Regjisorja “love story” me shqiptarin që birësoi


Nga Londra
Muhamed Veliu


31 Mars Në Uells, një dashuri e rrallë për emigrantin, kundërshtohet nga kisha

Julia Gregg divorcon burrin pas lidhjes me 19-vjeçarin

Lamtumirë bashkëshort i dashur. Më fal, por unë jam e dashuruar marrëzisht me djalin shqiptar që ne adoptuam. Nuk bëhet fjalë për ndonjë pasazh të shkëputur nga një film televiziv apo telenovelë, por nga një ngjarje reale, ndodhur në një qytet të Uellsit. Regjisores 32-vjeçare Julia Gregg, i është dashur që t’i kërkojë divorcin bashkëshortit Steve Crandon, pas disa vitesh dashuri të fshehtë midis saj dhe 19-vjeçarit azilant, Krenar Lleshi. Ngjarja midis Gregg dhe Lleshit ka ngjallur debate në komunitetin katolik të Uellsit, ku vetë famulltari i kishës lokale ku ata banojnë, e ka quajtur jo të drejtë këtë lidhje.

Ngjarja

Megjithëse 13 vjet më e madhe në moshë se ai, një gjë e tillë nuk ka frenuar aspak që ata të jenë në krahët e njëri-tjetrit të lumtur, duke provuar edhe njëherë si të vërtetë shprehjen se “dashuria nuk njeh moshë”.

As vetë 19-vjeçari Krenar Lleshi nuk do ta besonte sa shpejt do të rrokulliseshin ngjarjet, nga të cilat do të lindte një dashuri për Julian. E pikërisht dashuria me shqiptarin ka bërë që Julia Gregg, me profesion regjisore, t’i kërkojë bashkëshortit ndarjen. Lidhja mes tyre është mësuar vetëm kohët e fundit, kur dashuria ishte konsoliduar në atë pikë, sa nuk mund të mbahej në “kasafortë” sekrete të ndjenjave.

Krenar Lleshi pretendon se ai iku nga vendi i tij i shkatërruar nga lufta gjashtë vite më parë dhe arriti në Tredegar në Uellsin jugor me shokun e tij, Edmond Pone. Që të dy djemtë, atëherë ishin 14 vjeç dhe u strehuan nga Julia dhe Steve, të cilët u bënë sikur të ishin prindërit e tyre. Ata i ndihmuan shqiptarët që të vendosen në Ebbe Vale dhe i futën në një shkollë kishtare. Ky do të ishte vetëm fillimi i lumtur si për çiftin dhe dy djemtë azilantë.

Dashuria, kisha kundra

Dy ditë më parë, Julia pohoi se ajo po jetonte me Krenarin, por refuzoi që të komentonte në lidhje me marrëdhëniet mes tyre. Ajo tha: “Unë mendoj se kjo çështje nuk i hyn në punë askujt. Unë as nuk po e pohoj e as nuk po e mohoj këtë. Nuk kam se ç’të komentoj”. Por, Rev Roger Hewett, famulltar i kishës së familjes në fjalë, në Blaina, zbuloi se Julia dhe Steve janë ndarë gjashtë muaj më parë. Dhe shtoi se çifti i ri është vendosur në një shtëpi me qira në Aberdare. Ai në lidhje me dashurinë e tyre tha se “nuk e di se sa kohë po ndodh kjo, sepse kjo nuk më ishte pohuar për një kohë të gjatë, por Steve dhe Julia më treguan së bashku se çka po ndodhte. Julia nuk ka tentuar që ta mbulonte këtë. Lidhja midis tyre duket se e ka vënë në siklet njeriun e Zotit, i cili deklaroi: “Nga pozita ime si famulltar i kësaj famullije, kjo gjë më fut në një situatë mjaft të vështirë dhe është kundër çdo vlere, të cilën e kam afër zemrës time. Por është me rëndësi që të mos jem gjyqtar, por të jem përkujdesës. Unë nuk pajtohem me ata, por unë ende kujdesem që ata të jenë në rregull”. Megjithë pakënaqësinë e priftit lokal, Julia dhe rrëmbyesi i zemrës së saj, Krenari, ende shkojnë në kishën e St.Peter-it dhe Rev Hewett, ku besohet se disa anëtarë të komunitetit kanë problem që të pranojnë këtë marrëdhënie.

Deportimi në vend të azilit

Ky fillim viti do t’i gjente të dy miqtë shqiptarë në pozita të lëkundura, pasi njëri nga ata kishte marrë përgjigje negative për aplikimin e azilit. Era e deportimit të tij kishte filluar të ndihej. Ndërsa, Krenarit, në muajin janar iu dha leja që të qëndrojë në Britaninë e Madhe, pasi kishte jetuar si djalë i çiftit në fjalë. Edmondi humbi apelin e tij në prill të vitit të kaluar dhe atij iu kërkua që të kthehet në Kosovë, edhe pse u argumentua se shtëpia e tij e re ishte Uellsi. Pas humbjes së apelit, i dëshpëruar, atij si mbeti gjë tjetër, veçse të shkojë në arrati duke iu ruajtur kapjes dhe më pas dëbimit. Çifti që i kishte birësuar do të fillonte një betejë e cilësuar si e profilit të lartë, që të mbajnë Edmondin në Britaninë e Madhe, përkrahur nga kryepeshkopi i Canterbury-it, Dr.Rowan Williams. Ngjarja ka dominuar edicionet e lajmeve në televizionet e Uellsit. Ndërsa vetë Julia Gregg tani i duhet veçse të mendojë për regjinë, ndoshta të një filmi dokumentar rreth lidhjes së saj me “djalin e birësuar”, pasi skenari është gati. Vetë dashuria e lindur mes tyre.