seleksionimi i kandidateve
____________________
Kriteret e Nanos dhe Berishës për 100 emrat
Nga Mero Baze
Gazeta TemA
20.05.2005
Opozita prezantoi dje 100 emrat e saj për garën elektorale të 3 Korrikut, duke sfiduar ndjeshëm traditën e saj politike dhe rreziqet që paraqet kundërshtari me listën e tij agresive. Brenda 100 emrave të opozitës ruhet mozaiku i ndryshimeve të fundit të opozitës, kujtesa e saj historike dhe prurjet e reja nga bota akademike. Por nëse këto
cilësi e bëjnë ofertën e opozitës, joshëse për një pushtet të nesërm, njëherazi e bëjnë atë një listë të rrezikuar nga agresiviteti dhe cilësitë e 100 kandidatëve kundërshtarë, të cilët janë përzgjedhur vetëm përmes një kriteri, - atë të marrjes me çdo kusht të mandatit në zonën që kandidojnë. Kryeministri Fatos Nano nuk ka bërë kujdes as për biografinë e tyre shoqërore dhe politike, as për pastërtinë e tyre morale, as arsimin e tyre, por vetëm për premtimin e tyre se do të përdorin gjithçka për t’i sjellë atij mandatin në Kuvend. Në këtë aspekt Berisha dhe lidershipi i opozitës kanë rrezikuar të luajnë vetëm me një synim, për të bërë një listë për të qeverisur, ndërsa socialistët, një listë për të mbetur në pushtet, edhe pse nuk arrijnë të qeverisin. Ndryshimi i dytë mes dy listave është garancia për ndarjen e pushtetit nesër. Sali Berisha ka futur në listë 100 emra me një distancë të tillë nga pushteti i tij personal, sa shihet qartë se e ardhmja e tij politike mbetet sfidë e hapur. 100 emrat që ai ka propozuar, nuk bëjnë pjesë tek njerëzit e tij të sigurt apo besnikë. Përkundrazi ai ka kandiduar kundërshtarë të tij të vjetër, rivalë të tij dhe kontestatorë të tij me shanse absolute për të qenë deputetë. Ky grup jo aq i vogël brenda 100 kandidatëve, e bën pushtetin e nesërm të PD-së të kontrollueshëm, dhe ekipin e detyron të punojë në grup me mentalitetin e partnerit. Përkundër kësaj grupi socialist prej 100 emrash përshkruhet tej e fund nga një kriter, raporti personal me Fatos Nanon. Në 100 emrat e socialistëve mund të ketë socialistë, mund të ketë qeveritarë të korruptuar, mund të ketë trafikantë dhe ish PD-istë, por të gjithë kanë një raport personal me Fatos Nanon. Ndryshimi i fundit, që është thelbësor nga pikëpamja politike, është rreziku me të cilin luajnë të dy palët. Lista e opozitës duket se luan për fitore ose asgjë, ndërsa lista e Nanos është e fokusuar shumë tek mbetja me siguri të plotë e një grupi besnik në opozitë. Pra kriteri mbi të cilin Nano ka zgjedhur emrat, duket qartë se është siguria që të ketë një grup besnik në opozitë. Dhe brenda tyre ka kë zgjedh për të tillë.
Krijoni Kontakt