Kori i Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve ka fituar çmimin e dytë në festivalin “Horizont 2005” të zhvilluar në Gjermani. Ky festival, ku kanë marrë pjesë më shumë se 30 vende nga e gjithë bota është zhvilluar në Limburg të Gjermanisë, nga data 5- 9 maj, nën kujdesin e Kancelarit Shrëder. Sipas drejtorit të Ansamblit, Haxhi Dalipi, grupi shqiptar është paraqitur me një repertor të përzgjedhur, që nga jarja shkodrane, tek këngët labe, siç është “Vajza e valëve”, duke përcjellë kështu disa nga vlerat më të mirat të traditës muzikore shqiptare. Në këtë festival vokalistik Ansambli shqiptar është paraqitur me një kor të përbërë prej 16 vetësh, ku kanë spikatur zërat e Irini Qirjakos, Sabahet Vishnjës, Bardhyl Xhafkës, Gramoz Burbës, etj. Sipas këngëtarit Burba, nuk kanë qenë vetëm ritmet e muzikës shqiptare, ato që kanë tërhequr vëmendjn e publikut gjerman dhe jurisë ndërkombëtare, por edhe kostumet popullore, të përzgjedhura nga të gjitha trevat e Shqipërisë, nga jugu në veri. Sipas Irini Qirjakos, pas këtij festivali janë ofruar edhe ftesa të tjera për të marrë pjesë në festivale të muzikës popullore, që zhvillohen në Spanjë, Austri, Gjermani, Greqi e Itali, por për shkak të mungesës së fondeve, pjesëmarrja nëpër këto aktivitete është e vështirë.