Projektrezoluta për 3 korrikun paraqitet në Senat dhe Kongres
SHBA: Shtatë kushtet për zgjedhjet në Shqipëri
Arben Çejku
Dje është paraqitur në Senat dhe në Kongresin Amerikan një nga dokumentet më të rëndësishme për fatin e zgjedhjeve elektorale të 3 korrikut në Shqipëri.
Projektrezoluta e firmosur nga dy senatorë dhe dy kongresmenë, përfshin paralajmërime serioze për Tiranën zyrtare, e cila sipas projektrezolutës duhet të zhvillojë zgjedhjet më korrekte dhe më demokratike që ka mundur të bëjë ndonjëherë në këto 15 vite. Në projektrezolutën e paraqitur dje në dy Dhomat e Kongresit Amerikan, të cituar nga “Zëri i Amerikës” thuhet se Shtetet e Bashkuara i shohin zgjedhjet e korrikut në Shqipëri si një faktor qendror për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe se ato kanë rëndësi jetike për integrimin euroatlantik të vendit. Në Senat, projektrezoluta u paraqit nga senatori Sam Brownback i shumicës republikane dhe senatorja, Hillary Clinton e pakicës demokrate. Në Dhomën e Përfaqësuesve (Kongres), nga republikani Christopher Smith dhe demokrati Elliot Engel. Dy senatorët dhe dy anëtarët e Dhomës Përfaqësuese të Kongresit nëpërmjet kësaj projektrezolute i kërkojnë Shqipërisë, që zgjedhjet e 3 korrikut të jenë të lira dhe të rregullta, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Projektrezoluta ishte një nismë e senatorit Brownback, në cilësinë e kryetarit të Komisionit për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ose Komisionit të Helsinkit. Në të vlerësohet miqësia e Shqipërisë dhe mbështetja e popullit shqiptar.
Standardet
Në projektrezolutë vihet në dukje se zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri nga viti 1991 deri në vitin 2001 dhe ato locale, që janë mbajtur në atë periudhë dhe më pas, sipas OSBE-së dhe vëzhguesve të tjerë nuk i kanë plotësuar standardet e Dokumentit të Kopenhagenit dhe kërkohet që si një nga 55 anëtaret e OSBE-së, Shqipëria duhet t’i zbatojë angazhimet konkrete për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Po ashtu në projektrezolutë thuhet se qeveria e Shqipërisë e ka përmirësuar kuadrin zgjedhor dhe ligjor, si edhe aftësitë për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe korrekte si dhe që forcat politike kanë miratuar Kodin e Sjelljes, angazhim të cilin sipas projektit, Kongresi e mbështet. Po ashtu forcave politike dhe të gjithë zyrtarëve të zgjedhjeve në Shqipëri u kërkohet të zbatojnë ligjet e zgjedhjeve dhe t’i kryejnë veprimtaritë e tyre në mënyrë të paanshme dhe transparente, duke u dhënë mundësinë vëzhguesve ndërkombëtarë dhe vendas që të mund ta ndjekin lirisht dhe pa pengesa procesin zgjedhor, përfshirë fushatën, kandidatët, shtypin, votimin dhe llogaritjen e rezultateve zgjedhore si dhe procesin e ankesave dhe kundërshtimeve.
Në projektrezolutë thuhet se përmbushja e standardeve të Kopenhagenit për zgjedhje të lira dhe korrekte është absolutisht thelbësore për synimet e Shqipërisë për integrim në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përfshirë anëtarësimin në NATO, si edhe për përparimin e Shqipërisë në luftën ndaj korrupsionit zyrtar dhe krimit të organizuar. Kongresi e përshëndet mundësinë që ka Shqipëria për të shfaqur vullnetin dhe aftësinë për të ndërmarrë hapa të mëtejshme për integrimin evropian dhe euro-atlantik, duke mbajtur zgjedhje në përputhje me standardet e OSBE-së.
“Kongresi ka besim të plotë se qytetarët e Shqipërisë, ashtu si të gjithë popujt, duhet të kenë mundësinë të zgjedhin përfaqësuesit e vet në Parlament dhe qeveri me zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe t’i mbajnë ata përgjegjës kur zhvillohen votimet”, thuhet në projekt. Bashkëkryetari i Komisionit të Helsinkit, Chris Smith shkruan në deklaratën e tij se përmbushja e standardeve të OSBE-së është një domosdoshmëri jetike. “Përmbushja e këtyre standardeve është e nevojshme jo vetëm sepse Shqipëria është e angazhuar ndaj tyre, por edhe sepse dështimi do t’i kushtonte shtrenjtë vendit përsa i takon integrimit në NATO dhe BE. Megjithëse mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë ekzistojnë lidhje të forta, do të ishte gabim që të tolerohej mosrespektimi i angazhimeve të OSBE-së nga Shqipëria. Pikërisht dëshira që Shqipëria të jetë e suksesshme, tha ligjvënësi Smith, na shtyn që ne të bëjmë të qartë se ç’presim nga këto zgjedhje. Nuk ka dyshim se suksesi në zgjedhje do t’i forconte lidhjet e Shqipërisë me SHBA-në dhe Evropën dhe ajo që është më e rëndësishme, është mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve, që populli i Shqipërisë e meriton”, theksoi Smith.
Apeli
Senatori Brownback, duke folur për problemet me zgjedhjet gjatë 15 viteve të fundit, shprehet se disa prej tyre kanë qenë aq difektoze, saqë legjitimiteti i rezultateve të tyre është vënë seriozisht në pikëpyetje. Gjithashtu thuhet se Kongresi mbështet ndihmën e Shteteve të Bashkuara, që Shqipëria të ketë një sistem demokratik plotësisht të lirë dhe të hapur, një ekonomi të tregut të lire, të begatë dhe për të siguruar vendin që i takon Shqipërisë në institucionet evropiane dhe euroatlantike, përfshirë NATO-n. Në dokument inkurajohet presidenti i vendit t’i transmetojë qeverisë së Shqipërisë, të gjitha partive politike dhe kandidatëve, si edhe popullit të Shqipërisë sesa rëndësi i kushton qeveria e Shteteve të Bashkuara këtyre zgjedhjeve parlamentare, si një faktor qendror në përcaktimin e së ardhmes së marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë.
Integrimi
Brownback thotë se me përmirësimet që janë bërë, tani ekziston një bazë reale që zgjedhjet e 3 korrikut të plotësojnë standardet ndërkombëtare. “Aktualisht zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe të drejta ka rëndësi të veçantë.
Vendet e tjera të Evropës Juglindore po e lënë pas trashëgiminë e komunizmit, dhe nacionalizmin ekstrem, si edhe konfkliktet që penguan tranzicionet e tyre demokratike në vitet 1990. Disa vende janë anëtarësuar, ose janë gati për t’u anëtarësuar në NATO, apo në Bashkimin Evropian. Shqipëria nuk mund t’ia lejojë vetes që të mbetet prapa”, tha senatori Brownback. Zgjedhjet e rregullta do të ishin në të mirë të marrëdhënieve dypalëshe dhe perspektivës së Shqipërisë për integrim.
Apeli i SHBA-së
1-Standardi i zgjedhjeve, kusht për të ardhmen e marrëdhënieve midis SHBA dhe Shqipërisë
2-Zgjedhjet të jenë të lira dhe të rregullta, në përputhje me standardet ndërkombëtare
3-Forcat politike dhe gjithë zyrtarët e zgjedhjeve të zbatojnë ligjet e zgjedhjeve në mënyrë të paanshme dhe transparente
4-T’u jepet mundësia vëzhguesve që të ndjekin lirisht dhe pa pengesa procesin zgjedhor, kandidatët dhe shtypin
5-Vëzhguesit të kenë mundësi të monitorojnë votimin dhe llogaritjen e rezultateve zgjedhore si dhe procesin e numërimit të votave.
6-Dështimi i këtyre zgjedhjeve do t’i kushtonte shtrenjtë vendit përsa i takon integrimit në NATO dhe BE.
7-Megjithëse mes SHBA e Shqipërisë ka lidhje të forta, do të ishte gabim të tolerohej mosrespektimi i angazhimeve të OSBE-së nga Shqipëria
PANORAMA
Ruaj Lidhjet