Stilisti i Armanit, Joni Peci, dizenjoi veshjen

Ledina Çelo: Në Eurovizion do t'ju bëj krenarë

---------------------------------------------------------------------

Nga korrespondenti ynë në Londër
Muhamed Veliu
Gazeta Shqiptare

Për mua e rëndësishme dhe parësore është prezantimi sa më dinjitoz i Shqipërisë në "Eurovizion", për të cilën unë dhe stafi im ka kohë që po përgatitemi intensivisht. Ndërsa fitimi i vendit të parë, pse jo, do të ishte një mrekulli e vërtetë, jo vetëm për mua, të cilën do t'ia dedikoj vendit tim". Kështu ka deklaruar nga Londra Ledina Çelo, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Shqiptare vetëm pak ditë përpara se të ngjitet në skenën e madhe të Eurovizionit në Kiev të Ukrainës. Pas një nate të gjatë koncerti, e lodhur, ajo gjatë takimit me ne është veshur shumë sportive, me xhaketë dhe pantallona xhins blu të hapur, një bluzë të hollë, ngjyrë e zezë, së cilës i varen mëngët, dhe me syzet e mëdha që i fshehin sytë e bukur. Ulemi në cepin e një pabi të vjetër në lagjen e famshme "Noting Hill Gate", nga e cila ka marrë emrin filmi "Notinghill", ku luan e famshmja Xhulia Roberts. Gjatë ditëve në Londër, sikurse gjatë intervistës, shoqërohet kudo nga kushërira e saj simpatike Suela Gostivari që jeton në Londër. "Suela është engjëlli im mbrojtës që më jep fat, por që më mungon shumë kur jam në Shqipëri apo në turne", tregon këngëtarja.

Data e interpretimit të shumëpritur në "Eurovizion" nga ju dhe të gjithë shqiptarët po afron. Si ndiheni?

Natyrshëm emocionet kanë filluar. Mundohem t'i harroj ato, pasi momenti më i ngarkuar për mua nga ana emocionale mendoj se do të jetë dita kur do të nisem për atje. Por them se do t'ia kaloj mirë, pasi e di që atje nuk do të jem vetëm. Shumë nga adhuruesit e mi jo vetëm në Shqipëri, por edhe në të gjithë botën, do kenë mundësi të ndjekin natën finale të "Eurovizionit". Kanë filluar përgatitjet intensive, ndërkohë po punohet me veshjet, dhe kënga është përkthyer në anglisht. Këto ditë qëndrimi në Londër do t'i shfrytëzoj për të perfeksionuar theksin e këngës në anglisht, për ta bërë sa më të thjeshtë dhe origjinal. Kam disa pengesa të vogla në këtë drejtim, që do t'i kaloj pa problem.

Si do të jetë koreografia, pasi është një nga elementet më të rëndësishme pas interpretimit perfekt të këngës?

Balerinët po punojnë në këtë drejtim nën drejtimin e koreografit Arjan Sukniqi. Mendoj se nuk ka ndonjë vështirësi për ta realizuar. Koreografia do të jetë me disa vajza, të cilat i bien violinave gjatë gjithë kohës, sepse instrumenti i violinës është brenda në këngë, e cila nga katër minuta që ishte në fillim, është reduktuar në tre. Kjo është një kohë standarde për të gjithë pjesëmarrësit. Vështirësitë e koreografisë kanë kaluar, pasi çdo gjë e kemi bërë me mirëkuptim. Vajzat janë shumë simpatike dhe elegante dhe janë përkushtuar maksimalisht.

Cila do të jetë veshja juaj dhe e balerinëve?

Veshja do të jetë një nga surprizat.

Kush po i qep ato?

Në fakt për veshjet ka pasur shumë ide. Kanë punuar stilistë nga të cilët jam shumë e kënaqur. Por për këtë rast stilistët e përzgjedhur nga unë janë Enada Atnikolla dhe një stilist i ri dhe shumë i talentuar, Joni Peçi, për të cilën dua të nënvizoj faktin që publiku duhet ta njohë cili është ai. Joni është një stilist që ka punuar për Armanin në Milano. Materialet janë marrë nga Italia dhe po qepen nga dora e artë e Shpresa Zaraliut.

Dikush në koncertin e së martës këtu në Londër ju cilësoi si Ambasadorja e Shqipërisë në Europë. Sa e denjë është Ledina ta bëjë këtë rol?

Kjo më jep forcë, kurajo dhe impenjim të dal sa më mirë atje. Nga momenti në moment ia ushqej vetes që atë ditë, në ato tre minuta, të jap maksimumin, do të jenë 3 minutat më "live" të karrierës sime.

Votat e votuesve marrin një rol të veçantë në këtë konkurrim. Shqiptarët kudo në botë, përmes internetit apo mesazheve telefonike, do t'ju votojnë. Cili është mesazhi juaj për ta?

Dua t'i falënderoj të gjithë ata që do më mbështesin me votat e tyre. U them se nuk do t'i zhgënjej. Padyshim që i dua votat e tyre dhe ata të votojnë me gjithë shpirt, por mbi të gjitha dua t'i bëj ata të ndihen krenarë. Për mua e rëndësishme dhe parësore është prezantimi sa më dinjitoz i Shqipërisë në "Eurovizion". Ndërsa fitimi i vendit të parë, pse jo, do të ishte një mrekulli e vërtetë, jo vetëm për mua. E nëse një gjë e tillë ndodh, do t'ia dedikoj vendit tim.

A i keni ndjekur këngët e konkurrentëve të tjerë?

Kam dëgjuar disa prej tyre. Mund të them se ata janë përpjekur të sjellin rryma të ndryshme nga vendet që vijnë. I vlerësoj të gjithë konkurrentët. Unë nuk dua ta quaj një festival, por thjesht një festë.

Dhe nëse atë natë do të triumfoni dhe do të fitoni vendin e parë, ç'do të ndodhë me ju?

(Qesh) Do të jetë një mrekulli e vërtetë, që nuk gjej dot fjalë për ta përshkruar…

Keni zhvilluar një tur promocional të këngës në vendet ku ka shqiptarë. Çfarë atmosfere i ka karakterizuar?

Po, kam zhvilluar disa koncerte, të fundin në Athinë, i cili më la shumë mbresa. Për mua ishte hera e parë që shkoja në Athinë me emigrantët tanë atje. Kësaj radhe ata donin të njihnin nga afër Ledinën, atë të cilën do ta ndjekin nëpërmjet ekranit si përfaqësuesen e tyre në këtë aktivitet shumë prestigjioz. Pashë njerëz që qanin dhe që këndonin me mua. Më bëri gjithashtu përshtypje media greke, e cila u interesua për mua si këngëtare, edhe meqenëse Shqipëria është fqinja e tyre, dhe nga intuita ime arrita të kuptoj se grekët e cilësojnë Shqipërinë si një konkurrente të fortë. Por kam qenë gjithashtu në Maqedoni, Bosnjë-Hercegovinë.

Po në Kosovë?

Jo, për faktin se ka qenë një periudhë intensive, por dua t'ju them shumë fansave, njëkohësisht miqve të mi atje, që: "Më prisni në Prishtinë", nuk ka kuptim që turi im të mbyllet pa vajtur edhe atje.

Paraqitja juaj e jashtme kohët e fundit ka iniciuar, si të thuash, shumë bla-bla-bla. Pse krijohen të tilla thashetheme, cili është shkaku?

Thashethemet i konsideroj si diçka pozitive. Përderisa merren me ty, do të thotë që je dikushi. Në fillim më bënin përshtypje nga moseksperienca me të tilla gjëra, por tani ia kam marrë dorën. I kaloj me ndonjë të qeshur të sinqertë.

Cili ka qenë thashethemi që ju ka bërë më shumë përshtypje?

Nuk mund të veçoj ndonjë, por më ka bërë shumë përshtypje kur dilja në ndonjë duet me këngëtarë më të mëdhenj se unë në moshë e thoshin: " Eh, ajo Ledina e ka të dashur atë". Nga kjo më vinte keq, pasi isha shumë e vogël dhe e ndieja që më vriste. Megjithëse thashethemet janë sofistikuar tani, duke thënë se unë kam bërë operacione, prapë i kaloj pa problem.

Dhe në të vërtetë, a keni bërë ndonjë operacion të tillë në pjesë të tjera të trupit, përveç atij në hundë, që e keni pranuar se e keni bërë?

Operacioni në hundë është bërë kur unë isha adoleshente. Një shoqe shkolle në lice hapi këtë temë, dhe unë e ndërmora një gjë të tillë, pasi jo vetëm femrat, por edhe meshkujt duan të duken perfektë. Ishte një diçka momentale. Nuk ishte një problem që më pengonte të dilja në skenë.

E keni bërë zmadhimin e gjoksit me silikon siç flitet?

Jo, nuk e kam bërë një gjë të tillë. Por unë nuk jam kundër operacioneve plastike, tek çdo femër që do të ndihet në formë. Jam e parimit që nëse diçka ia vlen për t'u bërë, femra duket më e bukur, pse të mos bëhet.

Gjatë një interviste në Londër në vitin 2003 më keni folur për lidhjen me të dashurin tuaj në Londër. Jemi në vitin 2005. A vazhdon kjo lidhje?(

Vihet në siklet dhe luan kokën) Nuk dua t'i shtoj ndonjë detaj tjetër asaj që të deklarova gjatë intervistës në 2003.

Pra, nuk e mohoni ekzistencën e kësaj lidhjeje? A është ende gjallë një e tillë?

Po. Ne vazhdojmë të jemi bashkë. Kaq mjafton. Nuk më pëlqen të flas për jetën time private.

Prej kohësh nuk keni publikuar ndonjë album të ri. Keni ndonjë plan të afërm?

Po, ka kohë që nuk kam nxjerrë ndonjë album, e kjo për shkak të lëvizjeve të mia dhe aktiviteteve të shumta. Por, po përgatitem për një album ku do të ketë këngë nga rryma të ndryshme.