E vetmja gazetë shqiptare në Itali, “Bota Shqiptare” fiton çmimin “Mostafa Souhir”, mes 30 gazetave që i drejtohen të huajve, për dialogun ndërmjet komunitetit emigrant dhe atij Italian.

Roland Sejko: Mërgimtarët, të dyzuar mes qëndrimeve të skajshme

Elsa Demo

E përdyjavshmja shqiptare në Itali “Bota shqiptare” fiton çmimin e gazetarisë “Mostafa Souhir” për multikulturalitetin në media. Nga mëse 30 gazeta në 16 gjuhë që iu drejtohen të huajve në vendin fqinj, “Bota”, e krijuar në vitin 1999, është vlerësuar më e mira për përkrahjen e dialogut ndërmjet komunitetit shqiptar dhe atij italian, duke u konsoliduar njëherësh si një shtëpi botuese. Ajo drejtohet nga themeluesi i saj Roland Sejko, i cili prej një viti boton edhe të përmuajshmen “Shqiptari i Italise” (L’albanese d’Italia). “Mostafa Souhir” që mban emrin e një gazetari me origjinë marokene, i ndarë para kohe nga jeta, jepet nga Shoqata “Cospe”, Federata Kombëtare e Gazetarëve Italianë, Rai dhe Komuna e Firences ku dhe u mbajt ceremonia të shtunën më 28 maj.
Aktualisht në Itali ka mbi 100 media multikulturore, radio, gazeta dhe emetues televizivë, që kryejnë një shërbim me interes publik për komunitetin, duke paraqitur krijuar edhe një hapësirë për debat dhe duke promovuar pluralizmin kulturor dhe informativ. Kandidatë për “Mostafa Souhir” ishin 31 gazeta: gjysma e tyre dygjyhëshe ose të botuara në më shumë se dy gjuhë. Nga 16 gjuhët e përdorura, artikujt flasin më së shumti shqip, arabisht, frëngjisht dhe anglisht. Kandidaturat vinin nga 10 krahina, duke pasqyruar shpërndarjen e komuniteteve të origjinave emigruese në territorin kombëtar. Përmbajtjet janë të larmishme, që nga informacionet e shërbimit për komunitetin emigrant, deri tek analizat e përgjithshme të karakterit ndërkulturor e sociologjik dhe informacionet mbi vendet e huaja në dobi të publikut italian. Çmime speciale iu janë akorduar edhe gazetarëve të brezit të dytë emigrant në Itali dhe periodikëve “Asylum Post”, “Extra” dhe “Ristretti Orizzonti”, për kurajon e temave të trajtuara duke paraqitur realitetin e refugjatëve në Itali dhe të emigrantëve në burgjet e Materës dhe Padovës.
Kështu, juria e përbërë nga Jean Leonard Touadi (gazetar), Khaled Fouad Allam (analist i “La Repubblica”-s), Nacera Benali, Milena Gabanelli, Raffaele Palumbo dhe Giovanni De Mauro, vlerësoi më të mirën “Botën Shqiptare”, gazetë me 20 faqe me ngjyra, me tirazh 10 mijë kopje që gjendet në të gjitha pikat kryesore të shitjes së shtypit të huaj në qytetet italiane. “Është e rëndësishme fitorja e një gazete e cila qysh ditën e parë komunikoi shqip”,- ka thënë drejtori Roland Sejko, duke falenderuar anëtarët e jurisë “për aktin e tyre madhor të inkurajimit”. “Është e para mirënjohje zyrtare që merr “Bota Shqiptare”, pas asaj të lexuesve tanë, që na mbështesin duke e blerë”.

Intervista
Zoti Sejko, urime për çmimin. Me shpalljen e ”Botës Shqiptare” gazeta më e mirë që u drejtohet të huajve në Itali, mendoni se mes konkurrentëve, mëse 30, “Bota” ka përfaqësuar më të mirën e dialogut ndërmjet komunitetit emigrant dhe atij italian?
Në mos e ka përfaqësuar vërtet, të paktën është përpjekur. Jo nëpërmjet vënies përballë të dy realiteteve, atij italian e atij shqiptar, por duke u përqendruar në problemet e komunitetit shqiptar si pjesë përbërëse e atij italian. Dyzimi identitar e kulturor i shqiptarëve në Itali, të ndarë mes atdheut e vendit ku kanë zgjedhur të jetojnë, nënkupton domosdoshmërisht edhe një ngjizje. Mërgimtarët shqiptarë e shprehin jo rrallë dyzimin nëpërmjet qëndrimeve të skajshme, ose duke mohuar krejtësisht vlerat që ofron një vend si Italia, ose duke bërë të vetin një patriotizëm të sëmurë. Qëndrimi kritik ndaj këtyre qëndrimeve që ne kemi zgjedhur them se ndihmon për një bashkëjetesë më të mirë mes dy palëve, duke lehtësuar dialogun që ju përmendni.
”Bota” u lind në vitin 1999 edhe për arsye të fushatave kundër shqiptarëve në Itali, çfarë
mendoni se ka ndryshuar pas gjashtë vitesh në këtë drejtim?
Periudha e lindjes së “Botës Shqiptare” përkon me kohën e fushatës më denigruese kundër shqiptarëve në Itali nga ana e shtypit italian. Efekti i menjëhershëm i kësaj fushate nuk qe vetëm keqësimi i atij që përgjithësojmë me fjalën imazh, por edhe një vështirësim i drejtpërdrejtë i jetës së emigrantëve në përballje me italianët. Solli gjithashtu edhe një dukuri tjetër, fshehjen e shqiptarëve, mohimin e prejardhjes, shpërbërjen e grupimeve. Por sado fuqi ka shtypi mbi krijimin e paragjykimeve, po aq i thyen ato përvoja e jetës: janë vetë shqiptarët në jetën e tyre italiane që kanë luajtur këtë rol. E sot kjo duket e pasqyruar edhe në qëndrimin më të moderuar të shtypit.
Para disa kohësh ju dhe bashkëpunëtorët tuaj keni kritikuar ashpër një fenomen shqiptar në Itali, atë të instituteve “partizane” të kulturës. Më pas çfarë efekti ka pasur?
Çështja e instituteve të Kulturës ka qenë një ndër temat ku jemi ndalur në vijim të asaj teme identitare që përmenda. Mungesa e një instituti kulture të ngritur nga shteti shqiptar sipas modelit të instituteve të kulturës italiane solli disa këpurdha që morën përsipër të zëvendësojnë boshllëkun. Me një fjalë i veshën vetes një ofiq zyrtar përfaqësimi duke i lënë rrugë keqkuptimeve dhe përfitimeve. Një ndër këta përfaqësues, për shembull, më vonë është paraqitur edhe në zgjedhjet rajonale italiane me titullin “drejtoreshë e institutit shqiptar të kulturës”, që në Itali është një tagër zyrtare. Nuk ka patur asnjë reagim nga Ministria e Jashtme apo nga ambasada shqiptare në Itali.
Meqë ra fjala, si është bashkëpunimi me ambasadën?
Deri tani “Bota shqiptare” ka patur një bashkëpunim mjaft të mirë me konsullatat shqiptare duke botuar listat e pasaportave të gatshme. Por më duhet të shtoj se kohët e fundit ka munguar krejtësisht informimi nga ambasada për bashkatdhetarët nëpërmjet gazetës mbi veprimtaritë e ndryshme që kryen përfaqësia. Që me ardhjen e ambasadorit të ri para rreth gjashtë muajsh, nuk di të na ketë mbërritur edhe një njoftim i vetëm i çdo lloji. Ndryshon puna me Konsullatën e Përgjithshme të Milanos që, edhe pse është më larg, informon rregullisht mbi veprimtaritë e veta.
Çfarë kanë të përbashkët mes tyre gazetat në gjuhën shqipe, arabe, franceze, angleze që botohen në Itali?
Informacionin në gjuhën mëmë. Megjithatë, shumë nga gazetat që u drejtohen të huajve në Itali lindin kryesisht nga iniciativa që mbështeten nga fonde publike. E veçanta e Botës, që ndoshta e kanë marrë parasysh edhe anëtarët e jurisë duke e vlerësuar, është se mbetet ndër të paktat dy a tre të tilla që kanë zgjedhur të përballen me lexuesin në pikëshitjet e gazetave. “Bota shqiptare” nuk ka patur e nuk ka asnjë financim publik, por lind dhe mbetet një sipërmarrje e mirëfilltë botimi, që shitet anembanë Italisë si gjithë gazetat e tjera. Që prej vitit të kaluar, shtëpia botuese “Bota shqiptare”, e vetmja shtëpi botuese në gjuhën shqipe në Itali, nxjerr edhe një të përmuajshme “Shqiptari i Italisë”.
Kjo e fundit, duket se i lë më shumë vend shqiptarit të bukur e të suksesshëm. Do të vazhdojë të ruajë këtë linjë?
Nuk është vetëm shqiptari i suksesshëm në kopertinë që përbën thelbin e tij. “Shqiptari i Italisë”, i cili ka ngjallur emrin e së parës gazetë të historisë së shtypit shqiptar botuar në Napoli nga De Rada, përmban shumë informacione që, për shkak të natyrës së tyre, nuk mund të gjenin hapësirë në faqet e “Botës shqiptare”. Në pjesën më të madhe përbëhet nga informacione të dobishme, për pagesën e taksave, për shërbimin shëndetësor italian, për kontratat e punës. Këtë e bën nëpërmjet një bashkëpunimi me avokatët e specializuar të emigracionit të shoqërisë “Stranieri in Italia”. Brenda një viti, Shqiptari i Italisë e ka gjetur menjëherë lexuesin.
Kujt ia kushtoni këtë çmim?
Çmimi si gazeta më e mirë për të huajt në Itali i përket gjithë grupit të punës që e ka bërë “Botën Shqiptare” të rritet. Përveç stafit tonë, nuk besoj se do të vazhdonim të nxirrnim një botim të vlefshëm pa kontributin e bashkëpunëtorëve tanë Ardian Vehbiu, Aurel Plasari, Rando Devole, Francesca Niccolai, Elvira Dones, Ardian Ndreca e të tjerë. Në emër të të gjithëve, ashtu si në ceremoninë e dorëzimit të çmimit në Firence, i kushtohet lexuesve tanë e gjithë shqiptarëve në Itali.




31/05/2005
KATEGORIA: Kulture
nga Shekulli