tipikosë, të Ermineutikës dhe të Shkrimeve të Etërve të Shenjtë, për t'u dhënë shprehjeve edhe kuptimin e drejtë orthodhoks; njëkohësisht duhet të jetë dhe një njohës i mirë i melodive kishtare bizantine, në mënyrë që pjesa e përkthyer t'i përshtatet melodisë origjinale të saj, pa u larguar nga teksti origjinal

    Të para nën këtë prizëm, përkthimet tona të deritanishme, me përjashtime të pakta, paraqesin mjaft të meta. Nuk do të hymë në ndonjë analizë në këtë drejtim. Sjellim si shembull vetërn një rast karakteristik dhe me rëndësi nga pikëpamja dogmatike-parimore, frazën nga artikulli VIII i Simbolit të Besimit Orthodhoks, që flet per rrjedhjen e Shpirtit të Shenjtë dhe që përbën një nga pikat dalluese të Kishës Orthodhokse.
    Në origjinal kjo frazë është:
    [teksti në origjinal greqisht]
    Imzot Noli e ka përkthyer:
    "Dhe me Shpirtin e Shenjtë...që dërgohet prej Atit... ".
    Kështu ka kaluar kjo frazë dhe në ribotimet e mëvonshme, ndonëse këto janë parë nga komisione dhe janë aprovuar nga Sinodhi i Shenjtë 37.

    Dhe sa i gabuar është ky përkthim nga pikëpamja dogmatike orthodhokse, s'është nevoja të provohet, sepse e di dhe orthodhoksi më i thjeshtë. Janë shkruar me qindra e qindra vepra që nga koha e Etërve të Shenjtë e deri në kohën tonë, për ta bërë sa më të qartë kuptimin e shkakut të parë të rrjedhjes së Shpirtit të Shenjtë dhe të së drejtës të dërgimit të tij në botë.
    Më i saktë në këtë. drejtim është Kristoforidhi, i cili në Ungjillin pas Joanit e ka përkthyer këtë frazë jo me fjalët "që dërgohet prej Atit", por me shprehjen "që del prej Atit" dhe që është më e drejtë nga pikëpamja orthodhokse 38.

    Gabime të tilla të rëndësishme parimore si edhe gabime sbprehjesh që nuk i përshtaten strukturës së gjuhës sonë ka mjaft dhe për pasojë këto pjesë mbeten të errëta e të pakuptueshme.
    Natyrisht, kjo nuk e pakëson aspak vlerën e madhe që kanë këto përkthime dhe as punën shumë të çmuar të përkthyesve, të cilët me shumë përpjekje dhe kurajo, në rrethana jashtëzakonisht të vështira, çanë rrugën në këtë drejtim.
    Ky fenomen ka ndodhur dhe në Kishat e tjera orthodhokse. Ato, më vonë sa herë u është paraqitur nevoja e ribotimit të ndonjë teksti liturgjik kishtar të përkthyer në gjuhën e tyre, me anë komisionesh të posaçëm bënin korrektimet e duhura në tekst, jo vetëm nga ana e zhvillimit të gjuhës, por edhe nga pikëpamja e përcaktimit sa më të qartë të termave teologjike, për t'ia përshtatur këtë sa më shumë origjinalit.
    Kështu po vepron dhe Kisha jonë. Meqë tani na u paraqit nevoja për të ribotuar Librin e Shërbesave të Shenjta, me inisiativën e ndritur të Kryehirësisë së Tij, Kryeepiskopit të Gjithë Shqipërisë Imzot Paisit, Sinodhi i Shenjtë, i cili i ka kushtuar një vëmendje të veçantë pajisjes së plotë të Kishës sonë me libra liturgjikë në gjuhën amtare, në mbledhjen e datës 9. 8. 1958, vendosi formimin e një komisioni të posaçëm për ta rishqyrtuar dhe plotësuar këtë libër, në mënyrë që ky të jetë më i përsosur si nga pikëpamja gjuhësore, ashtu dhe nga ana parimore.
    Dhe në bazë të shkresës Nr. 43, datë 25.10.1958 të Kryesisë së Kishës, komisioni u formua nga Prof. Sotir Papakristo, Niko Çane, Dhimitër Beduli dhe dhiakon Sotir Kanxheri.
    Për rishqyrtim dhe plotësim u mor si bazë:
    "Librë e shërbesave të shenjta të Kishës Orthodhokse", Shtypshkronja dhe Libraria Dhori Koti. Korçë 1930.
    Por, komisioni ka pasur parasysh dhe botimin e parë të Imzot Nolit.

    Si tekst origjinal në gjuhën greke janë përdorur botimet e mëposhtme:
    1. [titulli i tekstit greqisht] 1896. Këtë tekst e ka pasur parasysh dhe Noli gjatë përkthimit të parë, gjë që rezulton nga renditja e lëndës dhe nga shënimet.
    2.- [teksti greqisht] l912.
    3.- [testi greqisht] 1891.
    4.- [teksti greqisht]1891.

    Përveç tekstit origjinal në gjuhën greke, komisioni ka patur si bazë dhe:
    1. Dumnezeestile liturghii ale sfintilor parintilor nostri Toan Gura de Aur, Vasile cel mare si Grigorie Dialogul. Bucuresti. 1950.

    Për pjesët biblike (psalme, ungjij, apostuj) dhe për termat e ndryshme liturgjike kemi patur parasysh:
    l.-[tekst greqisht] 1925.
    2.-[tekst greqisht] 1928.
    3. - Biblija, ili knjigi svjashennovo pisanija vethovo i novovo zavjeta v ruskoi perevodje. Izdanie Moskovskoi Patriarhii. Moskva 1956.
    4.- Biblia, sau sfanta Scriptura a Vechiului si Noului Testament Cu aprobarea Sh. Sinod, Bucuresti 1940.
    5.- [tekst greqisht] 1876.
    6.-Liturghica Bisericii ortodoxe. Cursuri universitare.

    Komisioni është përpjekur që çdo pjese ti japë shprehjen shqipe sa më të qartë, pa iu larguar tekstit origjinal, shprehje që njëkohësisht t'i përgjigjen frymës orthodhokse. Gjithashtu është përpjekur të përcaktojë sa më qartë termat me karakter dogmatik, duke përdorur sa rnë pak fjalë të huaja. Por, komisioni ka lënë dhe mjaft terma liturgjikë siç janë në origjinal, jo vetëm pse ato kanë hyrë tashmë në gjuhën tonë kishtare, por edhe sepse po kështu përdoren dhe në të gjithë Kishat e tjera Orthodhokse të botës.

    Libri është plotësuar me këto pjesë të reja:
    1. Uratat e fillimit të shërbesë së Mbrëmësores, paravargjet e javës dhe bekimi i pesë bukëve (artoklasia)
    2. Uratat gjatë gjashtë psalmeve në shërbesën e mënngjesit.
    3. Liturgjia e Shën Vasilit të Madh.
    4. Liturgjia e Dhuratave të Parashenjtëruara.
    5. Shërbesa e përgatitjes për kungim dhe e falenderimit pas kungimit.
    6. Përlëshimet e ndryshme gjatë vitit,
    7. Shërbesa e martesës së dytë.
    8. Shërbesa e varrimit të foshnjave.
    9. Urata në raste të ndryshme të jetës kishtare.

    Eshtë plotësuar, gjithashtu dhe me një shumicë shënimesh tipikonale, për të lehtësuar sidomos ata priftërinj dhe psaltë që nuk dinë gjuhën greke, për të ndjekur rregullin sipas tipikosë së Kishës, që ende nuk është përkthyer shqip dhe që s'ka mundësi të përkthehet, pa u përkthyer më parë të gjithë librat e tjerë liturgjikë.
    Janë lënë jashtë këtij libri: Stihirat e mbrëmësores e të lavdërimeve të mëngjesit, eksapostillarët, iavditë e mëngjesit (eothinatë) dhe katavasitë e vitit, sepse pjesa më e roadhe e tyre përfshihet në librin e Lutjesores, i cili, i rishqyrtuar dhe i plotësuar, do të botohet së shpejti.

    Sinodhi i Shenjtë i Kishës Orthodhokse Autoqefale, pasi e pa tekstin, shfaqi pëlqimin e tij për punën e kryer nga komisioni dhe ka bindjen se ky botim plotëson një nevojë të madhe të Kishës sonë dhe të klerit.


    37. Librë e Shërbesave të Shenjta të Kishës Orthodhokse, Korçë 1930.
    38. Ungjilli i hyjnuar dhe i shenjtë. Tiranë 1930, faqe 145.
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 24-06-2005 më 04:34

  5. #5
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,315
    Postimet në Bllog
    17
    Pasthënie

    Ky material është botuar për herë të parë si hyrje në "Libër i Shërbesave të Shenjta" në vitin 1961. Me rishqyrtimin dhe plotësimin e tij, në botimin e vitit 1994, hyrja me historikun e përdorimit të gjuhës shqipe në Kishë u la jashtë me qëllim që, pasi autori ta plotësonte me të dhëna të reja, të botohej si libër më vete.*
    Autori, z. Dh. Beduli, kish grumbulluar materialin e nevojshëm për këtë temë, por nuk arriti ta sitemojë e ta për-punojë. Gjatë viteve të fundit, ai ishte mjaft i ngarkuar me detyra imediate të ringritjes nga e para të Kishës dhe sido-mos me drejtimin e grupit të përkthim-botimeve të teksteve liturgjike e librave fetare.
    Për vlerat që ka ky studim, u mendua të botohej si libër më vete duke u plotësuar edhe me këtë informim:
    Fortlumturia e Tij Imzot Anastasi, në fjalimin-pro-gram të tij në ditën e fronëzimit më 2 Gusht 1992, shtroi si problem kryesor: "Urgjente paraqitet nevoja e botimeve kishtare në gjuhën shqipe. Për më shumë se 30 vjet nuk kanë qarkulluar në vend botime orthodhokse, kurse ato që ekzistonin u shkatërruan...... Një grup i përhershëm përkthimi
    intelektualësh kompetentë, nën kryesinë e teologut dhe përkthyesit të dëgjuar Z. Dhimitër Beduli, do ta shpjerë më përpara punën përkthyese, duke vazhduar kështu në kohën tonë përpjekjen që nisi gjatë dekadave të para të shekullit tonë biri i madh i Shqipërisë Fan Noli ".**

    Dhe puna filloi. Gjatë kësaj kohe u rishikuan, u plotësuan me përkthime të reja dhe arritën të botohen nga Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë: l.Dhiata e re, 1994
    2. Libër i Shërbesave të Shenjta të Kishës Orthodhokse, 1994
    3. Liturgjia Hyjnore e Atit tonë ndër Shenjtorët Joan Gojarti, 1995
    4. Pasdarka e vogël, 1997
    5. Mëngjesorja, 1997. Ndërkohë janë gati për botim:
    1. Uratore
    2. Dhiata e Re, e përpunuar dhe e saktësuar në gjuhën e sotme
    3. Ungjilli Hyjnor dhe i Shenjtë, për përdorim të përgjithshëm në Kishë
    4. Apostulli
    5. Letrat e Apostujve
    6. Psalmet
    Duhet përmendur se gjatë kësaj periudhe të ringritjes së kishës janë shtypur e shpërndarë në formë dispencash mjaft materiale në ndihmë të priftërinjve dhe seminaristëve.


    Shtator 1997
    K. B.


    * "Ngjallja" Korrik 1994
    ** "Ngjallja" Nëntor 1992

  6. #6
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,315
    Postimet në Bllog
    17
    "Kontribut i qenësishëm në përtëritjen e kishës sonë"

    - U botua libri i Shërbesave të Shenjta të KOASH -

    Me bekimin dhe përkujdesjen e Kryehirësisë së tij, kryepiskopit të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Imzot Anastasit, u ribotua teksti liturgjik: "Libër i Shërbesave të Shenjta të Kishës Orthodhokse", i cili është një nga librat më të domosdoshëm e më të përdorshëm për klerin tonë dhe për Kishën.
    Ky tekst është përkthyer për herë të parë nga greqishtja në gjuhën shqipe prej të përndershmit At Theofan S. Noli dhe është botuar në Boston Mass. të Amerikës më 1909 dhe ka pasur gjer më sot katër rishqyrtime dhe botime.
    Botimi i dytë ëshfë bërë më 1930 në Korçë. pasi më parë u kontrollua nga pikëpamja gjuhësore prej një komisioni shqyrtues të përbërë nga Prof. Sotir Papahristo, Kostaq Cipo, Simon Shuteriq dhe Ik. Mitr. At Vasil Marko, nën kryesinë e Imzot Visarion Xhuvanit, Kryepiskop i atëhershëm i Kishës, pa iu bërë tekstit asnjë ndryshim.
    Botimi i tretë është bërë nga Peshkopata e Amerikës më 1941 po në Boston Mass, këtë radhë me një titull të ri: "Uratore e Kishës Orthodhokse", që i përgjigjet tekstit zyrtar të njohur me emrin "Efhollogjion to mega". Ky botim është përpunuar rishtaz prej Imzot Nolit, për t'iu përshtatur melodive origjinale bizantine.
    Me epuizimin e plotë lë tekstit të botuar më 1930, i cili, nga pikëpamja e përkthimit, i qëndronte shumë më afër origjinalit, e.shtë ndier nevoja c ribotimit të tij. Me vendim të Sinodhit të Shenjtë, më 1958 u formua një komision i përbërë prej z.z. Prof. S. Papakristo, Niko Cane, Dh. Beduli dhe kryedhjakon Sotir Kanxheri, i cili, pasi e rishqyrtoi tekstin nga pikpamja gjuhësore dhe e plotësoi me pjesë të tjera, (Meshën e Shën Vasilit, Meshën e të Parashenjtëruarave e me një sërë shërbesash dhe uratash të ndryshme, të domosdoshme për priftin e për Kishën), më 1961 e dha për botim. ishte botimi i katërt i tekstit.
    Ky botim, pra, që ishte më i miri e më i ploti se të gjithë botimet e tjerë të mëparshëm, u mor si bazë për ribotim dhe janë bërë këto ndryshime, që i kërkonte nevoja: Eshtë hequr nga teksti, hyrja me historikun e përdorimit të gjuhës shqipe në Kishë, e cila, pasi të plotësohet me të dhëna të reja nga autori i saj z. Dhimitër Beduli, mendohet të botohet si broshurë më vete. Janë: shtuar Katavasitë (zbritësit) e vitit, të cilat në të tre botimet e para qenë përfshirë në tekst. Në botimin e katërt qenë hequr, sepse ishin përfshirë në librin e Oktoikut të madh, i cili ishte përkthyer i tëri dhe ishte dhënë për botim, por që, me mbylljen e Kishave në vitin 1967, nuk dihet se ku ka përfunduar.
    Për të lehtësuar punën e priftërinjve dhe të psaltëve në zbatimin e rregullit për kryerjen e shërbesave sipas Tipikosë së Kishës, janë lënë në tekst dhe të gjitha shënimet tipikonale. Gjithashtu, janë shtuar edhe mjaft udhëzime të reja, që u panë të domosdoshme.
    Siç thuhet në hyrjen e shkruar nga Kryepiskopi Anastas, "Çdo klerik orthodhoks, sa herë që Perëndia do ta bëjë të denjë të përdorë këtë libër për të meshuar, ka për detyrë të përgatite në mënyrë të përshtatshme, të mendojë dhe të ndjejë kuptimin e thellë të gjërave që kryhen, dhe pastaj, i dëlirësuar trupërisht dhe shpirtërisht, me përshpirtshmëri të fillojë kryerjen e Liturgjisë Hyjnore, me lutjen e gjithëshpirtshme, që përmbledh urata e Proskomidhisë së Liturgjisë Hyjnore të Shën Joan Krisostomit (Gojartit): "...Bëna të denjë (o Zot, Perëndi i Gjithëpushtetshëm), të gjejmë hir përpara teje që të bëhet e mirëpritur prej teje therorja jonë, dhe shpirti i mirë i hirit tënd të ngrerë tënden mbi ne dhe mbi këto dhurata që ndodhen përpara, dhe mbi tërë popullin tënd".
    Në fund duhet shprehur përgëzim i veçantë për përpjekjet e frytëshme të grupit botues, drejtuar nga teologu Dhimitër Beduli, si dhe motrën Argjiro, që u kujdes për realizimin e botimit.

    "Ngjallja" Korrik 1994

  7. #7
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,315
    Postimet në Bllog
    17
    Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve, 1761, dhe lufta për krijimin e një alfabeti shqiptar

    nga Robert Elsie

    1. Letërsia e moçme shqiptare dhe problemi i alfabetit

    Ndër problemet e shumta për tu ballafaquar në krijimin e një letërsie shqiptare ishte edhe mungesa e një alfabeti të përbashkët në gjuhën shqipe1. Shqiptarët katolikë, kryesisht në veri të vendit, përdorën alfabetin latin, i cili u përputh mirë me nevojat e shtypshkronjave. Shqiptarët orthodoksë në jug përdorën alfabetin grek, me të cilin u krijua një sasi e kufizuar veprash2. Shqiptarët myslimanë preferuan për një kohë të gjatë alfabetin arab3, atë të Kur'anit. Përdorimi i këtyre alfabeteve tregonte një identifikim të qartë me një fe dhe me një kulturë të huaj, një identifikim i papranueshëm për shqiptarët e besimeve të tjera.
    Pa pajtim kulturor mbi çështjen e alfabetit, një letërsi kombëtare nuk mund të zhvillohej. Stagnacioni në letërsinë shqiptare në shekullin tetëmbëdhjetë rrjedh, të paktën pjesërisht, nga ky problem, i cili vazhdonte të ngacmonte intelektualët shqiptarë deri në shekullin njëzet.
    Gjatë përpjekjeve të para për të shkruar gjuhën shqipe, klerikët dhe intelektualët ishin në dijeni që të gjitha alfabetet ekzistuese ishin të huaj. Dinin gjithashtu që popujt fqinjë kishin alfabete të veta që ndihmuan në zhvillimin e shpejtë dhe në afirmimin e kulturave dhe të letërsive përkatëse. Grekët kishin një alfabet të vetë që nga fillimi, dhe sllavët ballkanas kishin zhvilluar dy sisteme origjinale: alfabeti glagolit dhe alfabeti kirilik të cilët lulëzuan në Ohër, më pak se njëqind kilometra nga Elbasani. Edhe pushtuesit osmanë sollën me vete një alfabet të ri, të cilin e kishin marrë nga fqinjët e tyre arabë dhe persianë.
    Me siguri ekzistonte një dëshirë tek intelektualët shqiptarë që kombi shqiptar të ketë një alfabet të vetë, dhe nuk është e rastit që kjo dëshirë për një alfabet origjinal shqiptar ishte më e theksuar në Shqipërine e Mesme. Një prift katolik në veri e kishte të qartë se duhej të shkruante në alfabetin latin. Kuptohet gjithashtu që një pop orthodoks nuk imagjinonte dot një alfabet tjetër përveç alfabetit grek. Banorët e Shqipërisë së Mesme në kufirin kulturor midis botës latine dhe botës bizantine, domosdo, ishin më të dezorientuar. Hyrja e Islamit në Shqipëri i solli një zgjedhje vetëm shqiptarëve të fesë islame.
    Ishte atëherë nga krishterët e Shqipërisë së Mesme që duhej të bënin përpjekjen e parë për krijimin e një alfabeti origjinal, dhe pikërisht nga ana e tyre u krijuan alfabetet e para origjinale në periudhën 1750-1850. Më i herët nga alfabetet origjinale, dhe në të njëtjën kohë, më i përshtatur nga të gjithë, ishte alfabeti i Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve.

    2. Alfabeti origjinal më i vjetër dhe Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve (1761)

    Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve, i njohur deri tani thjesht si Anonimi i Elbasanit, është një dorëshkrim i vogël dhe i vetëm që ruhet në Arkivin e Shtetit në Tiranë dhe që është një përpjekje e pashoqe për ta zgjidhur problemin e alfabetit. Ky dorëshkrim 10 x 7 cm. me një rëndësi historike përmban 30 fletë në të cilat gjëndet teksti më i herët shqip i shkruar me një alfabet origjinal. Me përjashtimin e tekstit të shkurtër të Ungjillit të Pashkëve të shekullit pesëmbëdhjetë4, Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve është vepra më e vjetër e letërsisë orthodokse shqiptare dhe në të njëtjën kohë përkthimi i parë orthodoks i Biblës.
    59 faqet e përkthimeve biblike në Dorëshkrimin Elbasanas përmbajnë 6.113 fjalë të shkruara në një alfabet prej 40 gërmash: tridhjetë e pesë gërma të zakonshme dhe pesë gërma të rralla. Me gjithë se disa gërma të kujtojnë alfabetin grek, shumica e gërmave të këtij alfabetit duket të jenë krijime të reja pa ndikim të gjuhëve dhe të alfabeteve të popujve fqinjë(5).
    Alfabeti i Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve i përshtatet mirë gjuhës shqipe. Mund të thuhet bile se ai i përshtatet më mirë se alfabeti shqip i sotëm. Me pak përjashtime, alfabeti i Elbasanit përdor një gërmë për çdo fonemë. Ka tre gërma për g (nga të cilat, dy gërma u përdorën vetëm për fjalë të huaja greke), dhe ndryshimi midis r dhe rr dhe midis l dhe ll bëhët me anë të një pike mbi gërmën përkatëse. Një pikë mbi d krijon nd. Në përgjithësi, sistemi grafik i Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve është i qartë dhe i mirë-konceptuar nga krijuesi i tij.

    3. Alfabete të tjera origjinale shqiptare (1761-1844)

    Alfabeti i Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve [1] nuk është i vetmi alfabet shqiptar origjinal i krijuar në Shqiperinë e Mesme ose të Jugut në gjysmën e dytë të shekullit tetëmbëdhjetë. Bile kemi të dhëna mbi një total prej shtatë alfabetesh origjinale shqiptare në këtë periudhë.
    Në kapakun e Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve vetë gjëndet një vizatim dhe afër dymbëdhjetë fjalë, emra vetiakë siç duket, të shkruar me një alfabet [2] i cili ndryshon krejtësisht nga alfabeti i dorëshkrimit. Nuk është i deshifruar akoma, me gjithë se një përpjekje është bërë nga shkencëtari elbasanas Dhimitër Shuteriqi.
    Më i njohur se këta dy alfabete është i ashtuquajturi alfabeti i Todhrit [3], i krijuar nga njëfarë Todhri Haxhifilipi (1730-1805) nga Elbasani. Alfabeti i Todhrit u zbulua nga Johan Georg fon Hani (1811-1869), konsulli austriak në Janinë dhe babai i Albanologjisë. Në veprën e tij, Studime Albanologjike, Hani e botoi alfabetin që e cilësoi si alfabetin e moçem shqiptar nga koha e lashtë(6). Ky alfabet u studiua nga Leopold Geitler (1847-1885) si dhe nga studiuesi slloven Rajko Nahtigal(7) (1877-1958). Alfabeti i Todhrit(8) është një sistem grafik i ndërlikuar prej 52 gërmash i cili u përdor në mënyrë sporadike në Elbasan që nga fundi i shekullit tetëmbëdhjetë. Nuk i përshtatet mirë gjuhës shqipe.
    Alfabeti i katërt është ai i të ashtuquajturit Kodeksit të Beratit [4]. Ky dorëshkrim prej 154 faqesh i cili ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Tiranës është vepra e të paktën dy shkrimtarëve dhe u hartua midis viteve 1764 dhe 1798. Dorëshkrimi lidhet me njëfarë Kostë Berati (ca. 1745-ca. 1825). Thuhet se Kostë Berati ishte pronari i dorëshkrimit nga viti 1764 deri në vitin 1822, me gjithë se nuk ka të dhëna që tregojnë se ishte ai autori. Kodeksi i Beratit përmban tekste të ndryshme greqisht dhe shqip9: tekste biblike dhe liturgjike orthodokse shqip në alfabetin grek, një poemë shqip prej 44 radhësh me titullin Zonja Shën Mëri përpara kryqësë, disa shënime fetare, dhe një kronikë greqisht të ngjarjeve të viteve 1764-1789. Në faqen 104 gjejmë dy radhë shqip të shkruara me një alfabet origjinal prej 37 gërmash të ndikuara, siç thuhet, nga glagolishtja. Në faqen 106 autori jep një pasqyrë të alfabetit të tij. Edhe ky alfabet i përshtatet keq gjuhës shqipe.
    Nga Gjirokastra në jug, kemi disa të dhëna mbi një alfabet tjetër nga fundi i shekullit tetëmbëdhjetë ose nga fillimi i shekullit nëntëmbëdhejtë. Edhe alfabeti i Gjirokastrës [5], një sistem grafik prej 22 gërmash, u zbulua dhe u botua nga Hani. Hani shkruan: "Më në fund, një alfabet tjetër nga Shqipëria e Jugut duhet shënuar këtu, të cilin autori e zbuloi me ndihmen e Veso Beut, një kryetari gjirokastrit nga familja e Alisot Pashalides-ve. Si djalë, Veso Bej e mësoi alfabetin prej një hoxhe shqiptar si një alfabet sekret i trashëguar nga familja e tij dhe e përdorte vetë për letërkëmbim me farefisin e tij(10)."
    Një alfabet tjetër i shpikur në jugun e Shqipërisë është ai i Jan Vellarait11 (1771- 1823), greqisht Ioannis Vilaras (Iôannês Bêlaras). Vellarai, djali i një mjeku, studioi mjekësi në Padovë në 1789 dhe banoi më vonë në Venedik. Në vitin 1801, u emërua mjeku i Veliut, birit të Ali Pasha Tepelenës (1741-1822). Jan Vellarai nuk ishte shqiptar. Ishte një poet grek i njohur dhe autor i shënimeve gramatikore greqisht-shqip të vitit 1801 për t'i mësuar shqip grekëve. Gjuhën shqipe e shkroi me një alfabet origjinal [6] prej 30 gërmash në bazë të latinishtes dhe të greqishtes. Dorëshkrimi ruhet në Bibliotekën Kombëtare të Parisit (supplément grec 251, f. 138-187). Në fund të shënimeve gjëndet edhe një letër në gjuhën shqipe e shkruar me këtë alfabet nga Vellarai vetë në fshatin Vokopolë me 30 tetor 1801.
    Alfabeti i fundit shqip i kësaj periudhe është ai i Naum Veqilharxhit (1797-1846) nga Korça. Veqilharxhi shpiku një alfabet prej 33 gërmash [7] të cilën e botoi në një abetar shqip në vitin 1844. Në vitin tjetër, 1845, shtypi botimin e dytë të librezit me 48 faqe12 me titullin: Faré i ri abétor shqip per djélm nismetore. Jehona e këtij alfabeti, i cili i ngjan një lloj armenishtje kursive, ishte e pakët, duke qenë se autori vdiq një vit më vonë. Një problem tjetër që lindi në këtë kohë kur shtypshkronjat po përhapeshin edhe në Ballkan, lidhet me faktin se një alfabet i veçantë shkaktonte shpenzime të larta për botuesin, kështu që, me gjithë se alfabeti i Veqilharxhit ishte pak a shumë fonetik dhe asnjanës nga pikëpamja fetare, ai nuk pati sukses.
    Me Rilindjen Kombëtare Shqiptare, përpjekjet për krijimin e një alfabeti origjinal filluan të merrnin fund, duke i lënë rrugën një lufte më realiste për të shkruar dhe për të botuar shqip me alfabetet latin, grek dhe arab. Një zgjidhje përfundimtare nuk u realizua para shekullit njëzet.
    Siç e pamë, kjo periudhë njëqindvjeçare nga 1750 deri në 1850 ishte një kohë shumëllojshmërie orthografike të habitshme në Shqipëri. Me të gjithë, gjuha shqipe u shkrua me dhjetë alfabete: shtatë alfabetet origjinale të lartëpërmendura si dhe adaptime të njohura të alfabeteve latin, grek dhe arab. Është për tu çuditur që kultura shqiptare arriti të afirmohej, bile të ketë mbijetuar me një skizofreni të tillë letrare.

    4. Historia, autori dhe gjuha e Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve

    Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve na vjen nga manastiri orthodoks i Shën Jon Vlladimirit, në fshatin Shijon të Elbasanit. Hyri në pronësinë e shkencëtarit elbasanas Lef Nosi para ose gjatë Luftës së Dytë Botërore. Lef Nosi luajti një rol të rëndësishëm në organizimin e Kongresit të Elbasanit në gusht të vitit 1909, gjatë të cilit u themelua Shkolla Normale. Më vonë u bë drejtor i kësaj shkolle dhe botoi një organ shtypi me emrin Tomorri nga 25 marsi 1910. Në vitet e qeverisë së përkohshme të Ismail Qemal bej Vlorës (1844- 1919), ai punoi si Ministër i Postave. Në vitin 1919 u zgjodh anëtar i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqës së Parisit, i drejtuar nga Msgr. Luigj Bumçi (1872-1945). Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Nosi ishte kryetar i lëvizjes anti-komuniste Balli Kombëtar dhe në vitin 1943 u bë kryetar i kuvendit shqiptar dhe anëtar i Këshillit të Shtetit gjatë kohës së pushtimit gjerman. Pas pushtimit komunist, u dënua me vdejkje dhe u vra.
    Thuhet se Lef Nosi kishte bibliotekën e dytë të Shqipërisë, pas bibliotekës së Mid'hat bej Frashërit (1880-1949), një figure tjetër të qëndresës anti-komuniste. Të dy bibliotekat u bënë themelet e Bibliotekës Kombëtare të Tiranës ku dorëshkrimi ynë përfundoi në fillim. Me 9 janar 1949, gazeta Zëri i Popullit shpalli zbulimin e Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve, të quajtur Anonimi i Elbasanit. Dorëshkrimi u transkribua dhe u botua fillimisht nga historiani Injac Zamputi13 dhe u trajtua në dy artikuj shkencorë nga Dhimitër Shuteriqi14 dhe nga Mahir Domi(15).
    Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve përmban 59 faqe tekstesh biblike, duke përfshirë përkthime (kryesisht nga Shën Mateu dhe Shën Gjoni) dhe prozë origjinale mbi mundimin e Krishtit. Në përgjithësi, dorëshkrimi len përshtypjen si të ishte një përpjekje fillestare e përkthimit të teksteve biblike, se një përkthim përfundimtar i Dhiatës së Re.
    Është spekuluar shumë mbi autorin e Dorëshkrimit Elbasanas. Të dhënat historike dhe gjuhësore që kemi në dispozicion na sjellin në përfundim se autori quhej Gregori i Durrësit (greqisht: Grêgorios ho Dyrrakhíu) , i njohur gjithashtu si Gregori i Voskopojës. Gregori ishte një prift orthodoks i cili u emërua Metropoliti i Durrësit në vitin 1768 dhe vdiq para majit të vitit 1772. Dihet se Gregori kreu përkthime të Dhiatës së Vjetër dhe të Dhiatës së Re me një alfabet që e shpiku vetë. Mendohet se Gregori erdhi në Voskopojë para vitit 1730.
    Mahir Domi mendon se ishte në Voskopojë që nga themelimi i shtypshkronjes në 1730 deri në vitin 1744 kur u themelua Akademia e Re(16). Në vitin 1741 botoi veprën e parë 'Jeta e Shën Nikodemi'(17). Autori ynë duhet të mos ngatërrohet me një Gregor tjetër, Gregori Konstantinidhi ose Gregori Tipografos, i cili punonte edhe ai në Voskopojë në atë kohë.
    Në vitin 1744, Gregori ynë u zgjodh zëvendësrektori i Akademisë së Re dhe i botoi dy libra. Më vonë banoi në manastirin e lartëpërmendur të Shën Jon Vlladimirit (ca. 1746-1772), me gjithë se nuk ka gjurmë përkatëse mbi të atje. Metropolia e Durrësit e kishte selinë jo në Durrës vetë por në manastirtin e Shën Jon Vlladimirit, kështu që ka të ngjarë se Gregori jetoi dhe vdiq atje. Për Gregorin thuhet se ishte ndër personat më të kulturuar të kohës në Shqipërinë e Jugut. Për fat të keq ne dimë fare pak mbi të.
    Burimi më i mirë mbi Gregorin gjëndet në veprën Nea Hellas ê hellênikon theatron (Athens 1872) e shkrimtarit bashkëkohor grek Geôrgios Zabiras (1744-1804) i cili banonte në Budapesht. Në një shënim të vitit 1761, Zabiras thotë:

    "Gregori i Durrësit, nxënës i Ioannes Ch., shkroi akolluthinë e të shtatë shenjtorëve, d.m.th. Kiril, Klemens, Metodi, dhe Naum... e cila u botua në Voskopojë; [një traktat] mbi ditët, muajt, dhe vitet; një kanon uratash për Shën Naumin, shkrime të ndryshme; dhe përktheu Dhiatën e Vjetër dhe Dhiatën e Re dhe i shkroi në shkronja shqipe që i shpiku vetë(18)."

    Për vitin 1767, Zabiras shton kështu:

    "Gregori, Metropoliti i Durrësit që në vitin 1767 ka vënë nënshkrimin si pjesëmarrës i një Sinodhi në Konstantinopol mbi martesat, shkroi disa shënime mbi kohën që i botoi në fund të një ekspozeje mbi epistolarët e Koridhaleut në vitin 1768 në Hallë të Saksonisë(19)."

    Një informatë tjetër që përputhet me shënimet e Zabiras-it është një letër që shkencëtari grek Joaqim Martiniani (Iôakeim Martinianos) ja dërgonte kolegut të tij shqiptar Ilo Mitkë Qafëzezi (1889-1964). Në këtë letër shkruan:

    "Sidozot Kavalioti, po ashtu edhe akademikët e tjerë të Voskopojës, të cilët janë marrë edhe me gjuhën shqipe, kanë patur për mësonjës ierodhaskalin Gregor, i cili pasi dha mësim lart nga 30 vjet në Voskopojë, u zgjodh Metropolit i Durrësit më 1748 [sic]. Ky pat lënë shumë lëndë shqipe të pabotuar në manastirin e Shën Jon Vlladimirit të Elbasanit (20)..."

    Kjo informatë mjafton, sipas mendimit tim, për ta pandehur Gregorin si autorin e Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve. Megjithatë, Dhimitër Shuteriqi ka propozuar një autor tjetër. Në përpjekjen e tij për ta deshifruar tekstin në kapakun e dorëshkrimit me alfabetin tjetër të lartëpërmendur, Shuteriqi lexon emrat Theodoros Bogomilos dhe Papa Totasi. Duke qenë se puna shkencore e profesorit Shuteriqi kishte një ndikim të madh në Shqipëri, këta dy emra kanë hyrë në historinë e letërsisë shqiptare dhe u futën në tekstet mësimore shqiptare si fakte dhe jo si hipotezë. Edhe pse nuk ka të dhëna shkencore për ta kundërshtuar teorinë e Shuteriqit, nuk ka të dhëna në favor të kësaj teorie. Leximi i alfabetit në kapakun duhet shikuar si një tentativë dhe jo si një deshifrim përfundimtar.
    Po ta pranojmë autorsinë e Gregorit të Durrësit dhe saktësinë e të dhënave të Zabirasit, atëherë mund ta datojmë Dorëshkrimin Elbasanas në vitin 1761. Gregori do të kishte jetuar në manastirin e Shën Jon Vlladimirit pesëmbëdhjetë vjet. Shtatë vjet pas përkthimit, do të ishte emëruar Metropolit i Durrësit (1768). Megjithatë, mundet se dorëshkrimi ynë ishte vetëm një përpjekje fillestare për një përkthim më të gjërë të Biblës të cilën nuk e kemi zbuluar akoma. Atëherë dorëshkrimi ynë do të ishtë akoma më i vjetër.
    Përpjekje të pavarura për ta datuar dorëshkrimin nga pikëpamja gjuhësore kanë qenë të vështira duke qenë se na mungojnë tekste krishtere nga kjo periudhë si krahasim. Por nuk ka të dhëna gjuhësore që flasin kundër mesit të shekullit tetëmbëdhjetë si periudha e hartimit të dorëshkrimit.
    Dialekti, ose më mirë nën-dialekti i dorëshkrimit, është një çështje tjetër kontradiktore. Është e qartë se përkthimet janë bërë në një dialekt geg jugor, si dialekti i Elbasanit, por përmbajnë edhe disa elemente të toskërishtes që nuk ekzistojnë në dialektin e sotëm të Elbasanit.
    Tiparet gege të dorëshkrimit shihen në mungesën e rotacizmit: urdhën, sëmunë, të lutuna, shkruam, pam, mbuluam, mbushun, ikun, në infinitivin me thanë, në kohën e ardhme kini me gjetun. Një tipar i dialektit të Elbasanit është fjala njëme (tani). Në anën tjetër shkruhet kudo në dorëshkrim është tosk dhe jo asht geg. Tiparet e tjera toske janë për shembull të jeç, të diç dhe nuku. Shuteriqi mori përzierjen e dialekteve si vërtetim i dialektit kalimtar të Shpatit. Për fat të keq, dimë fare pak mbi dialektet e Shqipërisë së Mesme para shekullit nëntëmbëdhjetë për të nxjerrë një përfundim të qartë. Megjithatë, mua më duket e vështirë të mund të caktohet një dialekt shqiptar që të përputhet me gjuhën e Dorëshkrimit Elbasanas të Ungjijve. Ka më shumë të ngjarë se teksti ynë u hartua, me ose pa dijeni, në një përzjerje dialektesh.
    Edhe nga pikëpamja gjuhësore, Gregori i Durrësit do të ishte i besueshëm si autor. I lindur dhe i rritur në Shqipërinë e Jugut (Berat dhe Voskopojë), ai duket të ketë kaluar pesëmbëdhjetë vjet në Elbasan para hartimit të dorëshkrimit. Ndoshta përpiqtej të shkruante në një gjuhë të përbashkët që ta kuptojnë shqiptarët nga krahinat e ndryshme. Një gjë bie në sy në Dorëshkrimin Elbasanas. Ka shumë pak fjalë të huaja.
    Mospërdorimi i fjalëve të huaja na sjell në përfundim në një anë se autori nuk pranonte islamizimin e plotë të vendit dhe në anën tjetër se donte të përdorte një gjuhë të pastër në alfabetin e tij origjinal. Në të gjithë dorëshkrimin ka vetëm tri fjalë latine dhe shtatë fjalë turke:

    Fjalët latine

    02.10 letërorëtë = shkrimtarë, < lat. litterator
    06.06 mort = mort, vdekja, < lat. mors, mortis
    19.10 letër = shkrim, < lat. littera
    Fjalët turke
    02.10 sarajet = pallatet, < turq. saray
    04.08 kabil = e mundur, < turq. kabil
    14.07 dushmanëvet = dushmanëve, armiqve, < turq. düşman
    28.09 sheher = qytet, < turq. şehir
    39.03 sahat = sahat, orë, < turq. saat
    44.14 paha = çmim, < turq. paha
    53.02 qorrit = qorr, i verbër, < turq. kör.

    Më e habitshme është se ky tekst i përkthyer nga greqishtja e Dhiatës së Re ka vetëm njëzet e një fjalë greke:

    Fjalët greke

    02.04 apostojtë = apostujt, < greq. apostolos
    02.09 upeshkëpintë = kryepeshkopët, < greq. episkopos
    02.17 mb[o]dhisnjënë = pengojnë, < greq. empodizô
    03.07 ergjand- = monedha argjendi. Një neologjizëm nga greq. argyria
    03.18 profitëvet = profetëve, < greq. profêtês
    04.01 nomi = ligji, < greq. nomos
    05.06 dhidhaskale = mësues, < greq. didaskalos
    07.15 parigori = ngushëllim, < greq. parêgoria
    13.11 dhaskali = mësues, < greq. daskalos
    16.18 kustodhit = rojet, < greq. kustôdia
    26.01 stadhion = stad, < greq. stadion
    29.02 iğemoni = igumeni, guvernatori, < greq. hêgemôn
    33.01 adhit = ferrit, < greq. haidu
    35.01 laust = popull, < greq. laos
    41.07 kranio = kafkë, < greq. kranion
    42.02 kalamt = kallam, shkop, < greq. kalamos
    43.09 angjelli = ëngjelli, < greq. aggelos
    44.13 korvanat = thesar, < greq. korban < hebreishtja
    46.19 χlamidhë = rrobë, < greq. khlamys, khlamydos
    48.01 kliron = short, < greq. klêros
    51.14 marturi = dëshmori, < greq. martyria.

    Duket qartë se, sipas mundësive, është shmangur terminologjia greke e Dhiatës së Re për të përdorur fjalë shqipe. Kjo përpjekje për të mos përdorur fjalë të huaja del akoma më qartë në faqen 28, radhën 9, ku autori shkruan fjalën e lartëpërmendur sheher dhe pastaj e zëvendëson me fjalën shqipe qutet.

    5. Përfundim

    Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve, pesëdhjetë ë nëntë faqe të teksteve biblike në një dialekt jugor të gegërishtes dhe në një alfabet origjinal, ka një rëndësi të madhe për zhvillimin e kulturës shqiptare për disa arsye. Kjo vepër është shembulli më i herët i një alfabeti origjinal shqiptar, d.m.th. është përpjekja e parë për ta krijuar një sistem grafik të saktë për gjuhën shqipe. Gjithashtu, me perjashtim të tekstit të shkurtër të Ungjillit të Pashkëve, dorëshkrimi ynë është përkthimi i parë i rëndësishëm biblik nga greqishtja si dhe proza më e herët shqipe nga komuniteti orthodoks i Shqipërisë.
    Përpjekjet e shumta, pjesërisht anonime, në periudhën 1750-1850 për krijimin e një alfabeti origjinal për gjuhën shqipe në Shqipërine e Mesme na tregojnë se patriotizmi shqiptar ekzistonte shumë vjet para Rilindjes Kombëtare. Ka shumë të ngjarë se Dorëshkrimi Elbasanas i Ungjijve, ky visar i kulturës shqiptare të shekullit tetëmbëdhjetë, është vepra e Gregorit të Durrësit, një figure të madhe të kësaj periudhe e cila bëri shumë për afirmimin e kësaj kulture dhe e cila na jep një provë të qartë të këtij patriotizmi.


    1 Për historinë e alfabeteve shqiptare, shih: Rrota 1936, Skendi 1960, Janura 1969, Hoxha 1986, dhe Osmani 1987.
    2 shih: Elsie 1991.
    3 shih: Elsie 1992.
    4 Ungjilli i Pashkëve është një tekst shqip nga fundi i shekullit pesëmbëdhjetë që përmban 15 radhë në shkronja greke të përkthyer nga Ungjilli i Shën Mateut (27:62-66). U zbulua nga historiani grek Spyridôn Lampros (1851-1919) në vitin 1906 në një dorëshkrim grek të Bibliotekës Ambrosiane të Milanos (Kodeks 133, f. 63). Shih: Lampros 1906 dhe Borgia 1930.
    5 Shuteriqi 1949, f. 38, dhe Domi 1965, f. 272, ngulin këmbë për një ndikim sllav të fortë në krijimin e këtij alfabetit, gjë që shpjegohet, sipas atyre, në varësinë, deri në vitin 1767, e kishës orthodokse në Shqipëri nga Partriarhati Bullgar i Ohrit. Në vitin 1767, Ohër u bashkua drejt me Partiarhatin Grek të Stambollit.
    6 shih: Hahn 1854, vëll. 1, f. 280-300.
    7 shih: Geitler 1883 dhe Nahtigal 1923.
    8 shih gjithashtu: Nosi 1918, Qafëzezi 1937, Ressuli 1938, Shuteriqi 1949, 1954, 1959, 1973, dhe Hetzer 1987.
    9 shih: Ressuli 1938, Shuteriqi 1976, f. 121-122, dhe Hetzer 1981, 1981-82, 1982a, 1982b, 1986, 1989.
    10 shih: Hahn 1854, vëll 1, f. 297.
    11 shih: Jochalas 1985.
    12 shih: Qosja 1983.
    13 shih: Zamputi 1949 dhe 1951.
    14 shih: Shuteriqi 1949.
    15 shih: Domi 1965.
    16 shih: Domi 1965, f. 274-276.
    17 shih: Shuteriqi 1987.
    18 shih: Zabiras 1872, f. 236.
    19 shih: Zabiras 1872, f. 244.
    20 shih: Domi 1965, f. 277.


    6. Bibliografi

    BORGIA, Nilo
    Pericope evangelica in lingua albanese del secolo XIV da un manoscritto greco della Biblioteca Ambrosiana. (Tip. Italo-Orientale S. Nilo, Grottaferrata 1930) 35 f.
    DOMI, Mahir
    Rreth autorit dhe kohës së dorëshkrimit elbasanas me shqipërim copash të ungjillit. në: Konferenca e parë e Studimeve Albanologjike, f. 270-277. (Tiranë 1965)
    ELSIE, Robert
    Dictionary of Albanian literature. (Greenwood, Nju Jork & Uestport 1986) 170 f.
    - Albanian literature in Greek script. The eighteenth- and early nineteenth century Orthodox tradition in Albanian writing.
    në: Byzantine and Modern Greek Studies, Bërmingëm, 15 (1991), f. 20-34.
    - Albanian literature in the Moslem tradition. Eighteenth and early nineteenth century Albanian writing in Arabic script.
    në: Oriens, Journal of the International Society for Oriental Research, Laiden, 33
    (1992), f. 287-306.
    GEITLER, Leopold
    Die albanesischen und slawischen Schriften.
    (Hölder, Vienë 1883) 188 f.
    GEÔRGIADÊS, Theofrastos
    Moschopolis.
    (Ekdosis syllogu pros diadosin tôn hellenikôn grammatôn, Athenë 1975) 176 f.
    GKATSOPULOS, Stauros Matth.
    Moschopolis.
    (Hidryma Boreioêpeirôtikôn Ereunôn, Janinë 1979) 108 f.
    GRÊGORIOS MOSKHOPOLITOS
    Akoluthia tôn hagiôn heptarithmôn, poiêtheisa para tu en hieromonakhois Grigoriu Moskhopolitu.
    (Voskopojë 1761)
    HAHN, Johann Georg von
    Albanesische Studien.
    (Friedrich Mauke, Jena 1854, ribotim Karavias, Athenë 1981)
    HETZER, Armin
    Der sogenannte Kodex von Berat. Teil 1. në: Balkan-Archiv, Neue Folge, Hamburg, 6 (1981), f. 125-195.
    - Griechisches in Südalbanien im Zeitalter der Aufklärung. Untersuchung zu der einem Priester namens Konstantin zugeschriebenen Berater Handschrift vom Ende des 18. Jahrhunderts.
    në: Münchner Zeitschrift für Balkankunde, Mynih, 4 (1981-82), f. 169-218.
    - Nachlese zu: Der sogenannte Kodex von Berat 1 (BA 6.125-195).
    në: Balkan-Archiv, Neue Folge, Hamburg, 7 (1982) f. 57-75.
    [= HETZER 1982a]
    - Der sogenannte Kodex von Berat. II. Untersuchungen zu einer anonymen griechischalbanischen Handschrift vom Ende des 18. Jahrhunderts.
    në: Südost-Forschungen, Mynih, 41 (1982), f. 131-179
    [= HETZER 1982b]
    - Zur Textüberlieferung des albanischen Gedichts "Maria vor dem Kreuz" aus der einem gewissen Konstantin zugeschriebenen anonymen Berater Handschrift. në: Zeitschrift für Balkanologie, Berlin, 22 (1986), f. 11-36.
    - Armenier und Albaner.
    në: Balkan-Archiv, Neue Folge, Hamburg, 12 (1987), f. 29-148.
    - Maria vor dem Kreuz (Paristamenê tôi staurôi). Die Textüberlieferung eines Gedichts als Beispiel für das Einwirken des byzantinischen Erbes in Südalbanien (Toskëria) über Venedig und seine griechischen Territorien (Kreta und Heptanêsos) am Ende des
    18. Jahrhunderts.
    në: Balcanica Posnaniensia. Acta et Studia IV. Adam Mickiewicz University Press,
    Poznan 1989, f. 275-287.
    HOXHA, Ibrahim D.
    Nëpër udhën e penës shqiptare. Nga historiku i ABC-së dhe i shkrimit shqip.
    (Libri shkollor, Tiranë 1986) 329 f.
    HYSA, Mahmud
    Krestomaci e letërsisë së vjetër shqiptare.
    (Enti i teksteve, Prishtinë 1987) 317 f.
    JANURA, Petro
    Nga historia e alfabetit të gjuhës shqipe.
    (Nova Makedonija, Shkup 1969) 128 f.
    JOCHALAS, Titos P. (= GIOCHALAS, Titos P.)
    Stoicheia hellêno-albanikês grammatikês kai hellêno-albanikoi dialogoi. Anekdoto
    ergo tu Iôannê Bêlara. Filologikê ekdosê apo ton autografo kôdika tês Ethnikês
    Bibliothêkês tôn Parisiôn. Institute for Balkan Studies.
    (Selanik 1985) 317 f.
    KODRA, Ziaudin
    Letërsia e vjetër shqipe dhe arbëreshe. Tekst për Kl. III-të të shkollave të mesme.
    Botim i dytë.
    (Tiranë 1954)
    LAMPROS, Spyridôn P.
    To Christos anestê albanisti.
    në: Neos Hellênomnêmôn. Trimêniaion periodikon syggramma, Athenë 3 (1906),
    f. 481-482.
    MARTINIANOS, Iôakeim
    Hê Moschopolis 1330-1930. Epimeleia Stylpônos P. Kyriakidu. Hetaireia
    Makedonikôn Spudôn. Makedonikê Bibliothêkê 21.
    (Selanikë 1957) 366 f.
    MICHALOPOULOS, Phanês
    Moschopolis. Hai Athênai tês Turkokratias 1500-1769.
    (Periêgêtikês Leschês, Athenë1941) 56 f.
    NAHTIGAL, Rajko
    O elbasanskem pismu in pismenstvu na njem.
    në: Arhiv za arbanasku starinu, jezik i etnologiju, Beograd, 1 (1923), f. 160-195.
    NOSI, Lef
    Dhaskal Todhri.
    në: Kopështi letrar. E përkohëshme e përmuejshme, Elbasan, 1918, Nr. 1. f. 13-14;
    Nr. 2, f. 13; nr. 3, f. 8; Nr.4, f. 11; Nr. 5, f. 2.
    OSMANI, Tomor
    Histori e alfabetit të gjuhës shqipe.
    (Libri shkollor, Tirane 1987) 295 f.
    PEKMEZI, Georg
    Vorläufiger Bericht über das Studium des albanesischen Dialekts von Elbasan.
    në: Anzeiger der kaiserlichen Akademie der Wissenschaften. Philosophischhistorische
    Classe 38, Vienë 1901, 9, f. 39-64
    PETROTTA, Gaetano
    Popolo, lingua e letteratura albanese. 2a tiratura con aggiunte e correzioni.
    (Pontificia, Palermo 1932) 528 f.
    PEYFUSS, Max Demeter
    Die Akademie von Moschopolis und ihre Nachwirkungen im Geistesleben
    Südosteuropas.
    në: Studien zur Geschichte der Kulturbeziehungen in Mittel- und Osteuropa. Vëll. 3.
    Wissenschaftspolitik in Mittel- und Osteuropa. Berlin, 1976, f. 114-128
    - Voskopojë und Wien. Österreichisch-albanische Beziehungen um 1800.
    në: Albanien-Symposion 1984. Referate der Tagung "Albanien. Mit besonderer
    Berücksichtigung der Volkskunde, Geschichte und Sozialgeschichte" am 22. und 23.
    November 1984 im Ethnographischen Museum Schloß Kittsee (Burgenland). Kittseer
    Schriften zur Volkskunde. Veröffentlichungen des Ethnographischen Museums
    Schloß Kittsee. Heft 3. Botues: Klaus Beitl. Kittsee 1986, f. 117-132.
    - Die Druckerei von Moschopolis 1731-1769. Buchdruck und Heiligenverehrung im
    Erzbistum Achrida. Wiener Archiv für Geschichte des Slawentums und Osteuropas
    13.
    (Böhlau, Vienë & Këln 1989) 256 f.
    POGONI, Bardhyl
    Albanian writing systems. Disertacion i pabotuar.
    (Indiana University 1967)
    - Some comments on the writing system of the oldest Albanian text: Meshari.
    në: Zeitschrift für Balkanologie 8, Berlin, (1971/1972), f. 118-122.
    QAFËZEZI, Ilo Mitkë
    Theodhor Kavalioti dhe Dhaskal Todri-Haxhifilipi.
    në: Përpjekja shqiptare, Tiranë, 1937, 11-12, f. 247-250.
    QOSJA, Rexhep
    Ëvetari (1845) i Naum Veqilharxhit. Dokument i rëndësishëm i Rilindjes kombëtare.
    në: Gjurmime albanologjike. Seria e shkencave filologjike, Prishtinë, 13 (1983),
    f. 217-274.
    RESSULI, Namik
    Abecea e dorëshkrimit beratas dhe abecea e Thodhër Haxhi Filipit.
    në: Leka, Shkodër, 10 (1938), f. 181-185.
    RROTA, Justin
    Per historín e alfabetit shqyp. Pasqyra e shembuj per shkolla të mjesme.
    (Shtypshkroja Françeskane, Shkodër 1936, ribotim Rilindja, Prishtinë 1968) 93 f.
    SHUTERIQI, Dhimitër
    Anonimi i Elbasanit. Shkrimi shqip në Elbasan në shekujt XVIII-XIX dhe Dhaskal
    Todhri.
    në: Buletin i Institutit të Shkencavet, Tiranë 1949, 1, f. 33-54.
    - Dhaskal Todhri.
    në: Buletin i Institutit të Shkencavet për Shkencat Shoqërore, Tiranë, 1954, 4, f. 35-
    55.
    - Shkrime të Dhaskal Todhri dhe të pasardhësve të tij elbasanas, shoqëruar me fjalorin e
    shkrimeve të Todhrit.
    në: Buletin për shkencat shoqërore, Tiranë 1959, 1, f. 165-198.
    - Dhaskal Todhri.
    në: Shuteriqi. Nëpër shekujt letrarë. Studime. (Naim Frashëri, Tiranë 1973), . 82-113.
    - Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850.
    (Akademia e Shkencave, Tiranë 1976) 316 f.
    - Alfabeti i vjetër origjinal i Gjirokastrës.
    në: Shuteriqi. Autorë dhe tekste. (Naim Frashëri, Tiranë 1977) f. 153-159.
    - Një alfabet origjinal në Gjirokastër.
    në: Studime filologjike, Tiranë, 3 (1979).
    - Alfabetet e veçanta të shqipes.
    në: Mësuesi, Tiranë, 26 XI 1980.
    - Grigor Voskopojari, i quajtur i Durrësit.
    në: Shuteriqi. Marin Beçikemi dhe shkrime të tjera. (Naim Frashëri, Tiranë 1987)
    f. 103-126.
    SKENDERÊS, Kônstantinos Ch.
    Historia tês archaias kai synchronu Moschopoleôs.
    (I. Bartsos, Athinë 1928) 135 f.
    SKENDI, Stavro
    History of the Albanian alphabet. A case of complex cultural
    development.
    në: Südost-Forschungen, Mynih, 29 (1960), f. 263-284.
    (rebotim në: Balkan Cultural Studies, Nju Jork 1980)
    ZABIRAS, Geôrgios Iôannos
    Nea Hellas ê hellênikon theatron. Ekdothen ypo Geôrgiu P. Kremu.
    syggrammata.
    (Typ. Efêmeridos tôn Syzêtêseôn, Athinë 1872, ribotim Athinë 1972) 561
    ZAMPUTI, Injac
    Disa shënime rreth alfabetit të dorëshkrimit të Anonimit elbasanas.
    në: Buletin i Institutit të Shkencavet, Tiranë 1949, 1, f. 55-57.
    Dorëshkrimi i Anonimit t'Elbasanit, Transliterim, transkriptim dhe koment.
    në: Buletin i Institutit të Shkencavet, Tiranë 1951. 3-4, f. 64-130.


    Artikullin e plote se bashku me fotot ilustruese gjeni ne adresen e meposhtme:

    http://www.elsie.de/pdf/articles/A19...hkrimi_Fig.pdf
    Ndryshuar për herë të fundit nga Albo : 26-08-2007 më 16:51

Tema të Ngjashme

  1. Gjuha Shqipe - Kisha dhe Kleri Katolik
    Nga toni77_toni në forumin Komuniteti katolik
    Përgjigje: 14
    Postimi i Fundit: 02-10-2011, 14:48
  2. Dështimi i gjuhës standarde shqipe te gegët!
    Nga Davius në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 460
    Postimi i Fundit: 31-01-2010, 20:27
  3. Armiqtë e gjuhës shqipe dhe triumfi i saj
    Nga brooklyn2007 në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 24-11-2008, 11:35
  4. A vihet ne diskutim Sovraniteti Kombit?
    Nga Dito në forumin Çështja kombëtare
    Përgjigje: 12
    Postimi i Fundit: 06-10-2006, 20:17
  5. Armiqte e Gjuhes Shqipe?
    Nga Tastiera në forumin Gjuha shqipe
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 10-10-2005, 10:57

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •