Emigrantët dhe diplomacia “Nano”


Brixhida Kokëdhima

Jam përpjekur shpeshherë të kuptoj se pse qytetarët shqiptarë që jetojnë në GREQI, ITALI e në vende të tjera të EVROPËS janë më të diskriminuarit, më fatkeqët, më të depersonalizuarit dhe më të shkatërruarit në raport me çdo emigrant të një shtetësie tjetër! As marokenët dhe as emigracioni me ngjyrë në EVROPË nuk ka vuajtur më shumë se shqiptarët dhe këtu nuk e kam fjalën vetëm për shqiptarët me kombësi shqiptare, por edhe për minoritarët grekë të SHQIPËRISË, për vllehët, romët etj., me të cilët ndajmë të njëjtat fate e vuajtje. Shtetasit shqiptarë, pavarësisht nga kombësitë, kanë qe në dekadën e fundit të braktisur nga shteti i tyre, të braktisur totalisht nga qeveritë socialiste dhe veçanërisht nga qeveria dhe diplomatët e kryeministrit NANO. A keni parë ndonjëherë të merren në mbrojtje qytetarët tanë nga konsujt e konsullatat shqiptare që shërbejnë në vende të huaja? A keni parë apo dëgjuar ndonjëherë që atashetë tregtarë të SHQIPËRISË në botë të punojnë dhe ndihmojnë eksportet e produkteve shqiptare? A keni dëgjuar ndonjëherë protestë të ambasadave të SHQIPËRISË, Ministrisë sonë të Jashtme apo të zotit NANO ndaj qeverive dhe vendeve të tjera për diskriminimin e pashembullt që ju bëjnë shtetasve shqiptarë me lloj-lloj mënyrash e mjetesh legale apo jolegale?
Kurrë dhe në asnjë rast të vetëm! Diplomacia e zotit NANO ka tradhtuar shtetasit shqiptarë dhe interesat tona kombëtare në mënyrë sistematike. Emigrantët tanë po jetojnë shkatërrimin në mënyrë masive. Familjet e tyre nuk i rezistuan dot kushteve tejet të vështira dhe sfidave të këtij emigracioni. Ne nuk kemi tani të dhëna të sakta, por vlerësime e informacione të përafërta. Janë me mijëra familje emigrantësh të divorcuara e në marrëdhënie të vështira, ndërsa fëmijet e tyre nuk dinë më shqip dhe kanë krijuar një hendek shumë të madh me kulturën dhe realitetin tonë, me paraardhësit dhe vetë familjet e tyre. Të gjithë politikën e jashtme, kryeministri shqiptar e ka vënë në shërbim të regjimit të tij brutal, arrogant e të korruptuar. Ai ka shkatërruar totalisht motivimin, krenarinë dhe profesionalizmin e personelit të shërbimit tonë diplomatik. Ai i ka shndërruar diplomatët tanë në individë pa personalitet, të cilët i kanë kthyer ambasadat dhe konsullatat shqiptare nga institucione që duhet të prodhojnë shërbime për shqiptarët në struktura që prodhojnë turpe për ta. Emigrantët shqiptarë janë një nga asetet me të çmuara të popullit tonë. Ata janë pjesa më e denjë e racës sonë. Ata kanë gjeneruar mbështetjen më të madhe për SHQIPËRINË dhe shqiptarët e këtushem këto 15 vjet dhe i kanë dhënë frymë ekonomisë së shkatërruar të vendit tonë me gjakun, djersën, me vuajtjet e tyre të pashembullta. Emigrantët tanë kanë jetuar realitetet më të vështira të Perëndimit të zhvilluar dhe kanë përvetësuar një kulturë politike, teknike, ekonomike e shoqërore shumë më të zhvilluar e të ndryshme nga degjenerimi e shkatërrimi i të gjitha vlerave të shqiptarëve të këtushem që bënë qeveritë shqiptare në këto 10 vjet. Emigrantët tanë kanë përfituar veçanërisht një kulturë të shkëlqyer dhe një ndjeshmëri të lartë për çështjet e mjedisit dhe për mënyrën se si bëhet menaxhimi bashkëkohor i problematikës së mjedisit. Për të gjitha këto arsye, LIDHJA E BLERTË e ka prioritet të saj vendosjen e kontakteve të gjera me të gjithë emigracionin shqiptar në botë, përvetësimin e problematikës së tyre, ndryshimin e politikave të shtetit shqiptar dhe shërbimit diplomatik, për t’i vënë ato në shërbim të interesave të emigracionit tonë, të qytetarëve dhe eksporteve të produkteve të ekonomisë shqiptare në botë. Ne nuk kemi nevojë për ambasadorë që i shërbejnë kryeministrit për pushime, udhëtime turistike apo afera korruptive. Ne kemi nevojë për ambasada e konsullata që i shërbejnë emigrantëve e qytetarëve të SHQIPËRISË, ndërmarrjeve dhe bizneseve të vendit, atyre shqiptarëve që mbijetojnë dhe atyre që vdesin. Ne nuk kemi nevojë për një MINISTËR TË JASHTËM, i cili herë e shpall KOSOVËN pjesë të JUGOSLLAVISË dhe herë merr në mbrojtje interesat e ambasadorëve të vendeve të huaja, në dëm të interesave shqiptare. Ne nuk na duhen diplomatë që kërkojnë ryshfete nga emigrantët dhe qytetarët shqiptarë për shërbimet që ofrojnë në emër të detyrës së tyre. Ne kemi nevojë për njerëz të ndershëm e të dhimbsur, për gra e burra të përgjegjshëm e të drejtë, profesionistë të mirë, për shërbëtorë të qytetarëve, shtetasve e sipërmarrësve shqiptarë. Ne nuk na duhet një qeveri e një shërbim diplomatik që derdh lot për dështimin e invadimit të SHQIPËRISË nga plehrat. Ne na duhet një diplomaci e gjallë që të shfrytëzojë të gjitha konventat botërore dhe konceptin global të mjedisit për të mbrojtur burimet natyrore të SHQIPËRISË, vlerat
arkitektonike, kulturore e historike të saj dhe jo për një shërbim
diplomatik që ndihmon çakejtë e huaj e shqiptarë, të cilët janë turrur
të shkatërrojnë mjedisin dhe trashëgiminë tonë, për të kënaqur lakminë e tyre për fitim. LIDHJA E BLERTË SHQIPTARE do të bëjë gjithçka të mundur për ta ndryshuar tërësisht politikën tonë të jashtme, përbërjen, nivelin, llojshmërine dhe cilësinë e shërbimeve që ofron personeli ynë diplomatik ndaj emigrantëve, ndaj qytetarëve e ndërmarrjeve shqiptare në përgjithësi. Ne do të insistojmë që në zgjedhjet e ardhshme emigrantët të votojnë pranë vendeve ku punojnë e jetojnë. Ushtrimi i të drejtës së votës do të ndryshojë sjelljen e politikës ndaj atyre që na mbajnë me bukë dhe do të rrisë shumë nivelin e votuesve shqiptarë në përgjithësi. Ky do të jetë një ndryshim historik në kodin tonë elektoral dhe me ndikim të madh në sjelljen e shtetit ndaj emigrantëve.

*Fjala e kryetares së Lidhjes së Blertë Shqiptare në Gjirokastër në prezantimin e kandidatit të LBSH-së, Aristotel Petro