Rektori i UT-së, Shezai Rrokaj: Ministria të gjejë një zgjidhje
Studentët, lot në fakultete: Po na ndryshojnë degën
Qindra studentë të rinj kërkojnë të mos çregjistrohen
Sapo çelet dera e sekretarisë, turma të rinjsh drejtohen me nxitim drejt saj. Më pas prindërit. Të irrituar ata i hakërrehen sekretares. "Zonjë, unë nuk dua të ndryshoj degë. Jam shumë mirë në degën ku kam fituar, pse duhet të shkoj te kjo tjetra". Nga ana tjetër, një zë i shpejtë shpjegon: Ky është urdhri i ministrisë, duhet të marrësh dokumentet që këtu e të shkosh në degën tjetër ku të ka dalë emri...Rregulli kërkon që studentët të çregjistrohen në degën e parë që kanë fituar dhe të shkojnë në të dytën, kundra dëshirës së tyre. Për t‘i dhënë një zgjidhje problemit, rektori i UT-së, Shezai Rrokaj, tha se Ministria e Arsimit duhet të ndërhyjë sa më parë.
Një kaos i vërtetë dje në Fakultetin e Histori-Filologjisë, ku asistuam në një proces regjistrimi të studentëve të rinj. Por jo vetëm aty, por në të gjitha sekretaritë mësimore të Universitetit të Tiranës, siç na informojnë burimet. Janë me qindra studentë që derdhin lot për të mos ndryshuar degën e studimit. Zemëratës së tyre i shtohet edhe arroganca dhe nervozizmi i prindërve dhe të afërme. Problemi është i thjeshtë në dukje, por i madh për nga natyra, pasi s‘ka marrë ndonjë përgjigje nga Ministria e Arsimit. Në bazë të mekanizmave që ka caktuar ky dikaster për përzgjedhjen e studentëve janë dy regjistrime; ai paraprak dhe përfundimtar. Studentët fitues të shkollave të larta u regjistruan javën e kaluar. Por një pjesë e mirë e tyre, mbi 2000, duhet t‘i tërheqin dosjet nga fakultetet ku janë regjistruar dhe të shkojnë në një tjetër, ku iu ka dalë sërish emri si fitues.
Ministria e Arsimit bëri të ditur, përmes zyrës së shtypit se Qendra e Përpunimit Informatik kreu shpërndarjen e dytë të kandidatëve për arsim të lartë me sistemin Meritë-Preferencë, duke marrë parasysh pikët dhe kërkesat e secilit. Nga kjo rezulton se 2.422 kandidatë ngrihen në një preferencë më të lartë. Kështu me ose pa dëshirë, ata duhet të kryejnë çregjistrimin, sepse ky është rregull.
Ndaj një kandidat që ka renditur si preferencë të 6-të degën e anglishtes, dhe është regjistruar në raundin e parë, duhet të çregjistrohet nëse i ka dalë emri si fitues, tashmë që është bërë shpërndarja e dytë e pikëve. Pra me pikët që ka marrë ai duhet të shkojë në preferencën e tij të pestë që është frëngjishtja. Për këtë duhet të çregjistrohet nga dega e parë dhe të shkojë tek e dyta edhe në rast se tashmë ndihet mirë me fitoren në anglisht.
Ky është problemi që shqetësonte dje qindra të rinj të ngjashëm me rastin e lartpërmendur si shembull.
Ata i kanë bërë kërkesë Ministrisë së Arsimit që të mos iu ndryshojë degën kundra vullnetit të tyre. Të pyetur për renditjen e preferencave në formularin A2, ata thonë se kjo nuk duhet të jetë kusht, pasi kanë pikët e nevojshme dhe duhet të zgjedhin se ku duhet të studiojnë dhe jo t‘ua caktojë me pahir Ministria e Arsimit.
I njohur me këtë shqetësim, rektori i Universitetit të Tiranës, Shezai Rrokaj, tha se "Ministria e Arsimit duhet të gjejë një zgjidhje për këta studentë". Ata janë ndër më të mirët e universiteteve dhe nuk duhet të kushtëzohen për degën ku do të studiojnë. Sipas Rrokajt është e drejta e tyre të studiojnë në një degë të caktuar, kur e kanë numrin e duhur të pikëve dhe Ministria e Arsimit nuk mund të dërgojë në shkollë të rinjtë në mënyrë urdhërore.
Dje ishte dita e parë e regjistrimeve, ku në fakultetet e Tiranës kanë kryer regjistrim vetëm studentët që fituan për herë të parë, ndërsa ata që duhet të ndryshojnë degë nuk kanë pranuar. Pritet që ditën e hënë, dikasteri i Arsimit të sqarojnë të rinjtë, por edhe sekretaritë për zgjidhjen e këtij problemi.
Gazeta Shqip
Krijoni Kontakt