Close
Duke shfaqur rezultatin -19 deri 0 prej 4
  1. #1
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Shën Grigori Palamas - Kryepeshkop i Selanikut dhe Çudibërës

    "Nëse dëshiron që të korrigjosh gabimet e dikujt, mos mendo që ta korrigjosh atë vetëm me forcat e tua: vetëm sa do t'i bësh keq me anën e pasioneve të tua, për shembull, me krenarinë dhe irritimin që lind prej saj; 'por hidheni barrën tuaj mbi Zotin'(Ps. 55:22) dhe lutju Zotit 'i Cili teston zemrat dhe mbretëritë,' (Ps. 7:9) me gjithë zemër, në menyrë qe Ai Vetë të mund të ndriçojë mendjen dhe zemrën e atij njeriu."

    - Shën Grigor Palamas



    Hyrje në jetën e Shën Grigor Palamas

    Ati ynë i shenjtë Grigori, i biri i dritës hyjnore që nuk shuhet kurrë, shërbëtor i vërtetë i Zotit dhe nismëtar i mistereve të Tij mahnitëse, lindi në qytetin perandorak të Konstandinopojës në vitin 1296. Prindërit e tij ishin fisnikë dhe të mirënjohur, dhe u kujdesën që ai të mesonte si shkencat shekullore edhe urtësine hyjnore, në mënyrë që të njihte çdo virtyt.

    I ati i Grigorit u preh kur shënjtori ishte ende në moshë te vogël, por nëna e tij vazhdoi që ti drejtonte atë së bashku me motrat dhe vëllezërit e tij në ligjin e Zotit, duke u prezantuar atyre Shkrimet hyjnore dhe rregullat e sjelljes së mire. Ajo ua besoi fëmijët mesuesve të ditur dhe të devotshëm dhe kështu biri i saj fitoi plot dije. Djali i ri ishte nga natyra i zellshëm dhe kishte një mendje kurioze, dhe në një kohë shumë të shkurtër ai u njoh me çdo degë të filozofisë.

    Grigori e shikonte çdo gjë njerëzore si një ëndërr mashtruese, dhe nga dëshira për tiu afruar Zotit, burimit të gjithë diturisë, në moshën 12 vjeçare ai ishte i vendosur që të fillonte jetën monastike. Ai ia rrëfeu qëllimin nënës së tij të devotshme, dhe pavarësisht se ajo u dëshpërua në fillim, ajo ia dha miratimin e saj. Më kalimin e kohës, ajo u ngazëllye në Zot nga dëshira e Grigorit dhe vendosi që ti qëndronte pranë birit te saj në të pushtuarit e jetës monastike. Për më tepër, me ndihmën e Perëndisë ajo i bindi që të gjithë fëmijët e saj që të bënin të njëjtën gjë. Në këtë mënyrë ajo do të përsëriste fjalët e profetit: "O Zot, Unë dhe fëmijët e mi që Ti më ke dhënë do të ndjekim Ty, O Perëndi." (Is., kap. 8)

    Shën Grigori, i cili urrente me gjithë zemër bukuritë, ëmbëlsitë dhe lavdinë tokësore të përkohshme të kësaj bote, ua fali pasurinë e tij të varfërve, sipas mësimeve të Ungjillit, dhe e ndoqi nga pas Krishtin, duke harruar nënën e tij, vëllezërit dhe motrat. Në fillim vajti në Malin e Shenjtë ku jetoi në një prej manastireve. Ia dorëzoi veten e tij me bindje të plotë një njeriu çudibërës dhe perfekt të quajtur Nikodimos, i cili e këshilloi mbi urdhërimet e Zotit.



    Apolitikion

    O yll i Orthodhoksisë, mësues dhe mbështetës i Kishës, bukuri e jetës monastike dhe kampion i pashoq i theologëve, Grigor punëtor çudibërësi i Selanikut dhe predikues i hirit, përgjërohu pa pushim për shpëtimin e shpirtrave tanë.
    Fotografitë e Bashkëngjitura Fotografitë e Bashkëngjitura  

  2. #2
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17
    Jeta e Shën Grigor Palamas, Kryepeshkop i Selanikut dhe Çudibërës

    nga Filotheos, Patriarku i Konstandinopojës


    Fëmija i një familje të shenjtë

    Grigori ishte fëmija i prindërve fisnike dhe besimtarë të devotshëm. Kaq i virtytshëm ishte i ati i tij saqë perandori Andrea Paleologu B, e bëri atë një prej këshilltarëve të tij. Dhe jo vetem perandorët e tokës, por edhe vetë Zoti, Mbreti hyjnor e nderoi dhe lavdëroi atë gjatë kohës që ishte ende gjallë me mbrekulli. Përpara se të vdiste, Konstandini - kështu e kishte emrin - mori Zakonin engjëllor, duke u bërë murg dhe u quajt Konstantios.

    Pas vdekjes së babait, Grigori hoqi dorë nga studimi i filozofisë së hershme. Duke qenë shume i ri dhe duke patur vështirësi në të mbajturin mend, vendosi që të bënte tre gjunjëzime dhe të lutej për ndihmë përpara konizmës të nënës se Zotit. Dhe nëna e Zotit e cila është bujare dhe e gatshme të dëgjojë ata që i drejtohen asaj me besim, e ndihmoi Grigorin bile e frymëzoi edhe zemrën e perandorit që te ndihmonte financiarisht familjen e tyre. Një ngjarje për tu shënuar e atyre viteve ishte kur Grigori në moshën 17 vjeçare, i duhej te mbante një fjalim para perandorit dhe shkollarëve të tjere, mbi Aristotelin. Në fund të fjalimit të tij të gjithë u mahnitën dhe Theodhor Metokites, kryeoficeri i perandorit, shpalli "Sikur edhe vetë Aristoteli të ishte prezent sot këtu, pa dyshim që edhe ai vetë do ta kishte lavdëruar."

    Duke pare arritjet e Grigorit dhe progresin që kish bërë në çështjet qeverisëse të perandorisë, mbreti ishte shume i lumtur dhe po përgatiste vende me pozita të larta dhe plot nder për të. Megjithatë, Grigori i ri e kishte fiksuar mendjen në gjëra akoma më të larta: Mbreti Qiellor, dhe Mbretëria e Tij ishte interesi i tij i vetëm.


    Skema engjëllore

    Ai shoqërohej me murgj dhe asketikë që vinin në Konstandinopojë nga Mali i Shenjtë, dhe i pyeste për jetën monastike. Ata nga ana e tyre, e këshillonin që të vizitonte Malin e Shenjtë dhe bile të fillonte përpjekjet asketike ndërsa ishte në mes te botës. Këtë Grigori e bëri me aq zell aqsa ndryshoi veshjen, sjelljen dhe gjithë mënyrën e tij të jetës saqë shumë menduan se e kishte lënë mendja. Ai ndoqi nje jetë strikte duke hequr dorë nga gjithçka, duke ngrënë vetëm bukë dhe duke pirë vetëm uje, duke evituar ngopjen dhe veljen. Në të njëjtën mënyrë ai praktikoi të gjitha virtytet e tjera.

    Në moshën 20 vjeçare, pasi kishte refuzuar të gjitha nderet dhe premtimet e prendorit, Grigori vendosi që të largohet nga qyteti dhe të shkojë në Malin e Shenjtë. Pasi i kishte bindur të gjithë antarët e familjes së tij që të ndiqnin shembullin e tij, ai erdhi në manastirin e Lavra e Vatopaidit - një nga manastiret më të mëdha edhe sot e kësaj dite - dhe iu dorëzua plakut të nderuar Nikodimos. Ai e mori skemnën engjëllore nga ky plak dhe në një kohë shumë të shkurtër - nën kujdesin e plakut të tij - ai e ngjiti shkallen e praktikës dhe arriti lartësinë madhështore të vizionit.


    “Ndriço errësirën time”

    Dy vitet e para të zakonit të tij monastik, ai i kaloi duke agjëruar, mbajtur vigjilje, përqëndrimin e mendjes dhe lutje pa pushim. Në lutjet e tij ai gjithmonë thëriste për ndërhyrjen e Nënës së Zotit dhe në çdo rast do të kërkonte ndihmën e Saj. Njëherë, kur ishte duke medituar dhe i rrethuar plotësisht nga mendimi i Zotit, ai pa para tij një at shumë të lavdëruar (Shën Joan Theologu). Duke i kthyer sytë nga ai me nje shikim të butë, plaku i tha: "Erdha biri im, si i dërguar nga e Tërëshenjta dhe Mbretëresha e njerëzimit, që të të pyes se përse në çdo orë të ditës apo natës, i thërret Zotit me fjalët "...ndriço errësirën time, ndriço errësirën time ..?" Si përgjigje Grigori i tha: "Çfarë mund të kërkoj tjetër unë, që jam i mbushur plot me pasione dhe mëkate, përveç kërkimit të mëshirës dhe të ndriçohem që të shoh dhe të bëj Vullnetin e Perëndisë?" Atëherë Ungjillori i tha atij: "Zonja e të gjithëve - nëpërmjet meje, shërbëtorit të saj - urdhëron që unë të jem ndihmësi tënd." Pastaj Grigoi e pyeti atë: "Kur do të më ndihmojë nëna e Zotit mua, tani apo pas vdekjes?" "Tani dhe në jetën e ardhshme", tha Theologu dhe u zhduk, duke e mbushur kështu zemrën e Grigorit me një gëzim të papërshkrueshëm në lidhje me premtimin e nënës së Zotit.


    Tek Lavra e Shën Athanasiut

    Pas tre vjetësh bindje, plaku i tij i nderuar u nis për tek Zoti dhe Grigori vendosi që të shkojë tek Lavra e Madhe e Shën Athanasiut. Duke qënë se kishin dëgjuar për virtytin e tij, etërit atje e mirëpritën atë me nder të madh. Ai qëndroi me ta për tre vjet duke i impresionuar të gjithë me jetën dhe urtësinë e tij. Atij iu ngarkua detyra nga aboti i manastirit që të shërbente në mensë me vëllezërit e tjerë dhe të këndonte edhe në korin e kishës. Këto i bëri me një zell të madh dhe në të njëjtën kohë ai ishte i vendosur në praktimin e gjithë virtyteve të tjera. Të gjithë e admironin atë dhe e mbanin si model të tyre. Kaq shume i sundonte ai pasionet e tija, si ato natyrale edhe ato jo natyrale, saqë njëherë qëndroi pa fjetur për 3 muaj! Prapësëprapi, dashuria e tij për qetësine e brendshme nuk e lejoi atë që të qëndronte atje më gjate, prandaj u largua për në drejtim të shkretëtirës, i ndjekur edhe nga disa vëllezër të tjerë qe ndanin të njëjtin zell me te.


    I etur për qetësi shpirtërore

    Ai së bashku me vëllezërit e tjerë gjeti strehë tek skitët e quajtur “Glosia”. Atje jetonte edhe një Grigor tjetër nga Konstandinopoja, që kishte bërë emër me progresin e tij në qetësinë shpirtërore, si në vigjilencë edhe ne vizionet hyjnore. Nga ai Grigori mësoi misteret e larta të energjive noetike dhe vizionin e Zotit.

    Duke jetuar në qetësi shpirtërore ai u pa i denjë nga Perëndia për të marrë shume dhurata shpirtërore, të cilat nuk është e mundur as ti zëmë në gojë. Sidoqoftë, që të kuptoni sadopak vlerën e këtyre dhuratave, ai u mbulua me aq shumë psherëtima dhe lotë që i rridhnin çurkë - rojet e gjithë virtyteve - aqsa deri në fund të jetës së tij ai asnjëherë nuk pushoi së qari për mëkatet e tij, apo për mëkatet e gjithë botës.


    Rangu i Prifit

    Pa kaluar shumë kohë nga ardhja në “Glosia”, sulmet e piratëve turq në det ndërprenë qetësine e bekuar shpirtërore të Grigorit dhe 12 vëllezërve te tij, të cilët, për t'iu shmangur rrezikut, u strehuan në Selanik. Prej andej, ata vendosën që të shkojnë në Jeruzalem, në mënyrë që të nderonin Vendet e Shenjta dhe te gjenin një vend të përshtatshëm për të qëndruar. Duke pyetur veten nëse ky ishte edhe vullneti i Zotit, Grigori filloi të lutet për udhëzimin e Perëndisë. Në një moment, ai ndjehu gjumë dhe duke mbyllur sytë për pak çaste ai pa një vizion: "M'u duk sikur isha jashtë oborrit të mbretit së bashku me 12 vëllezërit e mi bashkëasketikë. Edhe vetë mbreti ishte atje i ulur ne fronin e tij të lavdishëm dhe i rrethuar nga fisnikët dhe oficerët e tij. Në një moment, njëri prej oficerëve të tij u nda nga grupi dhe erdhi tek unë - dukej të ishte një Dukë i madh - dhe më përqafoi. Duke më tërhequr tek vendi i tij ai iu drejtua bashkëasketikëve të mi me fjalët: "Këtë do ta mbaj këtu me vete, sepse kështu është urdhri i Mbretit, kurse ju, jeni të lirë të shkoni ku të doni."

    I ndriçuar nga Perëndia në këtë mënyrë, Grigori i informoi vëllezërit e tij, të cilët menjëherë e kuptuan që Duka i madh i cili e kapi atë për krahu ishte Shën Dhimitri, shënjti mbrojtës i Selanikut. Përpara se të largoheshin nga qyteti vëllezërit e bindën që të pranonte rangun e priftit, dhe pavarësisht se ai refuzoi në fillim, e pranoi më në fund sepse vetë Zoti i rrëfeu se ky ishte edhe vullneti i Tij.


    Në Manastirin e Verroia

    Pas pranimit në urdhërin e priftërisë, ata shkuan në një manastir në Verroia, ku Grigori rinisi përpjekjet për perfeksion. Tani ai qëndronte i vetëm në qelinë e tij, pa parë apo pa folur me njeri, dhe vetëm gjatë fundjavës ai dilte jashtë qelisë, për të kremtuar misteret hyjnore dhe të diskutonte çështjet shpirtërore me vëllezërit e tij. Në këtë kohë ai ishte 30 vjeç dhe në gjendje të mirë fizike. Prandaj, sipas thënies apostolike: "...unë e disiplinoj trupin tim dhe e nënshtroj atë.." (Kor. 9:27), Grigori ndërmori asketizëm akoma më strikt me agjërim të tejzgjatur, vigjilje, dhe lutje pa pushim.

    Kjo ishte mënyra e tij e kultivimit të shpirtit, që në një kohë shumë të shkurtër i çeli frutet e Shpirtit të Shenjtë, sipas Apostullit. Jeta e tij engjëllore, fjalët e tij te frymëzuara nga Perëndia dhe në veçanti fytyra e tij e shndritshme e shfaqnin këtë.


    Gabimi i Plakut Job të Vetmuar

    Gjatë kësaj periudhe, nëna e tij vdiq dhe pasi mori një letër nga motrat e tij që i luteshin që ti takonte - ato kishin nevojë për ngushëllim dhe drejtim shpirtëror - ai vendosi që t'u bënte një vizitë. Kështu ai erdhi në Konstandinopojë. I ndjekur nga motrat e tij ai u kthye në Selanik, ku ai i dërgoi ato në një konventë murgeshash, kurse vetë u kthye në qelinë e tij në Veroia.

    Në atë kohë ai u bë shok me një plak të vetmuar që e kish emrin Job. Jobi ishte një njeri i thjeshtë dhe kur dëgjoi Grigorin të udhëzonte të tjerët që të luteshin pa pushim, ai nuk u bind. Ai besonte se lutjet pa pushim ishin vetëm për murgjit dhe jo për të Krishterët e thjeshtë. Shenjtori nuk i tha gjë Jobit për këtë gjë, por Zoti e mbrojti shërbëtorin e Tij. Kur Jobi u kthye në qelinë e tij dhe filloi të lutej, një engjëll i Perëndisë iu shfaq duke i thënë: "Mos ki asnjë dyshim o plak për çfarë të tha Grigori i shenjtë, por mendo si ai dhe rrëfehu."


    Nga Praksis (Virtyti Moral) në Theoria (Vizion Hyjnor)

    Grigori kaloi 5 vjet në Veroia por u detyrua përsëri që të largohej falë sulmeve të shqiptarëve. Kështu që u kthye në Malin e Shenjtë dhe hyri në shtëpine e veçuar të Shën Sava. Ai vazhodi orarin strikt të izolimit por qëllimi i tij ishte Theori, që do të thotë, Vizion Hyjnor.

    Njëherë, gjatë një vigjilje që zgjaste gjitë natën për kremtimin e Pasionit të Shenjtë të Zotit tonë, Grigori ishte në kishë me vëllezërit e tjerë duke kënduar dhe lavdëruar Zotin. Ama, ai ishte shume i mërzitur, sepse disa prej vëllezërve flisnin për gjëra të kota gjatë asaj ore të shenjtë. Pa thënë ndonjë fjalë, ai e përqëndroi mendjen tek Zoti dhe filloi të lutej siç dinte vetë. Menjëherë drita hyjnore e mbuloi atë, dhe pa si ne intelekt edhe ne fizik abotin e manastirit, Makarios, i veshur me robën e kryepeshkopit. Kjo ishte një shfaqje hyjnore, pasi 10 vjet më vonë, Makarios u bë kryepeshkop i Selanikut.

    Njëherë tjetër, shenjtori ishte ne qelinë e tij duke iu lutur Nënës së Zotit për vete dhe për vëllezërit e tij. Po i lutej Zotit që ta lehtësonte ngjitjen e tyre në qiell duke ushqyer nevojat e trupit të tyre, në mënyrë që t'i lejonte të përqëndroheshin në përpjekjet e tyre shpirtërore. Atëherë, Nëna e Zotit iu shfaq atij në të njëjtën formë siç e kemi parë në Konizmat Orthodhokse, e ndjekur nga nje numër i madh i shënjtorësh të ndritur, dhe u tha atyre: "Që tani e tutje, kujdesuni dhe përmbushni nevojat e Grigorit shërbëtorit tim dhe shoqërisë së tij." Pasi e tha këtë, ajo u zhduk. Dhe shënjtori na thosh se që nga ajo ditë ata kishin gjithçka që u nevojitej pa u lodhur.

    Tre vjet ikën dhe përsëri, duke u lutur në qelinë e tij, ai ra në gjumë dhe pa veten duke mbajtur nje kanë të mbushur me qumësht. Pastaj, qumështi filloi të derdhej nga kana si ujë burimi. Mahnitja e tij u rrit akoma më shumë kur e pa qumështin të kthehej në një verë aromatike, që iu derdh mbi duar dhe mbi veshjen. I mbushur me një gëzim të papërshkrueshëm nga kjo pamje, Grigori papritur pa një oficer të ndritur që po qëndronte përballë tij dhe po i thosh: "Pse Grigor nuk e ndan këtë pije të mbrekullueshme me njerëz të tjerë por e lë që të shkojë dëm? A nuk e di që kjo është një dhuratë e Perëndisë që nuk ka për të rreshtur kurre?" Grigori e mbrojti veten duke thënë se në atë kohë nuk kish njeri që kish nevojë për atë pije. "Megjithatë," tha oficeri, "është detyra tënde që ta ndash atë dhe t'ia lësh Zotit në dorë të vendosi se kush është i denjë që ta pijë." Menjëherë sapo oficeri u largua dhe Grigori e gjeti veten në flakë te ndritshme nga drita hyjnore. Ai e kuptoi se kthimi i qumështit në verë do të thosh kthimin e mësimeve të tij nga thjeshtë udhëzuese në dogmatike dhe hyjnore.

    I bindur ndaj vullnetit hyjnor ai filloi te shkruante shkrime te mbrekullueshme theologjike që ne ende lexojmë edhe sot e kësaj dite. Pleqtë e Manastirit të Esfigmenou, duke parë Shpirtin e Zotit që kish gjetur strehë në të, e zgjodhën abot. Kështu Grigori u bë vëzhguesi i 200 murgjve që jetonin në atë manastir në atë kohë. Gjatë shërbimit të tij si abot, Grigoi shëroi një murg të pushtuar nga djalli, bëri mbrekulli duke mbushur fuçitë bosh të vajit të manastirit me bekimin e tij, pemët e ullinjve që nuk jepnin frute, dhanë frute me bollëk.

    (...vazhdon)

  3. #3
    i/e regjistruar
    Anëtarësuar
    05-12-2006
    Postime
    172

    E djela e dyte e kreshmes. Sh. Grigor Pallamai

    Ne çdo të Dielë të Kreshmës së Madhe, ndalemi në një lloj stacioni dhe kreshma, është parë nga Kisha Orthodhokse si udhëtim. Kisha e ka parë si një lloj kthimi tek Ati, duke u nisur nga fjalët e Ungjillit tek historia e Djalit Plangprishës, ku thuhet: “Do të ngrihem e do të kthehem tek Ati im”. Atë që Kisha predikon gjatë kreshmës u kujton të gjithë besimtarëve që jemi në një udhëtim, në një kthim për tek Ati.
    Të Dielën e dytë kujtohet Shën Grigor Pallamai. Edhe kjo ka ardhur nga një ngjarje historike, sepse këtë të Dielë u restaurua mësimi i Shën Grigor Pallamait. Ungjilli i sotëm nuk lidhet shumë në kuptimin e jashtëm, me mësimin e Shën Grigorit, sepse struktura liturgjike e Kishës ishte themeluar shumë shekuj më parë, para se të kishte lindur Shën Grigor Pallamai, por ajo për të cilën Kisha nguli këmbë në këto dy të Diela, për t’i dhënë një karakter mësimit të saj, është ajo që na duhet ne gjithmonë. Në një pjesë të jetës së Shën Grigorit është një histori. Kur ai ishte në Malin e Shenjtë në një kohë kur ishte gjysëm zgjuar e gjysëm fjetur pati një vizion, sikur në dorë pati një kupë të mbushur me qumësht dhe dalëngadalë qumështi po kthehej në verë dhe vera po rritej dhe derdhej nga kupa dhe po i lagte dorën dhe rrobat. Në atë kohë një djalë me rroba të ndritshme iu shfaq dhe i tha: “Pse nuk e ndan këtë hir të madh me të tjerët, por e lejon që të derdhet”? Shën Grigori thotë: “Në këtë kohë shumë pak njerëz janë të interesuar për doktrinën e Kishës”. Dhe i tha: “Ky është një hir që të është dhënë nga Perëndia. Edhe sikur asnjeri të mos jetë i interesuar për të, ti bëj detyrën”.
    E tregova këtë histori më shumë për të thënë që shumë njerëz edhe sot në Kishën Orthodhokse dhe në Kisha të tjera thonë që njerëzit nuk janë të përgatitur për të mësuar doktrinën, e megjithatë mësimi i krishterë ka qënë në bazë të doktrinës. Çdo orthodoks, çdo i krishterë duhet të mësojë pak nga doktrina e tij, duhet të njohë se çfarë beson, sepse është e vështirë t’i zbatojë urdhërimet e Kishës dhe porositë morale të saj nëse nuk do e mbështetë këtë tek doktrina. Ndoshta Shën Grigor Pallamai ishte murg dhe nuk kishte shumë nevojë që ta mbronte në manastir doktrinën, por ai e mbrojti sepse e dinte se një shtrembërim i doktrinës do të sillte më vonë një shtrembërim në spiritualitetin e Kishës. Dhe ne këtë e kemi parë. Sa herë në Kishë ka ndodhur një skizëm, një herezi, sa herë që ka ndodhur një ndarje qoftë edhe për një pikë të pakuptueshme të doctrines, ajo ka sjellë pasoja shumë të rënda në jetën shpirtërore të asaj Kishe. Në kohën kur jetonte Shën Grigor Pallamai ndodhi një herezi tjetër. Një murg, i cili kishte ardhur nga Kalabria, me emrin Bernardo, që si murg u quajt Varlam, filloi të përhapte një doktrinë që ishte kundër jetës shpirtërore të murgjve të asaj kohe. Duke filluar që nga shekulli i IV doktrina e “Lutjes Hezikaste”, e lutjes në qetësi, që shpesh njihet me emrat e ndryshëm lutja e Jisuit apo lutja e zemrës, kishte vazhduar pa u shqetësuar në të gjitha manastiret. Të gjithë murgjit përfshiheshin në këtë lloj lutje e cila përfshinte jo vetëm intelektin, shpirtin dhe zemrën e tyre, por edhe trupin e tyre. Varlamit, i cili në atë kohë ishte i ndikuar nga idetë e Humanizmit dhe Rilindjes që në shekujt pasardhës shpërthyen në të gjithë Evropën dhe si pasojë sollën sekularizimin që e kemi dhe sot, iu duk pak e habitshme sesi Zoti, i cili është i pakuptueshëm dhe i paprekshëm, mund të shihet edhe me sytë e njeriut. Murgjit vazhdimisht thoshin që në lutjen e tyre, ata arrinin një lloj gjendje ku fillonin të ndienin Dritën e malit Tabor. Gjatë praktikimit të kësaj lutje murgjit thoshin, sidomos ata më të shenjtët se kishin arritur ta ndijenin këtë lloj drite, pikërisht të ndijenin atë që në Kishën Orthodhokse quhet Hyjnizimi, si qëllimi përfundimtar i çdo të krishteri. Sado e habitshme t’iu duket njerëzve, qëllimi kryesor i Mishërimit të Zotit, ishte pikërisht për ta ngritur natyrën e njeriut që të merrte pjesë në vetë jetën e Perëndisë. Kur Shën Athanasi i Madh thotë që Zoti u bë njeri që ne të bëhemi perëndi, pikërisht donte të thoshte që qëllimi final i jetës së krishterë është hyjnizimi i tij. Ndërsa në Perëndim dhe në shumë vende të tjera, filloi të thuhej, sidomos nga murgu Varlam se ky lloj hyjnizimi është vetëm në intelektin dhe jo në pjesët e tjera. Kjo është arsyeja që Kisha Orthodhokse e kishte mbështetur të gjithë predikimin e saj në hyjnizimin e natyrës së njeriut. Izolimi i madh që kishte pësuar njeriu nga ndarja me Zotin, solli një lloj zhvillimi intelektual. Në atë kohë herezia e Varlamit filloi të përhapej edhe në Lindje dhe shumë e shumë njerëz filluan ta besonin sepse iu dukej më e kuptueshme. Librat e tij kishin arsye, sepse ai shpjegonte dhe thoshte, që përderisa Zoti është i pakuptueshëm në esencën e tij, atëherë këta murgjër janë të gënjyer, kur thonë se kanë parë Dritën. Pikërisht shumë murgjër në paraktikat e tyre kishin arritur ta shikonin Dritën e Taborit dhe derisa e kishin arritur ata kjo është diçka e mundshme për të gjithë ne dhe Kisha Orthodhokse kishte ngulur këmbë vazhdimisht që feja nuk është për disa njerëz të zgjedhur, as nuk është aspekt i jetës intelektuale. Ne nuk mendojmë vetëm për Zotin, ne e përjetojmë Zotin. Ndonëse ne nuk mund ta shpjegojmë dot në mënyrë të arsyeshme, sesi ne mund ta shohim këtë Dritë, ne mund ta përjetojmë këtë Dritë dhe Shën Grigori ishte një nga ata njerëz që e kishte përjetuar këtë dhe kur fliste nuk fliste thjesht në kuptimin intelektual, por fliste për diçka që e kishte njohur dhe shkrimet e tij u përqëndruan pikërisht në këtë, duke iu shpjeguar të gjithëve se ndonëse Zoti në vetvete është i pakuptueshëm, në esencën e tij është i paarritshëm, për asnjë lloj gjëje të krijuar dhe kjo jo vetëm për trupin e njeriut, por edhe nga arsyeja e njeriut. Ndërsa në kuptimin biblik dhe të krishterë qoftë dhe shpirti dhe mendja e njeriut prapë janë të krijuara dhe ato në krahasim me Perëndinë janë po aq të larguara sa është edhe trupi, dhe njeriu nuk shikohej i ndarë, por i plotë, trup dhe shpirt së bashku. Çdo gjë që krijonte ndarjen do të thoshte se krijonte ndarjen e njeriut. Ndoshta disave mund t’iu duket e habitshme se përse ne duhet t’i dimë këto gjëra, se kush është njeriu, ç’raport ka me Zotin. Por këto janë shumë të rëndësishmë për zhvillimin e jetës shpirtërore. Arsyeja, pse Kisha Orthodhokse e mbajti gjallë frymën nëpër manastire, e mbajti gjallë lutjen hezikaste, e mbajti gjallë gjithçka në raport me Perëndinë dhe nuk e kufizoi misticizmin vetëm tek disa persona të caktuar në fushën emotive, do të thotë se pikërisht Kisha Orthodhokse mbrojti dhe pranoi mësimin e Shën Grigor Pallamait që në vetvete nuk ishte thjesht mësimi i tij, por mësimi që ishte mësuar gjatë gjithë shekujve nga Etërit e Kishës. Kjo gjë e përkthyer në gjuhën tonë ose ndoshta në jetën tonë të , donte të thoshte pikërisht këtë: që gjithsecili nga ne, çdo i krishterë i cili pagëzohet në Kishë do të thotë që merr një hir nga Perëndia dhe ky hir duhet të zhvillohet dhe të rritet, ky hir do t’i japë gjithë mundësitë njeriut për të arritur dhe parë, atë dritën mistike të malit Tabor; për këtë janë thirrur të gjithë të pagëzuarit. Çdo gjë që krijon një ndarje, diçka që pohon se kjo është vetëm për disa shenjtorë ose njerëz të zgjedhur, do të thotë se krijon një defekt në jetën shpirtërore të çdo të krishteri. Të gjithë jemi thirrur që të takojmë Zotin, të gjithë jemi thirrur për ta prekur Atë, të gjithë jemi thirrur që të takohemi me Zotin, prandaj nëpërmjet fuqisë së Zotit që në gjuhën e Shën Grigor Pallamait quhej energjia hyjnore, vetë Zoti zbret tek ne në një formë të mistershme. Sa herë që ne kungohemi, kungohemi me Zotin, sepse tek Zoti ishte edhe Hyjnia edhe njeriu. Nëpërmjet këtyre elementëve lëndorë Zoti transmeton hirin e Shpirtit të Shenjtë. Kjo ka qenë një nga bazat kryesore të teologjisë së Kishës Orthodhokse. Mbështetur në këtë merr kuptim edhe agjërimi, sepse trupi zë një vend të rëndësishëm në luftën shpirtërore të njeriut. Në kuptimin biblik fjala shpirtëror do të thotë: njeriu që është përkushtuar totalisht në jetën drejt Perëndisë dhe “mishor” ose trupor quhet njeriu i cili është skllavëruar nga pasionet e tij, prandaj dhe arsyeja që trupi merr pjesë në këtë luftë, do të thotë se edhe trupi merr pjesë në ndriçimin dhe trupi merr pjesë në atë që është i gjithë njeriu. Nuk mund të ketë dot njeri pa pasur trupin, dhe ajo që ne themi vazhdimisht për Krishtin është se u ngjall me trup.
    Influenca negative që solli filozofia e Platonit në Krishterim dhe në disa vende të tjera shkaktoi këtë herezi të cilën Shën Grigori e luftoi, sepse bënte ndarjen midis shpirtit dhe trupit. Ndonëse sot nuk ekzistojnë herezira në kuptimin e kësaj fjale, përsëri kjo influencë e solli njeriun në këtë gjendje që jemi ne sot. Qytetërimi i sotëm është mbështetur mbi sekularizmin, në një lloj pavarësie të intelektit njerëzor nga çfarëdo lloj jete shpirtërore ose fetare, sepse kjo filloi që në Rilindje, kur u nda pothuajse tërësisht intelekti nga Zoti, kur u nda e gjithë veprimtaria e jetës së njeriut nga Perëndia, kur jeta fetare dhe shpirtërore u përqëndrua vetëm mbi intelektin dhe bisedat intelektuale të disa filozofëve dhe masat e tjera të njerëzve ishin sikur nuk kishin të bënin fare me të. Ndërsa ajo që kishin mbrojtur murgjit, ajo që kishin praktikuar vazhdimisht asketët orthodhoksë ishte kjo: që e gjithë jeta e njeriut në çdo detaj të tij, madje edhe në detajin që mund të duket më i trashë, në atë trupor është i lidhur me praninë e Perëndisë. Asgjë nuk mund t’i shpëtojë dot pranisë së Perëndisë, Zoti është i pranishëm tek ne, ndonëse është një Zot i pakuptueshëm, është një Zot që merr pjesë në çdo detaj të jetës sonë, ndryshe nuk do të kishim nevojë për Zotin. Nëse do të ishte një Zot krejtësisht i paprekshëm dhe i pakuptueshëm atëherë për çfarë na duhej ne dhe në bazë të këtij sekularizmi të sotëm njeriu ka arritur në këtë gjendje, që njerëzit jetojnë njëlloj si ata që besojnë dhe ata që nuk besojnë. P.sh. një njeri që beson dhe komshiun e tij që nuk beson, pak a shumë të dy njëlloj janë, njëlloj gënjejnë, njëlloj mashtrojnë, njëlloj kanë lakmira, njëlloj ushqehen dhe nuk e di se ku ndodhet tamam ndryshmimi midis tyre. Pikërisht se ai që ka besuar e ka bazuar besimin thjesht në anë intelektuale vetëm me mend duke pohuar: e pranoj që ka një Zot, dhe nuk e pranon që thellë thellë ky Zot duhet të marrë pjesë në shpirtin e tij. Ajo që Kisha Orthodhokse thekson sot, është pikërisht kjo gjë që njeriu i tërë, trup dhe shpirt është thirrur për të marrë pjesë tek Zoti dhe jo vetëm disa shenjtorë apo asketë të mëdhenj si Shën Grigor Pallamai, por gjithsecili nga ne. Çdo të pagëzuari i bëhet ky apel. Hyjnizimi arrihet nëpërmjet mësimeve të Kishës, jo nga përpjekje personale, as nga merita personale të gjithsekujt, sado i madh që të jetë ai, por nëpërmjet mistereve që ka dhënë Zoti në Kishë, gjithkush nga ne mund të arrijë Hyjnizimin. Nëse Pagëzimi, Kungata dhe çdo mister tjetër në Kishë, përjetohet plotësisht, atëherë ne do të ndryshojmë, atëherë ne do të kuptojmë sesa të nevojshme janë praktikat e ndryshme që ka vendosur Kisha si agjërimet, lutjet e gjata, agripnitë dhe gjithë struktura liturgjike e Kishës, sepse është e pamundur të bëhet udhëtimi pa pasur disa pajime, por ne nuk marrim pajimet sepse nuk udhëtojmë. Askush nga ne nuk është nisur të udhëtojë drejt Atit, pak njerëz janë ata që kanë thënë në shpirtin e tyre do të ngrihem dhe do të shkoj tek Ati, sepse besimi është i vakët ose është vetëm në planin intelektual, nuk aplikohet në jetën e përditshme.
    Çdo gjë që krijon një ndarje do të thotë se krijon ndarje tek njeriu dhe pikërisht vdekja është ajo që e godet njeriun në qendër, që e ndan shpirtrin nga trupi. Vdekja pikërisht është armiku më i madh i njeriut sepse ndan njeriun dhe ajo që solli Krishti dhe mishërimi i Zotit ishte pikërisht ajo që e bashkon përsëri njeriun dhe i jep atij integritetin e tij të parë.
    Historia e gjatë mijëravjeçare e Krishtërimit e ka vërtetuar vazhdimisht këtë, prandaj gjithsekush nga ne, le ta zhvillojë aftësinë e tij, por gjithmonë le të ketë një lloj përulësie dhe të kuptojë se Kisha ka një mençuri më të madhe, sepse Kisha është e mbështetur dhe ngritur mbi Krishtin, i cili është Llogjika e llogjikave i cili është Urtësia e të gjitha urtësive. Askush që i afrohet Krishtit nuk mund të mbetet dot në errësirë, prandaj dhe Kisha që ka jetuar dhe jeton vazhdimisht me Zotin i di shumë mirë disa gjëra, edhe kur shpesh ne nuk e kuptojmë diçka, le ta fillojmë, rrugës do ta kuptojmë.
    Prandaj le t’i lutemi Zotit që të na ndriçojë mendjet dhe të na japë fuqi për ta vazhduar këtë udhëtim dhe për ta kuptuar dhe përjetuar mësimin e Kishës. Amin.

  4. #4
    Shpirt Shqiptari Maska e Albo
    Anëtarësuar
    16-04-2002
    Vendndodhja
    Philadelphia
    Postime
    30,348
    Postimet në Bllog
    17

    Për: Shën Grigori Palamas - Kryepeshkop i Selanikut dhe Çudibërës


Tema të Ngjashme

  1. Shën Dhimitri i Selanikut - 26 tetor
    Nga Albo në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 13
    Postimi i Fundit: 26-10-2015, 16:15
  2. Gjika, dinastia shqiptare që shkëlqeu në Rumani
    Nga RaPSouL në forumin Historia shqiptare
    Përgjigje: 5
    Postimi i Fundit: 05-07-2009, 15:01
  3. Përgjigje: 133
    Postimi i Fundit: 23-05-2009, 16:51
  4. Shën Grigori Çudibërës - 17 nëntor
    Nga arbereshi_niko në forumin Komuniteti orthodhoks
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 20-12-2008, 15:45
  5. Kryebashkiaku i Selanikut: "Korca, qendra e helenizmit në shekullin e XVIII"
    Nga Xhuxhumaku në forumin Tema e shtypit të ditës
    Përgjigje: 0
    Postimi i Fundit: 16-10-2005, 11:40

Regullat e Postimit

  • Ju nuk mund të hapni tema të reja.
  • Ju nuk mund të postoni në tema.
  • Ju nuk mund të bashkëngjitni skedarë.
  • Ju nuk mund të ndryshoni postimet tuaja.
  •