Departamenti Amerikan i Shtetit publikon raportin. Shqipëria, vend me rrezik potencial për pastrimin e parave të krimit
"Pastrim parash në Bankën Qendrore"
Raporti, dyshime mbi pastrimin e parave, përmes blerjes së bonove të thesarit në Bankën e Shqipërisë
Ened Janina
TIRANË- Departamenti Amerikan i Shtetit etiketon Shqipërinë si një vend me rrezik potencial për pastrimin e parave me prejardhje kriminale. Sipas një raporti të publikuar në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit, organizata të ndryshme kriminale e përdorin Shqipërinë si një bazë për të zhvilluar më pas aktivitetin e tyre në të gjithë Europën. Më pas, paratë rikthehen në Shqipëri, ku investohen në biznese të ndryshme dhe humbin prejardhjen e tyre origjinale, aktivitetin kriminal. Departamenti Amerikan i Shtetit, në raportin e tij të publikuar vetëm pak ditë më parë ka bërë edhe sugjerimet përkatëse, për të përmirësuar legjislacionin kundër pastrimit të parave.
Raporti
“Si një vend tranziti për trafikun e drogës, armëve, kontrabandës dhe atë të qenieve njerëzore, Shqipëria mbetet një vend me rrezik shumë të madh potencial për pastrim parash të pista. Burimet kryesore të kriminelëve janë trafiqet e drogës, grabitjet, shfrytëzimi dhe trafikimi i prostitucionit, trafikimi i armëve dhe i makinave si dhe vjedhja me anë të shpërdorimit të detyrës”,- thuhet në raportin e Departametit Amerikan të Shtetit. Sipas këtij raporti, në Shqipëri nuk mungojnë as rastet e evazionit fiskal, krimeve që lidhen me taksat si dhe falsifikimi i parave. Në raport citohet se grupime të ndryshme kriminale e përdorin Shqipërinë si një bazë të operacioneve të tyre, që kryhen në vende të tjera të Evropës. Ky aktivitet kriminal u sjell atyre përfitime shumë të mëdha financiare, të cilat rikthehen shumë lehtë në Shqipëri. “Burimet financiare nga këto aktivitete kriminale pastrohen shumë lehtë në Shqipëri për shkak të kontrolleve shumë të ulëta që ka qeveria vendase. Pastrimi i parave dyshohet se kryhet nëpërmjet investimeve në pasuri të paluajtshme dhe projekteve të biznesve të ndryshme për zhvillim. Në raport thuhet që ka dyshime se pastrimi i parave kryhet edhe nëpërmjet blerjes së bonove të thesarit prej Bankës së Shqipërisë nga individë, nëpërmjet transanksioneve të parregullta”, -thuhet në raport. Sipas raportit, kontrollet doganore dhe bankare për transferta të mëdha parash besohet se nuk janë aspak efektive, për shkak të korrupsionit që mbizotëron në këtë fushë.
Ekonomia, me para “kesh”
“Ekonomia e Shqipërisë është kryesisht e bazuar në paratë “kesh”. Ende rreth 80% e transaksioneve ekonomike kryhen me para në dorë dhe kjo i krijon një lloj vështirësie policisë, për të kryer hetime në lidhje me pastrimin e parave. Transaksionet elektronike janë relativisht të rralla, por ato po rriten me shumë shpejtësi, pasi një numër i madh bankash po përdorin këtë teknologji”,- thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit mbi Shqipërinë. Duke cituar Bankën e Shqipërisë, raporti pohon se 26% e parave qarkullojnë jashtë sistemit bankar, ndërkohë që në vendet e tjera të Europës Lindore dhe Qendrore kjo shifër është rreth 10%. “Deri në vitin 2004, edhe vetë qeveria shqiptare i ka paguar punonjësit e saj me para në dorë, por tashmë një numër jo i vogël institucionesh kanë filluar të përdorin sistemin elektronik të pagesës”,-thuhet në raport. Deri në fund të vitit 2005, të gjithë institucionet e qeverisë duhet të kthejnë sistemin e pagesës me sistemin elektronik. “Në Shqipëri ka 16 banka, por vetëm shtatë prej tyre mund të konsiderohen si kryesore. Edhe pse ka pasur përpjekje për të sensibilizuar njerëzit që të përdorin sistemin bankar rezultatet nuk kanë qenë shumë të mira”, -thuhet në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.
INVESTIME
Paratë e fituara nëpërmjet veprimtarive kriminale dyshohet se pastrohen në Shqipëri, nëpërmjet investimeve në blerjen e pasurive të paluajtshme. Të paktën kështu thuhet në raportin më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit
PROJEKTE
Projektet e ndryshme të biznesit për zhvillim, sipas raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, janë një rrezik potencial për pastrim parash. Sipas raportit, edhe pse ka shumë ligje për parandalimin e këtij fenomeni, kontrolli i institucioneve shtetërore është i dobët
BONOT
Sipas raportit, ka dyshime që pastrimi i parave bëhet edhe nëpërmjet blerjes së bonove të thesarit nga Banka e Shqipërisë. Kjo mënyrë e pastrimit të parave, sipas raportit të SHBA-së dyshohet se bëhet nëpërmjet transaksioneve të parregullta
Krijoni Kontakt