Mijëra pelegrinë, zbarkojnë te Shën Joan Vladimiri
E Dielë, 05 Qershor 2005
ELBASAN - Mijëra pelegrinë nga i gjithë vendi dhe vendet fqinje si Mali i Zi, Serbia, Bullgaria, Greqia etj, kanë marrë pjesë dje, në festën dhe panairin e Shën Joan Vladimirit, manastiri i të cilit ndodhet në fshatin Shijon, 9 km larg qytetit Elbasan. Historia e manastirit të Shën Joan Vladimirit zë fill që para shekullit të XI në kohën e dyndjes së sllavëve në Ballkan e Arbëri. Sipas gojëdhënës, princi malazez Joan Vladimiri përshkonte shpesh rrugën e vjetër Egnatia dhe sa herë që kalonte në Elbasan, kthehej e lutej në një manastir të vogël në afërsi të fshatit që sot mban emrin Shijon. Princi ishte i martuar me motrën e Carit të Bullgarisë, por ky i fundit e shihte me xhelozi princin dhe kishte frikë se një ditë do t'i rrëmbente fronin. Ndaj organizon një komplot dhe e ekzekuton në rrugën e vjetër Egnatia. Kali me trupin dhe kokën e prerë të Joanit që e mbante në dorë, vjen në manastirin ku falej i zoti. Banorët u mahnitën nga çka panë ndaj e varrosen princin në manastir. Në shekullin e XIV princi shqiptar Karl Topia ngriti një manastir për lavdinë e tij, 4 herë më të madh se ai i pari. Që nga ajo kohë manastiri i Shën Joan Vladimirit u kthye qendra më e rëndësishme fetare në vend dhe çdo 4 Qershor në të organizoheshin panaire me pjesmarrjen e pelegrinëve nga i gjithë rajoni. Manastiri u ruajt në gjendje të mirë deri në çerekun e parë të shekullit XX. Në vitin 1944 ai u dogj nga gjermanët. Bashkë me panairin u dogjën dokumenta me vlera të papërsëriteshme. Fshatarët perreth shpëtuan ç'të mundnin. Gjatë viteve të diktatures shteti nuk tregoi asnjë kujdes për veprën monumentale të mesjetës. Pas viteve 90 pelegrinët nisën të festonin festën e Shenjtit. Lipsani ose arka me eshtrat e tij ruhet në Mitropolinë e Tiranës dhe udhëton një herë në vit për në Elbasan vetëm me rastin e festës. Origjina e Shenjtit është bërë mollë sherri mes popujve sllavë. Malazezët, Serbët, dhe Bullgarët kërkojnë t'u njihet origjina e Shenjtit. Madje kjo çështje duket se ka përfshirë edhe sferat e larta të politikës. Sot me rastin e festës ishte i pranishëm edhe ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Serbisë në Shqipëri Dr. Marko Camaj. Ai, u shpreh se ndjen një kënaqësi të veçantë që merr pjesë në festën e Joan Vladimirit. Bashkë me mua, tha ai, kanë ardhur edhe një grup biznesmenësh të cilët po shohin mundësine e investimit në këtë zonë. Sipas pedagogut të Akademisë Teologjike në Shën Vlash të Durrësit, Dhimitër Qosja, manastiri i Shën Joan Vladimirit ka luajtur një rol të madh në krishtërimin e popujve sllavë. Por cilado që të jetë origjina e tij, Shën Joan Vladimiri i përket të gjithë popujve të Ballkanit.
Fatos Salliu
Ruaj Lidhjet