“Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj do të mbeten në zemrën tënde; dhe t’ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën, rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe çohesh. Do t’i lidhësh si një shenjë në dorë, do të jenë si shirita mes syve, dhe do t’i shkruash mbi pllakat e shtëpisë sate dhe mbi portat e tua.” (Ligji i Përtërirë 6:6-9)

Ashtu si trupi ynë që ka nevojë për ushqim të përditshëm që të jetojë, në mënyrë të ngjashme, edhe shpirti ynë ka nevojë për ushqim që të rritet dhe të piqet. Për të Krishterët një nga mënyrat më të mira për të ushqyer shpirtin është leximi i Biblës. Për 2000 vjet, leximi i Biblës ka qenë një nga shtyllat e Kishës së Krishterë. Adhurimi i Krishterë, mësimet e Kishës dhe të gjitha shërbesat shpirtërore i kanë rrënjët e tyre në Shkrimin e Shenjtë. Pra, nëse duam ta njohim Perëndinë dhe të mësojmë të jetojmë brenda Kishës, duhet që të studiojmë me kujdes Shkrimin e Shenjtë.

Bibla na mëson jo vetëm rëndësinë e leximit të Shkrimit të Shenjtë, por gjithashtu na mëson që ta bëjmë fjalën e Perëndisë pjesë të rëndësishme të jetës sonë.

“Ky Libër i Ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh sipas të gjithë atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh.” (Libri i Jisu Naviut 1:8) “Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës së të pabesëve... por që gjen kënaqësi në ligjin e Zotit dhe mendon ditë e natë mbi ligjin e tij. Ai do të jetë si një pemë e mbjellë gjatë brigjeve të ujit, që jep frytin e tij në stinën tij dhe gjethet e të cilit nuk fishken; dhe gjithçka bën do të ketë mbarësi.”( Paslmi 1:1-3)

“Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time! Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarsinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti. Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.” (Psalmi 118:103-105).

“Fjala e Krishtit banoftë në ju me begatinë e vet.” (Kol 3:16).

“Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës.” (Heb. 4: 12)

Bibla gjithmonë ka qenë thesari më i madh i trashëgimisë së Krishterë Orthodhokse. Eshtë burimi kryesor i së vërtetës dhe burimi më krijues i gjithë adhurimit, doktrinës dhe shërbesave të Kishës. Ja pse, Isak Siriani thekson se, guri më i madh për themelin e jetës dhe udhëtimit tonë shpirtëror, është përqendrimi tek Bibla dhe tek mençuria e saj.

Si u bënë Etërit tanë të Kishës, Shenjtorë dhe udhëheqës aq të mëdhenj? Një nga mënyrat kryesore ishte studimi i Shkrimit të Shenjtë dhe zbatimi i mësimeve të tij. Shën Joan Gojarti besonte me shumë forcë në rëndësinë e tyre saqë e disiplinoi veten që të lexonte të gjitha letrat e Shën Pavlit të paktën dy herë në javë.

Shën Kozmai i Kolkondasit i nxiste njerëzit, të cilëve u predikonte, që të mblidheshin në grupe prej 5-10 vetash, të lexonin dhe të diskutonin Biblën me njëri-tjetrin.

Shën Serafimi i Sarovit lexonte përveç të katër Ungjijve çdo javë, disa letra ose Veprat e Apostujve. Ai thoshte se e bënte një gjë të tillë sepse “Unë bashkëbisedoj me Perëndinë, kujtoj Jetën dhe Vuajtjet e Tij dhe ditë e natë unë lavdëroj dhe falënderoj Shpëtimtarin për gjithë mëshirën që ka derdhur mbi gjithë njerëzimin dhe mbi mua të pavyerin.”

Ja disa thënie nga Shenjtorë e Etër rreth Biblës:
“Shkrimi i Shenjtë nuk na u dha që ta kemi në libra, por që ne ta gdhendim atë në zemrat tona... dëgjoni, ju përgjërohem të gjithëve, ju që keni kujdes për jetën e krishterë ... zhytuni në Shkrimin e Shenjtë, gëlltitini të gjitha brenda vetes dhe mos i harroni. Sepse shkaku i gjithë të këqijave është mosnjohja e Shkrimeve.”,- na thotë Shën Joan Gojarti.

“Mosnjohja e Shkrimeve është mosnjohja e Krishtit.”, thotë Shën Jeronimi. “Duke studiuar Ungjillin e Shenjtë, zbulova në të mësime të shumëllojshme dhe të ndryshme që janë perla, diamante, thesare, pasuri, gëzim, kënaqësi - jetë e përjetshme.” Shën Kozmai i Kolkondasit.

Shën Tihoni i Zadonskut përdorte këtë shembull.

“Nëse një Mbret Tokësor do t’ju shkruante një letër, a nuk do ta lexonit me gëzim? Sigurisht me gëzim dhe vëmendje të madhe. Juve ju kanë dërguar një letër të shkruar jo nga ndonjë udhëheqës tokësor, por nga një Mbret Qiellor. Dhe megjithatë nuk e vlerësoni një dhuratë të tillë, një thesar që nuk ka të çmuar... Sa herë që të lexoni Ungjillin, ju flet vetë Krishti dhe ndërsa lexoni ju luteni dhe flisni me Të.”

Të lexuarit e Biblës është një bashkëbisedim me Perëndinë. Ai na flet që të na mësojë, të na udhëheqë dhe të na drejtojë. Bibla është një letër nga Perëndia e adresuar personalisht tek secili prej nesh. Të gjithë ne duhet të jemi të ngazëllyer për të lexuar atë ç’ka për të na thënë Krijuesi i Universit.