"Redaksia Tema"
> EDITORIALI
>
> Kuvendi që na la trashëgim ADN-në e Dushkut
>
> Nga Mero Baze
>
> Kuvendi i Shqipërisë u dha fund punimeve dje, duke
> thyer një rekord të paarritur më parë në politikën
> shqiptare, lidhur me mënyrën se si ai arriti të
> mbijetojë, pa pasur asnjë ditë një shumicë legjitime
> të votuar. I dalë nga mekanizmi i zgjedhjeve të
> Dushkut, ky Kuvend, në të vërtetë i dha politikës
> shqiptare dy dimensione të reja. Dimensioni i parë
> është rëndësia që fitoi grupi parlamentar për fatin
> politik të liderëve partiakë, kurse dimensioni i dytë,
> negativ, është gjetja e mekanizmit për të krijuar
> shumica false në Kuvend.
> Sa i përket dimensionit të parë, ky Kuvend provoi se
> grupi parlamentar vlen më shumë se KPD apo Këshilli
> Kombëtar, nëse vjen fjala për të vendosur rregulla
> loje brenda partisë. Fatos Nano e rrëzoi Ilir Metën
> për shkak se mori me vete një pakicë deputetësh,
> ndërsa Meta e rrezikoi Nanon dhe e detyroi të fuste
> deputetë nëpër pularitë e Dukës, vetëm pse i ikën një
> grup deputetësh.
> Historia e krizave të këtij Kuvendi, në të vërtetë,
> përveç mungesës së legjitimitetit, tregoi rëndësinë e
> madhe të parlamentarizmit dhe ikjen nga epoka e
> Komitetit Qëndror të PPSH-së. Që nga vjeshta e vitit
> 2001, kur atij iu desh të zgjidhte një qeveri pa pasur
> opozitën në sallë, dhe pas disa krizash të
> njëpasnjëshme në forumet e PS-së, të cilat nuk
> pranonin t'i jepnin mandatin Ilir Metës, kryeministrit
> me të cilin u vetëshpallën fitues të zgjedhjeve,
> Kuvendi provoi se parlamentarizmi ka fituar të drejtën
> për të diktuar lidershipin në Shqipëri. Nëse dikush
> kërkon të rrëzojë Sali Berishën apo Fatos Nanon nga
> politika, sytë duhet t'i mbajë nga salla e Kuvendit
> dhe jo nga tribunat e kongreseve të tyre.
> Në Janar të vitit 2002, Fatos Nano arriti të
> gjunjëzojë Ilir Metën me një grusht deputetësh, vetëm
> pse ata u bënë aq të mjaftueshëm sa mund të rrëzonin
> qeverinë.
> Po ashtu parlamentarizmi u bë leksion për zyrtarë të
> përdorur dhe të papërgjegjshëm që i kthyen
> institucionet në instrumente të spastrimit politik.
> Arben Rakipi dhe Fatos Klosi e pësuan në të vërtetë
> nga funksionimi i parlamentarizmit. Ata u viktimizuan
> nga aleancat fluide brenda Kuvendit, mes pozitës dhe
> opozitës, vetëm pse tentuan të përdoreshin deri në
> fund nga një klan i caktuar.
> Kuvendi po ashtu provoi të prodhojë një president
> konsensual dhe një prokuror të pranuar nga të gjitha
> palët. Ai dështoi tek cilësia, por nuk gaboi tek
> mekanizmi. Zhgënjimi për nivelin e ulët të Moisiut dhe
> Sollakut, ka ngritur shumë pikëpyetje për vlerat e
> parlamentarizmit, por në fakt mekanizëm më të mirë se
> ai, ende nuk ka, për të shkuar drejt figurave të
> pranueshme. Problem mbetet cilësia dhe ajo mund të
> përmirësohet kur t'i gjendet punës zot dhe jo
> pensionistëve pleq apo të rinj, punë.
> Por në ditët e fundit të tij Kuvendi la si trashëgim
> për politikën shqiptare ADN-në e tij, e cila mbetet
> precedenti i Dushkut. Me një qetësi të frikshme,
> socialistët imponuan një procedurë lehtësuese për t'u
> aplikuar ky rast edhe në këto zgjedhje. Me sa duket
> Kuvendi i ri duhet doemos të ruajë vazhdimësinë
> genetike të këtij mandati, duke e shpërndarë virusin e
> Dushkut në 100 zona elektorale.
>
>
> POLITIKA
>
> Prezantohen nga kryetari i Partisë Demokratike, Sali
> Berisha kandidaturat e Vlorës
>
> Kandidatët: Do mbrojmë votat e vlonjatëve
>
> Kandidatët e Partisë Demokratike në rrethin e Vlorës
> garantuan zgjedhësit vlonjatë se vota e tyre do të
> jetë e mbrojtur dhe do të shkojë në drejtimin që ata i
> kanë dhënë. Kandidatët e PD-së, të prezantuar dje nga
> kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, u
> angazhuan para elektoratit se vota e asnjë qytetari
> nuk do të mund të preket në zgjedhjet e 3 korrikut.
> Kandidatët thanë se siguria që ata ofrojnë për votën e
> tyre, do të stimulojnë qytetarët për të shkuar në
> votime.
> Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi
> dje në Vlorë kandidatët Bujar Leskaj, Ardian Kollozi,
> Moisi Meminaj, Genci Panozaqi dhe Xhevahir Rexhepi.
> Mijëra qytetarë kanë pritur vizitën e liderit demokrat
> dhe prezantimin e kandidatëve të rrethit të Vlorës.
> Kandidatët janë zotuar unanimisht se vota e qytetarëve
> vlonjatë nuk do të mund të preket siç është bërë në
> zgjedhjet e kaluara. Pas prezantimit nga ana e
> liderit të opozitës, kanë marrë fjalën me radhë të
> gjithë kandidatët e PD-së në këtë qytet. Kandidati
> Bujar Leskaj është përqendruar shumë tek siguria që
> ata ofrojnë ndaj votës së qytetarëve. Kandidatët e
> Partisë Demokratike janë shprehur se në zgjedhjet e
> kaluara, vullneti i qytetarëve të Vlorës është
> nëpërkëmbur, ndërsa me 3 korrik s'do të guxojë njeri
> të prekë votën e qytetarëve vlonjatë. Kandidatët
> thanë se kjo garanci që ata ofrojnë, do të bëjë që
> qytetarët të drejtohen për tek kutitë e votimit, pa
> frikën se vota e tyre do të deformohet.
> Në fjalimet e tyre kandidati i zonës 93 Moisi Meminaj,
> i zonës 94, Bujar Leskaj, i zonës 95 Genc Panazaqi, i
> zonës 96 Ardian Kollozi dhe i zonës 97 Xhevahir
> Rexhepi, kanë shpalosur edhe projektet e tyre për
> zonat respektive. Të bazuar në programin e Partisë
> Demokratike, kandidatët kanë folur për fushat
> prioritare ku do të përqendrohet puna e tyre.
> Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha shpalosi
> para qytetarëve të Vlorës programin e Partisë
> Demokratike. Berisha tha para qytetarëve se Vlora do
> të ngelet perla e turizmit shqiptar. Berisha u shpreh
> i sigurt se qytetarët vlonjatë do të bëhen pjesë e
> projektit të Partisë Demokratike, "projektit të
> ndryshimit të madh", siç e quajti vetë kryetari i
> PD-së.
>
>
> Do fitoj se jam rritur mes respektit të vlonjatëve
>
> Ardian Kollozi
>
> Së pari dua të falenderoj strukturat këtu në bazë,
> kryesinë qëndrore dhe dr. Berishën për propozimin dhe
> për zgjedhjen e kandidaturës sime për garën e tre
> korrikut.
> E konsideroj pa dyshim nder dhe privilegj faktin që
> Partia Demokratike më zgjodhi dhe më mbështet duke më
> vënë në rreth të parë në këtë iniciativë të madhe për
> të kthyer shpresën dhe për të dnryshuar Vlorën.
> Slloganin "Koha për Ndryshim" ne e konsiderojmë si një
> ftesë të hapur dhe të sinqertë që PD i ka bërë çdo
> shqiptari që e konsideron ndryshimin si zgjidhjen e
> vetme që shoqëria shqiptare të mudn të dalë nga ky
> ngërc asfiksues në të cilin e ka zhytur qeverisja
> socialiste. Në konceptin tonë, ardhja e PD dhe e
> aleatëve të saj në pushtet nuk është thjesht rotacion
> politik, por është dhe ndryshim cilësor që buron nga
> qëllimi, vendosmëria, përkushtimi, alternativa dhe
> programi.
> Unë kam besim të plotë se do t'ju sjell juve dhe
> gjithë komunitetit që unë kërkoj të përfaqësoj zërin e
> vlonjatit si demokrat, si qytetar, si intelektual dhe
> si banor model i këtij qyteti.
> Unë do të fitoj se jam rritur mes respektit dhe
> dashurisë së këtij komuniteti dhe kam besim tek fuqia,
> tek aftësitë e mia dhe tek përkushtimi im se do t'ju
> kthej me tepri të gjithë ato që unë kam marrë nga ju.
>
>
> Berisha: Do përkrah në Kuvend çdo projekt për
> zhvillimin e Vlorës
>
> Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi
> ditën e djeshme, gjatë prezantimit të kandidatëve
> vlonjatë, se do të përkrahë çdo projekt të deputetëve
> vlonjatë, për ta bërë Vlorën një zonë me turizëm të
> zhvilluar. "Unë dua t'ju jap juve fjalën e nderit se
> do të qëndroj fuqishëm në krah të deputetëve tuaj për
> të mbështetur ata në çdo projekt me të cilin ne duam
> që ndryshimin ta shndërrojmë në një mirësi e në një
> mbarësi për çdo qytetar të Vlorës, për çdo shqiptar,
> unë do t'i mbështes fuqishëm deputetët tuaj, sepse
> Vlora në projektin tonë është poli më i fuqishëm
> turistik i Shqipërisë. Turizmi është përparësia jonë
> absolute", tha Berisha. "Dëshiroj që në këtë
> prag-fitoreje t'ju përshëndes juve të pranishmëve në
> sallë, të përshëndes të gjithë qytetarët e Vlorës për
> mbështetjen e fuqishme që i dhanë PD-së me vendimin e
> tyre historik për të votuar në shumicë dërrmuese PD-në
> dhe opozitën në 3 korrik për të vendosur Vlorën dhe
> Shqipërinë në rrugën e shpresës në rrugën e
> ndryshimit, punësimit dhe integrimit", tha Berisha në
> fjalimin e tij. Në vijim kryetari i PD-së tha: "Sot,
> shqiptarët, nga Konispoli në Vermosh, mbi 3/4 e tyre
> kanë firmosur me gjithë zemër ndryshimin e Shqipërisë.
> Koha për ndryshim është një thirrje që buron nga
> thellësia e shpirtit të shqiptarëve, të atyre që janë
> pa punë, të atyre që punojnë, të atyre që i marrin
> ushqimet me listë". Në vijim të fjalës së tij,
> kryetari i PD-së sqaroi edhe pikat kryesore të
> projektit të qeverisjes së ardhshme të PD-së.
>
>
> T'i japim një të ardhme, historisë sonë!
>
> Xhevair Rexhepi
>
> Ka pasur disa arsye të forta për të marrë vendimin që
> t'ju përfaqësoj juve, në Kuvendin e Shqipërisë.
> Arsyeja themelore është se zona jonë, është zona që
> është përdorur më shumë në historinë e Shqipërisë nga
> politika, por thuajse asnjëherë politika nuk është
> përdorur në të mirë të zonës sonë. Në emrin tonë, në
> emër të gjyshërve dhe baballarëve tanë, janë bërë
> luftëra, janë përmbysur regjime dhe pushtete, por siç
> e shikojmë, asnjëherë nuk kemi mundur të bëjmë diçka
> për veten tonë dhe zonën tonë. Kjo sepse politika nuk
> ka folur kurrë me zërin tonë në pushtet, por vetëm ka
> përfituar nga emri ynë.
> Ne kemi nevojë për t'i dhënë një të ardhme të shkuarës
> sonë. Zona jonë po shkon drejt zbrazjes së plotë, për
> shkak se jeta këtu po bëhet e papërballueshme.
> Fshatarët tanë nuk kanë ku të shesin produktet
> blegtorale dhe bujqësore. Për ta mungon tregu dhe
> konkurrenca e monopoleve i ka kthyer ata në qenie
> vetushqyese. Ata jetojnë vetëm për të punuar dhe për
> të siguruar koston minimale të jetesës. Ne duhet ta
> përdorim pasurinë natyrore të zonës dhe
> origjinalitetin e produkteve të saj, për të krijuar
> një treg të shtrenjtë, jo vetëm për Shqipërinë, por
> dhe jashtë saj. Që të arrihet kjo, duhet që zëri juaj
> në Kuvend të jetë i lidhur me ju, të ndajë hallet dhe
> gëzimet me ju, dhe të jetë avokati juaj për t'i kthyer
> dinjitetin dhe të ardhmen zonës sonë.
> Në veçanti dua t'iu drejtohem djemve dhe vajzave të
> reja të zonës sonë, që po rriten me ankthin e fatit të
> pasigurt në jetë. Ju drejtohem atyre që kanë të drejtë
> të votojnë për herë të parë, dhe që duhet doemos të
> vendosin për ndryshimin e fatit të jetës së tyre. Ka
> ardhur vërtet koha për të ndryshuar fatin e tyre.
> Përdoreni të drejtën tuaj për të votuar për të
> ndryshuar fatin tuaj, të familjes suaj dhe të zonës në
> përgjithësi. Jepini shans shpresës, përmes ndryshimit.
> Zgjedhjet janë një rast për të ndryshuar jetën tuaj
> dhe jo një mundësi për të mbrojtur privilegjet e atyre
> që qeverisin. Në rast se gjërat shkojnë keq, nuk do të
> mund të vendosni përsëri.
> Ata që duan që të mos u mbetet bulmeti në shtëpi,
> duhet të votojnë ndryshimin!
> Ata që duan të gjejnë treg për produktet e tyre
> bujqësore duhet të votojnë ndryshimin!
> Ata që duan të jenë të lirë për të konkurruar në
> tregti dhe biznes, duhet të votojnë ndryshimin!
> Ata që duan të çojnë fëmijët në shkollë të lartë, pa
> pasur nevojë të paguajnë ryshfete, duhet të votojnë
> ndryshimin!
> Ata që duan të kenë të sigurt fëmijët në shtëpi dhe
> jashtë saj, duhet të votojnë ndryshimin!
> Ata pensionistë që kanë punuar gjithë jetën në
> kooperativë dhe tani janë pa pension, duhet të votojnë
> ndryshimin!
> Ata minatorë që u ka ikur jeta nën tokë, dhe tani nuk
> kanë me se jetojnë mbi tokë, duhet të votojnë
> ndryshimin!
> Unë jam këtu për t'i dhënë një shpresë jetës suaj të
> vështirë.
> Është koha për të ndryshuar jo vetëm fatin tuaj, por
> dhe fatin dhe historinë e miliona shqiptarëve.
>
>
> Ju premtoj Vlorën!
>
> Nga Bujar Leskaj
>
> Miq të mi vlonjatë. Nëse ka një vend në Shqipëri, të
> cilit i ka ardhur koha të ndryshojë, është Vlora...
> Ka ardhur koha, të ndryshojë, së pari besimi ynë, se
> Vlora do t'i kthehet fitores së Partisë Demokratike.
> Ky besim na ka pushtuar të gjithëve, për shkak se kemi
> ndryshuar të gjithë, kemi ndryshuar vetveten, kemi
> ndryshuar dhe forcuar PD-në, kemi ndryshuar dhe
> forcuar lidershipin, kemi ndryshuar dhe ofruar një
> projekt që do të shpëtojë Vlorën dhe Shqipërinë nga
> kriza në të cilën kanë hyrë.
> Kemi ndryshuar dhe rritur, mbi të gjitha, miqtë tanë
> në Shqipëri dhe në botë.
> Kemi ndryshuar, ndaj ka ardhur koha të udhëheqim
> ndryshimin...
>
> Ka ardhur koha të ndryshojë pushteti, për të shpëtuar
> shtetin.
> Ne nuk jemi bërë bashkë për të ndryshuar disa zyrtarë
> nga ndërtesat e qeverisë.
> Ne po vijmë në pushtet për të ndryshuar fatin e këtij
> vendi, i cili po shkon drejt greminës.
> Ne do të ndryshojmë fatin e atij qytetari që paguan
> ryshfete për zyrtarët, do të ndryshojmë fatin e atij
> qytetari që paguan gjoba në vend të taksave normale,
> do të ndryshojmë fatin e atij pensionisti që me
> pension nuk paguan dot as gjysmën e gjobës që i vendos
> KESH-i, do të ndryshojmë fatin e atij mësuesi, që
> është shumë herë më i varfër se shumë nga nxënësit e
> tij, do të ndryshojmë fatin e atyre nëpunësve të
> shtetit të cilët nuk kanë fuqi të jenë të ndershëm,
> sepse janë të shtypur nga ingranazhi i korrupsionit që
> vë në lëvizje këtë qeveri.
>
> Ka ardhur koha për të ndryshuar fatin e qytetit tonë.
> Ne kemi hyrë në këtë garë për t'u bërë deputetë të
> Vlorës dhe jo për t'u bërë Vlora pronë e deputetëve,
> siç është bërë sot.
> Ne po hyjmë në këtë garë për të ndryshuar fatin e një
> qyteti, ku nuk fillon dot në punë, po nuk njohe
> deputetin.
> Ne do të ndryshojmë fatin e një qyteti ku nuk investon
> dot në asnjë ndërtim, pa bërë ortak deputetin.
> Ne do të ndryshojmë fatin e një qyteti ku nuk bën dot
> tregti, po nuk ndave fitimin me deputetin.
> Ne do të ndryshojmë fatin e një qyteti ku nuk jeton
> dot i lirë, nëse je kundërshtar i një deputeti.
> Unë do të jem deputet i Vlorës, dhe Vlora do të jetë
> pronë e qytetarëve të saj.
>
> Ka ardhur koha të ndryshojmë fatin e qytetarëve të
> Vlorës.
> Ky qytet ka vujtur më shumë se kush në shqipëri nga
> ndarja dhe hakmarrje e verbër shpesh herë dhe klasore.
>
> Ne do ta ndryshojmë këtë histori të tij.
> Unë ashtu sic do të marrë votat e PD dhe qytetarëve të
> paangazhuar, do të marrë dhe votat e zgjedhësve të
> majtë të zhgënjyer, pasi edhe ata kanë vuajtur këto
> vite njësoj si ju, dhe ata kanë mbetur pa punë njësoj
> si ju, dhe ata kanë paguara taksa të larta dhe të
> fshehta njësoj si ju. Por në ndryshim me ju, ata janë
> poshëtruar më shumë, pasi ata kanë shpresuar tek vota
> e tyre për socialistët. Tani ata po shikojnë se me
> votat e tyre i kanë bërë keq vetes, familjeve të tyre
> dhe fqinjëve të tyre.
> Ata do të votojnë për ne dhe ne do ndryshojmë së pari
> jetën e tyre...
>
> Ka ardhur koha të ndryshojë fati i zgjedhjeve të lira
> në Vlorë.
> Në këtë qytet ka shumë legjenda të shpikura nga ata që
> vijnë në pushtet me armë.
> Në këtë qytet ka ende fantazma të atyre që duan të
> trembin Vlorën.
>
> Unë kam ardhur të kërkoj votën tuaj, së pari se ju
> garantoj se do ta mbroj atë!... Votoni dhe mos ktheni
> kokën pas, se keni një njeri të sigurt që do ta mbrojë
> dhe numërojë atë votë.!...
> Votoni dhe mos kini frikë nga ata që ju kanë lënë
> jashtë listave të votimit, se të gjithëve do t'ju çoj
> në kutitë e votimit.
> Votoni dhe mos u trembni nga një kryetar bashkie, i
> cili përpiqet t'i kthejë borxhet kundërshtarit tim,
> duke manipuluar listat e zgjedhjeve.
> Ne do t'ia dalim të votojmë dhe të numërojmë votat
> tona. Me votat e tyre nuk kemi punë, se ato do të jenë
> shumë pak...
>
> Dhe në fund dua të them dy fjalë për mandatin tim si
> deputet i Vlorës. Atë mandat nuk do ta përdor për të
> ndërtuar pallate në tokat e të tjerëve, apo për të
> mbrojtur bizneset e paligjshme, siç bëjnë
> kundërshtarët tanë që e kanë kthyer Vlorën në çiflig.
> Mandatin tim si deputet do ta përdor për të kthyer
> Vlorën në normalitet, për t'i dhënë fund ndarjes dhe
> hakmarrjes klasore, për t'i hapur Vlorës perspektivën
> e madhe të biznesit dhe turizmit, për t'i hapur Vlorës
> dritën jeshile të investimeve dhe uljes së papunësisë.
> Mandatin tim do ta përdor për të ndaluar rreziqet që
> kërcënojnë Vlorën, për të marë bashkë me ju një vendim
> se çdo të bëjmë me të ardhmen e Vlorës dhe rreziqet që
> paraqesin për të projektet e fshehta dhe të paqarta të
> pushtetarëve tanë, që mbulohen me maskën e investimeve
> ndërkombëtare.
> Unë nuk ju premtoj se ndryshimi mund të sjellë për ju
> parajsën dhe pasuritë përrallore, por ju premtoj se do
> t'ju rikthej Vlorën...
> ...Ju premtoj Vlorën!
>
>
> Presidenti Moisiu i bëri thirrje dje Partisë
> Socialiste të mos përdorë institucionet shtetërore dhe
> paratë publike në funksion të fushatës së saj
>
> Moisiu: Këto zgjedhje, si ato të '92-it
>
> Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu i ka bërë
> thirrje dje Partisë Socialiste që të mos përdorë
> institucionet shtetërore dhe paratë publike në
> funksion të fushatës së saj elektorale. Gjatë një
> mesazhi që lexoi dje në Kuvend, Moisiu tha se rëndësia
> e zgjedhjeve të tre korrikut është e barabartë me
> rëndësinë e zgjedhjeve të vitit 1992, kur shqiptarët u
> shkëputën nga diktatura komuniste. "Pas 45 ditësh
> shqiptarët do të kenë rastin që me votën e tyre të
> fshehtë e të lirë të zgjedhin parlamentin e ri
> shqiptar. Nga të gjithë tashmë pranohet se këto
> zgjedhje janë vendimtare për Shqipërinë. Në pikëpamjen
> time, rëndësia e tyre mund të krahasohet me zgjedhjet
> e viteve të para të ndryshimit të madh demokratik," u
> shpreh Moisiu para deputetëve. Moisiu tha se ka ardhë
> koha për zgjedhje të lira e të ndershme dhe se partia
> qeverisëse të heqë dorë nga përdorimi i funksioneve
> publike në favor të fushatës së saj.
> "Po aq e rëndësishme është që në procesin e zgjedhjeve
> të ndahen qartas interesat e shtetit nga interesat e
> partive politike. Në këto zgjedhje nuk është shteti në
> fushatë, por janë partitë politike që konkurrojnë për
> të drejtuar institucionet politike të shtetit.
> Bërthama e shtetit duhet të mbetet tërësisht e
> paprekur," u shpreh Moisiu. Presidenti i Republikës i
> kërkoi partisë qeverisëse të mos përdorë fondet
> publike për interesa elektorale. "Ftoj forcat
> politike, sidomos ato në qeverisje, të mos nxisin,
> shfrytëzojnë ose lejojnë asnjë ndikim politik, ligjor
> apo financiar të këtyre institucioneve mbi fushatën e
> tyre elektorale. Fondet, mjetet dhe institucionet
> publike janë të të gjithë qytetarëve, ndaj askush nuk
> duhet lejuar t'i përdorë ato për interesa elektorale,"
> u shpreh Moisiu. Presidenti shtoi se zgjidhja më e
> mirë në këtë situatë është, që titullarët socialistë
> të institucioeneve të japin dorëheqje. "Titullarët e
> zgjedhur apo të emëruar të enteve shtetërore e
> publike, që administrojnë shifra të mëdha financiare
> apo kanë për detyrë të sigurojnë shërbimet bazë për
> qytetarët, u takon ta rishikojnë pozicionin e tyre
> zyrtar në raport me fushatën. Krahas detyrimeve
> ligjore ka edhe detyrime morale, të cilat sidomos në
> politikë janë të një rëndësie shumë të madhe," tha
> Moisiu. Presidenti vërejti në mesazhin e tij edhe
> tentativën për të deformuar forcën e votës. "Në një
> kuadër më të gjerë ju ftoj të mos shfrytëzoni ndonjë
> paqartësi apo hapësirë ligjore për të përfituar
> mandate dhe interesa politike tej vullnetit real të
> popullit dhe frymës së kushtetutës. Deformimi i
> vullnetit të zgjedhësve në thelb bie ndesh me
> Kushtetutën, me imazhin tonë europian, me moralin
> qytetar dhe me interesat madhore të vendit," ishte
> thirrja e Moisiut. Presidenti tha se është i bindur që
> Shqipëria do të kalojë testin në zgjedhjet e tre
> korrikut. "Më 3 korrik nuk kërkohet ndonjë mrekulli
> apo sakrificë mbinjerëzore. Qytetarët duhet të shkojnë
> të votojnë dhe të zgjedhin me vullnetin e lirë e të
> fshehtë përfaqësuesit e tyre për katër vitet e
> ardhshme. Kjo është një provë që e kanë kaluar me
> sukses të gjithë popujt e rajonit dhe të kontinentit,"
> u shpreh Moisiu. Ai tha se pjekuria e tanishme e
> klasës politike do të bëjë që të lihet pas
> tranzicioni. "Tani Shqipëria është gati, mendoj unë,
> të ndahet nga tranzicioni. Një pjesë e mirë e klasës
> së sotme politike në tërësi po dëshmon se është e aftë
> të marrë dhe të mbajë përgjegjësitë e saj. Ndonëse
> mjaft e re, klasa politike ka patur shansin të mësojë
> dhe duhet të mësojë edhe më shumë nga gabimet e
> tranzicionit," u shpreh Moisiu.
>
> Ta lëmë pas tranzicionin
>
> Tani Shqipëria është gati, mendoj unë, të ndahet nga
> tranzicioni. Një pjesë e mirë e klasës së sotme
> politike në tërësi po dëshmon se është e aftë të marrë
> dhe të mbajë përgjegjësitë e saj. Ndonëse mjaft e re,
> klasa politike ka patur shansin të mësojë dhe duhet të
> mësojë edhe më shumë nga gabimet e tranzicionit
>
> Të votojmë si në vitin 1992
>
> Pas 45 ditësh shqiptarët do të kenë rastin që me votën
> e tyre të fshehtë e të lirë të zgjedhin parlamentin e
> ri shqiptar. Nga të gjithë tashmë pranohet se këto
> zgjedhje janë vendimtare për Shqipërinë. Në pikëpamjen
> time, rëndësia e tyre mund të krahasohet me zgjedhjet
> e viteve të para të ndryshimit të madh demokratik.
>
> Tre korriku, testi i madh për Shqipërinë
>
> Më 3 korrik nuk kërkohet ndonjë mrekulli apo sakrificë
> mbinjerëzore. Qytetarët duhet të shkojnë të votojnë
> dhe të zgjedhin me vullnetin e lirë e të fshehtë
> përfaqësuesit e tyre për katër vitet e ardhshme. Kjo
> është një provë që e kanë kaluar me sukses të gjithë
> popujt e rajonit dhe të kontinentit.
>
> PS të mos deformojë votën
>
> Në një kuadër më të gjerë ju ftoj të mos shfrytëzoni
> ndonjë paqartësi apo hapësirë ligjore për të përfituar
> mandate dhe interesa politike tej vullnetit real të
> popullit dhe frymës së kushtetutës. Deformimi i
> vullnetit të zgjedhësve në thelb bie ndesh me
> Kushtetutën, me imazhin tonë europian, me moralin
> qytetar dhe me interesat madhore të vendit.
>
> PS të mos përdorë shtetin për garën e vet
>
> Po aq e rëndësishme është që në procesin e zgjedhjeve
> të ndahen qartas interesat e shtetit nga interesat e
> partive politike. Në këto zgjedhje nuk është shteti në
> fushatë, por janë partitë politike që konkurrojnë për
> të drejtuar institucionet politike të shtetit.
> Bërthama e shtetit duhet të mbetet tërësisht e
> paprekur
>
> Qeveria të mos përdorë fondet publike për fushatë
>
> Ftoj forcat politike, sidomos ato në qeverisje, të mos
> nxisin, shfrytëzojnë ose lejojnë asnjë ndikim politik,
> ligjor apo financiar të këtyre institucioneve mbi
> fushatën e tyre elektorale. Fondet, mjetet dhe
> institucionet publike janë të të gjithë qytetarëve,
> ndaj askush nuk duhet lejuar t'i përdorë ato për
> interesa elektorale.
>
> Titullarët e institucioneve të japin dorëheqje
>
> Titullarët e zgjedhur apo të emëruar të enteve
> shtetërore e publike, që administrojnë shifra të mëdha
> financiare apo kanë për detyrë të sigurojnë shërbimet
> bazë për qytetarët, u takon ta rishikojnë pozicionin e
> tyre zyrtar në raport me fushatën. Krahas detyrimeve
> ligjore ka edhe detyrime morale, të cilat sidomos në
> politikë janë të një rëndësie shumë të madhe.
>
> Transparencë për paratë e fushatës
>
> Disa shqetësime lidhen edhe me tendencat për të fituar
> dhe deformuar votën e zgjedhësve përmes financimeve të
> dyshimta dhe formave të tjera komprometuese.
> Elektorati duhet ta dijë dhe duhet ta dijë mirë, ku
> merren paratë, me të cilat financohen fushatat
> elektorale apo bëhen dhurata luksoze për zgjedhësit;
> nga dalin fondet që përdoren për ndihma humanitare.
>
> Pse kaq pak gra kandidate
>
> Më lejoni gjithashtu të rishpreh shqetësimin tim të
> thellë për numrin e pakët të kandidateve femra në
> zgjedhje. Jam i bindur se shoqëria shqiptare është në
> atë stad zhvillimi, sa do të kishte preferuar shumë më
> tepër gra kandidate. Po ashtu kam bindjen e plotë se
> komuniteti i vajzave dhe grave kanë potenciale
> intelektuale po aq të mëdha sa edhe pjesa tjetër e
> shoqërisë.
>
> Të marrë fund problemi i listave
>
> Në veçanti ata duhet të zgjidhin me transparencë dhe
> besueshmëri problemin e listës së zgjedhësve. Në
> mënyrë paradoksale, shqetësimet kryesore kanë ardhur
> kryesisht nga kryeqyteti dhe qytetet e tjera të mëdha,
> ku edhe infrastruktura dhe mundësitë e verifikimit
> janë në nivel shumë më të lartë sesa në zonat e
> periferisë.
>
>
> Komisioni i Posaçëm Parlamentar për Listat shtyn
> punimet deri me 30 maj
>
> Dhjetë për qind e popullsisë, e paregjistruar
>
> Memia: "Do të bëjmë të pamundurën që në këto ditë që
> na kanë ngelur të bëjnë që çdo qytetar i vendit të
> gjejë veten në lista dhe të ketë të drejtën e votës.
> Po punojmë në çdo zonë për të shmangur problemet që
> janë vënë re gjatë punës së komisionit."
>
> Problemet e shumta në listat e zgjedhësve që janë
> konstatuar nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar për
> këtë çështje, kanë detyruar deputetët që të shtyjnë
> punimet e komisionit deri me 30 maj. 44 grupet
> hetimore të këtij komisioni kanë evidentuar një sërë
> problemesh me listat e votuesve të 3 korrikut.
> Deputeti Shaban Memia tha dje në Kuvend se nga 5 deri
> në 10 për qind e zgjedhësve në rang kombëtar nuk
> figurojnë në lista ose janë të shpërndarë në mënyrë jo
> të drejtë.
> Komisioni me bashkëkryetarë, Jemin Gjanën dhe Elmaz
> Sherifin, i ka dërguar një shkresë ministrit të
> Pushtetit Vendor dhe Decentralizimit, Ben Blushit, për
> të ofruar bashkëpunim në zgjidhjen e kësaj situate. Në
> seancën e djeshme plenare pati diskutime në lidhje me
> shtyrjen e punimeve të komisionit të posaçëm për
> Procesin Zhgjedhor.
> Fillimisht kërkesa e bërë nga deputeti i Partisë
> Demokratike për shtyrjen e afatit kohor të Komisionit
> të Posaçëm, nuk është pranuar nga deputetët
> socialistë, duke thënë se nuk kishte afat, pasi
> Kuvendi mbyll punimet ditën e sotme. Ndërkohë që pas
> mbarimit të seancës është zhvilluar një takim mes të
> dyja palëve, asaj të opozitës dhe pozitës, dhe është
> rënë dakord që Komisioni të vazhdonte punimet deri me
> datë 30 maj.
> "Do të bëjmë të pamundurën që në këto ditë që na kanë
> ngelur të bëjnë që çdo qytetar i vendit të gjejë veten
> në lista dhe të ketë të drejtën e votës. Po punojmë në
> çdo zonë për të shmangur problemet që janë vënë re
> gjatë punës së komisionit," tha deputeti Shaban Memia.
>
> Deputeti Memia tha gjatë seancës parlamentare se janë
> vënë re probleme edhe në gjendjet civile, burokracia e
> të cilave, vështirëson punën për regjistrimin e
> qytetarëve. "Probleme të shumta ka në zyrat e gjendjes
> civile, ku një qytetari i duhet të presë me orë të
> tëra të marrë një çertifikatë." tha Memia, duke shtuar
> se komisionit i duhet patjetër të vazhdojë punën deri
> në fund të majit.
> Kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi tha se shtyrja e
> Komisionit të Posaçëm duhet të bëhet me ligj dhe se
> tani për këtë ndryshim është vonë duke llogaritur se
> Kuvendi është në mbylljen e tij. Por pas një takimi
> dypalësh është rënë dakord për një shtyrje 10 ditore
> të punës së Komisionit të Posaçëm.
>
>
> OSBE e kishte konsideruar projekt-ligjin si nxitës të
> monopolit dhe favorizues të një subjekti
>
> Kuvendi nuk kalon projekt-ligjin për dixhitalin
>
> Kuvendi nuk ka kaluar dje projekt-ligjin për
> transmetimet dixhitale, duke e lënë që diskutimi i tij
> të bëhet në legjislaturën e ardhme që do të formësohet
> nga zgjedhjet e 3 korrikut. Megjithëse gjatë votimit
> ka pasur momente paqartësie, kryetari i Kuvendit
> Servet Pëllumbi tha se drafti nuk plotësoi votat e
> nevojshme për t'u shndërruar në ligj.
> Pas seancës ka pasur debate të ashpra nëse
> projekt-ligji kishte plotësuar numrin e nevojshëm të
> votave për të kaluar. Disa deputetë thanë se ligji
> ishte votuar me shumicë të thjeshtë të votave, dhe
> anullimi nga ana e Pëllumbit nuk ishte i ligjshëm.
> Deputetë të Partisë Socialiste këmbëngulën që
> projekt-ligji ishte votuar.
> Deputetët socialistë Musa Ulqini dhe Erion Braçe thanë
> se ligji është votuar dhe ka kaluar. Maxhoranca
> socialiste ka pasur një vendim unanim për të votuar
> projekt-ligjin. Kryetari i Grupit Parlamentar të
> Socialistëve, Gramoz Ruçi u ka tërhequr vëmendjen tre
> ministrave të kabinetit qeveritar që votuan kundër
> vendimit të grupit parlamentar.
> Kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi hodhi poshtë
> pretendimet e deputetëve socialistë duke thënë se
> projekt-ligji nuk ka plotësuar numrin e nevojshëm të
> votave, kështu që i bie që ai të trajtohet në Kuvend,
> legjislaturën e ardhshme. Pëllumbi tha se ky
> projekt-ligj, nuk respektonte standardet ndërkombëtare
> dhe se ai kur të miratohet, duhet të bëhet në
> përputhje me legjislacionin e Bashkimit Europian.
> Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Europian e ka
> konsideruar këtë projekt-ligj si të papërshtatshëm dhe
> nxitës të monopolit në tregun e transmetimeve
> dixhitale. "Shqetësimi kryesor, të cilin e kemi
> shprehur edhe në komentet për projektligjin, të
> përgatitura së bashku me organizata të tjera
> ndërkombëtare, është se, nëse projektligji i ndryshuar
> miratohet ashtu siç është, ai do të përbënte "de
> facto" një monopol për një transmetues. Kuvendi është
> informuar më së miri për këtë shqetësim tonin, përmes
> komenteve tona," është shprehur shefi i prezencës së
> OSBE-së në Tiranë, Pavel Vaçek.
> Vaçek ka zhvilluar para pak kohësh një takim me
> Kryetarin e Kuvendit, Servet Pëllumbi, të cilit i ka
> bërë të qartë qëndrimin e OSBE-së kundër këtij
> projekt-ligji, i cili do të favorizonte vetëm një
> aktor në treg. "Ekspertiza e organizatave
> ndërkombëtare u reflektua fillimisht në projektligjin
> fillestar të dhjetorit 2004. Komentet për
> projektligjin e ndryshuar, të cilat ne ia paraqitëm
> Kuvendit më 13 maj, vetëm reagonin ndaj projektligjit
> të ndryshuar në prill, i cili kishte ndryshuar pikat
> kryesore të projektligjit të ekspertëve," tha Vaçek.
> Pavël Vaçek ka konstatuar se projekt-ligji i
> pregatitur edhe me sugjerimet e ekspertëve të OSBE-së
> është ndryshuar papritur dhe nuk dihet se pse është
> bërë ndryshimi. "Unë, gjithashtu, theksoj se ne nuk
> kemi synuar kurrë të shkaktojmë vonesa në procesin
> legjislativ, i cili është ende në kohë për t'u
> përfunduar. Ne përgatitëm një projektligj të mirë
> ekspertësh, brenda dy javëve, që në dhjetor 2004. Ne e
> bëmë këtë gjë me kërkesë të Komisionit të Mjeteve të
> Informimit Publik dhe të KKRT-së, megjithatë drafti i
> ekspertëve u ndryshua papritur vetëm në fund të
> prillit. I takon publikut shqiptar të nxjerrë
> përfundimin se pse ndodhi kjo," tha Vaçek.
>
>
> Lesi: Nano ka frikë nga imuniteti im
>
> Kryetari i Partisë Demokristiane, Nikoll Lesi deklaroi
> për mediat ditën e djeshme, se çështja e heqjes së
> imunitetit të tij nuk u diskutua në Kuvend, sepse
> kryeministri Nano u trembet fakteve dhe votimit. Sipas
> Lesit, mos futja për votim e imunitetit të tij u
> njoftua ditën e djeshme nga drejtuesit e Kuvendit. "Ky
> lloj komunikimi i Byrosë Parlamentare nepërmjet
> drejtuesve të parlamentit tregon se zoti Nano ose më
> saktë familja mbretërore socialiste Nano ka frikë nga
> të vërtetat që unë do të pohoja dhe do të nxirrja në
> seancën e debatit për këtë çështje, ka frikë nga
> votimi qe nuk do jetë si heren e pare, ku ai humbi me
> 70 vota, ndersa këtë radhe ai do të humbte me 100
> vota," tha Nikoll Lesi. Deputeti, Lesi deklaroi se
> Prokuroria e Përgjithshme e ka fshehur një pjesë të
> dosjes, ku paraqiten prova komprometuese për
> kryeministrin Nano. "Insistoj se në dosjen në
> Prokurorinë e Përgjithshme ka materiale dhe kaseta që
> Fatos Nanos, sipas rregullores së parlamentit, duhet
> t'i hiqet imuniteti dhe të kërkohët arrestimi i tij.
> Eshtë dosja e plotë, dosje qe une do t'i kërkoja
> Prokurorit te Përgjithshëm te vinte me të në seancë
> plenare" tha Nikoll Lesi. Në lidhje me gjëndjen e tij,
> Lesi sqaroi se sipas kushtetutës, imuniteti i tij
> quhet, imunitet i ngrirë, pra dhe me imunitet, dhe pa
> imunitet.
>
>
> Përkujtohen nëntë ushtarakët amerikanë që humbën jetën
> nga rrëzimi i avionit
>
> Zyra e Bashkëpunimit Ushtarak e Shteteve të Bashkuara
> dhe Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë përkujtuan
> ditën e djeshme nëntë ushtarakët amerikanë që humbën
> jetën në 31 mars në Shqipëri, si pasojë e rrëzimit të
> avionit ushtarak.
> Në ceremoninë përkujtimore merrin pjesë presidenti
> Alfred Moisiu, Ministri i Mbrojtjes Pandeli Majko,
> Ambasadorja e SHBA-së Marsi Ris dhe Komandanti i
> Komandës së Operacioneve Speciale për Europën, Major
> Gjeneral Csrnko dhe shumë pjesëtarë të skuadronit të
> humbur C-130.
> Departamenti i Mbrojtjes i ShBA-së dhe Ambasada e
> këtij vendi u shprehën mirënjohëse ndaj Ushtrisë
> shqiptare dhe autoriteteve civile për mbështetjen e
> madhe që dhanë në këtë tragjedi të ndodhur në
> territorin shqiptar.
> Nëntë ushtarakët amerikanë që humbën jetën, kishin një
> mision trajnimi të përbashkët me Ushtrinë shqiptare.
> Avioni i tyre C-130 gjatë kryerjes së misionit natën u
> përplas në një zonë të largët malore, rreth 50
> kilometra në jug lindje të Tiranës.
> Ushtria e e Shteteve të Bashkuara ka një marrëdhënie
> shumë të mirë bashkëpunimi me Shqipërinë në trajnimin
> dhe pajisjen e forcave të armatosura për anëtarësimin
> final të saj në NATO dhe në operacionet që zhvillohen
> në të gjithë botën.
>
>
> Nano në Hungari: Bisedime për regjimin e vizave
>
> Kryeministri Fatos Nano ka patur dje në Budapest një
> takim me presidentin hungarez, Ferenc Madl. Ky i
> fundit i tha Nanos se vendi i tij është i gatshëm të
> japë eksperiencën dhe mbështetjen e plotë për
> integrimin e Shqipërisë në Europë. "Presidenti
> hungarez ritheksoi se Hungaria do të japë mbështetjen
> e plotë në rrugën e integrimit dhe është e gatshme të
> japë eksperiencën e saj në këtë drejtim. Në këtë
> funksion, dy autoritetet vlerësuan se nënshkrimi i
> Memorandumit në fushën e integrimit është një bazë e
> mirë për ofrimin e asistencës dhe shkëmbimin e
> përvojave", thuhet në njoftimin për shtyp të
> kryeministrit Nano. Presidenti Madl tha se vizita e
> Nanos në Budapest do të ndikojë për mirë në
> marrëdhëniet mes dy vendeve si dhe për nxitjen e
> bashkëpunimit në shumë fusha. "Bashkëbiseduesit
> theksuan se ka ardhur koha e intensifikimit të
> marrëdhënieve në fushën ekonomike dhe shkëmbimeve
> tregtare. Presidenti hungarez tha se sipërmarrësit
> hungarezë kanë tashmë vlerësim pozitiv për Shqipërinë
> dhe interes për të marrë pjesë në proceset e
> privatizimit dhe investimit në Shqipëri. Po ashtu ata
> vlerësuan se Dhomat e Tregtisë së të dy vendeve duhet
> nxitur për të institucionalizuar marrëdhëniet e
> bashkëpunimit", vijon më tej njoftimi i kryeministrit.
> Në fund Nano i ka kërkuar presidentit hungarez që të
> lehtësohet regjimi i vizave mes dy vendeve për
> kategori të ndryshme.
>
>
> KQZ, regjistrohen 38 parti për garën elektorale të 3
> korrikut
>
> Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur
> dje se për zgjedhjet e tre korrikut janë regjistruar
> edhe 13 parti të tjera si dhe janë akredituar 34
> vëzhgues të ODIHR-it, të cilët do të ndjekin nga afër
> këtë proces. Mes partive të regjistruara gjatë ditës
> së djeshme janë Partia Demokratike, Partia Republikane
> por edhe ajo Komuniste. Kur kanë ngelur edhe pesë ditë
> nga mbyllja e afatit përfundimtar të regjistrimit të
> partive politike ose koalicioneve, deri tani janë
> regjistruar 38 parti, ndërkohë që numri i tyre pritet
> të rritet ditët e ardhshme. Gjithashtu dje janë
> akredituar pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve edhe
> 34 vëzhgues, të cilët do të monitorojnë nga afër
> fushatën elektorale, ditën e zgjedhjeve si dhe
> procesin e nxjerrjes së rezultateve. ODIHR ka kërkuar
> gjithashtu që të gjitha shtetet pjesëmarrëse në OSBE
> të dërgojnë 400 vëzhgues afatshkurtër, të cilët do të
> shpërndahen në të gjithë Shqipërinë. Ata do të jenë të
> ndarë në skuadra me nga dy persona dhe do të
> monitorojnë hapjen e qendrave te votimit, votimin,
> numërimin e votave dhe pasqyrimin e rezultateve ne te
> gjitha nivelet. 15 shtetet pjesëmarrëse në OSBE janë
> prezente me përfaqësues në Mision.
>
>
> Meta në Dibër: Qëllimi kryesor, rritja e punësimit
>
> Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir
> Meta, ka bërë prezantimin e kandidatëve të LSI për
> Peshkopinë, gjatë një mitingu që zhvilloi me
> simpatizantë të LSI-së në Peshkopi. Sipas Metës, Dibra
> ka katër vjet që është e braktisur dhe e harruar dhe
> për këtë arsye duhet të bashkohet me Lëvizjen
> Socialiste për Integrim. "LSI premton punë dhe
> investime, angazhohet për ndërtimin e veprave
> konkrete, që do të zhvillojë bujqësinë dhe industrinë
> agropërpunuese në këto zona dhe politika jonë e
> taksave ka si qëllim kryesor rritjen e punësimit, si
> elementi kryesor për të luftuar varfërinë," theksoi
> Ilir Meta. Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim
> shprehu përkrahjen dhe vlerësoi dy kandidatët për
> deputetë të LSI-së në Dibër, ekonomistin Besnik
> Nuredini dhe specialistin e bujqësisë Bajram Krashi.
> Ilir Meta u shpreh se pas zgjedhjeve parlamentare të 3
> korrikut, do të marrë iniciativën për organizimin e
> një konference donatorësh për Veriun, në Dibër.
>
>
> Bezhani: Votoni për LSI, si zgjidhje të problemeve
> tuaja
>
> Kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim në zonën
> 37, Viron Bezhani pati një takim me përkrahësit e
> LSI-së në këtë zonë. Në zonën 37, ku bën pjesë Kodra e
> Priftit, Fizika Bërthamore dhe Kinostudioja, Bezhani
> shprehu alternativën e tij për zgjidhen e problemeve
> të mprehta të zonës. "Duhet të ketë më shumë mirëqenie
> e shërbime publike për banorët e zonës, si dhe një
> vëmendje më e madhe ndaj shtresave në nevojë,
> veçanërisht ndaj pensionistëve," tha Bezhani.
> Kandidati për deputet, njëkohësisht edhe anëtar i
> Komitetit Drejtues Kombëtar, Viron Bezhani, deklaroi
> se do të bëjë një luftë të pakompromis ndaj
> monopoleve, abuzimeve dhe shkelësve të ligjit.
>
>
> Intervistë e Nënkryetarit të Partisë Demokratike
> prof.dr.Bamir Topi
>
> Koalicioni i opozitës ka rritur shanset për shumicë
> absolute
>
> Partia Demokratike në Shqipëri, duket se është shumë e
> sigurt për fitore në zgjedhjet e 3 korrikut.
> Nënkryetari i Partisë Demokratike Bamir Topi shpjegon
> se cilat janë arsyet e ardhjes së PD-së në pushtet,
> pas 8 vjetësh opozitë. Sipas tij, Partia Demokratike
> do të qeverisë në koalicion dhe se kjo fitore nuk do
> të vijë në sajë të përçarjeve të së majtës.
>
> Jemi në ditët e para të fushatës elektorale për
> zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut. Opozita duket
> shumë optimiste për fitore. Cilat janë arsyet që ju
> mendoni se do ta çojnë PD-në drejt pushtetit?
> Së pari, Partia Demokratike ka qenë ajo që gjatë
> opozitës më të vështirë që mund të ketë pasur një
> parti politike, ka ditur të mbrojë vlerat më të
> qenësishme të shoqërisë shqiptare, ndërkohë, kur
> pushteti socialist vuajti gjatë këtyre viteve nga një
> sëmundje mjaft e rëndë, sëmundje që erdhi gjithmonë
> duke u rënduar. Kjo sëmundje ishte korrupsioni, që e
> bëri shtetin të paqenë, që bëri që një pjesë e vogël e
> zyrtarëve të dalë dhe nga platforma e ideologjisë së
> majtë e të përfundojë një grup i vogël njerëzish në
> formën e klanit, që në një mënyrë ose një tjetër e
> zhvatën pasurinë kombëtare dhe krijuan një polaritet
> të jashtëzakonshëm ekonomik, një pjesë shumë e vogël
> njerëzish shumë të pasur dhe nga ana tjetër, një
> shoqëri e gjerë, e cila vuan nga papunësia, vuan
> standardet më të ulëta ekonomike dhe shoqërore.
> Nga kjo pikëpamje, Partia Demokratike është forcë e
> shpresës, e cila, nga ana e saj, ka projektuar një të
> ardhme me një platformë shumë të qartë politike, për
> të rikthyer besimin tek shteti, tek institucionet dhe
> për t'u kthyer besimin qytetarëve tek gjithçka që
> është brenda standardeve perëndimore.
>
> Çfarë ju bën juve të besoni se do të realizoni të
> gjithë ato premtime, të cilat keni bërë?
> Besojmë sepse ne kemi arritur të njohim fare mirë
> diagnozën e sëmundjes që ka pllakosur tërë
> institucionet shtetërore që drejtohen nga socialistët
> dhe kemi gjetur terapinë më të përshtatshme të
> mjekimit të kësaj sëmundjeje. Në radhë të parë, është
> platforma antikorrupsion, por me orientime shumë të
> qarta në të gjitha fushat e zhvillimit ekonomik dhe
> shoqëror, çka do të thotë që qytetari të përfaqësohet
> nga njerëz me integritet moral dhe profesional, që do
> të bëjnë të mundur realisht, daljen nga kjo gjendje
> katastrofike që sot pllakos në të gjitha
> institucionet.
>
> Zoti Topi, opozita dhe pozita janë gjëra të ndryshme.
> Mendoni se jeni gati për të bërë qeverisjen e re?
> Ekziston një klimë jashtëzakonisht optimiste, sepse,
> nga njëra anë, kemi një tregues të lartë të
> pakënaqësisë popullore për qeverisjen aktuale. Nga ana
> tjetër, ekziston edhe shpresa për rikthim të Partisë
> Demokratike, e cila ka ditur që, jo vetëm të bëjë
> opozitaren, por vitin e fundit, ajo ka hedhur me shumë
> profesionalizëm, mjaft skema të platformës mbi bazën e
> së cilës mund të realizojë qeverisjen e ardhshme.
> Besoj që jemi pikërisht në fillim të fushatës zyrtare
> elektorale dhe Partia Demokratike po përmbyll listën e
> ekipit elektoral, i cili do të rezultojë, padyshim,
> fitues i zgjedhjeve të 3 korrikut. Ka qenë një proces
> i gjatë i kualifikimit të kandidaturave dhe besoj që
> po zgjidhen kandidaturat më përfaqësuese dhe pas kësaj
> gare brenda strukturave të Partisë Demokratike, besoj
> se të gjithë janë të ndërgjegjshëm se do të mbështetet
> ai kandidat, i cili do të jetë kandidati zyrtar i
> Partisë Demokratike.
>
> E ndieni veten të favorizuar nga përplasja që mund të
> ketë Partia Socialiste me LSI-në?
> Unë asnjëherë nuk kam qenë dipendent i konjukturave
> politike në kampin kundërshtar. Unë, së pari, besoj në
> forcën e linjës së djathtë, që është konfiguruar mjaft
> qartë në forcat e mia dhe njerëzit që do të
> bashkëpunojnë me mua. Se ç'ndodh në kampin tjetër,
> është një çështje që u takon vetëm atyre.
>
> Sa do i shërbejnë fitores marrëveshjet e fundit që
> keni nënshkruar mes aleatësh?
> Çdo marrëveshje e këtij karakteri politik, me aleatët,
> të cilët janë projektuar në të djathtë është sa
> funksional, sa real, por edhe psikologjik.
> Kështu që unë mendoj se do t'i shërbejë asaj fryme që
> projektohet në elektorat, i cili, në mazhorancë me
> Partinë Demokratike, realisht ka edhe grupime
> shoqërore që përkrahin partitë e vogla, që janë në
> krahun e djathtë. Kështu që synimi ynë është të bëjmë
> që i gjithë fluksi elektoral i djathtë, të shkojë
> pikërisht tek ky koalicion, për të siguruar
> mazhorancën absolute në parlament.
>
> A do të bëni marrëveshje me LZHK-në?
> Natyrisht jemi në fazën e opinioneve që më shumë
> dëgjohen në ambiente joinstitucionale. Gjithsesi
> mendoj që rryma të caktuara brenda LZHK-së kanë
> treguar interesa të drejtpërdrejta të funksionimit në
> një koalicion të vetëm, por nuk ka asgjë të dukshme,
> zyrtare. Por, kanë mbetur gjithmonë në fazën e
> fjalëve.
>
> Situata parazgjedhore nuk duket shumë e qetë dhe
> konsensuale. Besoni se këto zgjedhje do të jenë të
> lira dhe demokratike?
> Unë mendoj që Partia Socialiste, gjatë gjithë këtyre
> kohëve, ka demonstruar një vullnet politik negativ për
> të realizuar zgjedhje sipas standardeve, por klima e
> përgjithshme politike, klima e përgjithshme shoqërore,
> presioni mjaft i madh institucional i institucioneve
> ndërkombëtare, do ta vendosë Partinë Socialiste para
> pozicionit, detyrim me përcaktim për të zhvilluar
> zgjedhje brenda standardit. Edhe opozita, nga ana e
> saj, partitë e opozitës dhe e tërë struktura e Partisë
> Demokratike, janë praktikisht në funksion për të
> riparuar listat dhe për t'i ndërtuar në një
> infrastukturë zgjedhore, të aftë për t'i fituar
> zgjedhjet dhe për t'i mbrojtur ato.
>
> Si do të veprojë opozita, nëse diçka nuk shkon mirë?
> Ne natyrisht që do të jemi nën monitorimin e
> institucioneve ndërkombëtare. Vëzhguesit e tyre kanë
> dhënë për më shumë se një herë ultimatum për Partinë
> Socialiste. Çka do të thotë se, nëse ato nuk i
> nënshtrohen verdiktit popullor, do t'i nështrohen
> dënimit të institucioneve ndërkombëtare. Dhe ju e dini
> se ç'do të thotë të biesh nën dënimin e institucioneve
> ndërkombëtare.
>
> Çfarë do të thotë?...
> Do të thotë të dënohesh mjaft rëndë për fajin e bërë.
>
> Nëse opozita humbet për shkak të parregullsive, cilat
> do të jenë hapat që ajo do të bëjë. Ndoshta, ndryshe
> nga ajo çfarë ka bërë herët e tjera?
> Po më bëni një pyetje që nuk ka shans të marrë një
> përgjigje reale. E them këtë, sepse ne kemi bërë të
> gjithë punën paraprake që opozita të fitojë zgjedhjet
> dhe me një rezultat të kënaqshëm për të realizuar
> qeverisjen. Kështu që, nga kjo pikëpamje, preferoj të
> mos merrem me këtë aspekt të pyetjes tuaj, sepse nuk
> ka shans të shkojmë deri aty.
>
>
> Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi mungojnë në listat e
> votimit
>
> Problemet me listat e zgjedhësve vazhdojnë të ngelen
> problem i pazgjidhur në mënyrë përfundimtare. Kryetari
> i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe bashkëshortja e
> tij, deputetja Monika Kryemadhi, mungojnë në listat e
> votuesve. Pas verifikimeve të bëra në listat e zonës
> nr.39, ka rezultuar se Meta dhe zonja Kryemadhi nuk
> janë të regjistruar. Burime të gazetës thanë se emrat
> e dy deputetëve nuk figurojnë në lista. Kryetari i LSI
> Meta, dhe Monika Kryemadhi, banojnë në Laprakë dhe u
> takon të votojnë në zonën nr.39 të kryeqytetit.
> Mungesa e emrave në listat zgjedhore e dy deputetëve
> dhe protagonistëve politikë, tregon për problematikën
> ende të pazgjidhur të listave. Edhe Komisioni i
> Posaçëm Parlamentar për Listat, ka vërejtur se ka
> shumë probleme me listat, dhe veçanërisht në Tiranë.
> Fenomeni "Lista", u aplikua nga Partia Socialiste në
> zgjedhjet e 2003-shit, ku shumë persona u zhdukën nga
> listat dhe emrat e shumë të tjerëve u transferuan në
> zona të ndryshme.
>
>
> OSBE përshëndet vendimin për të mos miratuar ligjin
> për transmetimet digjitale
>
> Prezenca e OSBE, delegacioni i Komisionit Europian dhe
> Zyra e Këshillit të Europës në Shqipëri kanë
> mirëpritur vendimin e Kuvendit të Shqipërisë për të
> mos miratuar projektligjin për transmetimet dixhitale
> në Shqipëri.
> Projektligji ishte problematik, pasi nuk ishte arritur
> që të implementoheshin në ligj disa rekomandime
> specifike të bëra më parë nga OSBE dhe Këshilli i
> Europës. Komisioni Europian ka nënvizuar gjithashtu se
> ligji nuk ishte konform me shumë standarde të
> legjislacionit të Bashkimit Europian në këtë sektor.
> Kuvendi ishte njoftuar për këto probleme përmes
> përfaqësuesit të OSBE për Lirinë e Medias, Prezenca e
> OSBE dhe nga Delegacioni i Komisionit Europian.
> Prezenca e OSBE, delegacioni Komisionit Europian dhe
> Zyra e Këshillit të Europës shpresojnë se legjislativi
> i ardhshëm dhe të tjera institucione shqiptare që kanë
> lidhje me këtë sektor, të marrin parasysh këto
> probleme dhe të hartojnë një ligj që të jetë në
> përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare, dhe më
> specifikisht me standardet e Bashkimit Europian.
>
>
> Leskaj kundër Gjinushit: LSI nuk na rrezikon
>
> Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në Partinë
> Socialiste, Valentina Leskaj, u shpreh për mediat se
> Partia Socialiste nuk ndihet e rrezikuar në fitoren e
> saj nga Lëvizja Socialiste për Integrim.
> Nga ana tjetër, kryetari i Partisë Social-Demokrate,
> Skënder Gjinushi, ka deklaruar se fitorja e
> socialistëve rrezikohet mjaft nga Lëvizja Socialiste
> për Integrim.
> Valentina Leskaj pati ditën e djeshme një takim më
> Amier Mahier, përfaqësues i fraksionit Socialdemokrat
> dhe njëkohësisht zëdhënës i socialistëve europianë në
> Parlamentin europian.
> Sipas Leskajt në takim u dikutuan çështjet e
> zgjedhjeve, të funksionimit të tyre dhe të sistemit
> elektoral.
> Çështje të tjera që u diskutuan ishte ajo e aleancave
> të Partisë Socialiste edhe bashkëpunimit të
> socialistëve shqiptarë dhe atyre të Bashkimit
> Europian.
>
>
> Meta prezanton dy kandidatë në Elbasan
>
> Kryetari i LSI-së z.Ilir Meta zhvillon takime
> elektorale në komunën e Gjinarit dhe në zonën nr.52 të
> Elbasanit. Meta prezantoi kandidatin për deputet të
> LSI, pedagogun Ismail Stafa.
> Meta u angazhua për rikonstruksionin e plotë të
> rrugës, Elbasan-Gjinar, në parametrat e një rruge
> turistike, e cila do t'i japë zhvillim të
> jashtëzakonshëm kësaj zone. Kryetari i LSI shprehu
> angazhimin e kësaj partie për nxitjen e prodhimit
> bujqësor vendas, duke i kushtuar një rendesi të
> veçantë uljes se kostos, plotesimit të standardeve për
> ta bere ate konkurrues në tregjet e brendshme dhe ato
> te jashtme. Njëkohësisht Meta shprehu vendosmërinë e
> LSI për një sistem kreditimi të veçantë për bujqësinë,
> nëpërmjet ngritjes së një banke me profil bujqësor, si
> dhe ngritjen e "Fondit të Garantimit të Kredive
> Bujqesore". Pas këtij takimi, kryetari i LSI, z.Meta
> zhvilloi një tjetër takim elektoral me banorë të zonës
> nr.52 në Elbasan, ku kandidon kirurgu Fatos Stafa. Në
> këto takime z.Meta shoqërohej nga kryetari i LSI për
> Elbasanin, z.Bujar Kllogjri.
>
>
> Partia Demokratike prezanton kandidatët e saj në zonat
> 13 dhe 14 në rrethin e Lezhës
>
> "Vota për Zogaj dhe Bumçin, votë për imazhin e ri në
> PD"
>
> Partia Demokratike prezantoi ditën e djeshme
> kandidatët për deputetë në zonat 13 dhe 14, të rrethit
> të Lezhës, përkatësisht Aldo Bumçin në zonën 13 dhe
> Preç Zogajn në zonën 14. Në prezantimin e tyre mori
> pjesë nënkryetari i Partisë Demokratike, Bamir Topi.
> "Eshtë nder i veçantë për mua, që ndodhem për të
> prezantuar dy figura të shquara secili në profilin e
> tij, por të dyja së bashku të harmonizuara në një
> linjë mjaft të konsoliduar të PDSH, linjë e shprehur
> edhe në Kuvendin e fundit kombëtar në linjat që u
> takojnë traditave të PD, të themelimit të saj dhe atë
> të futjes në këte parti të njerëzve të rinj, të cilët
> po bëjnë politikë me kolegët e tyre më me eksperiencë
> të KOP. Paraqes përpara jush dy figura fituese të PD,
> atë të politikanit dhe publicistit të njohur,
> parlamentarit elokuent Preç Zogaj dhe intelektualin e
> shquar njeriun, i cili ka një traditë familjare tepër
> të vlerësuar, që së bashku me kolegët e tjerë të KOP i
> kanë dhënë një dimension të ri fizionomisë së PD, Aldo
> Bumçi," tha Topi. "PDSH vjen përpara shqiptarëve në
> këto zgjedhje me një imazh të ri, vizion të ri të
> përtërirë dhe natyrisht e përgatitur më shumë se
> kurrë, për të arritur fitoren historike, pavarësisht
> përpjekjeve të kundërshtarëve politikë që sipas tyre
> ne si forcë politike nuk kemi gjeografi politike
> mbështetëse në të gjithë vendin, e vërteta është krejt
> ndryshe. Këtë e dëshmon më së miri rezultati që PD
> mori në zgjedhjet lokale të vitit 2003. Çfarë treguan
> se ne e kemi gjeografinë e fitores në të gjithë
> Shqipërinë nga Saranda në Tropojë nga Shkodra deri në
> Korçë, nga Kurbini në Dibër, nga Lezha në Kavajë, në
> të gjithë Shqipërinë," vijoi më tej Topi. Ai tha se
> socialistët kanë nisur një fushatë për të mbrojtur
> monopolet e tyre. "Qeveria e Fatos Nanos ka bërë atë
> që të tingëllojë si paradoksi më i madh në historinë e
> politikës së të gjitha vendeve demokratike. Në vend që
> programi dhe alternativa e tyre të kishte karakter
> social, përkundrazi ato me çdo formë janë futur në
> garë për të mbrojtur monopolet e tyre. Ato janë edhe
> arkitektët e organizimit të klaneve më kriminale në
> vendet me demokraci të dobëta. Fatos Nano s'është gjë
> tjetër veçse arkitekt i krimit, monopoleve që po
> varfërojnë shqiptarët çdo ditë," tha Topi. "Jam i
> sigurt që Preç Zogaj dhe Aldo Bumçi do të jenë pjesë e
> fitores së PD-së dhe forcave të tjera opozitare rreth
> saj. Përfaqësuesit e PDSH në Lezhë dhe gjithë
> Shqipërisë janë njerëz me integritet moral e
> përgatitje profesionale, njerëz me reputacion në
> publik, njerëz që nuk kanë konflikte, dhe mbi të
> gjitha njerëz me mbështetje të gjerë popullore, nga
> Jugu në Veri të Shqipërisë," theksoi më tej
> nënkryetari i PD-së. Gjithashtu në këtë takim kanë
> përshëndetur edhe kryetarët e PD të zonave elektorale
> 13 e 14 përkatësisht Mëhill Ndreu e Pashk Biba, si dhe
> ish-kryetari i Bashkisë Lezhë, Niazi Reçi.
>
> Bumçi: Do jem një zë i fuqishëm në parlament për këtë
> zonë
>
> Kandidati i Partisë Demokratike për zonën nr.13, Aldo
> Bumci tha dje se ai ndihet mjaft i mirëpritur në
> strukturat e kësaj partie. "Dua të bëj një falenderim
> të veçantë për të gjithë strukturat e PD në të gjitha
> nivelet. Si përfaqësues i KOP në emër të të gjithë
> kolegëve të mi, dua t'ju them juve se ndihemi dhe jemi
> pritur shumë mirë në PD. Pasi jeni ju ato që
> përfaqësoni dhe keni mbajtur këtë parti gjatë këtyre
> viteve në opozitë," tha Bumçi. Ai deklaroi se do të
> jetë një zë i fuqishëm në parlament, dhe një
> përfaqësues i njërës prej zonave më me traditë në
> Shqipëri. Ai shprehu mirënjohje për të gjithë burimet
> njerëzore të asaj zone. "Mirënjohje për kapacitetet
> dhe burimet njerëzore të kësaj zone dhe së bashku do
> të marrim përsipër dhe do të realizojmë ndryshimin e
> saj, pasi në 8 vitet e qeverisjes socialiste është
> lënë në harresë. Do të jem një zë i fuqishëm
> përfaqësues i kësaj zone në Parlament. Puna ime do të
> fillojë më 4 korrik," tha kandidati demokrat.
>
> Zogaj: Është momenti që të zgjohemi që të gjithë
>
> Duke folur para të pranishmëve, kandidati i PD në
> zonën 14, Preç Zogaj tha se do veçonte tre momente të
> angazhimit politik. "Në aktivitetin tim politik gjatë
> këtyre viteve të pluralizmit do të veçoja tre momente:
> Dhjetorin e vitit 1990, ku së bashku me një grup
> intelektualësh do të veçoja të pavdekshmin Azem
> Hajdari, themeluam PDSH. Marrëveshjen historike të 9
> marsit, ku së bashku me një grup politikanësh të
> përgjegjshëm dhe Presidentin e asaj kohe Prof.Dr. Sali
> Berisha, evituam ndarjen e Shqipërisë," tha Zogaj.
> "Lezha përfaqëson shembullin kombëtar të urtësisë dhe
> tolerancës. Socialistët në pushtet gjatë këtyre viteve
> kanë helmuar shpresën. Është momenti t'u themi
> ëndrrave të gjithsecilit prej nesh, zgjohuni. Zgjohu
> ëndërr e të rinjve dhe të rejave, të përndjekurve
> politikë, fermerëve, biznesmenëve, veteranëve, e të
> papunëve e të gjithë atyre që duan dhe presin
> ndryshimin. Koha për ndryshim ka ardhur të gjithë së
> bashku më 3 korrik duhet të jemi pjesë e këtij
> ndryshimi," tha Zogaj.
>
>
> PD prezanton Hoxhën dhe Xhomarën në rrethin e Burrelit
>
> Ditën e djeshme, Partia Demokratike ka prezantuar dy
> kandidatët e saj në rrethin e Burrelit, Gani Hoxhën
> dhe Idriz Xhomarën. Në prezantimin e tyre mori pjesë
> nënkryetarja e PD, Jozefina Topalli. "Treva juaj
> tashmë i ka promovuar dy deputetët e saj, Gani Hoxha
> dhe Idriz Xhomara," tha Topalli. Kandidati i zonës 19,
> Idriz Xhomara e ka konsideruar obligim kandidimin.
> "Mandati im për deputet, i cili është ndërprerë në mes
> nga revolucioni socialkomunist i vitit '97, më obligon
> maksimalisht për të vënë mundësitë dhe energjitë në
> shërbim të komunitetit," tha ai. Edhe deputeti Gani
> Hoxha, njëkohësisht kryetar i PD dega Mat, duke
> përshëndetur tha se "ne ballafaqohemi me një realitet
> shumë të rënduar social-ekonomik, psikologjik, humbje
> të shpresës dhe braktisje totale të qytetarëve nga
> shteti i tyre. Papunësia masive në kufijtë e 30-40%,
> korrupsioni galopant, krimi i organizuar, nëpërkëmbja
> e dinjitetit, dhunimi i lirisë së zgjedhjeve dhe
> grabitja e pronës, janë tiparet dhe bëmat e tyre.
>
>
> Burrel, KESH ndërpret dritat në takimin e PD
>
> Drejtuesit e filalit të KESH-it në qytetin e Burrelit
> kanë ndërprerë energjinë elektrike pak para fillimit
> të prezantimit të këtyre kandidaturave. Për këtë ka
> reaguar publikisht Dega e PD Mat, e cila në një
> protestë të sajën drejtuar organeve të larta
> shtetërore shkruan se drejtori i agjensisë së
> elektrikut Mat, me disa vartës të tij, më datën 18 maj
> 2005 në orën 12:50, ka ndërprerë me qëllim energjinë
> elektrike në Pallatin e Kulturës Burrel, ndërkohë që
> në orën 13:00, pra vetëm 10 minuta më pas do të
> fillonte prezantimi i kandidatëve për deputet të PD.
> "Dega e Partisë Demokratike Mat proteston ashpër, duke
> e quajtur këtë akt dhune dhe presion të shtetit ndaj
> zhvillimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme në
> Shqipëri. Po ashtu ky akt është një shkelje e hapur e
> Kodit Zgjedhor," thuhet në një deklaratë të kësaj
> dege.
>
>
> PORTRETI
>
> Flet Lulzim Basha, kandidati për deputet i Partisë
> Demokratike në zonën nr. 33 në kryeqytet
>
> KOP-i rriti standartet e garës brenda PD-së
>
> Zona 33 që njihet edhe si zona e '21 dhjetorit', është
> zona ku Lulzim Basha kandidon përballë Arben Ahmetajt,
> kandidati i PS-së, në të njëjtën kohë zv/ministër i
> Integrimit. Ajo që e shqetëson më shumë në këtë prag
> zgjedhjesh, është përpjekja e drejtuesve të
> institucioneve të larta administrative ose kandidatëve
> për deputetë të PS-së, për të blerë votën në mënyrë
> poshtëruese, duke shlyer listat e bukës dhe duke
> paguar faturat e zgjedhësve. Por nga kjo pikëpamje nuk
> ndihet aspak i kërcënuar, përkundrazi merr forcë dhe
> kurajo, në përkushtimin e tij, për t'i kthyer
> elektoratit shqiptar dinjitetin dhe shpresën për një
> qeverisje të nesërme më të mirë.
> Problemet kryesore që ka konstatuar në zonën e tij
> janë ndotja e mjedisit, legalizimi i banesave dhe
> papunësia, një plagë që reflekton edhe në standardin e
> përgjithshëm të jetesës në zonë.
> Basha thotë se një ndihmë të vyer në fushatën e tij po
> merr nga partneri "Barbour Griffith & Rogers" që është
> një organizatë me eksperiencë fituese të paktën në
> mandatet e fundit presidenciale në SHBA.
> Lulzim Basha, para disa ditësh ka festuar 1-vjetorin e
> martesës së tij me Aurelën, e cila është diplomuar për
> shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare në
> universitetin e Utrehtit në Holandë.
>
> Arsimimi
>
> Lulzim Basha është Këshilltar Special për Tranzicionin
> në Departamentin e Drejtësisë së UNMIK. Më parë ai ka
> qenë Ndihmës Special i Drejtorit të Departamentit të
> Drejtësisë, Koordinator Rajonal dhe Zyrtar i Çështjeve
> Ligjore. Z.Basha ka punuar gjithashtu për ICTY dhe
> disa projekte të asistencës akademike në fushën e
> reformës ligjore dhe edukimit.
> Z.Basha është diplomuar në Drejtësi në "Utrecht
> University" në fushën e së Drejtës Europiane dhe
> Ndërkombëtare. Ai është autor i mjaft publikimeve
> jashtë shtetit dhe fitues çmimesh ndërkombëtare në
> fushën e së Drejtës Ndërkombëtare Publike.
>
> Keni hyrë rishtazi në politikë dhe bëni pjesë në
> kryesinë e partisë së dytë më të madhe në vend, nëse
> marrim parasysh rezultatet e fundit të zgjedhjeve. Nuk
> ju duket si zgjedhje shumë e shpejtë?
> Unë bëj pjesë në kryesinë e partisë së parë më të
> madhe në vend. Ndihem i prekur dhe i nderuar nga
> besimi që më është dhënë nga anëtarësia e Partisë
> Demokratike.
> Së pari, në votimin tim në Këshillin Kombëtar si
> forumi më i lartë i PD-së dhe, së dyti, nga votëbesimi
> që më është dhënë për të qenë pjesë e kryesisë së
> PD-së. Është përtej vlerësimit personal, është një
> vlerësim që Partia Demokratike po i bën hapjes ndaj
> brezit të ri, ndaj një brezi që është rritur me
> sakrifica gjatë periudhës së fundit të komunizmit, i
> cili ka sakrifikuar më tej edhe gjatë tranzicionit për
> të marrë sa më shumë njohuri. Ky brez priret nga
> vendosmëria që kurrë më në Shqipëri të mos sundojë
> ligji i injorancës dhe i të fortit, por e drejta
> europiane në mënyrë që shqiptarët më së fundi të
> arrijnë destinacionin europian. Kjo prirje
> perëndimore, kjo prirje moderne që ne përfaqësojmë,
> mendoj se është edhe shkaku që na kanë votuar. PD ka
> lindur si një parti e vlerave europaine dhe moderne
> dhe nuk ka bërë gjë tjetër, përveçse pas tetë vjetësh,
> përgjigjet ndaj goditjeve që i janë bërë deri në
> përpjekje për ta asimiluar atë. Ajo është kthyer në
> identitetin e saj europian dhe po shpalos vlerat më të
> mira të këtij identiteti dhe votëbesimi që na është
> dhënë ne si anëtarë të KOP-it, nuk është gjë tjetër
> veçse është shprehje e këtij vokacioni.
>
> Po flitet shumë për përdorimin e fondeve publike nga
> ana e kandidatëve për deputetë, drejtues të
> institucioneve të larta shtetërore. A do ta bëjë kjo
> më të vështirë kandidimin tuaj personal dhe në
> përgjithësi?
> "Ky fenomen shfaqet edhe në zonën time, veçanërisht me
> kandidatin e Partisë Socialiste, i cili përfaqëson
> zhvillimet e këtyre tetë viteve të fundit në Partinë
> Socialiste, të fuqizimit të kapitalit nëpërmjet
> korrupsionit dhe kapjes së shtetit, të përdorimit të
> kapitalit për të blerë mandate. Megjithatë, kjo është
> ajo që na ndan në përgjithësi ne të rinjve, që sapo
> jemi futur në politikë, nga këta që pavarësisht nga
> mosha, janë vjetëruar nga konsumi ideologjik dhe
> mossuksesi në qeverisje, si dhe konsumimi i moralit
> politik, pasi ne besojmë në disa vlera të shenjta, siç
> janë dinjiteti njerëzor, nderi, e drejta për punë, e
> drejta për një jetë më të mirë, e drejta për të votuar
> i lirë, dhe besojmë se këto janë të drejta të
> patjetërsueshme. Këto të drejta janë themeli i së
> ardhmes së Shqipërisë, dhe janë të drejta që as nuk
> mund të blihen, e as nuk mund të shiten. Nga ana
> tjetër, këta kandidatë mendojnë se gjithçka mund të
> shitet dhe mund të blihet, përfshi këtu dhe dinjitetin
> njerëzor dhe të drejtën e votës dhe mendoj që në
> përplasje mes këtyre vlerave, duhet dhe do të fitojë
> ajo që është parimore, që shqiptarët e shohin si një
> garanci afatgjatë për të ardhmen e tyre".
>
> Flitet shumë për një lloj aneksimi të militantëve nga
> postest drejtuese në Partinë Demokratike dhe
> zëvendësimin e tyre me anëtarë të KOP-it. Mos ndoshta
> kishte ardhur koha? Ju në ç'këndvështrim e shihni?
> Këto nuk janë mekanizma që lëvizen me dorë. Partia
> reagon si një përfaqësi e një rrjedhe mendimi në
> shoqëri dhe në rastin konkret PD, të një rrjedhe shumë
> të madhe mendimi, sepse është një nga partitë më të
> mëdha në vend. Kuptohet që lëvizje të ndryshme
> pasqyrohen në mentalitetin e kësaj partie dhe pastaj
> në mënyrën sesi ajo zgjedh. Megjithatë nuk mund të
> bëhet fjalë për zhvlerësim të figurave mbi të cilat ka
> rënduar pesha e kësaj opozite të stërzgjatur, për një
> përpjepje për t'u fuqizuar, për të bashkuar gjithë
> energjitë e të gjithë faktorëve të ndryshëm, për një
> sfidë që është krejt e ndryshme nga sfida e 2001-it
> dhe '97-ës, por që është vendimtare për kursin e
> Shqipërisë përpara. Në këtë kontekst e gjithë shoqëria
> është e mobilizuar, e gjithë opozita është e
> mobilizuar, madje edhe pjesë e shoqërisë, të cilat nuk
> janë me përkatësi të qarta të djathta, janë të
> mobilizuara për këtë ndryshim të madh, sepse është
> vendimtar. Nuk është çështje ideologjike, është
> çështje në një farë mënyre jete apo vdekje për
> vizionin europian të Shqipërisë. Mendoj që të gjitha
> figurat që kanë dhënë për PD-në, janë figura
> absolutisht të pamohueshme, do të vazhdojnë të japin
> këtë kontribut pavarësisht nga funksionet konkrete në
> kryesi apo jo, ata kanë staturën, eksperiencën dhe
> autoritetin e figurave historike të PD-së dhe si të
> tilla nuk mund të anashkalohen dhe fjala e tyre do të
> ketë të njëjtën peshë si më parë.
>
> Do të ishte modesti e kotë të thoshim se ju nuk jeni
> figura më e spikatur e anëtarëve të KOP-it, në qendër
> të bisedave dhe sulmeve të kundërshtarëve tuaj. Besoni
> se i keni sulmuar ashpër, a është kjo një arsye?
> Unë mendoj që KOP-i ka ardhur si e papritur për disa
> nga kundërshtarët tanë. Gjithçka është çështje
> llogarie, bëhet llogaria kush humbet dhe kush fiton
> nga çdo veprim. Ata që kanë bërë llogaritë, e kanë
> parë se humbin nga thyerja e monopolit të risisë, ata
> që kanë menduar se gjithmonë kanë monopolin e të resë,
> kanë reaguar me nervozizëm. Aktorët që tregojnë
> stabilitetin e shoqërisë, pavarësisht nga afilimi
> politik, janë shprehur me tone pozitive për daljen e
> KOP-it dhe mendoj se KOP-i ka emancipuar skenën
> shoqërore shqiptare, tërë skenën politike shqiptare
> dhe ka ndikuar një ritëm ndryshimesh pa kthim në
> gjithë skenën politike shqiptare, jo vetëm Partinë
> Demokratike. Nuk është se KOP-i është në vetvete
> përmbysja e madhe, por sigurisht që është një nga
> faktorët e këtij ndryshimi të përditshëm, që mendoj do
> të intensifikohet javët që do të vijnë. KOP-i do të
> përçojë në të gjithë shoqërinë, edhe gjatë kësaj
> fushate elektorale, një frymë të re, nga ku do të
> ngrihen faktorë të tjerë të ndërgjegjësuar për nevojën
> e ndryshimeve shoqërore dhe do të bien faktorët të
> cilët kanë kamufluar interesat personale me gjoja
> përfaqësimin e disa interesave publike. Pra bëhet
> fjalë për një përplasje interesash dhe me këto
> përplasje interesash, unë jam krenar që i përkas një
> strukture, e cila është ngritur për një interes të
> përgjithshëm, publik, shoqëror. Për këtë interes,
> ndonjëherë janë sakrifikuar edhe beneficet apo
> mundësitë për karrierë.
>
> Platformat e KOP-it janë cilësuar si platforma të
> nxituara, në mënyrë të veçantë nga kundërshtarët tuaj
> politikë. Si do t'u kundërpërgjigjeni?
> Ne s'merremi fare me këto komente. Janë komente të
> dëshpëruara të një force politike e cila është zhbërë
> në një koorporatë financiare, roli kryesor i të cilës
> është të menaxhojë 10 monopolet kryesore që ka kapur
> në vend dhe nëpërmjet të cilave po pasurohet ditë për
> ditë. Ne iu themi këtyre dhe të gjithë shqiptarëve se
> premtimet tona, pavarësisht se mund të lavdërohen në
> mënyrë konkrete, përsa i përket çdo fushe, në bazë
> kanë tri fusha themelore:
> E para, zbatimi i barabartë i ligjit për çdo qytetar,
> pavarësisht nga pozita apo nga fuqia financiare,
> politike, shoqërore. Së dyti, lufta ndaj korrupsionit
> në administratën tonë, tolerancë zero për korrupsionin
> që do të thotë se fondet publike do të menaxhohen në
> mënyrë të drejtë, në mënyrë të ndershme dhe do të
> shkojnë aty ku duhet sipas prioriteteve që do të
> vendosen nga mazhoranca e ardhshme kryesisht në
> sektorët e shëndetësisë dhe të arsimit dhe së treti,
> çlirimi i energjive krijuese të shqiptarëve nëpërmjet
> garantimit të një konkurrence të lirë e të ndershme
> dhe garantimit të punësimit për të gjithë. Këto janë
> tri shtyllat mbi të cilat mbështetet platforma jonë.
> Në të trija këto fusha kjo qeveri ka dështuar
> mjerueshëm, jo se s'ka ditur, por se s'ka dashur të
> përmbushë këto objektiva. E them këtë pasi përmbushja
> e objektivave të shtetit ligjor bie në konflikt të
> hapur me interesat e këtyre personave, sepse të
> zbatosh ligjin, do të thotë të mos vjedhësh dot më.
> Kjo është edhe arsyeja që kanë dështuar negociatat me
> Bashkimin Europian për procesin e asociim-stabilizimit
> dhe kjo është dhe arsyeja përse Komuniteti Europian e
> shikon këtë grup si pengesë për zhvillimin e mëtejshëm
> të Shqipërisë.
>
> Do ta pranonit një post në qeverinë e ardhshme, nëse
> fiton Partia Demokratike apo do ta mbyllnit me
> kandidimin tuaj për deputet?
> Çdo gjë me radhë. Së pari unë mbetem i përkushtuar
> ndaj përfundimit me sukses të punës së KOP-it për një
> platformë dinjitoze, për të paraqitur para shqiptarëve
> një platformë dinjitoze për qeverisjen e ardhshme,
> kështu që mbetem i përkushtuar për t'i rikthyer zonës
> ku kandidoj, dinjitetin dhe shpresën, e Partisë
> Demokratike mandatin në parlamentin shqiptar dhe së
> treti mbetem në dispozicion të zhvillimeve të
> mëtejshme në çdo plan.
>
> Alida Beqiri
>
>
> SPECIALE
>
> Liga Shqiptaro-Amerikane në 15 vjetorin e saj
>
> New York, 15 maji shpallet dita e tolerancës shqiptare
>
> Me rastin e 15 vjetorit të Ligës Qytetare Shqiptare
> -Amerikane u mbajt një ceremoni jubilare në mjediset e
> Hotel "Sheraton" në Manhattan. Ky aktivitet pasi mori
> bekimin e Dom Pjetër Popaj vazhdoi me momentin
> ceremonial, Hymnin Amerikan kënduar nga Kara
> DioGuardi, vajza e Joe DioGuardit dhe Hymni Shqiptar
> kënduar nga Shefki Krasniqi.
> Kongresmeni Tom Lantos, Kongresmeni Hyde, Kongresmeni
> Gilman, Senatorët Shumer dhe Jeff Klein si dhe
> Ipeshkevi Sopi, Apostol Katoni, Petrit Zorba etj, do
> të diskutonin në këtë aktivitet të rëndësishëm duke
> përfaqësuar njëherësh edhe simbolin e madh Amerikano-
> Izraelito- Shqiptar.
> "Jemi mbledhur sonte për të përkujtuar atë që
> shqiptarët bënë më se 60 vjet më parë, mbrojtjen dhe
> kujdesin që shqiptarët treguan per hebrenjtë e
> persekutuar e në rrezik për jetën. Jemi mbledhur edhe
> për të festuar 15 vjetorin e Lidhjes Qytetare," thotë
> zoti Dioguardi.
> "Zoti Dioguardi ka bërë nje punë të shkëlqyer për
> çeshtjen shqiptare," thotë ish ligjvenesi Beniamin
> Gillman. Pjesmarrja e gjërë sonte, shton ai, tregon se
> sa shumë është shtrirë veprimtaria e Lidhjes Qytetare
> shqiptaro amerikane.
> "Shqiptarët dhe hebrenjte janë dy popuj të ndryshëm,
> me fe të ndryshme, por kjo nuk i pengoi ata të behen
> miq hebrejve në kohët me te veshtira, atë të
> holokaustit," thotë bashkëkryetari i Komisionit të
> kongresit për Marrëdhënie me jashtë, Henri Hajd. "Ky
> është simboli i tolerancës dhe i respektimit të të
> drejtave të një pakice si ajo hebraike, duke iu
> referuar kështu tërthorazi zvarritjes së percaktimit
> të statusit të Kosovës si dhe shqetësimeve të disave
> se nje Kosovë e pavarur do të thoshte një Kosovë vetem
> me shqiptarë. pa asnje popullatë tjetër etnike."
> "6 milionë hebrenj humbën jetën gjatë holokaustit
> nazist," thotë ligjvënësi Tom Lantos. "Si hebre
> amerikan dhe mbijetues i holokausti kur dëgjoj për
> gjestin fisnik të shqiptarëve që morrën në mbrojtjete
> hebrenjtë gjatë asaj periudhe, ndej një mirënjohje e
> admirim të jashtezakonshem," thotë ligjvënësi Lantos.
> Pjesëmarrësit patën rastin të ndiqnin sekuenca filmike
> në dy ekrane televizive të mëdha që ishin vendosur në
> të dy anët e sallës ku zhvillonte punimet Liga
> Qytetare me rastin e 15 vjetorit të saj nga seanca
> dëgjimi në Kongres gjatë kohës që Z.DioGuardi ishte
> një Kongresmen aktiv pranë Kongresit Amerikan.
> Gjithashtu aty, gjithesecili u njoh me veprimtarinë e
> Ligës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan në vite për
> çështjen shqiptare në tërësi dhe atë të Kosovës në
> veçanti. Ky aktivitet u pasqyrua edhe me stenda e foto
> të ndryshme, ku të dy drejtuesit Shirley dhe
> JoeDioGuardi ishin pjesëmarës në tubime e protesta të
> ndryshme, si dhe në takimet e tyre me personalitetet
> më të larta të botës duke filluar me Papa Gjon Pali i
> Dytë etj.
> Ishin pikërisht përfaqësuesit e kësaj Lige që bën
> prezent pranë Departamentit të Shtetit çështjen
> shqiptare. Përpjekjet e tyre të vazhdueshme dhe tepër
> insistuese sensibilizuan opinionin e Qeverisë
> Amerikane për atë çfarë po ndodhte në Kosovë. Ishte
> pra këmbëgulja dhe vullneti i tyre i mirë, (ndërkohë
> kur dihet se Z.DioGuardi e tërhiqte gjaku shqiptar i
> të parëve të tij), të cilët së bashku me Kongresmenin
> Lantos dhe Madalen Olbrajt arritën që Presidenti
> Clinton të vendoste përfundimisht ndërhyrjen e trupave
> ushtarake amerikane dhe të NATO-s kundër Serbisë.
> Aktivistë e veprimtarë të shquar shqiptarë si dhe të
> rinj e të reja studentë kishin ardhur për të nderuar
> këtë datë të cilën edhe Senati Shtetëror i New Yorkut
> e njeh si "Përgëzimi për Lirinë dhe Tolerancën
> Shqiptare". Po për nder të Ligës Qytetare dhe
> Fondacionit Shqiptaro- Amerikan u bënë shumë fotografi
> mes komunitetesh duke filluar me të mbijetuarin e
> Holikaustit, Kongresmenin Tom Lantos, Kongresmenin
> Gilman, Senatorët Shumer, Jeff Klein, Kryetarin e
> "Vatrës", Z.Agim Karagjozi, Dr.Gjon Bucaj si dhe me
> anëtarët e familjes së Vehbi Dervishit, ku mbi
> tavolinën e tyre zinin vend fotot e pesë djemve të
> rinj të zhdukur nga mercenarët serb dhe që akoma nuk
> dihej fati i tyre.
> Në përmbajtje të tij ky aktivitet përmblidhte
> gjithashtu fakte e ngjarje të së shkuarës, ku 60 vite
> më parë Shqipëria strehoi rreth 3000 hebre gjatë
> Holokaustit dhe ishte Kodi "Besa" që i shpëtoi
> hebrejtë në vendin tonë. Libri "Shpëtim në Shqipëri"
> me autor Harvey Sarner, i cili iu nda falas të gjithë
> të pranishmeve në sallë, flet me së miri për këto
> ngjarje të pashlyeshme si dhe për ndihmesën që
> populli ynë u afroi popullit hebre. Gjithashtu për
> tolerancën fetare dhe kërkesën për pavarësinë e
> Kosovës si një domosdoshmëri për stabilitetin në
> Kosovë dhe në rajon diskutuan edhe miqtë nga Kosova
> Ipeshkevi Mark Sopi, Atë Fran Lush Gjergji dhe Atë
> Shan Zefi. Përshëndetjen nga Qeveria dhe populli i
> Kosovës e përcolli Ministri dhe Deputeti Ardian Gjini.
> Prania e priftërinjve ortodoksë dhe përfaqësuesve të
> Qendrës Islamike nga New Jersi nxirte në pah
> bashkëjetesën ndërfetare që ekziston mes popullit tonë
> dhe që respektohen nga të gjithë.
> Aktori Xhevat Limani si aktivist dhe veprimtar në
> komunitet do të ftohej edhe kete mbrëmje për të dhënë
> diçka të zgjedhur nga repertori i tij si aktor dhe
> inerpretues i klasit të parë. Grupi artistik "Bashkimi
> Kombëtar" nën drejtimin e Gjergj Dedevukaj do të
> mbyllte edhe programin e kësaj mbrëmjeje jubilare.
> Nga Mimoza Dajçi
>
>
> KOMENTI
>
> "Të drejtat e Minoriteteve dhe bashkëjetesa shumë
> etnike në Kosovë"
>
> Nga Akil Tirana
>
> Pas një periudhe delikate e cila u krijua nga vetë
> komuniteti ndërkombëtar me akuzat e ngritura ndaj
> Ish-Kryeministrit të Kosovës z. Rramush Haradinaj,
> shihet qartë insistimi i faktorit ndërkombëtar që
> Qeveria e Kosovës të përmbushe detyrimet e vëna në
> kuadër të planit famëkeq të "plotësimit të standarteve
> përpara përcaktimit të statusit përfundimtar."
> Ndërkombëtarët po përdorin çdo formë dhe taktikë për
> të nxitur Qeverinë legjitime të Kosovës të marrë
> vendime që dëmtojnë interesat jetike të popullit të
> Kosovës dhe aspiratat e tij për pavarësi. E ardhmja e
> Kosovës dhe e qytetarëve të saj do të varet shumë nga
> aftësia e klasës drejtuese për t'u bërë ballë këtyre
> formave të presionit. Fatkeqësisht, deri më tani klasa
> drejtuese në Kosovë ka dëshmuar një mungesë
> alternative për ti dhënë fund njëherë e mirë këtyre
> presioneve të cilat nuk e ndihmojnë aspak Kosovën dhe
> qytetaret e saj në rrugën e saj drejt pavarësisë.
>
> ***
>
> Siç dihet tashmë nga të gjithe, politika ndërkombëtare
> e "plotësimit të standarteve prioritare" ka si qëllim
> krijimin e kushteve që të sigurohet "bashkëjetesa
> ndërmjet komuniteteve etnike" në Kosove. E gjithë
> propaganda anti-shqiptare e cila aktualisht po
> zhvillohet në Kosovë ka lidhje me këto dy terma
> famëkeqe: "plotësimi i standarteve prioritare" dhe
> "bashkëjetesa ndërmjet komuniteteve etnike." Nga ana
> tjetër drejtuesit politikë në Kosovë dhe sidomos
> Qeveria e Kosovës ndodhen në udhëkryq. Qeveria e
> Kosovës është treguar e paaftë të demaskojë këto terma
> duke mos i treguar popullit të Kosovës kuptimin e
> vërtetë që këto dy terma mbartin për fatin e ardhshëm
> të Kosovës në veçanti dhe kombit shqiptar në tërësi.
> Kur flitet për "bashkëjetesë ndërmjet komuniteteve
> etnike" në Kosovë qoftë Komuniteti Ndërkombëtar qoftë
> Serbia nuk mundohen të hedhin dritë mbi kuptimin e
> vërtetë të këtij termi. Kjo për faktin se ata nuk janë
> të interesuar për ta bërë këtë gjë.
> Për Serbët në Kosovë dhe jashtë saj në Serbi, termi
> "bashkëjetesa ndërmjet komuniteteve etnike" në Kosovë
> do të thotë "shqiptarët të vazhdojnë të jetojnë nën
> rregjimin e tipit Sllovodano-demokratik të
> konservatorit Koshtunica. Këtë pikëpamje serbe e bëri
> shumë të qartë Oliver Ivanovic, i cili lidhur me
> krjimin e municipaliteteve të reja me përbërje etnike
> serbe në Kosovë të cilat do të vendosen në bazë tëe
> planit famëkeq të decentralizmit që qeveria e Kosovës
> ka miratuar tashmë, tha se "Projektet pilotë do të
> zbatohen në ato zona ku serbët janë shumicë." Më tej
> Oliver Ivanovic shtoi se "Ne këmbëngulim që këto
> municipalitete të reja serbe të jenë shumë etnike."
> E përkthyer në gjuhën shqipe kjo do të thotë që në
> Kosovë të krijohen enklava të reja me shumicë serbe
> dhe ku në këto municipalitete të ketë edhe etni të
> tjera, kryesisht të perkatësisë shqiptare të cilat do
> ti nënshtrohen vullnetit të shumicës serbe që përbën
> këto municipalitete. Më tej Oliver Ivanovic shton: "Në
> këto municipalitete me shumicë serbe duhet të jetojë
> një pakicë shqiptare e cila duke qenë në minoritet
> brenda ketyre municipaliteteve me shumicë serbe do të
> arrijë të kuptojë se në çfare pozite ndodhet pakica
> serbe në Kosovë. Vetëm duke qenë pakicë në këto
> municipalitete shqiptarët do të respektojnë dhe
> tregojnë më shumë ndjeshmëri ndaj serbëve".
> Pra, për Oliver Ivanovic "bashkëjetesa ndërmjet
> komuniteteve etnike" në Kosovë do tv thotë krijimin e
> municipaliteteve fantazëm nëpërmjet të cilave të
> siguhet që shumica serbe në këto municipalitete të
> vazhdojë të dominojë mbi shqiptarët që jetojnë në to,
> ndonëse Ivanovic harron të thotë se këto
> municipalitete me shumicë serbe do të formohen duke
> bashkuar artificialisht zona dhe prona të shqiptarëve
> fqinjë dhe shndërruar këto në municipalitete me
> shumicë serbe.
> Ky qëllim prapaskenues afatgjatë pro-serb u duk qartë
> edhe në Raportin e Misionit të Këshillit të Sigurimit
> të Kombeve te Bashkuara që vizitoi Kosovën ne datat
> 14-17 Dhjetor 2002. Në raport përmendet fakti se
> përfaqësuesit serbë e shihnin Mitrovicën si të vetmen
> zonë ku ishte realizuar "bashkëjetesa ndërmjet
> komuniteteve etnike". Zona veriore e Mitrovicës, sipas
> raportit, është vendi ku serbët bënë spastrim etnik
> ndaj shqiptarëve të pjesës veriore duke dëbuar rreth
> 90% të tyre nga trojet e tyre etnike. Pra, serbët e
> Kosovës të nxitur nga Beogradi nënkuptojnë me
> "bashkëjetesë ndërmjet komuniteteve etnike" krijimin e
> sa më shumë zonave të tilla ku serbët janë shumicë dhe
> shqiptarët janë pakicë, ndonëse në një plan më të
> gjerë serbët janë minoritet në Kosovë.
>
> ***
>
> Po ndërkombëtarët, çfarë kuptojnë me "bashkëjetesë
> ndërmjet komuniteteve etnike" në Kosovë. Do të ishte
> një ekzagjerim të thonim se ndërkombëtarët e kuptojnë
> ndryshe këtë term. Megjithatë, nuk ka dyshim se
> "bashkëjetesa ndërmjet komuniteteve etnike" në Kosovë
> po përdoret me qëllim dashakeqës nga ndërkombëtarët
> për të mbuluar politikën anti-shqiptare dhe
> justifikuar gjoja punën që po bëjnë për arritjen e
> bashkëjetesës etnike në Kosovë. Duke e vënë theksin
> tek "bashkëjetesa ndërmjet komuniteteve etnike",
> ndërkombëtarët po synojnë të ulin rëndësinë e
> komunitetit shqiptar në Kosovë duke i dhënë rëndësi
> krijimit të municipaliteteve që nuk përputhen me
> strukturën e popullsisë në terren. Tashmë dihet
> botërisht se Kosova është të paktën 90% shqiptare.
> Duke marrë parasysh që rreth 2/3 e serbëve janë
> larguar, ashtu siç pretendon Beogradi zyrtar, i bie që
> në Kosovë të krijohen municipalitete serbe në vende
> ku jetojnë 5, 10, 15 familje serbe duke përfshirë këtu
> edhe bagëtitë që ata mbarështojnë. Qëllimi kryesor i
> komunitetit ndërkombëtar me këtë lëvizje është që
> Kosova të humbasë karakterin e saj kompakt dhe të mos
> konsiderohet më e aftë që të krijojë një shtet të
> pavarur nga Serbia.
> Kjo ka qënë edhe një nga arsyet që Serbia që nga viti
> 1912, kur e pushtoi Kosovën, ka bërë luftë të madhe
> për të ulur rëndësinë e shqiptarëve të Kosovës që në
> çdo epoke historike kanë përbërë shumicën në Kosovë
> duke krijuar enklava serbe në trupin e saj me
> qëllim të shkatërrimit të kompaktësisë territoriale
> dhe shpirtërore të shqiptarëve që jetojnë atje.
> Të gjithë janë të vetdijshëm për ekzistencën e
> minoriteteve në Kosovë por do të ishte naivitet që
> këtyre pakicave tu jepeshin me shumë të drejta se
> shumica ose që interesat e pakicës të jenë vendimtare
> në përcaktimin e fateve të shumicës. Sot në botë ka
> shumë vende me kufijë gjeografikë të njëjtë me ato të
> Kosovës të cilët janë shumë etnikë.
> Por në rastin e Kosovës është shumica shqiptare ajo që
> percakton fatin e Kosovës dhe jo pakicat e saj qoftë
> kjo boshnjake, turke apo serbe. Problemi më i madh për
> ndërkombetaret dhe serbët në Kosovë nuk është prania
> apo numri i pakicave që jetojnë atje, por shumica
> shqiptare. Për pasojë edhe lëvizjet politike që Serbia
> dhe Komuniteti ndërkombëtar po ndërmarrin synojnë në
> uljen e vlerave politike dhe shoqërore të shumicës
> duke e denigruar atë si të paaftë të respektojë
> pakicat, të drejtat e të cilave duhet të jenë të
> 'shenjta' dhe të mbizotërojnë mbi të drejtat e
> shumicës shqiptare.
> Nga ana tjetër, nuk shihet ndonjë kontradiktë ndermjet
> pikëpamjes shqiptare për një Kosovë të pavarur dhe
> respektimit të të drejtave të pakicave në kuadër të
> dokumentave ndërkombëtarë që synojnë respektimin e
> këtyre të drejtave. Paradoksi më i madh me Komunitetin
> Ndërkombëtar është se ka shumë vende të tjera në
> Evrope dhe më gjerë që kanë të njëjtën përbërje
> popullsie si Kosova, por që Komuniteti Ndërkombëtar
> nuk i quan ato shumë etnike si në rastin e Kosovës, si
> psh Rusia, Ukraina, Moldova, Estonia, Letonia,
> Lituania, Sllovakia, Bullgaria, Maqedonia, Serbia,
> Spanja.
> Për këtë qëllim është jo pa dashakeqësi edhe qëndrimi
> i Komunitetit Ndërkombëtar që e cilëson Kosovën shumë
> etnike duke mos marrë fare parasysh realitetin në
> terren që shqiptarët janë të paktën pesë herë më shumë
> në numër se çdo pakicë që jeton në Kosovë. Në këtë
> këndvështrim është e papranueshme edhe qëndrimi zyrtar
> i një zyrtari të Departamentit Amerikan të Shtetit i
> cili tha për gazetën e përditshme të Beogradit
> Vecernje Novosti se: "është e vërtetë që shqiptarët
> janë shumicë në Kosovë, por pavarësisht nga kjo Kosova
> është një entitet shumë etnik duke përfshirë serbët,
> boshnjakët, Romët, Ashkalitë dhe Egjiptianët.
> Pavarësisht nga statusi përfundimtar i Kosovës,
> Komuniteti Ndërkombëtar dëshiron të ruajë karakterin e
> saj shumë etnik."
> Ky qendrim i komunitetit ndërkombëtar - ruajtja e
> karakterit shumë etnik të Kosovës dhe mosrespektimi i
> qëndrimit të shumicës shqiptare- përputhet shumë me
> politikën serbe ndaj Kosovës e cila synon që të mbajë
> të nënshtruar shqiptarët nën preteksin e ruajtjes së
> "bashkëjetesës ndërmjet komuniteteve etnike" në
> Kosovë.
>
> ***
>
> Në një dokument të OSBE-së që trajton situatën e të
> drejtave të minoriteteve në Kosovë thuhet se rregjimi
> i Milosheviçit krijoi identitete të ndara për pakicën
> egjiptiane dhe ashkalie në Kosovë për të krijuar
> imazhin e një Kosove shumë etnike duke synuar të hedhë
> hi syve komunitetit ndërkombëtar dhe dhënë përshtypjen
> e gabuar se Kosova nuk është shumicë shqiptare.
> Fatkeqësisht UNMIK-u deri tani ka ndjekur këtë
> politikë shtrembëruese të Milosheviçit. Ky është edhe
> shërbimi më i mire që i bëhet politikës destruktive
> serbe në rajon dhe më gjerë.
> Në këtë konfuzion të krijuar me termat "shumë
> etnicitet" ose "të drejtat e minoriteteve" po përfiton
> politika serbe e cila të gjithë potencialin e saj
> politik, ekonomik dhe propagandistik po e drejton që
> të mbushë mendjen komunitetit ndërkombëtar se Kosova
> nuk është në gjendje të respektojë të drejtat e
> minoriteve, gjë që përbën edhe shqetësimin kryesor të
> faktorit ndërkombëtar.
> Ka një ngjashmëri shumë të madhe ndërmjet gjendjes në
> Afrikën e Jugut gjatë kohës së aparateidit dhe Kosovës
> së kaluar dhe të sotme. Ndërsa në Afrikën e Jugut
> sundimi i të bardhëve realizohej nëpërmjet mbajtjes së
> nënshtruar të shumices së popullsisë me ngjyrë, në
> Kosovë, edhe pse qytetarët e saj kishin të drejtën e
> votës, nënshtrimi i tyre realizohej nëpërmjet votës së
> serbëve në Serbi, nisur nga fakti se Kosova ishte
> pjesë e Serbisë dhe për pasojë populli i saj
> konsiderohej minoritet në kuadër të shtetit serb. Nën
> sundimin serb votat e popullit të Kosovës nuk kishin
> asnjë efekt. Serbët e Kosovës ishin pjesë e shumicës
> së popullsisë serbe dhe për pasojë ata ishin ngarkuar
> me detyrën e zbatimit të politikës së Beogradit në
> Kosovë.
>
> ***
> Kosova akoma po vuan mungesën e përcaktimit të
> statusit politik të saj. Vetëm pasi të jetë bërë ky
> përcaktim mund të flitet për të drejta minoritetesh në
> Kosovë. Përderisa Kosova në bazë të Rezolutës 1244 të
> Këshillit të Sigurimit është akoma pjesë e Serbisë,
> serbët e Kosovës e cilësojnë veten e tyre si
> magjiorancë dhe jo si minoritet në Kosovë.
> Shqiptarët e Kosovës nuk duhet të pranojnë politikën e
> zbatuar deri tani nga komuniteti ndërkombëtar i cili
> duke vënë theksin tek krijimi i një shoqërie të
> qëndrueshme shumë etnike dhe përmbushjen e standarteve
> e ka përqëndruar krejt vemendjen e tij tek pakica
> duke mos marrë fare parasysh të drejtat e shumicës
> (shqiptarët dhe pakicat e tjera).
> Ndërkombëtarët mohojnë të drejtën e vetvendosjes për
> Kosovën duke përmendur rezolutën 1244 të Këshillit të
> Sigurimit duke u bërë një pengesë serioze në
> realizimin e aspiratave shekullore të popullit
> liridashës të Kosovës për pavarësi dhe dinjitet
> njerëzor.
> Këtu qëndron edhe problemi madhor në marrëdhëniet
> shumicë-faktor ndërkombëtar dhe shumicë-pakicë. Akoma,
> pra, nuk është e qartë se kush është shumica dhe
> pakica në Kosovë përderisa statusi i saj mbetet akoma
> i pazgjidhur. Kësaj pyetje mund ti jepet përgjigje
> vetëm pasi të jetë përcaktuar statusi përfundimtar i
> Kosovës.
> Kur ndërkombëtarët flasin për minoritetet në Kosovë,
> ata kanë parasysh vetëm komunitetin serb, ndonëse vetë
> serbët në Kosovë nuk e cilësojnë veten aspak
> minoritet. Nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare,
> serbët e Kosovës kanë të drejtë. Përderisa Kosova
> vazhdon të jetë politikisht pjesë e Serbisë,
> shqiptarët e Kosovës janë minoritet politik në kuadër
> të shtetit Serb duke patur parasysh që minoritetet dhe
> shumicat përcaktohen në bazë shteti dhe jo krahinave
> ose rajoneve të veçanta që përbëjnë atë. Nebojsa Coviç
> e bëri këtë qëndrim të qartë gjatë një interviste me
> një të përditshme të Beogradit kur tha se "Kosova nuk
> është një shtet i pavarur dhe shqiptarët e Kosovës nuk
> kanë statusin e kombit sepse ata janë minoritet etnik
> në kuadër të Serbisë. Shqiptarët gëzojnë statusin e
> kombit në Shqipëri dhe pakicat që jetojnë atje gëzojnë
> të drejtat e minoriteteve".
> Ku qëndron paradoksi? Sipas Coviç serbët janë shumicë
> në Kosovë dhe për pasojë ata nuk kanë përse të mbrohen
> në Kosovë ashtu siç po mundohet të bëjë komuniteti
> ndërkombëtar. Nuk janë serbët ata që kanë nevojë për
> mbrojtje, por shqiptarët. Tashmë fati i popullit të
> Kosovës është akoma në udhëkryq dhe faktori
> ndërkombëtar nuk po jep shenja se po punon për
> mbrotjen e interesave të shqiptarëve në Kosovë.
> Mbrojtja e të drejtave të pakicës serbe në një kohë
> kur statusi perfundimtar i Kosovës mbetet akoma i
> pazgjidhur, i shërben mbrojtjes së interesave
> anti-shqiptare Serbe në Kosovë.
> Fatkeqësia më e madhe nuk qëndron vetëm tek ky qëndrim
> anti-shiptar i komunitetit ndërkombëtar. Edhe
> drejtuesit më të lartë politik në Kosovë mbajnë një
> qëndrim të gabuar lidhur me këtë çështje. Me qëndrimin
> e tyre drejtuesit Kosovarë po rrezikojnë interesat e
> popullit të tyre.
>
> ***
>
> Në qoftë se hedhim një sy letrës së ish Kryeministrit
> Haradinaj të datës 25 Shkurt 2005 në të thuhet se
> "Shqiptarët kanë një detyrim të veçante ndaj pakicës
> serbe në Kosovë". Të krijohet përshtypja që janë
> shqiptarët ata që janë "molla sherrit" për të gjithë
> të këqijat që po kalon Kosova, ndërkohë që realiteti
> është tërësisht ndryshe. Shqiptarët nuk kanë asnjë
> detyrim ndaj asnjërit. Në qoftë se komuniteti serb
> gjendjet në gjendjen që është, fajin duhet të kërkohet
> tek qeveria e Beogradit dhe politika e saj e
> vazhdueshme përçarëse dhe shkatërrimtare në rajon.
> Shqiptarët e Kosovës nuk i kanë borxh asnjërit, aq më
> pak serbëve. Shqiptarët janë shumicë në Kosovë dhe nuk
> i detyrohen asnjë pakice, sidomos asaj serbe, qëndrimi
> anti-shqiptar i së cilës tashmë dihet. Kjo deklaratë e
> gabuar e Z. Haradinaj nuk merr parasysh fare faktin se
> në një shoqëri demokratike, është shumica ajo që është
> mbajtëse e sovranitetit politik. Por në rastin e
> Kosovës kjo nuk është e mundshme nisur nga lëkundja e
> faktorit ndërkombëtar në marrjen e vendimit
> përfundimtar nëse duhet apo jo të fillojnë bisedimet
> për statusin final të saj.
> Përderisa Kosova është akoma e varur, faktori
> ndërkombëtar do të vazhdojë të marrë vendimet kryesore
> politike në Kosovë. Nga ana e tyre, serbët duke qënë
> se janë pakica më e madhe në Kosovë, janë mbajtës të
> sovranitet atje përderisa nuk është përcaktuar statusi
> përfundimtar i saj. Aktualisht, UNMIK-u është
> autoriteti i përkohshëm i mbajtjes së sovranitetit në
> Kosovë, i cili ka edhe pushtetet kryesore si mbrojtja,
> policia dhe gjygjësori ndërsa qeveria e Kosovës dhe
> organet legjitime lokale kanë pushtete të kufizuara të
> cilat për fatin e keq nuk ushtrohen në të gjithë
> territorin e Kosovës.
> Të akuzosh shqiptarët si përgjegjës të gjendjes së
> rëndë në Kosovë dhe t'u kërkosh atyre të marrin
> përsipër detyrime që synojnë mbrojtjen e të drejtave
> të minoriteteve është sa cinike dhe keqdashëse në një
> kohë kur pushtetet kryesore në Kosovë i ka UNMIK-u dhe
> jo qeveria legjitime e Kosovës. Shqiptarët në Kosovë
> do të respektojnë të drejtat e minoriteteve vetëm kur
> atyre t'u njihet e drejta e pavarësisë nga Serbia dhe
> kur serbët e Kosovës të arrijnë të kuptojnë se duhet
> të heqin dorë nga kërkesat e tyre absurde që Kosova të
> vazhdojë të jetë akoma nën sundimin serb.
> Është absurditet që për një minoritet të vetëm të
> mbahet peng e ardhmja politike, ekonomike dhe
> shoqërore e një populli të tërë që ka luftuar me
> shekuj për pavarësi dhe zhvillim.
> Për fatin tonë të keq, drejtuesit kryesorë në Kosovë
> nuk po arrijnë të gjejnë zgjidhjen e duhur: të
> kushtëzojë respektimin e të drejtave të minoritetit
> serb me njohjen prej tyre të të drejtës së shumicës
> shqiptare për pavarësi. Kjo do të ndihmonte shumë
> serbët të kuptojnë se në Kosovë janë minoritet dhe nuk
> mund të gezojnë të drejta që i kalojnë caqet e të
> qënurit pakicë.
>
> ***
>
> Fakti është se deri tani nuk ka një politikan ose
> analistë Kosovar që të shprehet lirshëm që populli i
> Kosovës po i nënshtrohet një fushate ndërkombëtare
> anti-shqiptare që lidhet me "përmbushjen e standarteve
> prioritare". Nuk ka një politikan në Kosovë që të
> thotë komunitetit ndërkombëtar se njohja e të drejtave
> të pakicës duhet të shoqërohet njëhkohësisht edhe me
> njohjen e të drejtave të shumicës shqiptare që jeton
> në Kosovë. Këto faktorë janë të ndërlidhur dhe nuk
> mund të shikohen të shkëputur nga njëri-tjetri. Nuk ka
> asnjë politikan kosovar që të bëjë të qartë
> komunitetit ndërkombëtar në Kosovë dhe sidomos
> UNMIK-ut që bashkëjetesa shumë etnike nuk ka të bëjë
> fare me pjesëmarrjen e pakicës serbe në institucionet
> e Kosovës, përderisa pakicat e tjera që jetojnë në
> Kosovë janë tashmë të përfshira në proçeset politike
> që po ndodhin në Kosovë. Pakica serbe i ka patur
> gjithmonë dyert e hapura për të zënë pozicionet
> ministrore që i janë akorduar si dhe marrë pjesë në
> grupet e punës që synojnë përmirësimin e gjendjes së
> të gjithë pakicave në Kosovë. Kjo gjë duhet
> bërëvullnetarisht dhe jo duke i kërkuar shumicës
> shqiptare të bëjë lëshime në çështje që prekin thellë
> ekzistencën e shtetit të ardhshëm të Kosovës ose
> interesat e tij madhore. I duhet dhënë fund këtij
> presioni të paskrupullt të faktorit ndërkombëtar në
> Kosovë.
> Burokratët ndërkombëtarë mendojnë se me përfshirjen e
> pakicës serbe në institucionet e Kosovvs (qeveri,
> parlament, polici dhe grupet punuese) këto
> institucione do të bëhen shumë etnike. Ata harrojnë
> faktin se shumë etniciteti në Kosovë arrihet vetëm kur
> shumica dhe pakica përpiqen të përmbushin qëllime të
> përbashkëta. Në qoftë se disa anetarë të pakicave që
> bëjnë pjesë në qeveri, parlament, grupet e punës dhe
> polici kanë axhenda të ndryshme ose kontradiktore me
> njëra-tjetrën dhe i besojnë qeverive të vendeve të
> tjera atëherë nuk mund të themi se kemi arritur shumë
> etnicitetin dhe bashkëjetesën paqësore në vend.
> Konflikti ndërmjet shumicës shqiptare dhe pakicës
> serbe do të vazhdojë për aq kohë sa shumicës shqiptare
> nuk i njihet e drejta e vetvendosjes paqësore.
> Shqiptarët e Kosovës kanë të drejtën legjitime që të
> mos bëjnë asnjë lëshim pakicës serbe e cila është
> kollona e pestë e ngarkuar me detyrën e zbatimit të
> planeve anti-shqiptare të Beogradit në Kosovë. Kjo do
> të demaskonte edhe fytyrën e vërtetë të
> ndërkombëtarëve në Kosovë të cilëve u nevojitet
> krijimi gjoja i institucioneve shumë etnike për të
> mbuluar dështimin e tyre në kuadër të rezolutës 1244
> të Këshillit të Sigurimit.
>
>
> Nacionalizmi kapllon rininë bullgare
>
> Gjenerata e re duket të jetë më e prekshme ndaj
> nacionalizmit në krahasim me njerëzit që jetuan gjatë
> kohës së socializmit
>
> .................................................. .
Krijoni Kontakt