Vetëvaret 13- vjeçari, “Dëshmitar i Jehovait”
Vladimir Muçaj (SHEKULLI)
FIER- Ishte një ndër adoleshentët e parë që kishte përqafuar parimet e “Dëshmitarëve të Jehovait”, të shpërndara nga misionarët e këtij sekti që vinin vazhdimisht në fshatin e tij Ndërmënas, 20 km larg Fierit. Me citatet e prera nga broshurat që predikojnë këtë sekt është gjetur i vetëvarur nga të afërmit e tij 13-vjeçari Viron Dhani, i cili dje është përcjell për në banesën e fundit nga të afërmit e tij. Burime të policisë të cilat i referohen hetimeve të deritanishme lidhur me ketë vetëvrasje, thanë për gazetën se adoleshentit i janë gjetur në xhep citate të sektit “Dëshmitarët e Jehovait”. Po sipas policisë, viktima vuante prej një viti nga sëmundja e epilepsisë dhe ndoshta kishte gjetur prehje tek mësimet e fesë. Policia tha se adoleshenti i ka dhënë fund jetës në kushtet e depresionit. Vironi ishte djalë i vetëm i familjes. Ai ka lënë pas një motër, një vit më të vogël.
Vetëvarja
Të afërmit rrëfyen dje për gazetën se në mbrëmjen e dy ditëve më parë, Vironi ka dalë nga shtëpia dhe ka shkuar në kasollen e bagëtive, disa metra larg banesës. Vonesa e tij i ka shqetësuar prindërit të cilët kanë dalë për ta kërkuar atë rreth banesës. Në një moment, nëna e 13- vjeçarit i është drejtuar kasolles së bagëtive. Ajo është ndeshur me një skenë të llahtarshme dhe ia ka dhënë kujës. Menjëherë aty kanë mbërritur dy fqinj të familjes Dhani, ndërsa është njoftuar policia. Të afërmit kanë rrëfyer se deri një vit më parë, Vironi gëzonte shëndet të mirë. “Papritur tek ai u shfaqën shenja të një sëmundjeje dhe pas ekzaminimeve rezultoi se Vironi vuante nga epilepsia”, thanë të afërmit. Vironi ishte kuruar herë pas here tek mjekë specialistë, por dhe tek mjekë popullorë, por sëmundja tek ai shfaqej herë pas here. Ndonëse me probleme shëndetësore 13- vjeçari vazhdonte rregullisht shkollën. Ai ishte nxënës në klasën e shtatë dhe siç treguan mësuesit dhe shokët e tij, ai ishte një nxënës me rezultate të mira. Vironi ishte parë që shkonte tek misionarët e “Dëshmitarëve të Jehovait”, të cilët e vizitonin herë pas here fshatin e tij. Librat që ai merrte prej këyre misionarëve i lexonte dhe prej tyre shkëpuste citate të ndryshme të cilat i mbante me vete, kanë thënë për gazetën të afërmit e 13-vjeçarit të vetëvarur. Daja i viktimës, Vangjel Shyti, tha për gazetën se Vironit iu gjetën në xhep disa letra, me fjali të marra nga broshurat e Jehovait.
Mësuesit dhe nxënësit
Mësuesit dhe bashkëmoshatarët e 13- vjeçarit janë shprehur të indinjuar lidhur me vetëvrasjen e 13-vjeçarit dhe kanë akuzuar, jo me emra konkretë, disa persona që vijnë në këtë fshat për të predikuar sektin e Jehovait. Shumë prej banorëve të rritur të Ndërmënasit u shprehën se ata më shumë takojnë fëmijët dhe u predikojnë atyre një botë të përtejme më të lumtur dhe pa probleme. Anita Sema, mësuesja kujdestare e Vironit, tha për gazetën se 13- vjeçari ishte një djalë me sedër dhe mësonte sistematikisht, për të arritur rezultate sa më të mira. “Ai ishte një nxënës i mirë me mësime dhe përballonte me vullnet dhe sëmundjen që i shfaqej herë pas here”,- tha më tej mësuesja. Ndërsa një banor rreth të 60-ave që nuk donte të identifikohej tha se “këtu nuk ka shtet. Çfarë janë këto fe që predikojnë jetën e përtejme. Është për t’u çuditur që shteti dhe qeveria hesht para këtyre tragjedive”,- përfundoi 60-vjeçari . Ndërsa shumë bashkëmoshatarë të Vironit thanë se dy- tre misionarë të Jehovait kalojnë në fshat shpesh herë dhe shpërndajnë broshura. Arjana një vajzë e klasës së shtatë, rrëfeu për gazetën se një ditë kishte parë Vironin të merrte dy broshura të tilla. Një tjetër nxënës tha se “Vironi i lexonte shumë këto broshura, madje na tregonte dhe ne citate”.
Nese me te vertete te gjithe keta te vetevrare kane te bejne me "Deshmitaret e Jehovait" duhen mare masat. Nuk kam njohuri sa duhet per ta. Mund te jete fe e perkryer por per femijet e vegjel paska pasoja. Gjithe keto vetvrasje nuk jane rastesi. Duhet ndaluar te pakten predikimi tek femijet.
Me keqardhje per prinderit e te afermit.
SG
Krijoni Kontakt